Aktualitet

Lotaria dhe COVID19, çfarë po ndodh me “ëndrrën amerikane” dhe mijëra fituesit shqiptare?

Bazuar në programin e Lotarisë së Vizave dhjetëra mijëra imigrantë të mundshëm mbështeten në fatin e shortit për të fituar mundësinë për të jetuar dhe punuar në Shtetet e Bashkuara, pa sponsorizim nga një punëdhënës ose anëtar familjeje. Ky program është ndërprerë përkohësisht nga administrata e Presidentit Trump për shkak të pandemisë së koronavirusit. Por për disa që fituan lotarinë e vizave në fund të vitit të kaluar, përpjekjet për të realizuar ëndrrën amerikane kanë qenë të vështira.

Pas marrjes së një vize përmes lotarisë, që njihet edhe si lotaria e kartave jeshile, Erick Alamsjah erdhi në Shtetet e Bashkuara nga Indonezia në fund të vitit 2019 me bashkëshorten dhe dy fëmijët e tij.

Ai punoi në sektorin e teknologjisë informative për 8 vjet në kryeqytetin indonezian të Xhakartës.

Por edhe me një përvojë të gjatë pune, ai nuk ka arritur të gjejë një punë me orar të plotë.

Erick Alamsjah, fitues lotarisë amerikane të vizave

“Nga të gjitha aplikimet që kam dorëzuar, qoftë ato në industrinë e shitjeve me pakicë apo punë të tjera në teknologjinë e informacionit, unë kam marrë përgjigje vetëm nga industritë që tani konsiderohen thelbësore, si farmacitë, dyqanet ushqimore dhe firmat e ndërtimit. Ndoshta duhet të pezullojë përkohësisht përpjekjet për të gjetur një punë në teknologjinë e informacionit”.

Ndërkohë, sa për t’ia daluar, zoti Alamsjah tani po punon si nëpunës në një dyqan kompanisë “Home Depot” në shtetin e Merilendit. Ky dyqan i shitjes së mjeteve, pajisjeve dhe materialeve të ndërtimit konsiderohet biznes thelbësor në këtë kohë pandemie.

Vinia Agnessia nga Indonezia është gjithashtu fituese e lotarisë amerikane. Ajo ndërpreu studimet në vitin e saj të fundit për stomatologji në Padang, në ishullin e Sumatrës për të lëvizur në qytetin e Nju Jorkut, në fund të vitit 2019.

Pa diplomë universiteti dhe përvojë pune, Vinia e kishte të vështirë të gjente një punë me orar të plotë. Ajo punoi me orar jo të plotë si kamariere në një restorant japonez për disa muaj derisa u mbyll për shkak të pandemisë. Ajo e gjeti veten të papunë në Shtetet e Bashkuara, në epiqendrën e një pandemie, në një nga qytetet me koston më të lartë të jetesës në botë.

“Prindërit e mi janë të shqetësuar për mua, jo vetëm për shkak të koronavirusit, por edhe financiarisht sepse jam e papunë”. U thashë atyre: “mos u shqetësoni. Unë jam këtu në mënyrë të ligjshme dhe kam të drejtë të marr ndihmën e qeverisë”.

Ajo i referohet stimulit ekonomik prej 1,200 dollarësh dhe Programit të Ndihmës për të Papunët për shkak të Pandemisë. Nga programi i fundit, Vinia merr rreth 600 dollarë në javë, të cilat ajo i përdor për të paguar qiranë, faturat, ushqimin dhe transportin, ndërsa po kërkon punë.

Ndërkohë, familja e zoti Alamsjah mbetet optimiste për të jetuar një jetë të re në Amerikë mes pasigurisë së shkaktuar nga pandemia.

“Ne kemi ardhur këtu për fëmijët tanë, për arsimimin e fëmijëve tanë. Ne kemi marrë tashmë vendimin tonë, kështu që do vazhdojmë rrugën dhe shpresoj se gjërat do të përmirësohen”, thotë Sari Alamsjah, bashkëshorjtja e fituesit të lotarisë amerikane të vizave, Erick Alamsjah.

Familja Alamsjah dhe Vinia janë pjesë e një grupi prej rreth 55,000 njerëzish që vijnë në Shtetet e Bashkuara çdo vit përmes lotarisë së kartave jeshile, shumë prej të cilëve tani thjesht po përpiqen të mbijetojnë./VOA

Lotaria dhe COVID19, çfarë po ndodh me “ëndrrën amerikane” dhe mijëra fituesit shqiptare? Read More »

Rrëfimi prekës i gazetarit Buzhala: Babai në koma prej 5 ditësh, po të kthehesha pas do e mbaja maskën gjithë jetën

Një lajm i trishtë na vjen Kosova, teksa gazetari i njohur Berat Buzhala ka bërë me dije se babai i tij ndodhet në koma prej 5 ditësh. Shkak është bërë koronavirusi, pasi e gjithë familja Buzhala është prekur prej tij, tashmë prej 17 ditësh.

Berati çdo ditë raportonte gjendjen e tij dhe të familjes përmes shënimeve në facebook, ndërsa sonte ka dhënë lajmin e hidhur.

Përmes një rrëfimi të ndjerë në rrjete sociale, Buzhala thotë se po të kthehej pas në kohë do e mbante maskën gjithë jetën, si dhe i bën thirrje qytetarëve që të mos i neglizhojnë këshillat e mjekëve.

Rrëfimi i plotë i Buzhalës

Edhe po tutna, e edhe po pritoj me dale, ndonese kane kalu tashme ma shume se dy jave prej kur jam testu pozitivisht me Covid. Fatkeqesisht nuk kam qene i vetmi ne familje qe pata dale pozitiv, e fatkeqesisht ka prej nesh qe ende nuk po munden me i nxjerr kambet prej kesaj beteje te gjate, te lodhshme, e te merzitshme. E kam fjalen per baben. Gjendja e tij vazhdon me qene kritike, eshte ne kome qe 5 dite.

Cka po du me thane eshte kjo: Mbani ato maska, mbajeni distancen, e mbajeni edhe higjenen. Sikur te rikthehej gjendja sikur qysh ka qene para dy javesh kisha premtu qe do ta kisha mbajte masken per pjesen tjeter te jetes. Mirepo ajo nuk kthehet tashme, krejt cka mundemi me bo eshte me parandalu raste te tjera, me parandalu me shume fatkeqesi dhe me shume renie te shtetit.

Kjo lufte nuk do te zgjas edhe disa dite, e as edhe disa jave. Do te zgjas edhe disa muaj, kurse ne se bashku do te mund ta krijojme nje realitet te ri dhe te perkoheshem, por qe na mbron prej shume dramave familjare.

Une jam i bindun qe ne nje te ardhme jo shume te larget prape kemi me pase mundesi me ndejt truç me njani tjetrin, me kcy ne valle si te dalldisun, ama nuk kemi me pase mundesi me i pas afer vetes ata qe prej pakujdesise tone nuk i kemi afer vetes.

E kam thane edhe nje dite tjeter, ky vit eshte Viti i Mbrapshte, e jo ai qe ka thane Kadareja.

p.s.

Na pamundesi me ia thane te veshi, po kam nevoje me ia thane qitu babes se nuk ka gajle qe i ke pas prishe krejt mollat e dardhat me helm. Kisha pase qef me prishe hala….

Rrëfimi prekës i gazetarit Buzhala: Babai në koma prej 5 ditësh, po të kthehesha pas do e mbaja maskën gjithë jetën Read More »

Thaçi të hënën intervistohet në Hagë

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, bëri të ditur se të hënën do të udhëtojë drejt Hagës për t’u intervistuar si i ftuar nga Prokuroria Speciale.

Ai shprehet se bashkëluftëtarët e tij dhe ai do të përballen me dinjitet dhe integritet me drejtësinë ndërkombëtare.

“Uniteti qytetar, bashkëjetesa ndëretnike, stabiliteti institucional dhe besimi në institucione janë të domosdoshme që Kosova ta jetësojë vizionin që të jetë pjesë e NATO-s, Bashkimit Evropian dhe të ruajë miqësinë e përjetshme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, u shpreh Thaçi.

Ai theksoi se “në këto dy dekadat e fundit shumë pjesëtarë të UÇK-së u ballafaquan me drejtësinë ndërkombëtare të UNMIK-ut, Tribunalit të Hagës për Ish-Jugosllavi, EULEX-it dhe me drejtësinë vendore”.

“Kosova, edhe pse viktimë, bashkëpunoi me organet e drejtësisë për trajtimin e pretendimeve për krime lufte. Në këto dy vitet e fundit shumë ish-bashkëluftëtarë janë intervistuar nga Dhomat e Specializuara, brenda dhe jashtë vendit”, tha ai./atsh

Thaçi të hënën intervistohet në Hagë Read More »

Anëtarja e Komitetit Teknik të Ekspertëve, mjekja Kuli: Përdorim të detyrueshëm të maskave nga qytetarët, penalitete nëse nuk zbatohet

Mjekja Gjeorgjina Kuli, anëtare e Komitetit Teknik të Ekspertëve për pandeminë, u shpreh për zbatimin rigoroz të masave antiCOVID dhe për vendosjen me detyrim të maskave në ambientet ku ka shumë njerëz dhe në ambientet e mbyllura.

Gjatë një interviste televizive, Kuli theksoi se “ka strategji për çdo problematikë por në përgjithësi ne stimulojmë përdorimin e maskave. E kemi thënë që do ta bëjmë të detyrueshëm përdorimin e maskave, në të kundërt do të ketë një farë penaliteti, pasi ka kaluar faza e këshillimit, ndërsa duhet të vijoj zbatimi i distancimit fizik dhe larja e shpeshtë e duarve”.

“Komiteti Teknik, vijoi ajo në kuadrin e masave kundër COVID-19, insiston për ofrimin e punës online nga të gjitha institucionet”- tha ajo.

Kuli bëri apel për zbatimin e protokolleve antiCOVID në kopshte, institucione e ambiente publike.

“Në ambientet e mbyllura ose në ambientet e hapura ku nuk ruhet dot distanca dhe ka më shumë se 10 veta, patjetër do të jetë e detyrueshme maska dhe do të ketë penalitete në rast moszbatimi nga qytetarët. Komiteti Teknik në mbledhjen e fundit, ka vendosur që përdorimi i maskave të jetë i detyrueshëm dhe kjo do të zbatohet sa më shpejtë. Me këto shifra që shoh, të cilat janë stabël por janë në nivelin e lartë të kurbës mendoj që masa do të zbatohet shpejtë”- theksoi Kuli.

Ajo theksoi se aktivitetet me më shumë risk janë qëndrimi dhe ngrënia në një bar ose në ambiente të ngushta ndërsa palestrat duhet të jenë shumë mirë të ajrosura.

Mjekja Kuli u shpreh se është më mirë frekuentimi i detit sesa i pishinave dhe të mos përdoren shezlongët e të tjerëve. /atsh

Anëtarja e Komitetit Teknik të Ekspertëve, mjekja Kuli: Përdorim të detyrueshëm të maskave nga qytetarët, penalitete nëse nuk zbatohet Read More »

Akti Normativ/ Fond shtesë prej 400 milionë lekësh për skemën e mbështetjes në Bujqësi

Në aktin Normativ për ndryshime në buxhetin e vitit 2020 qeveria ka alokuar një fond shtesë prej 400 milionë lekësh për skemën e fermerëve.

Sipas relacionit shoqërues të këtij aktit Normativ për ndryshimet në buxhet fondi shtesë i alokuar bëhet për shkak të tejkalimit të pritshërive të ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural për aplikimet e vitit 2020.

Fondi i parashikuar në Skemën Kombëtare 2020 ishte 743,9 milionë lekë dhe adreson financim të drejtpërdrejtë të fermerëve për 7 sektorë: blegtori, bletari, çmimin e plastmasit, shtimin e sipërfaqeve të mbjella me bimë mjekësore dhe aromatike, certifikimin e produkteve bujqësore, fermave organike, si dhe diversifikimin e aktiviteteve ekonomike në zonat rurale.

Fermerët aplikuan në Skemën Kombëtare 2020, për herë të parë këtë vit përmes portalit e-Albania, me zero dokumente./atsh

Akti Normativ/ Fond shtesë prej 400 milionë lekësh për skemën e mbështetjes në Bujqësi Read More »

Forcat e Armatosura, 2 javë stërvitje në Bazën Detare të Pashalimanit

Ministrja e Mbrojtjes Olta Xhacka tha sot se trupat e Forcave të Armatosura prej dy javësh stërviten në Bazën Detare të Pashalimanit.

“Baza Detare e Pashalimanit u shndërrua për rreth 2 javë në teatrin më të madh stërvitor të Forcave të Armatosura për këtë vit”, u shpreh ministrja e Mbrojtjes.

Sipas saj, efektivët e Forcave të Armatosura të Forcave speciale mbështetur nga Forca Detare dhe Ajrore testuan aftësitë e tyre gjatë stërvitjes

“Efektivë nga 4 kompanitë e batalionit të Forcave Speciale, të mbështetur nga anijet e Forcës Detare dhe helikopterët e Forcës Ajrore, testuan dhe rritën me tej aftësitë dhe kapacitetet e tyre, për t’u përballur me situata të ndryshme që mund kërcënojnë sigurinë dhe paqen”, tha Xhaçka. /atsh

Forcat e Armatosura, 2 javë stërvitje në Bazën Detare të Pashalimanit Read More »

Berati 12 vjet në UNESCO/ Qyteti i “një mbi një dritareve”, tashmë destinacion turistik për vizitorët nga e gjithë bota

Vlerat historike, arkitektonike dhe kulturore e bëjnë Beratin një ndër qytetet më unike në Shqipëri dhe në botë.

Sot qyteti i një mbi një dritareve shënon 12-vjetorin e hyrjes në UNESCO. Më 8 korrik 2008 në sesionin e 32-të të Komitetit të Trashëgimisë Botërore të mbajtur në Kanada, Berati u regjistrua si sit i Trashëgimisë Botërore.

Hyrja në UNESCO shënoi maksimumin e vlerësimit të vlerave duke i konfirmuar ato jo vetëm në nivel kombëtar, por edhe ndërkombëtar.

Bërja pjesë në pasuritë botërore i dha mundësinë qytetit të promovohej si sit ndërkombëtar dhe të bëhej pjesë e guidave të ndryshme duke bëre që Berati të kthehet në destinacion turistik botëror.

“Plot 12 vjet më parë, qyteti i “Një mbi një dritareve” u pranua në listën e trashëgimisë botërore, nën mbrojtjen e UNESCO-s. Berati, një qytet-muze, ku çdo rrugicë me kalldrëm, çdo shtëpi, kishë, xhami mbart vlera të jashtëzakonshme, histori, kulturë, traditë.
Berati, një destinacion turistik e kulturor, që nuk duhet humbur”, – shprehet Margariti.

Ndërsa kryetari i bashkisë së Beratiit, Ervin Demo, teksa shpreh mirënjohje për brezat që kanë ruajtur këtë trashëgimi të rrallë thekson se “bashkia e Beratit do vijojë me promovimin e turizmit në qytet dhe ruajtjen e objekteve me pëgjegjësinë e duhur siç e meriton Berati në UNESCO”.

Berati vazhdon të jetë destinacioni i preferuar i shumë vizitorëve nga vendi dhe bota.

Një interes të madh turistët kanë treguar për kalanë, Muzeun Ikonografik Onufri, Muzeun Etnografik, si dhe lagjet e vjetra e të qytetit: Mangalem e Goricë, si dhe Urën e Goricës.
Në vitin 1961 Berati u shpall zyrtarisht qytet-muze. Sot Berati trashëgon 210 objekte muzeale, nga të cilat 150 janë objekte në këmbë. Prej tyre 60 janë monumente të kategorisë së parë dhe të tjerat të kategorisë së dytë.

Midis këtyre vlerave, nga më të spikaturat janë: Kështjella ose kalaja siç quhet nga beratasit, është ndërtuar mbi kodrën shkëmbore në formë trekëndëshi, me perimetër të mureve 1440 m, me 24 kulla e me dy porta./atsh

Berati 12 vjet në UNESCO/ Qyteti i “një mbi një dritareve”, tashmë destinacion turistik për vizitorët nga e gjithë bota Read More »

100 mijë pensionistë 75 vjeç e lart, përfitojnë kartën e identitetit pa afat

Kryetarja e Komisionit të Sigurisë Kombëtare Ermonela Felaj Valikaj tha sot se u votua unanimisht që të moshuarit 75 vjeç e sipër të pajisen me kartë identiteti pa afat.

Felaj tha se duhet gjithmonë të jemi të vëmendshëm për të moshuarit; t’i mbështesim dhe të njohim çdo nevojë të tyre. “Sot në Komisionin e Sigurisë, votuam në mënyrë unanime, që të moshuarit 75 vjeç e sipër, në rastin që duhet të pajisen me kartë identiteti, kjo e fundit të jetë pa afat”, u shpreh ajo.

“Jane mbi 100 mijë pensionistë, nga 75 vjeç e sipër, që brenda këtij viti, do të përfitojne karta ID të vlefshme deri në fund të jetës”, theksoi ajo.

Po ashtu Felaj shtoi se “mund te duket modeste, por është një hap i parë, që doemos duhet pasuar nga krijimi i lehtësive të ngjashme, duke filluar që nga mosha 70 vjeç.

“Kontrata koncensionare për kartat e ID, përfundon në vitin 2022, dhe deri atëherë, uroj që përvoja e fituar të mund të transferohet në një kontraktim që mbron çdo kategori të ngjashme apo më të brishtë të shoqërisë”, tha ajo. /atsh

100 mijë pensionistë 75 vjeç e lart, përfitojnë kartën e identitetit pa afat Read More »