Aktualitet

Lehtësimi i masave shtrënguese/ Kujdes maksimal për të ruajtur veten dhe të tjerët

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i bëri apel sot qytetarëve që me lehtësimin e masave shtrënguese është e rëndësishme të tregojnë kujdes për të ruajtur veten dhe të tjerët.

Duke publikuar disa rregulla të rëndësishme për të kufizuar përhapjen e COVID-19, ministrja Manastirliu u shpreh se “me lehtësimin e masave shtrënguese, është shumë e rëndësishme që secili prej nesh të tregojë kujdes maksimal për të ruajtur veten dhe të tjerët”.

“Disa rregulla të rëndësishme për të kufizuar përhapjen e COVID-19 janë : qëndroni në shtëpi sa më shumë të mundeni, nëse keni mundësi punoni nga shtëpia, kufizoni kontaktet nme personat e tjerë, kur dilni ruani distancën me 1.5 metra me të tjerë dhe lani rregullisht duart”, shprehet Manastirliu.

Sipas saj, nëse keni shenja të sëmundjes qëndroni të izoluar dhe teelfononi 127./atsh

Lehtësimi i masave shtrënguese/ Kujdes maksimal për të ruajtur veten dhe të tjerët Read More »

Meta dekreton 4 ligje/ Falen masat administrative gjatë periudhës së COVID-19

Presidenti i Republikës Ilir Meta ka dekretuar shpalljen e 4 ligjeve, ndër to edhe atë për faljen e gjobave të vendosura gjatë periudhës së infeksionit të shkaktuar nga COVID-19.

Presidenti i Republikës Ilir Meta ka dekretuar ligjin nr. 45/2020 “Për ratifikimin e marrëveshjes së bashkëpunimit financiar ushtarak ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Turqisë dhe të protokollit zbatues në lidhje me asistencën financiare ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Turqisë”.

Kjo marrëveshje reflekton vullnetin e Republikës së Turqisë për mbështetjen e marrëdhënieve të qëndrueshme me Republikën e Shqipërisë, përmes një kontributi të drejtpërdrejtë për Forcat e Armatosura të vendit tonë.

Meta dekretoi ligjin nr. 51/2020 “Për miratimin e aktit normativ me fuqinë e ligjit, nr. 16, datë 17.4.2020, të Këshillit të Ministrave, “Për faljen e masave administrative me karakter ndëshkues të vendosura gjatë periudhës së infeksionit të shkaktuar nga COVID-19””.

Përmes këtij akti të gjitha masat ndëshkuese administrative të vendosura deri në datën 17 prill 2020 për shkeljen e rregullave apo të akteve nënligjore të nxjerra në kuadër të masave të ndërmarra për parandalimin e pandemisë Covid-19, dhe pasojat krijuara prej këtyre masave falen, ndërsa detyrimet e paguara për masat administrative gjobë, u kthehen qytetarëve.

Po ashtu Presidenti Meta ka dekretuar ligjin nr. 59/2020 “Për ratifikimin e marrëveshjes së huas ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim për politikën për zhvillim për aksesin e barabartë gjinor në mundësitë ekonomike”. Mbështetja e disa sektorëve për përmirësimin e politikave gjinore, do të jetë pa diskutim një ndihmesë e çmuar në fuqizimin e rolit të gruas në ekonominë shqiptare

Gjithashtu, Ligjin nr. 60/2020 “Për ratifikimin e marrëveshjes së përbashkët të prokurimit ndërmjet Republikës së Shqipërisë, Komisionit Europian dhe vendeve anëtare të Bashkimit Europian, për të prokuruar kundërmasat mjekësore”, mundëson finalizimin e procedurave për bërjen të zbatueshme të marrëveshjes që reflekton angazhim të përbashkët për blerjen e kundërmasave mjekësore ndaj kërcënimeve serioze ndërkufitare për shëndetin.

Qasja e përbashkët në negocimin e kontratave të kësaj natyre, do të ketë reflektim direkt në përgjegjësinë, disponueshmërinë dhe çmimin e produkteve mjekësore të prokuruara sipas termave të negocimit të kësaj marrëveshjeje. /atsh

Meta dekreton 4 ligje/ Falen masat administrative gjatë periudhës së COVID-19 Read More »

Situata në spitalet COVID e qëndrueshme/ 28 pacientë të shtruar, 3 prej tyre në terapi intensive

Në Spitalin Infektiv dhe atë “Shefqet Ndroqi” në Tiranë situata paraqitet e qëndrueshme prej ditësh, ndërsa aktualisht po marrin shërbim 28 pacientë.

Ekspertja e Institutit të Shëndetit Publik, dr. Eugena Tomini, tha sot në komunikimin e drejtpërdrejtë me mediet se “në dy spitalet COVID janë të shtruar 28 pacientë dhe vetëm 3 prej tyre janë në terapi intensive. Prej më shumë se 10 ditësh nuk kemi asnjë humbje jete”.

“Më pak se 15% e te prekurve aktivë po marrin trajtim në spitalet Covid, pjesa tjetër ndiqet nga mjeku i familjes”, – tha Tomini.

Në 24 orët e fundit janë testuar 121 qytetarë të dyshuar si të prekur me Covid-19 dhe kanë rezultuar pozitivë 4 qytetarë, përkatësisht 2 qytetarë në Tiranë, 1 në Kamëz dhe 1 në Shkodër. Sot është shënuar numri më i ulët i rasteve ditore pozitive, e përllogaritur në 8 javët e fundit./atsh

Situata në spitalet COVID e qëndrueshme/ 28 pacientë të shtruar, 3 prej tyre në terapi intensive Read More »

Ministria e Shëndetësisë: 4 raste të reja, numri më i ulët në 8 javët e fundit

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka bërë të ditur se në 24 orët e fundit janë testuar 121 qytetarë të dyshuar si të prekur me Covid-19 dhe kanë rezultuar pozitivë 4 qytetarë, përkatësisht 2 qytetarë në Tiranë, 1 në Kamëz dhe 1 në Shkodër.

Ekspertja e Institutit të Shëndetit Publik, dr. Eugena Tomini, tha sot në komunikimin e drejtpërdrejtë me mediet se “sot është numri më i ulët i rasteve ditore pozitive, e përllogaritur në 8 javët e fundit. Situata epidemiologjike në vend paraqitet e qëndrueshme mbeshtetur në identifikimin e rasteve të deritanishme dhe gjurmimin epidemiologjik në mënyrë aktive. Bazuar në të dhënat e deritanishme vlerësohet se numri efektiv i riprodhimit nga data 24 prill e në vazhdim ka zbritur nën kufirin kritik (për R < 1)”.

“Në 24 orët të fundit janë testuar 121 qytetarë të dyshuar si të prekur me Covid-19 dhe kanë rezultuar pozitivë 4 qytetarë, përkatësisht 2 qytetarë në Tiranë, 1 në Kamëz dhe 1 në Shkodër. Të shëruar janë 4 qytetarë. Deri më sot janë konfirmuar pozitivë me COVID-19 në të gjithë vendin 872 qytetarë”, – nënvizoi Tomini.

Sipas saj, në të gjithë vendin aktualisht janë 187 persona aktivë me COVID19, kryesisht në Tiranë, Krujë, Shkodër, Kamëz.

“Pavarësisht lehtësimit të masave, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i fton qytetarët të respektojnë rregullat, të ruajnë distancimin fizik dhe higjienën personale; bizneset të zbatojnë protokollet e sigurisë për të ruajtur shëndetin e qytetarëve”, – tha Tomini.

Qytetarët duhet të jenë të kujdesshëm të mos neglizhojnë shenjat e sëmundjes Covid-19, ndaj ju lutemi telefoni në numrin unik të Urgjencës Kombëtare, 127.

Për informacion në lidhje me COVID19, për këshillim psikologjik në rast të shfaqjes së shenjave të ankthit apo shqetësime të tjera, ju lutemi, telefononi në linjën e gjelbër 0800 40-40

COVID-19 – Statistika (11 Maj 2020)
Testime totale 11089
Testime molekulare 10559
Testime serologjike 530
Raste pozitive 872
Raste të shëruara 654
Raste Aktive 187
Humbje jete 31 (Qarku Tiranë 18, Durrës 6, Fier 3, Vlorë 1, Shkodër 2, Kukës 1)

Shpërndarja gjeografike e rasteve aktive është si vijon:
Tiranë 87
Krujë 56
Shkodër 17
Kamëz 12
Fier 5
Kurbin 3
Elbasan 3
Mirditë 1
Berat 1
Durrës 1
Korçë 1/atsh

Ministria e Shëndetësisë: 4 raste të reja, numri më i ulët në 8 javët e fundit Read More »

Parashikimi i motit, 11 maj 2020

Sipas Shërbimit Meteorologjik Ushtarak, moti për ditën e sotme parashikohet i kthjellët. Vranësira në mesdite dhe në pasdite mbeten prezente vetëm në zonat malore.

Era do të fryjë me drejtim Jug-Juglindje 5-12 m/s. Përgjatë vijës bregdetare, zonat e ulta pranë tyre si dhe zonat luginore të vendit, parashikohet erë intensive me shpejtësi mesatare 8-20 m/s. Hera herës era arrin shpejtësinë deri në 25-30 m/s. 5-12 m/s. Valëzimi në dete parashikohet 6 deri 7 ballë.

Temperaturat parashikohen:

QYTETET Temperaturat në °C Sigla
Shkodër 12/24 diell re
Kukës 12/27 diell re
Lezhë 10/25 diell re
Dibër 12/25 diell re
Durrës 15/23 diell re
Tiranë 14/27 diell re
Elbasan 12/27 diell re
Berat 8/27 diell re
Vlorë 12/25 diell re
Korcë 10/25 diell re
Gjirokastër 9/25 diell re
Sarandë 13/24 diell re/atsh

Parashikimi i motit, 11 maj 2020 Read More »

14 bashki i shtohen “zonave të gjelbra”, nga sot hapen parukeritë, klinikat dentare, berberët e qendrat tregtare

Nga sot numrit të bizneseve që do të lejohen të ushtrojnë aktivitetin e tyre do t’i shtohen edhe parukeritë, klinikat dentare, dyqanet në qendrat tregtare, teksa zonave të gjelbra do t’i shtohen dhe 14 bashki të tjera, veç atyre që ishin deri më sot. Po ashtu, lejohet dhe qarkullimi i automjeteve pa nevojën e lejes nga ora 05:00-17:30 minuta.

Siç njoftoi Ministria e Shëndetësië dhe Mbrojtjes Sociale, në kuadër të procesit të lehtësimit gradual të masave shtrënguese të diktuara nga pandemia COVID 19, nga dita e hënë data 11 maj, shtohen si zonat të gjelbra bashkitë: Lushnjë, Patos, Roskovec, Korçë, Has, Kukës, Lezhë, Mirditë, Fushë-Arrëz, Malësi e Madhe, Pukë, Vau i Dejës, Kavajë dhe Vorë me të njëjtat rregulla. Në këto zona lejohet qarkullimi ndërqytetas brenda zonave të gjelbra me automjet privat (duke lejuar udhëtimin e më shumë se dy personave të së njejtës familje) deri në orën 21:00).

Ndërkohë që mbeten në fuqi rregullat që ndalojnë grumbullimin e më shumë se pesë personave, aktivitetet kulturore dhe sportive të çdo lloji dhe transporti publik si dhe njësitë ekonomike ende të mbyllura. Po kështu, nga data 11 maj lejohen të ushtrojnë veprimtari sipas protokolleve strikte të sigurisë, me të cilat bizneset janë njohur përgjatë kësaj kohe, aktivitetet si, klinikat dentare, parukeri, berber dhe dyqanet në qendrat tregtare.

Po ashtu duke filluar nga data 11 Maj të gjithë të riatdhesuarit do të vetëkarantinohen në banesë. /atsh

14 bashki i shtohen “zonave të gjelbra”, nga sot hapen parukeritë, klinikat dentare, berberët e qendrat tregtare Read More »

Çohu shkëlqe, sepse drita jote ka ardhur dhe lavdia e Zotit u ngrit mbi ty!

Kryeministri Edi Rama zgjodhi sot të tjera fjalë të shenjta për të përcjellë mesazhin e tij, ndërkohë që gjithë bota po përballet me pandeminë e COVID-19.

“Çohu shkëlqe sepse drita jote ka ardhur dhe lavdia e Zotit u ngrit mbi ty”, citoi Rama fjalë nga Isaia 60:1, përmes rubrikës “Fjalë të Shenjta”.

Kryeministri zgjodhi këto fjalë të shenjta nga Isaia 60:1, për të përcjellë mesazhin e tij, ndërkohë që vendi po lehtëson masat kufizuese kundër përhapjes së COVID-19./atsh

Çohu shkëlqe, sepse drita jote ka ardhur dhe lavdia e Zotit u ngrit mbi ty! Read More »

“Na nxitë jetën”, i moshuari vlonjat nxehet me policin që nuk e lë të lahet

Larja në det vazhdon të jetë e ndaluar deri në një njoftim të dytë për shkak të kufizimeve që janë marrë për menaxhimin e krizës së shkaktuar nga koronavirusi.

Një kufizim i tillë ka sjellë edhe përplasjen e qytetarëve, të cilët kanë zgjedhur të nisin plazhin me policinë.

Një skenë e tillë ka ndodhur sot në Vlorë.

Policia i kërkon një të moshuari të mos futet në ujë. Ndërsa kjo ka sjellë irritimin e këtij të fundit.

“I terrorizuat njerëzit është turp kjo që bëni. Unë dal dhe rri në buzë detit, po na nxini jetën”, dëgjohet të thotë i moshuari.

“Na nxitë jetën”, i moshuari vlonjat nxehet me policin që nuk e lë të lahet Read More »