Aktualitet

Gjithçka e hapur nga e hëna veç transportit publik, ISHP apel qytetarëve: Zbatoni masat dhe shmangni daljet e panevojshme

Nga e hëna të gjitha aktivitetet në vend do të jenë të hapura, përveç transportit publik, si dhe aktiviteteve social-kulturore e sportive në ambiente të mbyllura.

Instituti i Shëndetit Publik (ISHP) në këto kushte u bën thirrje qytetarëve të vijojnë me zbatimin me rigorozitet të masave për frenimin e përhapjes së infeksionit COVID-19.

“Në këtë situatë të lehtësimit të masave, kemi rritur vigjilencën për gjurmimin, testimin dhe identifikimin në kohë të rasteve të dyshuara me COVID-19 si dhe kontakteve të tyre, në mënyrë që situata të vazhdojë të mbahet në kontroll. Ju bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve që të vazhdoni të respektoni distancimin fizik dhe të mbani higjienën personale”, bën të ditur ISHP-ja.

ISHP gjithashtu këshillon qytetarët që të shmangen sa më shumë daljen e panevojshme dhe nëse kanë mundësi të bëjnë furnizimet e pazareve për një javë në mënyrë që të shmangen kontaktet dhe grumbullimet në markete e tregje, ndërsa distancimi fizik prej të paktën 1 metër duhet të jetë gjithmonë i pranishëm.

Të hënën në mbarë vendin do të lejohet edhe hapja e bareve dhe restorante pas 2 muajsh të mbyllura, ndërsa subjektet janë njohur edhe me protokollet për parandalimin e infeksionit.

Autoritetet kanë paralajmëruar kontrolle të rrepta për zbatimin e këtyre protokolleve. /atsh

Gjithçka e hapur nga e hëna veç transportit publik, ISHP apel qytetarëve: Zbatoni masat dhe shmangni daljet e panevojshme Read More »

Basha: Vëmendja jonë te hallet e shqiptarëve, duhet të hapen kufijtë për të ndihmuar turizmin

“Qeveria duhet të marrë masa për përballuar krizën ekonomike pas pandemisë”, tha sot kryetari i PD-së Lulzim Basha.

Gjatë një interviste televizive, Basha tha se “vëmendja jonë si opozitë është halli i përditshëm i shqiptarëve sepse vendi ka mundësi t’i bëjë ballë krizës ekonomike që po avitet dhe për të bërë atë sa më pak të dhimbshme për qytetarët, por kështu si po vazhdon kjo qeveri, kriza do jetë e papërballueshme”.

Në vijim, Basha u shpreh se “për pesë vite me radhë Maqedonia dhe Serbia kanë dy drejtime kryesore të zhvillimit të ekonomisë. Kanë mbështetur eksportet që prodhimet e qytetarëve të tyre të shkojnë në tregjet europian dhe kanë mbështetur investimet e huaja që të vijnë. Qeveria shqiptare i ka çuar paratë në dy drejtime, rilindje urbane, PPP dhe koncesione”.

Ai shtoi se teksa po afrohet sezoni turistik, mbahet mbyllur kufiri Kosovë-Shqipëri, ndërsa Greqia i hapi kufijtë.

“Qeveria shqiptare duhet të ulet me qeverinë e Kosovës për të bërë një plan duke respektuar sigurisht rregullat dhe të hapin kufijtë. 45% e turizmit vjen nga Kosova dhe një pjesë nga Maqedonia e Veriut”, tha ai.

Në lidhje me shembjen e Teatrit Kombëtar dhe nëse ka opozita ndonjë strategji, Basha tha se “teatri është afera e radhës e korrupsionit. Ne jemi i vetmi vend në botë që në mesin e pandemisë, qeveria në mënyrë të paligjshme po vrapon të shembë një ndërtesë e cila është një monument kulture, është shumë më shumë se kaq, është një simbol, me një aferë të shumë përfolur që është e lidhur me zaptimin e territorit dhe ndërtimin e kullave aty, apo jo?”

Basha tha se përplasja mes palëve për teatrin është e gabuar.

“Ne nuk jemi një shtet paralel, as polici paralele dhe as ushtri paralele dhe natyrisht nëse shteti mobilizohet me të gjitha forcat, rezistenca do të jetë maksimale. Ta shikosh si përplasje mes dy palëve është gjeja më e gabuara”, theksoi ai.

Basha shtoi se “vendimi i Këshillit Bashkiak është i paligjshëm. Çfarë punë ka Këshilli Bashkiak të urdhërojë prishjen e një monumenti kulture. Nëse këto paskan plane për të bërë teatër, e kanë patur planin gati te bulevardi i ri, pse nuk e bëjnë aty dhe të restaurojnë këtë. Nuk është puna të bësh një teatër të ri, por të shembësh atë sepse pas tij ka troje publike dhe private dhe duan t’i grabisin edhe në kohë pandemie”.

“Teatri është një aferë e pastër korruptive dhe vjedhje, ndërsa mënyra sesi bëhet tregon qartë që këtu nuk funksionon asnjë normë e shtetit ligjor. Ky është një test gjithashtu edhe për disa institucione të ngritura rishtazi siç është SPAK-u, i cili urgjentisht duhet të hetojë falsifikimin e vendimit të Këshillit Bashkiak”, tha Basha duke shtuar se “opozita do marrë të gjitha masat e mundshme që të jetë në krah të qytetarëve dhe artistëve”. /atsh

Basha: Vëmendja jonë te hallet e shqiptarëve, duhet të hapen kufijtë për të ndihmuar turizmin Read More »

Artistët nga Maqedonia e Veriut i bashkohen peticionit të artistëve shqiptarë: Të ndërtohet Teatri i ri Kombëtar

Ndërtimi i një teatri të ri po mbështetet jo vetëm nga komuniteti i aktorëve dhe regjisorëve brenda vendit, por edhe në trevat e tjera shqiptare.

Artistët maqedonas, Qendrim Rijani dhe Adem Karaga, si dhe kineasti shqiptar, Vladimir Kasaj, i janë bashkuar peticionit pro Teatrit të Ri.

Në peticioni artistët i bëjnë thirrje politikës të qëndrojë larg kësaj çështjeje dhe përsëritet vullneti i artisteve pro ndërtimit të një Teatri të ri Kombëtar, në vendin ku ndodhet godina e vjetër./atsh

Artistët nga Maqedonia e Veriut i bashkohen peticionit të artistëve shqiptarë: Të ndërtohet Teatri i ri Kombëtar Read More »

Plazhet këtë vit, shumë më tepër publike sesa private

Plazhet këtë vit do të jenë shumë më tepër publike sesa private. Kështu deklaroi sot Kryeministri Edi Rama në përgjigje të interesit të qytetarëve lidhur me sezonin turistik.

Rama tha se “do të jemi shumë strikt me këtë, kjo e keqe që na ka zënë të gjithëve do të vijë me të mirën, që do ketë më shumë hapësirë për shqiptarët që të bëjnë plazh pa ju dal përpara njeri që “këtu është tokë e xanun”, por duke zgjedhur hapësirën në plazhin publik”.

“Patjetër që ku ka hotele do ketë plazhe private. Aty ku janë plazhe shumë të populluara do gjendet një zgjidhje e balancuar, por do ketë plazh pa salltanete të mëdha, pa ato shezlongë që s’të lënë të shohësh as rërën”, u shpreh Rama. /atsh

Plazhet këtë vit, shumë më tepër publike sesa private Read More »

Faqja e njohur holandeze: Në Shqipëri gjen atë që kërkon, mikpritjen legjendare

Në Shqipëri gjetëm atë që kërkonim, mikpritjen legjendare dhe një nga formacionet më spektakolare shkëmbore të Europës, shkruan Hans Avontuur, për magazine.wideoyster.com, një faqe e njohur turistike holandeze që publikon shkrimet më të mira për vende të njohura turistike të botës.

”Është aq mjegull sa nuk mund të shihni pothuajse asgjë… Mbaj frymën ndërsa makina jonë 4×4 ecën me kujdes përgjatë gropave dhe përrenjve. Po synojmë të shkojmë në Theth…”.

”Thethi është një vend i fshehur ku, edhe një pasha osman, i cili kontrollonte gjysmën e Ballkanit deri në vitin 1912, e kuptoi shpejt se kjo luginë ishte tepër e largët për t’u shtypur me dorë të hekurt”.

Më në fund, ja ku është fshati. Në fund të luginës. Majat e larta dhe rrëpirat që rrethojnë fshatin, bëjnë që shtëpitë të duken shumë të vogla. Është pikërisht ashtu si e përshkroi shkrimtari holandez, Den Doolaard në vitet 1930: “Një përpjekje e njeriut për t’iu kundërvënë natyrës”.

Kjo është arsyeja pse kam ardhur në këtë rajon malor në kufirin e Shqipërisë, Malit të Zi dhe pak të Kosovës.

Unë i dua Alpet dhe kam vizituar edhe zemrën e Pirenejve në kërkim për një vend të shkretë dhe pak a shumë ajo ishte e tillë, por isha i bindur se Europa duhet të ketë vende edhe më të egra. Në një kafene në Kolashinë, në Mal të Zi dëgjova emrin “Bjeshkët e Namuna”. Doli se personi që e tha ishte një udhërrëfyes malor dhe shtoi se “kjo është pikërisht ajo që po kërkoni”.

Me të mbërritur në bujtinë, mikpritja u thellua nga një tavolinë e mbushur me ushqime të shijshme vendase, djathëra, mish të thatë, perime të pjekura në skarë, bukë të pjekur në shtëpi. Aq e ashpër dhe armiqësore sa duket bota malore nga jashtë, aq e ngrohtë dhe e butë është në brendësi të shtëpive të banorëve.

Katerina, e veshur me të zeza, thotë se ”unë kam lindur këtu. Jeta është e vështirë, por e bukur”.

Lugina e izoluar, e ndaluar për vizitorët gjatë epokës komuniste, ka një bukuri të jashtëzakonshme. Lloji i vendit ku çdo tingull jehon, ku dëgjoni gjëra që nuk janë aty dhe ku në muzg shihni pas, edhe pse e dini se askush nuk po ecën pas jush.

Këtu kanë jetuar 150 familje, ndërsa tani ka pak më shumë se 20.

Por, njerëzit dalëngadalë po kthehen, kur shohin se mund të ndërtojnë një jetë me natyrën dhe turizmin. Ka kaq shumë bukuri. Mund të ecni në çdo rrugë nga fshati dhe natyra ju përqafon.

Ndjek një rrugë malore përmes një peizazhi me gurë dhe pellgjesh me ujë të pastër si kristal.

Dëgjoj një murmuritje në distancë që duket sikur afrohet pas çdo hapi. Duke zbritur përgjatë një shkalle druri, duke u ngjitur në anën tjetër do të shihni një liqen malor blu, pothuajse të përkryer, që mbushet nga një ujëvarë…

Unë dua të shkoj edhe në luginën e Valbonës. Mund të shkohet më këmbë ose përmes rrugës automobilistike dhe ujore nga liqeni i Komanit.

Rruga me një traget të vjetër që zgjat katër orë, është si një lundrim në ëndërr, ujë i gjelbër prej smeraldi, një grykë që hapet dhe mbyllet dhe shqiponjat ”notojnë” nëpër qiellin gri.

Bie shi i butë dhe fryn një erë që të pret. Shumica e pasagjerëve gjenden brenda në të ngrohtë, por unë shkoj drejt në kuvertë për të humbur sa më pak nga ky udhëtim. Pas një orë, asgjë nuk është e më e dukshme, nuk ka asgjë që tregon praninë e njerëzve. Dhe papritmas, duket një fermë, së bashku me bagëtitë që kullosin.

Që nga viti 2015, ekziston një rrugë e mirë asfalti që të çon nga Fierza në Valbonë, e cila e ka bërë luginën më të prekshme.

Në vitin 2009 amerikania, Catherine Bohne shkoi me pushime në Valbonë, për 11 ditë, u takua me shqiptarin, Alfred në traget dhe nuk u largua më kurrë.

“Është e pabesueshme sesa bukur është këtu. Shihni kopshtet e egra, kumbullat dhe mollët, ku arinjtë duan të vijnë. Ose fshatin malor të Çeremit, ku pa energji elektrike, ujë të nxehtë ose valë telefonike, shkëputeni automatikisht nga jeta e përditshme”, thotë ajo.

Këto janë cilësitë unike të Valbonës, me të cilat ju mund të zhvilloni turizëm të qëndrueshëm, të përshtatshëm për një park kombëtar.

Shpresoj që gjithçka të qëndrojë kështu. Këtu, në kufirin e Shqipërisë, Malit të Zi dhe Kosovës, ka ende mundësi për ta mbajtur natyrën të pacenuar./atsh

Faqja e njohur holandeze: Në Shqipëri gjen atë që kërkon, mikpritjen legjendare Read More »

Robert Ndrenika, Luftar Paja, Viktor Zhusti e dhjetëra artistë të tjerë thirrje Metës dhe Bashës: Mos e pengoni Teatrin e Ri, është nevojë urgjente për ne, boll me lot krokodili

Një grup aktorësh dhe regjisorësh të kryesuar nga të mëdhenjtë e skenës së artit shqiptar: Robert Ndrenika, Luftar Paja, Viktor Zhusti, Artan Imami, Spiro Duni, Leka Bungo, Altin Basha, Arben Derhemi etj., i janë drejtuar pasditen e sotme me një peticion Presidentit të Republikës, Ilir Meta, Kryeministrit Edi Rama, kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha dhe kryetares së Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, për t’iu përsëritur edhe njëherë vullnetin e tyre pro ndërtimit të një Teatri të ri Kombëtar, në vendin ku ndodhet godina e vjetër.

Dhjetëra aktorët dhe regjisorët e kanë firmosur peticionin, i cili në fakt është peticioni i tretë që i drejtohet krerëve të shtetit për çështjen e Teatrit Kombëtar që nga viti 2018, ku deklarojnë se ndërtimin e Teatrit të Ri e konsiderojnë të mbyllur me sukses në emër të interesit kombëtar dhe u bëjnë thirrje atyre që t’i lënë lojërat politike, sepse pikërisht nga këto lojëra komuniteti i artistëve ka mbetur edhe sot pa Teatër.

“Me këtë peticion ne kërkojmë që politika e të gjitha anëve, të mos na bëjë as ne, as projektin e Teatrit të ri Kombëtar, pjesë të lojës apo çorbës së saj. Ne Ju drejtohemi me kërkesën publike që të ndaloni menjëherë politizimin e mëtejshëm të kësaj çështjeje! Ju lutemi na mirëkuptoni, por durimi ynë ka sosur dhe nuk përballojmë dot më as edhe një kokërr loti krokodili në mexhelis për teatrin tonë! 50 vjet në atë ndërtesë-karantinë dhe të harruar nga politika na dalin e na teprojnë! Ne dhe brezat e aktorëve e regjisorëve pas nesh meritojmë një Teatër dinjitoz, që të na shërbejë jo vetëm neve, por edhe publikut teatërdashës”, shprehen artistët në peticionin drejtuar Metës, Ramës, Bashës dhe Kryemadhit.

Ndërkaq, për grupimin e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit, artistët shprehen se disa i kanë miq, po disa të tjerë as nuk i njohin kush janë, por u bëjnë thirrje të ndahen nga politikanët, sepse Teatri Kombëtar nuk është “Astiri” dhe as “tokë e xanun”.

Grupi firmëtar shprehet se peticioni po vazhdon të nënshkruhet edhe nga shumë artistë në këto momente, të cilët mbështesin planet për Teatrin e Ri Kombëtar.

Teksti i plotë i peticionit:

Ne aktorët, regjisorët dhe përfaqësuesit e artit skenik shqiptar, detyrohemi sot të rimerremi me një debat të shteruar plotësisht, të cilin nga ana jonë e konsiderojmë të mbyllur me sukses në emër të interesit kombëtar dhe të interesit të komunitetit tonë! Me anë të këtij peticioni publik, nuk duam të flasim më për nevojën e lashtë që komuniteti ynë ka për një Teatër të ri Kombëtar, modern dhe bashkëkohor, i cili duhet të ndërtohet pa asnjë diskutim në truallin e kompleksit ekzistues, sepse ai truall ka qenë, është dhe duhet të mbetet trualli material e shpirtëror i komunitetit tonë në breza.

Me këtë peticion ne kërkojmë që politika e të gjitha anëve, të mos na bëjë as ne, as projektin e Teatrit të ri Kombëtar, pjesë të lojës apo çorbës së saj. Ne Ju drejtohemi me kërkesën publike që të ndaloni menjëherë politizimin e mëtejshëm të kësaj çështjeje! Ne duam të ndajmë me Ju dhe publikun shqiptar, bindjen tonë se kushdo që do të përpiqet ta përdorë më tej emrin dhe skenën e Teatrit Kombëtar për teatro të natyrave të ndryshme, pa asnjë lidhje me teatrin tonë, nuk do as të mirën e kulturës shqiptare, as të mirën e Teatrit Kombëtar dhe as të mirën tonë jo dhe jo!

Ju lutemi na mirëkuptoni, por durimi ynë ka sosur dhe nuk përballojmë dot më as edhe një kokërr loti krokodili në mexhelis për teatrin tonë! 50 vjet në atë ndërtesë-karantinë dhe të harruar nga politika na dalin e na teprojnë! Ne dhe brezat e aktorëve e regjisorëve pas nesh meritojmë një Teatër dinjitoz, që të na shërbejë jo vetëm neve, por edhe publikut teatërdashës, që nuk mund të vazhdojë të ndjekë edhe për 50 vjet të tjera teatrin politik me Teatrin Kombëtar, në vend të shfaqjeve tona.

Ndaj, të nderuar zotërinj, kërkojmë nga Ju të mos përziheni më me nevojën urgjente që ka komuniteti ynë për ndërtimin e Teatrit të ri Kombëtar! Sepse boll dekada janë djegur duke pritur që të merreni vesh Ju me njëri-tjetrin për zgjidhjen e këtij halli jetik për ne. Keni boll punë të tjera edhe më të mëdha, prandaj me konsideratën më të lartë, ne Ju kërkojmë të mos kërkoni tek Teatri Kombëtar as punë dhe as masha për këtë punë!

Kryeministri Rama le të merret me Armikun e Padukshëm, Lulzim Basha le të merret me Ramën, Presidenti Meta le të merret me Kushtetutën, ndërsa ne të mos merremi më nëpër këmbë me ose pa dashjen Tuaj!

Sa për ata pak kolegë dhe “kolegë” që mendojnë se kanë marrë përsipër të mbrojnë godinën, shumicën e të cilëve nuk i njohim kush janë apo disa i kemi edhe miq (pavarësisht se nuk e gjejmë dot mbi çfarë karriere skenike kanë monopolizuar dhe devijuar totalisht kauzën tonë), ne kemi lutjen publike që të ndahen nga politikanët! Sepse Teatri Kombëtar nuk është “Astiri” dhe skena kombëtare nuk është “tokë e xanun”!

Historia e Teatrit Kombëtar nuk shkruhet tek dera e godinës, po në qendër të skenës!

Duke ju uruar suksese në punën Tuaj dhe shëndet në familjet Tuaja, urojmë që të mos e konsideroni këtë thirrje publike si një letër më shumë pa përgjigje.

Me respekt,

Robert Ndrenika
Luftar Paja
Viktor Zhusti
Artan Imami
Spiro Duni
Leka Bungo
Altin Basha
Arben Derhemi
Pëllumb Kulla
Arben Kumbaro
Marjana Kondi
Zamira Kita
Helidon Fino
Ema Andrea
Hervin Çuli
Luli Hoxha
Laert Vasili
Salsano Rrapi
Gazmend Paja
Lulzim Zeqja
Genc Shkodrani
Gjergj Mena
Sonila Kapidani
Iliriana Basha
Marin Orhanasi
Bajram Dosti
Ledio Lako
Jonida Beqo
Josif Sina
Aleksandër Grami
Eriola Kakeli
Erblin Bajko
Edvin Mustafa
Laejda Hajdari
Jorkë Brokaj
Jaho Guma
Roland Saro
Edmond Rrapi
Kozeta Kurti
Kristo Cala
Albana Perhati
Dervish Biba
Armela Demaj
Algiona Aga
Alex Seitaj
Genti Deçka
Donald Shehu
Klesta Shero
Roerd Toçe
Amri Hasanlliu
Andon Koço
Laid Ymeri
Besart Cani
Afrim Agalliu
Artan Islami
Margent Caushi
Agron Hamo
Artur Dhamo

Robert Ndrenika, Luftar Paja, Viktor Zhusti e dhjetëra artistë të tjerë thirrje Metës dhe Bashës: Mos e pengoni Teatrin e Ri, është nevojë urgjente për ne, boll me lot krokodili Read More »

Edhe Piro Milkani, Ruzhdi Pulaha, Alfred Trebicka dhe Albert Minga i bashkohen peticionit pro Teatrit të Ri, ja emrat e rinj

Të tjera personalitete të fushës së artit u janë bashkuar kolegëve të tyre, duke firmosur peticionin për ngritjen e Teatrit të ri Kombëtar dhe duke iu bashkuar thirrjes se politika duhet të qëndrojë larg kësaj çështjeje, e cila u përket vetëm artistëve.

Piro Milkani, Ruzhdi Pulaha, Alfred Trebicka, Genc Fuga, Sotiraq Bratko, Albert Minga, Agim Bajko, Karafil Shena e shumë të tjerë, janë emrat e rinj i janë shtuar firmëtarëve të peticionit drejtuar pasditen e sotme Presidentit të Republikës, Ilir Meta, Kryeministrit Edi Rama, kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha dhe kryetares së Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, për t’iu përsëritur edhe njëherë vullnetin e tyre pro ndërtimit të një Teatri të ri Kombëtar, në vendin ku ndodhet godina e vjetër.

Dhjetëra aktorë dhe regjisorë e kanë firmosur peticionin, i cili në fakt është peticioni i tretë që i drejtohet krerëve të shtetit për çështjen e Teatrit Kombëtar që nga viti 2018, ku deklarojnë se ndërtimin e Teatrit të Ri e konsiderojnë të mbyllur me sukses në emër të interesit kombëtar dhe u bëjnë thirrje atyre që t’i lënë lojërat politike, sepse pikërisht nga këto lojëra komuniteti i artistëve ka mbetur edhe sot pa Teatër. Mes figurave të njohura të artit e veçanërisht skenës së teatrit janë Robert Ndrenika, Luftar Paja, Viktor Zhusti, Artan Imami, Spiro Duni, Leka Bungo, Altin Basha, Arben Derhemi, por edhe dhjetëra të tjerë.

Piro Milkani
Ruzhdi Pulaha
Alfred Trebicka
Genc Fuga
Sotiraq Bratko
Albert Minga
Dhimitër Orgocka
Agim Bajko
Nikolla Llambro
Armando Bora
Vangjel Agora
Karafil Shena
Guri Koço
Ligoraq Riza
Kristian Koroveshi
Shkëlqim Jaupi
Paola Kodra
Ilda Pepi
Erjola Meta
Blerta Belliu
Mateus Frroku
Adrian Cerga
Xhuliano Brisku
Ina Gjonci
Ledjon Zoi/atsh

Edhe Piro Milkani, Ruzhdi Pulaha, Alfred Trebicka dhe Albert Minga i bashkohen peticionit pro Teatrit të Ri, ja emrat e rinj Read More »

Tomini për ATSH-në: Monitorim intensiv i zonave të kuqe e të gjelbra, rikthimi mund të jetë i mundshëm nëse nuk respektohen udhëzimet

Shefja e Survejancës dhe Shërbimit të Inteligjencës Epidemike në Institutin e Shëndetit Publik, Eugena Tomini deklaron se marrja në kohë e masave për distancimin fizik, vetizolimi i ndërgjegjësuar, masat e higjienës personale dhe respiratore patën peshën madhore në atë ç’ka epidemia COVID-19 u paraqit në Shqipëri.

Në një intervistë për ATSH-në, Tomini shprehet se COVID-19 në vendin tonë pati karakteristikën e një epidemie të butë, krahasuar me peshën që pati në vendet e tjera europiane, duke krijuar mundësinë për një menaxhim cilësor dhe shërbim shëndetësor korrekt dhe në kohë.

“Kjo epidemi u paraqit me pikun në javën e fundit të muajit mars dhe me një trend të qëndrueshëm në vijim, duke sjellë një menaxhim cilësor dhe shërbim shëndetësor korrekt dhe në kohë, për sa i përket përgjigjes së sistemit shëndetësor ndaj të gjitha rasteve, sigurisht nën efektin e masave të marra kundrejt distancimit fizik, por dhe strategjisë së ndjekur kundrejt testimit të çdo rasti të dyshuar dhe të gjithë kontakteve të evidentuara nga gjurmimi i thelluar epidemiologjik. Marrja në kohë e masave për distancimin fizik, vetizolimi i ndërgjegjësuar, masat e higjienës personale dhe respiratore patën peshën madhore në atë ç’ka epidemia COVID-19 u paraqit në Shqipëri”, thekson Tomini për ATSH.

Në vend, thekson ajo, vazhdon prezenca e rasteve sporadike, prezenca e vatrave dhe nuk vërehet qarkullim i dendur në popullatë. “Por, transmetimi komunitar në disa zona është evident, sepse kemi shfaqjen e rasteve pozitive COVID-19 të pa lidhur epidemiologjikisht me njëri-tjetrin”, shprehet Tomini.

Monitorimi në mënyrë intensive i “zonave të kuqe” dhe ”të gjelbra”, shpjegoi Tomini, njëkohësisht sjell evidentimin e rasteve të reja aktive dhe kjo është në sajë të gjurmimit epidemiologjik të rasteve.

“Rastet e hospitalizuara, paraqiten në një nivel shumë të ulët aktualisht dhe kjo situatë flet në mënyrë pozitive për një klinikë jo agresive, sepse vetëm këto raste kërkojnë shërbim shëndetësor spitalor”, shprehet Tomini për ATSH.

Por sipas saj, këto të dhëna nuk flasin për faktin që pas rasteve me klinikë dhe me tampon pozitiv COVID-19, probabilisht kemi shumë herë më tepër raste asimptomatike në popullatë.

Megjithatë, Tomini thotë se aktualisht COVID-19 është nën kontroll, por vlerëson ajo, rikthimi mund të jetë i mundshëm dhe mund të mos përjashtohet nëse udhëzimet nuk do të respektohen.

“Duhet të kemi vazhdimësi në respektimin e distancimit fizik dhe masave të higjienës personale pavarësisht lehtësimit të masave, janë mundësitë e vetme të parandalimit dhe të shkëputjes së zinxhirit të transmetimit të infeksionit”, apelon Tomini./atsh

Tomini për ATSH-në: Monitorim intensiv i zonave të kuqe e të gjelbra, rikthimi mund të jetë i mundshëm nëse nuk respektohen udhëzimet Read More »