Aktualitet

Burgjet ”plasin” nga punëtorët e hashashit, historitë e….

Katër gra, kunata me njëra-tjetrën, nga fshati Malas në Mallakastër, u arrestuan më 3 mars për prodhim lëndësh narkotike dhe moskallëzim krimi. Gjykata e Fierit i liroi me masën “detyrim paraqitjeje”, ndërsa Prokuroria këmbëngul që të arrestohen si organizatore, pasi janë organizuar me njëra-tjetrën që të punonin në “laboratorin” e drogës në fshatin Çorrush, po në Mallakastër.

Në operacionin e policisë u sekuestruan 350 kilogramë lëndë narkotike, ndërsa u arrestuan vetëm pronari i shtëpisë ku ndodhej droga dhe 4 gratë që punonin aty. Tashmë, Prokuroria i ka zgjeruar hetimet vetëm ndaj mënyrës sesi shkuan gratë në punishte dhe jo ndaj bashkëpunëtorëve të tjerë. Deri më tani, Prokuroria nuk ka identifikuar personat që e mbollën, ata që e çuan në banesën në fshatin Çorrush, si edhe organizatorët që do ta trafikonin jashtë vendit.

Ndërkohë, deri në dhjetor të vitit 2017, në Shqipëri ndodheshin në burgje 5.496 persona. Ishin 386 persona të dënuar për prodhim lëndësh narkotike, 270 për trafikim dhe kultivim, ndërsa vetëm 3 persona janë të dënuar për organizim dhe drejtim të organizatave kriminale.

Gjithashtu janë edhe rreth 850 persona të paraburgosur për prodhim, kultivim dhe trafikim të narkotikëve, e vetëm 7 për organizim dhe drejtim të organizatave kriminale. Pra, në burg janë vetëm 10 organizatorë të grupeve kriminale dhe mijëra të tjerë që mbjellin dhe mbajnë lëndë narkotike.

“Trafikantet” e hashashit

“Fiks Fare” shkoi te shtëpitë e organizatoreve Eleonora dhe Irma Jaupaj, ku rezultoi se njëra ishte me ndihmë ekonomike prej 4.000 lekësh, ndërsa tjetra me 3 fëmijë të mitur për të rritur. Shtëpitë i kishin të parregulluara.

Sipas tyre, në datën 3 mars 2018 kanë shkuar në fshatin Çorrush. Një person me emrin Gazi u kishte thënë të punonin për të, për të paketuar sherebelë. Shkuan atje, punuan disa orë dhe u erdhi policia. Atje panë se bima nuk ishte sherebelë. Kur erdhi policia, 4 gratë i kapën dy-tre kilometra më larg, pasi ikën me vrap bashkë me disa persona të tjerë.

Eleonora Jaupaj thotë se një person me emrin Gazi e ka kontaktuar për të punuar në fshatin Çorrush. Ka shkuar atje, pasi e ka ditur se do të punojë në sherebelë. Pas dy orësh, policia ka shkuar në banesën e hashashit, ku pas disa minutash ndjekjeje ka arrestuar 4 gra dhe pronarin e shtëpisë.

Personat e tjerë nuk janë gjetur, megjithëse sipas Eleonorës, në punishte kanë qenë rreth 20 persona. “I thamë policit ja tek janë. Ai na mori neve, na mbajti 4 orë te shtëpia. Na shoqëruan në polici, ku na mbajtën për tri ditë, e më pas gjykata na liroi”, thotë Eleonora.

Sipas saj, Prokuroria apeloi vendimin, duke argumentuar se gratë akuzohen për prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike dhe moskallëzim krimi. Eleonora Jaupaj tregon se ka 4 fëmijë, familja e saj merr ndihmë ekonomike prej 4.000 lekësh nga Bashkia e Mallakastrës.

“Vajzën e kam sëmurë. Më kanë kërkuar 5.000 euro për ta operuar. Ku t’i gjej lekët?”, thotë Eleonora, ndërsa me lot në sy tregon se ia pastron vet sytë vajzës. “Ne punuam për bukën e gojës. Pse, me këto kushte është kjo grua që cilësohet se prodhon drogë, lëndë narkotike?”, thotë Eleonora.

Ndërkohë, Irma Jaupaj ka 3 fëmijë, nga 8-14 vjeç. “I tregova punonjësit të policisë që na arrestoi se kishte edhe persona të tjerë, që ishin në pyll. Ai na arrestoi vetëm neve, na tha se vjen vet ai në polici”, thotë Irma.

Gazetarët e “Fiks Fare”, bashkë me dy gratë shkuan në fshatin Çorrush, te shtëpia ku u sekuestrua sasia prej 350 kilogramësh hashash. Gratë thanë se, në momentin që erdhi policia janë larguar disa kilometra në këmbë, derisa janë arrestuar. Ndërkohë, afër kësaj banese banon edhe babai i të arrestuarit, Gazmend Allkaj. Ai thotë se djali i tij e ka marrë përsipër lëndën narkotike, ndërsa saktëson se dy gratë kanë shkuar për punë vetëm ditën që janë arrestuar.

Organizatorët lihen të lirë, ndërsa punëtorët në burg!

“Fiks Fare” i kërkoi Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve informacion në lidhje me numrin e të dënuarve, të të paraburgosurve, si dhe numrin e të dënuarve për lëndë narkotike pas vitit 2013.

“Deri në dhjetor të vitit 2017, në burgje ishin 5.496 persona. Nga këta, 2.450 të paraburgosur. Të dënuar pas vitit 2013 janë 386 persona për prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike; 173 për trafikim të lëndëve narkotike; 101 për kultivim të bimëve narkotike; 3 persona të dënuar për organizim dhe drejtim të organizatave kriminale; si dhe një person i dënuar për përdorimin e drogës”.

Ndërkohë, të paraburgosur pas vitit 2013 janë 537 persona për prodhim dhe shitje të narkotikëve; 192 për trafikim të narkotikëve; si dhe 131 për kultivim të bimëve narkotike. Drejtoria e Burgjeve thotë se janë vetëm 7 persona për organizim dhe drejtim të organizatave kriminale; 4 të paraburgosur për përshtatje të lokalit për përdorim droge; si dhe dy të paraburgosur për nxitje për përdorimin e drogës.

Burgjet ”plasin” nga punëtorët e hashashit, historitë e…. Read More »

Ilir Meta i jep autorizimin ministrit Bushati, për negociatat me Greqinë. Ja “kushtet”

Presidenti Ilir Meta i ka dhene autorizimin ministrit Ditmir Bushati per negociatat me Greqine.

NJOFTIMI I PRESIDENCËS

“Presidenti i Republikës, Sh.T.Z Ilir Meta në mbështetje të nenit 92 gërma “ë”, nenit 116, nenit 121 pika 1, nenit 132 të Kushtetutës; Vendimit nr.15, datë 15.04.2010 të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë; Nenit 6 pika 3, shkronja “a” të ligjit nr. 43/2016 “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, në vijim të kërkesës të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme autorizoi sot Ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme, z.Ditmir Bushati, të lëshojë Plotfuqinë për Grupin Negociator të Republikës së Shqipërisë për negocimin e “Projektmarrëveshjes ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë për kufizimin e zonave të tyre detare”.

Presidenti i Republikës, Sh.T.Z Ilir Meta u kërkon Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, institucioneve shtetërore shqiptare, të përfshira në këto negociata dhe Grupit Negociator, të përmbushin përgjegjësitë e tyre në respekt të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, të Vendimit nr.15, datë 15.04.2010 të Gjykatës Kushtetuese, akteve ndërkombëtare ku Republika e Shqipërisë është palë, kuadrit të brendshëm ligjor, në interes të ruajtjes dhe ushtrimit të sovranitetit territorial dhe juridiksionit kombëtar dhe të garantimit të sigurisë, dobisë ekonomike e sociale të vendit”.

Ilir Meta i jep autorizimin ministrit Bushati, për negociatat me Greqinë. Ja “kushtet” Read More »

Komisioni “Tahiri”, Brahimllari: Në hetim dhe drejtues të lartë policie

Sot u mblodh për herë të parë komisioni hetimor mbi ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri. Sekretari i Përgjithshëm i Lëvizjes Socialistë për Integrim, Endrit Brahimllari i ftuar në ”Fax News”, u shpreh se do të hetohen edhe drejtues të lartë të policisë së shtetit, derisa të zbardhet e vërteta.

“Shqipëria është kthyer në një nyje të rrezikshme të drogave të forta. Tani nuk është më thjesht një rrugë kalimi, por furnizuesi kryesor i gjithë Europës. Kapja e ngarkesa të mëdha me drogë tregon se Shqipëria është një moment shumë kritik. Është një çështje në hetim dhe i takon Prokurorisë ta përfundojë si çështje. Përsa i përket komisionit ne kemi për detyrë ta ndjekim që të kuptojmë që gjithçka po ecën siç duhet. Ne nuk ecim sipas hetimit të Prokurorisë. Ky komision përfshin edhe hetimin e drejtuesve të lartë të policisë. Ne kërkojmë të zbardhet e vërteta përsa 0 përket implikimit të policisë së shtetit në transportimin e drogës. Ne nuk mund të lejojmë që të bëhen arrestime politike, por duhet të zbardhet e vërteta. Tre drejtues kryesorë janë në kërkim pikerisht për këtë çështje, kanë qenë mbështjetje e bosëve të drogës”,-tha Braimllari.

Përsa i përket çështjes së Frrokaj, Brahimllari u shpeh se burgu nuk është një urim që u duhet bërë njerëzve. “E para, burgun nuk ja uroj askujt, por un nuk koment mbi vendimin e gjykatës. Është Gjykata ajo që e vendos.”

I pyetur nëse mbrojtja që po i bëhet Dashamir Xhikës është një presion ndaj Prokurorisë, Endrit Brahimllari u shpreh se Xhika është atje ku është për një goditje politike.

“Xhika është arrestuar për çështje politike, por do të përballet me drejtësinë, dhe do të dalë e vërteta. Nuk ja kemi merakun kësaj çështjeje dhe nuk jemi këtu për t’u marrë me arrestime politike. Një shtet i cili bazohet në institucione të cilat bazohen në të vërtetën në të drejtë, ain quhet shtet. Ne kemi goditur një Shqipëri që ishte jashtë kontrollit. Një aksion i madh antodrogë nuk ja mbush mendjen opozitës që jemi në rrugën e duhur. Dhe mënyra më e mirë për ta vërtetuar këtë është se Prokuroria ka hapur edhe ka mbyllur çështje të politikanëve të përfshirë në afera korruptive”,-përfundoi Sektetari i Përgjithshëm i LSI-së.

Komisioni “Tahiri”, Brahimllari: Në hetim dhe drejtues të lartë policie Read More »

“Emergjenca nga përmbytjet”, zv.ministri Koçi: Nuk kemi fatkeqësi natyrore

Zv/ministri i Mbrojtjes, Petro Koçi ishte i ftuar ditën e sotme në rubrikën “Opinion” në studion e lajmeve në News24 për të folur për situatën e përmbytjeve në vend.

Koçi tha se situata paraqitet e vështirë në Shkodër, ku reshjet kanë qenë të pandërprera dhe duket se do të vazhdojnë sërish.

Zv/ministri tha se Emergjencat Civile nuk i kanë kapacitetet e nevojshme për të ndërhyrë prandaj është e nevojshme ndihma e Forcave të Armatosura.

Megjithatë Koçi tha se ende nuk është nevoja për të shpallur gjendjen e emergjencës, pavarësisht kërkesave të vazhdueshme të opozitës.

“Është një situatë e rënduar se ka reshje të pandërprera, dhe duket se do vazhdojnë sërish. Shumë njësi administrative të Shkodrës, komuna të ndryshme e rrethina paraqesin vështirësi. Ka goxha sipërfaqe toke nën ujë. Na është dashur me FA të ndërhyjmë në atë zonë për një periduhë më të gjatë se herët e tjera. Janë dërguar materiale të ndryshme për të ndihmuar njerëzit në nevojë. Duket që prurjet në lumenj janë shumë të larta. Pavarësisht se hidrocentralet derdhin diçka më pak, gjithsesi është sasi shumë e madhe,” tha Koçi

Mund të hapet një front i dytë në jug, në lumin Vjosë?

“Në rast se do kishim dy fronte të mëdha, do na duhej të vinim kapacitetet të tjera që ka Ministria e Mbrojtjes, por nëse do të duhet do vëmë në përdorim gjithçka kemi mundësi. Në rastin e kaskadës së Drinit, duhet parë mirëmenaxhimi i kaskadës, në rastin e Vjosës, situata është rënduar për shkak të rrugës Fier-Vlorë edhe kryeministri ka dhënë urdhër për ta riparë këtë çështje se nëse vazhdohet kështu do ketë situata të rënduara.

Vetë drejtoria e emergjencave nuk ka kapacitete për të menaxhuar këto lloj vështirësish, prandaj kalohet tek Ministria e Mbrojtjes. Por janë disa institucione që koordinohen për të përballuar situata të tilla. Bashkia e Shkodrës nuk ka kapacitete, dhe buxheti është i vogël për t’u marrë me këto.  Nuk është situata e tillë që të shpallësh gjendjen e fatkeqësisë natyrore,” u shpreh Koçi, por pa dhënë shpjegime të mëtejshme për shkakun apo shkaktarët e situatës së krijuar në gjithë vendin.

“Emergjenca nga përmbytjet”, zv.ministri Koçi: Nuk kemi fatkeqësi natyrore Read More »

Fshatin e përpin toka, shemben gjithë banesat

Reshjet e dendura të shiut, po shkaktojnë dëme kolosale. Prej 10 ditësh, 12 familje në fshatin Dardhë të Fushë-Arrëzit nuk futen dot në shtëpitë e tyre. Disa prej shtëpive janë bërë të pabanueshme si pasojë e rrëshqitjes së një masivi dheu ndërsa të tjerat rrezikojnë të shemben në çdo moment.

Shtëpia e Mirashit është më e dëmtuara. I shpëtuan vdekjes por tashmë për të hyrë në atë që deri dje ishte e gjithë jeta e tyre, i mbetet vetëm dritarja nga ku mundohet të shpëtojë çfarë i ka mbetur.

Bashkëshortja e Kinit së bashku me fëmijët janë strehuar në kishën e fshatit, ndërsa banorët e tjerë te të afërmit. Një ekip pune qëndron 24 orë në zonë por Bashkia e Fushë- Arrëzit nuk ka mundësi për zgjidhje afatgjatë.

Fshatin e përpin toka, shemben gjithë banesat Read More »

Ja sa persona kerkuan azil ne Shqiperi ne 2017

Komisioneri i lartë i OKB-së për refugjatët ose UNHCR, z. Pablo Zapata në një intervistë për emisionin PASSPORT të gazetarit Arbër Hitaj, thotë se në vitin 2017 309 persona shumica nga Siria apo Afganistani kërkuar azil politik në Shqipëri.

Le të ndalemi pak te çështja e fluksit të emigrantëve të parregullt. Flukset e përziera migratore nga Shqipëria, përmes Shqipërisë dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor. Cila është situata aktuale në kufi?

Siç e përmenda edhe më parë, ka ende njerëz që përpiqen të kalojnë transit jo vetëm përmes Shqipërisë, por edhe përmes vendeve të Ballkanit Perëndimor drejt vendeve të Evropës Perëndimore, le të themi. Në rastin e Shqipërisë, nëse më lejoni ta shpjegoj në pak minuta, ka një sistem të mirë në kufi për të trajtuar këtë situatë. Në Shqipëri, në vitin 2017, u ndaluan mbi 1000 persona që po përpiqeshin të kalonin kufirin në mënyrë të parregullt, 1049 persona nga të cilët 349, më falni, 309, kërkuan azil në Shqipëri. Pra, këto shifra në muajt e fundit kanë pësuar rritje.

Këtë vit, në dy muajt e parë të vitit, janë ndaluar 550 persona, nga të cilët 196 kanë kërkuar azil. Ne shohim një rritje të vogël në pjesën e fundit të vitit të kaluar dhe në fillim të këtij viti, por në kuadrin e një situatë relativisht të qëndrueshme. Puna jonë këtu në Shqipëri i referohet, në këtë aspekt, ndihmës ndaj autoriteteve shqiptare që janë përgjegjëse për kontrollin e kufirit, Ministrisë së Brendshme, Policisë Kufitare dhe Migracionit, për të adresuar situatën e këtyre emigrantëve të parregullt, shumë prej të cilëve janë njerëz që kanë nevojë për mbrojtje ndërkombëtare apo refugjatë, siç i quajmë ndryshe, për t’iu përgjigjur nevojave të tyre sapo të ndalohen në Shqipëri.

Pra, Shqipëria ka një sërë detyrimesh ndërkombëtare në çështjet që lidhen me azilin. Veçanërisht, Shqipëria është nënshkruese e Konventës për Statusin e Refugjatëve dhe sipas saj dhe sipas Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut, njerëzit kanë të drejtën të kërkojnë azil në Shqipëri. Dhe në mesin e atyre që janë ndaluar vitin e kaluar, ka një shifër prej 309 personash siç po thoja, që dëshironin të kërkonin azil në Shqipëri. Pastaj ekziston një procedurë për të përcaktuar nëse ata janë refugjatë apo jo.

Hapi i parë në kufi është më i rëndësishmi, respektimi i të drejtave të këtyre njerëzve, që në rastin e Shqipërisë është kryer dhe adresimi i asaj që ne e quajmë, referimi i personit të duhur në sistemin e duhur. Pra, Shqipëria krijoi shumë vite më parë, në vitet 2002, 2003, një sistem shumë novator, që u zbatua më pas edhe në shumë vende të tjera, i cili përfshin një procedurë të vetme për çdo person të ndaluar në kufi, në përpjekje për ta adresuar situatën e tyre në mënyrën e duhur.

Për shembull, personat që kanë nevojë për mbrojtje ndërkombëtare, personat që vijnë për shembull nga Siria, referohen në sistemin e azilit. Personat që kanë motive ose arsye ekonomike për të lëvizur, referohen tek institucionet specifike përkatëse në Shqipëri ose mund të kthehen në vendin nga i cili hynë në Shqipëri.

Gjithashtu, ky sistem ka një komponent antitrafikim për shtetasit e vendeve të treta, në rast se ka persona që dyshohet se janë viktima të trafikimit. Pra, kemi tre profile njerëzish dhe tre sisteme. Ne duhet të punojmë me njërin dhe të vendosim për tjetrin, për ta adresuar situatën e tyre nga një pikë hyrjeje e vetme, e cila konsiston në një vlerësim të ftohtë dhe që zbatohet nga Policia Kufitare shqiptare.

Ja sa persona kerkuan azil ne Shqiperi ne 2017 Read More »

Re të zeza mbi qeverinë, bota shpall Edi Ramën lider global të korrupsionit, tejkalon edhe Berishën

Java që lamë pas u karakterizuar me dy lajmë të zymta, për rritjen e nivelit të vjedhjes nga kjo qeveri, por që të dy lajmet u përzien me mjegullën e madhe të skandaleve, arrestimeve, akuzave politike dhe teatrit të qeverisë. Bëhet fjalë për dy sondazhe, të realizuara nga organizma prestigjioze dhe të besueshme, që flasin për rritjen e korrupsionit në Shqipëri. Sondazhi i parë është realizuar nga Organizata e Kombeve të Bashkuara, ku sipas të cilit rreth 89 për qind e shqiptarëve besojnë që korrupsioni në Shqipëri është gjerësisht i përhapur.

Sipas të dhënave të OKB, Shqipëria rezulton të jetë vendi i 20 më i korruptuar në botë, ku gati 9 në dhjetë shqiptarë besojnë se korrupsioni në shtet dhe në qeveri është gjerësisht i përhapur. Sondazhi i dytë, është kryer nga Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim (IDM) dhe Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (PNUD).

Sipas sondazhit të dytë, 88 për qind e shqiptarëve besojnë që korrupsioni ka kapur Shqipërinë. Sipas këtij, sondazhi krahasuar me vitin 2016, për vitin 2017 shifrat e përballjes personale me korrupsionin në qeverisjen vendore janë rritur me 6 pikë përqindje, ndërsa për qeverisjen qendrore me 5 pikë përqindje. E thënë ndryshme, shqiptarët vidhen gjashtë pikë më shumë nga kryetarët e bashkive dhe pesë pikë më shumë nga qeveria, krahasuar me vitin 2016.

Me Edi Ramën kryeministër Shqipëria po njeh nivelet më të larta korrupsionit. Edi Rama po tejkalon edhe Sali Berishën për korrupsion dhe afera. Nëse dy sondazhet do të ishin pozitive, propaganda qeveritare nuk do të pushtonte disa ditë. Por, të dy sondazhet kanë shembur propagandën qeveritare për gjoja luftë qeveritare. Sondazhet thonë se kryetarët e bashkiave dhe qeveria janë në garë se cila palë të vjedhë më shumë paratë e shqiptarëve dhe pasuritë publike.

Ministrat vijojnë abuzimet në terezi të tyre, kryeministri shpërndaj si plaçkë pasuritë publike në terezi të tij, drejtorët vjedhin me tendera sa munden, kryebashkiakët vjedhin me tendera dhe leje ndërtimi, administrata merr ryshfet sa të mundet dhe ku si të mundet. Në këtë situatë ka ndikuar edhe opozita, e cila e frikësuar mendon vetëm se si të mbrojë pasuritë që ka vjedhur kur ka qenë në pushtet dhe ankohet se qeveria po vjedh më shumë se ajo.

E gjithë demagogjia e Edi Ramës për të luftuar korrupsionin në këto pesë vite të qeverisjes së tij konsiston vetëm në propagandë, teatër, nisma qesharake që i rrëzon vetë më vonë, në strategji në letër, konferenca dhe fjalime.

Për të parë se sa serioz është Edi Rama në kundër korrupsionit, po sjellim në vëmendje një shembull të thjeshtë, por trishtues dhe poshtërues për shqiptarët.

Në fillim të vitit 2015, Edi Rama prezantoi me bujë një portalin atikorrupsion, duke e prezantuar si një rezolucion. Në fillim të 2015, Edi Rama tha: “Ka ardhur koha që të kurojmë imazhin e Shqipërisë në luftën kundër korrupsionit. Shqipëria nuk është atdheu i korrupsionit, por që kjo të kthehet në një të vërtetë të dëshiruar ne duhet të luftojmë së bashku. Duhet ta çlirojmë imazhin e vendit me zgjidhjen e problemit dhe jo me makijazh. Kushdo që gjendet përballë një situatë korrupsioni, ka në dispozicioni një armë që ne e ftojmë që ta përdorë. Kemi hapur një front të gjerë reformash dhe në funksion të çdo sektori kemi çelur kantiere të mëdha transformimi rrënjësor. Nëse ka një veçori të përbashkët të gjithë të këtyre kantiereve, që kanë të bëjnë me riorganizimin dhe mirëqeverisjen e territorit, rritjes së cilësisë së kujdesit shëndetësor, arsimit, bujqësisë, kulturës, turizmit e të tjerë, është lufta kundër korrupsioni”.

Gati tre vite më vonë, në fund të vitit 2017, Edi Rama e hodhi poshtë këtë portalin që prezantoi në fillim të vitit 2015, si një nismë që nuk dha rezultat. Në tetor të vitit 2017, Edi Rama prezantoi nismën e radhës, bëri shfaqjen e radhës.

Këtë radhë Rama tha: “Platforma nuk është një portal, po një mekanizëm inovativ për të përfshirë drejtpërdrejtë qytetarët në qeverisjen e vendit në proceset vendimmarrëse, në luftën kundër korrupsionit. Kjo platformë është mundësia e çdo shqiptari për të qenë pjesë e koalicionit të madh të njerëzve të këtij vendi. Kjo ka për ta bërë këtë vend të denjë për fëmijët tanë dhe po ashtu është arma e çdo shqiptari që e do Shqipërinë me shtet, punë, mirëqenie”.

Ky është serioziteti i Edi Ramës në luftën kundër korrupsionit, ndërkohë që shemb teatro dhe ndërton kulla, bllokon të gjithë pronat në bregdet për t’ua dhënë klientëve të tij, emëron shokët dhe dashnoret në postet kyçe, bën paratë e popullit rrush e kumbulla, jep me koncesion paratë e shëndetësisë dhe një pjesë të mirë të parave i investon në propagandë për të çoroditur njerëzit.Pamfleti.

Re të zeza mbi qeverinë, bota shpall Edi Ramën lider global të korrupsionit, tejkalon edhe Berishën Read More »

Abuzimet, hetim kryebashkiakëve Dritan Leli Vlorë, Vangjush Dako Durrës, Eduart Kapri Pogradec, Qazim Sejdini Elbasan, Voltana Ademi Shkodër

Faza e parë e kapjes së “peshqve të mëdhenj” nga ana e organeve ligjzbatuese me sa duket do të jetë niveli vendor i qeverisje.

Pas arrestiit shtëpiak të kreut të bashkisë së Lezhës Fran Frrokaj për abuzim dhe tjetërsim të pronave te “Rana e Hedhun” e me shumë gjasa dhe në Ishull Lezhë, Kune, Vain dhe në Tale, radha pritet t’ju vijë dhe disa kryebashkiakëve të tjerë të rëndësishëm. Ku ka drejtues bashkish të propozuar nga PS por dhe nga PD.

Dritan Leli, kreu i bashkisë së Vlorës është akuzuar fillimisht se vetëm për fasada ka investuar 500 milionë lekë në Vlorë për të ndërtuar “Sistemi Multifunksional “Smart City”, ku do të bëjnë pjesë edhe stola inteligjentë. Por që sipas tij ky projekt përmban një sistem multifunksional teknologjik që do të mundësojë një rrjet komunikimi të shpejtësisë së lartë i bazuar mbi fiber optike ne qytetin e Vlorës, shërbim Wi‐fi free në të gjithë zonën e Lungomares, stola interaktivë për banorët dhe turistët e shumë shërbime të tjera. Por ky është një investim që është nën hetimin e prokurorisë.

Ndërkohë kryebashkiaku i Vlorës, Dritan Leli, është akuzuar se në një tender për “Rehabilitimin e rrugëve Ramize Gjebrea-Gjon Bocari Loti I”, është vendosur një kriter “që paracakton fituesin”.

Duke e akuzuar se fituesi është jo vetëm i paracaktuar por dhe bën pjesë në interesat klienteliste të Lelit dhe njerëzve afër tij.

Ndërkohë ka akuza edhe për leje ndërtimi, por që janë në verifikim, si dhe një tentativë për blerjen e një makinë superluksoze me vlerë 60 milionë lekë. Pa llogaritur fondet e shpërdoruara të dhëna për pastrimin e kanaleve dhe mbrojtjen nga përmbytjet.

Ndërkohë që prokuroria e Elbasanit, ka nisur një hetim pasuror me bazë të dhënat tatimore edhe për aktivitetet e biznesit për familjarët e kryebashkiakut Qazim Sejdini.

Nisja e këtij hetimi për pasuritë e familjarëve të një kryebashkiaku, përfaqësuesi të fuqishëm të pushtetit aktual, tregon se drejtësia ka nisur të veprojë edhe mbi të paprekshmit.

Dhe, nëse ky hetim ka synim zbardhjen reale të pasurive, bizneseve, llogarive bankare e pronave fizike të familjarëve të kryebashkiakut, ky hap është tregues i nisjes së pastrimit nga jeta publike e drejtuesve dhe të zgjedhurve që përdorin pushtetin për ta shtuar pasuritë personale e familjare. Pasuri këto të krijuara nëpërmjet klientelizmit dhe abuzimit me tenderët, me qiratë, me shitje-blerjet, shërbimet, taksat publike, pagesat private me fondet e bashkisë.

Burime nga prokuroria, thonë se shkak i përfshirjes së familjarëve të kryebashkiakut të Elbasanit, në listën e hetimit pasuror, janë pasuritë që disponon kjo familje komandon gjithë qytetin, pasi ka mbështetje nga politikanë dhe shtetarë në kupolën e pushtetit!

Njëherësh janë nën hetim dhe lidhjet e Qazim Sejdinit me kupolën e krimit, pasi dhëndërri i tij Sokol Sanxhaktari, ka qënë dhe është nën hetim për lidhje me krimin dhe trafiqet.

Pa u zgjatur më tej hetimi ndaj Sejdinit vijon.

Ndërkohë që kryebashkiaku i Durrësit Vangjush Dako e ka shkatërruar aq shumë qytetin bregdetar të Durrësit, sa nuk ke nga e kap.

Që nga projekti “Veliera” në Durrës që e ka shëmtuar aq shumë qytetin e deri tek ndërtimet ku ka një metër të lirë në Durrës. Dhe që është nën hetim për abuzimet me fondet publike. Po ashtu dhe për pasurinë e vënë pa i justifikuar të ardhurat.

Vangjush Dako është një drejtues Bashkie shumë i pasur. Prona më e madhe që ka Dako në pronësinë ë tij 100% është një palat 11 katesh me sipërfaqe totale 3 640 m2 në vlerën 72 000 000 lekë. Që e bën automatikisht një njëri shumë të pasur.

Prona tjetër e rëndësishme e Dakos është një toke truall me sipër 1 800 m2 në vlerën 50 000 dollar.

Një tjetër pronë e kryetarit Dako është  një apartament me sip. 130 m2 në vlerën 40 000 dollar.

Por Dako është pronar edhe i dy magazinave.

Për të gjitha pronat e sipër përmenduara Vangjush Dako është pronar i vetëm me 100 % te aksioneve.

Vangjysh Dako deklaron se është Pronar me 100%  i dy automjeteve të shtrenjta,  një veture tip Mercedes Benz në vlerën 25 000 euro. Gjithashtu edhe një veturë tjetër  tip BMW në vlerën 700 000 lekë. Të dyja këto makina janë marka të shtrenjta dhe makina të konsumit të lartë të karburantit.

Pasuria e kryebashkiakut Dako e lejo atë të mbaj këto dy makina të shtrenjta. Kaq ka të deklaruara.

Ndërkohë kryetarja e bashkisë së Shkodrës Voltana Ademi akuzohet me abuzimin me ndihmën e ekonomike, investimet në ujësjellësa dhe pronat në Shkodër dhe Velipojë. Madje ajo ka 10 pasuri të paluajtshme si apartamente, njësi tregtare apo dhe truall.

Përmes një statusi në Facebook, Ademi e ka pranuar se disponon pasuri të konsiderueshme në emër të saj, por sqaron se i ka të trashëguara nga të parët dhe jo të vendosura nga puna e saj si kryebashkiake apo angazhimi në politikë.

Ndërsa pas kontrollit të kryer në në ndërmarrjen “Ujësjellës Kanalizime Shkodër” SHA. mbi auditimin e ligjshmërisë së veprimtarisë ekonomiko-financiare për periudhën nga data 01.07.2015 deri më datën 30.06.2017, KLSH, kërkon largimin nga detyra të administratorin e Ujësjellës Kanalizime Shkodër, Mark Molla. Largim ky për një sërë shkeljesh që KLSH ka evidentuar në këtë ndërmarrje. Por Voltana se largon Markun, i sjell shumë kënaqësi ai përmes çantave me para.

Ndërkohë që abuzime ka kryer dhe kreu i bashkisë së Pogradecit Eduart kapri. Një audit i brendshëm i kryer në Ndërmarrjen e Ujësjellës Kanalizimeve në Pogradec nga ana e drejtuesve të rinj të emëruar nga kryebashkiaku i qytetit 4 ditë më parë, kanë nxjerrë në pah abuzime të kryera nga ish-titullarët.

Dëmi i shkaktuar në buxhetin e shtetit dyshohet të jetë 2 milionë euro. Sipas auditit, ish-drejtuesi i Ujësjellësit kishte shtuar 77 punëtorë mbi organikë, me paga të justifikuara e disa prej të cilëve nuk paraqitesh në punë.

Kryebashkiaku Eduart Kapri tha se ish-drejtori Gora e kishte pagën sa kryeministrit, 2.5 milionë lekë të vjetra. Abuzime ka dhe me pronat.

Kryebashkiaku i Pogradecit Kapri është proceduar penalisht dhe nga policia pasi ka ndaluar një përmbarues të ushtrojë detyrën.

Mësohet se shtetasi F.B pretendon se është goditur nga kreu i Bashkisë. Pra janë këta kryebashkiakë në “radarin” e drejtësisë për abuzimet që kanë kryer, ndërkohë që shpresojmë të mos ndalohen dhe të kalojnë më pas në arrest shtëpiak. Siç ndodhi sot me kryebashkiakun e Lezhës Fran Frrokaj që është drejt lirisë.

Abuzimet, hetim kryebashkiakëve Dritan Leli Vlorë, Vangjush Dako Durrës, Eduart Kapri Pogradec, Qazim Sejdini Elbasan, Voltana Ademi Shkodër Read More »