Aktualitet

PD-LSI, vendim: Nesër nuk lejojmë kryeministrin të hyjë në Parlament

Opozita ka marrë sot në drekë një vendim të fortë dhe ekstrem në raport me Kryeministrin Edi Rama. Mëqënëse nesër si ditë e enjte ka seancë parlamentare e ku vjen edhe qeveria e kryeministri, Lulzim Basha e Monika Kryemadhi kanë vendosur bashkë me deputetët opozitarë të mos lejojnë hyrjen në sallën e Kuvendit të Edi Ramës. Shkak sipas tyre, përveç keqqeverisjes dhe krimit, mbetet edhe fjalori fyes ndaj shqiptarëve kur Rama tha se “shqiptarëve nuk iu ngrihet….”. Mëqënëse Byroja Parlamentare, e cila komandohet me shumicë nga PS, nuk pranoi kërkesën e LSI për përjashtimin e kryeministrit nga seancat, sipas Rregullores, atëhere sot PD-LSI morën vendimin që me forcë e përballje fizike, me trupat e tyre, të mos lejojnë Edi Ramën të futet në sallën e Kuvendit.

Kjo do të sjellë përplasje fizike në sallën e Kuvendit. PD-LSI do t’ju bëjnë thirrje militantëve që të rrethojnë Kuvendin nesër dhe nëse situata në sallë precipiton rrezikshëm, turma të vijë në mbështetje të deputetëve opozitarë. Kjo de facto do sjellë konfrontim, ndaj Garda ka marrë urdhër për kontroll deputetëve opozitarë si dhe rrethimin e një perimetri sigurie nga ku futet kryeministri.

Mësohet se Gramoz Ruçi i ka kërkuar kryeministrit Rama që nesër të sajojë ndonjë takim gjoja në rrethe dhe të mos vijë në Parlament, pasi “do të bëhet nami po hyre brenda”. Ruçi i ka thënë Edi Ramës se “çizmja nuk është gjë me atë që po përgatitet të të godasin në sallën e Kuvendit”. Nga stafi kryeministror pohojnë se kryeministrit i pëlqejnë sfidat e përballjes, ndaj do të jetë në sallën e Kuvendit nesër, bile nga të parët. Ai, thonë të njëjtat burime, do të jetë në parlament, pa antiplumb dhe do t’ju tregojë shqiptarëve se kush është opozita sotme, e cila po i merr për budallenjë shqiptarët.

Të pyetur nga “Koha Jone” stafi kryeministror theksoi se Edi Rama nuk ka patur frikë Berishën në vitet 1992-1997 e jo më të frikësohet nga Basha-Kryemadhi. Bile, kryeministri, ka mundësi të vijë në këmbë e të futet mes turmës për të shkuar në sallën e Kuvendit, shtuan të njëjtat burime. Të shumtë janë miqtë dhe oligarkët e Ramës që po insistojnë që nesër të mos duket as në rrethinat e sallës së Kuvendit e jo më të tentojë të hyjë brenda.

PD-LSI, vendim: Nesër nuk lejojmë kryeministrin të hyjë në Parlament Read More »

Vlorë/ Tritol ”Audi-t Q7”, dëshmia e biznesmenit të ndërtimit në polici

Detaje te reja pas tritolit qe iu vu makinës luksoze të biznesmenit të ndërtimit, duke i shkaterruar automjeti “Audi Q7”. Ngjarja me lëndë plasëse ndodhi në lagjen “1 Maji”, në afërsi të pyllit të Sodës në Vlorë, në orët e parë të së hënës, shkruan “Panorama”.

Nga shpërthimi i fortë, që nga hetimet paraprake dyshohet se ka qenë një sasi prej 200 gramë tritol, përveç automjetit që ishte në shënjestër të sulmit, janë dëmtuar dhe dy automjete, që ndodheshin aty pranë.

Sipas të dhënëve të Policisë, shpërthimi është dëgjuar rreth orës 03:00 të së hënës, pranë banesës së biznesmenit në lagjen “1 Maji” të qytetit të Vlorës ose siç edhe njihet në qytetin bregdetar, Zona e Pyjores. Shpërthimi ka ndodhur në oborrin e banesës së biznesmenit Izmir Shehu, ku ishte parkuar makina.

Për pasojë, automjeti tip “Audi Q7” me targa AA 008 RX, është dëmtuar në pjesën e motorit dhe është përfshirë nga flakët. Ndërsa dy automjetet e tjera që kanë qenë parkuar pranë kësaj makine, kanë marrë dëmtime gjithashtu. Pronari i mjetit, 38-vjeçari Shehu, me origjinë nga Gjirokastra, mësohet se është biznesmen në fushën e ndërtimit. Policia ka nisur hetimet për ngjarjen, por aktualisht nuk ka ende asnjë person të arrestuar apo identifikuar për ngjarjen në fjalë.

Për ngjarjen e ndodhur, është marrë në pyetje dhe vetë biznesmeni 38-vjeçar. Gjatë deklarimit të dhënë në Komisariatin e Policisë së Vlorës, Izmir Shehu ka deklaruar se nuk ka asnjë lloj konflikti me persona të tjerë.

Ai është shprehur para grupit hetimor se është i paqartë për arsyen se përse automjetit të tij i është vënë lëndën eksplozive, ndërsa ka theksuar se nuk ka pasur asnjëherë konflikte dhe sherre me persona të tjerë. Për Policinë hetimet rreth identifikimit të autorëve mbeten shumë të vështira, pasi në vendin e ngjarjes mungojnë kamerat e sigurisë, çka mund të çojnë në identifikimin autorëve.

Ndërkohë, pista kryesore, në të cilën po heton Policia e Vlorës për këtë ngjarje, është ajo që lidhet me aktivitetin e 38-vjeçarit dhe problematikat që mund të ketë pasur gjatë punës së tij. Fakti që merret me ndërtime mbetet, sipas Policisë, pista kryesore e hetimit të shpërthimit të automjetit me lëndë eksplozive, pasi mund të ketë pasur mosmarrëveshje lidhur me biznesin e tij.

Mësohet se biznesmeni me origjinë nga Gjirokastra ka kryer ndërtimin e disa pallateve në zonën e “Plazhit të Vjetër” në Vlorë dhe nga aktiviteti i tij mund të kenë lindur mosmarrëveshje, që kanë të bëjnë me ndërtimin apo shitjen e këtyre apartamenteve, gjë e cila mund të ketë çuar më pas në vendosjen e lëndës plasëse në automjetin e parkuar para banesës së tij.

Po kështu, burime nga Policia kanë konfirmuar se sasia e lëndës eksplozive që iu vendos automjetit “Audi Q7” ka qenë rreth 200 gramë. “Më datë 09.04.2018, në lagjen “1 Maji”, ka shpërthyer dhe ka marrë flakë automjeti tip ‘Audi Q7’, në pronësi të shtetasit I. Sh., të cilin ai e kishte të parkuar para banesës. Grupi hetimor po vijon punën për zbardhjen e plotë të ngjarjes si dhe për identifikimin e kapjen e autorit/ ëve”, bëhet e ditur zyrtarisht nga ana e Policisë.

Vlorë/ Tritol ”Audi-t Q7”, dëshmia e biznesmenit të ndërtimit në polici Read More »

11 “faqezinjtë” e drejtësisë, që ia mbathën nga Vettingu

Zbatimi i reformës në drejtësi ka shënuar një zhvillim të ri. Të korrupturit nën terrorin se mos ngecin në verifikimin e komisionit të Vettingut, janë detyruar të largohen vetë si “faqezinj” nga sitemi i drejtësisë.

Lista e zyrtarëve që u është ndërprerë procesi i Vettingut deri tani:

Ermir Beta, prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, Berat

Ilir Çeliku, gjyqtar pranë Gjykatës së Apelit Vlorë

Erlindi Basha, ndihmës ligjor pranë Gjykatës së Lartë

Ilir Pashaj, gjyqtar pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan

Etleva Sherifi, ndihmëse ligjore pranë Gjykatës së Lartë

Adnand Bërdica, ndihmës ligjor pranë Gjykatës së Lartë

Mirela Fana, gjyqtare pranë Gjykatës së Lartë

Sulejman Tola, prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Krujë

Eritan Shehu, ndihmës ligjor pranë Gjykatës së Lartë

Adriatik Llalla, ish-Prokuror i Përgjithshëm

Besnik Imeraj, ish-anëtar i Gjykatës Kushtetuese

11 “faqezinjtë” e drejtësisë, që ia mbathën nga Vettingu Read More »

Vlorë – Ndërtimi i rrjetit të kanalizimeve ,një investim shumë i rëndësishëm

Ndërtimi i rrjetit të kanalizimeve në Vlorë, po implementohet në fazën e dytë të tij. Një investim shumë i rëndësishëm që i shërben shumë pozitivisht turizmit në Vlorë.

Fotografia e ONETV VLORA

Në këtë kuadër, është kryer sot inspektimi në terren me Autoritetin Kontraktor dhe institucionet përfituese (MIE , AKUK), të Impianti të Pastrimit të Ujërave të Ndotura. I pranishëm edhe kryetari i Bashkisë së Vlorës, Dritan Leli si dhe drejtori i Ujësjellës Kanalizime, Dorian Xhelili.

Kryebashkiaku Leli e vendosi theksin te rëndësia e këtij investimi të Qeverisë Shqiptare dhe BE.

Fotografia e ONETV VLORA

Fotografia e ONETV VLORA

Fotografia e ONETV VLORA

Fotografia e ONETV VLORA

Vlorë – Ndërtimi i rrjetit të kanalizimeve ,një investim shumë i rëndësishëm Read More »

Lot dhe lule, familjarët homazhe për 28-vjeçarin e vrarë nga…

Lot dhe lule në vendin ku Mario Majollari u ekzekutua për vdekje me tre plumba në kokë. Mëngjesin e sotëm familjarë të 28-vjeçit të ndjerë që u vra nga Kastriot Gjuzi për hakmarrje, kanë bërë homazhe pranë vendit ku ai u qëllua për vdekje.

Me lot në sy ata kanë ndezur qirinj ndërsa dhimbja ka pllakosur familjen Majollari. Familja e viktimës ka çelur dyert e mortit ndërsa gjatë ditës së sotme Majollarit do t’i jepet lamtumira e fundit.

Policia identifikoi në kohë rekord autorin e krimit, Kastriot Gjuzi. Ai mori hak për vrasjen e vëllait nga Avni Majollari i cili është i dënuar me burg të përjetshëm.

Lot dhe lule, familjarët homazhe për 28-vjeçarin e vrarë nga… Read More »

I akuzuar nga opozita për grabitje pronash, Alket Hyseni shfaqet i tensionuar te “Ligjet”

Komisioni i Ligjeve është përfshirë nga debate të ashpra mes deputetit të LSI-së, Nasip Naço dhe socialistit Alket Hyseni, i akuzar nga opozita lidhur me tjetërsimin e pronave në Sarandë.

Ka nisur mbledhja e Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut. Në sallën ku miratohen procesverbalet, diskutohet dhe vendoset mbi projektligje të rëndësishme, momentalisht mbizotëron mazhoranca.

Në Komision është vënë re mungesa e deputetëve të PD, ndërsa ato të LSI kanë qënë pjesëmarrës.

Aktualisht po zhvillohet një seancë dëgjimore me zv/kryeministren Senida Mesi dhe të ftuar nga Departamenti i Adminsitratës Publike, ku po shqyrtohet Raporti Vjetor i veprimtarise se Administrates Publike për vitin 2017.

Në Komision ka pasur debat, Alket Hyseni përplaset me të vetmin opozitar në sallë, Nasip Naçon. Është diskutuar për raportin e DAP-it, Naço pyet për policinë gri që Rama përmendte në fushatë dhe se çfarë u bë me të, ndërsa Hyseni i ka cilësuar pyetjet e Naços si katunare dhe replikat mes tyre kanë vazhduar.

I akuzuar nga opozita për grabitje pronash, Alket Hyseni shfaqet i tensionuar te “Ligjet” Read More »

Identifikohet autori i vrasjes së Marjo Majollarit në Kinostudio

Pas ngjarjes së rëndë ë u shënua mbrëmjen e djeshme, ku mbeti i vrarë 28 vjeçari Marjo Majollari, Policia e Shtetit ka shoqëruar shumë persona që dyshohet se mund të kenë dijeni mbi ngjarjen.

Ndërkaq, është përvijuar se pista e mundshme për vrasjen e të riut, Majollari, të jetë hakmarrja, pasi babai i tij ka vrarë 18 vite më parë dy persona në rrugën e Dajtit dhe tashmë është në burg, ku po vuan dënimin e burgosjes përjetë për këtë krim që ka kryer.

Ndërkohë, policia mësohet se ka shkuar edhe në shtëpitë e personave që dikur janë vrarë nga i ati i Majollarit dhe po merr ata në pyetje. Ndërkohë, nuk është gjetur në shtëpi vëllai i Ilir Gjyzit, njërit nga viktimat e krimit të kryer nga babai i 28 vjeçarit.

Polica dyshon se Kastriot Gjyzi mund të këtë lidhje me vrasjen e të riut.

Specialistët e Sektorit për Krimet e Rënda në D.V.P. Tiranë, bënë shpalljen në kërkim të autorit të dyshuar:

Kastriot Gjuzi, 40 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar më parë.

Ky person dyshohet se  rreth orës 20:25, në rrugën “Aleksandër Moisiu”, për motive hakmarrjeje ka vrarë me armë zjarri shtetasin Mario Majollarin, 28 vjeç.

Vijon puna intensive për gjetjen dhe arrestimin e autorit të dyshuar të  shpallur në kërkim.

Dosja i ka kaluar Prokurorisë së Tiranës për akuzat e “Vrasjes për gjakmarrje”, “Mbajtje pa leje e armëve luftarake dhe e municionit” në ngarkim të shtetasit Kastriot Gjuzit.

Identifikohet autori i vrasjes së Marjo Majollarit në Kinostudio Read More »

10 arsye se përse duhet të vizitoni Shqipërinë…që këtë verë!

Blogu i udhëtimeve “The Balkanista” shkruan një letër të hapur për të gjithë fansat, ku shpjegon 10 arsye përse duhet të vizitojnë Shqipërinë këtë verë.

Shkrimtare, udhëtare, një blogere udhëtimesh angleze, autorja  jeton prej vitesh në Tiranë.

Pasi kishte vizituar bregdetin e Shqipërisë për pushime, ajo nuk u largua më.
Në një letër të hapur për të gjithë fansat e saj, ajo shpjegon përse duhet vajtur me pushime në Shqipëri, pikërisht këtë verë.

“Shqipëria nuk është në krye të listës së destinacioneve për pushime. Kur erdha këtu për herë të parë, edhe unë u ndjeva në faj sepse kisha lënë destinacione të tjera. Por, tani mund t’ju them se duhet patjetër të merrni në konsideratë këtë vend për pushimet verore të radhës”, shkruan blogerja.

Më poshtë vijojnë 10 arsye përse duhet të vizitohet Shqipëria:

  1. Ndryshe nga destinacionet e zakonshme
    Pas disa vitesh, Shqipëria, ashtu sikurse ka ndodhur për destinacione të tjera të Mesdheut, pritet të mbushet nga hordhi me të rinj të dehur, në kërkim të argëtimit me kosto të ulët. Por, për momentin, turistët janë ende pak, nuk ekzistojnë radhët për të vizituar pikat turistike dhe nuk duhet të shtyhesh për të zënë një cep plazhi, ku të shtrosh peshqirin. Madje as në kulmin e verës.

  2. Ka shumë për të mësuar
    Shqipëria ka disa prej vendeve historike dhe zonave të UNESCO-s të paimagjinueshme. Ka nga të gjitha, rrënoja romake, kështjella mesjetare, bunkerë sovjetikë dhe mbetje osmane. Vetëm qyteti antik i Butrintit, në jug të vendit, do të mjaftonte për të ndërmarrë këtë udhëtim, ashtu si Berati dhe Shkodra, në kufij me Greqinë dhe shumë vende të tjera edhe më të bukura.

  3. Plazhet më të bukur të Europës
    “Të dashura Itali, Kroaci dhe Greqi! Më vjen keq t’ua them, por Riviera e Shqipërisë e tejkalon çdo breg tuajin”, shkruan blogerja duke këshilluar që të vizitohen patjetër Ksamili, Saranda, Himara dhe Dhërmiu për të admiruar ujërat e tyre të kristalta, plazhet e bardha dhe panorama malore që i rrethon. Bregdeti shqiptar është i egër dhe i mrekullueshëm dhe nuk ka asgjë të ngjashme në gjithë Europën, sipas asaj.

  4. Liqene dhe ujëvara
    Brendësia e Shqipërisë është plot liqene dhe ujëvara shumë të bukura. Liqeni i Komanit, Liqeni i Shkodrës, Liqeni i Butrintit dhe Liqeni i Ohrit vlejnë të vizitohen për shkak të ujërave të tyre të kristalta dhe të peizazhit fantastik që i rrethon. Disa burime si Syri i Kaltër dhe ato pranë fshatit Theth janë perfekte për të notuar dhe për të adhuruar ujëvarat.

5.Klime perfekte
Shqipëria gëzon një klimë tipike mesdhetare, me verë të gjatë dhe të ngrohtë dhe stinët e tjera janë gjithnjë të këndshme. Gjatë vitit nuk bie asnjëherë nën 20 gradë Celcius, ndërsa nga maji temperaturat rriten në rreth 22 gradë Celcius duke arritur kulmin me 35 gradë Celcius në korrik dhe gusht. Përveç verës, çdo çast është perfekt për të udhëtuar në Shqipëri.

  1. Njerëz miqësorë
    Shqiptarët, kundër paragjykimeve, janë njerëz të përzemërt, miqësorë dhe kureshtarë. Blogerja tregon se nuk ishte ndjerë kurrë e rrezikuar. Duhet vetëm të përgatitesh pasi do të pyetesh qindra herë për arsyen se përse zgjodhe të shkosh në Shqipëri.

  2. Ushqim i shkëlqyer
    Përgjatë bregdetit peshku është i shkëlqyer dhe kushton shumë pak. Kuzhina ka patur një ndikim të madh nga ajo italiane. Sa më shumë që futesh në thellësi të vendit, aq më shumë gjen ushqime me bazë mishin, gjithmonë shumë i freskët. Këtu, ushqimet e ngrira nuk merren pothuajse kurrë në konsideratë. Duhet të provosh disa ushqime lokale si tavë kosi me mish qingji, oriz, vezë dhe kos, patëllxhanë të mbushur me salsiçet lokale.

  3. Gjuha është shumë e bukur
    Shqipja është një nga gjuhët më të vjetra dhe plotësisht ndryshe nga gjuhët e tjera europiane. Ajo nuk është e thjeshtë. Sidoqoftë, nëse bën pushime në Shqipëri duhet të dish disa fjalë, aq më tepër kur mendon se shqiptarëve u pëlqen kur të huajt përpiqen të flasin shqip me ta.

  4. Një vend mysliman tolerant
    Shqipëria është një vend mysliman, megjithatë nuk ia vlen të marrësh masa si në disa vende të Lindjes së Mesme apo të Afrikës Veriore. Disa gra mund ta kenë fytyrën të mbuluar, por nuk të duhet asnjë kod veshjeje për të ecur rrugëve. Vetëm nëse vizitohet një xhami. Edhe pijet alkoolike janë në masë ashtu si mishi i derrit.

  5. Pikënisje për udhëtime të tjera
    Shqipëria është një bazë e mirë për këdo që dëshiron të vizitojë vende të tjera pranë saj, vende që janë një apo dy orë larg. Nga qyteti i Pogradecit mund të kalosh në Maqedoni, nga Shkodra kalon për në Malin e Z i dhe Kroaci, nga jugu futesh në Greqi dhe Korfuz, ndërkohë që nga kufiri verilindor shkon në Kosovë dhe Serbi. Italia është vetëm një orë fluturim nga Milano, Bolonja, Venecia, Roma dhe Piza, apo dy orë me traget që niset nga Ankona, Brindizi dhe Bari (që këtej vetëm në verë) dhe mbërrin në Durrës./express/

10 arsye se përse duhet të vizitoni Shqipërinë…që këtë verë! Read More »