Aktualitet

Vetting për ish-punonjësit e policisë, Hodaj: Janë 3 faza procesi

Vettingu në Polici për 13 mijë punonjës, ka bërë jehonë edhe në mediet e huaja, aty ku theksohet se përmes këtij procesi që pritet të zgjatë deri në 15 muaj, do të jetë jetë një pastrim nga “mollët e kalbura”.

Ky proces do të kalojë në 3 faza ku punonjësit nga grada më e lartë deri ata me nivel zbatues, do të kalojnë në 3 komisione. Vetting do të ketë edhe për ish-punonjësit e policisë, mjafton që ata të mos kenë qenë të përjashtuar. Për të rinjtë që do të futen rishtas në polici, do të duhet që në krye të herës të dorëzojnë dokumentet për pastërtinë e figurës dhe deklaratën e pasurisë.

Po ashtu do të jenë pjesë e një vlerësimi periodik një herë në 3 vjet. Projektligji i jep mundësinë policëve që të mos i nënshtrohen procesit të Vettingut. Brenda 30 ditësh nga hyrja në fuqi e këtij ligji ata mund të japin dorëheqjen me shkrim duke mos iu nënshtruar Vettingut.

Ndërsa ata që i nënshtrohen Vettingut dhe nuk e kalojnë, do të përjashtohen nga policia dhe do të ndiqen penalisht. Të gjithë ata që nuk do të mund të kalojnë Vettingun, kanë të drejtë t’i drejtohen Gjykatës nëse nuk janë dakord me këtë vendim.

Vetting për ish-punonjësit e policisë, Hodaj: Janë 3 faza procesi Read More »

Llalla tërhiqet nga e drejta për të qenë gjyqtar

Ish-kryeprokurori Adriatik Llalla ka kërkuar që të mos jetë subjekt i ligjit të Vettingut. Përmes një kërkese drejtuar organeve të Vettingut, Llalla njofton se dorëhiqet nga sistemi i drejtësisë. Kësisoj, Llalla tërhiqet nga e drejta për të qenë gjyqtar i Apelit.

Tërheqja nga sistemi i drejtësisë bën që procesi i Vettingut ndaj Llallës të ndërpritet, por për këtë çështje do vendosë Komisioni i Pavarur i Kualifikimit nëse Llalla do i shpëtojë apo jo Vettingut për pasurinë dhe integritetin profesional. Llalla bën pjesë në listën prej 56 personave që po kalon në filtrin e Vettingut.

Adriatik Llalla është akuzuar publikisht pak kohë më parë nga ambasadori amerikan në Tiranë si Prokurori që refuzoi të hetojë politikanët e korruptuar. Akuza në drejtim të Llallës ka pasur edhe nga maxhoranca për “kyçjen” e disa dosjeve të krimit dhe korrupsionit në vend.

Mandati i tij si Kryeprokuror përfundoi në datën 7 dhjetor 2017, ndërsa në 18 dhjetor Kuvendi zgjodhi si pasuese të Llallës, por me mandat të përkohshëm, ish-prokuroren e Shkodrës, Arta Marku.

Llalla tërhiqet nga e drejta për të qenë gjyqtar Read More »

Xhafaj i pakënaqur me policinë e Vlorës: Disa ngjarja ende pa autorë

Ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj ishte në Vlorë ku shprehu shqetësimin se disa ngjarje kriminale janë ende pa autorë.

Xhafaj ka thënë gjithashtu se prioritet mbtet lufta ndaj krimit të organizuar dhe grupeve kriminale. Ministri Xhafaj shoqërohej nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë Ardi Veliu dhe Drejtori Vendor Gentian Sheha.

“Konstatojmë me keqardhje se disa ngjarje kriminale në Vlorë kanë mbetur ende pa autor. Kjo është shqetësuese. Nuk jemi të kënaqur me punen e drejtorisë vendore në Vlorë. Besoj se drejtori i Përgjithshëm do të marrë masat e duhura. Në Vlorë ka disa ngjarje kriminale dhe vrasje të pazbuluara çka nuk ndodh ne qarqet e tjera, ka thënë Xhafaj në analizën e punës së Drejtorive Vendore të Policisë Vlorë dhe Fier.

Xhafaj i pakënaqur me policinë e Vlorës: Disa ngjarja ende pa autorë Read More »

Anija ushtarake amerikane Ross po zhvillon një vizitë portuale në portin e Vlorës

Anija ushtarake amerikane Ross po zhvillon një vizitë portuale të planifikuar më parë për të forcuar marrëdhënien tashmë jetëgjatë midis dy vendeve tona dhe për t’u lejuar marinarëve mundësinë të përjetojnë mikpritjen e Vlorës dhe kulturën e pasur të Shqipërisë. Këto lloj vizitash demonstrojnë përkushtimin tonë ndaj stabilitetit rajonal dhe sigurisë detare në këtë rajon jetësor të botës.

Anija do të qëndrojë tre ditë në portin e Vlorës, në kuadrin e bashkëpunimit dhe marrëdhënieve ushtarake dypalëshe.

Anija Ross ka në bord një ekuipazh prej 350 vetë dhe ka qenë pjesë e dhjetëra operacioneve ushtarake, më e fundit e tyre në Siri. Pas Shqipërisë, anija do t’i drejtohet Spanjës dhe më pas SHBA.

Fotografia e ONETV VLORA

Fotografia e ONETV VLORA

Anija ushtarake amerikane Ross po zhvillon një vizitë portuale në portin e Vlorës Read More »

Rikthehen reshjet e borës në pjesën më të madhe të vendit, ja zonat që do zbardhen sot dhe nesër

Gjatë ditës së sotme do të mbizotërojë një mot i paqëndrueshëm, me reshje shiu dhe bore në lartësitë 600 metra mbi nivelin e detit.
Ndërsa dita e diel do ketë më pak reshje shiu e bore.

Kështu thuhet në parashikimin e motit nga Instituti i Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit.

Parashikimi i plotë:

Nga llogaritjet hidrologjike të IGJEUM, rezulton se sot (e shtunë, dt.10) dhe nesër (e diel, dt.11) lumi Drin, Buna dhe Liqeni I Shkodrës do të vazhdojnë të kenë prurje dhe nivele të larta. Lumenjtë e tjerë në të gjithë territorin nuk paraqesin rrezik.

Ky informacion do të përditësohet nga IGJEUM sipas llogaritjeve të ardhshme dhe do të njoftoheni për çdo ndryshim në parashikimin e përmbytjeve.

RESHJET

Sot pasdite (e shtunë, dt.10) dhe nesër (e diel, dt.11) priten reshje të dobëta deri lokalisht mesatare (siç tregohet në tabelë, respektivisht për secilin qark).

Në lindje, në zonat malore priten reshje dëbore në 600m mbi nivelin e detit (në zona të kufizuara edhe më poshtë se ky nivel).

(shënim: në rastin e reshjeve të dëborës, 1 mm reshje = 1 cm dëborë e re)

TEMPERATURAT

Nesër (e diel, dt.11) temperaturat minimale dhe maksimale të ajrit pritet të arrijnë:

në bregdet: 7 / 11

në vendet e ulëta: 7 / 10

në vendet malore: 0 / 4 °C.

ERA

Sot (e shtunë, dt.10) pritet të fryjë mesatare, deri e fortë në bregdet dhe veri-lindje, ndërsa nesër (e diel, dt.11) do të fryjë e lehtë deri mesatare.

Rikthehen reshjet e borës në pjesën më të madhe të vendit, ja zonat që do zbardhen sot dhe nesër Read More »

Artistët e Teatrit Kombëtar në rrugë, ndërsa pedagogët e Universiteteve pa rroga

Bllokohen pagat për stafet e universiteteve shtetërore. Aktorët nxirren jashtë Teatrit Kombëtar sepse do ndërtohet një pallat. Ligji i ri për artin përcakton se çdo projekt artistik dhe shfaqje duhet të miratohen nga qeveria dhe askush nuk reagon…

-Artistët dhe pedagogët janë dy kategoritë që dikur kanë shkundur diktaturën dhe qeveritë. Është koha të mos presin që shpëtimi t’u vijë nga partitë dhe opozita. Nëse vazhdojnë vetëm të ankohen në media dhe rrjete sociale asgjë nuk do ndryshojë. Nëse vërtetë janë kaq të rrezikuar nga qeveria le të dalin në shesh. Të jenë të bindur se do të mbledhin më shumë shqiptarë se çdo parti politike.

Pas dështoi të merrte Federatën Shqiptare të Futbollit, tashmë qeveria është lëshuar të kap artin dhe intelektualët. Ngjarjet e ditëve të fundit me projektligjin për artin dhe ndryshimin e godinës së Teatrit Kombëtar, si dhe bllokimi i pagave të pedagogëve të universiteteve shtetërore, janë skandaloze, jo thjeshtë për komunitetin e artistëve dhe pedagogëve, por për gjithë shoqërinë. Në fakt duket si një hakmarrje ndaj njerëzve të artit. Shoqatat e artistëve kundërshtuan disa ditë më parë projektin për zhvendosjen e Teatrit Kombëtar. Pa i pyetur dhe pa u konsultuar me komunitetin e gjithë aktorëve të vendit, Ministria e Kulturës ka marrë vendimin të zhvendosë teatrin në një objekt tjetër. Sipas artistëve, godina e re që quhet “Turbina” nuk plotëson kushtet minimale për punën e tyre. Sipas Ministrisë së Kulturës zhvendosja do të jetë provizore. Zgjidhja përfundimtare për godinën, sipas ministrisë, do jetë në vendin ku ndodhet sot Teatrin Kombëtar por e futur brenda një kulle private. Pra qeveria ka miratuar të ngrihet një kullë e madhe tregtare dhe banimi, e cila brenda saj do të ketë edhe teatrin. Një ide e tillë, sipas artistëve, është skandaloze. Nëse realizohet, praktikisht do të kemi një godinë të madhe për dyqane, lokale, qebaptore dhe ndonjë hyje pallati për të shkuar në teatër.  Nëse qeveria është e vendosur t’i  shkojë deri në fund këtij projekti më mirë të pranohet se Shqipëria nuk do të ketë më teatër dhe e vetmja vlerë artistike e vendit të jenë kullat shumëkatëshe dhe restorantet e pesë apo gjashtë biznesmenëve më të fuqishëm të Shqipërisë, të cilët kanë kapur qeverinë dhe e drejtojnë ata e jo populli apo parlamenti.

Veç faktit që shumë shpejt mund të jenë në rrugë pa godinë funksionale, një projektligj i ministrisë për kulturën kërcënon direkt ekzistencën e tyre. Projekti ligjor që është kundërshtuar ashpër nga emrat me në zë të skenës shqiptare, as më shumë dhe as më pak, rikthen censurën shtetërore. Sipas ligjit, bordet e teatrove dhe kompanive artistike për çdo projekt artistik duhet të marrin leje nga Ministria (Qeveria). Veç atyre që punojnë në kompanitë shtetërore, leje duhet të marrin dhe kompanitë private që operojnë në treg. Gjithashtu, anëtarët e bordeve të këtyre kompanive do të emërohen nga Ministria e Kulturës. Praktikisht, gjithë arti hyn nën kontrollin e rreptë të Qeverisë dhe asnjë shfaqje nuk mund jepet nëse nuk ka marrë më parë lejen nga institucionet e duhura. Kjo do të thotë se nëse një projekt duket pak si shumë opozitar dhe nuk i përshtatet kohës së Rilindjes, nuk mund të realizohet. Kjo do të thotë edhe se paratë do t’i marrin ata artistë që janë miqësorë me qeverinë dhe ministrinë. Në fund, qytetarët me taksat nuk do të paguajnë artin, por propagandën e radhës së qeverisë. Një ligj i tillë mund të emërtohet në mënyra të ndryshme nga ministria dhe qeveria, por fakti është se ka vetëm një emër; censurë. Artistët nuk është se kanë shkëlqyer këto vite në ndërgjegjësimin e qytetarëve për keqqeverisjen, por edhe të miratosh një ligj që kërcënon direkt mbijetesën ekonomike të artistëve është censurë kriminale. Ndaj me të drejtë, ikona e skenës shqiptare Robert Ndrenika tha gjatë takimit me artistët se “kemi aktorë të mrekullueshëm dhe paguhen për një kafshatë bukë. Kur të vënë litarin e bukës, ai është më i tmerrshmi nga të gjitha”.

Ndërkohë që artistët kanë zhvilluar disa takime për këtë situatë të pazgjidhur deri më sot, një tjetër zhvillim negativ po ndodh me pedagogët e universiteteve publike. Në datën 9 shkurt e gjithë trupa akademike ende nuk ka marrë rrogat e muajit janar. Dhe mendohet se deri nga fundi i muajit do jenë të bllokuar pagat. Janë mijëra anëtarë të stafeve universitare në Tiranë, Durrës, Shkodër, Vlorë, Elbasan, Korçë dhe Gjirokastër që, siç deklarojnë vetë në media, nuk kanë asnjë përgjigje zyrtare nga Ministria e Arsimit. Një situatë e tillë nuk ka ndodhur as në kohën e komunizmit. Universitet kanë mijëra probleme, por si të gjithë që janë në marrëdhënie pune me institucionet shtetërore, pedagogët kanë një kontratë që nuk është respektuar nga shteti. Justifikimi i qeveritarëve është se mungon një Vendim i Këshillit të Ministrave. Një qëndrim i tillë është banal dhe tregon se qeveria nuk i krahason pedagogët as me punonjësit e nderuar të shërbimeve komunale, që pagat i marrin në datën e caktuar. Problemet e artistëve dhe pedagogëve, në dukje janë të ndryshme. Ajo që i bashkon të dyja hallet e intelektualëve është qeveria. Mënyra sesi po sillet mazhoranca dhe vendimet publike që po merr duket se kanë vetëm një synim nënshtrimin, talljen dhe censurën.

Artistët dhe pedagogët janë dy kategoritë që dikur kanë shkundur diktaturën dhe qeveritë. Është koha të mos presin që shpëtimi t’u vijë nga partitë dhe opozita. Nëse vazhdojnë vetëm të ankohen në media dhe rrjete sociale asgjë nuk do ndryshojë. Nëse vërtetë janë kaq të rrezikuar nga qeveria le të dalin në shesh. Të jenë të bindur se do të mbledhin më shumë shqiptarë se çdo parti politike.

Artistët e Teatrit Kombëtar në rrugë, ndërsa pedagogët e Universiteteve pa rroga Read More »

Qytetarët ‘shkundin’ Kryeministrinë, protestojnë për të mos i falut grekëve detin

Qindra protestues janë mbledhur sërish sot në protestë kundër marrëveshjes së Edi Ramës me grekët, ku do të falen të paktën 22.1 kilometra det. Protesta po zhvillohet para kryeministrisë.

Edhe pse Rama dhe ministri i tij, që ka bërë negociatat me grekët, Ditmir Bushati, mundohen që ta justifikojnë faljen, duke e përkthyer në një marrëveshje, sot kanë dalë detaje të reja.

Shqipëria me vendim të Edi Ramës i ka falur Greqisë, dy fushat më të mëdha me gaz e naftë në detin Jon.

Pak ditë më parë shoqëria civile i ka dorëzuar Edi Ramës një letër ku i ka kërkuar arsyet se pse ka falur detin.

Sigurisht që Edi Rama nuk ka denjuar të kthejë përgjigje dhe vazhdon të mbajë sekrete marrëveshjen me Greqinë, ku i ka falur pasuritë e vendit në këmbim të votës për hapjen e negociatave.

Qytetarët ‘shkundin’ Kryeministrinë, protestojnë për të mos i falut grekëve detin Read More »

Tjetër objekt do shembet sot me C4

Një tjetër ndërtesë do të shembet sot përgjatë shtratit të lumit Gjanica në Fier. Një godinë 5 katëshe e cila kryente funksiononin e hotelit do të shembet me shpërthim të kontrolluar.

Në trupin e objektit pesë katësh jane hapur 400 furnella (vrima) dhe do të përdoren 6 kg lëndë eksplozive. Shpërthimi do të kryhet në orën 12.00, ndërkohë që IKMT lajmëron edhe njëherë qytetarët të zbatojnë lajmerimet e specialistëve.

Inspektoriati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit, është vendosur në Fier ku po bëhet shembja e godinave të ndërtuara përgjatë shtratit të lumit Gjanicë.

Në total për tu prishur përgjatë gjithë shtratit të lumit Gjanicë janë 24 objkete, me 33 pronarë ndërsa 17 prej tyre do të përfitojnë dëmshpërblim që shkon në vlerën e rreth 4 miliardë lekëve. Fatin e dy objekteve të shembura me C4 e kanë objektet të cilat janë me më shumë se 3 kate

Paralelisht me shembjen ka nisur edhe pastrimi i të gjithë territorit nga mbetjet inerte, ndërsa pritet që në këtë hapësirë të zbatohet projekti për rikonceptimin e qendrës së qytetit, njëkohësisht edhe rehabilitimi i lumit Gjanicë.

Tjetër objekt do shembet sot me C4 Read More »