NATO i dhuruan vendit tonë 60 respiratorë të rinj, pajisje vitale për pacientët e prekur nga koronavirusi, por edhe për të përballuar emergjencën shëndetësore.
Kryeministri Edi Rama ka falenderuar SHBA-të dhe tha se respiratorët do të shkojnë në spitalet e reja Covid 3 dhe 4, duke iu shtuar fuqisë së instaluar për të luftuar virusin “deri në daljen nga ky dimër sfidues”.
“I jam shumë mirënjohës SHBA, që si gjithmonë edhe në këtë rast janë treguar të vëmendshme ndaj Shqipërisë”, u shpreh Rama.
“E falenderoj në mungesë zonjën ambasadore të SHBA, Kim, e cila më dha e para lajmin për këtë mbështetje kaq të çmuar dhe kaq të nevojshme në këtë fazë përballjeje me këtë armik. I jam mirënjohës të gjithë përfaqësuesve të pranishëm këtu, aleatëve për kontributin krah Forcave tona të Armatosura”.
Kryeministri shtoi se respiratorët do të jenë në vijën e zjarrit për të mbrojtur dhe për të shpëtuar jetë.
“Të mos lejojmë që kriza shëndetësore dhe humanitare, të shndërrohet edhe një një krizë sigurie”, – theksoi kreu i qeverisë.
Sakaq, një zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes në Berlin i konfirmoi agjencisë gjermane të shtypit, DPA, se qeveria ka premtuar mbështetje në kuadër të planit të NATO-s për emergjencë “Allied Hand”. Në rast nevoje mund të dërgohet jashtë vendit personel mjekësor, pararojë dhe ekspertë të trupës për mbrojtjen nga rreziqet atomike, biologjike apo kimike.
DW tha se Gjermania është i mundur dërgimi gjithsej 160 specialistëve. Ushtare dhe ushtarë të tjerë mund të mbështesin angazhimin përkatës nga Gjermania, thuhet në Ministrinë e Brendshme. Plani i emergjencës vihet në jetë, në rast se shtetet e NATO-s apo vendet partnere si Ukraina, Gjerogjia dhe Suedia për shkak të COVID-19 kërkojnë mbështetje, nëqoftëse sistemi i tyre i shëndetësisë rrezikohet të mos jetë në gjendje t’i bëjë ballë situatës.
Sipas DW, Forcat e NATO-s mund të angazhohen edhe në transportimin e të sëmurëve apo për ndërtimin e qendrave ambulante të fushimit. Plani operacional “Allied Hand” është pjesë e përgatitjeve të NATO-s ndaj një eventualiteti të intensifikimit të pandemisë. Këto plane përfshijnë edhe krijimin e një fondi mirëbesimi dhe ndërtimin e magazinave për pajisje mjekësore. Përpara dy javësh Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg, njoftoi se në Maqedoninë e Veriut, një vend i vogël në aleancë dhe me kapacitet të vogël financiar, do të dërgohen 60 aparatura aspirimi. Edhe në Shqipëri do të vihen gjithashtu në dispozicion 60 aparatura aspirimi (respiratorë).
Bundeswehr-i i ka mbështetur partnerët në nivel bilateral edhe gjatë valës së parë të pandemisë. Trupa gjermane ka mbështetur klinikat e mbingarkuara në Britaninë e Madhe me aparatura ambulante aspirimi. Ndërsa në Gjermani ushtarët kanë mbështetur autoritetet për ndjekjen e zinxhirit të infeksionit. Gjithashtu ka pasur angazhime të ushtrisë në kontekstin e testeve ndaj Coronës për ata që ktheheshin në Gjermania nga jashtë vendit ose për transportimin e materialeve mjekësore.
Vetëm 2 javë larg nga fillimi i vitit të ri akademik, zgjedhja e studentëve edhe për këtë vit vazhdon të jenë konviktet. Shkak bëhet rritja e çmimit të shtëpive me qira.
Ndryshe nga shumë fusha që pandemia COVID-19 preku, në konvikte nuk ka ndryshuar asgjë. Studentët e ardhur nga qytete të ndryshme të Shqipërisë nuk e braktisin strehën në dhomat e konvikteve gjatë kohës së studimeve.
“Kemi 3230 studentë të regjistruar në të 22 konviktet funksional në Qytet Studenti”, shprehet drejtoresha e RSU1, Anila Shehu.
Ndërkohë më tej ajo tha se pandemia nuk ka ndikuar në pakësimin e regjistrimeve të studentëve në konvikte.
“Ne kemi të njëjtat kërkesa. Nuk shoh ndonjë ndryshim nga viti i kaluar që të kemi ndonjë rënie në numrin e kërkesave që bëjnë studentët këtu” shton Shehu.
Studentët preferojnë të zgjedhin të jetojnë në konvikte për shkak të gjendjes ekonomike. Ata shprehen se në konvikte shpenzojnë më pak se në një shtëpi me qira, pasi çmimi i këtyre të fundit ka gjithmonë një tendencë në rritje.
“Kam një vit që kam ardhur në Tiranë për shkak të studimeve dhe jetoj në konvikt që prej këtij viti. Për arsye financiare kuptohet pasi shtëpitë me qira janë shumë të shtrenjta, të pa përballueshme nga ana financiare nga ana jonë. Duke patur parasysh çmimet të cilat po rriten akoma më shumë, mendoj që në të ardhmen akoma do vazhdoj të jetoj në konvikt”, shprehet studenti.
Pavarësisht çmimeve të larta të qirasë së shtëpive, ky vit, ka sjellë edhe një risi.
“Një fenomen që është vënë re së fundmi, është dhe fakti që shumë prindër po kërkojnë të vijnë në Tiranë nga rrethet për të qëndruar me fëmijët e tyre studentë për arsye ekonomike. Shumë prindër mund të kenë dy fëmijë në universitete dhe i leverdis më shumë që të shpërngulen në Tiranë”, tha agjentia imobiliare, Xhulia Leka.
Interesi i studentëve te agjencitë imobiliare për shtëpi me qira është i lartë, por kur prezantohen me çmimet ata stepen pasi nuk mund t’i përballojnë ato çmime.
/NOA.al
TIRANË (AA) – Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) vazhdon mbështetjen për institucionet në Shqipëri, në fusha të ndryshme. Një nga projektet e fundit është edhe ai i rikonstruksionit dhe mobilimit të godinës së konviktit numër 6 në Qytetin Studenti në Tiranë, e cila është inaugurua sot, raporton Anadolu Agency (AA). ( Olsi Shehu – Anadolu Agency )
Edhe pse javën e kaluar teksa po futej në Kuvend është gjobitur për shkak se nuk kishte maskë, deputeti Kujtim Gjuzi vazhdon të këmbëngulë se nuk e njeh Aktin Normativ dhe nuk do ta mbajë maskën
Ai tha sot në Kuvend se mjekët nuk e rekomandojnë atë në ambientet e hapura.
Deputeti Kujtim Gjuzi ditën e sotme në senacën plenare është shprehur kundër mbajtjes së maskës.
“Unë kam marrë një gjobë nga policia e shtetit, nuk e kam refuzuar, por nuk mund të njihen vendimet e kryeministrit kur nuk vijnë në kuvend, protestoj me forcë”, tha Gjuzi.
“Kam refuzuar ta mbaj. Kujtim Gjuzi nuk e mban maskën pasi sipas mjekëve në Akademinë Kombëtare të Shkencave nuk këshillohet në ambiente të hapura, në ambinete të mbyllura po”.
“Unë nuk do ta mbaj në ambiente të hapura dhe të mbyllura maskën,” u shpreh Kujtim Gjuzi, për debatin nëse maska duhet mbajtur apo jo në rrugë, ose ambjente të tjera.
Ultësira Perëndimore do të mbizotërohet nga kthjellimet në pothuajse gjithë ditën. Ndërsa pjesa tjetër e territorit shqiptar do të paraqitet herë pas herë me kalime vranësirash ku më të dukshme ato do jenë përgjatë kufirit lindor.
Kurse temperaturat e ajrit do vijojnë të rriten në mëngjes, por mbeten të pandryshuar në mesditë duke u luhatur në vlerat ditore nga 5 gradë Celcius deri në 23 gradë. Era do të fryjë e lehtë me shpejtësi 25 km/h, nga drejtimi verior-veriperëndimor duke krijuar dallgëzim të ulët.
Ndërkohë, edhe nesër vendi ynë sipas Meteoalb do të dominohet nga moti i kthjellët. Pjesa e dytë e ditës parashikohet të ketë vranësira të lehta, kryesisht në zonat malore, sepse bregdeti do të mbetet me kthjellime.
Temperaturat nesër do të rriten në mëngjes dhe në mesditë, duke u luhatur midis vlerave ditore nga 6 gradë celcius në 24 gradë. Kurse era do të fryjë e lehtë në tokë dhe mesatare në det me shpejtësi 28 km/h nga drejtimi verior-verilindor, duke krijuar dallgëzim 2 ballë.
Nga Elbasani, ku prezantoi platformën “Deputeti që duam”, Kryeministri Ram nuk ka lënë pa thumbuar sërish Presidentin Meta dhe kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha.
Edhe njëherë solli në vëmendje karrierën politike të kreut të shtetit, dhe pyetjen “çfarë do më Ilir Meta”.
Për Ramën, është absurde që PD kërkon të vijë në pushtet, në kushtet kur sipas tij nuk ka reflektuar asgjë.
“Çfarë kërkon më shumë Ilir Meta sot? Çfarë do Ilir Meta? A mund të ma thotë njeri çfarë duhet t’i japë më shumë Shqipëria Ilir Metës. Qysh kur ka lindur shteti shqiptar asnjë figurë politike nuk ka marrë më shumë se Ilir Meta. Të gjitha Shqipëria ia ka dhënë Ilir Metës.
Çfarë kërkon sot Ilir Meta që nuk lë as të vdekurit rehat se të gjallët jo e jo. Çfarë kërkon Ilir Meta që ka marrë trastën dhe vjen vërdallë varreve për të dekoruar heronjtë. Për t’i bërë heronj mjeshtra pune, mjeshtra arti e mjeshtra zanati. E bëj këtë pyetje për fenomenin e tmerrshëm të mos ndaljes në të parit dhe të trajtuarit si plaçkë dhe të shqiptarëve si mish për top.
E njëjta gjë vlen për PD-në. Si mundet PD sot të thotë jam gati të qeveris kur nuk ka reflektuar asgjë. janë të njëjtët njerëz, të njëjtat ide me ndryshimin që në vend të liderit është një zëvendësues, një dezhurn, është një bosh. Por sidoqoftë ne nuk e kemi betejën me ta. Ne PS. Kundërshtarët tanë në këtë betejë nuk janë ata, ata janë kundërshtarët e Shqipërisë, të së ardhmes së Shqipërisë dhe kundërshtarë të çdo shqiptari që do të jetojë këtu dhe çdo të riu.
Kundërshtarët tanë janë ato ndjenja vetëkënaqësie, vetëpërmbushjeje që të pengojnë të shohësh shumë më tutje kur je i pari. Ne na duhen vajza dhe djem si vajza që foli para meje dhe Evisit, shqiptarë që vijnë nga jeta e përditshme, vijnë nga puna, nga përpjekjet dhe rezultatet në rrugën e tyre, qofshin në rrugën e qytetit, qofshin në rrugën e fshatit. Qofshin profesionistë në qytet apo fshat”, deklaroi Rama.
Emisioni “Stop” një ditë më parë transmetoi rastin e një stomatologu në Fier, që i hoqi nervat e dhëmbëve një pacienteje, që kërkoi të mjekohej për mishrat e dhëmbëve. Këtë të martë “Stop” ka publikuar një tjetër rast të ngjashëm që ka shkuar edhe më në ektrem.
Qytetarja Griselda Çuli tregon, se u kthye nga Greqia, ku punon dhe iu drejtua klinikës “T3” në Cërrik, për bërë dhëmbët e sipërm. Pasi ra dakord për procedurën dhe pagesën me dentisten, nisi dhe kalvari i vuajtjeve për të. Në fillim çifti i dentistëve Fationa dhe Tonet Sulçe i hoqën Griseldës të gjithë dhëmbët e sipërm.
“Do rregulloja dhëmbët dhe do i vendosja porcelan sepse i kisha pak të dëmtuar. Filluan procedurat, pasi përfunduam heqjen e dhëmbëve ndaluan për një farë kohe se unë isha me sinozit dhe do bëja dhe disa gjilpëra. Dhe e amë prapë një datë për të shkuar sërish, kur shkova prapë më tha “nuk t’i bëj dhëmbët unë ty”, unë ngela me dhëmbët hapur”, thotë Griselda Çuli.
Denoncuesja shprehet se dentistja nuk ka pranuar që të vijojë vendosjen e dhëmbëve pasi mamaja e saj kishte folur keq për të. “Unë kam probleme me dhëmbët, nuk merrem me llafet e njerëzve të njerzve. Unë mendoj se nuk është problem për thashethemet, por është pak raciste”, shton ajo.
Pas denoncimit të qytetares, “Stop” i vendosi një kamer të fshehtë Griselda Çulit dhe ajo ka shkuar tek dentistja ku ka bideduar me të sërish.
Qytetarja: A të flasim 5 minuta të lutem? Dua të më shpjegosh, se pse këto boshllëqet që më ke bërë, nuk më merr njeri përsipër as në Elbasan, moj motër! Ngela këtu në Shqipëri, të mbaroja dhëmbët dhe të ikja.
Dentistja Fationa Sulçe: Po tani?
Qytetarja: Po ti pra, më le përgjysëm! Kudo, që vete unë në Elbasan, më thonë, kaq dhëmbë, që ke hequr ti…
Dentistja Fationa Sulçe: Po!
Qytetarja: Nuk të mban porcelani. Vetëm të vesh dhëmbë pleqsh thonë.
Dentistja Fationa Sulçe: Po të mban me, të mban! Qesh një cikë!
Qytetarja: Po nuk mban, më! Nuk kam lënë vend në Elbasan pa vajtur! Kishte ardhur mami këtu, që të fliste, kurse ju e kishit përzënë me të keq!
Laboranti Tonet Sulçe: Jo,jo nuk e kam përzënë!
Qytetarja: Dil jashtë, se nuk i bëjmë!
Laboranti Tonet Sulce: Jo, nuk i bëjmë ne! Dhe do ta them unë, pse nuk t’i bëjmë! Unë jam ai, që t’i bëj dhe unë dëgjova lart e poshtë dhe nuk i bëj!
Qytetarja: Unë nuk e di, se çfarë ka kjo me ty. Unë me ty u mora vesh, me ty do mbaroj deri në fund! Tashi, më gjej një zgjidhje, sepse mua nuk më merr njeri përsipër! Nuk jam 60 vjece unë, që t’ia fus n’allci!
Laboranti Tonet Sulçe: Nuk i bëj unë!
Qytetarja: Ma thuaj pra arsyen, pse?
Laboranti Tonet Sulçe: Unë nuk du t’i bëj dhëmbët, se m’kan ardh njerëz që në fillim fare, që ti kishe fol keq për ne!
Mamaja e qytetares: Në asnjë vend nuk kam folur keq!
Qytetarja: Një sekondë! Nëqoftëse unë do kisha përshtypje të keqe, nuk kisha pse të vija këtu! Unë tashi dua të mbaroj punë!
Laboranti Tonet Sulçe: Po nuk t’i bëj dot!
Qytetarja: Pse arsye është kjo?
Laboranti Tonet Sulçe: Po, unë nuk t’i bëj dot!
Qytetarja: Po unë, nëqoftëse s’do kisha përshtypje të mirë, nuk do vija këtu!
Laboranti Tonet Sulçe: Nuk t’i bëj unë!
E gjendur një një situatë pa zgjidhje nga klinika dentare “T3”, Griselda Çuli shkon tek dy klinikat e tjera në Cërrik të cilat i thonë se nuk mund të ndërhyjnë dot pasi nuk kanë garanci.
Qytetarja: Si je mirë?
Dentisti 1: Mirë! Si je ti?
Qytetarja: Dua të më shikosh pak, domethënë dhëmbët, sepse unë i kam të hequra disa. Kjo është grafia.
Dentisti 1: Po! Bëhen, por s’ka garanci!
Qytetarja: Pse?
Dentisti 1: Sepse, kështu po them unë! A erdhe tek mua, të më pyesësh?
Qytetarja: Po pra, po nga se?
Dentisti 1: Sepse ke shumë….një urë e gjatë lumi, do ndonjë këmbë në mes?
Qytetarja: Po!
Dentisti 1: Ku ta gjej kamën në mes unë?
Qytetarja: Domethënë porcelain nuk ë….
Dentisti 1: O bëhen, por mos prit, që ta kesh domethënë kshu, sikur të kishte edhe një këtu në mes(dhëmb), edhe këtu një në mes, do të ishte shumë më mirë! Çohu një cikë në këmbë!
Qytetarja: I kisha unë….
Dentisti 1: Cohu në këmbë! S’di unë, ca ke pas ti! Ju shkoni gjithandej, mos them ndonjë llaf të ndytë unë, dhe pastaj vini këtu tek unë, ju! Ngrije këmbën lart! Qëndron dot kshu ti? Shife!
Qytetarja: Jo!
Dentisti 1: Ë,po me dy këmbë?
Qytetarja: Po!
Dentisti 1: Hë pra! Bëhen, nuk është se s’të bëhen, por dukeqenëse ka hapësira midis…
Qytetarja: Që janë bërë heqjet.
Dentisti 1: Po, patjetër, nuk e ke të sigurtë! Garanci 100% nuk të jap! Se nesër mund të këputet ura, dhe thua, pse nuk më the.
Griselda Çuli ka kërkuar ndihmën dhe të dentistes tjetër, por as kjo e fundit nuk i jep garanci.
Qytetarja: A mund ta shikosh edhe njëherë të lutem? Se ngela kshu ngela, du të iki në Greqi. Si do ia bëjmë?
Dentistja 2: Unë ta shpjegova, unë nuk t’i bëj dot këto!
Qytetarja: Mirë, faleminderit!
E ndodhur në këto kushte qytetarja i drejtohet dhe njëherë klinikës “T3”, por përgjigja ishte sërish e njëtë që nuk ua bënin dot dhëmbët.
Qytetarja: Jona, si do bëjmë o goce, se lamë nam kshu! Nuk më merr njeri përsipër, moj!
Dentistja Fationa Sulçe: Po pse s’të merr njeri përsipër?
Qytetarja: Sepse janë shumë të varura urat, i ke lënë boshllëqet shumë, thotë.
Dentistja Fationa Sulçe: Po aq i ke boshllëqet! Atëherë, problemi më i madh, nuk është tek pjesa e parë, problemi është vetëm këtej, që është ura pak e gjatë!
Mamaja e qytetares: Po s’ma merr njeri përsipër, ore vlla!
Laboranti Tonet Sulçe: Nuk t’i bëj dot!
Qytetarja: Po mirë, do rri kshu unë tani?
Laboranti Tonet Sulçe: Shko bëji ku të duash! Unë nuk t’i bëj dhëmbët e tua!/tvklan.al/
Për kundërshtarët e tij nuk ka asnjë dyshim. Edi Rama është diktator. Për përkrahësit e tij është ndryshe. Pavarësisht se bërtet më shumë se kritikët në studio televizive, pavarësisht se zgjedh të shohë nga poshtë plagën e mesme të gazetarit që nga lart i ul poshtë pantallonat apo pavarësisht se ndjek me sy të shqyer nga habia teatrale gishtin me akuzë që i tund vendosmërisht mbretëresha e kronikës së zezë; pavarësisht se flet për Bethovenin te Fevziu dhe nuk lë piano pa thyer dhe pavarësisht se i ofron biberon dhe jo debat kundërshtarit të tij, pavarësisht se e ka kthyer në ligj vullnetin e tij, pra, pavarësisht të gjitha këtyre, njerëzit e tij e tij e quajnë lider të fortë.
Dy skajet jo fort të largëta mes të qenit diktator dhe autoritar mund të ndriçohen më shumë nëse hidhet dritë mbi mënyrën se si Edi Rama nisi karrierën politike, si erdhi në pushtet dhe si e vazhdoi rrugën e tij drejt pushtetit. Varësisht zgjidhjes së kësaj dileme, diktator si fatkeqësi, apo autoritar si rrjedhojë, mund të llogariten hapat për ta përmbysur kundërshtarët në 25 prill apo për ta lartësuar përkrahësit e tij në të njëjtën ditë. Që në krye të herës, kur fjala mori lirinë e fjalës, ai ishte një nga mjeshtrit e rrallë të përdorimit të gjuhës në publik.
zurpoi vëmendjen e publikut të mësuar deri atëherë me gjuhën e drunjtë të komunistëve të rrjedhur nga mosha dhe që kishte nisur të gëlltiste gjuhën me gjemba urrejtjeje të të rinjve që po vinin.
Rama e përdori pushtetin e fjalës për të arritur në pushtetin e politikës në Shqipëri, një pushtet që rast pas rasti, ka magjinë e padiskutueshme për ta bërë orator edhe një memec fatkeq. Ministria e Kulturës që i dha Fatos Nanoja ishte shumë pak për ambicien e tij. Në të njëjtën zyrë ai priti dhe përcolli dy kryeministrat e tjerë socialistë, Majkon e Metën.
Për Majkon u thoshte me tallje miqve se e kishte mik të ngushtë, kurse Meta i bëri atë që seriozisht asnjë mik i ngushtë nuk do të ishte në gjendje ta bënte për tjetrin. Meta ishte shkëndija e duhur për ta ngjitur në qiellin e duhur Ramën si fishekzjarrin më shkëlqyes të socialistëve, gjithmonë të aftë të mbyteshin në një pikë ujë dhe të pandërgjegjshëm për pushtetin absolut që u jepte jo vetë pushteti që kishin, por numrat që i kishin sjellë në pushtet dhe alternativa arkaike që kishin mundur me zgjedhje e kallashnikovë.
Në atë kohë Rama e përmbuzte turmën e disiplinuar socialiste, e cila, nga ana e saj, e quante atë të ardhur, të huaj dhe e shihte si emigrant të përkohshëm në shtëpinë e saj, por ai shpejt mësoi si ta përdorë atë.
Portofoli i ministrit ishte vetëm trampolina që e çoi në krye të kryeqytetit kaotik shqiptar që po dilte nga vitet ‘90 i futur në kaos total. Duheshin fare pak gjëra normale për t’u dukur ndryshe nga të tjerët. Edi Rama, në diferencë me të tjerët, ishte më i qartë dhe dinte ku do të shkonte.
Pak nga parku Rinia me kioska, pak me fasadat dhe zgjerimin e disa akseve rrugore në Tiranë, ai kishte kuptuar më mirë se kushdo tjetër se forma, ngjyrat dhe shkëlqimi, njëlloj si indianëve të dikurshëm pasqyrat, u pëlqenin shqiptarëve më shumë se vetë përmbajtja.
Slogani për kthimin në identitet, nuk rrekej të harronte se sa e shëmtuar ishte Tirana nën grinë e shpëlarë të komunizmit, por sa të tmerrshëm e kishte bërë qytetin anarkia e viteve të para të demokracisë.
Atëherë askush nuk e kishte idenë për ligje urbanistike dhe për nevojën e një qyteti për t’u zgjeruar që po kafshohej barbarisht dhe po rrethohej edhe më barbarisht që nga periferia e Kamzës, te këmbët e Dajtit, në kodrat e Farkës, në fushën e Yrshekut, Kasharit e kudo gjetkë.
Madje, edhe brenda vetë Tiranës, e cila periferinë e dikurshme, me ritmet e rritjes po e kthente në pothuaj qendër. Ishte fare e lehtë që Rama të bënte diferencën me zyrtarët e fjetur shqiptarë dhe me një pjesë të madhe të ministrave që asokohe, si në të gjitha kohët në vijim, i ngjanin njëri-tjetrit si teshtima teshtimës.
Në bashki Rama zbuloi në praktikë se që të quheshe i rëndësishëm në Tiranë varej nga ajo që kishe në dorë dhe jo nga çfarë dije me kokë. Në ishullin e tij pranë Xhamisë së Ethem Beut, ai ngriti paralelisht strukturat më moderne të drejtimit me njerëz që e trajtonin si idhull oriental.
Ai u rrit paralelisht me ta, duke qenë gjithashtu i qartë se vetëm pushteti qendror të lë në dorë hallkën e parë të të gjitha interesave që kishin nisur të shtonin zerot pas. Mbas një duzine me vite në krye të Tiranës, grabitjen e dashurisë për bashkinë e Tiranës Rama e përjetoi si një humbje fatale, por pikërisht ky ishte gabimi fatal i Sali Berishës: duke i hequr fitoren Ramës, ai projektoi humbjen e tij vetjake.
Duke i dhuruar Bashës një prikë të pamerituar, Berisha la peng pushtetin e tij. Pa atë gur që i rëndonte zemrën si të gjitha dashurive që nuk u jepet fund në kohën e duhur, Rama u përqendrua në luftën për pushtetin në të gjithë Shqipërinë.
Dhe në 2013-n, mbasi kishte provuar gjithë sagën e 2009-s e në vijim, bojkotin, protestat, urinë në bulevard, ai kuptoi se e majta mund të vinte në pushtet me dy mënyra të thjeshta: duke u sjellë normalisht dhe duke u bashkuar.
Bashkë me Ilir Metën ai u konfirmua në zyrën e kryeministrit dhe dukej se vetëm marrëzia mund ta ndante dashurinë e rigjetur mes dy njerëzve që kishin pasur trajektore të ndryshme në jetë, por të takuar shumë shpesh si miq në krah dhe si armiq përballë.
Dy burrat që kontrollinin gjithçka në Shqipëri ishin në stinët e para të pushtetit si mishërim i aksiomës fatale që urrejtjet e thella shpesh kthehen në dashuri pa arsye. Si në rastin e pengut me pengmarrësin,
Por në rastin e tyre, ata ishin njëkohësisht pengje dhe pengmarrës të njëri-tjetrit. Pa kuptuar as njëri dhe as tjetri se me pushtet të ndarë me njëri-tjetrin kishin pushtet me të fortë përballë kundërshtarëve të tyre.
Atëherë kur dukej se do të kishin një udhë të gjatë e paralele në pushtet, pa mbyllur vitin e parë në paqe, u krisën egër me njëri-tjetrin për të nisur një ndeshje nervash, me ulje-ngritje, me cikël betejash të vazhdueshme dhe paqe të përkohshme, e cila ishte në fakt prologu i betejës më të egër dhe më të zgjatur mes tyre.
Njëlloj si në mallkimin e hershëm që i sheh shqiptarët si armiqtë më të egër të shqiptarëve, vetëm socialistët ishin të aftë të mundnin socialistët në një vend me mazhorancë natyrale të majtë.
Kryetari i PD-së ishte absolutisht i vetmi njeri i aftë në Tiranë që mund të bënte të pamundurën, për të humbur në zgjedhjet e 2017-s. Me gjysmën e ministrive në dispozicion, me disa nga institucionet më të rëndësishme të vendit nën PD-në, me gati gjysmën e bashkive blu dhe me përçarjen e egër mes së majtës, ai humbi edhe më thellë sesa kishte bërë Sali Berisha përballë unifikimit të së majtës katër vite më herët.
Dhe si të mos mjaftonte ajo, me teknologjinë e shpëlarjes së asaj gjësë me atë gjënë, gjithë vjeshtën e 2017-s dhe më tej e kaloi në një seri betejash “fake”, me synimet e gabuara dhe njerëzit e gabuar, që duke dashur të vriste Edi Ramën, e bënte më të fortë. Deri në aktin final të marrëzisë kur dogji mandatet dhe bojkotoi zgjedhjet për pushtetin lokal.
Duke i lënë vetes vetëm pushtetin për listat e mundshme të deputetëve në 2021-shin dhe firmën për listën e makinave që mund të parkohen në oborrin e PD-së. I dyzuar dhe i pavendosur, i pabesueshëm edhe kur shumë shpesh ka shumë të drejtë, Basha hyn verbërisht në betejat që ia zgjedh Rama dhe me armët që vetë Edi ia imponon.
Njëlloj si ato vajzat që kanë provuar shtatzëninë me njeriun e gabuar, ai i shmanget edhe përqafimit politik me njerëzit e duhur, nga frika se mos e pëson sërish.
Në epilog të 2020-ës Edi Rama është përballë murit që deri më tani askush nuk e ka kaluar në Shqipëri: mandatin e tij të tretë. Dy mandate e kanë lodhur dhe dy mandata fatale, si tërmeti dhe pandemia që pothuaj e gjunjëzuan vendin, i kanë dhënë shumë peshë shpinës së tij me hernie pushteti.
Sheh me dëshpërim majtas dhe djathtas vetes dhe gjen vetëm njerëz që i binden si dikur idhujtarët e tij rioshë në bashki. Ata ndodhen aty thelbësisht vetëm për shkak të tij dhe që po për shkak të tij e kanë ambicien shumë më të madhe sesa mundësitë e tyre.
Të mësuar të marrin pa dhënë, të fitojnë duke iu shmangur betejave, të mësuar t’i përulen eprorit për të kërkuar më pas vetëm vartës të përulur, ata janë inercia me mandate politike që i ngatërrohen Ramës nëpër këmbë, pa kuptuar se politika është art që e luan talenti dhe jo prokurim i drejtpërdrejtë që e firmos dikush.
Deri në prillin e fushatës së ardhshme mund të ndodhë gjithçka. Por paradhënia është thënë, kartat janë shkartisur dhe letrat nën mëngë po nisin të dalin jashtë. Rama po i tërheq të gjithë edhe një herë në një ndeshje personale. Ku do të diskutohet për gjithçka dhe asgjë.
Do të jetë betejë me batuta me kundërshtarë që më shumë se kokën e tij, do të hanë kokën e njëri-tjetrit. Pa kohezion, me paranoja reciproke dhe me të bërtitura, me Saliun, Salianjin, por pa Klevisin, shenjat janë se PD-ja do ta tresë shansin e tyre përballë një Rame që dhe kësaj here do t’i shmanget llogaridhënies programore. Me fytyrën mbuluar me maskën e pandemisë dhe të dridhurave të tërmetit, nuk do të lërë kohë për të folur mbi qeverisjen e tij me koncesion.
Nën daullet e luftës askush nuk do të kujtohet të flasë për shumë nga njerëzit e tij që, duke qeverisur në emër të të varfërve, janë bërë shumë më të pasur sot. Për hir të një instrumenti të drejtë demokracie, por të përdorur në mënyrën më të keqe të mundshme, disa mijëra demokratë të skualifikuar nga gara për listën e deputetëve, pjesa më e fortë dhe thelbi natyral i PD-së, do të jenë shumë më pranë Edi Ramës se Lulzim Bashës.
Dhe ata do të bëjnë diferencën në një garë milimetrike në të cilën Edi Rama i ka kundër të gjithë, deri edhe anonimatin ulëritës të pjesës më të madhe apolitike të kabinetit të tij, por ka për aleat, gabimet fatale të kundërsharëve.
Për të qenë rasti i parë që e bën për herë të tretë, jo për meritë vetjake dhe jo se e meriton, por sepse kundërshtarët e tij ia lanë në derë e në dorë. Më pas nuk i dihet se çfarë mund të ndodhë në katër vjet, sa kohë që në Shqipëri, çudia më jetëgjatë e ka jetën me të shkurtër se tre 24-orësha bashkë.
Rama do të rrijë minimalisht në pushtet po aq kohë sa Skënderbeu, siç kanë qejf ta thërrasin njerëzit e tij, ka qenë në luftë me osmanët. Me gjithë pushtetin e grumbulluar në një dorë, pa dashur t’ia dijë as ai vetë se pushteti më i fortë në demokraci, është ai që ndahet dhe ekuilibrohet dhe pavarësisht se kundërshtarët e tij gjithmonë e më të shumtë nuk do të kenë asnjë dyshim se Edi Rama është diktator, e vërteta e tyre nuk do të ketë asnjë vlerë.
Sepse do të gabojnë në një pikë thelbësore. Kryeministrat në Shqipëri kanë pushtet të pakontrolluar. Pushtetin mbi çdo hallkë të shoqërisë ua ofron tradita e njëshit e ngulitur në Shqipëri, pushteti mbi forcën politike ata që drejtojnë dhe vetë Kushtetuta që fsheh një gënjeshtër të madhe fatale: formalisht ajo e bën Shqipërinë republikë parlamentare, në fakt ka vizatuar një republikë tipike presidenciale nën emrin e kryeministrit.
Të tre këto faktorë bashkë e bëjnë kryeministrin në pushtet autoritar në ekstrem, pa qenë fare nevoja të jetë diktator. I tillë ishte Sali Berisha dje, me asnjë gram më pak pushtet sesa ka Edi Rama sot.
I tillë do të ishte edhe Jezu Krishti, nëse Biri i Shenjtë vendos të qeverisë ndonjë ditë shqiptarët, çdonjëri prej të cilëve, i lindur në Tropojë apo banues në Sarandë, i ardhur në Tiranë apo denbabaden me shtëpi qerpiçi e carac në oborr, ka bindjen e patundur se është më i lartë se çdo mbret dhe më i shenjtë se çdo shenjt.