Kanë kaluar plot 22 vite nga vrasja e liderit të studentëve dhe ish-deputetit Azem Hajdari. Edhe pse kanë kaluar shumë vite, vrasja e Hajdarit ende nuk është zbardhur plotësisht.
Thuhet se deputeti asokohe është vrarë nga Fatmir Haklaj, pasi ky i fundit mendonte se Hajdari kishte gisht në vrasjen e vëllait të tij të vogël Shkëlqimit. Ndërkaq, në lidhje me këtë ngjarje para disa ditësh ka folur dhe ish-kryeministri Sali Berisha.
Zakonisht, ka ndodhur që Berisha të flasë rreth kësaj çështje më 12 shtator, pikërisht në përkujtimoren e vrasjes së ish-deputetit, por këtë herë ndodhi ndryshe dhe ai zgjodhi të flasë disa ditë më pas. Por përse kjo zgjedhje? Kjo gjë u komentua në studion e emisionit “Top Talk”. Hoxha tha se të premten (datë 2. 10. 2020) do të zhvillohet seanca gjyqësore për ish-truprojën e Sali Berishës, Izet Haxhia, i cili dyshohet se është i implikuar në vrasjen e bujshme të vitit 98-ë.
Hoxha ndërkaq, mendon se në këtë seancë do të thërritet edhe Sali Berisha dhe nëse prokurori ia kërkon një gjë të tillë, ai nuk mund të refuzojë, pasi nuk është më imun për shkak se nuk është as deputet në parlament. Ai thotë se dalja publike e Berishës lidhet pikërisht me këtë fakt, pra në prokurori ai do të deklarojë se ka bërë një deklaratë publike dhe në këtë rast prokuroria do të sekuestrojë deklaratat publike që ish-kryeministri bëri.
Artan Hoxha: Në fakt gjëja që më tërhoqi vëmendje që në momentin e parë dhe më lindi kjo pyetje, ishte pse tani. Berisha zakonisht kur jep mesazhe për këtë ngjarje e shfrytëzon përvjetorin që ndodh çdo vit në 12 shtator, është ceremonial që është bërë traditë tashmë, shkojnë tek memoriali vendosin kurora shkojnë tek shtëpia e Hajdarit dhe kjo është e gjitha. Sigurisht Berisha atë ditë nuk doli për të folur e rrëfyer ngjarjen, ajo ishte më tepër një prezencë me mesazhe brenda.
Brenda asaj dalje të Berishës, që unë e kam quajtur bosi i bosëve po rrëfehet. Nëse ti je bosi i bosëve nuk mund ta bësh të penduarin. Për herë të parë Berisha foli dhe dha disa elementë shumë interesant. Edhe pse në aq kohë sa foli ai dhe ngaqë kishte shumë informacion, ato mbushën njëra-tjetrën dhe duket në fund kur mbaron dhe duket sikur ky e ka thënë, por nuk është ashtu.
Për herë të parë Berisha ka folur kaq shumë gjerë brenda një minutazhi të caktuar për ngjarjen e 12 shtatorit 1998. Berisha foli në këtë moment sepse pasnesër, në gjykatën e Tiranës do të zhvillohet seanca ku gjykata do të marri provat e prokurorin dhe listën e dëshmitarëve të prokurorit të çështjes, në lidhje me gjykimin e Izet Haxhisë. Berisha nuk foli thjesht se ne jemi në prag të fushatës elektorale, por foli se aktualisht po zhvillohet një proces, i cili është zvarritur për një vit rresht, kanë dhënë dorëheqjen pesë prokurorë aty, për shkak të interesave. Kjo është një çështje që më ka bërë përshtypje sepse aty herë pas here ka munguar avokati.
Denis Dyrnjaja: Në këtë listë është Sali Berisha si dëshmitar?
Artan Hoxha: Gjykata është në momentin ku po shqyrton kërkesën dhe provat e prokurorit dhe prokurori e jo i pandehuri. Kur të thërret prokuroria nuk mund ta shmangësh, nuk ka më imunitet, nuk është më deputet, nuk ka asnjë pengesë që prokurori ta thërrasë. Berisha këtë radhë nuk ka imunitet dhe është i detyruar nëse prokurori e ka kërkuar dhe Berisha është i detyruar të shkojë në proces të deklarojë dhe të thotë atë që di.
Denis Dyrnjaja: Isha shumë i kujdesshëm kur e dëgjova dhe vetë zotin Berisha dhe tha dhashë një dëshmi, më pas tha nuk është një dëshmi por deklaratë. Ka detaj këtu?
Artan Hoxha: Kjo është një gjë që unë e kam praktikuar dhe vetë. Për ngjarje ku unë e di që ka një hetim nga prokuroria dhe e di që prokuroria do të më thërrasë, unë bëj një dalje publike, pra dhe deklarimet e mia praktikisht janë të bëra publike dhe kur të kërkon prokurori dhe gjykata i them merr deklarimet e mia.
Por në rastin konkret çështja është shumë sensitive. Fakti që Berisha foli para të premtes, katër ditë para, është bërë me qëllimin e plotë që ai do të evitojë dhe shmangë flaktin që do të shkojë në gjykatë dhe do të deklarojë për çështjen.
Kryebashkiaku Erion Veliaj thumbon lidershipin e PD, i cili sipas tij gëzohet për çdo grua që largohet nga partia, duke marrë shembullin e Jozefina Topallit dhe Majlinda Bregut.
Partia Socialiste ndezi sot “motorët” për fushatën e zgjedhjeve të 25 prillit, për të siguruar një mandat të tretë qeverisës, që do të ishte historik në këto 30 vite.
Në një takim me gratë socialiste në Amfiteatrin e Tiranës, Kryetari i Bashkisë dhe njëherësh drejtues politik për Tiranën, Erion Veliaj deklaroi se PS ka vetëm një plan, të bëjë Shqipërinë dhe Tiranën më të mirë.
“Ne sot krenohemi kur themi: “Edhe një”. Kurse, kundërshtari ynë thotë: Iku edhe një! Se iku Jozefina. Iku edhe një, se iku Majlinda Bregu”.
Sipas tij, “diferenca mes Partisë Demokratike dhe një partie të lodhur nuk është emri, por mentaliteti. Në forcën tonë ka gëzim kur vjen edhe një. Në partinë e tyre ka gëzim kur ikën edhe një, kur edhe një grua tjetër largohet nga një parti që është kthyer në një tufë burrash të mllefosur”.
“Ky është mesazhi ynë i fitores, se i gëzohemi çdo zonje, çdo zonjushe, çdo goce dhe vajze, “edhe një”, kur bashkohet me forcën tonë politike”, u shpreh Erion Veliaj, kryebashkiak i Tiranës.
Gjatë takimit së Forumit të Gruas Socialiste, Erion Veliaj tha se PS krenohet për çdo grua që i bashkohet partisë.
“Na kanë ngelur edhe 207 ditë, para se ne të shkojmë në një betejë ku të themi “#edhe 1, edhe 1” për Partinë Socialiste. Kanë ngelur edhe 207 ditë para se ne të fokusohemi dhe të themi çfarë planesh kemi. Ne kemi vetëm një plan: Të bëjmë Shqipërinë dhe të bëjmë Tiranën. Pala tjetër ka një plan tjetër, kanë shtëpinë e tretë, kanë pasaporta holandeze, kanë edhe një plan B”.
“Unë besoj që për secilin prej nesh që ka vetëm një plan, duhet të mendojmë fort për situatat që kaluam. Nëse dikush ka iluzion se ata kanë hallin e familjeve tona, duhet t’i mendojë këto fakte. Mund të kemi opinione të ndryshme, por jo fakte të ndryshme. Nëse ju mendoni se Sali Berisha që kërkon ringjalljen e tij të tretë, ka hallin e familjeve tuaja, e keni gabim, ndaj duhet të flasim me çdo zonjë dhe zonjushë”, – tha Veliaj.
Ai komentoi edhe planin ekonomik të prezantuar nga opozita, ku theksoi se fokusi i tyre është t’u vendosin gjoba kompanive dhe të shtojnë vilat e tyre.
“Po shihja axhendën, se sa shtëpi do duhet të hapim nesër për familjet që u prekën nga tërmeti, kurse ata janë të shqetësuar se si në kohën e tërmetit kanë shtuar shtëpitë e tyre. Teksa gjithë ekonomia ka rënë jo vetëm në Shqipëri, por kudo në botë, ekonomia e tyre është rritur. Shihni llogarinë e kunatit, shihni sa gjoba u vihen kompanive”.
‘Sot dolën me plan ekonomik, seriozisht? I vetmi plan ekonomik që kam dëgjuar këto tetë vite është, gjej një kompani, vëri gjobë nëpërmjet zëdhënies, paguaj gjobën që unë të të heq sulmin ndaj partisë. Pyetja është: Do mendojmë për ekonominë, shtëpitë, planet B, për rritjen e financave të dy familjeve të vetme, që edhe në opozitë vetëm u ka shkuar puna vaj, apo duhet të përveshim mëngët për të gjitha familjet e Shqipërisë”, nënvizoi Veliaj.
Duke e cilësuar PS si forca më pozitive, më progresiste dhe më patriote e Shqipërisë, Veliaj tha se qytetarët shqiptarë kanë një shans historik që jo vetëm PS të fitojë këto zgjedhje, por të fitojë e ardhmja e vendit.
I vetmi shans i tyre që të fitojnë është përçarja. I vetmi shans që ne të fitojmë është bashkimi. I vetmi shans që ata të fitojnë është helmi”.
“I vetmi shans që ne të fitojmë është mjalti, është goja e ëmbël. I vetmi shans që ata të fitojnë është dhuna. I vetmi shans që ne të fitojmë është paqja, vëllazëria me njeri-tjetrin. Ndaj, motrat e mia, ne kemi 207 ditë për gojën e ëmbël, për fjalën e mirë, për politikën e bashkimit, për njerëzit që i bëjnë të tjerët të rrinë më afër me njeri-tjetrin, jo t’i largojnë”.
“Për një kulturë e cila çon në fqinjësi të mirë, në solidaritet, në vëllazëri. Kemi një shans historik që jo vetëm ne të fitojmë këto zgjedhje, por të fitojmë të ardhmen. Nuk është punë për zgjedhjet e ardhshme, është punë për gjeneratën e ardhshme. Ndaj, në këto 207 ditë, unë dua që secila prej jush të bëjë 207 kontakte, të bëjë 207 biseda, të pijë 207 kafe nga një kafe në ditë me një gocë, me një vajzë, me një zonjë dhe me një zonjushë që duhet të bashkohet, duhet të jetë ajo “#Edhe 1”. Mezi pres që këto 207 ditë, goja e ëmbël, mendja e shëndoshë dhe zemra e hapur të jetë karta jonë e fitores”, deklaroi Veliaj.
Nga nesër mund të ri-aplikoni për pasaporta me procedurë të thjeshtuar, pa formular policie.
Është kjo deklarata e bërë nga ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj ditën e sotme, i cili tha se qytetarët mund të paraqiten menjëherë pranë zyrave të aplikimit.
Sipas tij, kjo është një risi që do të kursejë kohë e shpenzime për shtetasit shqiptarë që tashmë e kanë shumë më të thjesht procedurën e ripajisjes me dokumente biometrike.
“Duke filluar nga nesër, qytetarët që duhet të ri-aplikojnë për pasaportë, u mjafton vetëm të paraqiten pranë sportelit përkatës të aplikimeve, pas përcaktimit të orarit të aplikimit që bëhet online. Një risi tjetër, e cila ka kohë që ka ndodhur lidhet me faktin që për qytetarët që aplikojnë për karta identiteti dhe që janë mbi moshën 75 vjeç, ajo lëshohet pa afat vlefshmërie që do të thotë që kushdo që ka kaluar moshën 75 vjeç dhe aplikon për të marrë një kartë identiteti, ajo lëshohet pa afat skadence, që është po ashtu një lehtësi dhe shërbim i ri në favor të qytetarëve”, u shpreh ministri.
Ai bëri ftesë për qytetarët që të shpejtojnë për të aplikuar pranë zyrave përkatëse qoftë për letërnjoftime, qoftë për pasaporta, për shkak se prej pandemisë, qeverinë është detyruar që të shtyjë afatin e vlefshmërisë për kartat apo pasaportat e skaduara. /noa.al
Naftëtarët e Ballshit kanë hyrë në ditën e tretë të grevës së urisë, ku kërkojnë zgjidhje për kërkesat e tyre.
Duke folur për mediat paraditen e sotme, grevistët thanë se ndodhen në gjendje të qëndrueshme shëndetësore.
“Vendi ku ndodhemi ka pak lagështirë dhe nuk i kemi kushtet e nevojshme. Nuk kemi pasur asnjë komunikatë nga institucionet shtetërore. Jemi 10 veta. Në grevë ky është një numër simbolik. Në grevë është i gjithë qyteti i Ballshit, na mbështesin të gjithë”, u shpreh njëri nga grevistët.
Ata shprehen të vendosur për ti shkuar grevës deri në fund, deri në plotësimin e kërkesave të tyre.
Naftëtarët pretendojnë se kanë disa muaj, deri në mbi një vit rroga pa marrë, duke thënë se kanë mbetur në mes të rrugës dhe puna është ndërprerë dhe se pavarësisht protesës në Tiranë, askush nuk i priti. /noa.al
Presidenti Ilir Meta thotë se kur ethet elektorale dhe planifikimet e çmendura për kapje votash me presione nga më të fëlliqurat kanë nisur para kohe, situata ekonomike në vend po shënon një regres të pandalshëm.
Ai shton se përshkallëzimi i krizës politike në këto kushte bëhet edhe më kërcënues për stabilitetin e vendit dhe shton pasigurinë për qytetarët, sipërmarrjen dhe investitorët.
“Ndaj i mbështes plotësisht vlerësimet dhe rekomandimet e Prof.Dr. Arben Malaj për rrugën e duhur që duhet ndjekur për daljen nga humnera. Siç ai thekson me të drejtë: “Ringritja fillon nga reduktimi i pasigurive dhe paqartësive për të ardhmen.”
“Disa arsye kryesore për këtë opsion janë risqet se individët dhe investitorët privatë vendas dhe të huaj mund të presin zgjedhjet parlamentare 2021 për të marrë vendime për të rritur investimet e tyre; donatorët bilateralë dhe multilateralë po ngadalësojnë lëvrimin e granteve dhe kredive të buta. Qeveria ka dështuar të thithë fonde nga donatorët për tërmetin”, shkruan Meta.
Ai citon më tej se Qeveria vazhdon të aplikojë partneritete publike-private prefenciale, që do të prodhojnë kosto të rënda për konsolidimin financiar të vendit. Për ta përmirësuar ringritjen e ekonomisë sonë gjatë vitit 2021 kërkohen një sërë reformash strukturore për një model rritje ekonomike të shëndetshme, ku rritet pesha e ekonomisë së gjelbër dhe ekonomisë së dijes dhe ku ndahen më mirë përfitimet e rritjes ekonomike.
Kreu i shtetit shkëput pjesë nga shkrimi i Malaj dhe thotë se politikat dhe paketat lehtësuese dhe mbështetëse për të papunët, për të varfrit dhe për bizneset, duhet të jenë të qarta dhe lehtësisht të arritshme deri te të varfrit dhe të papunët.
“Eliminimi i çdo vonese e pengese në procesin e integrimit europian çliron energji dhe burime rritje dhe zhvillimi edhe në kohë krize. Reduktimi i risqeve të thellimit dhe zgjatjes së krizës politike është kritik për reduktimin e paqartësive dhe pasigurive që pengojnë ringritjen. Përzgjedhja me përgjegjësi profesionale dhe transparencë maksimale e përdorimit të fondeve të rindërtimit dhe ringritjes do të zgjidhte krizën e të pastrehëve, të çerdheve, kopshteve, shkollave, të qendrave shëndetësore dhe spitaleve, por njëkohësisht do të rrisë punësimin dhe rritjen e të ardhurave për shtresat në nevojë. Të mirëintegruara së bashku këto reforma dhe parime mirëqeverisje do të ndikojnë në ringritjen e ekonomisë sonë, mundësisht brenda vitit 2021”, citon Presidenti.
Kriza e pandemisë mund të jetë më e lehtë, ringritja më e vështirë- Nga Arben Malaj
Strategjia e ringritjes nuk nënkupton një lumë fondesh në ekonomi. Risku i keqpërdorimit të “parave të lira” në vendet me shkallë të lartë të korrupsionit dhe kapjes së shtetit është pjesë e problemit, jo e zgjidhjes. Sapo Covid-19 goditi rëndë dhe pa pritur ekonominë globale, u tentua të përllogaritej niveli e rënies së ekonomisë, rritjes së papunësisë dhe borxhit publik. Është shumë shpejt për të bërë parashikime të qëndrueshme për pasojat dhe kostot e COVID-19. FMN, BE dhe EBRD parashikuan se rënia e ekonomisë globale do të ishte 3.5 %, rritja e papunësisë me rreth 300 milionë dhe rritja e borxhit publik mesatarisht 30% mbi nivelin e momentit të fillimit të pandemisë. Në BE, rënia ekonomike u parashikua – 7.4 të GDP-së në 2020 dhe + 6.1 % në 2021.
Përllogaritja e pasojave të pandemisë vlen për të qartësuar dhe implementuar politikat kundër ciklike monetare dhe fiskale dhe vë theksin te reformat strukturore, që lehtësonin pasojat e krizës dhe të krijojnë premisa nxitëse për rimëkëmbjen dhe ringritjen e ekonomisë dhe stabilitetit financiar sa më parë.
Analiza e recesioneve të tjera pas vitit 1945 tregon se nëse rënia e ekonomisë gjatë vitit 2020 do të jetë më e ngadaltë se ajo e parashikuar në fillim, ringritja e ekonomisë dhe stabiliteti i financave publike do të jetë më e ngadaltë dhe niveli i parakrizës mund të arrihet në fund të vitit 2022, por vende të ndryshme do të kenë sjellje të ndryshme në rimëkëmbjen e tyre. COVID19 ka shkaktuar një recesion, nga i cili ekonomia globale pritet të rikuperohet në fund të vitit 2022, nëse ekziston një vaksinë.
Një moment i vështirë për studiuesit edhe politikëbërësit është forma e ringritjes së ekonomisë, a do të kompensohet një rënie e thellë me një rritje të shpejtë në formën e V-së. I tillë ishte parashikimi i BERZH për ekonominë shqiptare se gjatë vitit 2020 do të ishte – 9% të PBB-së, por në 2021 do të rritej me 12%. Opsione të tjera të ringritjes mund të jenë në formën e L-së, në formën e U-së dhe në formën e Ë-së.
Rënia mund të rezultojë më e lehtë, mund të shpjegohet me disa arsye, por më kryesoret mund të jenë: parashikimet e para u bënë nën një presion të fortë të paqartësive dhe pasigurive që krijoi goditja nga COVID19; shkalla e lartë dhe fleksibiliteti maksimal që u dakordësua për përdorimin e politikave monetare jokonvencionale për të ulur koston e parasë dhe për të siguruar likuiditete për qeveritë dhe biznesin, të cilat ishin të larmishme dhe të palimituara; dhe politikat fiskale ekspansioniste mbështetën qëndrime të unifikuara se taksat e ulëta, ristrukturimi i detyrimeve për t’u paguar në një kohë të dytë, lehtësitë dhe paketat fiskale për të papunët, të varfrit dhe për bizneset nuk do të pengoheshin nga kufizime për mosrritjen e borxheve. Të marra së bashku edhe me çeljen graduale të ekonomisë globale, ato prodhuan efekte pozitive në rritjen e kërkesës agregate dhe ndikuan që rënia ekonomike dhe papunësia të jenë nën nivelet kritike të parashikuara në fillim të krizës.
Ringritja mund të jetë më e vështirë sepse edhe pse nuk ka kufizime të vazhdimit të politikave monetare jokonvencionale dhe politikave fiskale ekspansioniste është arritur në një “pikë thyerje” ku efektshmëria e tyre në ekonominë reale vjen dhe ulet. Kjo, edhe për faktin se individët dhe bizneset në kushtet e niveleve shqetësuese të paqartësive dhe pasigurive nuk marrin risk për më shumë borxhe, pavarësisht nga kostoja e ulët e tyre apo garancitë sovrane. Ritmet e ulëta të rritjes se konsumit dhe investimit private qartësojnë se rritja e kërkesës agregate do të jetë më e ngadaltë dhe niveli para krizës mund të spostohet nga optimizmi për vitin 2021 në parashikime më realiste. Studiuesit qartësojnë se: “Shumë do të varet jo vetëm nga evolucioni i vendosjes terapeutike dhe vaksinave pandemike dhe efektive, por edhe nga ato monetare, politikat fiskale, tregtare dhe rregullatore që do të ndiqen”.
Profesori Michael Boskin i Universitetit i Stanfordit këshillon se: “Mes kaq shumë pasiguri, politikëbërësit duhet (i) të përqendrohen në mbajtjen e taksave të ulëta; (ii) zhvillimin e planeve për konsolidimin fiskal dhe (iii) shmangien e rregulloreve të reja derisa ekonomia të kthehet në rrugën e duhur”. Po në Shqipëri si mund të jetë ringritja? Në fillim, të COVID-19 për ekonominë tonë u parashikua një rënie ekonomike 5-9% të PBB-së dhe një ringritje e shpejtë në 2021 me rreth 12%. Pas treguesve të 9-mujorit 2020, shifrat do të rishikohen, rënia mund të jetë 4.5-6%, ndërsa ringritja mund të jetë 8-9 % të GDP-së. Ringritja fillon nga reduktimi i pasigurive dhe paqartësive për të ardhmen.
Ringritja mund të jetë më e ngadalshme, pasi fatkeqësisht në vendin tonë ka një politikë krizëprodhuese, paqartësitë dhe pasiguritë janë rritur, braktisja e vendit është rritur, ndërsa integrimi europian po ngadalësohet. Disa arsye kryesore për këtë opsion janë risqet se individët dhe investitorët privatë vendës dhe të huaj mund të presin zgjedhjet parlamentare 2021 për të marrë vendime për të rritur investimet e tyre; donatorët bilateralë dhe multilateralë po ngadalësojnë lëvrimin e granteve dhe kredive të buta. Qeveria ka dështuar të thithë fonde nga donatorët për tërmetin.
Qeveria vazhdon të aplikojë partneritete publike-private prefenciale, që do të prodhojnë kosto të rënda për konsolidimin financiar të vendit. Për ta përmirësuar ringritjen e ekonomisë sonë gjatë vitit 2021 kërkohen një sërë reformash strukturore për një model rritje ekonomike të shëndetshme, ku rritet pesha e ekonomisë së gjelbër dhe ekonomisë së dijes dhe ku ndahen më mirë përfitimet e rritjes ekonomike. Politikat dhe paketat lehtësuese dhe mbështetëse për të papunët, për të varfrit dhe për bizneset duhet të jenë të qarta dhe lehtësisht të arritshme deri te të varfrit dhe të papunët.
Eliminimi i çdo vonese e pengese në procesin e integrimit europian çliron energji dhe burime rritje dhe zhvillimi edhe në kohë krize. Reduktimi i risqeve të thellimit dhe zgjatjes së krizës politike është kritik për reduktimin e paqartësive dhe pasigurive që pengojnë ringritjen. Përzgjedhja me përgjegjësi profesionale dhe transparencë maksimale e përdorimit të fondeve të rindërtimit dhe ringritjes do të zgjidhte krizën e të pastrehëve, të çerdheve, kopshteve, shkollave, të qendrave shëndetësore dhe spitaleve, por njëkohësisht do të rrisë punësimin dhe rritjen e të ardhurave për shtresat në nevojë. Të mirëintegruara së bashku këto reforma dhe parime mirëqeverisje do të ndikojnë në ringritjen e ekonomisë sonë, mundësisht brenda vitit 2021.