Aktualitet

Moti,ja sa do shkojnë temperaturat

Ditën e shtunë moti parashikohet i kthjellët me vranësira në zhvillim, kryesisht në mesditë e pasdite.

Reshjet e shiut do të përfshijnë zonat malore në mesditë e pasdite, lokalisht me shtrëngata dhe rrufe. Era, do të fryjë me drejtim juglindje dhe veriperëndim e lehtë e përkohesisht në mesditë gjatë reshjeve dhe në bregdet mesatare. Valëzim i forcës 3 dhe 4 ballë.

Situata paraqitet ndryshe ditën e diel, ku do të mbizotërojë moti i kthjellët me vranësira kalimtare. Era, do të fryjë nga veriperëndimi e lehtë e mesatare.

Temperaturat do të pësojnë luhatjet si më poshtë:

Moti,ja sa do shkojnë temperaturat Read More »

Ja cfarë rezervon horoskopi ditor për secilen shenjë

Dashi

Do të keni dëshirë për të dashuruar, por me ndikimin e kundërt të Hënës, duhet të tregoheni të kujdesshëm. Në punë, duhet të tregoheni të vëmendshëm dhe të shmangni rreziqet e kota. Ka disa probleme ligjore dhe burokratike që duhen rregulluar.

Demi

Ju pret një ditë mjaft pozitive. Mund të ketë riafrim me dikë të cilin e keni përzemër. Puna paraqitet mjaft mirë, ku nëse reflektoni do të gjeni zgjidhje për gjithçka. Do të jeni shumë pozitiv.

Binjakët

Pavarësisht se Venusi nuk është i pranishëm në shenjën tuaj, çështjet sentimentale paraqiten mirë. Në punë, mund të vendosni që të ndryshoni gjithçka dhe t’iu kushtoheni gjërave që nuk ju lodhin.

Gaforrja

Nuk jeni në formën tuaj maksimale, pasi lodhja do të ndihet. Në punë situata paraqitet e vështirë, ku Saturnin do e keni kundër. Mund t’iu duhet që të rinisni gjithçka nga e para. Në çështjet e ndjenjave, do të keni mundësi më shumë.

Luani

Me praninë e Marsit në anën tuaj, ky muaj do të jetë ideal për ndjenjat dhe takimet e reja. Në punë duhet të siguroheni që të mos i lini gjërat në mes. Është momenti për të vendosur në vend, çështjet burokratike dhe ligjore.

Virgjëresha

Ju pret një ditë mjaft pozitive, pavarësisht se mbrëmja mund të sjellë nervozizëm. Në dashuri gjërat do të ecin mirë, ndonëse disa luhatje nuk do të mungojnë. Do të keni mundësi që të bëni ndryshime në punë.

Peshorja

Kjo e shtunë nuk është ndër më të mirat, pasi do të jeni të lodhur dhe nervoz. Jeni gjithashtu të acaruar dhe kjo mund të bëjë që të acaroheni lehtësisht. Mundohuni që të ruani qetësinë. Në punë, ka disa probleme me të cilat duhet të merreni.

Akrepi

Keni nevojë për të pasur më shumë kohë për veten dhe për tu relaksuar. Në dashuri gjërat do të bëhen interesante me kalimin tranzit të Venusit, shkruan noa.al. Ndërsa në punë jo çdo gjë do të ecë siç dëshironi, por do ia dilni.

Shigjetari

Në dashuri gjërat do të ecin shumë mirë në sajë të ndikimit të favorshëm të Marsit. Raportet miqësore mund të rezultojnë shumë më të rëndësishme në këtë moment. Edhe në punë parashikohen projekte premtuese.

Bricjapi

Në dashuri situata nuk është ndër më të mirat, ndaj duhet bërë kujdes, pasi Venusi do të ketë ndikim të kundërt. Sfera profesionale paraqitet mjaft mirë, ku nuk do të mungojnë mundësitë e reja.

Ujori

Kjo e shtunë do të jetë e lodhshme, ku nuk do të ndiheni mirë moralisht. Nëse jeni çift, do të keni nevojë për mbështetjen e partnerit/es. Në punë, do e keni të vështirë që të dilni në pah, pasi do të ndjeni se nuk ju dëgjojnë.

Peshqit

Kjo është një periudhë shumë e favorshme për dashurinë, në sajë të ndikimit të favorshëm të Venusit. Në punë do të keni ide dhe projekte të reja dhe do të jeni të përqendruar tek e ardhmja.

Ja cfarë rezervon horoskopi ditor për secilen shenjë Read More »

A do të japë dorëheqjen nëse humbet zgjedhjet?/ Rama jep përgjigjen që askush ‘nuk e priste’

Edi Rama shpreh bindjen e plotë se PS-ja do të fitojë mandatin e tretë dhe ai do të jetë kryeministër edhe pas zgjedhjeve të 2021.

“Unë nuk do i humbas zgjedhjet e ardhshme parlamentare dhe nuk do të jap dorëheqjen si kryetar i PS-së sepse do të jem i detyruar të vijoj punën. Nuk flas kurrë me nëse, se ka edhe një shprehje që flet për hallën dhe xhaxhanë edhe… kohë është shumë e shtrenjtë për t’u humbur me nëse”.

Për pushimet nuk ka ndryshim planesh edhe sivjet. “Pushimet si gjithmonë këtu në Shqipëri. Unë dhe ministrat që kur jam bërë kryeministër, nuk kemi të drejtë të shkojmë jashtë shtetit për pushime. E kam bërë sepse ne duhet të jemi në Shqipëri, kalojmë pushimet në Shqipëri sepse është minimumi etik i atyre që qeverisin një vend, është një vend që promovon turizmin, që është një vend i mrekullueshëm. Për mua si në Shqipëri pushimet zor ti kalosh në vende të tjera, edhe pse ka vende të tjera të mrekullueshme”.

A do të japë dorëheqjen nëse humbet zgjedhjet?/ Rama jep përgjigjen që askush ‘nuk e priste’ Read More »

A do të rikthehet sërish izolimi?/ Flet kryeministri Rama…

Kryeministri Edi Rama u shpreh se nuk do të ketë mbyllje tjetër për shkak të COVID-it. Por sa është fatura për COVID-in deri tani? “Nuk jam në gjendje të them shumën për arsye se ka ardhur duke u rritur dhe për arsye se disbursimet kanë vijuar dhe vijojnë ashtu sikundër edhe kreditë janë në proces, të garantuara nga shteti, është një proces dinamik”.

Por a do të shkojnë fëmijët në shkollë në shtator apo do të jetë sërish online? “Nuk e di këto janë vendime të autoriteteve përkatëse, jo të mirat. Por të gjithë duhet të kuptojmë se qeveria, shëndetësia kanë bërë dhe po bëjnë maksimumin por budallallëkun e disave nuk ka shtet në botë që e lufton, prandaj njerëzit duhet të ruhen nga budallallëku.

Kjo nuk është dicka që do të mbarojë kur të dalim nga shtëpia, ne mund të mbyllemi prapë dhe të dalim dhe ajo do të jetë prapë aty, kështu që nuk ka sens të mbyllemi prapë, por të kuptojmë se ky është normaliteti i ri deri kur të dalë vaksina apo virusi të transformohet në diçka tjetër që nuk është po kaq e rrezikshme. Por deri atëherë duhet të pajtohemi me faktin se nuk mund të jetojmë njëlloj sikur kemi jetuar, prandaj duhet të kemi kujdes”.

Sot u fal Kurban Bajrami, por masat nuk u respektuan rigorozisht nga të gjithë. “Nuk mund të ndalojmë jetën, është më e fortë se realiteti prandaj duhet të bëjmë kujdes, por ta mbrojmë jetën tonë dhe të tjerëve”.

Një përgjigje ai e kishte edhe për protestën e artistëve. “Eshtë çmenduri të luftojmë për muzikë, në të gjithë Europën janë mbyllur diskot, edhe Spanja u dorëzua dhe i mbylli, pasi arriti në konkluzionin se aty ku ka muzikë dhe në restorant, njerëzit flasin me zë më të lartë, detyrohen të afrohen te njëri tjetri për të dëgjuar dhe transmetimi nga ato grimcat e pështymës që dalin nga goja gjatë komunikimit ndodh më shumë, është shumë e thjeshtë. Patëm protestë, kjo e bën më qesharake protestën edhe më absurde e bën më evident budallallëkun”.

A do të rikthehet sërish izolimi?/ Flet kryeministri Rama… Read More »

Ja si parashikohet të jetë moti në 10 ditët e para të Gushtit

E premtja dhe fundjava parashikohet të ketë kthjellime dhe shtim të vranësirave, pavaresisht temperaturave perveluese.

Sinoptikania Adiola Bani tha se e shtuna do të jetë më shumë prezencë të vranësirave dhe pasditja do të sjellë reshje shiu në pjesën më të madhe të territorit.

Fundjava në zonat bregdetare do të mbetet me kthjellime, pa prezencë reshjesh.

Temperatuat tha meteorologia do vijojnë të mbeten të larta jo vetëm sot por dhe gjatë fundjavës.

Vlerat e termometrit do të jenë në mëngjes minimalet 19-20 gradë celcius dhe maksimalet gjatë ditës do arrijnë në 39-40 gradë.

E diela dhe fillimi i javës do të ketë kthjellime në territor.

“E marta ka zhvillim të vranësirave në mesditë me rrebeshe shiu e do sjellë dhe freskimin e motit, ku temperaturat do zbresin në maksimalet e tyre deri në 35-36 gradë. Nga e premtja e javës që vjen, do kemi sërish rritje të vlerave termike, ku maksimalet do shkojnë edhe mbi 36 gradë dhjetëditëshin e parë të muajit gusht”, tha sinoptikania.

Ja si parashikohet të jetë moti në 10 ditët e para të Gushtit Read More »

Meta: Politika të marrë shembull nga harmonia fetare

Presidenti i Republikës, Ilir Meta me rastin e festës së shenjtë të Kurban Bajramit, vizitoi sot selinë e Kryegjyshatës Botërore të Bektashinjve ku së bashku me krerët e bashkësive fetare shqiptare katolike dhe ortodokse, uroi Kryegjyshin Botëror, Haxhi Dede Edmond Brahimaj.

Duke u përcjellë urimet më të mira e të përzemërta të gjithë besimtarëve myslimanë e bektashianë, si dhe mbarë popullit shqiptar, Kreu i Shtetit theksoi: “Urimet më të mira për të gjithë besimtarët dhe qytetarët tanë, sepse kjo është një ditë shumë e rëndësishme vëllazërimi që na fton të bëjmë sakrifica për ta forcuar këtë solidaritet”.

“Falenderim për udhëheqësit tanë fetarë për mesazhet e mençura dhe harmoninë që ata e kanë mbrojtur dhe pasqyruar në mënyrë të vazhdueshme, duke bërë çdo gjë për të mbajtur qytetarët tanë të bashkuar rreth vlerave më të mira njerëzore, kombëtare, por edhe europiane. Uroj që edhe politika të mësojë, të marrë këtë shembull të frymës së mirëkuptimit, të bashkëpunimit, të interesave më të mëdha qytetare. Jam i sigurt se populli do të udhëhiqet nga kjo harmoni që frymëzojnë këta udhëheqës të nderuar, të cilët bëjnë një punë të jashtëzakonshme për të edukuar qytetarët, në veçanti fëmijët dhe të rinjtë me vlerat më të mira hyjnore, njerëzore, qytetare dhe atdhetare”, tha ai.

Po ashtu, Meta shtoi se “njëkohësisht sot është një ditë e rëndësishme për t’u angazhuar të gjithë së bashku për atë qëllim madhor, që ka populli dhe vendi ynë: anëtarësimin në Bashkimin Europian dhe për të hequr sa më shpejt çdo pengesë që e frenon këtë ëndërr të jashtëzakonshme për t’u materializuar. Kjo është e vetmja rrugë që të rinjtë të mos na ikin, por edhe ata që kanë ikur të kthehen, ashtu siç shprehu besimin e tij Papa Françesku gjatë vizitës së tij të parë në Tiranë që ‘shqiponjat do të kthehen në folenë e tyre!” /atsh

Meta: Politika të marrë shembull nga harmonia fetare Read More »

Urimi i veçantë i Spiropalit për festën e Kurban Bajramit: Lutem për të sëmurët dhe familjarët e tyre

Besimtarët myslimanë në Shqipëri dhe në të gjithë botën kremtojnë sot Festën e Kurban Bajramit.

Krahas figurave politike që kanë uruar besimtarët myslimanë në këtë festë të rëndësishme ka qënë edhe ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali.

Ministrja u uron besimtarëve ditën e Kurban Bajramit dhe veçanërisht të gjithë të sëmurët që po përballen me virusin vdekjeprurës Covid-19.

“Në këtë ditë Bajrami, lutem për ata që po luftojnë për frymë, intubuar, të lidhur me respiratorë. Lutem për të sëmurët në reanimacion dhe në spital, që po luftojnë me dhimbjen. Lutem për të sëmurët nëpër shtëpi që po përballen me ankthin dhe të panjohurën. Lutem për shpirtin e atyre që jetën e humbën pabesisht. Lutem për familjarët që s’i shohin dot të dashurit e sëmurë. S’u mbajnë dot dorën. S’i ngushëllojnë dot në momentet e vështira, as në momentin e fundit. Lutem për mjekët, infermierët, sanitarët, ekipet mjekësore, që shërbejnë me vetëmohim dhe sakrificë ekstreme”, shprehet Spiropali.

“Lutem, ky virus që goditi botën më tragjikisht se një luftë, të zhduket sa më shpejt nga faqja e tokës sonë. Qofshi me shëndet miq, Zoti e bëftë mirë për të gjithë! Amin!”, përfundon ministrja. /atsh

Urimi i veçantë i Spiropalit për festën e Kurban Bajramit: Lutem për të sëmurët dhe familjarët e tyre Read More »

Meta dekreton ndryshimet në Kodin Zgjedhor të votuara nga Kuvendi më 23 korrik

Presidenti Ilir Meta dekretoi ndryshimet në Kodin Zgjedhor të dakordësuara në marrëveshjen e 5 qershorit.

Presidenti Ilir Meta, thuhet në njoftimin e Presidencës, ashtu siç kishte garantuar, ditën e sotme pa asnjë vonesë ka dekretuar me shpallje ligjin nr. 101/2020 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 10019, datë 29.12.2008 “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar”. Ndryshimet në Kodin Zgjedhor janë i vetmi produkt i marrëveshjes konsensuale të 14 Janarit dhe të 5 Qershorit të dakordësuara në Këshillin Politik, që mundëson vijimin e sigurtë të rrugëtimit europian të Shqipërisë dhe që kishin konsensusin dhe gjithë-përfshirjen e të gjithë aktorëve politikë në vend”.

“Presidenti Meta, rithekson edhe një herë se, dialogu politik, gjithëpërfshirës, transparent dhe i sinqertë ndërmjet forcave politike për të gjitha çështjet që prekin zgjedhjet është e vetmja rrugë që e afron Shqipërinë me Bashkimin Europian dhe e bën Reformën Zgjedhore në përputhje me standardet e OSBE/ODIHR, siç ka kërkuar Këshilli Europian në 15 kushtet e vendosura për hapjen e negociatave”,- thuhet në njoftim.

“Për muaj me radhë Presidenti i Republikës ka përsëritur thirrjen që, çdo ndryshim në lidhje me ligje të rëndësishme, duhet të bëhen vetëm përmes konsensusit unanim të Këshillit Politik”,- theksohet në njoftim.

“Presidenti Meta, gjen rastin të falenderojë të gjitha ato forca politike që me angazhimin e tyre të sinqertë dhe vullnetin e treguar në Këshillin Politik, mundësuan arritjen e këtij rezultati në 5 qershor që u kodifikua nga Parlamenti i Shqipërisë në datën 23 korrik përmes ndryshimeve në Kodin Zgjedhor, të cilat dekretohen sot”,- vuri në dukje Presidenca.

“Presidenti Meta do të jetë si gjithmonë në krye të detyrës në mbrojtje të Kushtetutës, të të drejtave të patjetërsueshme, lirive dhe vullnetit të qytetarëve për të marrë në dorë fatet e tyre përballë çdo akti të ndryshimeve të njëanshme, të dhunshme dhe me urgjencë të pajustifikueshme, si ai i Kushtetutës, që asgjësojnë shtetin e së drejtës, demokracinë dhe të ardhmen europiane të Shqipërisë”-, thuhet ne njoftim. /atsh

Meta dekreton ndryshimet në Kodin Zgjedhor të votuara nga Kuvendi më 23 korrik Read More »