Aktualitet

Kuvendi diskuton sot 4 pr/ligje dhe një dekret të Presidentit

Kuvendi zhvillon sot seancën plenare ku në rend të ditës është parashikuar diskutimi i 4 projektligjeve dhe një dekret i Presidentit të Republikës.

Kuvendi do të shqyrtojë sot projektligjin “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin “Për dëmshpërblimin e ish të dënuarve politikë të regjimit komunist”, të ndryshuar””.

Kuvendi gjithashtu do të shqyrtojë projektligjin “Për moshën e daljes në pension pleqërie të pilotëve në Republikën e Shqipërisë”.

Sot Kuvendi do të shqyrtojë edhe projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin “Për diasporën”.

Kuvendi do të shqyrtojë edhe projektligjin “Për ratifikimin e Konventës shumëpalëshe (MLI) për zbatimin e masave që lidhen me marrëveshjet tatimore për parandalimin e erozionit të bazës dhe transferimit të fitimeve (BEPS)”.

Gjithashtu Kuvendi do të shqyrtojë edhe dekretin e Presidentit të Republikës “Për kthimin në Kuvend të ligjit “Për tregjet financiare të bazuara në teknologjinë e regjistrave të shpërndarë””./atsh

Kuvendi diskuton sot 4 pr/ligje dhe një dekret të Presidentit Read More »

Parashikimi i motit, e enjte 16 korrik 2020

Shërbimi Meteorologjik Ushtarak ben me dije se moti sot parashikohet me alternime vranësirash dhe kthjellime në pasdite.

Në mesditë vranësirat do të pasohen nga reshje shiu të karakterit lokal përgjatë relieveve malore në jug dhe lindje të vendit. Lokalisht reshje në formën e shtrëngatave.

Era do të jetë me drejtim Veriperëndim – Jugperëndim me shpejtësi 1-10 m/s. Deti parashikohet i forcës 2-3 ballë.

Temperaturat parashikohen:

QYTETET Temperaturat në °C Sigla
Shkodër 18/30 Re diell
Kukës 19/30 Shi diell
Lezhë 19/30 Re diell
Dibër 17/28 Shi diell
Durrës 21/30 Re diell
Tiranë 21/30 Re diell
Elbasan 19/31 shi diell
Berat 16/31 Shi diell
Vlorë 19/29 Re diell
Korçë 16/26 diell shi
Gjirokastër 16/31 diell shi
Sarandë 18/28 Re diell/atsh

Parashikimi i motit, e enjte 16 korrik 2020 Read More »

Presidenti Thaçi edhe sot vazhdon intervistimin në Hagë

Presidenti i vendit Hashim Thaçi edhe gjatë ditës së sotme do të intervistohet nga Zyra e Prokurorisë së Specializuar në Hagë.

Për tri ditë me radhë, intervista e Thaçit ka zgjatur rreth 6 orë, teksa të martën dhe të mërkurën nuk u prononcua për media.

Thaçi është paraqitur në Hagë me ftesë të Prokurorit të Specializuar.

Zyra e Prokurorit të Specializuar ka njoftuar muajin e kaluar se më 24 prill ka propozuar një aktakuzë për kinse krime lufte dhe krime kundër njerëzimit kundër presidentit Thaçi, kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, dhe disa të tjerëve, emrat e të cilëve nuk janë bërë publikë.

Pas intervistimit të hënën, në ditën e parë, Thaçi ka thënë se është diskutuar për “çështje sqaruese, teknike” dhe për interesimin e prokurorëve për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës”.

Aktakuza e paraqitur ka kaluar tani në duart e gjykatësit të procedurës paraprake, i cili ka maksimum gjashtë muaj kohë, nga muaji prill, për ta konfirmuar ose hedhur poshtë.

Thaçi ka thënë më parë se do të japë dorëheqje nga posti i presidentit, nëse aktakuza kundër tij konfirmohet./KosovaPress/

Presidenti Thaçi edhe sot vazhdon intervistimin në Hagë Read More »

Situata e rënduar në spitalin Infektiv/ ISHP apel qytetarëve: Parandaloni COVID-19 duke zbatuar rregullat e thjeshta

Instituti i Shëndetit Publik ka ripërsëritur apelin për kujdes pas situatës së rënduar që paraqitet në spitalin Infektiv, ku janë shënuar 4 humbje jete në 24 orët e fundit dhe 85 raste pozitive me COVID-19.

Parandalimi i përhapjes së COVID-19 mbetet fokusi i thirrjes së ISHP-së teksa është kërkuar nga qytetarëve të zbatojnë rregullat e thjeshta që mbrojnë edhe të tjerët.

“Parandaloni përhapjen e COVID-19. Ruani distancën fizike mbi 1 metër nga njëri- tjetri, kujdesuni për higjienën respiratore, lani duart vazhdimisht ose dezinfektojini ato me solucion me bazë alkooli. Mbani maskë kudo ku mbajtja e distancës fizike nuk është e mundur”, apelon Instituti i Shëndetit Publik.

Nga ana e saj, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i ka bëre thirrje edhe njëherë bizneseve, institucioneve, të zbatojnë me korrektësi protokollet e sigurisë në punë, të miratuara nga autoritetet shëndetësore.

Thirrjet e institucioneve të shëndetësisë kanë vijuar gjatë gjithë periudhës së pandemisë, veçanërisht javët e fundit ku numri të infektuarve është ka ardhur në rritje dhe personat që hospitalizohen janë në rritje. Javët e fundit, të prekurit nga COVID-19 vijnë edhe nga radhët e të rinjve. /atsh

Situata e rënduar në spitalin Infektiv/ ISHP apel qytetarëve: Parandaloni COVID-19 duke zbatuar rregullat e thjeshta Read More »

Flamingot spektakël edhe në plazhin e Pishporos në Fier

Pishporo, e shtrirë mes derdhjes së lumit të Vjosës e deri në Zvërnec të Vlorës nuk është vetëm plazh, por edhe vendi i flamingove, që kanë gjetur oazin e tyre të qetësisë në ligatinat e plazhit duke dhuruar spektakle të paparë.

Ditët e fundit flamingot kanë pushtuar Rezervatin Natyror të Menaxhuar të Pishporos së Fierit, pranë grykëderdhjes së Vjosës.

Fotjon Prençe, shef i Monitorimit në Administratën e Zonave të Mbrojtura në Fier, tha sot për ATSH-në se “qetësia e krijuar në pjesët ligatinore të Rezervatit Natyror te Menaxhuar Pish-Poro ka rritur ndjeshëm numrin e shpendëve ujorë. Ajo që bie në sy është numri i madh i flamingove 2 vitet e fundit që pushojnë në këto oaze të paqta”.

“Spektaklet që të dhurojnë këta shpendë elegantë e me ngjyra të bukura mund t’i shihni nga mëngjesi në mbrëmje në këto ligatina”, – tha Prençe.

Sipas tij, përveç Nartës dhe parkut kombëtar Divjakë-Karavasta vitet e fundit flamingot janë të pranishme edhe në Pishporo.

Zogjtë lozonjarë që tërheqin vizitorë të shumtë në vëzhgimin e piruetave të tyre, ngrihen në fluturim herët në fillimdite dhe përshëndesin diellin në perëndimin e tij. Ata janë kthyer në një atraksion për turizmin e vëzhgimit të tyre në habitatet natyrore ku jetojnë.

Flamingot jetojnë gjithmonë në grupe, që nga grupet e vogla deri në qindra mijëra. Zogjtë ngrihen në ajër në grup dhe fluturojnë me qindra kilometra gjatë periudhës së shtegtimit. Fluturimi bëhet duke formuar radhë të gjata ose në formë V-je, derisa të arrijnë në vendmbërritjen e tyre – një liqen me ujë të kripur, që është vend i shkëlqyer për të ngritur folenë e për të rritur të vegjlit.

Zakonisht qindra flamingo mblidhen së bashku si një grup baleti uji. Të gjithë pastrojnë puplat e tyre rozë duke qëndruar me një këmbë në diell për orë të tëra. Madje me një këmbë ata edhe flenë.

Gjatësia e tyre shkon nga 81 deri në 130 cm, por pesha e tyre trupore është e vogël, ajo shkon nga 2–3,6 kg. Duke kombinuar peshën dhe ngjyrën, flamingot janë ndër zogjtë më të dallueshëm nga të tjerët. /atsh

Flamingot spektakël edhe në plazhin e Pishporos në Fier Read More »

Balla: Nëse Meta, Basha dhe Kryemadhi nuk bien dakord për emrin e kryeministrit, është punë e tyre

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla deklaroi sot se Meta, Basha dhe Kryemadhi me ndryshimet kushtetuese i kanë të gjitha shanset, ta mbajnë ta forcojnë dhe ta konkretizojnë me listë të përbashkët koalicionin.

“Nëse nuk janë dakord për kryeministrin është punë e tyre”, u shpreh ai gjatë një interviste televizive.

Sipas tij, fillimisht partitë bien dakord në koalicion. Koalicionet kanë emër, cili do jetë kandidat për kryeministër.

“Ne e kemi lënë të hapur. Për ju që mendoni se ka pasur ndonjë shans Ilir Meta për të qenë kryeministër në koalicion me PS, ka qenë plotësisht e dakordësuar që kryeministri do ishte kryetari i PS, Edi Rama. Meta, Basha dhe Kryemadhi me ndryshimet kushtetuese i kanë të gjitha shanset, ta mbajnë ta forcojnë dhe ta konkretizojnë me listë të përbashkët. Nëse nuk janë dakord për kryeministrin është punë e tyre”, shtoi ai./atsh

Balla: Nëse Meta, Basha dhe Kryemadhi nuk bien dakord për emrin e kryeministrit, është punë e tyre Read More »

“I papranueshëm reagimi i opozitës jashtëparlamentare dhe i opozitës presidenciale”/ Hapja e listave, pa cenuar asnjë presje nga marrëveshja e 5 qershorit

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se “ne do ta diskutojmë me opozitën parlamentare detajimin e nismës kushtetuese dhe integrimin e saj në Kodin Zgjedhor pa cenuar asnjë pikë e presje nga çka do të integrohet si fryt i marrëveshjes me opozitën jashtëparlamentare”.

“Sot Komisioni i Ligjeve ka votuar fjalë për fjalë draftin e dakordësuar me opozitën jashtëparlamentare në 5 qershor. E kemi votuar me shumicë, jo me konsensus sepse opozita parlamentare refuzon të pranojë mosdepolitizimin e komisioneve të votimit dhe të numërimit, që është lëshimi i madh i bërë nga PS, jo me hirin e objektivave të veta, por me pahirin e një nevoje për ta përfshirë opozitën jashtëparlamentare në proces”, tha Rama.

Ndërkohë, kryeministri theksoi se “dje Komisioni i Ligjeve i ka hapur rrugë pjesëmarrjes së qytetarëve jo vetëm në zgjedhjen e partive si deri më sot, por edhe në dhënien e pëlqimit për deputetin ose deputeten, pa rrezikuar një arritje madhore të PS-së në radhë të parë por edhe forcave të tjera politike, përfaqësimin e grave e vajzave në Kuvend. Kjo nismë kushtetuese ka pasur konsensus të plotë me opozitën parlamentare në votimin e djeshëm”, tha Rama.

Ai tha se “faktikisht jemi në mes si shumicë qeverisëse dhe si Parti Socialiste, të dy palëve me të cilat kemi konsensus të plotë për atë që këto palë më vete duan dhe s’kemi konsensus për atë që palët më vete nuk duan”.

“Ndërkohë, reagimi i opozitës jashtëparlamentare dhe i opozitës presidenciale ndaj kësaj nisme kushtetuese të Kuvendit të Shqipërisë është i papranueshëm, qoftë në aspektin etik, qoftë në aspektin politik, qoftë në aspektin kombëtar. Sepse, unë e di dhe gjithë populli e di që as opozita jashtëparlamentare, as opozita presidenciale nuk e vlerësojnë dhe as e respektojnë Kuvendin e Shqipërisë, parlamentin e vendit. Por kjo nuk e ndryshon faktin që parlamenti i vendit, Kuvendit i Shqipërisë është sovran. Në aspektin etik nuk është e denjë që Kuvendi i Shqipërisë të sulmohet, të anatemohet, të përbuzet, qoftë nga një institucion si institucion i Presidentit të Republikës. Këtë e them në radhë të parë sepse etika institucionale është baza e shkruar në çdo paragraf të parë të kapitullit të parë të çdo edukate shteti. Dhe qoftë nga vetë opozita jashtëparlamentare, e cila zgjodhi ta braktisë Kuvendin me vullnetin e vetë të lirë, ta zhvlerësojë Kuvendin me vendimin e vetë sovran”, tha Rama.

Sipas tij, opozita jashtëparlamentare mund të zgjedh edhe ta përbuzë Kuvendin, por përtej kësaj asgjë tjetër nuk mund të bëjë dhe asgjë nuk e shlyen nga përgjegjësia që ka lidhur em ata të cilët sot janë deputetë të opozitës në parlament. “Nuk i kam sjellë unë, as Taulant Balla, as PS, por i ka sjellë opozita jashtëparlamentare me firmën dhe vulën e drejtuesve të saj. Janë zgjedhja e tyre dhe ne nuk na mbetet veçse ta respektojmë çdo deputet të Kuvendit në radhët e opozitës”, tha Rama.

Rama tha se “Parlamenti është sovran dhe mbi parlamentin nuk është askush dhe nuk mund të dalë askush”. “Sot PS, shumica qeverisëse, ka konfirmuar edhe një herë seriozitetin e plotë në zbatimin e marrëveshjes së nënshkruar në 5 qershor për të cilën falënderoj miqtë dhe partnerët tanë dhe personalisht ambasadoren e SHBA-së, atë të BE-së dhe atë të Britanisë së Madhe që u angazhuan drejtpërsëdrejti në lehtësimin e procesit dhe krijimin e kushteve për të zhvilluar atë dialog të vështirë”, tha Rama. /atsh

“I papranueshëm reagimi i opozitës jashtëparlamentare dhe i opozitës presidenciale”/ Hapja e listave, pa cenuar asnjë presje nga marrëveshja e 5 qershorit Read More »

“PD nuk ka ekskluzivitet mbi parlamentin që e braktisi”/Nëse Basha nuk e do marrëveshjen ta heqim

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se çdo pikë e e kërkuar nga Partia Demokratike do të respektohet, por shtoi ai PD nuk ka ekskluzivitet mbi parlamentin.

Në një konferencë për mediat, Rama u shpreh se, “çdo pikë e kërkuar nga Partia Demokratike do të respektohet dhe është sot miratuar nga ana jonë, shpresoj që ta gjejmë konsensusin dhe me palën tjetër deri në fund, pjesa e Kodit Zgjedhor. PD nuk ka ekskluzivitet mbi parlamentin, të cilin e ka braktisur mes të tjerash, që të thotë asgjë tjetër përveç asaj që më pëlqen mua. Kjo s’ekziston, është absurditet ta kërkosh”, tha Rama.

Sa i përket deklaratave të kreut të PD, Lulzim Basha në takimin me Presidentin Meta, Rama u shpreh se, “nëse Lulzim Basha mendon që marrëveshja është hedhur në kosh dhe nëse ai vërtetë nuk e do më marrëveshjen ka një mënyrë shumë të thjeshtë për të provuar që marrëveshja ekziston. Ta heqim. Ta heqim. Të depolitizojmë administratën zgjedhore. Të bëjmë edhe 2-3 ndryshime të tjera që ne i donim, ata s’i donin dhe unë mendoj që do t’i bënin mirë vendit, do t’i bënin mirë zgjedhjeve”.

Natyrisht, u shpreh Rama, “e them këtë për të kuptuar të gjithë që në fakt e kundërta është e vërtetë. Marrëveshja është aty dhe ne do ta mbështesim deri në fund. Dhe do të bëjmë çmos që ajo të votohet me konsensus edhe nga opozita parlamentare, e cila për fat të keq ka huqet e shtëpisë ku është rritur. Se ata janë rritur në atë shtëpi politike në PD. Kuptohet edhe me ata që vijnë nga kioskat përreth shtëpisë. Është një huq i keq. Të gjitha kështu siç them unë. Po jo sepse nuk je vetëm janë dhe të tjerë. Nuk jemi as dy palë, jemi tre palë”.

“Po kjo Partia Socialiste ka ndonjë të drejtë kjo apo kjo Partia Socialiste është këtu vetëm për t’i dhënë pëlqimin absolut ekskluzive vetëm një pale. Ku është parë kjo. Ne jemi të vetëdijshëm që duhet të lëshojmë më shumë se të tjerët, jo se e kemi për detyrë”, theksoi Rama.

“Në Europën ku ne duam të integrohemi reformat elektorale bëhen me shumica të thjeshta. E dini këtë. E dini ju që Italia reformën elektorale e bën me shumicë të thjeshtë. Ka bërë nuk e di sesa reforma deri tani. E dini ju që Greqia ndryshoi sistemin elektoral. Ne nuk kemi ndryshuar sistemin sepse ne nuk kemi kaluar nga sistemi proporcional rajonal në mazhoritar apo në kombëtar. Mazhoritarin e propagandonte Lulzim Basha. Kombëtarin e donin kolegët që kemi në parlament. Sistemi është po ai. Sistem rajonal proporcional. Greqia ndryshoi sistemin. Hoqi mekanizmin që garanton partinë e parë të ketë shumicën për të pasur stabilitet qeverisës gjë që e vunë shumë kohë më parë në Greqi si rezultat i pikërisht këtyre zhurmave dhe paqëndrueshmërive që krijoheshin nga kaosi i shumë partive. E bëri. Doni shembuj të tjerë”, tha Rama.

Pra, shtoi kryeministri Rama, “nga pikëpamja politike sigurisht që do isha i lumtur sikur të gjithë të binim dakord për të gjitha edhe ne edhe opozita jashtë parlamentit, edhe opozita në parlament, por kjo nuk është e mundur. Dhe në politikë ka një rregull, kush gabon, paguan. Ikën nga parlamenti. Po të ishin në parlament, do kishin jo vetëm fjalën, por do të kishin edhe votën. S’e kanë, e kanë disa të tjerë votën të cilët në parlament nuk i kam sjellë unë, nuk i ka sjellë as ndonjë makineri autokratike. I ka sjellë me firmën e vet Lulzim Basha dhe drejtuesit e tjerë. Kështu që çfarë flasim këtu. Do të rrijë Shqipëria peng në momentin kur ka një oportunitet për të bërë një hapje më të madhe të sistemit dhe për t’i dhënë njerëzve mundësinë që të votojnë deputetin se nuk do grupi i partive që kanë ikur nga parlamenti. Po kjo nuk bën vaki askund. Unë i mirëkuptoj të gjithë, por sigurisht të gjithë duhet të më mirëkuptojnë dhe mua edhe ne”. /atsh

“PD nuk ka ekskluzivitet mbi parlamentin që e braktisi”/Nëse Basha nuk e do marrëveshjen ta heqim Read More »