Dimri duket se ka vendosur që të trokasë avash-avash në Shqipëri, pasi deri në ditën e sotme kemi shijuar rrezet e diellit dhe motin e ngrohtë.
Sipas parashikimeve të Meteroalb, nga kjo javë do të nisin edhe uljet e temperaturave. Nga mesi i javës pritet që të kemi edhe reshje të dëborës në zonat malore mbi 1,500 metra mbi nivelin e detit.
Ndërkohë që nuk do të mungojë as prezenca e shirave në pjesën më të madhe të vendit. Konkretisht reshjet do të shtohen gjatë ditës së martë dhe të mërkurë.
Moti në javën që do të nisë do të pësojë ndryshim krahasuar me ditë të tëra plot diell.
Kështu ditën e hënë kthjellimet e mëngjesit do ti lenë vendin dendësimit të vranësirave të cilat në pjesën bregdetare do të pasohen nga shi i dobët, bën të ditur Shërbimi Meteorologjik Ushtarak.
Ditën e martë e deri mëngjesin e së mërkurës në vend do të mbizotërojnë vranësirat e dendura dhe reshjet e shiut. Këto, do të jenë të intensitetit mesatar në mesditë deri në mbrëmje, ndërsa në pjesën bregdetare kryesisht në brigjet e Jonit në formën e shtrëngatave me rrufe.
Në majat e maleve, kryesisht në verilindje reshjet do të kthehen në dëborë të përkohshme.
Kjo situatë do të marrë kthesë të menjëhershme të enjten dhe të premten ku do të mbizotërojë moti me diell dhe vranësirat kalimtare në zonat malore.
Sa i përket temperaturave do të pësojnë ndryshime të ndjeshme veçanërisht mëngjesin e së premtes.
Çadrat deri në mesjavë mos i lini në shtëpi, ndërsa në mëngjeset e së enjtes dhe të premtes duhet të përgatiteni për veshje dimërore!
/NOA.al
Qeveria shqiptare ka paguar paratë për Covax-in dhe tashmë ka hyrë në rrjetin e vendeve që ka prenotuar financiarisht aksesin për vaksinën që pritet të dalë në vijim. Kryeministri Edi Rama tha gjatë fjalës së tij në Kuvend këtë të hënë se kur të dalë vaksina nuk do të mund që të jetë e gatshme për të gjithë popullsinë.
Megjithatë ai u shpreh se qeveria ka një strategji. Fillimisht do të vaksionohen personat vulnerabël, ndërsa më pas vaksinimi do të vazhdojë falas për të gjitha shtresat e popullsisë.
“Qeveria ditën e sotme ka paguar kaparin për Covax-in. Ka hyrë në rrjetin e shteteve që kanë prenotuar financiarisht aksesin në vaksinën që pritet të dalë për përdorim masiv në muajt që vijnë. Po ashtu jemi në komunikim të përditshëm me BE-në, unë kam pasur një bisedë të gjatë me Presidenten e KE-së, me disa nga kryeministrat për të garantuar qartësi dhe siguri për aksesin në vaksinimin e popullsisë duke pasur parasysh që vaksina do të dalë, por sasitë që do të jenë të disponueshme nuk do të jenë menjëherë të atilla që do të mbulojnë popullsinë e përgjithshme të Europës, apo edhe të cilitdo vend. Të gjitha vendet kanë një strategji, ne kemi të njëjtën strategji për të vijuar me vaksinimin falas të të gjithë kategorive më të prekshme, më vulnerabël, dhe pastaj për ta shtrirë vaksinimin falas në të gjitha shtresat e popullsisë. Ne sot jemi gati për të pasur askes dhe ndërkohë po punojmë si edhe të tjerët për të ndërtuar aleancat e duhura në mënyrë që të mos mbetemi mbrapa të tjerëve. Këtë po bëjnë të gjithë, këtë po bëjmë edhe ne”, tha Rama.
Koronavirusi duket se ka prekur edhe familjen e kryeministrit Edi Rama. Në fjalën e tij sot në Kuvend, ai la të kuptohej se dhe në familjen e tij ka pasur të infektuar nga Covid, por as ata, as ministrat e kabinetit qeveritar që e kanë kaluar apo po e kalojnë Covid-19, nuk kanë shkuar në Turqi.
Rama tha se nuk i ndalohet askujt që beson se mund të marrë një shërbim më të mirë jashtë vendit, konkretisht në Turqi, por theksoi se në këto momente, në këtë situatë, për këtë sëmundje, në spitalet jashtë vendit nuk gjen asgjë më shumë se në Shqipëri.
“Për mos dhënë shembuj dhe të familjes tani për të thënë që nuk shkojmë ne në Turqi. Për një arsye të thjeshtë jo se nuk ka shërbim shumë më të specializuara në spitalet e Evropës, kur vjen puna për sëmundje të veçanta, por se në këtë rast me këtë sëmundje s’ka asgjë jashtë Shqipërisë që nuk është në Shqipëri, asgjë, as ndonjë protokoll të vecantë shoqëror, as ndonjë aparatur‰ të vecantë as staf mjekësh me përkushtim që këta tanët nuk e kanë. Thonë që shkojnë qeveritarët në Turqi, nuk është e vërtetë, ne s’ndalojmë njeri të shkojë meqë rruga është e hapur, por asnjë qeveritar s’ka shkuar në Turqi e janë disa që e kanë kaluar e po e kalojnë Covidin nga ministrat, asnjë s’ka shkuar”./noa
Pas interpelancës së kërkuar për Sandër Lleshajn, në lidhje me situatën e rendit në vend dhe rritjen e trafikut të drogës, deputeti i opozitës parlamentare, Korab Lita ka marrë sërish fjalën dhe e cilësoi ministrin e Brendshëm si “më të dështuarin” në krye të këtij institucioni qeveritar.
“Kur inskenoni ndonjë operacion, arrestoni kryeplakun e fshatit që paguhet me 10 mijë lekë në muaj. Apo ndonjë fshatar me 10 rrënjë kanabis. Pika që s’ju bie! Çfarë është bërë me ngjarjet e rënda në vend, vrasjet e grabitjet? Në Tv jepen me autorë, ngjarje të zbuluara, por më pas përfundojnë pa autorë, të pezulluar, – tha Lita. – Gjergj Cukalin e arrestuat me bujë, por në fund e liruat për mungesë prove. Kush mban përgjegjësi për arrestimet e gabuara. Çfarë u bë me vrasjen e dyfishtë në Malësinë e Madhe? Ti je ministri më i dështuar që ka pasur ministria e Brendshme ndonjëherë, nëse do të kishe pak nder morali dhe ushtarak kurrë nuk do të përdorje figurën e policit në formë fyerje. Ty në ministri nuk të bindet askush. Ti e urren figurën e policit“.
Në replikë, Lleshaj tha se qëllimi i deputetëve të opozitës është të thotë parrulla politike.
“I gjithë qëllimi i interpelancës urgjente është për të marrë foltoren dhe për të thënë nja 2 -3 parulla politike, të cilat nuk di se kush do i dëgjojë dhe çfarë dobie do iu sjellin, uroj që t’ju sjellin, por të jeni të bindur që nuk do ju sjellin gjë”. /noa.al/
Deputeti Adriatik Alimadhi është përjashtuar me 5 ditë nga seancat parlamentare në Kuvendin e Shqipërisë. Ky vendim erdhi pas pzullimit të tij ditën e seancës parlamentare të të datës 5 nëntor.
Kryetari i parlamentit, Gramoz Ruçi nuk pranoi t’i jepte fjalën për të replikuar pas debatit mes kryeministrit Edi Rama dhe deputetit Kujtim Gjuzi, ndërsa Alimadhi iu drejtua Ruçit duke e ofenduar “komunist i ndyrë”.
Deputeti i opozitës parlamentare, i prekur nga sëmundja e Covid 19 para disa muajsh, ka shpëtuar pas qëndrimit prej më shumë se një muaji në spital i intubuar.
Në statusin e tij ku njoftoi dhe se ishte pozitiv, Alimadhi akuzon kryeministrin Rama për mungesën e infrastrukturës në spitale dhe për autoambulancën e rrënuar, e cila e kishte çuar për në Sanatorium ku edhe bëri analizat.
Ndër të tjera, deputeti kërkon llogari se përse nuk është interesuar askush për të afërmit e tij, të cilët kanë qenë në kontakt të dhe deri më tani nuk është interesuar askush për gjendjen. /noa.al/
Eksperti i shëndetit public, Erion Dasho ka reaguar pas bashkëbisedimit të sotëm të Ministres së Shëndetësisë Ogerta Manastirliu, ku foli për situatën kaotike në vend për shkak të përhapjes së Covid-19.
Përmes një statusi të titulluar “Një aktore e keqe në një interpretim patetik”, Dasho ka akuzuar Manastirliun si një person të paaftë për atë pozicion, teksa e ka këshilluar të japë dorëheqjen dhe t’i lë vendin një eksperti.
Reagimi i plotë i Erion Dashos:
Një aktore e keqe në një interpretim patetik
Më erdhi çudi kur një mesazh i një miku më sugjeroi të shikoja një fjalim prej më shumë se një orë të ministres së shëndetësisë për gazetarët.
Sigurisht, duke mos e patur kohën të tepërt dhe duke shfrytëzuar mundësinë që të jep teknologjia shpenzova rreth 5 minuta për të kuptuar se fjalimi ishte demagogji e pastër e stilit rilindas, pa asnjë përmbajtje, të cilin ministrja si aktore mediokre e interpretonte me gjestikulacione dhe një tonalitet zëri thellësisht patetik.
Tema kryesore ishte “do të”, pra nami që do të bëjë ministrja në të ardhmen (ndoshta kur COVID të ketë ikur) dhe çuditërisht lajmi se do të vijnë (përsëri “do të” vijnë) 200 mijë teste për COVID.
Kjo pavarësisht se shefi i vet, kryeministri, dje tha se testet kërkojnë ti bëjnë ata që kanë interesa të lidhura me kompanitë farmaceutike dhe se testet nuk kanë vlerë.
Megjithëse bëra edhe një status të shpejtë me këtë temë, miku virtual nuk u kënaq dhe sërish më pyeti “Po për fundin e intervistës çfarë mendon?” Me insistimin e tij se në atë fund interviste ministrja bënte një debat në distancë me ato që kam shkruar e folur unë gjatë muajve të fundit, i pashë edhe 10 minutat e famshme.
Nuk e di dhe as jam i interesuar ta di në se debati ka qënë me mua apo kolegë të tjerë të mi, por ato 10 minuta më lanë një shije shumë të keqe.
Së pari, ministrja duke harruar se nuk jeton as në Bjellorusinë e Lukashenkos dhe as në Korenë e Kim Jong-unit i jepte porosi gazetarëve se kë ekspert duhet të intervistojnë dhe kë jo.
Së dyti, me një falsitet revoltues promovonte mjekët e familjes dhe ata të spitaleve COVID duke theksuar se ata po luftojnë çdo ditë me “armikun e padukshëm” dhe po përballohen me privacione të përshkruara sërish me stil patetik. Këtyre mjekëve ministrja bën mirë t’u dërgojë protokollet dhe t’i trajnojë si t’i përdorin pasi deri tani i ka dërguar në luftë me pushkë me gjalm. Mjekët të ç’orientuar kanë bërë shpesh (shumë herë jo për faj të tyre) gafa duke shkaktuar më shumë dëm se sa dobi
Së treti, midis kolegëve ka mantelbardhë heronj, sikundër ka edhe pazarexhinj që po marrin përqindje nga farmacitë dhe çarterat e Turqisë apo që i kanë kthyer klinikat private në çerdhe spekulimi. Ministrja bën mirë të ndajë miellin nga krundet që gazetarët të mos t’i shërbejnë spekulantëve në vend të engjëjve.
Zonja ministre,
Sot duke ju parë në konferencën për shtyp më kujtuat ata nxënësit e dobët që kur shkruanin ndonjë hartim mediokër, e lexonin me intonacion me qëllim që të preknin zemrën e mësuesit për ndonjë notë më tepër.
Më erdhi keq për orët që kam harxhuar me ju në vitin 2013, kur erdhët si drejtore e QSUT-së dhe mbaje me vete një libër menaxhimi. Mundohesha të sqaroja parimet e menaxhimit shëndetësor dhe rolin e teknologjisë, por më kot se vetmja gjë që kërkove nga qendra e telemjeksisë ishte një faqe interneti. Kaq ishte dhe kaq ngeli “vizioni” juaj në QSUT!
Më shumë keq më erdhi për orët e kaluara në mars 2020 në zyrën tuaj kur mundohesha të mbushja mendjen tuaj dhe të komitetit se nevojitej përfshirja e mjekëve të familjes në dhënie këshillash telefonike për qytetarët e kthyer nga Italia, për të vendosur një sistem survejance dixhitale, për të filluar trajnimin e mjekëve në spitalet rajonale dhe për të forcuar sistemet e logjistikës. Këto masa, ju dhe komisioni juaj i “heronjve” nuk i keni marrë as sot dhjetë muaj më pas!
Prandaj, zonja ministre, më lejoni t’ju jap një këshillë të tretë dhe qoftë e vërteta.
Ikni dhe lërini vendin dikujt që di të hartojë politika shëndetësore dhe strategji, dikujt që ka aftësi organizative, dikujt që dëshiron t’u shërbejë qytetarëve dhe jo oligarkëve.
Do të bëni mirë t’i kurseni qytetarëve patetizmat dhe t’i lini të jetojnë.