Aktualitet

Nga gjykata Fran Frokaj : Merreni masa për përmbytjet…

Kryetari i Bashkisë së Lezhës Fran Frrokaj ka dalë sot para gjykatës për t’u njohur me masën e sigurisë, nëse do të ketë ndryshim nga ‘arresti me burg’ apo do të vijojë të qëndrojë në qeli gjatë gjykimit.

Por në vend se të mbrojë veten para gjyqtarëve mbi akuzën për shpërdorim detyre dhe tjetërsim pronash, Frrokaj ka kërkuar të merren masa për rrëshqitjet e dherave në rrugën e Kalasë në qytetin e Lezhës.

Frrokaj i ka kërkuar nënkryetares së Bashkisë Lezhë t’i shkruajë një shkresë komitetit të emergjencave që të ndërhyhet në këtë rrugë pasi ka rrëshqitje masive. Ndërkohë në gjykata ka masa të larta sigurie për shkak se jashtë dyerve të saj ndodhen një numër i madh mbështetësish dhe familjarësh të personave të akuzuar për tjetërsimin e pronave në Shëngjin.

Nga gjykata Fran Frokaj : Merreni masa për përmbytjet… Read More »

Merrni masa!Reshje shiu në gjithë vendin, priten përmbytje

Në shumë zona të vendit gjatë ditës së sotme janë regjistruar reshje të madha shiu. Në zonat e larta malore raportohet edhe nisja e reshjeve të borës. Në Durrës, rrugët në disa lagje janë përmbytur. Në Shkodër situata në zonat e përmbytura prej një jave në Obot është përkeqësuar. Ndërsa në Jug, në disa akse kombëtare ka pasur probleme serioze me qarkullimin e mjeteve.

Shkodër, shtohen zonat e përmbytura

Në qarkun e Shkodrës duket se hapësira e zonave të përmbytura do të zgjerohet. I gjithë territori i vendit është përfshirë nga reshje intensive shiu gjatë orëve të fundit dhe sipas Institutit të Gjeoshkencave, reshjet do të shtohen edhe gjatë ditës së sotme duke bërë që prurjet në lumin Drin dhe atë të Bunës të shtohen.

“Nga llogaritjet hidrologjike të IGJEUM-it, rezulton se lumenjtë Drin, Buna dhe Liqeni i Shkodrës do të kenë prurje dhe nivele të larta. Sot (e diel, dt.18) në basenin Drin-Buna dhe Liqenin e Shkodrës do të vazhdojë të ketë RRITJE të  niveleve të ujit dhe rritje të hartës së përmbytjeve”, thuhet në njoftimin e një dite më parë të IGJEUM.

IGJEUM thotë se do të vazhdojë rritja e prurjeve edhe gjatë ditës së sotme në pjesët malore të basenit duke përfshirë edhe hidrocentralet mbi lumin Drin. “Nesër nivelet në pjesën e Ultësirës së Nën Shkodrës do të vazhdojnë të rriten për shkak të prurjeve nga Liqeni i Shkodrës dhe Lumi Drin në drejtim të Lumit Buna. Parashikimet e IGJEUM për ditët në vazhdim tregojnë RRITJE TË PRURJEVE DHE NIVELEVE përgjatë datave 20, 21 dhe 22 mars 2018. Pritet ZGJERIM I HARTËS SË PËRMBYTJEVE në pjesën e Nën Shkodrës dhe përmbytjes të zonave periferike të qytetit të Shkodrës në afërsi të Liqenit”, thuhet në njoftim. Në pjesën tjetër të territorit përgjatë ditëve në vazhdim parashikohet rritje e ndjeshme e prurjeve duke rritur rrezikun nga përmbytjet në gjithë pjesët fushore të lumenjve.

Reshjet shkaktojnë probleme në Durrës, disa rrugë nën ujë

Reshjet e dendura të shiut kanë krijuar probleme në qytetin bregdetar të Durrësit. Raportohet se disa rrugë të qytetit janë nën ujë, duke bërë të pamundur kalimin e këmbësorëve dhe njëkohësisht duke vështirësuar qarkullimin e automjeteve. Situata më problematike paraqitet në rrugën ‘Aleksander Goga’, kryqëzimi i Stadiumit, rruga ‘Skënderbe’, rruga ‘Taulantia’ dhe tek rreth rrotullimi tek ‘Stacioni i trenit’. Po kështu moti i keq me reshje shiu ka shkaktuar sërish rrëshqitjen e dherave në Currila, e për pasojë bllokimin e rrugës në njërën prej korsive të kalimit për automjetet.

Rreshjet e shiut kanë provokuar rënien masive të dherave në drejtim të segmentit rrugor Univeristet-Currila gjatë natës dhe orëve të para të mëngjesit, duke bërë që qarkullimi i mjeteve të devijojë vetëm në një korsi.

Masivi i baltës bllokon për disa orë njërin kah të aksit Tepelenë-Gjirokastër

Moti i keq me reshje intensive të shiut ka shkaktuar probleme në aksin rrugor Tepelenë- Gjirokastër. Rreth orës 03:00 të mëngjesit, në vendin e quajtur Shkalla e Zezë ka pasur vështirësi të qarkullimit të mjete.

Shkak është bërë një masiv balte i cili ka bllokuar për disa orë njërin kah të rrugës. Momentalisht firma e kontraktuar po punon me te gjitha mjetet. Situatë e ngjashme në Shkallën e Zezë tek Uji i Ftohtë paraqitet sa herë ka reshje shiu.

Po ashtu probleme janë shfaqur edhe ne aksin Këlcyrë-Përmet në Çarshovë, aty ku prej dy ditësh rruga ka qenë e kalueshme, por me vështirësi për shkak të rënies së dherave. Momentalisht edhe në këtë aks po punojnë 3 mjete për pastrimin e rrugës.

Merrni masa!Reshje shiu në gjithë vendin, priten përmbytje Read More »

Moti i keq mbyll shkollat në Durrës

Moti i keq në Durrës ka krijuar anomali jo vetëm në qarkullim po dhe në procesin mësimor në këtë qytet.

Nxënësit e shkollës 9-vjeçare ”Met Hasa” në Porto Romano të Durrësit janë izoluar brenda godinës. Uji ka përmbytur oborrin e mjedisin përreth.

Ndërkohë mësimi është pezulluar dhe te shkolla ‘Neim Babameto’ në Spitallë.

Për shkak të situatës së krijuar nga reshjet e shumta të shiut në qytetin e Durrësit, edhe Universiteti “Aleksandër Moisiu” njofton pezullimin e procesit mësimor për sot.

Moti i keq mbyll shkollat në Durrës Read More »

Ja në cilat qytete banorët paguajnë më shumë taksa…

Nëse keni planifikuar të ndërroni gjendjen civile, më parë duhet të interesoheni për bashkinë ku do të shkoni dhe taksat që do të paguani. Jo në të gjitha bashkitë, taksat janë të njëjtat.

Ndër 61 bashkitë në vend, disa prej tyre kërkojnë më shumë pagesa nga banorët. Për 9 muajt e parë të 2014, 61 bashkitë kanë arkëtuar 17.5 miliardë lekë (130 milionë euro) si taksa dhe tarifa nga bizneset dhe individët për 9 muajt e parë të vitit 2017, me një rritje prej gati 30% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, sipas të dhënave të portalit financatvendore.al.

Gjysma e këtyre të ardhurave (51%) është mbledhur nga bashkia Tiranë. E dyta është Bashkia e Durrësit me 6.4% të totalit dhe më pas vijon Elbasani, me gati 3% të totalit.

Por, cilat janë ato bashki që mbledhin më shumë të ardhura në raport me banorët e tyre dhe cilat zërat kryesorë nga i sigurojnë ato. “Monitor”, ka përpunuar të dhënat e portalit të financave vendore për të ardhurat nga taksat dhe tarifat dhe numrin e banorëve sipas bashkive kryesore (popullsia për Bashki është marrë nga të dhënat që përdoren për përllogaritjen e granteve të pakushtëzuara nga Buxheti, i vetmi informacion i disponueshëm).

Në vend të parë është Tirana, ku taksat dhe tarifat e mbledhura nga bizneset dhe individët, të llogaritura për frymë arrijnë në 14.5 mijë lekë për 9-mujorin (pa përfshirë grantet e pakushtëzuara nga qeveria).

Për periudhën janar-shtator, Bashkia e Tiranës ka arkëtuar gati 9 miliardë lekë, me një rritje prej 54% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, sipas të dhënave të portalit të financave vendore. 35% e të ardhurave të Bashkisë kanë ardhur nga taksa e ndikimit në infrastrukturë, që ndonëse mblidhet nga bizneset e ndërtimit paguhet indirekt nga qytetarët, pasi ajo transferohet direkt në çmimin e shitjes së apartamenteve (ndërtuesit kanë pohuar se efekti i kësaj takse ka qenë një shtrenjtim i apartamenteve me 50-100 euro për metër katror në varësi të zonës).

17% të të ardhurave të bashkisë kanë ardhur nga taksa e ndërtesës dhe 16% nga Tarifa të shërbimeve publike vendore (mbetje, gjelbërim etj.) Taksat dhe tarifat për frymë që paguhen në Bashkinë Tiranë janë gati sa trefishi i mesatares së vendit, që është rreth 5,000/lekë për frymë.

Në vend të dytë është Bashkia e Vorës, ku të ardhurat për frymë janë 10.6 mijë lekë, ose dyfishi i mesatares së vendit. Bashkia e Vorës “përfiton” nga fakti që një sërë biznesesh të mëdha ushtrojnë aktivitetin në territorin e saj. 21% e të ardhurave të saj vijnë nga taksa e ndërtesës dhe 19% nga taksa e ndikimit në infrastrukturë.

E treta është Saranda, me rreth 8,500 lekë të ardhura për frymë. Bashkia bregdetare ka një shpërndarje më të barabartë mes të ardhurave, e kryesuar nga taksa mbi ndërtesat, tarifa të shërbimeve publike vendore (mbetje, gjelbërim), tarifa për zënien e hapësirave publike dhe fasadave, tarifa për shërbime administrative etj.

Kavaja, që renditet e katërta (5.3 mijë lekë për frymë), i siguron të ardhurat kryesore nga taksa e ndërtimit në infrastrukturë, teksa kjo bashki jep lejet në një zonë të lakmuar bregdetare. Të ardhurat nga taksa e infrastrukturës përbënin gati 40% të totalit për 9 mujorin.

Edhe në Durrës (po rreth 5.3 mijë lekë për frymë) mbizotërojnë të ardhurat që merren nga lejet e ndërtimit. Taksa e infrastrukturës zë gati 28% të totalit të të ardhurave, e ndjekur nga taksa mbi ndërtesat me 21%.

Bashkitë që mbledhin më pak taksa janë ato të veriut e verilindjes, si Kukësi, Dibra, Mirdita, Tropoja. Për kompensim ato kanë dhe grante më të larta nga qeveria qendrore, ku më e dukshme është kjo për Kukësin, për të cilin grantet e pakushtëzuara për 9-mujorin ishin 6 herë më të larta sesa të ardhurat e veta, ndërsa në Dibër rreth 9 herë më shumë.

Ekspertët kanë pohuar se heqja e taksës së biznesit të vogël disa vjet më parë ka shtrembëruar strukturën e të ardhurave të bashkive, teksa ato në kërkim të burimeve të tjera të të ardhurave kanë rritur taksat dhe tarifat për shërbime të tjera.

Në fund të vitit 2015, qeveria shqiptare vendosi që të heqë taksën e biznesit të vogël për xhiro deri në 5 milionë lekë (që ishte 25 mijë lekë në vit), ndërsa për fashën nga 5 në 8 milionë lekë tatimi u ul në 5%. Të ardhurat nga taksa e biznesit të vogël administroheshin nga bashkitë.

Ja në cilat qytete banorët paguajnë më shumë taksa… Read More »

Blindohet Lezha, ja çfarë ka ndodhur

Qyteti i Lezhës është blinduar nga forcat e policisë prej orëve të  para të ditës së hënë. në Gjykatën e Lezhës sot pritet të jepet masa e sigurisë për kryetarin e Bashkisë së këtij qyteti, Fran Frrokaj i arrestuar për abuzim me pronat në zonën e Shëngjinit.

Kryebashkiaku i Lezhës, Fran Frrokaj dhe 11 zyrtarët e tjerë të arrestuar për abuzime me pronat në Shëngjin do të dalin sot para gjykatës së Lezhës për rivlerësimin e masës së sigurisë.

Forca të shumta policie kanë rrethuar gjykatën dhe kanë vendosur shirita.

Frrokaj dhe zyrtarët e tjerë u arrestuan të premten me masë sigurie “arrest me burg” të marrë në mungesë nga gjykata e Lezhës, ndërsa 11 të tjerë janë ende në kërkim.

Seanca ishte parashikuar të zhvillohej të dielën, por që në orët e mëngjesit, mbështetës të kryebashkiakut Frrokaj dhe familjarë të personave të arrestuar protestuan dhe në disa raste bllokuan edhe rrugën para komisariatit të Policisë Lezhë.

Ata e konsiderojnë politik arrestimin e Frrokajt, ndaj kërkojnë lirimin e tij. Në të njejtën linjë, qëndron edhe Partia Demokratike e Lezhës, e cila e cilëson arrestimin si tentativë për ti dëmtuar imazhin në Lezhë.

Blindohet Lezha, ja çfarë ka ndodhur Read More »

Ish ministri serb: Darka sekrete Thaçi-Vuçiç në Paris…

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në fillim të javës së kaluar shkoi në Londër për ta promovuar librin e tij. Pas Londrës, befas u shfaq në Paris, ku u prit nga Presidenti Emmanuel Macron. Po ashtu, Thaçi edhe aty shfrytëzoi rastin për ta promovuar librin.

Por, krejt ky udhëtim i tij po interpretohet ndryshe në Serbi.

Sipas Vuk Jeremiq, ish-ministër i Jashtëm i Serbisë, në Paris, të martën që shkoi, tinëz opinionit ka qëndruar edhe Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili, sipas Jeremiqit, ka darkuar me Thaçin.

Jeremiq ka thënë se kreu i shtetit serb është duke zhvilluar negociata të fshehta me Thaçin.

Ai më pas ka thënë se Vuçiq të dielën ka udhëtuar po ashtu tinëz në Nju-Jork.

E, Vuçiq i është përgjigjur në mënyrë ironike Jeremiqit, teksa ka konfirmuar që ndodhet në Shtetet e Bashkuara.

Nëpërmjet një shkrimi në llogarinë e tij në Twitter, presidenti serb ka thënë se atje ndodhet për një darkë, me familjen Soros.

Por, Vuçiq ka thënë se kjo darkë ka dështuar. “Për fat të keq, nuk pata mundësinë të takoj askënd nga familja Soros”, ka shkruar ai.

Ish ministri serb: Darka sekrete Thaçi-Vuçiç në Paris… Read More »

Para gjykatës do mblidhen qindra protestues demokratë

E hënë datë 19 mars,në Lezhë në ora 09.00, do të jetë seanca gjyqësore për vlerësimin e masës së arrestit për kryebashkiakun Fran Frrokaj dhe të ndaluarit e tjerë. Demokratët lezhjanë e kanë quajtur arrestimin të motivuar politikisht ndaj kanë vendosur të protestojnë para gjykatës.

Mësohet nga burime të besuara se numri i protestuesve do jetë i lartë, ndaj nga Tirana janë dërguara forcat speciale për të mos patur ndonjë konfrontim me policinë.

Para gjykatës do mblidhen qindra protestues demokratë Read More »

Loja me Lezhën dhe “harrojnë” Durrësin, Vlorën, Sarandën, Velipojën, Jalën …

Tashmë arrestimet në Lezhë janë në qendër të politikës së ditës. Mjeshtërisht po klithin për Lezhën, duke spostuar vëmëndjen nga vjedhjet dhe masakrat urbane në Velipojë, ku ka pushtetarë dhe opozitarë të përzier në rrëmbime tokash në bregdet. Në Velipojë janë njerëz të pushtetshëm që lidhen direkt me qeverinë. Ne Durrës, Vlorë, Himarë, Sarandë ose me saktë krejt Zona e Bregut rezultojnë me tjetërsime pronash shtetrore dhe fallsifikime, por pas tyre sidomos në pjesen nga Ksamil-Sarande-Dhermi fshihen biznesmenë shumë të fuqishëm të lidhur me PS-në. Asnjë hetim apo hetim-arrestim nuk rezulton në këto zona bregdetare. Apo paguajne nen dore ata qe te mos hetohen!?

Lezha, përveç anës ligjore për të cilën të gjithë jemi dakort në ndëshkime, u godit për tu bërë shembull edhe për një arësye: kryebashkiaku nuk ka lidhje me kupolen politike në Tiranë. As në PD e jo më në PS. Pra emri mbetet i madh se u kap një “peshk-kryebashkiak”, por nuk u godit ndonjë klan i strukturuar. Ndërsa kryebashkiaku i Durresit ka mik personal Kryeministrin Rama, kryebashkiaku i Elbasanit ka mik personal Taulant Ballen, sekretarin e përgjithshëm të PS e shefi i deputetëve të selisë rozë, kryebashkiakët e zonës bregdetare nga Lushnja deri në Ksamil janë pjesë e PS.

Asnjë goditje atje ku PS-ja ka monopolin dhe interesa mafioze.

Në Lezhë, pavarësisht akuzës e cila pritet të verifikohet nga gjykatat, pushteti dhe prokuroria goditën një Fran, një Pjetër, një Lekë, një Zef apo Mark, por nuk arrestuan asnjë në Velipojën ngjitur, kur vetëm pak metra e ndan Ranën e Hedhun nga bregdeti velipojas. Apo atje pas vjedhjes janë deputetë, ministra, ish-ministra, zyrtarë të lartë, prokurorë e gjykatës?

Lezha mbetet një histori, e cila e mori ndëshkimin. Nuk duhet të përdoret si mbulesë për të mos hetuar apo penalizuar pjesën tjetër të grabitjes nëpër Shqipëri. Nga Lezha ka sinjale se ka një akord të fshehtë mes PS dhe PD që ta shtrydhin këtë arrestim dhe të lenë mënjanë arrestime kryebashkiakësh të tjerë në pjesën bregdetare e jo vetëm. Drejtësia do jetë ajo që do të vendosë për Lezhën, por fakti që trumbetimi i arrestimeve të një morie zyrtarësh lezhjanë po mbulon vjedhjet e zonave jugore të tokave në bregdet, tregon se janë urdhërues arrestimesh në Lezhë, pushtetarët të cilët duan të fshehin tokat e pasuritë në rajone të tjera të vendit.

Nëse prokuroria është e paanshme, pse nuk arreston edhe kryebashkiakët e PS-së apo ministra të mazhorancës, kur dihet dhe është vertetuar publikisht se janë qindra milionë euro të vjedhura nga buxheti i shtetit?

Apo me Lezhën mbyllin krejt korrupsionin qeveritar qendor dhe vendor?! Apo se kryebashkiakun e Lezhës e ka shitur edhe Lulzim Basha?

Loja me Lezhën dhe “harrojnë” Durrësin, Vlorën, Sarandën, Velipojën, Jalën … Read More »