Aktualitet

Një mijë dosje pronash – Vlora me 403 çështje, zero në Tiranë

Në 2017, prokuroria ka shqyrtuar afro 1 mijë dosje hetimore që kanë të bëjnë me abuzimet me pronat. 915 çeshtje pronësie që lidhen me falsifikimin e dokumenteve, shpërdorimin e detyrës, vetëgjyqësinë dhe vepra të tjera penale që u përkasin abuzimeve me pronat.

Nën hetim janë vendosur vetëm 15 zyrtarë kryesisht të hipotekës dhe pushtetit vendor vetëm në dy rrethe në Kavajë me tokat në Spille dhe një rast në Krujë ku është akzuar ish-kryetari i bashkisë.

Edhe pse Vlora është qarku që përbën thuajse gjysmën e dosjeve me abuzimet e pronave, në këtë qark nuk rezulton asnjë zyrtar i lartë i ndaluar edhe pse nuk përjashtohet mundësia që ndonjë prej tyre mund të jetë nën hetim. E kundërta ndodh në Tiranë, ku nuk ka asnjë dosje abuzimi me pronat.

Vetëm në Vlorë rezulton të jenë 403 referim-kallëzime me 243 dosje të regjistruara për të nisur hetimet. I renditur si qyteti i dytë me më shumë raste abuzimesh me pronat Gjirokastra numëron 338 procedime penale, me 71 të pandehur. Në Berat janë 52 referim-kallëzime ndërsa në Durrës 37 kallëzime penale, ku në 30 raste nuk kanë nisur ende hetimet.

Kruja është rast specifik, pasi nga 40 kallëzime penale, 2 prej tyre janë çështje të mbartura nga vitet 2015-2016. Një prej tyre ishte rasti i kryebashkiakut Shkëlzen Hoxha dhe 3 ish-zyrtarëve të bashkisë, që u akuzuan për “falsifikimit dokumentesh” dhe “shpërdorim detyre”, pasi sipas prokurorisë abuzuan me një fond emergjence. Edhe ish-kreu i Hipotekës në Krujë, në vitin 2016 është proceduar penalisht për “shpërdorim detyre”.

Pas Krujës renditet Dibra me vetëm 14 çështje penale, ku rastet e vetëgjyqësisë për të marrë pronën janë gjysma e çështjeve. Së fundmi, në Kurbin u regjistruan 17 raste. Në Korçë ka vetëm 3 çështje pronash, kurse në Tropojë 11 të tilla.

Një mijë dosje pronash – Vlora me 403 çështje, zero në Tiranë Read More »

Aneta Rama merr dekoratën ” Nderi i Stomatologjisë Shqiptare”

Aneta Rama, e ëma e kryeministrit, Edi Rama ka marrë një dekoratë të veçantë.

Këshilli Kombëtar i Urdhrit të Stomatologut i ka akorduar sot urdhrin “Nderi i Stomatologjisë Shqiptare”. Ky titull iu akordua Dr. Aneta Ramës me rastin e 100 vjetorit të klinikës së parë dentare në qytetin e Vlorës. Vendimi nga Këshilli Kombëtar i Urdhrit të Stomatologut u mor më 16 mars të këtij viti me motivacionin “ kontribut i veçantë në themelimin e stomatologjisë shqiptare”.

Aneta Rama merr dekoratën ” Nderi i Stomatologjisë Shqiptare” Read More »

Meta, Rama, Basha dhe Berisha sipas “sondazheve” të blera kryeministrore

Edi Rama njihet se ka një aftësi kamuflazhi dhe intrige në prapaskena politike, sa jo vetëm palosi Lulzim Bashën si një “sardele” duke e rrotulluar siç deshi vjet në maj, por fut në kurthin e ditës edhe ish-kryeministrin Berisha. Me presidentin Meta, për momentin, rri në distancë, herë duke e lëmuar, dhe disa herë duke i ngrënë “copa mishi” nga ish-partia e tij.

Edi Rama mori zgjedhjet, në mënyrat që tashmë dihen. Ka plot 74 deputetë puro rilindas-socialistë, mban edhe 4 vota “çamesh” e “socialdemokrat”; mori prokururorinë si institucion i pavarur, po gllabëron gjykatat me “komisione vettingu”, mediat i miklon me leje ndërtimi e pazare lekësh dhe i censuron me autocensurë, biznesmenët i shkojnë vetë pas dere. Edhe kur nuk don, ata vetë si biznesmenë të “qerasin”.

Ekonomia është copë-copë, taksat në rritje për ata që paguajnë. Mirëqënia në rënie, papunësia rritet në mënyrë gjeometrike, pensionet shtohen me një kafe në vit (!), dhe çuditërisht sondazhet e nxjerrin si njeriun më pozitiv!

Sa lekë paska qeveria, aqsa edhe sondazhet e “pavarura” me “albania” në fund e nxjerrin kryeministrin si personi më pozitiv në Shqipëri. Një kompani sondazhesh me financime qeveritare e nxjerr sot online si njeriun pa asnjë negativitet, aqsa mund të jetë një kandidat për çmimin “Nobel” për popullaritet në një vend me papunësi me tepër se gjysma e popullsisë.

Edi Rama e meriton “sondazhin” vetëm nëse në qershor Shqipëria merr statusin e kandidatit për në BE.

Meta, Rama, Basha dhe Berisha sipas “sondazheve” të blera kryeministrore Read More »

Situatë emergjente në Shkodër, uji po përparon drejt qytetit

Dyfishohet sipërfaqja e përmbytur në territorin e bashkisë së Shkodrës. Informacionet e orës 14:00 nga kjo bashki flasin për 4215 ha sipërfaqe tokë e përmbytur, gati dyfishi i sipërfaqes së përmbytur më parë.

Ndërkohë uji po përparon  drejt qytetit.  Në zonën e Livadheve janë të përmbytura 110 ha. Pas inspektimeve më të fundit rezulton se në rrugën Et‘hem Kazazi ka prezencë uji dhe në një segment rruge ka vështirësi kalimi. Në këtë rrugë ndodhen mbi 40 shtëpi me prezencë uji afër oborreve të tyre dhe nga këto 4 familje mbajnë bagëti, ku si pasojë e fushave të përmbytura paraqiten vështirësi në sigurimin e ushqimit për to. Këto familje furnizohen me ujë të pijshëm nepërmjet puseve dhe ky paraqitet si problem. Nevojiten  Nevojiten çizme të gjata për 10 familje.

Në lagjen Ajasëm janë rreth 3 ha tokë e mbuluar nga uji. Në 13 banesa ka prezencë uji. Emergjente paraqitet baza ushqimore për bagëtitë për 5 familje , rreth 100 krerë bagëti.

Në njësinë administrative të Dajçit, niveli i ujit ka pësuar rritje dhe ka sërish tendencë rritjeje. Në total  banesat që janë të bllokuara nga uji janë mbi 194

Kërkohet të ndërhyhet për lartësimin e argjinaturës së Pentarit pasi niveli është 20 cm pa dalë nga argjinatura. Në Obot kalohet vetëm me varka. Në këtë fshat janë rreth 150 shtëpi të rrethuara nga uji nga ku në 12 prej tyre ka hyrë uji

Perseritet kerkesa: Shpallni emergjencen

“Bashkia Shkodër ka bërë një shkresë publike drejtuar Ministrisë së Mbrojtjes ku ka kërkuar shpalljen e gjendjes së emergjencës civile në këto njësi pasi rrezikohet rëndë shëndeti dhe jeta e popullatës, gjësë së gjallë, pasurisë e mjedisit.
Edhe pse kjo kërkesë është përsëritur disa herë, akoma Bashkia Shkodër nuk ka një përgjigje zyrtare nga autoritetet përgjegjëse.
Insistojmë në kërkesën tonë të vazhdueshme për shpalljen e emergjencës civile në një pjesë të territorit të Bashkisë së Shkodrës pasi situata e krijuar është rezultat i shkarkimeve të  mëdha në sasi dhe për një kohë të gjatë në kaskadën e lumit Drin.” thuhet në njoftimin e bashkise.

Zonat e tjera te prekura nga permbytja

Njësia Administrative Dajç
Deri në këto momente, janë mbi 1415 ha tokë e përmbytur në Njësinë Administrative të Dajçit: Fshati Mushan 330 ha, fshati Shirq 310 ha, fshati Suka-Dajç 140 ha, fshati Dajç 220 ha, fshati Darragjat 140 ha, fshati Samrisht i Ri 120 ha, fshati Samrisht i Vjetër 50 ha, fshati Pentar 20 ha, fshati Belaj 50 ha , fshati Rrushkull 35 ha.

Kalimi bëhet i mundur me mjete të larta të ushtrisë në rrugën kryesore. Rruga Shirq-Darragjat kalohet me varka.

Rruga Belaj-Pentar dhe rruga Bishti i Qarrit janë të bllokuara.Niveli i ujit ka pësuar rritje sipas hidrometrit në dhe ka tendencë rritjeje.

Në total  banesat që janë të bllokuara nga uji janë mbi 194 të ndarë sipas fshatrave : 42 në fshatin Shirq , 19 në Mushan, në fshatin Belaj 20, në fshatin Darragjat 15, në fshatin Samrisht të Vjetër 80, në fshatin Suka 11 banesa nga ku lagjia Mazija totalisht e izolume me 8 banesa, në fshatin Samrisht i Ri 6 banesa, në fshatin Dajç 1 shtëpi totalisht e izoluar. Kërkohet të ndërhyhet për lartësimin e argjinaturës së Pentarit .Niveli është 20 cm pa dalë nga argjinatura. Janë 26 shtëpi të rrezikuara.

Njësia Administrative Ana e Malit:
Në Njësinë Administrative Ana e Malit, situata vijon të jetë e përkeqësuar dhe paraqitet e rënduar. Në Obot kalohet vetëm me varka. Mbi 1300 ha tokë janë të përmbytura: Fshati Muriqan 450 ha, fshati Oblikë 650 ha, fshati Obot 200 ha. Në Obot janë rreth 150 shtëpi të rrethuara nga uji nga ku në 12 prej tyre ka hyrë uji .Në Muriqan në 8 shtë 8 shtëpi ka hyrë uji . Në Goricë 40 shtëpi ka rrethuara nga uji. Në lagjen Gallube në 4 shtëpi ka hyrë uji. Niveli i ujit ka pësuar rritje dhe ka tendencë rritjeje.

Në njësinë administrative Ana e Malit Ujësjellsi Oblika1 dhe 2 si pasojë e përmbytjeve, janë jashtë funksionit.
Në Njësinë Administrative Ana e Malit,në fshatin Obot nevojiten 61 palë çizme të gjata
për banesat , 100 thasë miell për familje dhe 210 (x 8litër) bidona ujë për banorë.

Njësia Administrative Bërdicë:
Në njësinë administrative Bërdicë janë mbi 1050 ha tokë e përmbytur e ndarë sipas fshatrave  si më poshtë:
1.Fshati Trush 550 ha
2.Fshati Bërdicë e Madhe 250 ha
3.Fshati Bërdicë e Mesme 100 ha
4.Fshati Bërdicë e Sipërme 150 ha

Janë të rrethuara nga uji 10 shtepi ne fshatin Berdice e Siperme, 8 ne Berdice e Madhe dhe 30 ne fshatin Trush.

Njësia Administrative Velipojë:
Në njësinë administrative Velipojë, janë të përmbytura mbi 260 Ha tokë :
1.Fshati Baks 160 ha
2.Fshati Ças 100 ha

Janë të rrethuara nga uji 10 shtëpi në Lagjen Çobaj në Luarz. Në fshatin Luarz në 3 vende del uji nën argjinaturë.

Njësia Administrative Rrethina:
Në njësinë administrative Rrethina janë të përmbytura 70 Ha tokë e ndarë sipas fshatrave  si më poshtë. Në fshatin  Zues janë të përmbytura 70 Ha tokë nga të cilat 10 Ha ndodhen  poshtë fshatit Zues dhe 60 Ha tokë e këtij fshati në fushën e Oblikës. Nga këto janë Jonxhe+foragjere 40 Ha. Në zonën e Livadheve (Nj.ad.Rrethina) janë 17 shtëpi të rrethuara nga uji. Niveli i ujit ka pësuar rritje.

Njësia Administrative Guri i Zi:
Në njësinë administrative Gur i Zi konstatohet fenomeni i erozionit në tokat bujqësore.Vazhdon gërryerja e tokës në fshatin Juban, në afërsi të Malit të Vukatanës.
Janë të përmbytur rreth 10 ha tokë në  fshatin Kuç. Nga ana tjetër, duhet të merren masa për furnizim me klor për dizefektim për zonat e përmbytura pas tërheqjes së ujit.

Situatë emergjente në Shkodër, uji po përparon drejt qytetit Read More »

Ligji për gjuhët, protesta para shtëpive të deputetëve në Maqedoni

Shtëpitë e deputetëve të shumicës, si ajo e Forsina Remenskit, Hari Llokvenec dhe disa të tjerë, edhe mbrëmë ishin shënjestër e protestave që pasuan pas miratimit të ligjit për gjuhët. Deputetja e LSDM-së Forsina Remenski, para shtëpisë së të cilës po protestohet për dy natë me radhë, përsëritë se protesta po organizohet nga anëtarë të VMRO-DPMNE-së, për çka si dëshmi, publikoi edhe disa mesazhe. Në këto biseda që kishte siguruar deputetja Remenski, qëndronin porosi të anëtarëve të Komitetit Komunal të VMRO-DPMNE-së në Karposh, për tubim dhe protesta para shtëpive të deputetëve. Remesnki tha se më së voni deri të premten, do ngrit padi penale ndaj organizatorëve të protestave që ajo i konsideron të paligjshme. Nga VMRO-DPMNE sot nuk deshën të komentojnë akuzat e Remenskit, ndërsa ditë më parë kryetari i VMRO-DPMNE-së Hristjan Mickoski mohoi që protestat të jenë të organizuara nga VMRO-DPMNE-ja.

I pakapshëm për televizionin Alsat ishte dhe vetë Toni Jarevski që shihej në bisedat e publikuara nga Remenski, si iniciatorë për protestën para shtëpisë së kësaj të fundit. Për arsye sigurie, deputetëve të LSDM-së, nga ana e Ministrisë së Punëve të Brendshme u janë dërguar nga dy pjesëtarë të forcave policore, që të evitojnë ndonjë sulmi eventual nga protestuesit. Ndërsa në shtëpitë e deputetëve ku është protestuar, ka pasur numër të shtuar të forcave policore, me qëllim të parandalimit të eskalimit eventual të situatës.

“Duke u bazuar në vlerësimet e sigurisë, që bëhen zakonisht, Ministria e Punëve të Brendshme i ka shpërndarë pjesëtarë të policisë para objekteve dhe shtëpive ku protestohet ditëve të fundit. Për secilën thyerje të rendit dhe qetësisë publike, manifestim të dhunës Ministria e Punëve të Brendshme ndërmerr masa konkrete për pastrimin e dilemave – deklaroi Toni Angellovski”– Zëdhënës i MPB-së, njofton Alsat M.

Nga MPB thonë se po hetojnë të gjitha kërcënimet dhe gjuhën e urrejtjes që është përdorur në protestat kundër votimit të ligjit për gjuhët. Që nga dita e miratimit të Ligjit për gjuhët në lexim të tretë, një numër i vogël i qytetarëve filluan që të shprehin pakënaqësinë e tyre në forma të ndryshme, si dhënia flakë e veturave të deputetëve, mbishkrime fyese për shqiptarët dhe kërcënime. Këto sulme i ka dënuar edhe kryeministri Zaev dhe partitë tjera parlamentare.

Ligji për gjuhët, protesta para shtëpive të deputetëve në Maqedoni Read More »

FMN “shuplakë” qeverisë: Ndalni praktikat e PPP-ve, me rrezik për buxhetin

Edhe njëherë FMN i tërheq ‘veshin’ qeverisë për koncensionet. Në deklaratën e fundit pas vizitës 2 javore në Shqipëri të misionit, FMN tregohet skeptike me projektet e Partneritetit Publik Privatë pasi mbartin shumë risqe fiskale në kurriz të publikut ndaj edhe i kërkon qeverisë që të bëj një ndarje më të saktë mes shtetit dhe privatit.

“Sa u takon PPP-ve, një prioritet kyç është pakësimi i vendimmarrjeve të fragmentuara dhe fuqizimi i proceseve të vlerësimit të riskut brenda Ministrisë së Financave. Këto procese janë me rëndësi kritike, po të kemi parasysh detyrimet e mëdha të kushtëzuara që shpesh janë pjesë e kontratave të PPP-ve me një horizont kohor afatgjatë. Praktika aktuale e propozimeve të pakërkuara duhet të eliminohet. Plani i qeverisë për krijimin e një banke zhvillimi për të financuar investimet publike është mirë të marrë parasysh përvojën ndërkombëtare sa u takon risqeve që shoqërojnë subjekte të tilla, përfshirë risqet fiskale, financiare dhe të drejtimit të brendshëm”, shkruhet në raport.

Sipas FMN rënia e investimeve në infrastrukturë, energji si dhe borxhi mjaft I lartë publik do të ngadalësojnë rritjen ekonomike.

“Rënia graduale e investimeve të mëdha në infrastrukturën e sektorit energjetik pritet ta ngadalësojë ritmin e rritjes. Me një nivel borxhi publik mjaft të lartë krahasuar me vendet e rajonit dhe detyrimet të kushtëzuara në rritje, mosrealizimet fiskale mund ta ulnin besimin, t’i rrisnin primet e riskut të huamarrjes dhe t’i pakësonin investimet private. Progresi i pamjaftueshëm në zbatimin e reformës strukturore në fusha të tilla si energjetika, menaxhimi financiar publik dhe reformat në gjyqësor mund ta cenonin besimin e investitorëve, duke i zvogëluar ndjeshëm flukset hyrëse nga donatorët dhe flukset e kapitalit dhe duke e ulur rritjen”, thuhet më tej.

Si stres për ekonominë shqiptare FMN shikon edhe sektorin financiarë. Sipas FMN banka qendrore duhet të tregohet e kujdesshme me blerësit e rinj të bankave dhe të monitorojë të gjithë tregun bankarë.
“Konsolidimi i tanishëm i bankave, me shitjen e aktiveve nga bankat me pronësi evropiane, sjell risqe sa i takon drejtimit të brendshëm të tyre. Do të jetë me rëndësi kritike të sigurohet se pjesëmarrësit e rinj në treg kanë përvojë solide bankare dhe se i përmbushin kriteret e duhura për përshtatshmëri dhe aftësi për të ushtruar aktivitet në tregun bankar shqiptar. Monitorimi strikt i bankave me rëndësi sistemike do të duhet të fuqizohet më tej, për ta kufizuar riskun e huamarrësve të mëdhenj dhe për ta zbutur riskun e huadhënies mes palëve të lidhura”, thuhet në raport.

Në lidhje me përfshirjen ne TVSH të bizneseve me xhiro mbi 2 milionë lekë FMN këshillon se “administrata do shpërqendrohet, në vend të fokusohet të ndërmarrjet e mëdha dhe ka rrezik të ulen të ardhurat, ndaj nuk ishim dakord që në fillim”.

FMN “shuplakë” qeverisë: Ndalni praktikat e PPP-ve, me rrezik për buxhetin Read More »

Rama takon Mogherinin dhe Fleckenstein: Me grupin “Miqtë e Shqipërisë në PE”

Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar disa takime miqësore para dëgjesës në Parlamentin Europian. Rama është takuar me shefen për Politikë të Jashtme dhe Siguri të BE-së, Federica Mogherini si dhe me Raportuesin për Shqipërinë në Parlamentin Evropian, Knut Fleckenstein. Me të dy diplomatët, Rama ka pasur biseda të veçanta.

“Disa takime miqësore përpara dëgjesës me grupin “Miqtë e Shqipërisë në Parlamentin Europian”🇦🇱😊🇪🇺”, shkruan kryeministri.

Më herët Rama u takua komisionerin Johannes Hahn si dhe me kryeministrin belg Charles Michel, i cili shprehu mbështetje për integrimin e Shqipërisë në BE.

 

 

Rama takon Mogherinin dhe Fleckenstein: Me grupin “Miqtë e Shqipërisë në PE” Read More »

Nga Gjata tek Sollaku, 20 kandidatët për Gjykatën Kushtetuese

Kuvendi çeli procedurën për anëtar të Gjykatës Kushtetuese që zgjidhen nga ky institucion më 12 shkurt, dhe janë 20 kandidatë që kanë shprehur interesin, për zëvendësimin e gjyqtarit Vladimir Kristo.

Gara nga Kuvendi u çel fill pas asaj të kreut të shtetit Ilir Meta, për të zgjedhur kandidatin e institucionit të tij. Aktualisht, Gjykatës Kushtetuese i mungojnë 4 anëtarë nga 9 që duhet të ketë gjithsej, duke e vendosur këtë institucion kyç në një ngërç.

Me futjen në fuqi të ligjeve të reformës në drejtësi, anëtarët e rinj të gjykatës duhet të kenë kaluar më parë vetting-un.

Anëtarët e Gjykatës Kushtetuese zgjidhen me shumicë të cilësuar dhe vullnetin për të mos e lënë Gjykatën Kushtetuese të bjerë në kolaps e kanë shprehur edhe demokratët. Konsensus ose jo, kjo do të përcaktohet nga emrat e kandidatëve që do të renditen nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi.

Lista e plotë e kandidatëve:

  1. Anila Kristani
  2. Arta Vorpsi
  3. Besnik Muçi
  4. Çlirim Gjata
  5. Dashamir Kore
  6. Dedë Kasneci
  7. Denar Biba
  8. Elsa Toska
  9. Gëzim Allaraj
    10.Ilir Kadiu
    11.Ilir Panda
    12.Irena Nino
    13.Kostandin Kazanxhi
    14.Kristaq Traja
    15.Rexhep Bekteshi
    16.Sinan Tafaj
    17.Sokol Hasani
    18.Shpresa Beçaj
    19.Theodhor Sollaku
  10. Valbona Bala

Nga Gjata tek Sollaku, 20 kandidatët për Gjykatën Kushtetuese Read More »