Aktualitet

Konçensioni ‘Moligix’, kompania që do të mbikqyrë për 30 vjet lojërat e fatit në Shqipëri

“Moligix” është kompania që po ndërton dhe do të mbikëqyrë Sistemin Qendror të Monitorimit Online të lojërave të fatit sipas një kontrate 30-vjeçare lidhur me qeverinë shqiptare.

Kompania është regjistruar në Qendrën Kombëtare të Biznesit më 7 qershor 2017, me një kapital total prej 500 mijë lekësh. Aksionerë të saj janë tre kompani të cilat janë të njohura për publikun nga procesi i garës që parapriu përzgjedhjen e fituesit mbajtur nga Ministria e Financave në fillim të vitit të kaluar. Fitues të koncesionit, sikurse u njoftua, ishin bashkimi i Përkohshëm i Shoqërive “Admiral Sportëetten”GmbH  &“ATSI Spolka Akcyjna”& “MC Networking”sh.p.k .

Por edhe pse diheshin emrat e kompanive fituese të koncesionit 30-vjeçar, deri më tani nuk është bërë publik ndonjë detaj mbi peshën që ka njëra apo tjetra brenda kësaj sipërmarrje apo aksionet që zotëron secila. Referuar ekstraktit të Qendrës Komëtare të Regjistrimit rezulton se të paktën 98 për qind e aksioneve janë nën zotërim të Mc Networking, dy kompanitë e tjera Admiral Sportwetten”GmbH  dhe “ATSI Spolka Akcyjna” kanë secila nga një përqindje simbolike prej 1 për qind në aksionet e “Moligox”.

Koncesioni u kundërshtua në Gjykata

Procedura ku Financat shpallën fituese, në mars të 2017 bashkimin e shoqërive “Admiral Sportwetten”GmbH  &“ATSI Spolka Akcyjna”& “MC Networking” sh.p.k. për ndërtimin e sistemit online të lojrave të fatit është shoqëruar me kundërshtime në të paktën tre Gjykata.

Fillimisht ishte Shoqata e Shoqërive të Lojërave të Basteve Sportive ajo që e çoi çështjen në Gjykatën Kushtetuese, duke kërkuar shfuqizimin e të paktën tre pikave që sipas saj binin ndesh me Kushtetutën.

Por, pavarësisht argumenteve të sjella nga kjo shoqatë, në çështjen e regjistruar më 6 qershor 2017, një ditë para themelimit të kompanisë së përbashkët, Gjykata rrëzoi këtë kërkesë me një vendim që u bë publik në fillim të këtij viti.

Edhe operatori i renditur i dyti në garën për Sistemit Online të Monitorimit, bashkimi i Përkohshëm i Shoqërive “Qualysoft”GmbH &“Comtrade” d.o.o &“Starsat International” sh.p.k. & “Communication Progress” sh.p.k. ka paraqitur një padi në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë dhe më pas në atë të Apelit.

Tarifat e vendosura për monitorim

Në prill të  vitit të kaluar ashtu sikurse parashikohej në ligj, qeveria miratoi me një vendim të veçantë tarifat që do të aplikohen nga ana e koncesionarit mbi lojërat e fatit në funksion të shërbimit që lidhet me ndërtimin dhe mirëmbajtjen e sistemit.

Por cilat janë tarifat që do të aplikojë koncesionari mbi pikat e basteve, kazinotë elektronike dhe Lotarinë Kombëtare. Sipas vendimit, tarifa ditore për çdo pikë bastesh në vend do të jetë 0.70 euro, ose 21 euro në muaj.

Kjo e çon totalin që do të paguajë një pikë basti në 252 euro në vit. Aktualisht sipas shifrave të deklaruara nga Shoqata e Shoqërive që operojnë në fushën e lotove dhe basteve sportive në treg janë rreth 3 mijë pika. Kjo do të thotë që totali që do të paguajnë pikat e bastit te konceisonari është 756 mijë euro.

Kategoria e dytë që do të paguajë tarifë për sistemin e monitorimit është ajo e kazinove elektronike që do të jetë 1.25 euro për çdo aparaturë apo makinë loje. Kjo do të thotë që për një aparaturë në muaj do të paguhet 37.5 euro, çka në një vit e çon detyrimin për t’u paguar në 450 euro. Deri në vitin 2013, zyrtarisht rezultonin në treg 2200 aparate të instaluara brenda kazinove elektronike. Me këtë shifër, detyrimi total që ky segment do paguajë është 990 mijë euro nëse do të kemi të njëjtën sasi makinash.

Lidhur me Lotarinë Kombëtare, tarifa që është parashikuar për t’u paguar është 1 euro në ditë për njësi. Sipas të dhënave të faqes zyrtare të Lotarisë Kombëtare të llogaritura në korrik 2017 në të gjithë vendin rezultonin rreth 425 njësi që tregojnë lojërat e kësaj kompanie.

Kjo do të thotë që çdo njësi do të paguajë në muaj 30 euro dhe në vit 360 euro ndaj koncesionarit. Në total, gjithë njësitë do të paguajnë 153 mijë euro për sistemin e monitorimit. Duke mbledhur të ardhurat nga të tre, segmentet rezulton që koncesionari do të arkëtojë rreth 1.9 milionë euro. Të gjitha llogaritjet nuk kanë të përfshirë Tatimin mbi Vlerën e Shtuar.

Konçensioni ‘Moligix’, kompania që do të mbikqyrë për 30 vjet lojërat e fatit në Shqipëri Read More »

Trondit ish-ministri i Mbrojtjes: Iluminatit po drejton ekonominë botërore

Ekzistenca e një grupi të quajtur “Iluminati”, prej kohësh qarkullon në rrjet, ku jo të paktë janë personat që e besojnë ekzistencën e tyre. Iluminati është një organizatë e fshehtë dhe me qëllime të fshehta.

Një ndër ta duket se është edhe ish-ministri i Mbrojtjes i Kanadasë Paul Hellyer i cili thotë se Iluminati është i vërtetë dhe drejton botën në mënyrë sekrete, duke përfituar miliarda nga industria e naftës.

Sipas 94-vjeçarit, anëtarët e Iluminatit vazhdojnë të bëjnë luftëra të panevojshme nëpër botë duke përfituar shuma të mëdha parash.

Ai këmbëngul se ky grup sekret ka në posedim teknologji shumë të avancuar që është në gjendje të ndikuar në efektet e ndryshimeve klimaterike.

Në fakt, Hellyer bëhet kështu i vetmi politikan i lartë që mbështet teoritë konspirative, shkruan “The Sun”.

Më herët, edhe historiani i shquar britanik, Nial Fergusson, ka pretenduar vazhdimisht se bota drejtohej nga një sekt i fshehtë, që ndikon ekonominë globale.

Trondit ish-ministri i Mbrojtjes: Iluminatit po drejton ekonominë botërore Read More »

Lajm i mire : Nis rindertimi i Kishes ne Dhermi :)

Kisha e Shën Thanasit në vitin 2015 shkaktoi shumë debate mes qeverisë, e cila e cilësonte si një ndërtim pa leje dhe besimtarëve orthodoksë të Dhërmiut.

Por vetëm më pak se 3 vite më pas duket se ka nisur rindërtimi i saj. Kisha e re është ende në themelet e para të ndërtesës, por po ngrihet në të njëjtin vend ku ndodhej e para.

Në vitin 2015 pas shumë debatesh të tejzgjatura, kisha u shemb gjatë natës për të evidentuar ndonjë konfrontim me banorët e zonës, por vetëm një vit më parë ministrja Kumbaro premtoi rindërtimin e Kishës së Shën Thanasit.

Screenshot_2.jpg

Screenshot_2.jpg

Lajm i mire : Nis rindertimi i Kishes ne Dhermi :) Read More »

“Gabimi”, ndalohet i pafajshmi dhe lihet i lirë fajtori

“Fiks Fare” denoncoi këtë të mërkurë sesi nga një “gabim” i Policisë Kufitare, një qytetari i është ndaluar e drejta të dalë jashtë shtetit. Durim Muslia, nga Puka, është ankuar në “Fiks Fare” se Policia Kufitare ka falsifikuar dokumentet në emrin e tij, duke mos e lejuar për të dalë jashtë shtetit dhe duke favorizuar personin që ka bërë shkeljen.

Në dhjetor të vitit 2017 ka dashur të shkojë në Itali për pushime. Kur ka shkuar në pikën e kalimit kufitar, ai nuk është lejuar nga policia shqiptare të kalonte kufirin, pasi rezultonte se në vitin 2015 ishte deportuar nga Maqedonia me dokumente false.

Ai ka shpjeguar se nuk ka qenë asnjëherë në Maqedoni, por kjo nuk e ka bindur policinë. Pas refuzimit, ai i është drejtuar Departamentit të Kufirit me shkresë zyrtare për të sqaruar këtë situatë. Ata i kanë thënë se nga verifikimi rezulton se ka qenë pikërisht ai, personi që është deportuar nga Maqedonia.

Por vet qytetari thotë se nuk ka qenë asnjëherë në Maqedoni, e madje për datat kur pretendohet se ai ka qenë në Maqedoni rezulton se ka qenë në punë, kjo e vërtetuar me plan shërbimi dhe me vërtetim nga puna. Gjithsesi ende nuk ka gjetur një zgjidhje, ndaj i është drejtuar emisionit “Fiks Fare”.

Sipas përgjigjes që ka marrë qytetari, rezulton se historia ka nisur më 14 qershor të vitit 2015 në pikën kufitare të Tushemishtit, kur policia maqedonase ka njoftuar policinë shqiptare se ka kapur një shqiptar me pasaportë false dhe leje drejtimi mjeti false, në emër të qytetarit Gentjan Cakani.

Policia maqedonase ka intervistuar të ndaluarin, i cili ka deklaruar se quhet Durim Hysni Muslia, i lindur më 19 janar 1984 në Pukë dhe banues në Durrës. Policia shqiptare pretendon se ka verifikuar në sistemin “TIMS” dhe ka konkluduar se personi i ndaluar në Maqedoni kishte ngjashmëri me shtetasin Durim Gjin Muslia, i lindur më 20 mars 1987.

Disa ditë më vonë, më 25 qershor të vitit 2015, në orën 19:00 është deportuar shqiptari i ndaluar, i cili ka kryer dënimin me 8 ditë burgim në Maqedoni. Madje, ditën e deportimit, policia maqedonase ka sjellë dhe një fotokopje të fotografisë së personit të deportuar.

Ndërsa policia shqiptare ka verifikuar të dhënat në sistemin “TIMS” dhe ka intervistuar të deportuarin. Nga verifikimet, sipas policisë ka rezultuar se personi i deportuar është Durim Gjin Muslia, pra personi që është ankuar në “Fiks Fare”, dhe jo Durim Hysni Muslia, siç e kishte identifikuar pala maqedonase.

Prandaj, Departamenti i Kufirit dhe Migracionit ka deklaruar se nuk mund të procedojë më tutje për të ndrequr këtë gabim.

Pas kësaj përgjigjeje nga policia, “Fiks Fare” nisi verifikimin në çdo institucion për të vërtetuar nëse Durim Musliaj, që ankohet, është i njëjti person që është deportuar, siç pretendon policia shqiptare, apo është një tjetër person.

Fillimisht, qytetari dhe “Fiksi” shkuan në Drejtorinë e Kufirit dhe Migracionit, në Korçë. Drejtoria e Policisë së Korçës i thotë qytetarit se nuk mund t’ia zgjidhin çështjen, pasi duhet t’i drejtohet gjykatës. Qytetari shkon edhe në Departamentin e Kufirit dhe Migracionit, por i thonë se nuk mund të bëjnë asgjë, pavarësisht se ai jep edhe shenjat e gishtave për të vërtetuar se nuk ka qenë ai që është deportuar nga Maqedonia.

Me që policia shqiptare është e bindur se qytetari që ankohet është ai që është deportuar, “Fiks Fare” shkoi edhe në Maqedoni. Bashkë me qytetarin, “Fiksi” kaloi në pikën kufitare të Tushemishtit, ndërkohë që policia nuk e ndalon, pavarësisht se ka një urdhër refuzimi.

Më pas, “Fiksi” shkoi në Ohër dhe takoi drejtorin e Burgut në këtë qytet, Haxhi Rizvani. Ai shikon dosjen e personit Durim Muslia, që është dënuar në Maqedoni, dhe vërteton se nuk është i njëjti person që ka probleme me policinë shqiptare.

Duke qenë se këtë dosje nuk mund ta japë pa leje nga gjykata, bashkë me drejtorin, “Fiksi” shkoi te qytetari. Gjatë prezantimit, gazetari i “Fiksit” e pyeti drejtorin nëse ishte apo jo ky person, ai që ka vuajtur dënimin, por drejtori i Burgut deklaroi se nuk është i njëjti person.

“Fiks Fare” arriti të sigurojë një foto të personit të dënuar në Maqedoni. Pas fotos u bënë verifikime edhe në Gjendjen Civile, ku rezulton se në Shqipëri nuk ekziston vetëm Durim Gjin Muslia, por edhe Durim Hysni Muslija. Pra ndryshojnë atësia, datëlindja dhe mbiemri me një shkronjë, e duke ballafaquar foton që disponon burgu maqedonas me sistemin “TIMS” në Shqipëri, rezulton se personi i deportuar është Durim Hysni Muslija dhe jo Durim Gjin Muslia.

Për këtë arsye, në kthim nga Maqedonia, gazetarët e “Fiksit” biseduan edhe me oficerin e policisë shqiptare. Ky i fundit deklaroi se problemi mund të zgjidhet vetëm kur të gjendet personi, i cili ka dhënë të dhënat e personit që ankohet në “Fiks Fare”. Mbi këtë rast, “Fiks Fare” pyeti edhe Ministrinë e Brendshme, por nuk mori një përgjigje prej saj sesi ka ndodhur ky “gabim”, e nëse ka qenë me dashje, apo nga ndonjë ngatërresë e punonjësit të policisë.

“Gabimi”, ndalohet i pafajshmi dhe lihet i lirë fajtori Read More »

Zv/kryeministrja Mesi sulmon drejtorin e Emergjencave Premçi

Përmbytjet e javëve të fundit në Shkodër kanë shfaqur në publik dhe përplasjen e ashpër brenda institucioneve të mazhorancës. Drejtori i Emergjencave Civile, Shemsi Premçi dhe zëvendëskryeministrja, Senida Mesi kanë kundërshtuar njeri-tjetrin lidhur me situatën alarmante që është në këtë qark, si pasojë e përmbytjeve.

Drejtori i Emergjencave Civile, Shemsi Premçi ka bërë thirrje që në mbledhjet e Komisionit të Emergjencave në Shkodër të jetë edhe prokurori i rrethit. Ai deklaroi se Prokuroria duhet të hetojë punimet që janë kryer në disa rrugë të kësaj zone. Sipas tij, cilësia e dobët e punimeve kryesisht në rrugën e Velipojës ka sjellë dhe situatën alarmante të përmbytjeve.

Prençi deklaroi se rrezikohen që argjinaturat të çahen për shkak të nivelit të lartë të ujit dhe se ato duhet të monitoroheshin 24 orë. “Është e pafalshme që të ndërtohet një rrugë si ajo e Velipojës pa marrë parasysh përmbytjet e vitit 2010. Punimet duhet të ndalen urgjentisht dhe prokuroria të nisë një hetim për punimet në rrugën e Velipojës. Punimet të fillojnë pasi prokuroria të përfundojë hetimet për rrugën e Velipojës. Investimi në rrugën e re të Velipojës është skandaloz. Të thirret në këtë tryeze edhe Benet Beci.”
– tha Prençi.

Drejtori i Emergjencave deklaroi se në disa zona të prekura në Shkodër duhet të shpallet gjendja e jashtëzakonshme. Por edhe pse përfaqësuesi i qeverisë për emergjenca e cilëson situatën si alarmante, i njëjti vlerësim nuk është bërë nga ana e Qeverisë. Konkretisht Zëvendëskryeministrja, Senida Mesi deklaroi sot se nuk është nevoja që të shpallet gjendja e jashtëzakonshme. Ajo ka sulmuar direkt dhe drejtorin e institucionit qeveritar Shemsi Premçi.

“Nuk dua te merrem me deklarata emotive. Gjendja po vlerësohet, inxhinierët e firmave janë në terren. Nëse rruga ka problematika ato do rishihen dhe do zgjidhen. Situata është e tillë që po e menaxhojmë. Te gjitha strukturat janë në terren. KESH ka akorduar 10 mln lekë të reja për këto banore si ndihme për nevojat që kanë”,– tha zv/kryeministrja, Mesi.

Në replikat e institucioneve bie në sy jo shqetësimi për banorët, por halli i sherreve mes qeveritarëve. Premçi sulmoi publikisht kreun e Fondit Shqiptar të Zhvillimit, Benet Beci, i cili drejton institucionin që është përgjegjës për ndërtimin e rrugëve ku kanë ndodhur përmbytjet. Në vend të marrjes së masave për përmbytjet, qeveria dhe konkretisht zv/kryeministrja nuk merret me banorët, por me drejtorin e emergjencave civile.

Përmbytja në Shkodër veç problemeve të zakonshme me emergjencat po nxjerr dhe themelet dhe problemet reale të qeverisjes. Por pyetur në zyrat e Fondit Shqiptar të Zhvillimit në lidhje me çfarë ka thënë Shemsi Premçi, thonë se rruga e Velipojës nuk ka asnjë lidhje me përmbytjet në Shkodër.

Nuk dihet nëse do ti qëndrojë akuzës së tij drejtori i Emergjencave, Premçi apo ka marrë ndonjë kërcënim nga kryeministrit dhe do ta ndryshojë qëndrimin e tij shprehur live në media.

 

Zv/kryeministrja Mesi sulmon drejtorin e Emergjencave Premçi Read More »

Kosovë, arrestime deputetësh në sallën e Kuvendit

Prokurori kujdestar i Prokurorisë Themelore të Prishtinës dha urdhër për arrestimin e deputetëve të Vetëvendosjes, që hodhën pak më parë gaz lotsjellës në Kuvendin e Kosovës, kur pritet të miratohet demarkacioni.

Pas urdhrit, Policia e Kosovës ka filluar të arrestojë deputetët në sallën e Kuvendit.

Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli ka bërë të ditur se edhe Kryesia e Kuvendit ka marrë vendim që të përjashtohen pesë deputetët, Xhelal Sfeçla, Fitore Pacolli, Drita Millaku, Salih Zyba, Librun Aliu. Këta pesë deputetë gjuajtën dy herë radhazi me gaz lotsjellës, kur pritej që marrëveshja e demarkacionit të dilte për votim. Seanca u ndërpre dy herë.

Kosovë, arrestime deputetësh në sallën e Kuvendit Read More »

Presidenti Meta: Të hapen sa më parë negociatat e anëtarësimit me BE

Presidenti i Republikës, Ilir Meta priti sot në një takim Komitetin e Çështjeve Politike dhe të Sigurisë së Këshillit të BE-së, të përbërë nga ambasadorë të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian.

Presidenti Meta theksoi se politika e jashtme dhe e sigurisë së Shqipërisë është plotësisht e harmonizuar me Bashkimin Evropian, dhe se e konsideron shumë të rëndësishëm bashkëpunimin operacional dhe strategjik ndërmjet BE-së dhe Ballkanit Perëndimor në përballjen me sfidat dhe rreziqet e sigurisë.

Ai vuri në dukje rolin konstruktiv të Shqipërisë në kuadër të bashkëpunimit rajonal dy dhe shumë palësh, duke çmuar se ky është një kontribut i drejtpërdrejtë për të ardhmen evropiane të vendit dhe të të gjithë rajonit.

Kreu i Shtetit ripërsëriti kërkesën unanime në emër të të gjithë aktorëve institucionalë dhe politikë në vend drejtuar vendeve anëtare të Bashkimit Evropian për hapjen sa më parë të negociatave të anëtarësimit, duke siguruar për vazhdimin e reformave në 5 prioritetet kyçe.

Presidenti Meta: Të hapen sa më parë negociatat e anëtarësimit me BE Read More »

Thaçi: Dhuna e patolerueshme, pamje e tmerrshme për Kosovën në botë

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka reaguar ndaj veprimeve të deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, të cilët hodhën dy herë gaz lotsjellës në momentin kur po tentohej të votohejMarrëveshja për demarkacionin me Malin e Zi.

Në një postim në Facebook, Thaçi ka thënë se dhuna në Kuvend është e patolerueshme dhe është pamje e tmerrshme për Kosovën në botë.

“Dhuna në Kuvend është e patolerueshme dhe pamje e tmerrshme për Kosovën në botë.

I ftoj deputetët që të vazhdojnë me punën e tyre, pavarësisht taktikave të rrezikshme të kundërshtarëve të liberalizimit të vizave. Demarkacioni duhet të kaloj sot.

Kjo është ajo që e presin qytetarët e vendit, pa dallim partie apo etnie. Votimi i demarkacionit nënkupton lëvizje të lirë për të gjithë qytetarët e Kosovës. Mjaft kemi humbur tre vjet me kauza të rrejshme, që po mbajnë Kosovën dhe qytetarët të izoluar.

Tani është momenti i së vërtetës dhe i veprimit. Vendimi i deputetëve pro ratifikimit të marrëveshjes është vullnet i qytetarëve që duan t’i përqafojnë vlerat evropiane.

Mos lejoni që të sfidoheni nga askush, sidomos jo nga ata që duan ta mbajnë Kosovën larg vlerave evropiane dhe të izoluar.” shkruan Thaçi në facebook.

Thaçi: Dhuna e patolerueshme, pamje e tmerrshme për Kosovën në botë Read More »