Aktualitet

Vetingu në polici/ Komisioni i Sigurisë rrëzon dekretin e Metës, Lleshaj: Shqetësuese që ai shquan nuanca elektorale

Komisioni i Sigurisë Kombëtare rrëzoi sot dekretin e Presidentit Ilir Meta, që ktheu për rishqyrtim ndryshimet në ligjin për Vetingun në Polici, Gardë e SHÇBA.

Gjatë shqyrtimit të dekretit në Komision, ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, u shpreh se “Presidenti ka goditur thelbin dhe frymën e ligjit për arsye se ai e konsideron Vetingun si instrument presioni”.

Lleshaj tha se “Vetingu në Policinë e Shtetit nuk është ndonjë gjë e re”. “Është një instrument presioni pozitiv ndaj kujtdo që merr përsipër të shërbejë në strukturat ligjzbatuese. Çdokush që shërben në këto struktura e ka pranuar vetë do t’i nënshtrohet një verifikimi të përhershëm. Do të jetë përherë në një proces verifikimi, për arsye se risku i kompromentimit të një personi të caktuar gjatë karrierës është prezent”, shtoi ai.

Edhe ligji i vitit 2018, sipas ministrit, “e ka këtë frymë dhe flet për vlerësim periodik”.

“Nëse flasim për një vlerësim periodik atëherë automatikisht duhet të heqim dorë nga konkluzioni shumë i nxituar, për ta konsideruar këtë instrument si një instrument presioni. Meqenëse Policia dhe sistemi i drejtësisë, Prokuroria punojnë së bashku në hetimin penal dhe në luftën ndaj krimit, do të plotësojnë të njëjtat standarde sa i përket kritereve të integritetit të personelit që përfshihet në këto struktura”, shtoi ministri.

Ai u shpreh se “është për të ardhur keq që Presidenti ka shquar edhe disa nuanca elektorale tek ligji i miratuar”.

Duke u ndalur te ndryshimet që sjell ky ligj, Lleshaj tha se “ligji rifut në funksion Komisionin e Jashtëm të Vlerësimit (KJV), i cili ka mbyllur aktivitetin për shkak se ligji i ka vënë një afat qershorin e këtij viti”. “Aktualisht KJV është pezulluar, i ngrirë, për arsye se i ka ikur afati ligjor për të ushtruar mandatin. Çfarë kërkojmë? Parlamenti tashmë ka kërkuar që ky Komision të vazhdojë ta mbyllë misionin e tij. Nuk i kemi vënë një afat pikërisht për të shmangur një nevojë për të ardhur prapë në Kuvend”, shtoi ai.

Lleshaj tha se “është shqetësuese që Presidenti shquan nuanca elektorale”. “Këtu duhet vërtet fantazi e tepruar, e jashtëzakonshme për të parë ndonjë lidhje midis zgjatjes së afatit ose vënies në funksion të procesit të Vetingut në Polici me zgjedhjet elektorale. Kjo është diçka që del jashtë fuqive përfytyruese tona dhe i mbetet Presidentit, që të thotë se ku i sheh ai rreziqet elektorale nga Vetingu në polici. Ne, përkundrazi, besojmë që sa më e pastër të bëhet Policia, Garda dhe SHÇBA, aq më të mira bëhen kushtet që këto institucione të kryejnë me integritet dhe përgjegjësi ligjore punën e tyre”, shtoi ai.

Lidhur me shqetësimin e Presidentit për kontrollin politik ndaj SHÇBA-së, Lleshaj tha se “është e vërtetë që Policia, SHÇBA, Garda, përgjithësisht institucionet ligjzbatuese në vend, i gjithë aparati ekzekutiv shtetëror, është në varësi politike, është në varësi të qeverisë, por kjo është gjëja më normale në një sistem demokratik, ky qytetarët zgjedhin parlamentin dhe parlamenti zgjedh një qeveri”.

“Qeveria në fakt ushtron mandat politik në emër të qytetarëve. Dhe institucionet duhet të jenë dhe janë në varësi të qeverive. Ky është thelbi i demokracisë. Unë nuk kuptoj se në varësi të kujt duhet të ishin, në qoftë se nuk do të jenë në varësi të Ministrit, apo në varësi të qeverisë?! Nuk ka ndonjë zgjidhje tjetër, kështu që shqetësime të kësaj natyre duken vërtet të pakuptueshme dhe të papranueshme. Sepse edhe krijimi apo tentativa për të krijuar një ide që varësia e institucioneve ligjzbatuese te qeveria qenka problemi është shumë e rrezikshme, sepse kjo është A-ja e shtetit”, tha ai.

Lleshaj tha se “nëse ekzistojnë dyshime për një ministër të caktuar, apo një qeveri të caktuar, dyshimi nuk kthehet kundër sistemit”. “Nëse paska rrezik që një ministër i caktuar mund t’i përdorë politikisht, ose keqpërdori politikisht kompetencat që i janë dhënë, çështja shtrohet ndaj individit, por jo ndaj sistemit. Nuk mund të pretendojmë ne dhe s’mund të guxojmë të mendojmë që të ndërtojmë një sistem ku institucionet nuk janë në varësi të qeverisë, e cila jep llogari te qytetarët. Nuk mund të mendojmë të krijojmë një sistem burokratik me institucione, të cilat janë jashtë kontrollit demokratik, i cili ushtrohet nga parlamenti dhe nga qeveria në emër të qytetarëve”, tha ai.

Sipas Lleshaj, “tentativa për të krijuar imazhe pavarësie jashtë institucioneve është një tentativë, e cila i bën dëm të madh vetë demokracisë”. “Është e rëndësishme të kuptojmë gjithmonë që pavarësia e institucioneve është pavarësia e vendimmarrjes së tyre, e cila duhet bazuar në ligj, dhe jo shkëputje e tyre nga sistemi. Nuk mund t’i bëjmë institucionet e pavarura duke i shkëputur nga sistemi. Por, institucionet bëhen të pavarura kur atyre u jepet mbrojtje ligjore në ushtrimin e detyrës së tyre dhe ju kërkohet që ta ushtrojnë detyrën dhe përgjegjësinë të bazuar në ligj, kjo është pavarësia. Jo kur vendosen strukturalisht, ku i marrin pagat, dhe ku japin llogari për realizimin e objektivave dhe prioriteteve të tyre”, tha ai.

Lleshaj tha se “nëse ne do ta pranonim kthimin e ligjit mbrapsht, ky do të kishte vetëm një pasojë, do të ndërpriste përfundimisht procesin e Vetingut në PSH, duke i dhënë goditje të madhe gjithë përpjekjes për të kryer një proces verifikimi të integritetit të gjithë sistemit të drejtësisë dhe sistemit të agjencive ligjzbatuese që e mbështesin atë, që është kryesisht Policinë e Shtetit”.

Lleshaj kërkoi që të rrëzohet dekreti i Presidentit, sepse përmes këtij vendimi ne i japim udhë vijimit të procesit të Vetingut në Policinë e Shtetit, proces, i cili duhet të bëhet për shumë arsye./atsh

Vetingu në polici/ Komisioni i Sigurisë rrëzon dekretin e Metës, Lleshaj: Shqetësuese që ai shquan nuanca elektorale Read More »

Shqipëria destinacion i preferuar i turistëve të huaj, tre çarterë me 600 polakë mbërrijnë në Rinas

Në aeroportin ndërkombëtar “Nënë Tereza” kanë zbritur sot 3 çarterë me turistë nga Polonia, pas atyre nga Bjellorusia dhe Ukraina.

Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi ishte i pranishëm në aeroportin e Rinasit, i shoqëruar nga drejtori i Aeroportit të Rinasit Costandin Von Alvensleben si dhe operatori turistik Rahman Kasa.

Ministri Klosi tha se mbërritja e turistëve është një sinjal i mirë ndonëse turizmi këtë vit po zhvillohet në kushte shumë të vështira.

“Së bashku me Rahmanin kemi ardhur për të asistuar avionin e parë çarter nga Polonia. Është një ngjarje shumë e mirë për turizmin shqiptar që një operator turistik evropian Itaka, të cilin do të doja shumë që ta përshendesja, ta falenderoja, dërgon disa çartera me turistë nga Polonia në Shqipëri për të furnizuar një numër të konsiderueshëm hotelesh të bregdetit shqiptar. Por edhe të zonave të tjera turistike pasi këta turistë janë turistë të cilët kërkojnë shumë të vizitojnë Shqipërinë, por së bashku me operatorët turistikë kemi kërkuar qe në gjithë hotelet këtu të zhvillohet ky aktivitet, të jenë masa shumë të forta për sa i përket ruajtjes nga përhapja e mëtejshme e virusit dhe po ashtu të gjithë pushuesit janë të udhëzuar për protokollin e lëvizjes dhe protokollin e masave mbrojtëse në Shqipëri. Është realisht një vit jashtëzakonisht i vështirë por ne shpresojmë që ky biznes, biznesi i turistëve të orientuar me avion çartera të vazhdojë siç ka nisur nga Bjellorusia, Ukraina, po ashtu Polonia dhe vendet e tjera të zonës balltike dhe me shpresë që të kemi përmirësim edhe me zonën skandinave, pasi kjo do të krijoj një bazë të mirë për një sezon të mbijetesës në vitin 2020. Thashë që është shumë e rëndësishme që të kërkojmë të gjithë së bashku që jo vetëm që duhet bërë biznes, por jeta e njerëzve në radhë të parë është kryesorja dhe për këtë operatorët turistik kanë qenë të mirinformuar për kushtet dhe protokollet e përcaktuara nga Ministria e Shëndetësisë. Është një vit i vështirë, por edhe brenda vështirësive të këtij viti do të kemi turistë të bregdetit shqiptar”, tha Klosi.

“Sot është një ditë shumë e bukur, po vijnë mbi 100 turistë nga Polonia, Katovica me çarter dhe unë mendoj se do të jenë pushime të këndshme. Unë jam shumë i lumtur për këtë”, tha Costandin Von Alvensleben.

Nga ana e tij, operatori turistik Kasa u shpreh se “shoqëria me të cilën unë jam partner do të sjellë 3 avionët e parë. Në fakt do të vinin që në maj po situata është e tillë, po përsëri jemi shumë të lumtur sepse në situatën që jetojmë kjo do të thotë shumë. Mendojmë që çdo javë do të kemi 6 avionë, të cilët do te vazhdojnë deri nga fundi i shtatorit. Shpresojmë që situata të vijë në përmirësim, sidomos situata e numrave të deklaruar, që të mos kishim probleme sepse sot realisht kishim 4 avionë dhe njëri u reduktua, sepse një pjesë u tërhoqën nga situata aktuale e numrave në Shqipëri. Gjithësesi jemi shumë të lumtur që arritëm më në fund, që në këtë situatë të ulim avionin çarter në Rinas dhe të fillojmë një sezon. Besoj për këto dy muaj që kanë mbetur do jetë mjaft i suksesshëm”. /atsh

Shqipëria destinacion i preferuar i turistëve të huaj, tre çarterë me 600 polakë mbërrijnë në Rinas Read More »

Manastirliu: Nuk ka rekomandim apo vendimmarrje nga Komiteti i Ekspertëve për izolim të Shqipërisë

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu tha se nga Komiteti i Ekspertëve nuk është rekomanduar dhe nuk ka patur vendimmarrje sa i përket izolimit të kufijve.

Në një nga mediet e vendit, Manastirliu u shpreh se “nga Komiteti i Ekspertëve nuk jemi rekomanduar dhe nuk ka patur vendimmarrje sa i përket izolimit të kufijve të Shqipërisë me vendet e tjera. Ndërkohë që Bashkimi Europian ka rekomanduar përpara disa javësh tashmë, u bënë rreth 2 javë apo diçka më pak të listës së vendeve të rekomanduara për të udhëtuar dhe ato jo. Këto varen nga kriteret epidemiologjike që vendos Qendra Europiane e Kontrollit të Sëmundjeve. Ne do të na duhet të presim sesi do të vendosen kriteret epidemiologjike, nëse do të jenë të njëjta apo do të ndryshojnë”.

Më tej, ministrja argumentoi se për vitin e ri shkollor po punohet intensivisht me Ministrinë e Arsimit për skenarë të mundshëm, ndonëse është ende herët për të folur për këtë çështje.

“Jemi duke punuar me Ministrinë e Arsimit. Do të jenë 8 javë të mëtejshme të cilat do të jenë intensive për nga pikëpamje e hartimit të skenarëve. Sot nuk mund të flasim dot për skenarët fiks në raport me çfarë pritet të ndodhë”, tha Manastirliu./atsh

Manastirliu: Nuk ka rekomandim apo vendimmarrje nga Komiteti i Ekspertëve për izolim të Shqipërisë Read More »

Garanci shtetërore për agrobiznesin/ Zgjerim dhe rritje e cilësisë së markës “Made in Albania” në tregjet ndërkombëtare

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj deklaroi sot se qeveria po vijon mbështetjen e saj për prodhuesit shqiptarë, përmes skemave financiare, me qëllim zgjerimin dhe rritjen e cilësisë së markës “Made in Albania” në tregjet ndërkombëtare.

Denaj e vijoi sot turin e saj të takimeve me biznesin në Gjirokastër, në kompaninë “Gjirofarma” të financuar me kredi nga sistemi bankar me rreth 2.5 milionë euro, mundësuar nga skema e garancisë shtetërore për sektorin e agrobiznesit.

“Falë kësaj mbështetjeje, kompania ka investuar për rritjen e kapaciteteve të përpunimit të qumështit dhe nënprodukteve të tij, por edhe për hapjen e linjës së re të përpunimit të mishit”, tha Denaj.

Ministrja tha se grantet për fermerët ekzistojnë.

“Ne kemi bërë gati një paketë me Agjencinë e Zhvillimit Rural (AZHBR) dhe shumë shpejt do ta prezantojmë. Kemi menduar se klasterat apo grupet janë një histori suksesi edhe pse në numër të vogël”, u shpreh Denaj.

Përfaqësuesi i kompanisë “Gjirofarma” kërkoi nga qeveria krijimin e mekanizmave që do tu lehtësonte atyre eksportin në tregjet europiane.

“Nëse do të kishte një koordinim të mirë të financimit fermerit dhe tregjeve do të rritej me dyfish kapaciteti i ndërmarrjeve shqiptare prodhuese”, tha ai./atsh

Garanci shtetërore për agrobiznesin/ Zgjerim dhe rritje e cilësisë së markës “Made in Albania” në tregjet ndërkombëtare Read More »

Xhaçka jep lajmin e mirë për ushtarakët: Nga korriku 10 mijë lekë pagesë shtesë për ushqimin

Duke nisur nga muaji korrik, mijëra ushtarakë shqiptarë do të kenë çdo muaj në pagën e tyre, një shtesë prej 10 mijë lekësh, si kompensim për ushqimin.

Lajmin pozitiv, ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka e dha gjatë takimit me efektivët e kontingjentit të Policisë Ushtarake, të cilët nisen për në Afganistan, ku do të shërbejë në misionin e NATO-s, “Resolute Support”.

“Çdo investim në armë e sisteme do të kishte qenë i mangët nëse nuk do të ishte shoqëruar me një përpjekje po aq serioze e të qëndrueshme për të investuar tek burimet njerëzore të FA-së. Unë sot jam e lumtur t’ju jap një tjetër lajm të mirë në këtë drejtim. Për një vendim të propozuar nga Ministria e Mbrojtjes, që ka gjetur mbështetjen e menjëhershme të qeverisë e kryeministrit Rama, i cili i jep një zgjidhje dinjitoze një problemi të bartur prej shumë vitesh. Miratimi prej 10 mijë lekësh (100 mijë lekë të vjetra) si shtesë në pagat mujore të ushtarakëve nuk është thjesht një zhvillim me impakt të konsiderueshëm pozitiv në buxhetet familjare të ushtarakëve, por edhe një shenjë vlerësimi për punën tuaj të jashtëzakonshme gjatë këtyre viteve duke e bërë FA institucionin më të besuar për shqiptarët.”- u shpreh ministrja Xhaçka.

Gjatë vizitës së saj në Policinë Ushtarake, ministrja Xhaçka inspektoi mjediset e reja të ndalimit disiplinor, financim i ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë.

“Bashkëpunimi dhe mbështetja nga aleatët, veçanërisht nga ata amerikanë, sidomos gjatë dy viteve të fundit ka qenë e jashtëzakonshme. Falë kësaj mbështetje ia kemi dalë të përforcojmë çdo element të FA, që nga logjistika e transporti, e deri tek mbulimi i territorit me radar, sisteme armatimi apo flota e helikopterëve “Black Hawk” që na jep sot disa kapacitete luftarake që as nuk i imagjinonim pak vite më parë. E sigurisht, nuk mund të mos përmend bazën e Kuçovës, që nuk është thjesht një investim i jashtëzakonshëm në terma infrastrukture, logjistike e kapacitetesh ajrore, por edhe një afirmim i rëndësisë strategjike të Shqipërisë për Aleancën”, tha ministrja Xhaçka./atsh

Xhaçka jep lajmin e mirë për ushtarakët: Nga korriku 10 mijë lekë pagesë shtesë për ushqimin Read More »

Eksperti i ISHP-së mesazh sensibilizues qytetarëve: Kudo në botë njerëzit po sillen ndryshe, respektoni masat, parandaloni virusin

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu, ka ndarë një videomesazh drejtuar qytetarëve nga eksperti i Institutit të Shëndetit Publik Alban Ylli.

Në mesazhin e tij, Ylli shprehet se në fazën e parë i gjithë populli shqiptar dëshmoi përgjegjshmëri dhe solidaritet e kështu u arrit të kalohej me sukses, por rritja e rasteve dhe shpërthimi i këtij virusi në komunitet sipas tij ka ardhur nga lehtësimi i masave drastike.

Nisur nga kjo doktor Alban Ylli ju bën apel qytetarëve të respektojnë masat e distancimit, higjienës si dhe të vendosin maska mbrojtëse në ambiente të mbyllura.

“Më shumë gjasë, ky qarkullim i ri i virusit në komunitet ka ardhur si pasojë e lehtësimit të masave drastike që u morën gjatë pranverës. Gjatë periudhës së shtetrrethimit, masave drastike, të gjithë qytetarët e Shqipërisë dëshmuan disiplinë, përgjegjshmëri dhe ja dolëm mbanë të shpëtojmë me qindra jetë. Tani jemi përpara një sfide të re.

Do na duhet që në asnjë rast të mos harrojmë që jo vetëm ne, por i gjithë globi, miliarda e miliarda njerëz ndodhen përball një krize, krizë historike e cila do të mbahet mend për vite e vite me radhë. Kudo është duke u dëshmuar solidaritet, kudo në botë njerëzit janë duke u përpjekur të sillen ndryshe për të parandaluar përhapje e infeksionit e virusit dhe për të shpëtuar sa të jetë e mundur jetët e atyre që janë më të dobët, të moshuarit dhe sëmurët kronik. Do na duhet gjatë verës të jemi të kujdesshëm dhe të respektojmë sa të jetë e mundur masat e këshilluara, të mbajmë maska në mjedise të mbyllura, të mbajmë distancën fizike dhe të përpiqemi të jemi të kujdesshëm me higjienën sidomos duke larë sa më shpesh duart,” shprehet eksperti i Institutit të Shëndetit Publik Alban Ylli. /atsh

Eksperti i ISHP-së mesazh sensibilizues qytetarëve: Kudo në botë njerëzit po sillen ndryshe, respektoni masat, parandaloni virusin Read More »

Nisin aplikimet/ 300 vende të reja në Polici, ja kriteret që duhet të plotësojnë kandidatët

HAPEN APLIKIMET PËR 300 VENDE NË SHKOLLËN BAZË TË POLICISË, PËR “PATRULLË TË PËRGJITHSHME”

Procesi i aplikimit është i hapur deri në datën 10 gusht dhe formularin e aplikimit e shkarkoni ONLINE:
👇👇
https://www.asp.gov.al/wp-content/uploads/2020/07/Formulari-i-aplikimit-per-konkurrim-ne-Kolegjin-e-Policise-2020.pdf

Nga data 13 korrik 2020 procesi i aplikimeve është i hapur për të gjithë kandidatët e interesuar për të ndjekur studimet në Shkollën Bazë të Policisë për “Patrullë të Përgjithshme”.

Aplikimet dorëzohen pranë Drejtorive Vendore të Policisë, ku aplikanti ka vendbanimin e përhershëm.

Në përfundim të gjithë procesit të konkurrimit, 300 kursantët fitues do të ndjekin studimet në Kolegjin Profesional të Lartë “Kolegji i Policisë” për “Patrullë të Përgjithshme”, në Akademinë e Sigurisë.

KRITERET E APLIKANTIT

Kriteret, që duhet të përmbushë aplikanti, për të ndjekur studimet në Shkollën Bazë të Policisë për “Patrullë të Përgjithshme”:

– Të jetë shtetas shqiptar;
-Të ketë mbushur moshën 18 vjeç dhe të jetë nën 30 vjeç;
-Të jetë me gjatësi jo më pak se 170 cm për meshkujt dhe jo më pak se 160 cm për femrat;
– Të mos jetë i përjashtuar nga Policia e Shtetit apo të jetë larguar nga shërbimi civil;
– Të ketë zotësi të plotë për të vepruar;
– Të jetë në gjendje të mirë shëndetësore dhe i aftë fizikisht për të kryer detyrën dhe të mos ketë shenja të dukshme (tatuazh) që nuk mbulohen nga uniforma verore e Policisë;
– Të ketë mbaruar arsimin e mesëm;
– Të mos jetë i dënuar me vendim gjykate të formës së prerë për kryerjen e një krimi ose të një kundërvajtjeje penale me dashje;
– Të ketë dëshmi të aftësisë së drejtimit të automjetit të tipit “B”.

DOKUMENTACIONI PËR APLIKIM

Aplikantët për punonjës policie duhet të paraqesin dokumentacionin e mëposhtëm për aplikim në Polici:
– Formulari i aplikimit;
– Fotokopje e kartës së identitetit;
– Dokument zyrtar që vërteton përfundimin e arsimit të mesëm;
– Fotokopje të dëshmisë së aftësisë së drejtimit të automjetit të tipit “B”;
–Vërtetim nga Gjykata;
– Vërtetim nga Prokuroria;
– Fotokopje të librezës së punës për ata që janë në marrëdhënie pune ose i kanë shkëputur marrëdhëniet e punës;
– vërtetim që ndjek arsimin e lartë (për ata që vazhdojnë arsimit e lartë);
– Mandat pagesa e tarifës së aplikimit;

Dëshmia e penalitetit dhe certifikata familjare nxirren nga vetë strukturat policore ku kryhet aplikimi.

Kontrolli mjekësor dhe analiza që vërteton se nuk je përdorues i lëndëve narkotike janë procedura që kryhen në fazën e kontrollit shëndetësor.

SHQYRTIMI I DOKUMENTACIONIT DHE PROCESI I ANKIMIMIT

Afati i shqyrtimit dhe verifikimit të dokumentacionit është 10 ditë pune nga mbyllja e afatit të aplikimeve.

Aplikanti, që nuk plotëson kriteret dhe nuk ka paraqitur dokumentacionin e kërkuar brenda afatit të aplikimit, skualifikohet duke u njoftuar me shkrim nga struktura e Burimeve Njerëzore.

Aplikanti ka të drejtën e ankimit tek Drejtori i Policisë Vendore brenda 2 ditëve nga data e njoftimit të përgjigjes. Drejtori i Policisë Vendore shqyrton dhe kthen përgjigje brenda 5 ditëve nga data e marrjes së ankesës.

FAZAT E KONKURRIMIT

Aplikanti që kualifikohet për të vazhduar procesin e pranimit në Akademinë e Sigurisë, i nënshtrohet fazave të mëposhtme të konkurrimit:
– Testimi me shkrim;
– Testimi i aftësive fizike;
– Intervistë me gojë, ushtrime vlerësuese dhe testim i aftësive të të shkruarit;
– Testimi psikologjik;
– Kontrolli shëndetësor;
– Marrja e shenjave të gishtave;
– Verifikimi përfundimtar i aplikantit.

Të gjithë aplikantët, për çdo paqartësi që mund të kenë lidhur me këtë proces, mund të drejtohen pranë strukturave të Burimeve Njerëzore në Drejtoritë Vendore të Policisë ose pranë Drejtorisë së Burimeve Njerëzore në Drejtorinë e Policisë së Shtetit.

Po ashtu, mund t’i parashtrojnë pyetjet apo shqetësimet e tyre dhe me e-mail në adresën:
[email protected]

Policia e Shtetit është e interesuar që të ketë sa më shumë aplikime dhe në këtë kuadër fton gjithë moshat e reja që të aplikojnë, duke iu garantuar një proces konkurrimi transparent dhe të paanshëm, sipas parimit të shanseve të barabarta, mosdiskriminimit dhe meritës.

Nisin aplikimet/ 300 vende të reja në Polici, ja kriteret që duhet të plotësojnë kandidatët Read More »

Rritja e rasteve, Skëndet Brataj i habit të gjithë: Testi të nxjerr negativ edhe kur je i infektuar

Në një intervistë për Euronews, shefi i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj ka treguar se, rritja e infektimeve vjen si shkak i heqjes së masave kufizuese dhe mosrespektimi nga ana e qytetarëve të rregullave bazë mbrojtëse.

Brataj u shpreh se, ka ndryshuar dhe sjellja e virusit pasi tashmë nuk shkakton dëmtime, ndaj dhe në shumë raste pavarësisht kryerjes së tamponit shumë persona të infektuar rezultojnë negativë

“Nëse virusi nuk kryen dëmtime nuk shfaqen simptoma ndaj edhe po të kryesh testim nuk del pozitiv. Ndaj është shumë e kujdesshme bërja e tamponit pasi një person pozitiv mund të dalë negativ dhe pas kësaj lëviz i lirshëm me këtë argument. Nëse je asimpotomatik është e vështirë që virusi të dalë nga kryerja e tamponit.

Një person që ka shenja dhe simptoma duhet ta konsiderojë veten të prekur dhe duhet të ruajë distancën dhe të mos dalë. Mos bërja e tamponit nuk duhet të justifikoi lëvizjen. Konsideroje veten të infektuar nëse ke shenja dhe ke qenë në kontakt me persona të infektuar. Pasi një person mund të ketë ngarkesë të vogël virale, sa që nuk e kap as tamponi.”, tha Brataj.

Rritja e rasteve, Skëndet Brataj i habit të gjithë: Testi të nxjerr negativ edhe kur je i infektuar Read More »