Aktualitet

Humbi betejën me COVID-19, kush është ish-volejbollistja shkodrane

Janë 4 persona që kanë humbur jetën në 24 orët e fundit nga COVID-19, dy prej tyre për fat të keq në një moshë relativisht të re, dy gra 57-vjeçare nga Shkodra e Dibra.

Një prej tyre është Gonxhe Rexhepi, ish volejbolliste e klubit të Vllaznisë, e cila nuk mundi të fitonte betejën me koronavirusin me gjithë përpjekjet e mjekëve.

Dy personat e tjerë që humbën jetën janë një pacient 75-vjeçar nga Durrësi dhe një paciente 81-vjeçare nga Tirana.

Numri i viktimave në vend nga COVID-19 ka shkuar tashmë në 93.

Ministria e Shëndetësisë tha se situata në Spitalin Infektiv po përkeqësohet, pasi numri i rasteve është rritur, duke shtuar se vërehet me shqetësim edhe rritja e numrit të të prekurve tek moshat e reja.

Aktualisht janë të shtruar 72 pacientë në spital, 8 pacientë janë në terapi intensive në gjendje serioze dhe 4 prej tyre janë të intubuar në gjendje të rënde.

Humbi betejën me COVID-19, kush është ish-volejbollistja shkodrane Read More »

“Talenti dhe vullneti plotësojnë njëri-tjetrin”, 18-vjeçarja Lea Gjini rrëfen pasionin për pikturën: Ëndërroj të bëhem dizenjatore, të kem firmën time, pse jo një shtëpi mode

“Kam nisur të shes piktura që nga klasa e pestë dhe vazhdoj ta bëj akoma sepse dua t’ia dal mbanë vetë”.

Me flokë të gjata e sytë plot dritë, Lea Gjini, me origjinë nga Fushë-Arrëzi është një 18-vjeçare elegante e cila e ka gjetur vetveten që herët.

Ajo ka vetëm tre vite që jeton në Tiranë, por kjo nuk e ka ndalur që të bëhet e njohur në rrethin e saj shoqëror të krijuar rishtaz në kryeqytet. Të gjithë ata që njohin e dinë që Lea është një ndër liceistet më të talentuara dhe këmbëngulëse për të realizuar ëndrrat e saj. E veshur me një këmishë të bardhë me jakë oficeri te kombinuar me pantallona xhins të shkurtra, Lea, vajza e dytë e familjes Gjini tregon për Agjencinë Telegrafike Shqiptare se piktura është jeta e saj.

“Nuk di si ta përshkruaj por di vetëm që jam e prirur të pikturoj”, e përmbledh ajo me pak fjalë pasionin e saj.

E sapodiplomuar në Liceun Artistik “Jordan Misja” vajza shpalos ëndërrat me fjalë plot pasion.

“Talentin e kuptova që në moshë të hershme. Isha vetëm 3-4 vjece kur nisa të vizatoja me lapsa e letra. Për herë të parë kam vizatuar kukull Barbie, më tej vijova me peizazhe, natyrë. Që në fillore, mësuesit më dalluan që unë dija të vizatoja shumë mirë. Më pas nisa një kurs për një kohë të gjatë që të mund të përforcoja njohuritë e mia për pikturë dhe kam pasur një mësuese që ka qenë një ndër shtysat më të mëdha që unë të nisja Liceun, për të vazhduar në Akademinë e Arteve”, e nis Lea rrëfimin.

Piktura e saj e parë, mbahet si relike që kap vështrimin sapo i hedh një sy shtëpisë. Një fragment natyre, i fiksuar në tablo, qëndron në murin e shtëpisë së saj në Fushë-Arrëz, ku e ëma mbetet fanatikja dhe mbështetja më e madhe e talentit të saj.

“Vizatimin e parë të mirëfilltë e kam në moshën 10-vjeçare. Mamaja ime e ruan ende si një tablo të rëndësishme, tregues i talentit që e tërë familja e ka mbështetur tek unë. Mami mbetet fanatike e punimëve të mia të hershme. Ai vizatim qëndron i varur në mur që prej asaj kohe e deri më sot. Vizatimi është diçka e thjeshtë, një peizazh, më saktë deti”, thotë ajo.

Leas i ndodh që të fiksojë shikimin e njerëzve të zakonshëm, të panjohur dhe ta hedhë në letër në shtëpi. Një memorie fotografike, të cilën ajo përmes lapsave dhe penelave të saj e materializon në letër.

“Dëshira ime për të vizatuar vjen natyrshëm, mjafton të frymëzohem nga diçka, nga dikush, nga një muzikë që më bën të ndjehem mirë dhe direkt më lind frymëzimi. Mund të shoh edhe diçka në internet ku të bazohem ose thjesht nga mendja ime e të krijoj. Nëse fëmijët e tjerë, vajzat rriten me kukulla në duar, unë jam rritur përmes krijimtarisë. Është shprehje e botës së brendshme, e cila në një mënyrë apo tjetër transformohet dhe transmetohet në mënyrën më të bukur të mundshme, me vizatim”, rrëfen ajo.

Lea është nga ato vajza që ëndërron gjëra të mëdha, ose të paktën, të tilla i quan tani që është vetëm 18 vjeç.

“Ëndërroj të bëhem dizenjatore e madhe, të kem firmën time, pse jo një shtëpi mode. Karrierën dua ta nis në Shqipëri por aspiroj edhe botën jashtë. Në klasën e shtatë kam marrë pjesë në një konkurs në Pragë ndërsa brenda Shqipërisë kam marrë pjesë më shumë. Krahas botës së modës që e kam qejf, më pëlqejnë edhe tatuazhet. Kam ëndrra të mëdha për të cilat kam nisur të punoj e studjoj fort. Dua të jem e sukseshme jo vetëm në Shqipëri por edhe jashtë saj”, shprehet ajo.

“Në portret jam praktikuar më shumë por ka një gjë. Portretin mund ta bëj më me qejf sepse më pëlqejnë gjërat në detaje. Bëj edhe piktura në tablo që mund të jenë në vaj. Bëj edhe natyra të qeta, bëj edhe portrete që mund të jenë me vaj. Kam pikturuar edhe mure për dhomat e fëmijëve, porosi të cilat i marr në periudha kohore të ndryshme. Kam nisur të shes piktura që nga klasa e pestë dhe vazhdoj ta bëj akoma. E bëj për arsye sepse më pëlqen të shoh sa do t’ia dal vetë dhe të shoh se sa e aftë do të jem të punoj të nesërmen duke pasur një studio timen. Më pëlqen t’i bëj këto sepse po provoj të punoj vetë. Një vizatim i mirë, në A3 apo A4 të paktën më mer dy ditë, kjo në varësi të madhësisë së vizatimit dhe shkalla e vështirësisë që ka. Vizatimet me laps marin 2-3 ditë ndërsa ato me bojëra marrin shumë, 2-3 javë”, tregon Lea.

“Më pëlqen të përfshihen edhe më artistë të tjerë, të bashkëpunoj për të parë edhe se ku jam me talentin tim. Më pëlqen dhe kështu kemi qenë edhe në shkollë. Kemi pasur një strukturë mësimi që punonim 11 vetë dhe të rastiste që të ishim shumë të mirë në pikturë të 11 nxënësit. Në fund, diferenca mbetej e vogël mes njëri-tjetrit”, vijon Lea rrëfimin.

Ndonëse pëlqehet shumë, arti, sipas Leas, nuk vlerësohet ende në nivelet që janë në botë.

“Arti nuk është se vlerësohet shumë. Njerëzve u pëlqen arti por nuk e vlerësojnë shumë atë. Kur u thua për një çmim të caktuar, ata kanë gjithmonë tendencën për ta parë si çmim shumë të lartë ndërkohë që krijimtaria ka vlerën e saj, punën dhe vështirësitë e saj. Një portret me laps ka çmime të ndryshme, nis nga çmimi 20 për të vijuar më tej, por gjithmonë në varësi të llojit. Më bojra janë më të shtrenjtë sepse kushton tabloja dhe bojërat e vajit që janë shumë të shtrenjta”, tregon ajo.

“Dhoma ime është plot me korniza me trupa anatomikë sepse ne bëjmë edhe anatominë e njeriut. I gjithë muri i dhomës është plot me trupa anatomikë. Ka edhe disa piktura të bëra për tema të caktuara që na i kanë lënë t’i kemi. Piktura të cilat krijoheshin për një ekspozitë të caktuar në shkollë dhe ne i merrnim në shtëpi. Kam një pikturë në shtëpi me tematikë lirinë e fëmijëve në ditët e sotme dhe një pikturë grafike në ngjyrë blu. Në shtëpinë time në Fushë-Arrëz, gjen piktura të natyrës, peizazhe më shumë sesa portrete të familjes”, shprehet Lea.

Teksa buzëqesh lehtas, Lea rrëfen se vendi ynë ka të rinj të talentuar të cilët nuk promovohen e shihen asgjëkundi.

“Kam parë shumë të rinj të talentuar në pikturë, muzikë, aktrim, instrument. Njoh mjaft të tillë dhe jashtë shkollës së arteve. Ajo që kam kuptuar është që vullneti mbetet kyç në sukses. Ti mund ta kesh talent, dhunti prej zotit por nëse ti nuk punon me talentin tënd atëherë nuk mundesh dot të shfrytëzosh një aset që ti ke. Në fushën tonë veçanërisht, nëse nuk e praktikon, nuk do të mundesh ta shfrytëzosh “veten” për të bërë gjëra të bukura në komunitetin, shoqërinë e botën ku jetojmë. Talenti në pikturë, muzikë, aktrim etj kërkon praktikë e vullnet”, thotë ajo.

Rastet e demotivimit nuk kanë qënë të pakta edhe për Lean, por ajo ka gjetur gjithmonë një dritare hapur për të marrë ajër, për të vazhduar krijmtarinë e saj.

“Më ndodh që demotivohem, mund ta lë vizatimin edhe për disa kohë por prapë kam një rikthim. Mund të them që është shumë e fortë brenda meje, përtej mërzitjeve apo rutinës së përditshme, e cila ka raste kur edhe artin e vret. Por, unë gjej gjithmonë një “arratisje” thjesht duke bërë një shëtitje, ku papritur përmes një detaji gati-gati të padukshëm, arrij të ulem e të skicoj. Mendoj për ta ardhmen, çfarë do të ndodhë derisa unë të përfundoj studimet tëk Akademia e Arteve. Por deri sa të mbërrijë ajo kohë, unë po studjoj dhe punoj fort për t’’ia dalë. Ne nuk jemi rinia e kafeneve. Pjesa për të cilën flas e për të cilët flitet shumë pak e njihen shumë pak, të rinj të talentuar që mundohen për t’ia dalë ka shumë. E them me bindje sepse kam njohur shumë ndonëse jam vetem 18 vjeç. Ka diçka të çuditshme tek ne artistët. Ne kemi një botë tonën, por përmes artit e transmetojmë atë në një mënyrë ku e bukura nuk ka fund. Arti ka të bëjë shumë me vullnetin. Po e le, të le edhe piktura. Nëse e lë për disa kohë mund të harrosh teknikat e vizatimit. Talenti dhe vullneti plotësojnë njëri-tjetrin. Nëse nuk punon, harron edhe atë që ke mësuar. Po punove, do të fitosh më shumë njohuri dhe do të jesh më i miri, në çfarëdolloj dege që do të zgjedhësh”, shprehet Lea.

Asaj i pëlqen të vizatojë veçanërisht sytë e njerëzve. “Sytë janë gjëja e parë që shoh tek një njeri dhe ato më bëjnë përshtypje. Mund të fiksoj edhe shikimin e ndonjë të panjohuri në rrugë dhe kur shkoj në shtëpi të vizatoj. I fotografoj me sy dhe e hedh në letër përmes skicimit”, tregon ajo.

18-vjeçarja ka edhe një mesazh për bashkëmoshatarët e saj.

“Asnjë i ri apo e re nuk duhet të heqë dorë nga ëndrrat e veta sepse të gjitha realizohen me punë dhe këtë e kam kuptuar vetë. Secili nga ne demotivohet por fokusi duhet të qëndrojë tek dëshira dhe ëndrra juaj për të ardhmen”. /atsh

“Talenti dhe vullneti plotësojnë njëri-tjetrin”, 18-vjeçarja Lea Gjini rrëfen pasionin për pikturën: Ëndërroj të bëhem dizenjatore, të kem firmën time, pse jo një shtëpi mode Read More »

Parashikimi i motit, 12 korrik 2020

Shërbimi Meteorologjik Ushtarak bën të ditur se moti për ditën e sotme do të jetë i kthjellët me vranësira të pakta e kalimtare në orët e mesditës, kryesisht përgjatë relieveve malore në lindje të territorit.

Vranësirat do të pasohen nga reshje shiu me intensitet deri mesatar në formë shtrëngatash në Alpe dhe përgjatë relieveve malore në orët e mesditës, me reshje shiu të dobëta në formë pikash.

Era do të jetë me drejtim veriperëndim – verilindje me shpejtësi 1-8m/s dhe prej orëve të pasdites, parashikohet të fitojë intensitet deri në 20-30 m/s intensive dhe me rrahje. Deti do të jetë i forcës 1-5 ballë.

Temperaturat parashikohen:

QYTETET Temperaturat në °C Sigla
Shkodër 21/34 diell re
Kukës 19/30 diell re
Lezhë 20/35 diell
Dibër 18/30 diell re
Durrës 22/32 diell
Tiranë 22/35 diell
Elbasan 22/35 diell re
Berat 18/36 diell
Vlorë 20/32 diell
Korçë 16/28 diell re
Gjirokastër 17/35 diell
Sarandë 18/33 diell/atsh

Parashikimi i motit, 12 korrik 2020 Read More »

500 efektivë të rinj i shtohen strukturës së Policisë së Shtetit

500 efektivë të rinj do t’i shktohen strukturës së Policisë së Shtetit.

Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka miratuar ndryshime në buxhetin e vitit 2020. Sipas projektligjit të dërguar për shqyrtim në komisionet parlamentare të Kuvendit, parashikohet rritje e strukturës organike të Policisë së Shtetit me 500 efektivë të rinj, pa kosto shtesë në buxhet.

Buxheti i vitit 2020 për Policinë e Shtetit llogaritet 21 miliardë lekë, me një rritje prej 1.4% në raport me atë të 2019.//atsh

500 efektivë të rinj i shtohen strukturës së Policisë së Shtetit Read More »

Impakt në ekonomi e punësim/ 600 milionë lekë për studim-projektimin e tunelit të Llogorasë

Ministria e Financave dhe Ekonomisë planifikon një financim prej 600 milionë lekësh për studim-projektimin e tunelit të Llogorasë.

Qeveria hapi në mesin e muajit qershor garën për projektin inxhinierik për ndërtimin e tunelit të Llogorasë, i cili do të ndërtohet me fondet e buxhetit të shtetit.

Shuma e planifikuar në rishikimin që MFE ka kryer në buxhetin e vitit 2020 parashikon hartimin e studimit dhe projektimit të tunelit të Llogorasë, ndërtimi i të cilit do të krijojë një lidhje shumë të shpejtë me Rivierën shqiptare por do ta kthejë edhe vet Parkun Kombëtar të Llogorasë në një destinacion më vete, jo thjesht në një rrugë kalimi të gjithë trafikut të sezonit turistik.

Tuneli do të jetë i gjatë 6 km dhe nis pas Urës së Shën Elizës deri në Palasë.

Ndërtimi i tij synon një akses për të gjithë për të përshkruar rrugën e Llogorasë nga Dukati deri në Palasë që aktualisht nevojiten 55 minuta në vetëm 7-10 minuta.

Sipas llogaritjeve tuneli prej 6 km me një shpejtësi të lejuar 50-80 km në orë do të përshkrohet për 7-10 minuta. Ky investim do të jetë efiçent për sa i përket kohës, kostos së karburantit dhe përdorimit të automjeteve dhe mbi të gjitha ka elementin e sigurisë rrugore.

Impakti që ky tunel do të ketë në ekonominë e zonës dhe atë shqiptare i përkthyer në shifra arrin 550 deri 650 milionë euro, ndikim ky direkt dhe indirekt. Punësimi që kjo vepër do të nxisë arrin në 11 600 persona.Parashikohet që gara për ndërtimin të hapet në 29 dhjetor të këtij viti, ndërsa punimet të nisin në pranverën e vitit 2021.

Në vitin e parë të operimit të këtij tuneli parashikohet një fluks lëvizjeje nga 3 mijë që është aktualisht në 6 mijë, ndërsa në vitin e tretë parashikohet që fluksi i lëvizjes të shkojë në 10 mijë automjete.

Tuneli, do të operohet me tarifë e cila do të jetë minimale dhe do të shkojë për mbulimin e kostos së ndërtimit dhe mirëmbajtjen.//atsh

Impakt në ekonomi e punësim/ 600 milionë lekë për studim-projektimin e tunelit të Llogorasë Read More »

Ligji për aktivitetet detare/ Flamuri shqiptar shndërrohet në ‘’pasaportën’’ e marketimit të bregdetit tonë në destinacion të ri mesdhetar të anijeve turistike

Kryeministri Edi Rama tha sot se prej 10 korrikut 2020 ka hyrë në fuqi për herë të parë në Shqipëri një ligj “Për aktivitetet detare” i cili i hap rrugë zhvillimit të një potenciali të pashfrytëzuar në historinë tonë të re e të vjetër jo e jo, industrisë së detit.

“Ligji bën të zbatueshëm, vizionin dhe ambicien për ta shndërruar flamurin shqiptar përmes mjeteve lundruese, në “pasaportën” e re të marketimit të Shqipërisë si destinacion turistik, bregdetin tonë në një destinacion të ri mesdhetar të anijeve turistike të të gjitha dimensioneve dhe vijën tonë bregdetare në një zonë konkururse për portet e marinat turistike”, shprehet Rama.

Po ashtu, Rama shton se “më shumë turizëm, më shumë të ardhura në ekonomi, më shumë punësim, më shumë emër për Shqipërinë e bukur në Europë e në botë”./atsh

Ligji për aktivitetet detare/ Flamuri shqiptar shndërrohet në ‘’pasaportën’’ e marketimit të bregdetit tonë në destinacion të ri mesdhetar të anijeve turistike Read More »

Manastirliu inspekton spitalin e Vlorës: Fuqizojmë terapinë intensive, përgatitemi për çdo situatë

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes, Sociale Ogerta Manastirliu, në kuadër të fuqizimit të njësive të terapisë intensive në spitalet rajonale dhe universitare, ka inspektuar spitalin rajonal të Vlorës.

“Në fokus të punës tonë është fuqizimi i shërbimeve në spitalet rajonale, me synimin për të ofruar shërbime cilësore afër vendbanimit, por veçanërisht në këtë situatë të epidemisë COVID-19 jemi duke forcuar kapacitetet në të gjithë spitalet universitare dhe rajonale, sa i përket rrjetit të terapisë intensive”, – tha Manastirliu.

Pas spitaleve rajonale në Durrës, Elbasan, Shkodër, edhe në Vlorë janë instaluar pajisjet moderne të reanimacionit, duke filluar nga shtretërit, respiratorët, aspiratorë, shiringa elektrike, pompat e infuzionit dhe një set i plotë i pajisjeve të nevojshme jetëshpëtuese.

Përveç fuqizimit me aparatura, spitali rajonal i Vlorës do të ketë këtë vit një investim tërësor për reanimacionin.

“Spitali Rajonal i Vlorës do të jetë një ndër spitalet që do të mbështetet nga qeveria shqiptare nëpërmjet fondeve të alokuara në kuadër të luftës kundër COVID-19 për fuqizimin e terapisë intensive. Brenda vitit do të kemi një reanimacion të ri sipas standarteve bashkëkohore, për të ofruar shërbime më cilësore dhe me dyfishin e kapaciteteve, që do të mbulojnë zonën e jugut, që i shërben gjithashtu edhe turistëve e pushuesve gjatë sezonit turistik” tha Manastirliu.

Ministrja Manastirliu u shpreh nga spitali i Vlorës se po merren masat për t’u përgatitur për çdo situatë.

“Kemi rritur kapacitetet në rast të shtimit të rasteve me COVID-19, por duhet të përgatisim spitalet rajonale për çdo situatë, pasi, ndërsa trajtimi i pacientëve me COVID është përqendruar në Tiranë, spitalet rajonale duhet t’ju përgjigjen edhe patologjive të tjera”, – tha Manastirliu.

Qeveria shqiptare, në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë po investon në rritjen e kapaciteteve në terapitë intensive për të përballuar situatën e shkaktuar si pasojë e COVID-19, duke fuqizuar spitalet rajonale dhe universitare me aparatura mjekësore të teknologjisë së lartë. /atsh

Manastirliu inspekton spitalin e Vlorës: Fuqizojmë terapinë intensive, përgatitemi për çdo situatë Read More »