Aktualitet

Njihuni me pronarin e fabrikës së “tmerrit” që u shkrumbua në Kashar

Dy vite më parë ka lobuar fuqishëm që të miratohej ligji për importin e mbetjeve në Shqipëri, ndërkohë që mësohet se kishte më  shumë se katër muaj që nuk paguante punonjësit.

Pronari i kompanisë Everest që u përfshi nga flakët dhe u dogj sot në zonën e Kasharit, Vullnet Haka, është një emër mjaft i njohur për shqiptarët.

Ai është kryetar i Shoqatës së Ricikluesve në Shqipëri, por ndërkohë që lobonte për importin e mbetjeve, nga ana tjetër fabrika e tij nuk respektonte kushtet e sigurisë.

Para një viti kompania e tij ‘Everest’ u përfshi nga flakët, ndërsa u gjobit për mos respektim të kushteve të sigurisë.

Edhe sot, drejtori i zjarrfikëses së Tiranës deklaroi se nuk funksionoi sistemi i alarmit të zjarrit dhe se nuk u lajmëruan nga biznesi, por nga banorët për zjarrin.

Gjithashtu banorët e zonës në Kashar deklarojnë për “Report Tv” se janë ankuar disa herë për ndotjen që shkaktonin mbetjet në fabrikën e riciklimit, që u dogj sot.

Por, pavarësisht ankesave ata deklarojnë se nuk është marrë asnjë masë.

Njihuni me pronarin e fabrikës së “tmerrit” që u shkrumbua në Kashar Read More »

Itinerari juaj shqiptar, gjërat më të mira që mund të bëni

Shpresojmë që ky udhëtim në Shqipëri t’ju frymëzojë që ta vizitoni këtë vend të mrekullueshëm, shkruan wanderlustingk.com.

Dita 1 – TIRANA

Mos humbisni Piramidën e ndërtuar nga vajza e Enver Hoxhës në kujtim të tij, pasi ai vdiq. Piramida e Tiranës ishte godina më e kushtueshme në historinë e Shqipërisë. Tani ajo është gjysmë e braktisur. Banorët dhe turistët janë kureshtarë të hipin deri në majë, që është më e vështirë nga sa duket.

Ata që janë të interesuar për historinë e komunizmit duhet të vizitojnë “BunkArt 2” dhe Muzeun e Gjetheve për të mësuar mbi shtypjen gjatë regjimit komunist. “BunkArt 2” të fut në bunkerin më të fundit që është përdorur nga Ministria e Punëve të Brendshme, për të parë art dhe për të lexuar për individë që janë shënjestruar nga regjimi i Hoxhës pa asnjë arsye, përfshirë edhe ndonjë deklaratë të thënë në radio që ai nuk e pëlqente. Sigurisht, nuk mund të humbisni sheshin ”Skënderbej”, sheshi kryesor i Tiranës.

Dita 2 – SHKODRA

Rekomandojmë që këtë ditë ta filloni herët në mëngjes nëse do të bëni vajtje-ardhje Tiranë-Shkodër. Kini parasysh se ka dy stacione autobusësh, një me autobusë që shkojnë në veri dhe tjetri me autobusë që shkojnë në jug. Ata janë në zona të ndryshme dhe ju duhen rreth 30 minuta ecje për të lëvizur mes tyre, por në mes ka një vend shumë të mirë që bën byrekë.

Shkodra konsiderohet si një prej kryeqyteteve kulturorë të Shqipërisë. Shkodra është e famshme për muzikën e saj dhe për influencën kulturore. Qendra historike e qytetit është vërtetë magjepsëse dhe ia vlen të vizitohet. Rekomandojmë gjithashtu “Il Piacere”, një furrë tipike shqiptare në Shkodër që ma rekomanduan disa miq. Përgjatë rrugës kryesore që shkon drejt qendrës do të gjeni shumë ushqime të mira shqiptare.

Një nga arsyet kryesore që rekomandojmë të vizitohet Shkodra është sepse kjo është mënyra më e mirë për të vizituar Alpet e Shqipërisë. Pasi arrini aty, është shumë e lehtë të merrni një udhëtim për në Theth ose Valbonë.

Nëse doni më shumë, merrni një autobus dhe shkonë në kështjellën e Rozafës, që i përket periudhës romake, për të pasur një pamje madhështore mbi qytet në këtë. Megjithatë fortifikimet janë pak të reja, është një kështjellë mahnitëse që ia vlen të vizitohet. Në të kundërt mund të merrni një taksi dhe të shkoni tek Ura e Mesit për të pasur një pamje magjepsëse të kësaj ure historike prej guri.

Dita 3 – THETHI

Ju duhet të ngriheni herët në mëngjes për në Theth, një prej fshatrave më të bukur shqiptarë, në mes të parkut kombëtar më të bukur në Shqipëri. Nëse ju pëlqen ecja nëpër male, mund të zgjasni qëndrimin këtu duke përfituar disa ditë më shumë dhe shijuar ecjet sfiduese në këtë zonë. Ne u zgjuam herët në mëngjes për të vajtur tek Syri i Kaltër i Thethit, një burim magjepsës dhe akull i ftohtë që është një atraksion shumë popullor. Ecja nga rruga kryesore drejt Syrit të Kaltër të Thethit është e vështirë, por e bukur.

Pasi arrini Syrin e Kaltër të Thethit, kthimi për në Theth është më i lehtë. Ky fshat malor është plot legjenda, traditë dhe bukuri natyrore. Pjesa veriore e Shqipërisë ka pasur për një kohë të gjatë ligjet dhe rregullat e veta që quheshin Kanun. Ende mund të shihen shtëpitë kullë ku strehoheshin familjet që të mbroheshin nga gjakmarrja. Ajo e Thethit është e famshme pasi familjet shkonin brenda për të diskutuar zgjidhjen e gjakmarrjes. Padyshim që më pëlqeu qëndrimi në Theth dhe do dëshiroja të kishim qëndruar disa ditë më shumë. Nëse nuk e keni të limituar kohën në Shqipëri, merrni në konsideratë që të qëndroni këtu të paktën dy ditë. Peizazhi është i bukur, ushqimi jashtëzakonisht i lirë dhe i freskët (i përbërë nga produktet lokale) ndërsa ecja nëpër male është më e mira. Në verë është mirë të prenotosh disa kohë më parë.

Dita 4 – NGA THETHI NË VALBONË

Është një ecje njëditore, megjithatë kur e krahason me ecjen e bërë një ditë më parë në Theth, kjo është shumë më e gjatë. Është mirë të çlodheni dhe të zgjidhni cilin drejtim do të merrni në vend që t’i bëni që të dyja. Ne zgjodhëm të bëjmë më mirë nga Thethi në Valbonë se sa nga Valbona në Theth.

Dita 5 – FIERZË-KOMAN-SHKODËR

Shumica e organizatorëve të udhëtimeve nga Shkodra drejt Thethit dhe Valbonës të ofrojnë edhe një udhëtim në Fierzë dhe Koman. Mendoja se trageti i Liqenit Koman ishte një varkë e vogël që ngjiste lumin. Ky udhëtim është më shumë një aktivitet çlodhës për shqiptarët që vijnë të admirojnë natyrën magjepsëse në këtë pjesë të Shqipërisë. Në fakt Liqeni i Komanit nuk është një liqen natyror, por një liqen artificial i krijuar në vitet 1990 për të ndihmuar në parandalimin e përmbytjes së Shkodrës. Ky udhëtim është idilik dhe jashtëzakonisht i bukur.

Dita 6 – BERATI

Berati është një qytet i mrekullueshëm 2000-vjeçar i njohur nga UNESCO-ja. Ju inkurajoj ta shihni këtë qytet të mrekullueshëm me kështjellë. Hyrja për në kështjellë është e lirë, ndryshe nga kështjella e Gjirokastrës. Përveç se është një nga gjërat më të mira që mund të bëni në Shqipëri, kështjella e Beratit nuk ka ende shumë turistë. Atje gjen vetëm pak banorë lokalë dhe turistë.

Dita 7 – ZONAT PËRRETH BERATIT

Nëse keni një ditë më shumë pushime, ju rekomandojmë të çlodheni në Berat dhe ta përdorni atë si një bazë për një ditë udhëtim. Ju do të gjeni udhëtime turistike për 15-20 euro në malet përreth për një udhëtim me aventura, përfshirë rafting, ngjitje, ecje dhe aventura të tjera. Këto aktivitete janë të lehta për t’u përzgjedhur nëse jeni në Berat.

Dita 8 – VLORA

Kjo zonë turistike është e parapëlqyera e shqiptarëve që dashurojnë detin dhe malet. Nga këtu ju mund të ngjiteni në male duke ju shoqëruar pamje të kristalta mbi det. Kur takuam një mikun tonë shqiptar, Fredin, e pyetëm se cila ishte gjëja e tij më e pëlqyer për Shqioërinë. Ai na tha se vetëm brenda një dite ju mund të shkoni në plazh dhe pastaj t’i ngjiteni një mali me dëborë. Plazhet janë të famshëm në Shqipëri edhe pse kam dëgjuar se, krahasuar me Greqinë, Shqipëria ka bukurinë e plazheve edhe pa njerëz. Duke konsideruar sërish se keni një ditë më shumë pushim, atëhere shkoni në Vuno, fshat përgjatë bregdetit me më shumë se 25 kisha dhe ndërtesa të vjetra prej guri.

Dita 9 – GJIROKASTRA

Gjirokastra është një nga qytetet më të famshme të Shqipërisë dhe pjesa e vjetër e saj është e njohur nga UNESCO-ja për konservimin e mirë të periudhës otomane. Muret e qytetit përreth kështjellës datojnë në shekullin III. Është e mundur të vizitoni kështjellën e Gjirokastrës edhe pse duhet të paguani për hyrjen. Gjatë epokës komuniste kjo kështjellë u përdor për burgosjen e të dënuarve politikë. Sot kjo kështjellë shërben si muzeum.

Dita 10-11 SARANDA

Nga Saranda keni mundësi të merrni anijen për në Korfuz, nëse jeni të interesuar të shkoni në Greqi. Pjesa më e madhe e shqiptarëve betohen se ju duhet të shkoni në jug të vendit për të parë Shqipërinë e vërtetë, kështu që rekomandojmë ta përfshini në itinerarin tuaj këtë qytet përgjatë bregdetit që të lë pa frymë, pasi është bazë e mirë për udhëtimet ditore. Merrni në konsideratë gjithashtu të udhëtoni një ditë në Syrin e Kaltër. Ju mund të vizitoni edhe rrënojat e Butrintit, i njohur nga UNESCO-ja, që janë nga rrënojat më të mirëkonservuara në Shqipëri dhe që datojnë rreth 2 500 vjet më parë./ATSH

Itinerari juaj shqiptar, gjërat më të mira që mund të bëni Read More »

Frymëzim! Tropojania i dhuron mëlçinë një babai dhe i shpëton jetën

Në emisionin “E Diela Shqiptare” një familje ka ftuar vajzën e tyre për t’a falenderuar për veprën e saj e cila nuk ka çmim.

Gentjana Sylaj, vajza nga Tropoja, meriton jo vetëm respektin e familjes Haxhiaj për shpëtimin e një jete, por të të gjithë shoqërisë.

Ajo dhuroi një pjesë të mëlçisë së saj për Lulëzimin, për hir të një dashurie të pa zëvendësueshme, për babain e saj, i cili do ndihej krenar për veprimin që ka kryer.

Babai i Gentjanës prej 8 vjetësh nuk jeton më dhe ajo kishte menduar për të në fillim dhe kishte vendosur të dhuronte organin e saj duke shpëtuar një jetë njeriu që më vonë u shndërruan në familjen e saj të dytë.

Frymëzim! Tropojania i dhuron mëlçinë një babai dhe i shpëton jetën Read More »

Zjarri përpin edhe shtyllat e energjisë elektrike, këto dy zona të Tiranës mbeten pa drita

Nga zjarri që ra sot në fabrikën e riciklimit në Kashar, ka mbetur pa energji elektrike zona e Unazës së Re dhe Mëzezi.

OSHEE njoftoi se prej zjarrit është djegur një pjesë e linjës që furnizon Unazën e Re dhe Mezësin. Grupet e punës së OSHEE ndodhen në terren për masat e ruajtjes së sigurisë.

Raportohet se një kabinë është djegur plotësisht dhe për këtë shkak, OSHEE ka stakuar dy fidera 105 dhe F13 si masë sigurie.

Vatra e zjarrit doli jashtë kontrollit brenda pak minutave, megjithëse në vendngjarje u dërguan të gjitha forcat zjarrfikëse të Tiranës, dy mjete të ushtrisë dhe dy autobotë të ujësjellësit të bashkisë.

Zjarri përpin edhe shtyllat e energjisë elektrike, këto dy zona të Tiranës mbeten pa drita Read More »

Ishulli i Sazanit, nje pike e rendsishme turistike !

“Ishulli i Sazanit është një mundësi e madhe për turizmin e natyrës. Ruajtja e trashëgimisë dhe elementeve historikë në ishull një atraksion i madh për vizitorët”, shprehet Drejtori i Agjensisë Kombëtare të Bregdtetit, Auron Tare.
Ishulli i Sazanit
Po si ka rrjedhur emri “Sazan” dhe historia enigmatike dhe misterioze e ishullit të vetëm të mirëfillt Shqiptarë. Një bukuri e pa shoqe e natyrës sonë ujore, përsëri mbetet në kuadrin e enigmës.
Historia ka folur për Sazanin si një nga fortesat më të përshtatshme për të mbrojtur qytetin e Vlorës dhe brigjet për rreth.

Sot kjo histori ka përfunduar sepse Shqipëria është anëtare e NATO-s dhe Sazani mund të kthehet në një nga perlat turistike më interesante të Mesdheut.
Emri i Ishullit të Sazanit përmendet që në kohërat antike, duke filluar nga shekulli i VI p.e.s. me emrin SASON. Gjatë mesjetës, ishulli kaloi në zotërimin Venecian ndërsa gjatë Luftërave Ballkanike, Greqia e pushtoi ishullin.

Vendimet e Konferencës së Ambasadorëve në Londër, në vitin 1913 e detyruan atë që të tërhiqej nga Sazani. Gjatë Luftës së Parë Botërore, ishulli u pushtua nga Italia. Lufta e Vlorës në vitin 1920 bëri të mundur që ata të tërhiqeshin nga Vlora, por mbajtën ende nën sundim Sazanin, deri më 1943, kur Shqipëria u pushtua nga nazistët gjermanë.
Më 21 tetor 1944 ishulli u çlirua dhe që nga ajo kohë është pjesë e integritetit dhe sovranitetit të shtetit shqiptar.
Gjatë periudhës së Luftës së Ftohtë, Sazani së bashku me bazën detare ushtarake të Pasha Limanit, në Orikum të Vlorës, u shndërrua në një ndër pikat kyçe të Ushtrisë së Kuqe sovjetike dhe asaj shqiptare në Mesdhe. Që nga koha e Jul Çezarit e deri në Luftën e Dytë Botërore në bregdetin përreth Gjirit të Vlorës janë zhvilluar një numër betejash detare, pasojë e të cilave kanë qenë disa anije të mbytura.
Një pjesë relikesh nënujore si amfora e objekte të tjera janë rikuperuar nga arkeologët shqiptarë dhe janë ekspozuar në Muzeun Historik Kombëtar dhe atë arkeologjik në Durrës.

Gjatë kohës së Luftës së Ftohtë ishulli i Sazanit ka shërbyer si bazë ushtarake detare ku ishin vendosur kryesisht anijet katerasiluruese, artilieria bregdetare etj. Gjatë asaj periudhe ishulli ka qenë i banuar nga rreth 10 mijë banorë të cilët kryesisht ishin familjarë të oficerëve që shërbenin në ishull.

Gjatë luftës së ftohtë ishulli i Sazanit bashkë me gjirin e Vlorës konsideroheshin si fronti me i vështirë për Ushtrinë Shqiptare. Për këtë arsye, njerëzit që shërbenin në ishull kishin trajtim të veçantë nga qeveria e asaj kohe.
Sipërfaqja e ishullit është 5.7 kilometër katror dhe shtrihet në hyrje të Gjirit të Vlorës. Shtrirja gjeografike e tij është juglindje-veriperëndim në një gjatësi prej 4.8 kilometër. Gjerësia më e madhe e tij është 2 kilometër.

Vija bregdetare e ishullit është pak e thyer. Në anën perëndimore gati në mes të tij formohet Gryka e Xhehenemit, që është një gji i vogël, por i hapur dhe shumë i thellë. Në bregun lindor formohet Gjiri i Shënkollës, ku është ndërtuar edhe porti detaro-ushtarak i ishullit dhe në jug të tij shtrihet Gjiri i Japrakut.
Pikërisht këtu gjendet edhe Plazhi zallor i Admiralit. Ishulli përbëhet nga dy kodra shkëmbore monolite me lartësi maksimale 342 metra. Ngritja e këtij relievi në mënyrë të menjëhershme nga deti, të krijon përshtypjen e një lartësie shumë të madhe. Lartësitë e ishullit ulen nga skajet në drejtim të qendrës. Dy luginat e tij, ajo e Përroit të Xhehenemit dhe Përroi i Shënkollit, që nisen nga Qafa e Vidheve, e ndajnë ishullin në dy pjesë, në atë Veriore, që është më e larta, plot 342 metra dhe në atë Jugore, me lartësi 331 metra.

Duke qënë një zonë e mbrojtur ushtarake, flora dhe fauna e ishullit kanë ngelur të pa prekura. Kjo ka mundësuar shmangien e gjuetisë së paligjshme, si dhe të abuzimeve e dëmtimeve të tjera.

Periferia e ishullit ka shumë plazhe të bukura e të pa shfrytëzuara
Gjatë një vizite të bërë në shkurt të këtij viti, Ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli, u shpreh se “ky është një ishull që ka pasur një tjetër përdorim dikur, kryesisht për arsye ushtarake.

Ajo epokë ka mbaruar. Është shumë e bukur që diçka e betonizuar për arsye ushtarake, të kthehet në një vend të mirë, të bukur, të dashur, të pastër për turizmin dhe turistët. Shqipëria ka burime për ta bërë tërheqëse vendin për investitorë të huaj apo vendas”.

Dhe vërtet, po t’i hedhësh një sy brigjeve të këtij ishulli, mrekullohesh nga bukuria e plazheve, shpellave, guvave dhe historisë së tij.
Shpellat nënujore, si ajo e Haxhi Alisë, Gjirit të Djallit e të tjera janë nga më të mëdhatë që mund të gjenden në Mesdhe. Ato sot përbëjnë një sfidë të vërtetë për zhytësit dhe një atraksion të veçantë për sportet nënujore.
Ishulli i Sazanit, sot vizitohet nga eksplorator amator të nënujit, spelolog, admirues të natyrës por së shpejti ai do jetë një objeksion për turizmin e lirë. Sazani mbetet një mundësi e vonuar për turizmin shqiptar.

Ishulli i Sazanit, nje pike e rendsishme turistike ! Read More »

Kryegjyqtari i Krimeve të Rënda si Agjenci Imobiliare, zbardhet pasuria “mbretërore” e Fehmi Petkut

Gjyqtarët dhe prokurorët, vlerën më të madhe të pasurisë e kanë tek investimet në pasuritë e paluajtshme.

Numërohen me gishta gjyqtarët dhe prokurorët që jetojnë me pagat që marrin.

Në fakt nuk do shumë përllogaritje, duke patur parasysh koston e jetesës në Shqipëri, se çfarë pasurie mund të vësh me pagën e një gjyqtari apo prokurori.

Në këtë mënyrë, investimet në pasuritë e paluajtshme të gjyqtarëve dhe prokurorëve dyshohet se janë burimi kryesor i pastrimit të parave prej tyre. Pra, investimet në pasuri të paluajshtme, dyshohet se i kanë kthyer në një lavatriçe të pastrimit të parave. Por deri më tani nuk ka pasur hetime të mirëfillta për këtë çështje.

Nëse shikon në mënyrë të detajuar deklarimin e pasurisë të gjyqtarëve dhe prokurorëve, arrin në konkluzionin se në fund të procesit të vettingut, do të mbetemi pa gjyqtarë dhe prokurorë.

Është radha e kreut i Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda Fehmi Petku, për të cilin ILDKPKI, na ka vënë në dizpozicion deklarimin e pasurisë për vitin 2016.

Në formularin e deklarimit të pasurive që disponon CNA.al, Petku rezulton me një sërë pasurish të paluajtshme, madje për disa prej tyre (sipërfaqe toke) pohon se nuk ka as dokumentacion. Edhe për një shtëpi në Sauk të lëshuar me qira me mbi 1600 euro në muaj, Petku deklaron se e ka të paregjistruar në Hipotekë.

Pasuria e deklaruar për vitin 2016.

Pasuri të paluajtshme të fituara si trashëgimtarë ligjor i babait. E pavlerësuar deri në këto momente.

Trualli me spërfaqe 372 metër katror. Shitës komiteti Ekzekutiv Tiranë me vlerë 7440 lekë.

Banesë mbi truallin e mësipërm e përbërë nga tre kate, bodrum dhe papafingo. Ndërtuar në vitet 1994-1995. Legalizuar në vitin 2006 me sipërfaqe ndërtimi 1150 metër katror. E pavlerësuar deri në këto momente.

Truall me sipërfaqe 6000 metër katror, blerë me dy kontrata shitblerje. 4000 metër katror në shumën 60 00 000 lekë dhe 2000 metër katror në vlerën 30 00 000 lekë. Të dyja këto sipërfaqe janë blerë me 1500 lekë metër katrori. Sipëedaja faktike sipas dy kontratave 53 000 metër katror që shkon në 7950000 lekë.

Një shtëpi banimi dy katëshe e ndërtuar mbi truallin e mësipërm me sipërfaqe 130 metër katror. Banesa ka përfunduar procesin e legalizimin. Mbi bazën e deklaramit të bërë nga babai, kjo banesë ka kaluar në emrin tim. Banesa është e pavlerësuar deri më sot.

Truall me sipërfaqe 16 000 metër katror e blerë si më poshtë:

Me datë 19.07.1996, 4500 metër katror në shumën 225 000 lekë. Po në të njëjtën datë ka blerë 250 metër katror në vlerën 125000 lekë dhe 632 metër katror në vlerën 316 000 lekë. Me datë 21.08.1996, blerë 200 metër katror në vlerën 100 000 lekë.

Nga sipërfaqja totali prej 16.000 metër katror, për sipërfaqen prej afërsisht 10.000, nuk ka mundur të gjej deri në këto momente aktet e shitblerjes, por sqaroj se që nga gushti 1996, shkurt 1997 dhe deri në nëntor 2014, kjo sipërfaqe është poseduar nga trashëgimlënësi dhe nga nëntori 2014 e deri më sot, posedohet nga trashimtarët e tij.

E gjithë sipërfaqja, është një parcelë e vetme, e pandarë dhe ndodhet në fshatin Bultic, komuna Vaqarr, në Tiranë dhe është e paregjistruar në zyrat e regjistrimit të pasurive në emër të trashëgimlënësit për shkak të mungesës së dokumentacionit të duhur ligjor nga ana e shitësit.

Pasuri e paluajtshme, tokë bujqësore e ndodhur në fshatin Kodër-Lumë, komuna Shtiqën, Bashkia Kukës, pasuri trashëgimore e vjetër. Kjo pronë është e paregjistruar në regjistrat e ZRPP Kukës, pasi ndodhet në proces gjyqësor në Gjykatën e Apelit Shkodër, për fitimin e pronësisë.

Të ardhura nga paga si gjyqtarë në Gjykatën e Apelit për Krime të Rënda në shumën 1.739.184 lekë.

Të ardhura nga pjesëmarrja në Komisionin për mbrojtjen e dëshmitarëve dhe bashkëpunëtorëve të drejtësisë, në shumën 38 250 lekë.

Të ardhura nga paga e djalit Alban Petku, i punësuar në sektorin privat në shumën 193.163 lekë.

Të ardhura nga kompania e sigurimeve shoqërore INSIG, si siguracion shëndetësor në shumën 549 467 lekë.

Të ardhura nga kontrata e qirasë (1600 euro në muaj) për banesën e ndodhur në Sauk, me kontratë jo noteriale, pasi banesa është e paregjistruar në Hipotekë në vlerën 6400 euro. Kjo shumë është marrë gjatë periudhës 13.01.2015 – 01.01.2016.

Të ardhura nga kontrata e qira për banesën në Sauk, me kontratë jo noteriale,lidhur me datë 22.08.2016 me një afat dy vjeçar, me shumën 1800 euro në muaj.

Vlera e qirasë nga periudha kur është lidhur kontrata deri kur është bërë deklarimi i pasurisë, pra nga 22.08.2016- 16.08.2016 shkon në shumën 8 100 euro.

Overdraft për nevoja familjare në shumën 190 000 lekë.

Master card, marrë për nevoja familjare me datë 21.06.2010 në shumën 5 000 euro. Detyrim i pashlyer 5039 euro.

Ka shlyer kredinë familjare në shumën 406 629 lekë.

Kredi personale për nevoja familjare marrë me datë 05.10.2016 në shumën 1500 000 lekë. Shuma e pashlyer është 1.459.225 lekë.

Qira financiare marrë me datë 14.04.2015, për përdorim automjeti në shumën 10 549 euro për një afat 4 vjeçar.. shuma e pashlyer është 6582.73 euro.

Dorëzanës për djalin tim Bekim Petku në qirane financier Tirana Leasing me datë 16.04.2013, në shumën 23 400 euro për 5 vite. Shuma e pashlyer është 7.239 euro.

Kryegjyqtari i Krimeve të Rënda si Agjenci Imobiliare, zbardhet pasuria “mbretërore” e Fehmi Petkut Read More »

A është gjallë Erjon Veliaj? Lali Eri si Simona e Al Paçinos. E shikojmë në ekran, por a jeton ai?

Hap televizorin, të del Erion Veliaj. Ndiz radion, dëgjon zërin e tij. Hap portalet ose rrjetet sociale, bombardohesh nga fotot e Lali Erit.

Kush e shikon, mendon lum Tirana për kryebashkiakun që ka. Aq shumë është fokusuar tek puna, sa nuk pyet për jetën e tij provate.

Nuk ka ditë jave dhe orë që nuk punon. Ai punon 24 orë në 7 ditë të javës. Aq shumë lodhet i shkreti, por fatmirësisht që ka një grua që e kupton si Ajola, që e toleron Lalin edhe kur ai nuk përmbush detyrimet si burrë.

Nga puna e tepërt, Veliaj rrezikon të mos bëhet baba. Nuk ka kohë as për intimitet me Ajolën. Por ndonjëherë edhe gënjeshtra, sado që ti të paguash që ta mbash të fshehtë, ajo del në shesh.

Sot në Tiranë, u dogj totalisht një fabrikë e madhe në Kashar. Fabrika e përpunimit të mbetjeve u përfshi nga flakët. Zjarrëfikësit ngritën duart lart dhe thanë që zjarri është tepër i fuqishëm dhe nuk ndalet dot. Për pasojë fabrika u shkrumbua dhe bizneset dhe banesat rreth e rrotull janë në rrezik.

Banorët janë të trembur për jetën e tyre. Po ku është Lali Eri që nuk vjen? Ku është supermeni i Tiranës që nuk duket në skenë për të shpëtuar qytetarët e tij?

Lali Eri, pa pikën e turpit, ka postuar vetëm një mesazh në rrjetin e tij social twetter duke thënë që mos kaloni afër zjarrin se digjeni. Tallje me popullin që pret ndihmë nga bashkia.

Por cinizmi i Veliajt nuk ndalet. Atij as nuk i plas shumë se banorët e Kasharit po përcëllohen nga flakët. Ai ka vijuar me rutinën e tij të përditshme dhe të mërzitshme.

Ai ka shpërndarë në media, materialin e përgatirur më përpara për sot. Sot Veliaj, gjasmë ka qënë në Farkë duke mbjellë pemë në kuadër të ditës së Tokës.

Kjo është rrenë e hapur. Nëse Lali Eri do të ishte në Tiranë, ai do të shkonte afër zjarrit, jo në Farkë për të mbjellë pemë. Mbjellja e pemëve është bërë ditë më përpara, pop o shitet sikur të ishte sot.  Të paktën Lali Eri të mos ua nisje mediave, se qytetarët e tu po digjën dhe ti thua hajde pemë në Farkë. Sikur nuk shkon muhabeti. Gjithsesi ti e di.

Por qytetarët e kuptojnë se ti nuk je fare në Tiranë, por kur të bie rruga, del e mbjell ca pemë dhe i shpërndan çdo ditë të javës, për të treguar se je këtu dhe po punon.

Apo, mos është kjo tjetra qe dyshojmë. Mos e dhëntë Zoti, që ti të mos ekzistosh. Domethënë që Lali Eri të mos jetë i vërtetë, por një fantazi e Edi Ramës. Njëlloj si Simona e Al Paçinos, një super femër, këngëtare që marrosi gjithë botën me bukurinë dhe zërin e saj, por në fakt ishte kompjuter. Nuk ishte reale.

A thua të jetë edhe Veliaj si Simona? Pra të jetë një imazh kompjuterik që nuk ekziston! Ka mundësi! Të gjithë e shikojmë Lali Erin, por asnjë nuk e prek!Pamfleti.net

A është gjallë Erjon Veliaj? Lali Eri si Simona e Al Paçinos. E shikojmë në ekran, por a jeton ai? Read More »

Statuti i PD, përjashtohen nga Kryesia dhëndri i Berishës dhe 24 figura të tjera historike. Emrat e plotë

Paketa me ndryshimet në statutin e Partisë Demokratike, përpos përfshirjes së Jozefina Topallit në Këshillin Kombëtar dhe ndryshimin e rregullave për zgjedhjen e kandidatëve për deputetë dhe kryetar bashkie, ka prodhuar edhe një surprizë të tjetër.

Ndryshimet në statut, miratuar ditën e premte nga Këshilli Kombëtar, përjashtojnë Jamarbër Malltezin, dhëndrin e ish-kryeministrit, Sali Berisha, nga Kryesia e Partisë Demokratike. Krahas Malltezit nga Kryesia e PD largohen automatikisht edhe krerët kryetarët dhe nënkryetarët e Komisioneve të Përhershme Parlamentare që i përkasin PD.

Në total, nga Kryesia e PD përjashtohen automatikisht 25 figura të kësaj partie. Të gjithë të përjashtuarit, për t’u bërë sërish anëtarë të Kryesisë, duhet të kandidojnë dhe të zgjidhjen me votim të fshehtë nga Këshilli Kombëtar. Por, me votim nga Këshilli Kombëtar, mund të zgjidhjen vetëm 15 anëtarë, një numër mjaft i reduktuar në krahasim me numrin e të larguarve.

Mekanizimi

Po si u përjashtua Malltezi nga Kryesia e PD, gati një vit pasi Lulzim Basha nuk e futi në listën e kandidatëve për deputetë? Statuti i ri i partisë më të madhe në opozitë ka ndryshuar përbërjen e Kryesisë, duke u hequr të drejtën krerëve të departamenteve për të qenë anëtarë të Kryesisë së Partisë Demokratike. Neni 39 i statutit aktual të PD parashikon që, Kryesia e Partisë Demokratike, përbëhet nga kryetari i partisë, nënkryetarët e partisë, sekretari i Përgjithshëm, drejtuesit e departamenteve etj.

Jamarbër Malltezi është kreu i departamentit të Ambientit, Pyjeve dhe Turizmit në Partinë Demokratike, ku si tillë ishte automatikisht anëtar Kryesie. Por, sipas statutit të ri, i konfirmuar nga Këshilli Kombëtar, krerët e departamenteve nuk mund të jenë më anëtarë të Kryesisë. Neni 52 i statutit të ri parashikon që Kryesia e PD përbëhet nga kryetari i partisë, nënkryetarët e partisë, sekretari i përgjithshëm, sekretarët funksionalë etj., por jo nga krerët e departamenteve.

Ky ndryshim ka përjashtuar automatikisht Jamarbër Malltezin dhe të gjithë drejtuesit e tjerë të departamenteve nga Kryesia e PD. Ashtu si Malltezi, nga Kryesia largohen edhe krerët e tjerë të departamenteve si Suzana Guxholli, Florion Mima, Sherefedin Shehu, Jemin Gjana, Bardh Spahia, Ardian Turku, Tritan Shehu etj.

Të larguarit e tjerë

Me ndryshimet e reja në statut, nga Kryesia e PD largohet edhe Genc Pollo, i cili mban postin e kryetarit të Komisionit të Integrimit Evropian. Të drejtën për të qenë anëtare e Kryesisë së PD e humbet edhe zonja Jorida Tabaku, e cila është zëvendëskryetare e Komisionit të Ekonomisë. Nga Kryesia e PD ikën edhe Flamur Noka, i cili mban postin e zëvendëskryetarit të Komisionit të Sigurisë Kombëtare. Albana Vokshi, si kryetare e Komisionit për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik nuk do të jetë më anëtare e Kryesisë së PD./Shqiptarja.com

Statuti i aktual i PD

Neni 39

Kryesia e Partisë

Kryesia e Partisë përbëhet nga:

Kryetari i Partisë;

Nënkryetarët e Partisë,

Sekretari i Përgjithshëm, Drejtuesit e Departamenteve dhe Sekretarët Funksionalë të zgjedhur nga Këshilli Kombëtar.

Kryesia e Grupit Parlamentar, ku përfshihen Kryetari, Nënkryetari, Sekretari dhe Zëdhënësi.

Kryetari apo Nënkryetari i Kuvendit që i përket Grupit Parlamentar të PD

Kryetarët apo Nënkryetarët e Komisioneve të Përhershme Parlamentare që i përkasin Grupit Parlamentar të PD-së;

Kryetarët e organizatave partnere.

Statuti i ndryshuar i PD

Neni 52

Kryesia e PDSH

Kryesia e PDSH përbëhet nga:

a) Kryetari i Partisë;
b) Nënkryetarët e Partisë;
c) Sekretari i Përgjithshëm, dhe Sekretarët Funksionalë të zgjedhur nga Këshilli Kombëtar;
Kryetarët e organizatave partnere;
15 (pesëmbëdhjetë) anëtarë të zgjedhur me votim të fshehtë nga Këshilli Kombëtar, nëpërmjet një numri kandidaturash të paktën sa dyfishi i numrit të vendeve vakante.
Zëdhënësi i Partisë, si dhe Sekretari për Marrëdhëniet Ndërkombëtare që emërohen nga Kryetari i PDSH.

Krerët e departamenteve që largohen nga Kryesia e PD

Jamarbër Malltezi, ambienti, pyjet dhe turizmi
Florion Mima, ekonomia dhe tregu
Sherefedin Shehu, financat publike, tregu bankar financiar dhe jo bankar
Jemin Gjana, kontributet historike
Tritan Shehu, shëndetësia
Enkelejd Alibeaj, siguria, rendi publik, lufta kundër krimit
Suzana Guxholli, energjia dhe burimet natyrore
Ervin Minarolli, infrastruktura dhe transporti
Enkelejda Sallaku, bujqësia, zhvillimi rural, peshkimi dhe agroindustria

10.Endri Hasa, shoqëria e informacionit

11.Avenir Peka, siguria kombëtare

12.Kastriot Sulka, punësimi dhe çështjet sociale

13.Bardh Spahia, emigracioni dhe diaspora

14.Lealba Pelinku, antikorrupsioni, aksesi publik në shërbime dhe transparenca në qeverisje

15.Enri Çeno, të drejtat e njeriut dhe liritë themelore

16.Ardian Turku, pushteti vendor dhe administrimi i territorit

17.Luciano Boçi, Arsimi, shkenca dhe inovacioni

18.Arben Skenderi, kultura, rinia dhe sporti

19.Laura Vorpsi, integrimi Europian

20.Kreshnik Çollaku, politika e jashtme

Gent Malko, pronat

Krerët dhe nënkryetarët e komisioneve që largohen nga Kryesia

Flamur Noka, zëvendëskryetar i Komisionit të Sigurisë Kombëtare
Genc Pollo, kryetar i Komisionit të Integrimit Evropian.
Jorida Tabaku, zëvendëskryetare e Komisionit të Ekonomisë
Albana Vokshi, kryetare e Komisionit për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik

Statuti i PD, përjashtohen nga Kryesia dhëndri i Berishës dhe 24 figura të tjera historike. Emrat e plotë Read More »