Aktualitet

Kreshma e Pashkës fillon të hënën më 19 shkurt 2018, ja rregullat që duhen ndjekur

Kisha Ortodokse Autoqefale Shqiptare ka njoftuar sot se Kreshma e Madhe fillon të hënën, dt. 19 shkurt dhe zgjat deri në kremtimin e Pashkës, dt. 8 prill.

Kreshma e Pashkës së Madhe është një kreshmë e veçantë me karakter të thellë pendimi, si periudhë përgatitore për kremtimin e Pashkës.

Kreshma e Madhe fillon gradualisht. Duke filluar nga nesër dt.12 shkurt heqim mishin dhe produktet e tij nga përdorimi, pra nuk hamë mish deri ditën e Pashkës. Këtë javë nga dt.12 – 18 shkurt përdorim prodhimet bulmetore dhe peshkun. Dhe nuk hamë më nga dt.19 shkurt deri për Pashkë.

Çfarë hamë dhe nuk hamë:

Nuk lejohen përdorimi i mishit dhe i produkteve të tij, as i peshkut, bulmetit, vezës, por hahen perimet, zarzavatet, frutat, frutat e detit, gatime e produkte brumërash, vera dhe vaji (përdorimi apo privimi i vajit e verës varet nga udhëzimet e atit shpirtëror).

E Hëna, e Marta, e Mërkura e javës së parë të fillimit të kësaj kreshme, quhen të bardhë sepse nuk hahet dhe nuk pihet. Ky privim i fortë bëhet edhe të Premten e Madhe (të premten e Javës së Madhe para Pashkës). Për këtë lloj privimi në këto ditë nevojitet biseda paraprake me atin shpirtëror (priftit ku rrëfehemi), duke ditur larminë e madhe të mundësive, kushteve, vështirësive e faktorëve ndryshëm të besimtarëve dhe jetës së tyre.

Të Shtunave dhe të Dielave gjatë Kreshmës së Madhe, me përjashtim të së Shtunës së Madhe (që është kreshmë e fortë) mund të përdorim vaj dhe verë (edhe për këtë veprojmë sipas udhëzimeve të atit tonë shpirtëror).

Lejohet te hahet peshk vetëm në festën e Ungjillëzimit, në dt. 25 Mars dhe të Dielën e Palmave (Dafinave) që këtë vit bie dt. 1 Prill.

Shënim i rëndësishëm:

Kalendari ynë kishtar është hartuar në mënyrë të tillë që të na drejtojë me zell në rrugën e duhur në jetën tonë shpirtërore. Në të ka shumë ditë kreshmimi të cilat na përgatisin për ditët e festave.

 

Gjithashtu është e këshillueshme që çdo i krishterë orthodhoks të këshillohet me atin shpirtëror (priftit ku rrëfehemi) përsa i përket nevojave personale për të kreshmuar.

Ka mënyra të ndryshme kreshmimi që varen nga udhëzimi i atit shpirtëror.

Gjatë gjithë kreshmës Kisha rekomandon pakësimin e sasisë së ushqimit që konsumoni çdo vakt dhe të mos hahet ndërmjet vakteve.

Kreshmoni (mos hani) për disa ushqime dhe pije që ju pëlqejnë më shumë (ëmbëlsira, alkool) dhe për disa zakone apo varësi (të pirit duhan, televizori, radio, facebook etj).

Bisedoni me atin shpirtëror dhe merrni bekimin e tij për arsye shëndetësore, për gratë shtatëzëna dhe për raste të tjera të veçanta.

Pse kreshmojmë:

  • Kreshma na bën të vetëdijshëm për varësinë tonë tek Perëndia.

  • Kreshma na ndihmon të krijojmë disiplinë personale.

  • Kreshma shërben si një periudhë ndriçimi, veçanërisht për të na përgatitur për kremtimin shpirtëror dhe misionin e krishterë.

  • Kreshma është periudhë që zbulojmë nevojat tona të vërteta.

  • Kreshma është shenjë vuajtjeje dhe pendimi.

Si të kreshmojmë:

  • Mbani kreshmë shenjtëruese.

  • Kaloni më shumë kohë me Perëndinë gjatë Kreshmës.

  • Kombinoni bamirësinë me kreshmën.

  • Ruani një shpirt përulësie, pendimi dhe faljeje.

  • Kreshmoni në fshehtësi.

*Kreshmoni me gëzim.

Kreshma dhe familja

– Diskutoni me familjen përpara se të fillojë Kreshma, për rëndësinë e të kreshmuarit, sesi do të kreshmojë familja juaj dhe për çfarë feste të madhe po përgatiteni.

– Gjatë periudhës së kreshmës të heqim dorë nga diçka e veçantë për ne.

– Të reduktojmë pak sasinë e ushqimit që hamë.

– Nga paratë e kursyera nga kreshma të bëjmë diçka për njerëzit në nevojë.

– Rriteni aktivitetin tuaj shpirtëror (lutuni në komunitet dhe personalisht vetëm për vetëm me Zotin, lexoni çdo ditë Biblën, lexoni jetë shenjtorësh dhe shkrime të tjera të shenjta të Kishës).

– Mos e kufizoni përfitimin nga kreshma thjesht duke hequr dorë nga ushqimi, sepse kreshmë e vërtetë do të thotë të shkëputesh nga e keqja.

– Prishni çdo lidhje të padrejtë, hidhni tutje çdo pakënaqësi ndaj të afërmit tuaj, faleni për ofendimet e tij ndaj jush.

– Mos u grindni.

– Kujdes! Ju nuk hani mish, por mërzitni me grindje të tjerët; nuk pini verë, por vazhdoni të fyeni të tjerët. Nëse jetoni kështu, përpjekja e kreshmës nuk ka dobi.

Kreshma e Pashkës fillon të hënën më 19 shkurt 2018, ja rregullat që duhen ndjekur Read More »

Shifrat e frikshme: Shqipëria po shuhet, shtesa natyrore e popullsisë ra me 16.5% në 2017

INSTAT ka publikuar sot të dhëna të tjera demografike që tregojnë një situatë alarmante për sa i përket shtesës natyrore të popullsisë, teksa po bien lindjet dhe po rriten vdekjet. Numri i lindjeve për tremujorin e katërt 2017 rezulton 7.931, duke shënuar një rënie me 2,3%, në krahasim me tremujorin e katërt 2016. Gjatë vitit 2017, kanë lindur 30.869 foshnje, duke shënuar një rënie me 2,7%, krahasuar me një vit më parë. Numri i vdekjeve për tremujorin e katërt 2017 rezulton 5.408, duke shënuar një rënie prej 6,9%, krahasuar me tremujorin e katërt 2016. Numri i vdekjeve në vitin 2017, është 22.232 persona, duke shënuar një rritje me 3,9%, krahasuar me një vit më parë.

Shtesa natyrore e popullsisë në tremujorin e katërt 2017 është 2.523 dhe rezulton me rënie 8,0%, në krahasim me tremujorin e katërt 2016. Ky tregues për vitin 2017 është 8.637 dhe rezulton me rënie 16,5% krahasuar me një vit më parë. Në tremujorin e katërt 2017, shtesa natyrore e popullsisë për 12 qarqet e Shqipërisë, shënon vlerën më të lartë në Qarkun e Tiranës, ku numri i lindjeve tejkalon me 1.191 numrin e vdekjeve. Me shtesë natyrore të lartë paraqitet Qarku i Durrësit me 375 lindje më shumë se vdekje, pasuar nga Qarku i Dibrës me 257 lindje më shumë se vdekje.

Shtesa natyrore e popullsisë, në tremujorin e katërt 2017, regjistron vlerë negative vetëm në dy qarqe (Gjirokastër dhe Korçë). Vlera më e ulët shënohet në Qarkun e Gjirokastrës, ku numri i vdekjeve tejkalon me 41 numrin e lindjeve. Bashkë me emigracionin e lartë, rënia e lindshmërisë në nivelet më të larta historike është tregues i qartë se shoqëria po përjeton një fazë depresioni, me pasoja të rënda në të ardhmen (koment i Monitor). Bizneset e arsimit parashkollor shumë shpejt do të vihen në vështirësi dhe tregu do të përballet me humbjen e forcës së aftë të punës.

Lindjet

Sipas INSTAT, numri më i ulët i lindjeve për tremujorin e katërt 2017 regjistrohet në Qarkun e Gjirokastrës, 158 lindje, me një rënie prej 6,0%, në krahasim me tremujorin e katërt 2016. Numri më i madh i lindjeve regjistrohet në Qarkun e Tiranës me 2.529 lindje, të cilat shënojnë rritje me 2,8% në krahasim me tremujorin e katërt 2016. Shtatë qarqe pësuan rënie të numrit të lindjeve në tremujorin e katërt 2017, krahasuar me tremujorin e katërt 2016. Rënien më të madhe të numrit të lindjeve gjatë kësaj periudhe e shënon qarku i Elbasanit me 15,0 % dhe qarku i Beratit me 13,7 %.

Vdekjet
Numri më i lartë i vdekjeve për tremujorin e katërt 2017 regjistrohet në Qarkun e Tiranës, me 1.338 vdekje, me një rënie prej 7,5%, në krahasim me tremujorin e katërt 2016. Numri më i ulët i vdekjeve regjistrohet në Qarkun e Kukësit, me 142 vdekje, me një rritje prej 0,7%, në krahasim me tremujorin e katërt 2016. Rënia më e madhe e numrit të vdekjeve në krahasim me tremujorin e katërt 2016, është regjistruar në Qarkun e Dibrës me 41,9 %. Në tremujorin e katërt 2017, gjithashtu, me rënie të numrit të vdekjeve paraqitet Qarku i Beratit me 15,9%, Qarku i Durrësit me 8,3% dhe Qarku i Fierit me 8,1% krahasuar me tremujorin e katërt 2016./ Monitor

Shifrat e frikshme: Shqipëria po shuhet, shtesa natyrore e popullsisë ra me 16.5% në 2017 Read More »

Kërkohet arrestimi i Koço Kokëdhimës për thirrje antikushtetuese, ndërhyn ministri i brendshëm

Sot Koço Kokëdhima ka bërë thirrje në një status të tij, si lider i levizjes politike që drejton, si ish-deputet dhe njeri i medias, për të rrëzuar kryeministrin Rama me çdo mënyrë dhe kusht. Kokëdhima edhe para disa ditëve bëri thirrje për një Avni Rustem të dytë, kur po diskutohej falja e detit, bile nënkuptoi se do të ishte vetë një Avni Rustem për të mbrojtur kufijtë e shtetit shqiptar. Dihet nga historia se Avni Rustemi vrau në Paris, Esad Pashë Toptanin pasi po shiste trojet shqiptare e ishte vënë nën urdhërat e qarqëve antishqiptare. Burime pranë shtabit luftarak të Kokëdhimës tregojnë se nuk ka nevojë, tani për tani, për një Avni Rustem, pasi qeveria u tërhoq nga falja e detit, edhe nga frika e Koços. Por nuk tërhiqet Kokëdhima. Ai kërkon rrëzimin e kryeministrit me çdo mjet, bile thotë se do ta udhëheq popullin personalisht. Një zotim i madh ky.

Ja se ç’shkruan sot Kokëdhima, që ka alarmuar institucionet e shtetit, bile nga burime të besueshme thuhet se kryeministri ka kërkuar arrestimin e Koço Kokëdhimës për thirrje antikushtetuese dhe destabilizuese.

Sot Kokëdhima shkroi se:“Unë kam përkushtimin, kurajon, dijet, forcën, urtësinë dhe vendosmërinë e palëkundur që ta udhëheq popullin tonë drejt shembjes së tiranisë që na sundon. Zgjohuni! Kush e ka dorëzuar lirinë për pak para, siguri dhe paqe nuk meriton as liri, as para, as siguri dhe as paqe. Të ngrihemi të gjithë në këmbë dhe t’i përmbysim kusarët dhe kriminelët që mbajnë peng Shqipërinë prej 27 vitesh! Mos u trembni! Ne s’kemi çfarë të humbasim. Shqipëria është kthyer në parajsë për tiraninë e hajdutërisë dhe ferr për popullin e thjeshtë që shtypet e dëbohet pa mëshirë. Nga kjo luftë do të fitojmë lirinë, jetën, të ardhmen; do të fitojmë Shqipërinë që kemi humbur. Ajo as na njeh, as na do dhe as na mban më! Për këto ia vlen të sakrifikojmë gjithçka!”.

Kryeministri ka kërkuar nga prokurorja e përgjithshme që të firmoset arresti për ish-deputetin e PS-së Koço Kokëdhima. Mësohet se janë mbledhur deklarimet e Kokëdhimës dhe po bëhej gati arrestimi i tij me akuzën “thirrje antikushtetuese që cënojnë rendin publik në Republikën e Shqipërisë”. Ndërkohë të njëjtat burime thonë se ka ndërhyrë mënjëherë ministri i brendshëm Fatmir Xhafaj që të mos arrestohet, pasi vetëm sa i shtoni pikët politike duke e arrestuar. Por pala kryeministrisë insiston se Kokëdhima duhet ndëshkuar penalisht, ndonëse politikisht i hoqën mandatin e deputetit, bashkërisht PS-PD.

Nuk dihet sa do ta ndërlikojë situatën politike arrestimi i ish-deputetit Koço Kokëdhima me këtë akuzë, por akoma nuk dihet se sa i fortë do të jetë ministri Fatmir Xhafaj përballë dëshirës kryeministrore për arrest dhe vrapimit të prokurorisë për të firmosur fletë arrestin.

Burime pranë shtabit luftarako-politik të Koço Kokëdhimës thonë se lideri Kokëdhima është gati për çdo akt të kryeministrit Rama dhe se shumë shpejt ai, pra Koço, do jetë në krye të një “ushtrie” popullore për të rrëzuar këtë “kriminale” siç thotë Kokëdhima.

Kërkohet arrestimi i Koço Kokëdhimës për thirrje antikushtetuese, ndërhyn ministri i brendshëm Read More »

Dita e Shën Valentinit! Cmimet marramendëse të luleve, kush janë ‘bosat’ që po blejnë buqeta nga 1000 dollarë

Gëzuar Shën Valentinin si fillim!

E mos harroni trëndafilat sot, të cilët janë më të shiturat edhe më të shtrenjtat, simbol i festës së 14 shkurtit.

Ditë e shënuar jo vetëm për të dashuruarit, por edhe për dyqanet e luleve, të cilët ditët e festave tashmë përkthehen në fluks pune.

Joni, tregtar prej vitesh i luleve, ka një dyqan të shitjes me pakicë të luleve në rrugën e Durrësit. Ai tregon për Monitor se në 3 vitet e fundit fluksi i punës është rritur ndjeshëm dhe kjo sepse tek shqiptarët (jo vetëm Tirana) po rritet tradita e dhurimit të luleve.

Trëndafili është lulja më e shitur, njëkohësisht edhe më e shtrenjta, shton ai. Fat për dyqanet e luleve këtë herë është se festa qëlloi në mes të javës. Në rast se do të qëllonte në fundjavë tendenca e njerëzve është për të lëvizur jashtë qytetit.

Për sa i përket çmimeve; ato variojnë në varësi të buxhetit të porositësit. Ato luhaten nga 5 mijë lekë, deri në 100 mijë lekë (afro 1000 USD) dhe janë kryesisht burrat që blejnë për bashkëshortet e tyre. Buqetat gjigande, ku numri trëndafila kapërcen tre shifrat, janë bërë trendi i kohëve të fundit. Çmimi mesatar i një trëndafili është 200 lekë dhe një buqetë me të paktën 100 trëndafila, kushton mesatarisht deri në 20 mijë lekë. Por, sipas Jonit, nuk mungojnë as porositë me numër të lartë të trëndafilave. Një prej klientëve të dyqanit ka porositur një buqetë me plot 500 trëndafila, të cilat përpos të tjerave janë edhe të vështira për t’u transportuar deri në destinacion,- tregon Joni për Monitor.

Lulëzimi i biznesit të luleve

Biznesi i tregtimit të luleve dhe kultivimit të bimëve ka shënuar një rritje të fortë në tre vitet e fundit, duke reflektuar një tendencë të shqiptarëve drejt natyrales, dhurimit të luleve në raste gëzimesh e fatkeqësish, tendencës së bizneseve për tu kujdesur për ambientin përreth dhe projekteve të punëve publike për zbukurimin e qyteteve.

Sipas të dhënave të Doganës, importet e Pemëve dhe bimëve, rrënjëve, luleve dhe gjetheve zbukuruese, u rritën me 27 për qind krahasuar me një vit më parë. Që prej vitit 2013, importet e këtij grupi janë rritur me ritme dy shifrore (shiko grafikun).

Gjatë 2017-s importet e luleve tejkaluan vlerën e 1 miliardë lekëve. Ndërkohë që muajt të cilat importet janë më të larta në vlerë janë pikërisht ato të festave, dhe më të ulëta gjatë muajve të verës kur prodhimi vendas është edhe më i lartë. Vetëm gjatë muajve shkurt dhe mars të vitit që lamë pas u importuan mbi 300 milionë lekë lule. Meshkujt shqiptarë duket se janë bërë më romantikë vitet e fundit, teksa edhe në shkurt 2017 importet u rritën me 45%.

Aktorët e tregut thonë se fluksi i punës është shtuar, por njerëzit kërkojnë buqeta lulesh më ekonomike dhe kërkojnë që të shpenzojnë më pak.

Italia mbetet importuesi kryesor i luleve në vend. Importet nga ky shtet gjatë 2017-s kanë një vlerë prej 507 milionë lekësh. Ndërsa Holanda renditet e dyta me 256 milionë lekë, thuajse gjysmën e vlerës së importeve nga Italia.

Greqia është vendi i tretë për sa i përket peshës së importeve. Lulet e importuara prej Greqisë gjatë vitit që lamë pas kapin vlerën e 121 milionë lekëve.

Gjithsesi prodhimi vendas mbetet modest

Valbona prej pesë vitesh kultivon 4 dynym tokë me trëndafila në një fshat të Durrësit. E megjithatë duhet të presë prillin që të dalë në treg. Duke parë trendin dhe mungesën e prodhimit vendas të luleve, kur u kthye nga emigrimi në Itali, vendosi që në tokën që kishte në pronësi të mos mbillte kulturat e zakonshme bujqësore, por trëndafila. Valbona tregon për Monitor se më së shumti ka punë me Tiranën. Gjatë sezonit të lules ajo është furnizuese e shumë dyqaneve të kryeqytetit.

Për të prodhuar gjatë gjithë vitin kërkohen investime të mëdha në teknologji dhe në sera bashkëkohore, të cilat nuk mund t’i mbulojë financiarisht. Kjo edhe për shkak të sipërfaqes së vogël që ka në pronësi, ndërsa bashkëfshatarët nuk janë të interesuar për këtë lloj kulture, në mënyrë që të përfitohet nga ekonomitë e shkallës. Shembull është Holanda, ku edhe pse klima nuk është aspak e favorshme për kultivimin e trëndafilave, aktualisht vendi është një ndër distributorët më të mëdhenj në botë, së bashku me Afrikën dhe Ekuadorin.

Specialistët e fushës së kultivimit tregojnë se dimri është koha kur lulet importohen pothuajse tërësisht, pasi në vend kultivimi i tyre bëhet në mënyrë artizanale dhe kjo pengon rritjen e tyre në të gjitha stinët. Me kalimin e viteve, kompanitë e mëdha i kanë sofistikuar metodat e rritjes.

Në verë, çmimi i luleve bie ndjeshëm për shkak edhe të rritjes së prodhimit.

Joni, tregtar lulesh, tregon se kryesisht lulet i merr nga jashtë, edhe pse më shtrenjtë.

“Tentova të marr trëndafila të prodhuar në vend, por për shkak të teknologjisë, lulet e prodhuara në vend nuk janë të standardizuara. Duhet shtuar se prodhimi vendas është sezonal- tregon Joni .

Dita e Shën Valentinit! Cmimet marramendëse të luleve, kush janë ‘bosat’ që po blejnë buqeta nga 1000 dollarë Read More »

Mos shpenzoni! Ja disa ide dhuratash shumë interesante për të dashurat tuaja për Shën Valentin

Ndihmoni me punët e shtëpisë

Po mbajeni mend mirë këtë gjë. Nuk është nevoja të bëni çdo punë të mundshme, thjesht i dhuroni të dashurës apo gruas tuaj një ditë relaksi. Aq më tepër se nëse doni të bëni ndonjë punë duhet të dini se në ditët e sotme çdo gjë është lehtësuar nga teknologjia.

Masazh

Të jesh i rritur është një punë shumë e vështirë për të gjithë, sidomos për gratë që kanë mbi supe disa përgjegjësi më shumë. Në rast se i jepni gruas tuaj një kartë dhuratë për të kaluar një ditë në ‘spa’, dijeni se do të ngelet shumë e kënaqur.

Kujdesuni për fëmijët

Për një mama të zënë dhe shumë të lodhur nuk ka kënaqësi më të madhe se sa të marri një ditë pushim dhe dikush tjetër të kujdeset për fëmijët. Mund t’i thoni gruas tuaj të bëj një listë me aktivitete të cilat më pas të gjitha këto gjëra duhet t’i zgjidhni vetë.

Provoni maska fytyre në kushte shtëpie

Në kohën që ju merreni me ndonjë punë shtëpie, mund ta lini të dashurën tuaj të bëj vetë maskë fytyre në kushte shtëpie. Ku ka femër që nuk e adhuron të kujdeset për trupin, flokët apo fytyrën e saj.

Provoni të gatuani ose porosisni ushqimin që ajo pëlqen më shumë

Nëse jeni i mirë për të gatuar duhet të provoni të gatuani patjetër diçka interesante. Por nëse nuk dini të gatuani, atëherë mund të porosisni diçka në restorant. Më pas mund ta zbukuroni tryezën në mënyrën më të bukur dhe është e sigurtë që e dashura juaj do të ngelet shumë e kënaqur.

Mos shpenzoni! Ja disa ide dhuratash shumë interesante për të dashurat tuaja për Shën Valentin Read More »

FITCH: Nëse del se zyrtari i lartë i PS është përfshirë në trafikun e drogave, Rama humbet besueshmëri

Raporti i fundit i BMI Research, pjesë e grupit të njohur ndërkombëtar të vlerësimit FITCH, ka nënvizuar disa nga aspektet kyçe që kanë ndikuar në perceptimin e profilit të riskut të Shqipërisë.

Mes të tjerash, raporti ndalet në çështjen e trafikimit të drogës, sfidën e reformës në drejtësi, mjedisin ekonomik në tërësi. Raporti vë theksin edhe tek inflacioni, borxhi publik apo ecurinë e treguesve fiskalë.

Çështjet kryesore

Lidhur me ekonominë, FITCH ka qenë më pozitive. Sipas raportit, ekonomia shqiptare vazhdon të përfitojë nga një mjedis i jashtëm më i mirë se sa pritet dhe “ne kemi përmirësuar parashikimet tona të rritjes 2017”. Ndërkohë që faktorët ndikues të jashtëm do të pakësohen disi në 2018, një vazhdim i politikës monetare të lehtësuar dhe një profil i përmirësuar i rrezikut politik pas zgjedhjeve të qershorit do të mbështesë investimet dhe konsumin privat.

Perspektiva afatgjatë e rritjes së Shqipërisë do të mbështetet nga investimet si rrjedhojë e gazsjellësit. “Mjedisi inflacionist do tu japë autoriteteve lirinë për të mbajtur politikën monetare relativisht të lirë, pasi ne presim që rritja e çmimeve të mbetet nën nivelin e objektivit të Bankës së Shqipërisë prej 3.0% gjatë 18 muajve të ardhshëm”.

Raporti thekson se edhe për tre vitet e ardhshme, vendi do të vijojë të rezultojë me deficitit të llogarisë korente, dhe do të vazhdojë të mbulojë nevojat e saj të jashtme të financimit me Investimet e Huaja Direkte dhe rezervat valutore.

Inflacioni do të mbetet i ndikuar ndaj ndryshimeve në çmimet e ushqimit dhe energjisë në vitet në vijim. Ngritja e çmimeve globale të energjisë dhe presionet e forta inflacioniste vendase do të shpejtojnë rritjen e IÇK në H117.

Trafikiu i drogës dhe Reforma në Drejtësi

“Akuzat se një zyrtar i lartë i Partisë Socialiste, që është në pushtet, është përfshirë në trafikimin e drogave tregon se sa i vështirë do të jetë procesi i reformimit të sistemit gjyqësor të Shqipërisë, pavarësisht se PS mban shumicën në Parlament që nga zgjedhjet e qershorit. Nëse akuzat dalin të vërteta, madhësia e asaj mazhorance ka gjasa të reduktohet dhe Kryeministri Edi Rama ka gjasa të humbasë besueshmëri”, thuhet në raport.

Rreziqet kryesore

Borxhi publik i Shqipërisë ishte 72.4% e PBB-së në 2016, ndër më të lartët në rajonin në zhvillim të Europës, duke u rritur që nga viti 2008 si rrjedhojë e politikës fiskale zgjeruese dhe rritjes së dobët ekonomike. Duke pasur parasysh madhësinë e ngarkesës së borxhit publik në raport me PBB-në, rreziqet për qëndrueshmërinë e borxhit dhe perspektivën më të gjerë fiskale dhe të rritjes në Shqipëri mbeten të rëndësishme, vlerëson raporti.

Një ecuri fiskale më e keqe, e cila mund të shkaktohet nga mungesa e angazhimit fiskal, një dobësim i vullnetit politik për të ndjekur konsolidimin ose një rritje më të dobët ekonomike, mund të ulë besimin e investitorëve dhe të rrisë kostot e huamarrjes, paralajmëron BMI.

Ndryshimet e parashikimit

FITCH pohon se ka përmirësuar parashikimet e rritjes reale të PBB-së për 2017 dhe 2018 si rrjedhojë e një mjedisi të fortë të jashtëm dhe një profili të përmirësuar rreziku pas zgjedhjeve.

Sipas tabelave të raportit, ekonomia shqiptare do të rritet 4% në vitin 2017, për t’u ngadalësuar në 3.6% në vitin 2018.

FITCH: Nëse del se zyrtari i lartë i PS është përfshirë në trafikun e drogave, Rama humbet besueshmëri Read More »

Reagon Haradinaj, pas tensioneve të krijuara për flamurin te “Rrethi”

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, ka sqaruar se vendosja e flamurit të shtetit të Kosovës bëhet në respekt të shtetit të Kosovës dhe shënimit të përvjetorit të dhjetë të shtetit tonë.

Haradinaj, ka thënë se me këtë flamur synohet zhvillimi i vendit.

“Me këtë flamur synojmë njohjen ndërkombetare. Me këtë flamur zhvillojmë Kosovën dhe të ardhmen euro-atlantike”, tha Haradinaj.

Ky është reagimi i plotë:

Flamuri kombëtar është flamuri i lirisë sonë. Me shekuj kemi rrugëtuar me këtë flamur dhe gjithmonë do ta duam dhe do ta respektojmë.

Vendosja e flamurit të shtetit të Kosovës bëhet në respekt të shtetit të Kosovës dhe shënimit të përvjetorit të dhjetë të shtetit tonë. Me këtë flamur synojmë njohjen ndërkombetare. Me këtë flamur zhvillojmë Kosovën dhe të ardhmen euro-atlantike.

Të dashur qytetarë,
Ta ruajmë rrugëtimin, edhe ashtu të vështirë, të shtetit tonë të ri.

Reagon Haradinaj, pas tensioneve të krijuara për flamurin te “Rrethi” Read More »

Hiqet flamuri kombëtar Shqiptar, policia largon me dhunë një qytetar

Pas gati dy orëve përpjekje, është arritur që të zbritet në tokë flamuri kombëtar, që më pas të zëvendësohet me flamurin shtetëror. Menjëherë pas heqjes së flamurit kombëtar kanë reaguar ashpër qytetarët ku policia është detyruar ta largojë një qytetar me forcë, raporton Insajderi.

Së fundmi në vendin e ngjarjes janë parë edhe ekipet e zjarrfikësve, të cilët janë angazhuar që t’ia plotësojnë kërkesën kryeministrit Haradinaj që flamuri shtetëror në hyrje të Prishtinës të ngritet sonte.

Përveç ekipeve të zjarrfikësve në vendin e ngjarjes janë duke qëndruar edhe shumë qytetarë të cilët janë të interesuar për ngritjen e flamurit, të cilët janë shprehur të pakënaqur për largimin e tij.

Hiqet flamuri kombëtar Shqiptar, policia largon me dhunë një qytetar Read More »