Aktualitet

Rama: Hajde shpjegoja Zahos se pse nuk duhet të takohet me shokun. Se pse duhet t’i rrish shokut larg, e pse duhet të lash duart vazhdimisht

Nga qyteti i Vlorës ku inspektoi punimet për rikonstruksionin e një shkolle, Kryeministri Edi Rama, komentoi rinisjen e vitit shkollor, duke përmendur edhe djalin e tij Zaho, i cili këtë vit shkon në klasë të parë.

Duke biseduar me kryebashkiakun Dritan Leli dhe drejtuesit, Rama tha se ky vit shkollor ka sfida dhe se vendimi i marrë është shumë i vështirë.

“Është vendim i vështirë, pasi edhe pse thuhet dhe faktet thonë se fëmijët janë më pak të rrezikuar. Kjo nuk është e vërtetë për të gjithë fëmijët. Fëmijët mund të jenë më pak të rrezikuar, por janë transmetues. Midis te dyjave, ne kemi bërë këtë zgjedhje. Rolin e posaçëm e keni ju drejtuesit në dorë, që të jeni strikt e të duruar. S’bëhet kjo me rreshtore e britma, duhet dhe me shpjegim. Hajde shpjegoja Zahos se pse nuk duhet të takohet me shokun. Se pse duhet t’i rrish shokut larg, e pse duhet të lash duart vazhdimisht”, u shpreh Rama, duke e cilësuar si një situatë shumë të vështirë. /noa.al

Rama: Hajde shpjegoja Zahos se pse nuk duhet të takohet me shokun. Se pse duhet t’i rrish shokut larg, e pse duhet të lash duart vazhdimisht Read More »

Vera nuk merr fund!Ja si do të jetë moti në muajin Shtator

Meterologu Akil Osmani në një lidhje me Fax News, ka njoftuar se muaji Shtator pritet që të jetë me mot të kthjellët dhe me temperatura më të larta se normalet. Sipas tij edhe kjo fundjave do të jetë e favorshme për të gjithë ata që preferojnë që vera në det të mos përfundojë. “Në fakt muaji shtator ka filluar me temperatura të larta, por që me reshjet kanë bërë të ketë një ulje të përkohshme të tyre. Deri në fundjavë do të kemi temperatura deri në 35 gradë celsius.
Në fakt jo vetëm fundjava, por nga dita e sotme dhe në vijim do të kemi mot të kthjellët dhe të qendrueshëm, me përjashtim të pasdites së të dielës, ku nuk përjashtohet mundësia e shirave të izoluar në zonat e jugut të vendit. Muaji Shtator do të jetë me temperatura relativisht më të larta në krahasim me vlerat referuese, ndërkohë që nuk do të ketë prani të madhe të reshjeve. Edhe Maqedonia e Veriut dhe Kosova do të jenë në dominimin e temperaturave të larta dhe motit të kthjellët, me përjashtim të zonave malore, ku mund të ketë shira lokale”, u shpreh Osmani.

Vera nuk merr fund!Ja si do të jetë moti në muajin Shtator Read More »

Lufta e Vlorës një fitore ushtarake nga më të pamundurat në histori, tregoi për herë të parë se shteti shqiptar ekziston

“Nëse pavarësia e 8 viteve para Luftës së Vlorës i tregoi botës që shqiptarët ekzistojnë, është Lufta e Vlorës ajo që tregoi për herë të parë se shteti shqiptar ekziston dhe ka forcën dhe mundësinë të ushtroj të drejta të patjetërsueshme dhe të barabarta në raport me çdo entitet tjerë sovran”.

Kështu u shpreh sot Kryeministri Edi Rama, në ceremoninë e zhvilluar për 100-vjetorin e Luftës së Vlorës.

“Sot, 100 vjet më parë, luftëtarët e Vlorës hynë triumfues në qytetin e çliruar, pas një lufte nga më të pabarabartat e mundshme dhe një fitoreje ushtarake nga më të pamundurat në histori”, – tha Rama.

Për këtë arsye, Rama tha se “tek Lufta e Vlorës me të drejtë mund të thuhet se gjendet një nga ato momente formuese të organizmit të ri të shtetit shqiptar dhe faktikisht kjo na bën të gjithëve që vlonjatëve t’u jemi borxhlinj jo thjesht dhe vetëm për pavarësinë, por dy herë borxhlinj, edhe për arsyen e Luftës së Vlorës”, – tha Rama.

Kryeministri kujtoi se “në vitin 1987, kur ‘Flamurtari’ i Vlorës mundi ‘Barcelonën’ e shumëherë kurorëzuar me tituj kombëtarë dhe ndërkombëtarë, shtypi ynë diku pat shkruar për një fitore të organizimit të hekurt komunist përballë kapitalizmit skllavërues për masën”.

“Ndërsa aty ku kishte gazetari të mirëfilltë, në Spanjë, shtypi me admirim të posaçëm përshkroi sagën e një ekipi të varfër, të papaguar dhe të papërkrahur që arriti të korrte një fitore që për nga përmasat ishte po aq e pamundur sa ajo e Davidit kundër Golias. Çfarë lidhje ka suksesi i ‘Flamurtarit’ në 1987 dhe goli i Sokol Kushtës me arsyen pse jemi sot këtu, Luftën e Vlorës në 1920 dhe figurën e Selam Musait? Besoj që kanë analogjinë e të pamundurës e cila është në ADN-në e gjakut të vlonjatëve, sikundër më shumë sesa një herë historia jonë e përbashkët ka folur”, – tha Rama.

“Një popull i çuditshëm me një aftësi të hatashme për të tejkaluar kufijtë e asaj që është e mundur dhe për të realizuar në momente të caktuara diçka të pamundur. Dhe faktikisht, Lufta e Vlorës është një nga luftrat më të veçanta në historinë e përbotshme të luftërave për nga përfundimi i saj. Një luftë e fituar nga pala që ishte objektivisht e humbur”, – tha Rama.

Kryeministri citoi albanologun Edvin Xhejks, i cili në librin e tij “Shqiptarët” përshkruan fanfarën madhështore me të cilën u gdhi qyteti i Vlorës në 3 shtator 1920, një ditë pasi trupat e huaja u larguan nga vendi, apo siç njihej në zhargonin e kohës dhe siç ne e mësuam nga historia në atëkohë kur historia mësohej me pathos: U hodhën në det.

“‘Nëpunësit ushtarakë dhe civilë planifikuan një organizim madhështor triumfal’, shkruan Edvin Xhejks. Ata ftuan bandat muzikore ‘Vatra’ dhe ‘Afërdita’, 23 muzikantë elbasanas u nisën me kuaj në Vlorë, netët i kaluan në qytete të ndryshme por hyrja triumfale në Vlorë ngjalli emocione të pakrahasueshme patriotizmi dhe hareje. Festa vazhdoi me ditë me radhe me marshe e këngë patriotike që shoqëroheshin shpesh nga interferencat e këngëve të grupeve të ushtarëve dhe qytetarëve të hareshëm. Por mes tingujve të muzikës, ata që shtypi italian i etiketoi si barinjtë heroikë, të njëjtët që ngjallën një tërbim të papërmbajtshëm të një editorialisti të gazetës ‘Avanti’, Benito Musolinit, që i kushtoi një shkrim të posaçëm me tërbim kësaj që ne sot kujtojmë si ngjarje, 2 vjet para se ai vetë të merrte pushtetin në Romë. Realizoi diçka të një magnitude që askush nuk e kuptoi saktë si ndodhi në kohën kur ndodhi”, – tha Rama.

Kryeministri citoi po ashtu edhe Tajar Zavalanin, një penë e spikatur e BBC në shqip për dekada të tëra, pas ikjes si i përndjekur nga komunizmi, i cili shpjegon në një libër të tij të shkruar në vitin 1966 se, “marrëveshja për lirinë e Vlorës nga sundimi i huaj ishte i pari dokument ndërkombëtar që nënshkroi qeveria shqiptare si pushtet sovran dhe me kushte të barabarta”.

Kjo, shkruan Zavalani, pati një influencë të dobishme mbi pozitën ndërkombëtare të Shqipërisë dhe e përshpejtoi njohjen e saj si shtet i pavarur brenda kufijve të 1913-ës.

Rama tha se “sot në këtë përvjetor jubilar është momenti për të kujtuar jo thjesht heroizmin e kësaj ngjarje në vetvete, por edhe peshën e kësaj ngjarje, jo thjesht si një akt kundërshtie ndaj një force të huaj në territorin sovran, por edhe si një akt këmbënguljeje në vazhdën e ndërtimit të një shteti shqiptar, që në atë kohë ishte në pelenat e veta”.

“Siç shkruan Teki Selenica tek ‘Shqipëria’ në 1927: … historia me të drejtë do të pyesë: po me se luftonin? Bëhej fjalë për një trup njerëzish që nuk mund të quhej ushtri, se ushtri nuk ishte. Nuk mund të konsiderohej një formacion i organizuar, sepse i tillë nuk ishte, dhe që kishte përballë një nga ushtritë më moderne të botës në atë moment. Dhe përgjigjja thotë Teki Selenica është: luftonin me zemrën e shqiptarit dhe me shpirtin e një kombi që për të jetuar kishte vendosur të vdiste. Se armë nuk kishin vetë, ca të ndryshkura, por edhe ato pa ndonjë municion e pa teklif luftëtarët e Vlorës kishin marrë gunën në sup, torbën në krah e një copë bukë misri të thatë nga shtëpia me kanën në dorë, gjysmë opinge në këmbë dhe pak ndërresa dhe kështu në një raport 1 me 5 ndaj një prej ushtrive më moderne të botës në atë kohë, kjo turmë njerëzish e motivuar nga diçka që vinte nga shumë thellë dhe e bashkuar si me magji në një drejtim, ia doli të realizojë një nga fitoret më të bukura dhe më mbresëlënëse në historinë e strategjisë së betejave dhe luftërave që studiohen në akademitë e specializuara”, – tha Rama.

Kryeministri solli po ashtu në vëmendje se “hetimi i nisur në vitin 1921 nga gjykatësi i Gjykatës së Apelit të Napolit, Augusto Ferraro, mbi shkaqet e humbjes, konfirmon se triumfi i shqiptarëve ishte sa i pamundur aq edhe i papritur, një rrufe në qiell të pastër për palën tjetër”.

“Ky raport tregon edhe diçka tjetër që është me vlerë të sillet. Rritja e çmimit të bukës, por mbi të gjitha, ndërhyrja e SHBA e detyroi Romën zyrtare të përfundonte pushtimin ushtarak të Vlorës. E theksoj këtë, se është një moment shumë i veçantë, por besoj se sot është momenti për të nënvizuar faktin se edhe në atë luftë, edhe në atë kohë, Shqipërisë i janë gjendur në krahë miq që e ndihmuan të mos i ndodhte ajo që Ismail Qemali tha nga ballkoni i mëvetësisë: Shqipëria rrezikonte sërish të vishej me të zeza. E ndihmuan më parë dhe më pas. Pa mbështetjen e palëkundur të Presidentit Uillson, në Konferencën e Paqes së Parisit, pavarësisht heroizmit të Vlorës, Traktati i fshehtë i Londrës mund ta kishte veshur sërish me të zeza Shqipërinë”, – tha Rama.

Por amerikanët, sipas tij, “nuk u mjaftuan në atë kohë vetëm me një mbështetje diplomatike, por e mbështetën atë që ndodhi edhe përmes shtypit të tyre të lirë”. “Qysh prej asaj kohe si në ‘Washington Post’ dhe në ‘Chicago Tribune’ gjenden artikuj që flasin me admirim të madh për shqiptarët dhe për kontributin e tyre përmes këtij akti”.

Rama tha se “pati edhe të tjerë, Papa Benedikti 15, e pavdekshmja Edith Durham, Justin Godart, i njohur dhe i respektuar në Shqipëri, një fraksion i vogël, ose më saktë i margjinalizuar i politikës italiane dhe një pjesë e opinionit italian. Por ndër të tjerë ka edhe një personazh shumë interesant i palës tjetër, marshalli italian Vincenco Xhovani që ndaloi shpërthimin e depos së madhe të municioneve që mund të kishte rrafshuar, në mos gjithë qytetin, një pjesë të madhe të qytetit përpara largimit”, – tha Rama.

Kryeministri Rama theksoi edhe rolin e rëndësishëm që patën komunitetet fetare, kishat xhamitë dhe teqetë, si dhe shumë priftërinj, hoxhallarë, baballarë dhe imamë.

“Janë në fakt një segment i panjohur të paktën për shumë prej nesh që historinë e Vlorës e mësuam të shkruar nga fitimtarët e asaj historisë tjetër më mbrapa, për të cilët e dimë shumë mirë që gjithë kjo kategori kontributorësh në historinë e popullit shqiptar u fshi sikur të mos kishte ekzistuar kurrë. Sepse çdo trevë, thirrjen për t’iu bashkuar Komitetit të Mbrojtjes Kombëtare në atë kohë e udhëhoqën përfaqësuesit e klerit të të gjitha besimeve. Ishin hallkat e të vetmit zinxhir institucionesh që e mbështetën dhe që i lidhën bashkë në influencën e tyre shpirtrat e gatshëm dhe të revoltuar të atyre që pastaj u bënë protagonistët e mëdhenj”, – tha Rama.

Një tjetër element i rëndësishëm që meriton sot të kujtohet, sipas tij, “është pjesëmarrja e pazakonshme e grave në atë luftë në raport me çdo luftë tjetër të mëparshme të shqiptarëve”. “Ishte jo vetëm e drejtpërdrejtë, por ishin gratë që organizuan një rrjet shitjesh të bizhuterive për mjekime dhe për të asistuar luftëtarët. Padyshim të gjitha këto nuk e bëjnë aspak më pak të rëndësishme, përkundrazi thjesht tregon se çfarë peshe kishte ajo bërthamë luftëtarësh që e morën përsipër këtë çmenduri, nëse do të niseshin nga një arsyetim i ftohtë logjik dhe që e bën realitet. Sepse ishte një arsyetim i bërë jo me mendje, por me zemër”, – tha Rama.

Përhapja e epopesë së kësaj lufte në gjithë Shqipërinë, sipas tij, “solli më pas edhe një valë që zgjati me këngë që i përkasin pikërisht nderimit të Luftës së Vlorës”.

Rama tha se “nderimi i këtyre ngjarjeve bëhet përmes ndreqjes me kujdes dhe sa me më shumë objektivitet të gabimeve që trazuan shumë shpirtrat e tyre në shekullin që kaloi, por jo vetëm”. “Trazojnë shpirtrat e tyre, jo vetëm të Vlorës, të të gjithëve, përmes penës së njerëzve që pa pasur atributet e mjaftueshme, njohuritë e mjaftueshme edhe pa pasur sensin e mjaftueshëm të modestisë intelektuale, ndërhyjnë duke e ngacmuar gabim historinë”, – tha Rama.

Kryeministri u shpreh se “gjenerata ime dhe ata pak më të mëdhenj në moshë, kanë fatkeqësinë e mësimit të historisë së shkruar nga një palë fitimtarësh”.

“Për fat të keq ky mëkat i një pale që përpiqet të imponojë historinë e shkruar prej saj me logjikën e fitimtarit nuk u ndërpre me fundin e diktaturës komuniste, por u ripërsërit në një formë karikaturale shumë më pak serioze, por mjaftueshmërisht perverse, duke sjellë dëme të tjera dhe duke dëmtuar edhe një brez tjetër më të ri akoma, që nuk e pati fatkeqësinë që historinë ta mësonte me imponim në mënyrë të njëanshme nga fitimtarët”, – tha Rama.

Dua të besoj, vijoi ai, “se pak nga pak, njerëzit dhe institucionet e kësaj fushe, jo politika, jo qeveria, as opozita, por njerëzit që dinë se çfarë thonë, të flasin për historinë, të mund të ndreqin shumë shtrembërime të vjetra e të reja dhe të krijojnë për të gjithë, përfshi edhe politikën, një sens respekti për mendimin e kultivuar dhe kualifikuar të historianëve”.

“Do të ishte nderimi më serioz që do t’i bëhej Luftës së Vlorës dhe gjithë luftërave të tjera. Shlyerja e një borxhi shumë të madh”, – tha Rama./atsh

Lufta e Vlorës një fitore ushtarake nga më të pamundurat në histori, tregoi për herë të parë se shteti shqiptar ekziston Read More »

Autoritetet e larta shtetërore vendosin kurora në memorialin e ‘Luftës Kombëtare të Vlorës 1920’

Autoritetet më të larta shtetërore vendosën sot kurora me lule në memorialin e “Luftës Kombëtare të Vlorës 1920”, në Qafën e Koçiut, në Vlorë.

Presidenti Ilir Meta, Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, Kryeministri Edi Rama, si dhe zyrtarë të tjerë të lartë nderuan sot këtë ngjarje me rëndësi kombëtare, duke vendosur kurora me lule në memorialin e “Luftës Kombëtare të Vlorës 1920”.

Për 100-vjetorin e Luftës Kombëtare të Vlorës u organizuan një sërë aktivitetesh, përfshirë ekspozita dhe veprimtari shkencore, të cilat kulmuan ditën e djeshme në “Sheshin e Flamurit” në Vlorë./atsh

Autoritetet e larta shtetërore vendosin kurora në memorialin e ‘Luftës Kombëtare të Vlorës 1920’ Read More »

Çfarë shikon në foto? Ja çfarë zbulon për personalitetin tënd

Kur shikojmë një imazh, ose një iluzion optik, ne priremi të perceptojmë vetëm disa detaje. Dhe është pikërisht kjo e fundit që mund të zbulojë detaje rreth nesh dhe karakterit tonë. Për këtë arsye sot kemi vendosur të ndajmë këtë provë vizuale shumë të bukur me ju.

Imazhi që ju ofrojmë u krijua nga artisti meksikan Octavio Ocampo, i njohur për punimet e tij që paraqesin lloje të ndryshme të iluzioneve optike. Për të bërë testin thjesht duhet të shikoni foton dhe të zbuloni se çfarë zbulon për ju, bazuar në atë që keni parë. Cila është gjëja e parë që patë?

Vajza

Nëse gjëja e parë që patë është vajza, do të thotë që ju jeni një person me një shpirt shumë delikat dhe të brishtë. Ju gjithmonë përpiqeni të ndihmoni gjithmonë njerëzit përreth jush, të cilët vijnë tek ju për këshilla ose një dorë.

Ju keni shumë forcë, ju jeni një personalitet lëvizës dhe nuk keni frikë të ndërtoni plane madhështore. Në jetë ju pret sukses në biznes dhe e doni jetën. Nëse besoni në veten tuaj do të jeni në gjendje të merrni atë që dëshironi.

Qeni

Nëse gjëja e parë që patë ishte qeni kjo do të thotë që ju jeni një person unik, në gjendje të shihni detaje që të tjerët as nuk mund t’i shohin. E shihni bukurinë edhe në gjërat e vogla dhe jeni një person shumë romantik.

Në fakt, ju jeni gati të doni dhe të jepni gjithë dashurinë tuaj, shumë shpejt në jetën tuaj do të lindin kënaqësi të vogla që mund të ndryshojnë plotësisht jetën tuaj të përditshme.

Trëndafili

Nëse gjëja e parë që tërhoqi vëmendjen tuaj ishte trëndafili, kjo do të thotë që ju nuk e tregoni karakterin tuaj të vërtetë dhe i fshiheni potencialit që ju rrethon.

Mos kini frikë të tregoni të vërtetën dhe bëhuni vetvetja. Diçka do të ndodhë së shpejti në jetën tuaj që do të sjellë një ndryshim shumë pozitiv në jetën tuaj duke e bërë atë më të lumtur. Asnjëherë mos e injoroni instiktin dhe perceptimin tuaj.

Çfarë shikon në foto? Ja çfarë zbulon për personalitetin tënd Read More »

Tre gjërat që meshkujt i duan çdo ditë, por pak gra e dinë këtë

Asnjë mashkull nuk do të ketë guximin t’i tregojë dobësitë e tij. Por e vërteta është se edhe ky “duke qenë i vështirë” kërkon vëmendje të veçantë. Përveç hapësirës së tij, duhet të keni kohën tuaj për të përfunduar aktivitetet e tij. Në të njëjtën mënyrë që gruaja ka nevojë për kohë vetëm për vete, aq shumë për t’u shoqëruar me miqtë, për të bërë një sport që i pëlqen apo për çdo aktivitet tjetër të përditshëm.

Nëse respektoni këto hapësira, marrëdhënia juaj gjithmonë do të jetë e mbushur me motivim. Duke kujtuar se ne besojmë se burrat dhe gratë kanë të drejta të barabarta dhe kurrë nuk do të mbështesim asnjë diskurs të gjinisë seksiste. Ata thonë se gratë gjithmonë kanë nevojë për shoqëri, por në aspektin e mungesës, gjërat nuk janë shumë të ndryshme për burrat.

Të ndiejnë se nuk janë vetëm

Megjithëse shumë prej tyre nuk kanë guximin ta pranojnë, por gratë janë shumë më të nevojshme. Planifikoni së bashku një udhëtim për t’u relaksuar, shkoni në vende të ndryshme. Sillni përvoja të reja për të pasur kujtime të reja të mira. Mos e lini marrëdhënien të bjerë në rutinë. Do të jetë një domosdoshmëri për të dy.

Kuptimi dhe durimi

Shumica e meshkujve thonë se në mesin e karakteristikave që kërkojnë tek një grua është mirëkuptimi. Nëse ky është një udhëtim në fundjavë ose një punë për të bërë në shtëpi, gjinisë mashkullore, nuk i pëlqen që gruaja e tyre nuk ka ndjenjën se nuk po bëjnë më të mirën.

Të jesh i përulur është të mendosh dhe të vendosësh veten në këpucët e personit tjetër. Arsimi i mashkullit është krejtësisht i ndryshëm nga juaji, ai nuk mendon si ti. Megjithëse ky skenar ndryshon gjatë viteve, ku mashkulli nuk di se si të bëjë pothuajse asgjë në shtëpi ose të pretendojë se nuk e di se si ta bëjë këtë. Pra, përpiquni të bashkëpunoni me të, madje edhe me durim duke i mësuar disa gjëra që për fat të keq ai nuk i njeh, është më mirë se të ankohet, të grindet ose t’u ankohesh shokëve të tij.

Të dy kanë nevojë për kohë dhe hapësirë

Një nga arsyet më të mëdha për përfundimin e marrëdhënieve është monotonia. Një burrë thjesht e urren të bëtë të njëjtën gjë çdo ditë, sepse ai ka nevojë për kohë për të bërë diçka vetëm për interesin e tij, që mund të jetë një sport apo një aktivitet shoqëror, si pirja e birrës në fund të ditës së tij të punës.

Pra, nëse mashkulli ndjen edhe dëshirën për të qëndruar në shtëpi dhe të luajë në playstation ose thjesht të shikojë një lojë futbolli ose një garë, pse nuk fillon të shikosh edhe ti gjërat e tij të preferuara dhe kështu mund të argëtoheni së bashku.

Tre gjërat që meshkujt i duan çdo ditë, por pak gra e dinë këtë Read More »

Gazetari i njohur, Baton Haxhiu, ka humbur njeriun e tij më të shtrenjtë

Gazetari i njohur, Baton Haxhiu, ka humbur njeriun e tij më të shtrenjtë, nënën.

Haxhiu nuk ka bërë ende një dedikim në rrjetet sociale për këtë humbje të madhe. Ndërkohë kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, nëpërmjet një postimi në Facebook i ka shprehur ngushëllime gazetarit.
“Ngushëllimet më të thella mikut tim Baton Haxhiu për humbjen e nënës së tij. Nëna Mane pushoftë e qetë në paqe. Lutem që Familja Haxhiu të gjejë forcë për përballimin e kësaj dhimbjeje”, shkruan Veseli në Facebook

Gazetari i njohur, Baton Haxhiu, ka humbur njeriun e tij më të shtrenjtë Read More »

Meta nga sheshi i Flamurit: Ky vend ka zot!

Nga sheshi i Flamurit, Presidenti i Republikës Ilir Meta deklaroi se lufta e Vlorës tregoi se ky vend ka zot dhe zoti i tij është vetë populli.

Presidenti Ilir Meta mori pjesë në ceremoninë e përkujtimit të 100 vjetorin e Luftës së Vlorës.

“Lufta e Vlorës dëshmoi se ky vend ka zot, dhe zot i këtij vendi është vetë populli.

“Kujtojmë dhe vlerësojmë diasporën. Një ndër figurat e lavdishme, Fan Noli e bindi SHBA-në të ishte në krah të Shqipërisë.

“Kur populli i merr në dorë fatet e veta, ato janë të sigurta”.

“Zot i këtij është vetëm populli shqiptar dhe se fati i këtij vendi i përket vetëm këtij populli”, – tha ndër të tjera presidenti Ilir Meta, sot në Vlorë.

Nis ceremoninë e 100 vjetorit të Luftës së Vlorës, Rama e Meta ulen pranë, por pa u përshëndetur me njëri-tjetrin.

Meta nga sheshi i Flamurit: Ky vend ka zot! Read More »