Aktualitet

613 kg kokainë, Xhafaj: Prokuroria të thërras Bashën dhe Berishën

Për 613 kg kokainë të kapur në Maminas, Ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj i është drejtuar me një letër Prokurorisë, që të thërras për të dëshmuar, ish-kryeministrin Sali Berisha dhe kreun e PD-së, Lulzim Bashën. ”Të thërriten si persona që kanë dijeni lidhur me poseduesit e ngarkesës prej 613 kg kokainë në Durrës”,-thuhet në letrën e ministrit.

Përmes një letre, ministri thotë se Berisha dhe Basha duhen thirrur pasi kanë bërë deklarata publike se kanë dijeni se kush e zhvillon trafikun e drogës në vend dhe veçanërisht për faktet që kanë të bëjnë me poseduesit dhe përfituesit e sasisë prej 613 kg kokainë.

Duke treguar kujdes që letra të mos të interpretohet si një ndërhyrjeje në punën e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, ministri Xhafaj vlerëson se përgjegjësia e tij kushtetuese, por edhe interesi si qytetar e obligojnë që të kërkojë vëmendjen e Prokurorisë së Krimeve të Rënda për deklaratat e bëra dhe të artikuluara publikisht nga autorët e tyre, pasi do të ishin të dobishme për hetimin e këtyre veprave penale me rrezikshmëri të lartë shoqërore.

“Çmoj se ka interes të ligjshëm publik dhe posaçërisht për hetimin që është duke u kryer që, nga ana e institucionit që ju drejtoni, të thirren këta persona dhe të deklarojnë përpara Prokurorisë së Krimeve të Rënda, në zbatim të dispozitave të Kodit të Procedurës Penale, faktet për të cilat kanë dijeni dhe provat, që ata zotërojnë për klanet kriminale të trafikut të drogës, përfshi edhe rastin e fundit të sekuestrimit të 613 kilogram kokainë’’, thuhet në letër.

Ministri i Brendshëm nënvizon se është detyrim kushtetues i zotit Berisha dhe zotit Basha t’i paraqesin Prokurorisë së Krimeve të Rënda faktet dhe provat që disponojnë.

“Ndërkohë unë njoh dhe respektoj faktin se zyra që ju drejtoni është organi kompetent që Kushtetuta dhe ligji e ngarkojnë të marrë dhe të vlerësojë ligjërisht deklarimet e këtyre zotërinjve dhe vërtetësinë e tyre, ndaj është përgjegjësia juaj institucionale dhe detyrimi kushtetues e ligjor i zotit Sali Berisha dhe i zotit Lulzim Basha që t’i paraqesin organit që ju drejtoni, faktet dhe provat mbi trafikun e drogës në Shqipëri, që ata pretendojnë në deklarimet e tyre publike”, thekson z.Xhafaj.

Në fund të letrës ministri shpreh gjithë mbështetjen institucionale të Ministrisë së Brendshme dhe Policisë së Shtetit për Prokurorinë e Krimeve të Rënda si dhe shprehet besimplotë tek puna dhe rezultatet hetimeve për çështjet e trafikut të drogës, përfshi këtu edhe çështjen e sekuestrimit të 613 kilogramëve kokainë në Durrës.

613 kg kokainë, Xhafaj: Prokuroria të thërras Bashën dhe Berishën Read More »

Kryesia e Shoqatës “Kallarati” urim te cecante per 75 vjecaren.

Liri Shkurti! Gëzuar 75 vjetorin e lindjes!

Kryesia e Shoqatës “Kallarati”, i uron Liri Shkurtit (Qejvanit) Gëzuar 75 vjetorin e lindjes!
Qofsh gjithmonë e gëzuar, e lumtur dhe energjike për vete, familjen, fëmijët, nipërit e mbesat, por edhe për shoqatën tonë të Kallaratit, pse jo edhe asaj të Vranishtit!

Kush është Liri Shkurti?
Liria u lind më 21 mars 1943 në Kallarat. Shkollën fillore e tetëvjeçare i kreu në Gjirokastër. Pas përfundimit të Shkollës së Mesme Pedagogjike në vitin 1964, Liria filloi karieren e saj në arsim larg familjes, në Skrapar, ku qëndroi deri në vitin 1966. Më vone vazhdoi si mësuese në qytetin e Vlorës deri në vitin 1981. Në vitet 1981-1989, për shkak të transferimit të bashkëshortit ne rrethin e Matit, do të ushtronte profesionin e mësuesit për gati 8 vjet në një tjetër qytet, në qytetin e Burrelit, ku me punë e përkushtim fitoi respektin dhe simpatinë e nxënësve dhe prindërve të këtij qyteti. Në vitin 1989 u rikthye përsëri në Vlorë në qytetin e saj të dashur, ku punoi deri sa doli në pension në mars të vitit 1993.
Aktualisht pensioniste në qytetin e Vlorës, por tepër aktive dhe e dashuruar familjarisht ndaj Kallaratit, vendlindjes së saj e të prindërve,j Agos dhe Asifesë, si dhe aktiviste në shoqërinë e fb.
Gëzuar! Gëzuar! Gezuar! Gëzuar!

Shoqata Kallarati

Kryesia e Shoqatës “Kallarati” urim te cecante per 75 vjecaren. Read More »

“E Premtja e zezë”, dita e prangave për VIP-at e Shqipërisë

Rastësi apo jo, arrestimet “VIP” në Shqipëri janë kryer vetëm ditëve të premte! Kështu ka ndodhur me arrestimin e ish ministrit Spiro Ksera, për të vijuar më pas me arrestimet e ish-kryebashkiakut të Vlorës Shpëtim Gjika, dhe më pas me ish-guvernatorin Ardian Fullani dhe kryetarin e Bashkisë Kamëz Xhelal Mziu. Të “Premtes së zezë” nuk i ka shpëtuar as Fran Frrokaj, kreu i bashkisë Lezhë, i cili u arrestua pikërisht mesditën e së premtes me dt 16 Mars në zyrën e tij.

SPIRO KSERA

E premte, 29 janar 2016

Të premten e 29 janarit të vitit 2016-të u ekzekutua urdhër-ndalimi i prokurorisë së Tiranës për ish-ministrin e Punës dhe të Cështjeve Sociale, Spiro Ksera. Mësohet se ndalimi i ish-ministrit Spiro Ksera është bërë gjatë një aktiviteti në Gjirokastër, me urdhër të Prokurorisë. Spiro Ksera është arrestuar pasi akuzohet për shpërdorim detyre. Bëhet me dije se ai akuzohet për një tender me vlerë 30 milion lekë dhe këtë e ka bërë një ditë para se të linte detyrën si ministër. Pas gjykimit ish ministri u dënua nga Gjykata e Tiranës me 1 vit e 8 muaj burg. Gjithashtu, gjykata ka vendosi që Kserës t’i hiqet e drejta për 5 vite pasi të kryejë dënimin, për ushtrimin e funksioneve publike.

SHPËTIM GJIKA

E premte, 6 Shkurt 2015

Ka qenë data 6 shkurt e vitit 2015 kur ish-kreu i bashkisë së Vlorës Shpëtim Gjika u vu në pranga. Ka qenë mesdita e së premtes kur efektivë të policisë janë paraqitur me udrhër ndalimin nga ana e organit të akuzës. Arrestimi i Gjikes ndodhi rreth orës 14:00 në një restorant pranë banesës së kryebashkiakut 52- vjeçar të Vlorës. Një skuadër policore është paraqitur në lokalin ku po drekonte Shpëtim Gjika dhe pasi ka marrë kontakt me të, i ka bërë me dije se kishte një vendim gjykate për arrestimin e tij.

Para prangosjes, mësohet se kryebashkiaku ka qenë në zyrën e tij, si çdo ditë tjetër pune në Bashki. Rreth orës 13:00 ai ishte larguar mesa duket për të drekuar diku pranë banesës së tij, ku edhe ndodhi arrestimi. Pasi ka dalë nga restoranti ku ndodhej me disa persona të tjerë, policët i kanë vënë prangat Shpëtim Gjikës, i cili është dërguar në Drejtorinë e Policisë së Vlorës.

ARDIAN FULLANI

E premte, 5 shtator 2014

Ka qenë data 5 shtator e vitit 2014 kur gjykata kishte caktuar masën “arrest me burg” të vendosur në mungesë ndaj ish-guvernatorit Ardian Fullani, pas kërkesës së prokurorisë. Ka qenë ditë e premte. Në ora 19:45 të mbrëmjes Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, ndodhej në zyrën e tij, në godinën e ish-kompanisë VEFA në Tiranë.

Një skuadër e policisë mbërriti te sheshi “Avni Rustemi” me urdhrin e arrestit të lëshuar nga gjyqtarja Blerina Muça, pas kërkesës së prokurorit Ramadan Troci. Sapo Guvernatori kishte hapur derën e makinës së tij “BMË”, me targë TR 0270 Z, katër oficerë policie, dy civilë e dy me uniformë, e kanë penguar të futej brenda.

Oficerët i kanë komunikuar Fullanit urdhrin e arrestit për akuzën “shpërdorim detyre”. Mes punonjësve të Policisë dhe Guvernatorit të Bankës Qendrore ka pasur një bisedë sqaruese, që ka zgjatur vetëm disa sekonda dhe më pas dy prej oficerëve e kanë kapur nga krahët, duke e drejtuar drejt makinës së tyre. Fullani ka hipur në një tjetër “BMË” të bardhë të Policisë dhe është shoqëruar në Drejtorinë e Policisë së Tiranës. Në orën 19:55 të mbrëmjes, Fullani u fut i prangosur në Drejtorinë e Qarkut, ku u izolua në qelinë e paraburgimit.

XHELAL MZIU

E premte, 20 dhjetor 2013

Arrestimi i kryebashkiakut të Kamzës u bë po në një ditë të premte, në mbrëmje vonë. Ka qenë 20 dhjetori i vitit 2013, kur policia ekzekutoi urdhrin e Prokurorisë për arrestimin e tij për shpërdorim detyre dhe shkelje të barazisë në tendera publike.

Policia ekzekutoi në mbrëmje vendimin e Gjykatës së Tiranës, që kishte vendosur ndaj kryebashkiakut masën e sigurisë “arrest me burg”, pas kërkesës së Task-Forcës të Prokurorisë, që kishte regjistruar procedim penal që prej muajit shtator.

Një orë pas arrestimit të Mziut, policia shpalli në kërkim edhe drejtorin e zyrës juridike të Bashkisë Kamëz, Atli Hoti, për të njëjtën akuzë, pasi dyshohet të ketë bashkëpunuar me Mziun.

FRAN FRROKU

E premte, 16 mars 2018

Kryetari i Bashkisë së Lezhës, Fran Frrokaj është arrestuar mesditën e së premtes më 16 Mars Shoqërimi në polici i kryebashkiakut u bë pas hetimeve për shpërdorim detyre, pasi janë konstatur shkelje. Pas tre ditësh në paraburgim gjykata vendosi arrest shtëpie për Fran Frrokaj.

“E Premtja e zezë”, dita e prangave për VIP-at e Shqipërisë Read More »

Shkodra bërtet: Po mbytemi në ujë!

Ministri-deputet i Shkodrës Ditmir Bushati në fakt me ujin po merret, por jo më atë të Shkodrës. Po “qetëson” detin në Jug të vendit. Kështu deklarojnë me mllef në Bashkinë e Shkodrës.

-Drama e banorëve që jetojnë nën ujë prej 20 ditësh. Krybashkiakja Voltana Ademi: Të shpallet gjendja e jashtëzakonshme në zonat e dëmtuara. Banorët rrezikohen nga epidemite.

Në Shkodër prej më shumë se 20 ditësh fshatra dhe zona të tëra janë në luftë me ujin. Reshjet shpeshta të shiut dhe hapja e portave të hidrocentraleve kanë krijuar një situatë dramatike dhe me rrezik për jetën e banorëve. Deri në mbrëmje llogaritin 4215 hektarë sipërfaqe e përmbytur, mes të cilave banesa, ferma bujqësore, sera, tokë dhe rrugë.

Uji ka hyrë kudo. Situatë alarmante. Kryetarja e Bashkisë Shkodër thërret se gjendja po përkeqsohet dhe ka jetë njërëzish në rrezik.

Në Dajç janë 10 fshatra të përmbytur dhe 149 familje të bllokuara. 26 shtëpi rrezikohen të shemben, pasi kjo duhet të jetë përmbytja e 6 ose e 7-të në këto vitet e fundit. Në ish-komunën Ana e Malit 4 fshatra janë të izoluara, ku më serioze dhe me rrezik për banorët paraqitet gjendja në fshatin Obot. Në këtë fshat nga momenti në moment kërcënohen 150 shtëpi, 12 prej tyre janë aktualisht të pabanueshme. Dëmet në kafshë, ferma dhe produktet bujqësore janë të pallogaritshme. Në njësinë Bërdicë uji ka dëmtuar gjithë prodhimet e fermerëve duke përmbytur më shumë se 1200 hektarë tokë. 10 familje kanë 20 ditë që jetojnë me ujin në banesat e tyre. Në Velipojë dhe Rrethina janë 30 banesa të përmbytura, ndërsa situata në dëmet materiale është e pallogaritshme. Pas disa ditësh beteje me ujin,  përmbytja po turret drejt qytetit të Shkodrës. Në lagjet periferike të qytetit llogariten 110 hektarë tokë të përmbytura me dëme të pallogaritshme në prodhimet bujqësore. Rreth 40 banesa në këto lagje janë përmbytur.

Kjo është panorama e situatës më të fundit në Qarkun Shkodër. Prej 20 ditësh gjendja nuk ka njohur asnjë përmirësim, përkundrazi vetëm sa përkeqësohet. Kryetarja e Bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi gjatë këtyre javëve ka bërë thirrje çdo ditë për ndihma dhe shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme në zonat e goditura nga përmbytjet. Në vend të reagimeve institucionale ka marrë refuzim ose heshtje. Madje, në vend që ti jepte ndihmën si deputet i zonës, ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati bëri ironi me kryebashkiaken duke i kërkuar të punonte më shumë për përballimin e situatës. Ministri Bushati në fakt me ujin po merret, por jo më atë të Shkodrës. Po merret me detin në Jug për t’ia dhënë Greqisë. Kështu deklarojnë me mllef në Bashkinë e Shkodrës.

Ministria e Mbrojtjes thekson se nuk jemi në situatën e fatkeqësisë natyrore dhe nuk duhet shpallur gjendja e jashtëzakonshme. Kryeministri Edi Rama dhe deputetët e PS që e kanë detyrim njohjen me situatën dhe marrjen e masave, nuk e kanë parë të arsyeshme të vizitojnë Shkodrën. Kanë frikë përballjen me qytetarët. I vetmi institucion që e ka vlerësuar seriozisht situatën është Presidenca. Dje kreu i shtetit, Ilir Meta u informua personalisht për situatën në Shkodër nga kryetarja e Bashkisë Voltana Ademi, si dhe dërgoi dy këshilltarët të tij për të parë nga afër gjendjen. Kreu i shtetit kërkoi nga institucionet që të marrin masa për shpëtimin e jetës së njerëzve, si dhe ruajtjen e pronës së qytetarëve.

Në fakt edhe deputeti i PS-së Paulin Stërkaj ndodhet ditë-natë në terren, por është vetëm një. Duhet qeveria të shpërngulet në Shkodër. Prej gati një muaj qytetarët e disa fshatrave në Shkodër po lihen në mëshirë të fatit, përballë një fatkeqësie natyrore qe ende nuk ka marrë fund. Parashikimet e motit flasin për sasi të mëdha reshjesh në ditët në vijim, ndërkohë gjendja në Shkodër është alarmante edhe me kaq sa ka ndodhur. Pritet shtim të nivelit të ujit duke hyrë edhe në qytetin e Shkodrës.

Indiferenca e institucioneve shtetrore në Shkodër është e pashpjegueshme dhe dëshpëruese. Këshilli Bashkiak dhe kryetarja e Bashkisë çdo ditë numëron dëmet dhe kërkon ndihmë nga qeveria në Tiranë. Kjo neglizhencë e qeverisë, nuk mund të shpjegohet ndryshe vetëm me faktin se qeveria e PS nuk ka vota në Shkodër dhe pushteti vendor është i PD. Është gati kriminale të shohësh se përmbytjet në Fier dhe Lushnje (zona me kryebashkiak të PS) ngrenë në këmbë gjithë shtetin për pak orë, ndërsa në Shkodër ka një muaj që qeveria nuk pranon as të hedh sytë.

Veç pronave të humbura, banesave dhe bagëtisë këto ditë po shfaqet edhe një rrezik i ri. Përmbytjet në pranverë janë më të rrezikshme se në dimër, me të cilat jemi mësuar. Për shkak të temperaturave të larta, përmbytjet në zonat e banuara shumë shpejt mund të sjellin infeksione dhe epidemi për shkak të kafshëve të ngordhura.

Në Shkodër dje të frikësuar nga rritja e valës së ujërave thërrisnin: Ditmir, ktheu në Shkodër dhe lërja kryeministrit, Brukselin!

Hajde Ditmir e merru me ujin e Shkodrës, pasi uji i grekut pret për më vonë!

Dit Bushatlliu

Shkodra bërtet: Po mbytemi në ujë! Read More »

Vrasja e 4-vjeçarit shqiptar, jep dorëheqjen ministri

Ministri shqiptar i Drejtësisë në qeverinë maqedonase, Bilen Saliji ka dhënë dorëheqjen dhe vendimin e ka argumentuar për shkaqe morale. Përmes një deklarate për mediat, Saliji thotë se shkak është bërë vendimi i Prokurorisë për të rikualifikuar akuzën në rastin aksidentit që i mori jetën 4-vjeçarit shqiptar, Almir Aliu.

“Një ndër arsyet kryesore për përfshirjen time në politikë dhe sidomos si ministër Drejtësie ishte besimi im se drejtësia ishte shtylla kryesore e një shteti dhe ajo që është më e rëndësishme, drejtësi e barabartë për të gjithë qytetarët”, deklaroi Saliji.

Ai thotë se aktin e dorëheqjes e ndërmerr jo nga dështimi apo presioni, por si një akt ndërgjegjësues edhe më të madh në drejtim të reformave në sistemin e drejtësisë.

4-vjeçari Almir Aliu u përplas me makinë nga maqedonasi Boban Iliçi në Kumanovë pas një konflikt me familjarë të vogëlushit. Prokuroria maqedonase ndryshoi akuzën nga vrasje me dashje dhe e cilëson veprën si aksidentale duke e akuzuar atë për “aksident me pasojë vdekjen”, një akuzë më e zbutur nga e mëparshmja.

Vrasja e 4-vjeçarit shqiptar, jep dorëheqjen ministri Read More »

E papritur: Kush voton demarkacionin e pret plumbi!

Një reagim skandaloz është publikuar nga media kosovare.

Një zyrtar i Lëvizjes Vetëvendosje nuk ka hezituar që në mënyrë publike të bëj kërcënime me vrasje ndaj atyre që do ta japin votën pro marrëveshjes së kufirit me Malin e Zi.

Blerim Kelmendi, që vjen nga Ferizaj por që jeton dhe vepron në Bielfeld të Gjermanisë, ka thënë se kush e voton demarkacionin do ta pret plumbi.

Kjo nuk është hera e parë që aktivistë edhe zyrtarë të Vetëvendosjes aludojnë në gjëra të ngjashme. Madje se janë të dhunshëm e kanë shprehur shumë herë gjatë protestave e edhe brenda Kuvendit, kur kanë gjuajtur gaz lotsjellës e gjësende tjera.

Blerim Kelmendi në profilin e tij në Facebook, thotë se menaxhon partinë e Kurtit në Gjermani.Por, Kelmendi nuk ka ngurruar që të njëjtin kërcënim t’a bëj edhe në një status të zyrtarit më të ri të Nismës, Resul Sinanit, pasi ky i fundit e ka shpërndarë një thirrje të ambasadorit amerikan, Greg Delawie, për ta votuar demarkacionin.Kelmendi, duket të jetë shumë i afërt me ‘babën’ e Vetëvendosjes, Albin Kurtin, partisë së të cilit i janë larguar 13 deputetë.

Vetëvendosje vazhdimisht ka bërë thirrje që të mos votohet marrëveshja për Demarkacionin.

Aktualisht në Kuvend është duke u zhvilluar debat i cili me gjasë do të vazhdojë për disa orë. Nuk dihet nëse marrëveshja do të nxirret sot për votim

E papritur: Kush voton demarkacionin e pret plumbi! Read More »

Akuza e fortë e Voltana Ademit: Përmbytjet u shkaktuan nga hapja e portave të kaskadave

Kryebashkiakja e Shkodrës Voltana Ademi lëshoi disa akuza në drejtim të qeverisë, duke ia adresuar fajin kësaj të fundit për përmbytjet e shkaktuara në këtë qark.

Nga një studio paralele nga Shkodra, Ademi tha për emisionin ‘Studio e hapur’ në “News24” se shkak i përmbytjeve nuk janë kanalet kulluese, por shkarkimet e tejskajshme të kaskadave. Mes të tjerash kryebashkiakja tha se punonjësit e kaskadës së Vaut të Dejës nuk iu lejua celulari gjatë orarit të punës teksa u hapën portat, pasi sipas saj kishin frike se mos bashkia vihej në dijeni. Duke qëndruar tek kjo akuzë Ademi tha se kjo çështje do të hetohet.

Cilat janë problematikat?
Ska lidhje politike kjo çështje. Duhet të marrin përgjegjësitë të gjithë institucionet. Duke nisur nga kryeministri, ministrat, të marrin përgjegjësitë. Në vend që gjëja e gjallë të evakuohej, kërkesë e imja. Ende nuk është realizuar asnjë gjë e tillë.

E kujt është përgjegjësia?
Informacioni duhet të vijë nga institucione të specializuara. Kur fola për shpalljen e emergjencës, fola për pritshmërinë në këtë qark. Shkak i përmbytjeve nuk janë kanalet kulluese, por shkarkimet e tejskajshme, ndoshta dhe të pakontrolluara. Punonjës të Vaut të Dejës nuk u lejuan as celularë të mbanin në punë, pasi kishin frikë mos na lajmëronin ne. Do hetohet kjo çështje, ndoshta është akuzë e rëndë. Ka që në datën 5 mars dhe sot jemi në datën 20. Vepra të mirëfillta investimi në qarkun më të rënduar, investimet kanë qenë zero.

Sa hektarë tokë janë në ujë?
Deri në orën 18:00 të pasdites ne kemi 5 mijë hektarë tokë nën ujë, në një nivel mbi 2 metra ujë në disa zona të caktuara. Në disa zona ka ende njerëz. Përveç fshatrave, ka 26 familje të evokuara në qytet.

Akuza e fortë e Voltana Ademit: Përmbytjet u shkaktuan nga hapja e portave të kaskadave Read More »

Falen kreditë e banesave për mbi 1 mijë familje, kategoritë përfituese

Shteti do të falë kreditë për 1084 familje që përfshijnë vitin e largët 1995 e deri më 31 dhjetor të vitit 2015, kryesisht familje të prekura nga përmbytjet dhe që kanë përfituar banesa nëpërmjet Entit Shtetëror të Banesave.

Në projektligjin e depozituar në Parlament që është pjesë e punimeve për periudhën 26 shkurt- 6 prill 2018 dhe i depozituar në muajin dhjetor të vitit të shkuar, thuhet se pjesa më e madhe e familjeve janë të varfra dhe nuk mund të shlyejnë kreditë.

Lista e banorëve përfitues shtrihet në Has, Lezhë, Durrës, Tiranë, Elbasan, Shkodë dhe Fier dhe me një total prej rreth 609 milionë lekësh.

RELACIONI I PROJEKTLIGJIT

Për pikën ku përcaktohet falja e detyrimeve të mbetura të kredisë për familjet në Kukës, Has, Tropojë dhe Pukë, të shpërngulura nga ndërtimi i Hidrocentralit të Fierzës, sqarojmë se kredia është akorduar për mënjanimin e dëmeve të përmbytjes së dhjetorit 1995. Kredia iu kalua për t’u trajtuar nëpërmjet EKB-së. Në vitin 2006, me urdhrin nr.225, datë 19.9.2006, të Kryeministrit, është ngritur një grup ndërministror për verifikimin e listës së familjeve të përmbytura nga Hidrocentrali i Fierzës.

Nga sa është bërë e ditur nga puna e kryer nga ky grup lidhur me këtë problematikë, nuk është arritur një konkluzion apo zgjidhje përfundimtare. Për këtë proces nuk disponohet material. Nga familjet banuese në këto banesa është ngritur shqetësimi dhe pretendimi se e kanë të pamundur shlyerjen e detyrimeve (paradhënies apo paradhënies dhe një pjese të kredisë). Arsyet që paraqesin janë si më poshtë: – Paaftësia paguese. Pjesa më e madhe e familjeve kanë deklaruar se jetojnë në kushte të vështira dhe nuk kanë mundësi financiare për shlyerjen e kredisë; – Kërkohet falja e kredisë me arsyetimin se banesat e tyre dhe tokat e përmbytura në vendin e origjinës kanë një vlerë më të madhe se vlera e kredisë.

• Me fondin e vënë në dispozicion, me vlerë 150 000 lekë për frymë, nuk mund të përfundonin ndërtimin e banesës dhe se për këtë janë detyruar të përdorin fonde të tjera. Kjo ka ndikuar në pamundësinë e shlyerjes së vlerës së kredisë. Nga ana tjetër, Enti Kombëtar i Banesave ka hapur procese gjyqësore, duke kërkuar kthimin e vlerave të tërhequra nga këta qytetarë. Por, në këtë proces të ndjekur nga Enti kanë rezultuar shumë pengesa për arsyet e mëposhtme:

• Shpenzimet gjyqësore për hapjen e padive dhe pagimin e tatimit për vlerën e kërkuar nëpërmjet çdo padie të ngritur rëndojnë shumë shpenzimet e EKB-së.

• Largimi i këtyre qytetarëve (familjeve) në emigracion.

• Proceset gjyqësore janë mbyllur disa herë, pasi nuk gjenden adresat e sakta të këtyre qytetarëve, të cilësuar si “të paditur”, nisur nga fakti se ata nuk kanë ndërtuar banesën në vendin ku është planifikuar të ndërtohej, por janë larguar duke ndërtuar diku tjetër ose duke mos ndërtuar fare. Përfaqësuesit e EKB-së në disa qarqe kanë realizuar takime në bashkitë dhe ish-komunat përkatëse, por përgjigjja nga këto takime ka qenë se këta qytetarë janë larguar nga ajo komunë apo bashki. Njëkohësisht është kërkuar ndihmesë edhe nga Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile për të bërë të mundur marrjen e adresave të reja për qytetarët që kanë ndërruar adresat.

• Për kreditë e lëvruara për përmbytjet, kontratat nuk janë lidhur pranë noterit. Duke gjykuar se këto të dhëna dhe argumente do të jenë të vlefshme në funksion të gjetjes së një rrugëzgjidhjeje për këtë problematikë, është propozuar përfshirja e kësaj pike në dispozitat transitore të projektligjit të ri të strehimit. Aktualisht, shuma e fondeve të dhëna nga buxheti i shtetit për përmbytjet konsiderohet e vështirë dhe problematike për t’u arkëtuar nga banorët, ndërsa heqja e këtyre detyrimeve nga bilanci nuk ka faturë financiare për buxhetin e shtetit apo për Entin Kombëtar të Banesave.

Falen kreditë e banesave për mbi 1 mijë familje, kategoritë përfituese Read More »