Aktualitet

“Patrullë e Përgjithshme”/ Hapen aplikimet për 300 vende në shkollën e policisë

Nga sot është hapur procesi i aplikimeve për të gjithë kandidatët e interesuar për të ndjekur studimet në shkollën bazë të policisë për “Patrullë të Përgjithshme”.

Lajmi u bë i ditur nga ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, i cili theksoi se “përtëritja e Policisë së Shtetit dhe shtimi i radhëve të saj janë dy programe të dorës së parë. 300 kandidatë të rinj për Patrullën e Përgjithshme do të pranohen në Akademinë e Sigurisë. Për këtë qëllim, janë hapur aplikimet”.

“Të rinjtë dhe të rejat që besojnë se janë të gatshëm të përballen me sfidat e mendjes, trupit dhe karakterit përgjatë një karriere të bukur policore në shërbim të qytetarëve janë të ftuar të maten me moshatarët e tyre në një garë të fortë”, – tha Lleshaj.

Ministri Lleshaj u shpreh se “një polici e ndershme, e fortë dhe e mençur ka nevojë për të rinj me këto karakteristika”.

Aplikimet dorëzohen pranë Drejtorive Vendore të Policisë, ku aplikanti ka vendbanimin e përhershëm.

Në përfundim të gjithë procesit të konkurrimit, 300 kursantët fitues do të ndjekin studimet në Kolegjin Profesional të Lartë “Kolegji i Policisë” për “Patrullë të Përgjithshme”, në Akademinë e Sigurisë.

KRITERET E APLIKANTIT

Kriteret, që duhet të përmbushë aplikanti, për të ndjekur studimet në Shkollën Bazë të Policisë për “Patrullë të Përgjithshme”:

– Të jetë shtetas shqiptar;
– Të ketë mbushur moshën 18 vjeç dhe të jetë nën 30 vjeç;
– Të jetë me gjatësi jo më pak se 170 cm për meshkujt dhe jo më pak se 160 cm për femrat;
– Të mos jetë i përjashtuar nga Policia e Shtetit apo të jetë larguar nga shërbimi civil;
– Të ketë zotësi të plotë për të vepruar;
– Të jetë në gjendje të mirë shëndetësore dhe i aftë fizikisht për të kryer detyrën dhe të mos ketë shenja të dukshme (tatuazh) që nuk mbulohen nga uniforma verore e Policisë;
– Të ketë mbaruar arsimin e mesëm;
– Të mos jetë i dënuar me vendim gjykate të formës së prerë për kryerjen e një krimi ose të një kundërvajtjeje penale me dashje;
– Të ketë dëshmi të aftësisë së drejtimit të automjetit të tipit “B”.

DOKUMENTACIONI PËR APLIKIM

Aplikantët për punonjës policie duhet të paraqesin dokumentacionin e mëposhtëm për aplikim në Polici:
– Formulari i aplikimit;
– Fotokopje e kartës së identitetit;
– Dokument zyrtar që vërteton përfundimin e arsimit të mesëm;
– Fotokopje të dëshmisë së aftësisë së drejtimit të automjetit të tipit “B”;
– Vërtetim nga Gjykata;
– Vërtetim nga Prokuroria;
– Fotokopje të librezës së punës për ata që janë në marrëdhënie pune ose i kanë shkëputur marrëdhëniet e punës;
– Vërtetim që ndjek arsimin e lartë (për ata që vazhdojnë arsimit e lartë);
– Mandat pagesa e tarifës së aplikimit;

Dëshmia e penalitetit dhe certifikata familjare nxirren nga vetë strukturat policore ku kryhet aplikimi.

Kontrolli mjekësor dhe analiza që vërteton se nuk je përdorues i lëndëve narkotike janë procedura që kryhen në fazën e kontrollit shëndetësor.

SHQYRTIMI I DOKUMENTACIONIT DHE PROCESI I ANKIMIMIT

Afati i shqyrtimit dhe verifikimit të dokumentacionit është 10 ditë pune nga mbyllja e afatit të aplikimeve.

Aplikanti, që nuk plotëson kriteret dhe nuk ka paraqitur dokumentacionin e kërkuar brenda afatit të aplikimit, skualifikohet duke u njoftuar me shkrim nga struktura e Burimeve Njerëzore.

Aplikanti ka të drejtën e ankimit tek Drejtori i Policisë Vendore brenda 2 ditëve nga data e njoftimit të përgjigjes. Drejtori i Policisë Vendore shqyrton dhe kthen përgjigje brenda 5 ditëve nga data e marrjes së ankesës.

FAZAT E KONKURRIMIT

Aplikanti që kualifikohet për të vazhduar procesin e pranimit në Akademinë e Sigurisë, i nënshtrohet fazave të mëposhtme të konkurrimit:
– Testimi me shkrim;
– Testimi i aftësive fizike;
– Intervistë me gojë, ushtrime vlerësuese dhe testim i aftësive të të shkruarit;
– Testimi psikologjik;
– Kontrolli shëndetësor;
– Marrja e shenjave të gishtave;
– Verifikimi përfundimtar i aplikantit.

Të gjithë aplikantët, për çdo paqartësi që mund të kenë lidhur me këtë proces, mund të drejtohen pranë strukturave të Burimeve Njerëzore në Drejtoritë Vendore të Policisë ose pranë Drejtorisë së Burimeve Njerëzore në Drejtorinë e Policisë së Shtetit./atsh

“Patrullë e Përgjithshme”/ Hapen aplikimet për 300 vende në shkollën e policisë Read More »

Forcat e Armatosura në proces të vazhdueshëm rigjenerimi, testohen kandidatët e rinj

Qendra e Personel-Rekrutimit po teston kandidatët e rinj që synojnë të bëhen pjesë e Forcave të Armatosura të Shqipërisë.

Lajmi u bë i ditur nga ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka, e cila shprehet se “Forcat e Armatosura janë në një proces të vazhdueshëm rigjenerimi”.

“Ndërkohë që rekrutët e rinj janë drejt përfundimit të Stërvitjes Individuale Bazë në Bunavi, Qendra e Personel-Rekrutimit po teston kandidatët e rinj që synojnë të bëhen pjesë e Forcave të Armatosura të Shqipërisë. Sigurisht, duke respektuar masat anti COVID 19”, – shprehet Xhaçka./atsh

Forcat e Armatosura në proces të vazhdueshëm rigjenerimi, testohen kandidatët e rinj Read More »

Bimët mjekësore/ Vlera e eksporteve u rrit në 1.7 miliardë lekë në 5-mujorin e parë të vitit

Shqipëria ka një traditë të hershme në prodhimin dhe eksportin e bimëve mjekësore dhe aromatike.
Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, shprehet se “më shumë se 95% e totalit të bimëve të mbledhura, eksportohen. Ndërkohë 3/4 e sherebelës së importuar nga SHBA është me origjinë nga Shqipëria”.
Denaj bën të ditur se, “në periudhën janar-maj 2020 vlera e eksportit të bimëve medicinale ishte rreth 1.7 miliardë lekë, duke ruajtur trendin në rritje”.
Sipas statistikave në 5-mujorin e parë të vitit 2016, eksportet e bimëve mjekësore shënuan vlerën 1.3 miliardë lekë, në vitin 2017 u eksportuan bimë mjekësore në vlerën 1.2 miliardë lekë dhe në 2019, eksportet u rritën në vlerën e 1.5 miliardë lekëve.
Bimët mjekësore dhe aromatike (BMA-të) janë një sektor tradicionalisht i orientuar nga eksporti, me tregje të zhvilluara dhe potencial të mirë për rritje.
Shqipëria bën pjesë në grupin e 25 eksportuesve kryesorë të BMA-ve në botë. Eksporti i BMA-ve arrin gati 20% të totalit të eksporteve bujqësore të Shqipërisë.

Produktet më të rëndësishme të eksportit janë sherbela, rigoni, trumza, livando,
etj. Është regjistruar një fluks i vogël, por në rritje i eksportit të vajrave esenciale, si edhe një rritje e kapacitetit përpunues në vend.

Baza e prodhimit përbëhet kryesisht nga BMA-të e egra që gjenden në të gjithë vendin.
Biodiversiteti i pasur në Shqipëri përfaqëson një potencial të rëndësishëm për zhvillimin e
sektorit të BMA-ve. Më shumë se 400 specie janë identifikuar si BMA të florës shqiptare,
nga të cilat më shumë se 200 specie mblidhen dhe tregtohen.

BMA-të janë një sektor i rëndësishëm i ekonomisë rurale. Sondazhet tregojnë se në disa zona rurale pothuajse të gjitha familjet marrin një pjesë të konsiderueshme të të ardhurave të tyre nga grumbullimi i BMA-ve. /atsh

Bimët mjekësore/ Vlera e eksporteve u rrit në 1.7 miliardë lekë në 5-mujorin e parë të vitit Read More »

Ani Binaj, drejtori i ri i Kadastrës së Vlorës/ Lame: 10 400 legalizime të kryera, 65 000 pasuri ende pa regjistrim fillestar

Ani Binaj do të jetë drejtori i ri i Agjencisë së Kadastrës Vlorë.

Prezantimin e tij e bëri sot, Artan Lame, drejtori i përgjithshëm i Agjencisë së Kadastrës Shqiptare, nga shtëpia e oficerëve në Vlorë, ku do të ndërtohen zyrat e reja dhe moderne të Agjencisë së Kadastrës së Vlorës.

“Në kuadër të ristrukturimit të kadastrave bregdetare, më duhet ta pranoj që ristrukturimi i Kadastrës Vlorë ka qenë më problematiku. Kështu kemi vënë në udhën e mbarë kadastrën e Shkodrës, të Lezhës, të Durrësit dhe të Kavajës. Kadastra e Fierit nuk ka qenë ndonjëherë problematike. Për fat të keq, Vlora u tregua një problem i zgjatur”, – deklaroi Lame.

“Vlora po paguan kusuret e 30 vjetëve papërgjegjshmërie në fushën e pronës.
Askund si në Vlorë kanë qenë prezente si, falsifikimet e regjistrave të pasurive të paluajtshme, çështjet gjyqësore të hapura e zgjatura, në shumë raste edhe mbi 5 e 10 vjet. Vendimet e Prokurorisë për zbulimin e grabitjeve të pronës publike e private. Kujtoj këtu vetëm vendimet e kohëve të fundit në bregdetin e Karaburunit, konfliktet civile të cilat kanë mbushur kronikën e zezë të këtij qyteti”, – tha Lame.

“Procesi i legalizimeve në Vlorë nuk ka ecur keq. Deri tani janë kryer 10.400 legalizime. Në këtë kuadër, drejtorit të ri i del detyra e përshpejtimit të këtij procesi. Një fushë që Vlora ka qenë mbrapa është edhe legalizimi i pallateve me shkelje dhe atyre të braktisura”, – shtoi Lame.

“Drejtoria Vlorë është një nga drejtoritë më të rëndësishme të Kadastrës Shqiptare, duke marrë në konsiderate se ajo ka në administrim të vet regjistrin e pasurive të paluajtshme dhe hartat kadastrale për 106 zona kadastrale dhe ofron shërbime kadastrale për territorin e 3 bashkive, përkatësisht Vlorë, Himarë dhe Selenicë. Nga këto 106 zona kadastrale, 28 janë ende pa regjistrim fillestar, me një total prej afërsisht 65.000 pasuri të paluajtshme”, – tha ai.

“Sikurse jeni në dijeni, Agjencia Shqiptare e Kadastrës ka filluar procesin e regjistrimit fillestar për te gjitha zonat kadastrale të mbetura. Ndër zonat që kanë nisur regjistrimin së fundmi janë edhe 8 ZK të bashkisë Himarë, proces i cili po kryhet nga Projekti i Përmirësim/Përditësimit dhe Regjistrimit Fillestar pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Kadastrës. Regjistrimi fillestar është hapi kyç drejt garantimit të të drejtave të pronarëve të ligjshëm, në kuadër të sigurimit dhe krijimit të tregut të konsoliduar të tokës”, – shton ai.

“Drejtori i ri i Kadastrës Vlorë, së shpejti do të ketë në dorë rezultatin e këtij procesi, për ta vënë atë në dispozicion të qytetarëve dhe biznesit. Por pavarësisht procesit të regjistrimit fillestar, detyra kryesore e tij do të jetë ofrimi i shërbimeve ndaj qytetarëve në kohë dhe me cilësi duke përmirësuar ndjeshëm mangësitë që mund të jenë krijuar gjatë këtyre kohëve”, – vijon Lame.

“Nga ana jonë, është duke nisur procesi i bashkëpunimit me bashkinë Selenicë, për përfundimin e regjistrimit në territorin e kësaj bashkie, duke i dhënë të njëjtën rëndësi procesit të regjistrimit në zonat malore, në zonat bregdetare apo në zonat fushore.
ASHK është e gatshme të bashkëpunojë me të gjitha Bashkitë, për t’i dhënë fund regjistrimit fillestar, inventarizimit dhe përditësimit të inventarëve të pasurive të paluajtshme të transferuara apo në pronësi të njësive të qeverisjes vendore”. – thekson Lame.

“Në mbështetje të regjistrimit fillestar për zonat e Bregut, përveç ofrimit të shërbimeve të përditshme kadastrale, Drejtoria Vlorë do të këtë një volum të konsiderueshëm pune për: ligjërimin e objekteve të ndërtuara para vitit 1991;përfundimin e procedurave të kualifikimit të ndërtimeve informale; regjistrimin e tokave bujqësore; si dhe përditësimin e inventareve të pasurive të paluajtshme në pronësi apo administrim të njësive të qeverisjes vendore”, – tha Lame.

“Prezantimin e sotëm, po e bëjmë në një ambient në dukje aspak normal. Kjo godinë, dikur shtëpia e Oficerëve dhe prej vitesh e plaçkitur dhe braktisur, së fundi nga qeveria ju kalua Drejtorisë rajonale Vlorë, për të bërë selinë e saj të re. Këto ditë fillon rikonstruksioni i saj dhe, pas disa muajsh, qytetarët vlonjatë do të kenë në dispozicion shërbimi ambiente të rinovuara. Jam i bindur që shumë shpejt Vlora do ta ndjejë ndryshimin për tu bërë një prej qyteteve ku stresi i pronës të mbetet kujtim i të kaluarës”, – tha Lame.

Drejtori i ri i Agjencisë së Kadastrës në Vlorë, Ani Binaj, deklaroi se faktet do flasin më shumë se fjalët. “Jam lindur e rritur në Vlorë. Kam eksperiencë pune në privat e publik. Arsim të lartë në drejtësi. Kam punuar pranë zyrave vendore të kuvendit të Shqipërisë. Duke parë gjendjen aktualet të kadastrës Vlorë më lejoni ta përmbledh me një fjali, le të flasin faktet dhe jo fjalimet për punën e kadastrës së Vlorës. Ftoj të gjithë qytetarët të bëhen pjesë e risive të reja të kësaj kadastre”, – tha ai.

Artan Lame, në fund të prezantimit sqaroi për gazetarët se kjo qeveri ka pasur kurajon të hapë kutinë e problemeve në Vlorë, ndërsa u kërkoi atyre kohë për të zgjidhur ngërçet e shumta që ka ky qytet.

“Në 30 vite askush nuk pati kurajo të hap këtë kuti me problematika që ka Vlora. Ne e hapëm, morëm kurajon dhe e hapëm dhe na lini kohë ta zgjidhim”, – tha Lame. /atsh

Ani Binaj, drejtori i ri i Kadastrës së Vlorës/ Lame: 10 400 legalizime të kryera, 65 000 pasuri ende pa regjistrim fillestar Read More »

Thaçi: Askush nuk mund ta rishkruajë historinë

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, është paraqitur në Dhomat e Specializuara për t’u intervistuar, ashtu siç kishte marrë ftesën ditë më parë.

Në një prononcim të shkurtër për media, Thaçi tha se beson te drejtësia dhe e vërteta dhe ky ishte çmimi i lirisë që duhet ta paguajë.

“Sot jam këtu në respekt të ëndrrës time dhe për atë që kam luftuar, një Kosovë të lirë dhe të pavarur, bazuar në të drejta të barabarta dhe në sundimin e ligjit. Jam gati të përballem me sfidat e reja dhe të fitoj, për djalin tim, për familjen time dhe për vendin tim. Askush nuk mund ta rishkruajë historinë. Ky është çmimi i lirisë. Unë besoj në paqe, në të vërtetën dhe në drejtësi. Unë besoj në dialog dhe në marrëdhënie të mira me vendet fqinje. Kosova është një histori suksesi dhe unë jam shumë krenar. Destinacioni i Kosovës është integrimi në Bashkimin Europian, NATO dhe marrëdhëniet e mira me SHBA,” deklaroi Thaçi.

Ndërkohë, një grup mbështetësish të UÇK-së dhe presidentit Hashim Thaçi janë mbledhur jashtë Gjykatës Speciale në Hagë dhe kanë brohoritur emrin e kreut të shtetit, “UÇK” si dhe me pankarta në duar kanë kërkuar drejtësi për krimet e kryera në Kosovë gjatë luftës së fundit./KosovaPress/

Thaçi: Askush nuk mund ta rishkruajë historinë Read More »

Masat kufizuese në studiot televizive gjatë pandemisë/ Meta kthen në Kuvend ligjin

Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka kthyer për rishqyrtim në Kuvend ligjin “Për miratimin e aktit normativ të Këshillit të Ministrave”, “Për disa ndryshime dhe shtesa në aktin normativ nr. 3, datë 15.3.2020, Këshillit të Ministrave, ‘Për marrjen e masave të veçanta administrative gjatë kohëzgjatjes së periudhës së infeksionit të shkaktuar nga COVID-19’, të ndryshuar”.

Institucioni i Presidentit të Republikës thekson se,”ky ligj është kthyer pasi Kuvendi, duke miratuar aktin normativ të Këshillit të Ministrave që paraqitet si një akt që “lehtësonte” masat kufizuese për jo më shumë se 2 persona të pranishëm në një studio epidemie, në fakt përcakton një masë të rëndë administrative fikse, me gjobë 1 000 000 (një milion) lekë ose vendosjen e bllokimit, të pjesshëm ose të plotë, të transmetimit nga media audiovizive si dhe bllokimi dhe/ose ndalimi i funksionimit të pajisjeve, ndërkohë që gjendja e fatkeqësisë natyrore e shpallur me ligj, ka përfunduar vetëm 5 ditë pasi Kuvendi ka miratuar këtë akt”.

Sipas argumenteve shoqëruese të Dekretit, kufizimi për ruajtjen e një distance prej 2 metrash midis të ftuarve në studiot televizive është një masë e detyrueshme dhe e mirëpritur, por sanksioni ndëshkues administrativ është shproporcional.

Sipas ligjit, ky sanksion që rrezikon të çojë në ndëshkimin me pa të drejtë të medieve, jo më nga një organ i pavarur, por nga ministria përgjegjëse për shëndetësinë që përfaqëson vullnetin politik, cenon të drejtën për informim dhe lirinë e shprehjes, të parashikuara në nenet 22 dhe 23 të Kushtetutës, thekson Institucioni i Presidentit të Republikës./atsh

Masat kufizuese në studiot televizive gjatë pandemisë/ Meta kthen në Kuvend ligjin Read More »

Pandemia/ Vasili: Duhet të merren masa të menjëhershme

Nënkryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili ka reaguar sot në një deklaratë për situatën e pandemisë në vend duke e konsideruar si keqmenaxhim të situatës.

Vasili tha se “situata e pandemisë po shkon në një rrugë e cila pasi nuk do të dëshironte askush të ishte e tillë pasi raste e reja janë 117, pra duke e krahasuar me pikun e pandemisë me 28 raste të katër muajve më parë kemi 400% të rritjeve të rasteve”.

“Është shumë e qartë se e gjithë mënyra se si kjo pandemi është administruar nga fillimi ka qenë e gjitha e bazuar mbi spontanitetin, mbi mos marrjen efektive, mbi mos vlerësimin e masave të domosdoshme që bëjnë të mundur të kesh një situatë nën kontroll dhe të bëjë të mundur të dalësh pre saj, dhe një seri mosveprimesh të rënda, mos testimi, mos përdorimi i maskave, mos sigurimi i aspiratorëve në kohë, përqendrimi, përqendrimi i problematikës vetëm te numri 127, mos aktivizimi i mjekëve parësorë, mjekëve të familjes dhe mos pajisja me mjete mbrojtëse spitalore i la mjekët pa mbrojtje. Kjo situatë dhe ky spontanitetit e papërgjegjshmëri ka sjellë këtë realitet”, tha ai.

Vasili u shpreh se “situata nuk mbanë më duhen marrë masa të menjëhershme duke vendosur në eficiencë të plotë gjithë strukturat shëndetësore shqiptare dhe pajisja me mjete mbrojtëse”.

“Qeveria duhet të marr përsipër subvencionimin e maskave në mënyrë që ata të mblidhen me çmimin më të lirë të mundshëm për të gjitha shtresat e popullatës”, tha Vasili. /atsh

Pandemia/ Vasili: Duhet të merren masa të menjëhershme Read More »

Punon me bimët mjekësore prej vitit 1996/ Mundësi financimi për Verën, ndër të paktat gra në Shqipëri që eksporton në disa vende të rajonit

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj u ndal në Delvinë ku vizitoi një nga gratë sipërmarrëse të kësaj bashkie, Verën.

Vera është një nga të paktat gra në Shqipëri e cila prej vitit 1996 operon në fushën e bimëve mjekësore dhe eksporton në disa vende të rajonit.

Në mjediset e saj, ku ka punësuar edhe gra delvinjote gjen nga të gjitha bimët mjekësore që rriten në fushat e malet e vendit.

“Dëshira e saj është të zgjerojë aktivitetin dhe ndaj pamë nga afër mundësitë për ta ndihmuar në sigurimin e një financimi për makineri që do ta lejojnë Verën të rrisë kapacitetet përpunuese të këtyre bimëve, por edhe numrin e të punësuarave”, bëri të ditur Denaj.

“E nisa me një barakë. Unë punoj jo vetëm në Delvinë, por që nga Himara, Lukova, Përmeti etj.”, shprehet Vera. Ajo thotë se ka të gjitha llojet e bimëve mjekësore që kultivohen në Shqipëri.

Ajo ka gjetur edhe kompanitë ku mund të shesë produktet e saj, pikërisht në Gjermani.

Ministrja foli edhe për mbështetjen që po jep qeveria përmes shërbimeve të dixhitalizuara që ndihmojnë sipërmarrësit, jo vetëm të kursejnë kohë, por edhe të shmangin radhët e gjata nëpër sportele, për t’iu dedikuar më shumë rritjes dhe përmirësimit të biznes.

“Ne humbim 20 % të PBB-së nga pabarazia e burrit dhe gruas në forcën e punës apo sipërmarrje”, u shpreh Denaj.

Prandaj, tha ministrja, është e rëndësishme përdorimi i shërbimit online, pasi do të jenë sistemet ato që do të kryejnë një sërë procedurash për individin./atsh

Punon me bimët mjekësore prej vitit 1996/ Mundësi financimi për Verën, ndër të paktat gra në Shqipëri që eksporton në disa vende të rajonit Read More »