Aktualitet

Parashikimi i minutës së fundit, ja si do tërbohet moti …

Sipas meteorologëve, moti në vijim do të jetë:

E hëna mbetet me kthjellime gjatë paradites, por vranësira të shpeshta sjell pasditja në zonat Lindore ku priten shira të përkohshëm.

Edhe dita e martë dhe e mërkura vijojnë në kushtet e kthjellimeve me vranësira të herë pas hershme, më të dukshme gjatë pasditeve duke sjellë shira të përkohshëm kryesisht në zonat Lindore.

Temperaturat e ajrit mbeten të larta deri të enjten duke variuar nga 9 – 10°C vlera më e ulët gjatë mëngjesit në Juglindje deri në 31 – 32°C, maksimumi i mesditës në zonat e ulëta.

Parashikimi i minutës së fundit, ja si do tërbohet moti … Read More »

Fërshëllimat që grisin statutin e ri të PD!

Nga Mero Baze

Ndodhi diçka interesante në Kuvendin e Partisë Demokratike, që ilustron gjithë fallcitetin e Lulzim Bashës.

Dhe kjo ishte fillimisht, mënyra se si duartrokisnin Bashën, kur thoshte kam gabuar dhe mënyra se si fërshëllenin Eduard Selamin, kur thoshte të njëjtën gjë, pra që Basha ka gabuar.

Kur Basha përpiqej të arsyetonte ndryshimet në statut, foli dhe për “gabimet” e tij, për zgjedhjet që kishte bërë dhe vendimet e gabuara që kishte marrë dhe në sallë kishte duartokitje.

Kur Eduard Selami e kryqëzoi për të njëjtat gabime, u fërshëllye dhe u kërkua të zbohet nga salla.

Ky është një detaj i thjeshtë që tregon së pari se Lulzim Bashës, edhe të vetët, ja pranojnë gënjeshtrën si normalitet dhe e lejojnë ta thotë atë, pa u bërë përshtypje.

Në një farë mënyre ja pranojnë atij fallcitetin, dhe lehtësinë me të cilën detyrohet të gënjejë në çdo rast, pasi ja quajnë pjesë të karakterit të tij.

Ndryshe nuk ka kuptim përse duhet të gëzoheshin kur ai thoshte “kam gabuar”, përveç rastit kur e dinë që e thotë kot.

Kur të njëjtën gjë e përsëriti Eduard Selami ju turrën, pasi ata realisht mendojnë që Basha ka bërë mirë dhe se nuk ka bërë gabim që ka vepruar ashtu.

Ata punëtorët e Kunatit në sallë, kanë pranuar si gjest normal aktet politike të Bashës dhe nuk pranojnë që askush t’ia thotë atë publikisht si gabim, përveç Bashës, të cilin e konsiderojnë si njeri që e thotë për të gënjyer të tjerët, jo ata.

Nga ana tjetër agresiviteti maksimal ndaj Eduard Selamit zbulon dhe fytyrën e vërtetë të Lulzim Bashës ndaj kritikëve të vet dhe tallja me statutin e ri të PD.

Eduard Selami nuk ngjan me kritikët e tjerë të Bashës. Ai ka qenë shumë institucional në kritikat e tij, ka pranuar të hyjë në një garë fallco dhe të manipuluar edhe në sytë e tij, nga fillimi në fund.

Ai është përjashtuar nga lista pa bërë asnjë koment personal dhe po ashtu ia kanë vjedhur votat e filmuara me orë të tëra dhe ka pranuar rezultatin për “hir të partisë”.

Në një farë mënyre Eduard Selami edhe për shkak të stilit të tij amerikan, është nga ata kundërshtarë që duhet ta kërkosh me qiri ta kesh, pasi sidomos në raport me Bashën, ai nuk është sjellur si kundërshtar, por si ilustrues i kundërshtarit.

Në fjalimin e sotëm ai ishte dinjitoz dhe i qartë për të treguar gjithë çfarë ka ndodhur dhe atij ju vërsulën si në vitin 1995, kur nuk e lanë të hynte as brenda në sallë.

Sjellja ndaj tij në sallë gris çdo lloj statuti dhe çdo lloj maske të Lulzim Bashës, pasi është prova se sa i pranon kundërshtarët dhe kritikët ajo parti.

Përfytyro të ishte në sallë Topalli dhe t’iu kishte thënë që ky është Kuvend i mbushur me punonjës të Kunatit, apo Patozi e Bregu që kanë rezerva shumë më të mëdha për të. Me siguri do t’i kishin zbuar jashtë me karrige.

Janë pikërisht ato fërshëllima që bënë të skuqej dhe kryeregjisori i tyre Sali Berisha, i cili u largua nga salla, duke mos dashur të ngjallte kujtime të hidhura nga ngjarje të ngjashme në PD, në kohën e tij.

Janë ato fërshëllima që e bëjnë pa kuptim për PD statutin, Kuvendin dhe gjithë teatrin e Lulzim Bashës. Ato janë “shpata që u rri tek koka gjithë armiqve” të Kryetarit.

Ata kanë kuptuar përse i duhet statuti kryetarit dhe thjesht i vërsulen çdo armiku të tij. Ato fërshëllima janë himni i vërtetë i PD dhe statuti me të cilën Lulzim Basha po kërkon të mbrohet nga kundërshtarët e vet.

Dhe kur mendon se armiku më i madh i Lulzim Bashës nuk janë kritikët e tij, por humbjet e tij, këto fërshëllima ngjajnë si marshi funebër i PD.

Fërshëllimat që grisin statutin e ri të PD! Read More »

Puthi nxënësen, kërkesa e mësuesit te drejtoresha pak para se të dilte skandali

Mësuesi: Më transferoni në shkollë tjetër

Pak para se skandali të bëhej publik, mësuesi Neshat Tepelena, i kishte bërë një kërkesë me shkrim drejtoreshës së shkollës 9-vjeçare “Ali Hajdini” që të shkëmbente vendin e punës me vajzën e tij, e cila gjithashtu është mësuese.

Në kërkesën me shkrim të 60-vjeçarit thuhet se e bija jep mësim një tjetër fshat.

Por duke qenë se ajo ka vajzën e saj të vogël sëmurë, ai kërkonte që në shkollën e Kalasë të japë mësim vajza e tij dhe në vend të saj, në shkollën e fshatit Tatzat të shkojë vetë 60-vjeçari.

Një kërkesë e tillë është pranuar nga drejtoresha e shkollës dhe prej pak javësh mësuesi 60-vjeçar nuk jep më mësim në shkollën “Ali Hajdini”.

Puthi nxënësen, kërkesa e mësuesit te drejtoresha pak para se të dilte skandali Read More »

Vlorë – Emërohet kreu i ri i kapitenerisë !

Pas emërimit të kreut të ri të kapitenerisë,duke qënë se është institucioni më i rëndësishëm i kontrollit detar,është zbuluar e kaluara e tij.

Mësohet se Lorenc Rexhepaj e ka prejardhjen e arsimit të lartë nga Universiteti i Vlorës nga vitet 2000-2004 .Pas mbarimit të studimeve prej 2004 deri në 2008 ka punuar si officer në anije tregetare .Anija kishte si intinerar shtete të ndryshme

.Nga viti 2008 deri në vitin 2016 ai ka punuar si kapiten në anije me tonazh pa limit.Ndërkohë që në strukturat shtetrore është angazhuar dy vite më parë.Prej vitit 2016 dhe deri ditën e sotme ai ka qën në në sektorin e kontrollit shteteror portual në Kapitenerinë e Vlorës.

Ndërkohë që ka realizuar një sërë trajnimesh të ndryshme si Stcw 2010, EMSA, etj. Sipas burimeve nga kapiteneria e përgjithshme,mësohet se një prej arsyeve e përzgjedhjes së tij është profesionalizmi i treguar në këto dy vite në kapiteneri

Vlorë – Emërohet kreu i ri i kapitenerisë ! Read More »

Çmimi i këtij produkti jetik do rritet përsëri dhe kësaj nuk i shpëtojmë dot asnjë! Një tjetër “goditje” e fortë për shqiptarët

Furrat e tregtimit të bukës, pastiçeritë dhe byrektoret kërkojnë ulje të çmimit të energjisë elektrike.

Aktualisht, këto furra buke, për shkak të përdorimit të frigoriferëve, janë penalizuar nga tarifa e reduktuar prej 7,6 lekë/kwh. Për rastet kur furrat e tregtimit të bukës, pastiçeritë apo byrektoret kanë në përdorim bazë frigoriferike, çmimi i energjisë po paguhet më shumë se 7,6 lekë për kwh.

Shqetësimi u ngrit nga kryetari i Shoqatës së Prodhuesve të Bukës, Pastiçerisë dhe Brumërave, Gëzim Peshkëpia, në një nga seancat dëgjimore të zhvilluara me Entin Rregullator të Energjisë.

I kontaktuar nga gazeta, kreu i Shoqatës së Prodhuesve të Bukës tha se të gjitha furrat e reja që ngrihen në vend dhe përdorin bazë frigoriferike, nuk tarifohen me 7,6 lekë, por më shumë.

“Furrat e reja që po hapen nuk iu jepet subvencioni, pra, nuk e paguajnë energjinë me tarifën 7,6 lekë për shkak se kanë në përdorim 2 apo 3 frigoriferë. Bëhet fjalë për furrat ku tregtohen bukët apo ëmbëlsirat, jo për furrat që prodhohet. Pra, ne pretendojmë që të paguhet kjo tarifë, pasi furrat nuk mund të kthehen si në vitet ‘90, kur tregtonin vetëm disa bukë, tashmë furrat janë kthyer shumë bashkëkohore. Këto janë investime të bëra nga ne. Këta na thonë, shisni vetëm bukë. Por në të gjitha vendet e huaja, shërbimi që ofrojnë furrat e bukës është kompleks. Nuk mund të heqim dorë nga biznesi ynë vetëm për shkak të çmimit të energjisë. Ne pretendojmë që baza frigoriferike, 2-3 frigoriferë që janë në përdorim, nuk duhet të ndikojë në heqjen e subvencionit që kanë furrat e bukës dhe fabrikat e miellit. Pra, të paguajnë tarifë për energjinë 7,6 lekë për kwh ndryshe nga bizneset e tjera”, shpjegoi kreu i Shoqatës së Prodhuesve.

PROPOZIMI

Kreu i Shoqatës së Prodhuesve të Bukës kërkon zgjidhje institucionale të problemit. Ai shprehet se i kanë nisur një propozim edhe ministrit të Energjetikës, Damian Gjiknuri, ku i propozohet që për furrat e tregtimit të bukës, ëmbëlsirave dhe byrektoreve, të aplikohet një tarifë prej 8,2 lekë/kwh.

“Kjo që po kërkojmë, nuk është kërkesë për lëmoshë. Ne e kemi TVSH-në e bukës 20 për qind, kurse vendet e Europës e paguajnë nga 0 deri në 8 për qind. Ky reduktim i tarifës të energjisë na jepet si pjesë e paketës lehtësuese, që të gjitha vendet e tjera i bëjnë prodhimit dhe tregtimit të bukës.

Ne kërkojmë një zgjidhje institucionale, të studiohet dhe për të gjithë këto furra që tashmë kanë frigorifer dhe nuk i heqin dot, të përcaktohet një tarifë tjetër. Ne i kemi dërguar një shkresë zyrtare edhe Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjetikës. Ne kemi propozuar që për furrat e bukës që nuk kanë bazë frigoriferike tarifa të mbetet 7,6 lekë/kwh, ndërsa për furrat e tjera të bukës që kanë bazë frigoriferë, të aplikohet një tarifë prej 8,2 lekë/kwh. Pra këto ndryshime duhet të bëhen në vendimin e këshillit të ministrave, por më përpara institucionet shtetërore duhet të ulen për të diskutuar efektet financiare të propozimit tonë apo të ndonjë propozimi tjetër”, u shpreh kreu i Shoqatës së Prodhuesve të Bukës.

Buka, prodhuesit paralajmërojnë rritje të çmimit

Kreu i Shoqatës së Prodhuesve së Bukës paralajmëron se mosaplikimi i tarifës së reduktuar do të sjellë rritje të çmimit të bukës dhe ëmbëlsirave. “Ne e kemi bërë të qartë se do të rritet çmimi i bukës, po ashtu dhe një ëmbëlsirë që sot shitet 50-60 lekë, jashtë vendit shitet 2 euro. Pra, çdo rritje tarifash apo taksash ka rritje të çmimeve të produkteve. Mbi 96 për qind të objekteve të furrave të bukës janë me qira dhe të gjitha këto janë në kurriz të biznesit”, shprehet Peshkëpia. Numri total i furrave të bukës është 4 mijë, por shoqata përfaqëson edhe subjektet e tjera, pastiçeritë dhe byrektoret.

Çmimi i këtij produkti jetik do rritet përsëri dhe kësaj nuk i shpëtojmë dot asnjë! Një tjetër “goditje” e fortë për shqiptarët Read More »

“Moj zonjë ma more burrin ti?”, përballja e fortë te Eni Çobani e dy grave që u martuan me të njëjtin person

Dy zonja u përballën në rubrikën “Shihemi në Gjyq”. Ato janë të dyja ish-bashkëshorte të të ndjerit Shaqir Avdillari. Drita është bashkëshortja e parë e Shaqirit, e cila ka kërkuar këtë përballje me bashkëshorten e dytë, për shkak të një pasurie.

Drita jeton në Itali prej 25 vitesh. Ajo tregoi se është martuar në vitin 84 dhe është ndarë me ish-bashkëshortin në vitin94, por pa procedura ligjore. Drita u largua në Itali, pasi iu dha një mundësi për punë, pa bashkëshortin.

Në momentin që vendos për t`u kthyer në Shqipëri, Drita merr vesh se Shaqiri ishte martuar me znj.Sabrije. Në të vërtetë ai veprimet për divorcin i kishte kryer pa praninë e znj.Drita.

Konflikti qëndron në faktin se familja e Shaqirit dhe Dritës, në vitin 91 dhe92, kur janë ndarë tokat me ligjin 7501, kanë përfituar 2500 metra katrorë tokë.

Dhe kur Drita është ndarë me bashkëshortin e ka lënë tokën bashkë me shtëpinë që ata kishin.
Drita akuzon Sabrijen duke i thënë: “Kjo ma mori burrin se kishte pasuri!”
Sabrija: “Kjo ka qenë e divorcuar, e pashë në gjendjen civile që ai nuk kishte kunorë. Unë vajta dhe pyeta.

Drita: “Më ke shkatërruar jetën! Më ke marrë djerësn e fëmijëve të mi!”, por znj.Sabrije deklaron se ajo nuk ishte në dijeni që Z.Shaqir kishte pasuri.

Nga seanca e ndërmjetësimit rezultoi se ka pasur falsifikime të njëpasnjëshme në disa kontrata shitjeje dhe pjesa më e madhe e pasurisë së përbashkët mes Dritës dhe Shaqirit, është shitur kur z.Shaqir ka qenë gjallë. Pra, pa firmën e znj.Drita, ai ka shitur pasuri dhe apartamente mbi të cilat janë bërë edhe apartamente.

Juristja Eni Çobani sqaron “Në deklarata dhe në kontrata të ndryshme, një herë është vënë emri i Sabrijes me atësi tjetër; një herë është ndërruar mbiemri i Sabrijes dhe është vënë mbiemri i burrit të parë; pastaj është ndërruar data e ditëlindjes dhe e pasaportës dhe i janë vënë të znj.Drita.”

Gjithmonë Sabrija deklaron se nuk është në dijeni për asgjë dhe se ajo në asnjë moment nuk ka firmsour, sepse nuk di të shkruajë e të lexojë.

Juristja Eni Çobani tregon një deklaratë: “Ne kemi një deklaratë noteriale të vitit 2010, ku deklaruesit janë Shaqir Avdillari, Sabrije Nexhipi, Marjeta Avdillari dhe Sokol Avdillari, ku shoqëria “Pirgu” me administrator të përgjithshëm Kujtim Xhafkollari, kanë deklaruar prëpëar noteres Mimoza Shehu pikërisht dhënien e kësaj prone, shoqërisë “Pirgu” me cilësinë e sipërmarrësit.

Tani a mund të më shpjegoni pak, edhe pse unë e kuptoj që ju jeni pa shkollë. Tani Sabrije përse je ti këtu te kjo pasuri?

Sabrija: “Sepse unë mora burrin, vura kunorë me atë dhe ka shkuar emri pas burrit që kam pasur unë.”

Eni Çobani: “Jo moj zonjë, se ka qenë kjo gruaja te kjo pasuria (Drita) Ke firmosur ti Sabrije?”
Sabrija: “Jo jo, nuk kam firmosur fare!”, duke pranuar se nuk di të lexojë e të shkruajë, por Sabrija akuzon kunetërit e saj “Aty shkruhet Sabrije Nexhipi, ma kanë bërë kunetërit ashtu, se unë Nexhipi e kam pas te burri i parë.”

Eni Çobani sqaron: “Nga kjo deklaratë noteriale tregon se zonja, si bashkëshorte e dytë e Shaqir Avdillarit ka firmosur këtë deklaratë noteriale. Atësia e shënuar në deklaratë është Sabrije Nexhipi, atësia Sami (që në fakt është babai i Dritës).

“I ka falsifikuar të gjitha kunati im!”, shprehet Sabrija.
Sipas zonjave, pretendohet se Xhevahiri vëllai i Shaqirit, është marrë me bërjen e të gjitha kontratave; ai ka përfituar edhe nga varrimi i të ndjerit Shaqir, duke thënë se varrimi kishte kushtuar 40 milionë lekë.
Ndërkohë znj.Drita vijon akuzat karshi gruas së dytë: “Ajo në bankë ka lekë në emrin e saj”

Sabrija: “Po ku i kam ato lekë moj!? Shko Shikoni!”

Drita: “Moj zonjë ma more burrin ti? Edhe lekët i ke vënë në emrin tënd.”

Sabrija shpërthen në lotë duke treguar vuajtjet që ajo ka hequr me burrin e sëmurë dhe që ai nuk e pyeste fare në vendimet që merrte.

Drita: “Çfarë ka kjo që qan? Lekët mi hëngri! Ku ta kërkoj unë drejtësinë?”

Znj. Eni Çobani sqaron: “Tani që këtu janë kryer veprime të kundraligjshme që do të kenë më pas pasoja juridike shumë të rëndësishme mbi ata që kanë ndërmarrë këto veprime; unë për këtë garantoj Dritën dhe Sabrijen dhe gjithë publikun se, gjithkush që ka marrë pjesë në falsifikimin e të tërë kontratave të shitblerjes, për pasurinë në të cilën ka qenë pjesë edhe znj.Drita, do të dënohen të gjithë penalisht.

Sabrije ti ke vuajtur pjesën tënde të jetës, por Drita është bashkëpronare për 2500 metra katrorë, bashkë me dy fëmijët e saj. Kjo pasuri është e familjes bujqësore, nuk është e bashkëjetesës tënde gjatë martesës. Zonja ka pasur të drejtën që në momentin e parë që janë lidhur kontratt e shitblerjes që të ishte e pranishme përpara noterëve me kartën e identitetit të saj, të firmoste ose jo me vullnet të lirë dhe, më pas, të merrte pjesën takuese në këtë pasuri.

Kjo gjë nuk është bërë dhe unë po ju them publikisht se zonja do t`i drejtohet gjykatës dhe prokurorisë së rrethit gjyqësor Tiranë, e para për të nxjerrë firmat e zonjës Sabrije a janë të falsifikuara apo jo, dhe më pas do të dalin të pavlefshme të gjitha kontratat e shitjes së kësaj pasurie pa prezencën e znj. Drita.

Znj Drita cc`ka ju takon ju në këtë pasuri do ta merrni me të gjithë forcën e ligjit. Ti mos u shqetëso sepse drejtësinë do ta marrësh, pasuria që të takon do jetë e jotja dhe e fëmijëve.

Drejtuesi i emisionit, Ardit Gjebrea ngre pyetjen, se nëse zonjës Sabrije i takon ndonjë gjë?

Dhe Eni Çobani e mbyll: “Përsa i përket pasurisë së bashkëshortit që ajo e ka të lidhur në rrugë ligjore, në momentin sa ishte gjallë nuk i takonte, se nuk ishte pasuri e bërë gjatë martesës, por në momentin që ai vdes, ajo bëhet pjesë e trashëgimisë së bashkëshortit, bashkë me fëmijët e tij.”

“Moj zonjë ma more burrin ti?”, përballja e fortë te Eni Çobani e dy grave që u martuan me të njëjtin person Read More »

Nis sezoni i plazhit , qindra vizitorë “pushtojnë” Jugun

Mbase po të ktheheshim një vit më pas në këtë kohë, këto pamje do të mendoheshin sit ë filmuara në fund të qershorit, e askush nuk do ta besonte se jemi ende në prill.

Edhe pse i pashpallur dhe i papritur sezoni turistik veror ka mbërritur më shpejt se çdo herë tjetër, e këtë radhë nuk e kanë sjellë as organizimet e institucioneve, e as bizneset, pjesa më e madhe e të cilëve janë gjendur të papërgatitur për këtë fluks. Sezoni veror këtë vit erdhi më shpejt nga moti i ngorhtë dhe turistët, të cilët nuk i kanë rezistuar temperaturave.

Temperaturat deri në 30 gradë të bëjnë të mendosh se je në prag të pushimeve, e madje për disa nuk do shumë guxim që të provojnë e të lahen në det.

Shumë prej pushuesve pranojnë që kjo është hera e parë që kanë ardhur në bregedetin e jugut në këtë periudhë, por sigurisht që përpara se të gjenin qetësinë që premtohet në këtë periudhë, kanë parë plazhe të mbushura plot.

Prej dy javësh qindra vizitorë kanë zgjedhur plazhin në vend të malit për të pushuar, e nëse koha do të vazhdojë me të njëjtat temperatura, atëherë Shqipëria këtë vit do të nisë të konkurojë vendet e rajonit me plot 5 muaj turizëm bregdetar. /abcnews.al

Nis sezoni i plazhit , qindra vizitorë “pushtojnë” Jugun Read More »

LonelyPlanet : Mirësevini në Shqipëri

Shqipëria ka bukuri natyrore me aq shumë bollëk, sa që mund të mendosh se përse iu deshën 20 vite vendit që të bëhet një destinacion turistik, pas përfundimit të sistemit brutal komunist në vitin 1991, shkruan LonelyPlanet.

Pra, në fillim ishte Shqipëria, që u shfaq e lodhur në dritën e shkëlqyeshme të lirisë dhe iu deshën dy dekada që të arrinte pjesën tjetër të Europës Lindore.

Tani që e ka arritur këtë, Shqipëria ofron shumë atraksione të jashtëzakonshme dhe unike. Sjellje që përcaktohen nga kodet antike të maleve, zonat arkeologjike të harruara dhe fshatra ku duket se koha ka ndaluar janë të gjitha në menu.

Me peizazhe malore mahnitëse, një kryeqytet në lulëzim si Tirana dhe plazhe për të rivalizuar këdo tjetër në Mesdhe, Shqipëria është një destinacion i rritur gradualisht në Ballkan.

Por, nxitoni për këtu, sepse fjala tashmë është përhapur.

BJESHKËT E NAMUNA

Bjeshkët e Namuna ofrojnë disa prej peizazheve më mbreslënëse dhe kjo zonë është bërë shumë popullore vitet e fundit si një destinacion për ekskursione. Këtu është krejtësisht një anë tjetër e vendit. Ajo e gjakmarrjes, traditave të thella, peizazheve të jashtëzakonshme dhe një krenari e fortë lokale. Është absolutisht një zonë që duhet vizituar me patjetër në Shqipëri dhe është gati e jashtëzakonshme që të jesh kaq larg jetës moderne në Europën e shekullit XXI.

THETHI

Ky fshat unik malor ka vendndodhjen më të vështirë në Shqipëri. Vetëm rruga për të vajtur atje është gati e pabesueshme. Ju mund të shkoni në këmbë nëpërmjet maleve nga Valbona ose me automjet nga Shkodra. Ai është një fshat i shtrirë përgjat një lugine në mes të një amfiteatri me male dhe një parku kombëtar ku ndodhen peizazhe mahnitëse dhe rrugë të shkëlqyera për ecje. Thethi është tani drejt rrugës për t’u bërë një nga atraksionet kryesore të Shqipërisë.

Një rrugë e asfaltuar nga Shkodra, ndonëse e papërfunduar, ka bërë të mundur aksesin në këtë fshat gati të panjohur, por që vitet e fundit është bërë lehtësisht i arritshëm dhe bashkë me të vijnë edhe problemet e njohura të zhvillimit. Ejani sa më shpejt, ndërkohë që Thethi vazhdon të ruajë romantizmin e tij të pakrahasueshëm dhe sharmin unik.

VALBONA

Valbona ka një pozicionim të mrekullueshëm, në një pllajë të madhe të rrethuar nga male të larta dhe turizmi veror është jashtëzakonisht i mirorganizuar. Vetë fshati përbëhet nga bujtina dhe kampe, ku gati të gjithë kanë restorantet e tyre. Shumica e udhëtarëve kalojnë një natë këtu para se të fillojnë të shkojnë për në Theth.

MIRËSEVINI NË BERAT

Berati ka magjinë e tij të veçantë dhe është një destinacion që duhet vizituar në Shqipëri. Veçantia e tij më e madhe është një seri shtëpishë të bardha të arkitekturës osmane që i ngjiten kodrës deri tek kështjella, duke i dhënë atij emërtimin e “qyteti i një mbi një dritareve” dhe duke iu bashkuar Gjirokastrës në listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s në vitin 2008. Pozicionimi në anë të malit është një pamje shumë tërheqëse sidomos kur retë mbështjellin majat e minareve, apo kur shpërndahen dhe duket maja me akull e Malit të Tomorrit. Ndonëse sot është një qendër e madhe e turizmit në Shqipëri, Berati ka arritur ta ruajë sharmin e tij dhe atmosferën miqësore.

KALAJA

Lagja Kala brenda mureve të kështjellës vazhdon edhe sot të ketë jetë. Nëse ecën në këtë lagje antike dhe të ngushtë është e pashmangshme që të mos shohësh oborrin e ndonjërit dhe të mendosh nëse është një kishë apo rrënojë (askujt nuk duket se i intereson). Në pranverë dhe verë aroma e kamomilit është në ajër dhe lulet e egra çelin nga çdo cep mes gurëve duke i dhënë të gjithë zonës një ndjesi magjike.

Në pikën më të lartë ndodhet Fortesa e Brendshme, ku shkallët e rënuara të dërgojnë tek rezervuari i mrekullueshëm i ujit. Pamja është spektakolare në të gjitha drejtimet.

Kisha më e madhe e lagjes Kala është Kisha Fjetja e Shën Mërisë, që është pjesë e Muzeut Onufri. Aty mund të pyesni për kishat e tjera në Kala, përfshirë edhe Shën Todhrin, pranë portave të qytetit, piktoreskja Kisha e Shën Triadhës, poshtë fortesës së sipërme. Në këtë lagje gjeni gjithashtu kishën e vogël të Shën Mëri Vllaherna dhe të Shënkollit. Disa prej kishave datojnë që nga shekulli XIII. Por, mos humbisni gjithAshtu Xhaminë e Kuqe, që ndodhet në muret jugore të Kalasë, e cila ishte e para që u ndërtua në Berat dhe daton që nga shekulli XV.

MUZEU ETNOGRAFIK

Në kodrën e pjerrët që të dërgon tek kështjella ndodhet ky muze i shkëlqyer, që ndodhet në një shtëpi osmane të shekullit XVIII që është shumë interesante. Kati i parë është i mbushur me veshje tradicionale dhe mjete të përdorura nga argjendarët dhe tekstilet, ndërsa pjesa e sipërme ka një kuzhinë, dhoma dhe dhoma pritjeje të dekoruara me stil tradicional.

Mos humbisni mafilin, një lloj gjysmëkati që ka pamje në sallën e pritjes nga ku gratë e shtëpisë mund të mbajnë nën vëzhgim mysafirët meshkuj dhe të shohin se kur duhet të mbushen gotat e tyre. Aty ka tabela informuese në italisht, frëngjisht dhe anglisht.

MUZEU ONUFRI

Muzeu Onufri ndodhet në kishën më të madhe të lagjes Kala, Kisha Fjetja e Shën Mërisë. Vetë kisha daton në vitin 1797 dhe ishte ndërtuar në themelet e një kishe më të vjetër të shekullit X. Pikturat spektakolare të Onufrit që datojnë në shekullin XVI janë shfaqur bashkë me ikonat e praruara të shekullit XIX. Mos humbisni kishën pas ikonave, apo kupolën e pikturuar, afresket e të cilës janë zbehur duke u bërë gati të padukshme.

LAGJA MANGALEM

Poshtë, në lagjen myslimane Mangalem, ndodhen tre xhami të mëdha. Xhamia e Mbretit, Xhamia e Plumbit dhe Xhamia e Beqarëve. Të gjitha duhet të vizitohen dhe secila ka stilin dhe historinë e saj të veçantë.

Xhamia e Mbretit e shekullit XVI është një prej më të vjetrave në Shqipëri. Teqeja e Helvetive (një vend adhurimi për ata që praktikojnë degëzimin bektashi të islamit) mbrapa xhamisë ka një tavan të gdhendur shumë të bukur dhe është projektuar me gropa akustike për të përmirësuar cilësinë e zërit gjatë takimeve. Helvetët, ashtu si bektashinjtë janë një urdhër dervishësh, ose vëllazëri, të besimit mysliman.

Xhamia e madhe në sheshin e qytetit që i përket shekullit XVI është Xhamia e Plumbit, që quhet kështu për shkak të shtresës prej plumbi që mban kubenë në formë sfere. Xhamia e Beqarëve, e shekullit XIX, është pranë lumit Osum, mos i humbisni pikturat magjepsëse në muret e saj të jashtme. Kjo xhami u ndërtua për çirakët e dyqaneve dhe zejtarët e rinj që ishin të pamartuar dhe ndodhet mes disa dyqanesh të epokës osmane përgjatë lumit.

KISHA E SHËN MËHILLIT

Në anë të një shkëmbi poshtë kështjellës, ndodhet e vendosur me mjeshtëri kisha e shekullit XIV, Kisha e Shën Mëhillit, që dallohet më mirë nga lagjja Goricë përgjatë lumit. Për të arritur aty duhet të ndiqni një rrugë me shumë zig-zage që fillon në argjinaturën e lumit, por fatkeqësisht kisha është kryesisht e mbyllur.

DRIMADHES

Me drejtim në jug nga Palasa, plazhi i radhës përgjatë rivierës shqiptare është Drimadhes. Për të arritur këtu dilni nga rruga kryesore për në Dhërmi dhe më pas merni kthesën e parë djathtas. Në 20 minuta, do të arrini plazhin e bardhë me gurë nëpërmjet një rruge të panjohur të mbuluar nga ullinjtë.

MIRËSEVINI NË TIRANË

E gjallë dhe plot ngjyra, Tirana është zemra që rreh e Shqipërisë, ku shpresat dhe ëndrrat e këtij vendi të vogël shkrihen në një rrotullim vibrant trafiku, konsum të madh dhe humor të pafund. Duke iu nënshtruar një transformimi të përmasave të jashtëzakonshme, që nga shkëputja nga përgjumja komuniste në fillim të viteve ’90, qendra e Tiranës nuk njihet më për shkak të lyerjes së godinave me ngjyra të gjalla dhe shesheve publike dhe trotuareve, ku është kënaqësi të bredhësh.

Ish-Blloku në modë gumëzhin nga lëvizjet dhe frekuentimet e bareve dhe kafeneve, ndërkohë që përgjatë bulevardeve të gjera ndodhen relike fantastike të së kaluarës otomane, italiane dhe komuniste, nga minaretë elegante deri te fasadat pompoze të socializmit. Shtojini edhe disa muze të shkëlqyer dhe ju keni një listë detyruese arsyesh për ta vizituar. Në një luftë të përditshme të trafikut me vetveten dhe kalimtarët, ky qytet i zhurmshëm, i krisur, plot ngjyra dhe pluhur, asnjëherë nuk është i mërzitshëm.

BUNK’ART

Ky shndërrim fantastik – nga një bunker masiv i Luftës së Ftohtë, në periferi të Tiranës, në një muze historik dhe arti bashkëkohor, është pamja e re më tërheqëse e Shqipërisë dhe lehtësisht pjesa më interesante e Tiranës. Me të paktën 3 000 metra katrore hapësirë të nëndheshme, të shpërndarë në disa kate, bunkeri u ndërtua për elitën politike të Shqipërisë në vitet ’70 dhe mbeti një sekret në pjesën më të madhe të ekzistencës së tij. Tani ai ka eksponate që kombinojnë historinë moderne të Shqipërisë me elemente të artit bashkëkohor.

Edhe mbërritja në bunker është një përvojë tërheqëse, ndërkohë që ju ecni nëpërmjet një tuneli të gjatë dhe të errët, në anë të një kodre, që ju çon në hyrjen e një baze ushtarake shqiptare ende aktive. Sapo gjendeni brenda në bunker, ju mund të ecni nëpërmjet dhomave të mobiluara për elitën komuniste, ndërkohë që ajo priste pushtimin që e tmerronte kaq shumë. Diku tjetër ju mund të gjeni një histori të detajuar të Shqipërisë moderne, duke filluar me pushtimin italian të 1939-ës dhe që përfundon me rrëzimin e komunizmit. Në një ekran shfaqen tmerret e vërteta të regjimit stalinist të Enver Hoxhës, dhe ndërkohë që ti njihesh me to, të dalin përpara syve edhe dokumente dhe fotografi shumë interesante, përfshirë një video të funeralit shtetëror të Hoxhës në vitin 1985. Gjëra të tjera interesante përfshijnë Dhomën e Mbledhjeve, që është qendra kryesore sociale e bunkerit, si edhe dhomat e tjera private të zyrtarëve të tjerë të lartë. Bunk’Art është një vend i pabesueshëm, ndërkohë që do të zgjerohet edhe me hapjen e dhomave të tjera dhe me ekrane shtesë në një të ardhme të afërt.

MUZEU HISTORIK KOMBËTAR

Muzeu më i madh i Shqipërisë ka pjesën më të madhe të thesareve arkeologjike të vendit si edhe një kopje të shpatës gjigante të Skënderbeut (mënyra se si e mbante, se si ngiste kalin dhe në të njëjtën kohë se si luftonte është ende një mister). Koleksioni i shkëlqyer është pothuajse i plotë në anglisht dhe ju shoqëron në mënyrë kronologjike nga Iliria antike deri në epokën postkomuniste. Një nga gjërat më të bukura të muzeumit është një ekspozitë e ikonave të Onufrit, një piktor shqiptar i shekullit XVI, mjeshtër i ngjyrave.

Një galeri shumë e rëndësishme dhe që të ngjall shqetësim, kushtuar atyre që vuajtën persekutimin nën regjimin komunist, është shtojca e fundit në këtë koleksion, edhe pse dëshëpërimisht asgjë nuk është e përkthyer në anglisht. Mozaiku modern që zbukuron fasadën e muzeumit titullohet ”Shqipëria” dhe tregon shqiptarë fitimtarë nga kohët ilire deri në Luftën e Dytë Botërore, me disa tonalitete komuniste që nuk të befasojnë.

XHAMIA E ET’HEM BEUT

Nga njëra anë e Sheshit Skënderbej, xhamia e Et’hem Beut, e viteve 1789-1823, i shpëtoi shkatërrimit gjatë fushatës ateiste në fund të viteve ’60 për shkak të statusit si monument kulture. E vogël dhe elegante, ajo është një nga ndërtesat më të vjetra që i ka mbetur qytetit. Hiqini këpucët për të parë nga brenda kubenë e pikturuar mjeshtërisht.

SHESHI SKËNDERBEJ

Sheshi Skënderbej është vendi më i mirë për të qenë dëshmitar i transformimit të Tiranës. Deri sa u rrëzua nga një protestë masive në vitin 1991, aty qëndronte një statujë 10 metra e lartë e Enver Hoxhës, që shihte mbi sheshin pa makina. Tashmë është vetëm statuja e Skënderbeut, dikur një nga pikat më të fashme të takimit në Tiranë.

GALERIA KOMBËTARE E ARTEVE

Duke patur një histori relativisht të shkurtër të pikturës shqiptare nga fillimet e shekullit XIX, kjo hapësirë e mrekullueshme ka edhe ekspozita bashkëkohore. Në katin e poshtëm ka një koleksion të vogël, por interesant pikturash të shekullit XIX me piktura që tregojnë skena nga jeta e përditshme shqiptare, ndërkohë që në katin e sipërm pikturat marrin përmasa politike me disa shembuj të vërtetë të realizmit të famshëm socialist shqiptar. Mos lini pa parë koleksionin e statujave komuniste në magazinën pas ndërtesës, ku përfshihen dy statuja të para rrallë të Stalinit.

PARKU KOMBËTAR I DAJTIT

Ndodhet vetëm 25 kilometra në lindje të Tiranës (1611m). Është mali më i aksesueshëm në vend dhe pjesa më e madhe e banorëve lokalë shkojnë atje për t’i shpëtuar zhurmës së qytetit dhe për të shijuar një drekë me mish qengji. Një teleferik i prodhimit austriak, Dajti Express, ju çon për 15 minuta pothuajse në majë. Sapo të gjendeni atje shijoni pyjet me pisha dhe ahe.

PIRAMIDA

E dizenjuar nga vajza e Enver Hoxhës dhe dhëndrri i tij dhe e përfunduar në vitin 1988, kjo ndërtesë jotërheqëse ka qenë më parë muzeu i Enver Hoxhës dhe më pas një qendër takimesh dhe klubesh nate. Sot, ajo është e mbuluar me grafite. Për të nuk është marrë ende vendim. Ajo hapet herë pas here për ekspozita.

ISH-SHTËPIA E HOXHËS

Kjo vilë me tri kate ka qenë për dekada shtëpia e diktatorit shqiptar Enver Hoxha dhe bashkëshortja e tij jetoi edhe pas vdekjes së Hoxhës, në vitin 1985. Edhe pse lideri komunist shqiptar jetoi më thjesht nga shokët e tij në Rumani, për shembull, kjo vilë ishte një botë tjetër për njerëzit e thjeshtë, të cilët u dyndën kur Blloku u hap përfundimisht për publikun në vitin 1991. Kjo shtëpi mbetet ende e mbyllur për publikun.

MIRËSEVINI NË GJIROKASTËR

E identifikuar nga kështjella e saj, rrugët e shtruara me gurë të latuar, shtëpitë me gurë rrase dhe pamje nga Lugina e Drinosit, Gjirokastra është një qytet magjik i shtrirë në një kodër, i përshkruar mrekullisht nga shkrimtari më i shquar shqiptar, Ismail Kadare në librin ”Kronikë në gur”. Ka patur një vendbanim këtu 2 500-vjeçar, ndërkohë që rreth 600 shtëpi monumentale otomane tërheqin shumë vizitorë. Edhe pse më pak turistik sesa Berati, ky qytet është njësoj magjepsës dhe ka disa panorama fantastike si edhe disa vende për të qëndruar të shkëlqyera.

TUNELI I LUFTËS SË FTOHTË

Pamja më interesante e Gjirokastrës lidhet pa asnjë dyshim me arkitekturën e saj tradicionale, por larg të qenit një muze modern, ky është një bunker gjigant, i ndërtuar në thellësi të kështjellës nga autoritetet lokale në rast të një pushtimi imagjinar, për të cilin Hoxha ishte paranojak. I ndërtuar në fshehtësi të plotë gjatë viteve ’60, ai ka 80 dhoma dhe ekzistenca e tij mbeti e panjohur për vendasit deri në vitet ’90.

Ky tunel ka një kontrast interesant me Bunk’Art-in në Tiranë, pasi, ndryshe nga ai i kryeqytetit, ky është virtualisht bosh dhe për pasojë duket më i frikshëm. Funksioni i dhomave është i shkruar mbi dyer dhe asgjë më shumë, ndonëse është interesante të thuhet se bunkeri, që mund të strehonte deri në 300 persona, kishte gjithçka, nga klasat për mësim deri te një sallë gjyqi.

SHTËPIA E ZEKATËVE

Kjo shtëpi e pabesueshme me tri kate daton nga viti 1811 dhe kishte dy kulla dhe një fasadë me dy harqe. Është hipnotizuese të soditësh pjesët e brendshme të pandryshuara të kësaj shtëpie të stilit otoman, veçanërisht të verandave lart, që janë ato që të bëjnë më shumë përshtypje. Pronarët jetojnë në shtëpinë ngjitur dhe u marrin paratë vizitorëve.

MUZEU I USHTRISË

Ka foto të luftës partizane kundër italianëve dhe një koleksion të pasur armësh, ndërkohë që është e mundur të vizitosh qelitë ku mbaheshin të burgosur it politikë gjatë viteve 1929 dhe 1968. Është një përvojë modeste. Kërko për shtatë dritaret që shohin nga qyteti, pasi shprehja ”do të të çoj te shtatë penxheret” ishte një kërcënim i zakonshëm për fëmijët e prapë gjatë epokës komuniste.

PAZARI

Qafa e Pazarit është qendra e Qytetit të Vjetër dhe ka dyqane artizanale që tregtojnë produkte nga mjeshtrat e punimit të gurit dhe drurit. Një rinovim është premtuar gjatë viteve të ardhshme, që do të kujdeset për fasadat dhe rrugët e kalldrëmta.

KËSHTJELLA E GJIROKASTRËS

Kështjella e zymtë, në majë të kodrës, e Gjirokastrës është një nga më të mëdhatë në Ballkan dhe ia vlen të ngjitesh. Kjo kështjellë nuk ka reputacionin e duhur për shkak se është përdorur si burg nën regjimin komunist. Brenda saj ka një koleksion të veçantë me armë, dy muzeume të mira, një avion amerikan të rrëzuar gjatë regjimit komunist. Panorama mbi luginë është thjesht fantastike. Ka patur një fortesë këtu që nga shekulli XII, megjithëse se pjesa më e madhe e asaj që ka mbetur sot daton në shekullin XIX.

MUZEU I GJIROKASTRËS

Ky është muze i ri fantastik, me ekrane edhe në anglisht, dhe pasqyron historinë tërheqëse të qytetit. Disa nga gjërat më interesante përfshijnë një varr të shekullit VI, që ka eshtrat e dy fëmijëve, si edhe informacione mbi personazhe të famshme të lidhur me këtë qytet si Ali Pashë Tepelena, lordi Bajron, Eduard Lir dhe Enver Hoxha.

SHTËPIA E SKENDULËVE

Shtëpia e fundit e epokës otomane që është rinovuar, ajo e Skëndulëve, ia vlen të vizitohet, ndërkohë që ka nevojë për financime të tjera për përfundimin e punës restauruese. Juve do t’ju tregojë për shtëpinë vetë zoti Skenduli, i cili flet italisht, pak frëngjisht, por jo anglisht. Shtëpia daton prej vitit 1700 dha ka shumë objekte të bukura.

MUZEU ETNOGRAFIK

Ky muze ka sende dhe objekte të shtëpive lokale dhe është ndërtuar pranë ish-shtëpisë së Enver Hoxhës, në mes të Qytetit të Vjetër. Koleksioni i saj është interesant nëse ju jeni dashamirës i artit apo zejeve, por mos prisni të shihni ndonjë gjë nga Hoxha.//ATSH

LonelyPlanet : Mirësevini në Shqipëri Read More »