Aktualitet

Abuzimi me të miturën, Shahini: Kur rastet denoncohen, personat përgjegjës ndëshkohen menjëherë

Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Besa Shahini ka reaguar ndaj rastit të abuzimit seksual ndaj një të miture në Babrru, duke marrë masa të menjëhershme të shkarkimit nga puna të stafit të shkollës të përfshirë direkt apo jo në ngjarje.

Në reagimin e saj, ajo thotë se “jam zemërthyer për secilin rast të ngacmimit apo abuzimit seksual me të mitur, të cilin nuk kemi arritur ta parandalojmë. Për secilin rast të zbuluar apo denoncuar janë marrë menjëherë këto masa: pezullim apo shkarkim nga puna menjëherë, e të gjithë stafit të shkollës të cilët kanë qenë të përfshirë direkt apo indirekt në këto raste (përfshirë drejtues, psikologë apo mësues kujdestar që nuk kanë qenë të përfshirë në rast, por kanë patur për detyrë të kujdesen për mirëqënien e nxënësve). Hetim i thelluar i gjendjes së përgjithshme në shkollë përmes intervistave me nxënës, prindër dhe komunitetin shkollor. Ofrimi i shërbimit psiko-social, dhe mbështetje e përgjithshme shkollore dhe pas shkollore, për viktimat e ngacmimit apo abuzimit”.

Më tej, ajo thekson se organet e drejtësisë kanë ndjekur penalisht secilin nga rastet e denoncuara.

“Pra, nuk ka “kulturë mosndëshkueshmërie” në Shqipëri ndaj rasteve të abuzimit seksual, siç ishin shprehur disa OJF. Kur rastet denoncohen, personat përgjegjës ndëshkohen menjëherë”, u shpreh Shahini.

Por, qartazi sipas saj, “ka kulturë fshehjeje dhe mosraportimi, deri sa bëhet shumë vonë. Kjo është ajo që po synojmë ta ndryshojmë, së paku në shkollë, në hapësirat që do të duhej të ishin të sigurta për të gjithë fëmijët”.

“Dua të përsëris mesazhin që dhashë ditën e hënë: përgëzoj nxënësit tanë që kanë gjetur kurajon të denoncojnë bullizmin, dhunën apo abuzimin që kanë përjetuar. Kjo është e vetmja mënyrë që të rriturit dhe institucionet të kenë mundësi të dënojnë këtë dhunë dhe të sigurohen që nuk do të ndodhë më në të ardhmen”, tha ministrja Shahini.

“Shpesh viktimat nuk denoncojnë dhunën që kanë përjetuar, sepse ndihen me faj apo me turp për atë që u ka ndodhur. Por, faji dhe turpi i takojnë abuzuesit.

Që shkolla të shndërrohet në hapësirë të sigurtë, ne po dyfishojmë numrin e psikologëve dhe punonjësve socialë dhe po trajnojmë ata për adresimin e ndjeshëm te çështjet e ngacmimit dhe abuzimit seksual. Si dhe po bëjmë edhe një fushatë sensibilizuese për nxënësit, që t’i njohim ata me mbrojtjen që u ofron si rregullorja e arsimit parauniversitar, ashtu edhe Kodi Penal”, u shpreh ministrja Shahini.

Shahini theksoi se nuk zgjidhjet kjo çështje vetëm me Kodin Penal. “Duhet të ndryshojë gjithë kultura, mënyra se si shoqëria jonë trajton gratë, vajzat, grupet e brishta shoqërore. E gjithë kjo duhet të ndryshojë”, tha ajo.

“Media luan një rol kyç në këtë mes. Do të dëshiroja shumë që media të raportonte në mënyrë të drejtë rastet e abuzimit seksual. Ajo që kam parë deri tani ka qenë një tmerr i vërtetë. Përshkrim detajesh identifikuese të viktimave dhe fajësim indirekt i viktimave. Tmerr! Por, është ky raportim, që është reflektim i kulturës së përgjithshme të trajtimit të kësaj teme të ndjeshme, që na bën të kuptojmë se sa shumë punë kemi për t’u shndërruar në një shoqëri më të mirë, për gratë, për grupet e brishta dhe për fëmijët tanë”, u shpreh Shahini.

Ish-deputetja Albana Vokshi, më herët u shpreh se rasti i 15-vjeçares së dhunuar nga roja i shkollës, tregon se shteti ka dështuar. Vokshi i kërkoi ministres së Arsimit, Besa Shahini, të reagonte lidhur me ngjarjen./atsh

Abuzimi me të miturën, Shahini: Kur rastet denoncohen, personat përgjegjës ndëshkohen menjëherë Read More »

Reforma Zgjedhore, ambasadorja Kim: Kemi një marrëveshje shumë të mirë, merita të veçanta partisë në pushtet; topi në fushën e Bashës që t’i thotë “po” integrimit në BE

“E përgëzoj partinë në pushtet për atë që bënë këtë mbrëmje. Ne kemi atë që mund të jetë një marrëveshje shumë e mirë. Është një marrëveshje që do ta vendosë Shqipërinë drejt anëtarësimit në BE, që mban masat e adresuara nga OSBE/ODIHR”.

Kështu deklaroi ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim pas gati 9 orë të tjera diskutimesh me Këshillin Politik të Reformës Zgjedhore, që nuk ka dalë ende në marrëveshje.

Përfaqësuesit e opozitës jashtëparlamentare nuk janë kthyer në tryezën e bisedimeve të Këshillit Politik, ndërsa aty prisnin ambasadorët e SHBA-së, BE-së dhe Britanisë së Madhe si dhe anëtarët e tjerë nga mazhoranca dhe opozita parlamentare.

Ambasadorja e SHBA, Yurim, gjatë një deklarate për mediet, theksoi se marrëveshja për reformën zgjedhore është në duart e opozitës dhe topi është në fushën e Partisë Demokratike.

“Faleminderit që pritët. Kemi pasur një ditë të gjatë. U takuam për 9 orë dje dhe kemi bërë progres të madh dhe u takuam sot për 9 orë të tjera dhe bëmë progres të jashtëzakonshëm, por pa rezultat. Kjo reformë kaq e rëndësishme për të ardhmen e Shqipërisë duhet të ketë mbështetje nga palët. Çdo palë dhe çdo parti i kërkohet të japë që Shqipëria të fitojë. Çdo palë fitoi, populli shqiptar mund të fitojë edhe më shumë. Çdo palë dha, por duhet t’i jap merita të veçanta partisë në pushtet”, – theksoi Kim.

“Ne e bëmë të qartë se partia në pushtet ka privilegje, e për këtë arsye ata duhet të jepnin më shumë. E përgëzoj partinë në pushtet për atë që bënë këtë mbrëmje. Ne kemi atë që mund të jetë një marrëveshje shumë e mirë. Është një marrëveshje që do ta vendosë Shqipërinë drejt anëtarësimit në BE, që mban masat e adresuara nga OSBE/ODIHR”, – tha Kim.

“Përmban disa hapa domethënëse që nuk janë rekomanduar dhe nga OHDIR, por që do të shihen si një hap i rëndësishëm përpara për Shqipërinë. Ka ardhur koha, për opozitën, për PD-në, për mikun tim Luli Basha, që të baraspeshojnë, të balancojnë të gjithë faktorët dhe të thonë ‘po’ për popullin shqiptar, dhe të thonë ‘po’ për Shqipërinë në Europë. Topi është në fushën e tij, e ardhmja është në duart e tij”, tha Kim gjatë deklaratës së saj për mediet. /atsh

Reforma Zgjedhore, ambasadorja Kim: Kemi një marrëveshje shumë të mirë, merita të veçanta partisë në pushtet; topi në fushën e Bashës që t’i thotë “po” integrimit në BE Read More »

“Topi në fushën e Bashës”/ Kreu i PD: Opozita e bashkuar do të bëjë gjithçka për votën e lirë

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha reagoi menjëherë pas deklaratave të ambasadores amerikane në Tiranë, Yuri Kim e cila deklaroi se “duhet të thotë ‘po’ për Shqipërinë në Europë. Topi është në fushën e tij”, ndërsa theksoi se Këshilli Politik ka një marrëveshje shumë të mirë për Reformën Zgjedhore.

“Është bërë progres drejt dakordësisë për administrimin zgjedhor. Ka mbetur një çështje pa zgjidhur. Dua t’i siguroj shqiptarët se opozita e bashkuar do të bëjë gjithçka për votën e lirë dhe të ndershme”, – tha Basha.

Këshilli Politik dhe ambasadorët e SHBA-së, BE dhe Britanisë së Madhe punuan dje dhe sot nga 9 orë për të gjetur një marrëveshje për Reformën Zgjedhore, e cila siç u shpreh ambasadorja Kim, do ta vendosë Shqipërinë drejt anëtarësimit në BE./atsh

“Topi në fushën e Bashës”/ Kreu i PD: Opozita e bashkuar do të bëjë gjithçka për votën e lirë Read More »

Koçi: Reforma në Drejtësi ka qenë gjithmonë në qendër të goditjeve të opozitës

Zëvendësministri i Mbrojtjes, Petro Koçi tha sot në një intervistë televizive se Reforma në Drejtësi ka qenë gjithmonë në qendër të sulmeve të opozitës pasi, sipas tij, kërkohet ringritja e sistemit të vjetër të drejtësisë.

“Reforma në Drejtësi ka qenë gjithmonë në qendër të goditjeve të opozitës. Shumë nga aksionet me goditje të përqendruar kundër stabilitetit dhe institucioneve në vend kanë patur si objektiv rrëzimin e Reformës në Drejtësi dhe pastaj ringritjen e sistemit të vjetër të drejtësisë “berishiane”. Në këtë lojë opozita bashkëpunon me presidentin Ilir Meta, i cili sillet si të jetë në konflikt interesi me këtë reformë. Kështu që, pa presionin ndërkombëtar, drejtësia e re nuk do të ngrihej kurrë”, u shpreh Koçi.

“Dua ta falënderoj ambasadën amerikane për këmbënguljen euroatlantike për të ndihmuar Shqipërinë në rrugën e demokracisë dhe integrimit europian. Çdo tentativë kundër reformës është në fakt përplasje me frymën euroatlantike të rrugës së shqiptarëve”, u shpreh ai.

Lidhur me godinën e Teatrit, zv.ministriKoçi u shpreh se “unë gjykoj se opcioni i tretë i konsoliduar për të ndërtuar një Teatër Kombëtar në vend të atij popullor është një fitore e madhe e komunitetit dhe interesave artistike të Shqipërisë”.

“Çuditem se si nuk e kuptojnë edhe ai grusht militantësh partiakë në gjirin artistik se teatri i ri është fitore edhe për ta”, u shpreh Koçi.

Ndërsa për përballimin e situatës së krijuar nga COVID-19 nga qeveria shqiptare ai u shpreh se “është meritë e padiskutueshme e kryeministrit Edi Rama dhe ekspertëve. Përtej çdo përpjekjeje për modesti mendoj se çdo syçelët e kupton menaxhimin e shkëlqyer që një vend me shëndetësi akoma pa kapacitetet e duhura i bëri pandemisë së COVID-19”./atsh

Koçi: Reforma në Drejtësi ka qenë gjithmonë në qendër të goditjeve të opozitës Read More »

Shqipëria fuqi dinjitoze energjetike/ Nga projekti i Skavicës, te Parku fotovoltaik, plotësohen 100% kërkesat e vendit për energji

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se “Shqipëria po diversifikon burimin e energjisë së rinovueshme brenda kornizës së plotësimit 100% të nevojave tona dhe kjo e bën vendin një fuqi dinjitoze energjetike”.

“Me Skavicën ne rrisim kapacitetin e prodhimit të energjisë së pastër dhe me Parkun Fotovoltaik që do të fillojë të ndërtohet, me zgjerimin e mëtejshëm të kapaciteteve të energjisë diellore dhe futjen e komponentit të energjisë së erës ne diversifikojmë burimin e energjisë së rinovueshme brenda kornizës së plotësimit 100% të nevojave tona. Kjo e bën Shqipërinë një fuqi dinjitoze energjetike”.

Rama tha se “Skavica nuk do ta bëjë Shqipërinë minisuperfuqi energjetike, siç ka qenë një ambicie e shpallur nga qeveria e mëparshme. Një togfjalësh në vetvete problematik, se janë dy komponentë që nuk qëndrojnë bashkë. As nuk do të ndërtojë central bërthamor në Shkodër tek ura e Bunës. Këto janë gjëra që ne nuk i arrijmë dot realisht, pasi ne nuk jemi të 2-t pas Gjermanisë siç ishim në kohën kur synonim të ktheheshim në prodhues atomik të energjisë”, tha Rama.

Por, ai theksoi se “është e sigurt se Skavica është një gur themelor në plotësimin e një mozaiku të projektuar bukur në të shkuarën e largët, por të parealizuar ende”./atsh

Shqipëria fuqi dinjitoze energjetike/ Nga projekti i Skavicës, te Parku fotovoltaik, plotësohen 100% kërkesat e vendit për energji Read More »

Katër zv.kryeministra dhe 16 ministra, ja kabineti i Hotit

Me 61 vota pro, 1 abstenim dhe 24 vota kundër deputetët e Kuvendit i thanë “po” qeverisë së re të udhëhequr nga Avdullah Hoti i LDK-së.

Në seancën e jashtëzakonshme kandidati për kryeministër, Avdullah Hoti ka paraqitur kabinetin e tij qeverisës. Vartës të tij priten të jenë 4 zëvendëskryeministra dhe 16 ministra.

Zëvendëskryeministër i parë, Besnik Tahiri, zëvendëskryeministër Driton Selmanaj, zëvendëskryeministre Albulena Balaj-Halimaj, zëvendëskryeministër dhe ministër i Pushtetit Lokal Goran Rakiq.

Sa i përket ministrave, Infrastruktura i është besuar Arban Abrashit. Agim Veliu serish do të jetë ministër i Punëve të Brendshëm. Armend Zemaj ministër i Shëndetësisë, Selim Selimi ministër i Drejtësisë, Blerim Kuqi ministër i Ekonomisë dhe Ambientit, Hykmete Bajrami ministre e Financave, Besian Mustafa ministër i Bujqësisë, Anton Quni ministër i Mbrojtjes, Vlora Dumoshi ministre e Kulturës.

Meliza Haradinaj-Stublla ministre e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Ramë Likaj ministër i Arsimit dhe Shkencës, Skender Reçica ministër i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Vesel Krasniqi ministër i Tregtisë dhe Industrisë. Dalivor Jetiq ministër për Kthim dhe Komunitete. Enis Kervan ministër i Zhvillimit Rajonal./KosovaPress/

Katër zv.kryeministra dhe 16 ministra, ja kabineti i Hotit Read More »

Thaçi uron Qeverinë Hoti

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka uruar Qeverinë Hoti pas votimit të saj në Kuvendin e Kosovës.

Ai tha se i uron sukses në përmbushjen e programit qeverisës dhe i ofroi bashkëpunim të plotë në jetësimin e agjendës kombëtare dhe ndërkombëtare.

“I përgëzoj deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës për votimin e Qeverisë së re. Kjo është një ditë e rëndësishme për demokracinë tonë dhe për qytetarët e vendit. Qeverisë së re i uroj sukses në përmbushjen e programit qeverisës dhe i ofroj bashkëpunim të plotë në jetësimin e agjendës kombëtare dhe ndërkombëtare”, tha Thaçi.

Po ashtu, ai tha se duhet të vazhdohet me rimëkëmbjen ekonomike dhe të lëvizet me hapa më të shpejtë drejt integrimeve euroatlantike.

“Me bashkëpunim dhe koordinim ndërinstitucional mund ta rimëkëmbim ekonominë tonë dhe të lëvizim me hapa më të shpejtë drejt integrimit euroatlantik, duke e fuqizuar partneritetin me SHBA-në dhe me të gjitha shtetet mike”, përfundoi Thaçi./KosovaPress/

Thaçi uron Qeverinë Hoti Read More »

Limaj: Qeveria e re kthen në normalitet, stabilitet, urtësi dhe bashkon Kosovën

Pas votimit të qeverisë së re, deputeti i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, theksoi se kjo qeveri mori detyrën në kohë shumë të vështirë, por nëse kjo qeveri kthehet në qeveri misionare me përkushtim dhe me objektiva të qarta ashtu siç u ekspozua në parlament në fjalën e kryeministrit, do të mbahet mend si një qeveri e cila kthen normalitet, stabilitet, urtësi dhe bashkon Kosovën.

“Kosova më shumë se kurrë ka nevojë për drejtues, për qeveri e cila bashkon njerëzit, normalizon situatën, çtensionon situatën, ul gjakrat dhe të gjithë kthehemi në respektim të institucioneve. Ne do të jemi këtu për ta ndihmuar çdo frymë pozitive do të japim kontributin tonë edhe në qeverisje dhe në parlament që kjo frymë e unitetit, frymë e urtësisë, shtet formuese e shtet ndërtuese duke bashkëpunuar pozitë e opozitë t’i arrij objektivat dhe prioritetet e Qeverisë së Kosovës”, theksoi Limaj.

Limaj tehskoi po ashtu se qeverisë së re i mbetet të punojë edhe për tejkalimin e krizës të shkaktuar nga COVID-19 dhe për riparimin e marrëdhënieve me aleatët e Kosovës.

Ai tha nga të gjithë deputetët e Nisma-s sëbashku me AKR-në ka votuar qeverinë Hoti. Limaj nuk ka komentuar veprimet e deputetit Haxhi Shala për qëndrimet e tij para mbajtjes së seancës parlamentare për votën e tij./KosovaPress/

Limaj: Qeveria e re kthen në normalitet, stabilitet, urtësi dhe bashkon Kosovën Read More »