Aktualitet

Çfarë efekti mund të ketë te votat dueli mediatik, “Babale-Rama”? Kë duhet të besojnë shqiptarët

Parë nga një këndvështrim më afatgjatë, betejat mediatike mes pakicës dhe shumicës (në shtete ku ekzistojnë të dyja), bëhen për votat. Kështu që, lind natyrshëm pyetja: Çfarë efekti mund të ketë te votat, dueli mediatik, “Babale-Rama”?
Shkruan Eduard Zaloshnja

Java e shkuar, filloi me publikimin nga PD-ja, të një përgjimi audio, përmes të cilit pretendohej se, një ish-skafist kishte biseduar me vëllanë e ministrit të Brendshëm, për dërgimin e një sasie kanabisi drejt Italisë. Më pas, ish-skafisti i përgjimit (Albert Veliu, i njohur në Vlorë me nofkën “Babale”), deklaroi se, biseda e publikuar (mes tij dhe vëllait të ministrit të Brendshëm), ishte autentike.

Nga ana tjetër, në një fjalim para grupit parlamentar socialist, Edi Rama deklaroi se e kishte dërguar regjistrimin e bisedës së sipërcituar, në një agjenci të specializuar jashtë Shqipërisë dhe, nga përgjigjja e asaj agjencie, ishte bindur se regjistrimi nuk ishte autentik.

Ditët e javës u mbushën me deklarata e kundërdeklarata nga politikanë dhe gazetarë, të cilët mbështesnin, ose versionin e “Babales”, ose të Ramës. Por këto dy versione janë diametralisht të kundërta – nuk ka vend për një të vërtetë të mesme midis tyre. Ose ish-skafisti “Babale” po tregon të vërtetën, ose Rama…

Në një rast të tillë, në një vend me shtet të konsoliduar ligjor, i lihet drejtësisë të thotë fjalën e fundit. Por, në Shqipëri, ne kemi patur raste të ngjashme, kur ekspertët e huaj kanë deklaruar se, një regjistrim privat video/audio ka qenë autentik, ndërkohë që ekspertët vendas kanë deklaruar të kundërtën.

Ose më keq akoma, kemi patur një rast kur, FBI-ja amerikane ka deklaruar se ka patur qitje të drejtpërdrejtë nga arma e oficerit të Gardës së Republikës, drejt protestuesit të vrarë me duar në xhepa në bulevard, ndërkohë që, ekspertët shqiptarë kanë dalë në përfundimin se ka patur një rikoshet plumbi te… halat e pishës.

Nisur nga kjo përvojë shqiptare, nuk mund të pritet që i gjithë opinioni publik të bindet nga verdikti që do të japë eventualisht, drejtësia në këtë rast (nëse ish-skafisti “Babale” apo Rama ka thënë të vërtetën). Në qoftë se, drejtësia konkludon se i pari ka thënë të vërtetën, përkrahësit e PS-së do të thonë se drejtësia ende kontrollohet nga Berisha, në kohën e të cilit janë emëruar prokurorët dhe gjykatësit aktualë. Në të kundërtën, përkrahësit e PD-së do të thonë se, Rama e ka shtënë tashmë në dorë drejtësinë.

Me pak fjalë, opinioni publik do të jetë i ndarë mes ish-skafistit “Babale” dhe Ramës. Por, a kemi ndonjë të dhënë se, në ç’proporcione ndahet aktualisht opinioni shqiptar në duelin “Babale-Rama”?

Në një sondazh online të një prej faqeve shqiptare më të ndjekura në internet, pyeteshin vizitorët: “A i besoni dëshmisë së Albert Veliut, që solli Partia Demokratike?” Dhe 2/3 e pjesëmarrësve në sondazh, i ishin përgjigjur “Jo” kësaj pyetje. Ndërkohë, vetëm 1/3 e besonin dëshminë e ish-skafistit “Babale”.

Ky sondazh online ka dy probleme statistikore. Së pari, kampioni i tij përfaqëson vetëm vizitorët e faqes konkrete të internetit. Së dyti, përgjigjja e pyetjes kishte vetëm dy mundësi; ose jo, ose po. Normalisht, për pyetje të tilla, jepet edhe një mundësi e tretë; “S’e di”. Me këtë opsion, u jepet mundësia të shprehen edhe ata që nuk janë të sigurt, nëse diçka është e vërtetë apo jo.

Për arsyet e mësipërme, nuk mund të thuhet se, statistikisht, 2/3 e shqiptarëve besojnë Ramën dhe 1/3 ish-skafistin “Babale”. Sidoqoftë, fakti që faqja e sipërcituar e internetit i takon një televizioni kryesor kombëtar, i cili ka disa muaj që ka qenë shumë kritik ndaj qeverisë, si dhe fakti që numri i pjesëmarrësve në votimin online ka qenë i madh (nënkupto shumëngjyrësh), të lejon të mendosh se ndjeshëm, më shumë shqiptarë i besojnë Ramës, krahasimisht me ish-skafistin “Babale”.

Parë nga një këndvështrim më afatgjatë, betejat mediatike mes pakicës dhe shumicës (në shtete ku ekzistojnë të dyja), bëhen për votat. Kështu që, lind natyrshëm pyetja: Çfarë efekti mund të ketë te votat, dueli mediatik, “Babale-Rama”?

Nga një sondazh që zhvillova një ditë para se ky duel të fillonte, më rezultoi se, PS-ja kishte rreth 80 mijë votues të vendosur më pak, se sa në qershor 2017, ndërkohë që PD-ja kishte rreth 75 mijë më shumë, se sa niveli tejet i ulët i atij qershori (shihni grafikun shoqërues). Sidoqoftë, PS-ja kishte ende një epërsi prej 155 mijë votash ndaj PD-së.

Kur të zhvilloj në qershor sondazhin e radhës, do të kem mundësinë të testoj se, ç’efekt mund të ketë te votat, dueli mediatik “Babale-Rama”?

Çfarë efekti mund të ketë te votat dueli mediatik, “Babale-Rama”? Kë duhet të besojnë shqiptarët Read More »

Tjetër dështim për Monika Kryemadhin, gjykata: Edi Rama i pafajshëm

Gjykata e Beratit ka rrëzuar kërkesën e LSI-së për vazhdimin e hetimeve nga prokuroria ndaj kryeministrit Edi Rama. Pasi prokuroria mbylli hetimet, gjykata e Tiranës kishte shpallur moskompetencën pasi deklaratat e Edi Ramës ishin bërë në një vend tjetër.

Rama vitin e kaluar në fushatën zgjedhore kërkoi për angazhimin e efektivëve të Policisë së Shtetit në fushatën e PS, jashtë orarit të punës. Për LSI kjo ishte një thirrje antikushtetuese dhe paditën kreun e qeverisë në Gjykatë. Por Gjykata e Beratit ka rrëzuar LSI-në ditën e sotme.

Më herët ka qenë Prokuroria e Tiranës që nuk ka pranuar kërkesën e LSI-së. Kjo çështje u ankimua nga LSI në Gjykatën e Beratit dhe është kjo Gjykatë e cila rrëzon padinë, duke mos gjetur shkelje ndaj kryeministrit Edi Rama.

Pas këtij vendimi ka reaguar Ylli Manjani.

‘Drejtësia kokëulur para kryeministrit. Ky kryeministër përbën rrezik për zgjedhjet e lira dhe të ndershme në Shqipëri’, është shprehur Manjani pas vendimit të gjykatës.

Tjetër dështim për Monika Kryemadhin, gjykata: Edi Rama i pafajshëm Read More »

Përkujtimore për Spaçin, Romana Vlahutin e qartë: Respekt për të shkuarën dhe e përulur para detyrave për të ardhme më të ndershme

Ambasadorja e Bashkimit Evropian në vendin tonë Romana Vlahutin merrte pjesë në aktivitetin e organizuar me rastin e përkujtimit të 45-vjetorit të revoltës së Spaçit.

Për të folur rreth absurditeteve të komunizmit, ajo kujtoi se të rinjtë mund të dënoheshin vetëm se këndonin këngët e Adriano Çelentanos. Ajo tha se shqiptarët u persekutuan vetëm se donin që vendi i tyre të ishte si gjithë Evropa.

“Është e vështirë, thuajse e pamundur të mendosh që në Evropën e cila ka shkuar në hënë, ka shpikur internetin, ka biometrinë, zemrën artificiale,  4 dekada më parë një djalosh i ri mund të dënohej vetëm sepse i kishte rënë kitarës për të kënduar këngët e Adriano Celentanos.

Shqiptarët u persekutuan sepse donin të ishin poetë, mendimtarë, piktorë dhe studiues, donin të ishin si pjesa tjetër e Europës. Është e vështirë të mendohet që tragjeditë që kanë ndodhur në Spaç apo në mbarë Shqipërinë është një tragjedi që ta tregojmë si histori dhe ta shërojmë.

Jam e përulur para detyrave që kemi për të respektuar të shkuarën dhe e ardhmja të jetë më e ndershme. Për të ruajtur Spaçin si një vend kujtese në mënyrë që fëmijët tanë t’i mësojnë fëmijëve të tyre për atë se çfarë ka ndodhur këtu.

BE ka nisur një projekt që është identifikimi i ADN të personave të vrarë. Kemi  nisur në zonën e Dajtit dhe kjo do të bëhet në mënyrë që që  familjet të fillojnë të identifikojnë të dashurit e tyre sa më shpejt të jetë e mundur.”, tha Vlahutin.

Përkujtimore për Spaçin, Romana Vlahutin e qartë: Respekt për të shkuarën dhe e përulur para detyrave për të ardhme më të ndershme Read More »

Babolet, amerikanët dhe uji

“Na, more gazetar! Ndalu pak! Nuk po të shoh të shkruash më, apo ta mblodhi ai Babolja i amerikanëve?” – kështu m’u drejtua dje në mëngjes Sula, i ati i Dyl Dyshekut.

Shkruan Ilir Mborja

Do muhabet edhe ky tani – thashë me vete e bëra ta anashkaloj me një buzëqeshje të shtirur plakun e ngeshëm që më kishte prerë rrugën. Kishte edhe qesëndisje tek ato që thoshte. Patjetër që kishte dëgjuar për ngjarjen time që kishte marrë dhenë këtu e dy muaj më parë dhe e lidhte me Babalen e Vlorës.

Pra, ngjarja me audiopërgjimin e tij, në vend se ta sfumonte, e kishte risjellë edhe një herë në memorjen e njerëzve historinë time të para dy muajve. S’kam pse ta fsheh. U bëra gazi i botës se, mora mend e Dylit dhe e publikova në gazetë momentin kur një jevg më ndaloi në rrugë dhe më tregoi nga celulari i tij foto e video që më paraqitnin mua. Pashë veten time krah një burri të panjohur me kapele në sportelin e arkëtares së një Western Union-i.

Pra, pronari i saj, Amareto Çaploku, që m’u paraqit tamam si sherif amerikan, interesohej për identitetin e burrit me kapele dhe kur i thashë se nuk e njihja, m’u kërcënua: “Po nuk tregove emrin e tij brenda javës, ne të zhdukim nga faqja e dheut.”. Kaq tha jevgu dhe i hipi një veture e iku. Meqë vinte nga Western Union-i, me fjalën “ne” unë nënkuptova atë dhe ca amerikanë nga ata që të zhdukin. Nuk e di pse në çast m’u kujtua Kenedi. U tmerrova. M’u errësuan sytë. Gjersa nuk kishin përtuar të më përgjonin, të më fotografonin e filmonin, patjetër edhe mund të më zhduknin.

Kush do ta çante menderen për një copë jevg si unë? Pastaj m’u kujtua Onasio. Zhaklina për ca kohë vejushë. Dikush do ta merrte për grua patjetër edhe ezmeren time. Normalisht, jevgu nuk e ka frikë jevgun, por mua më kallte datën pjesa amerikane e tij. Si të mos trembesha? Vinte nga Western Union-i, kompania më e madhe e transfertave të parave në botë. Ashtu, me brekë të mbushura nga tmerri, shkova drejt e në Polici.

Aty, meqenëse bija erë, për të më përzënë sa më parë, inspektori i Policisë nuk priti ta sqaroja gjatë. Për të hyrë menjëherë në temë, i ra shkurt dhe mori në celular vetë jevgun nga numri që i dhashë unë. Në fillim Amareto nuk iu përgjigj thirrjes së tij se inspektori i telefononte me numër të fshehtë. Pastaj, kur i ra me numrin e Policisë, ai ia hapi. Më mirë mos e kishte hapur thuaj. Amareto Çaploku u bezdis aq shumë nga ajo telefonatë, sa iu gërmush inspektorit aq fort, sa mua më erdhi keq për të. ““I am sheriff Amareto.” Parrulla: “Jam në Rinas me shefin e madh.”” – dëgjova jevgun që bërtiste dhe pashë fytyrën e inspektorit që në çast u bë dyll e verdhë. Pastaj dëgjova telefonin që kërciti, por nuk e kuptova: i ra nga dora, apo inspektori e përplasi vetë në dysheme?..

Për këtë ndodhi më ngacmonte Sula, plaku i ngeshëm i Dyl Dyshekut dhe prandaj ndalova, por sa fillova t’ia tregoj, më ndërpreu: “Këto i di nga Dyli unë se i ka lexuar në gazetë, por më thuaj pak: Ç’u bë më tej? Ç’pati me ty jevgu i amerikanëve? Ç’thonë prokurorët?”.

Prokurorët thonë se nuk mund të hapin dosje tjetër për këtë çështje pasi nuk i lejojnë amerikanët. Kohë më parë, ata të Western Union-it kanë nisur vetë një hetim për pastrim parash që kanë bërë ca VIP-a. Unë, si njëri prej tyre, jam pjesë e hetimit. Amareto nuk mund të pyetet se punon për amerikanët. Edhe arkëtarja e tij, një vajzë yll e bukur nga katundi Mirakë qenkësh si biçim “Mata Harri”, edhe e LSI-së edhe e amerikanëve. Kështu pra, dmth prishen provat po të gërmohet më tej…

“E kuptova. E kuptova.” – më ndërpreu plaku i Dylit dhe vazhdoi: “ Kot je trembur, se Amareto nuk ta ka pasur me të keq. Ç’VIP je ti? Ka dashur vetëm të të rekrutojë që të qepësh gojën a të përgjosh me çimkë vëllanë e ndonjë ministri të Rilindjes. Me që je jevg, jevgun ta sollën se kujtuan që do të merreshit vesh, por ti u trembe dhe vrapove në polici. Mbeti Amerika për Amareton?! Shumë, shumë, nga Monika e ke peshqesh jevgun. Kjo është e gjitha e mos e zër më në gojë këtë muhabet me njeri se të qeshin.

Mos merr mend e tim biri! Mos u bëj si ata analistët që dalin përnatë në televizor se, sos që jeni budallenj vetë, por, me Babolet tuaja, po budallallepsni edhe miletin. Edhe prokurorët i luajtët menç. Prova këtu e prova atje. Çimka këtu e Çim Peka atje. Njerëzit tallen me ju kur dilni e analizoni pordhët që lëshojnë Luli, Salianji e Babolet e SHQUP-it. I quani dhe prova pale?! Meqë ra fjala tek prova, dëgjo edhe këtë historinë time e ta kuptosh ti e gjithë shokët e tu gazetarë se njerëzit nuk janë bole si ju: “Ishte viti ‘80 dhe kryesia e kooperativës, meqenëse isha shumë i dobët fizikisht e nuk e përballoja dot punën në arë, më vendosën në baxho. Duhet të merrja në dorëzim qumështin. Atë punë më lanë, por më porositën, që, më parë, duhej t’i bëja provën çdo bidoni se barinjtë i hidhnin ujë. I hidhnin shumë madje.

Për këtë, në një cep të baxhos, kishim ca gypa qelqi të shënuara me viza e me numra. Epruveta u thonin. Me to bëhej prova. Kishin mbetur që nga koha kur kishim pasur miqësi me kinezët, por unë nuk i përdora asnjëherë sa punova atje. Nuk merrja vesh hiç nga analizat apo provat me epruveta, siç nuk marr vesh edhe sot asnjëherë atë Alibeajn kur del e flet për procedurat e ligjet, por punën e kryeja mirë ama. Kur më dorëzonin qumështin, i hiqja kapakun bidonit dhe me një thupër të hollë thane mënjanoja ajkën dhe e zhytja dhe e përzieja në thellësi. Barinjtë hileqarë tërboheshin e më thonin: “Ç’shikon more Sul? Ku ke parë qumësht me sy ti?!”… E! – u përgjigjesha unë. – Ashtu është. Vërtet qumësht ka vite që nuk kam parë, por ujin, ëë, ujin e njoh mirë ama.

Ujë kam pirë gjithë jetën dhe me ujë s’ma hedh dot njeri. Se ujin që thua ti more gazetar, është kollaj e mund ta futësh kudo, por është shumë e vështirë t’i ndërhyet dhe të mos kuptohet. Të paktë janë tregtarët që nuk përtojnë e i shtinë ujë verës, qumështit, madje, edhe naftës. Po provoje njëherë e hidhi një pikë naftë pusit me ujë! Pihet më ai ujë? Kështu edhe muhabeti i Baboleve, gjithë ujë është. Edhe analizat tuaja për të, ujë janë. Ujë i qelbur që nuk jua pi njeri.

Na, more gazetar, se përpak më doli nga mendja porosia e Dylit për ty: Mos harro! Kur t’i shkruash Amerikës për hallin tënd, mos i thuaj për vete që je jevg, se Trampi nuk ju ka shumë për zemër. Fundja, thuaj vetëm për Amareton, por mos ia hidh në sy atë punën e agjentëve të Western Union-it, se të qeshin! Sa kanë parë amerikanët si Babolja i SHQUP-it e jevgu yt i LSI-së, aq të mira qofshin! Mblidhe mendjen, o gazetar! Nuk ta pi njeri atë ujë!”/Pamfleti

Babolet, amerikanët dhe uji Read More »

Ky qytet shqiptar është krenar për ambasadorin amerikan. I akordon titullin ”Qytetar Nderi”

Bashkia e Librazhdit ka nderuar me titullin ‘’Qytetar Nderi’’ ambasadorin amerikan në Shqipëri, Donald Lu.  Ky vendim është dhënë në unanimitet të plotë.

Donald Lu është cilësuar një mik i veçantë i këtij qyteti, pasi ambasadori është ulur këmbëkryq në dhomat mikpritëse të këtij qyteti.

‘’Mirënjohje që fole troç dhe shqip, mirënjohje për rolin e rëndësishëm në ndërtimin e drejtësisë së re në Shqipëri, je gjithmonë i mirëpritur në Librazhd zoti Ambasador Lu’’.

mesa duket ambasadori amerikan është në ditët e fundit të qendrimit të tij në Shqipëri, pasi i përfundon mandati i ambasadorit. Një gjë të tillë e konfirmoi edhe zëvendës-sekretari amerikan, Mathew palmer pak ditë më parë. Donald Lu zëvendësoi paraardhësin e tij në detyrë, Aleksandër Arvizu.

Ky qytet shqiptar është krenar për ambasadorin amerikan. I akordon titullin ”Qytetar Nderi” Read More »

Loja ka filluar, Noka paralajmëron publikimin e një tjetër përgjimi

Pas Komisionit të Ligjeve, debatet e forta kanë përfshirë edhe Komisionin e Ekonomisë. Deputeti demokrat, Flamur Noka, ka paralajmëruar një tjetër përgjim nga PD për Agron Xhafajn.Noka e ka cilësuar një lëvizje dinake largimin e Agron Xhafajt në Itali, që sipas tij, u bë për t’iu hedhur hi syve njerëzve

Së shpejti një përgjim i ri që provon se Agron Xhafaj vijonte trafikun e drogës, gjatë kohës që vëllai i tij ka qenë ministër i Brendshëm. Largimi i Agron Xhafajt në Itali ishte një lëvizje dinake për t’u hedhur hi syve njerëzve.

‘Jemi para një audio-përgjimi. Do të dalë një tjetër material që do të vërtetojë katërcipërisht se kur ministri i Brendshëm ka qenë në detyrë, vëllai i tij ka qenë në krye të trafikut të drogës. Kjo do të vërtetojë pse Agron Xhafaj iku me nxitim në Itali’, tha ndër të tjera Noka.

Loja ka filluar, Noka paralajmëron publikimin e një tjetër përgjimi Read More »

Deputetët përfundojnë dëshminë te Krimet e Rënda, flet Gazmend Bardhi

Këshilltari ligjor ka folur jashtë ambienteve të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, pas dëshmisë që ka dhënë bashkë me deputetin Ervin Salianji në lidhje me audio-përgjimin ku implikohet Agron Xhafaj, vëllai i ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj. Bardhi kërkoi që Prokuroria të fusë hetimet në drejtimin e duhur dhe se ai bashkë me Salianjin ka deklaruar për gjithçka që janë pyetur mbi faktet të bëra publike.

“Argumentat tona tashmë janë publike, jemi përpara një rasti të dokumentuar të abuzimeve me pushtetin nga ministri i Brendshëm e qeveria për llogari të një veprimtarie kriminale të vëllait të Ministrit të Brendshëm.

Unë jam jurist dhe do bashkëpunoj me organet sa herë të thirrem po nuk mund të rri dot pa thënë se është prokuroria e Krimeve të Rënda që heton krimin e organizuar dhe shtetasi i dyshuar si i përfshirë në trafik droge, nuk është marrë ai i pari në pyetje, po ne që denoncojmë rastin. Nuk është marrë ministri i Brendshëm që lehtëson veprimtarinë e vëllait, po ne që denoncojmë. Nuk është marrë akoma në pyetje kryeministri se gjoja zëri në materialin audio nuk është i Agron Xhafaj dhe nuk ju bën me dije aktin e ekspertimit.

Prokuroria duhet të kishte sekuestruar. Thirrja ime publike ndaj prokurorisë është ti fusë hetimet në drejtimin e duhur që i ngarkon ligji, dhe drejtimi i duhur është të ndëshkohet në mënyrë spektakolare individë të përfshirë në krimin e organizuar dhe që bëjnë trafik droge. Rasti është publik bëhet fjalë për vëllain e ministrit të brendshëm”, tha Bardhi.

Ai bëri të ditur se në Prokurori deklaruan “gjithçka u pyetëm dhe gjithçka kemi bërë publike gjatë ktyre ditëve. Mbi faktet e materialet që kemi bërë publike. Sigurisht që pkruroria i disponon dhe ne kemi dhën sqarim e tona”.

Deputetët përfundojnë dëshminë te Krimet e Rënda, flet Gazmend Bardhi Read More »

Një klerik pedofil në Fier? Gazetari zbardh skandalin: Janullatosi e mbajti në detyrë

Gazetari Alfons Zeneli ka denoncuar një ngjarje të rëndë në Fier, ndërsa thekson se një klerik pedofil është bërë pjesë e KOASh-it.

“Mitropoliti i Fierit, Hirësi Nikolla (Arjan Pelivan Hyka) ka dorëzuar klerik një ish katekist të shpunësuar dhe të dëbuar nga Kisha për abuzime seksuale në kampin e fëmijve të KOASh-it, mbas denoncimit që bëri vetë familja e të miturit”.

Kështu e nis shkrimin gazetari Alfons Zeneli në faqen e tij të Facebook-ut duke akuzuar edhe krerët e Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë për mbajtjen e tij sërish në detyrë.

Shkrimi i Zenelit
AFLONS ZENELI

KLERIK PEDOFIL NË FIER.

Mitropoliti i Fierit, Hirësi Nikolla (Arjan Pelivan Hyka) ka dorëzuar klerik një ish katekist të shpunësuar dhe të dëbuar nga Kisha për abuzime seksuale në kampin e fëmijve të KOASh-it, mbas denoncimit që bëri vetë familja e të miturit.

Edhe pse fillimisht katekisti ishte pushuar nga puna, ai po rekrutohej serisht. Nëna e viktimës shkoi tek Kryepeshkopi Anastas, dhe i tregoi shenjat e abuzimit seksual në trupin e fëmijës së saj, Fortlumturia e Tij e pa te arsyeshme qe mos t`ia prishte lumturibe priftit te vet pervers dhe e dha bekimin që pedofili të hyjë në radhën e klerit të KOASh-it.

Fortlumturia e tij (dhe e atyre), kryepeshkopi i Durresit, Tiranes dhe i gjiiiiitheeeeee Shiperise, hiresia e tij Anastas pasi shperfill, perdhos, fshi nga mendja e besimtareve shqiptare At Nolin, At Visarion Xhuvanin, At Stath Melanin dhe Papa Kristo Negovanin e plot te tjere te masakruar nga parardhesit e vet te Kishes greke po injekton ne korpusin e ortoksise tone “tarbiatet seksuale” te kishes se tyre.

Kisha greke , ne raport me Shqiperine dhe ortodoksine shqiptare, ka qene thjesht nje organizate kriminale dhe terrotiste. Ka shume prifterinj te larte ne hierarkine e Kishes greke qe jane ngjirrur deri ne fund te jetes duke mallkuar publikisht shqipen dhe shqiptaret e duke bekuar pushket dhe thikat e paraushtarakeve qe masakruan popullsine civile ne Korce, Kolonje e Permet.

Tani qe nuk ushtrojne dot dhume fizike kane nisur sulm te nje lloji tjeter si ky rasti qe permendem pak me lart duke i lene besimtaret ne doren e “meshave” te prifterinjeve perverse, homoseksuale e pedofile.

Iu bej thirrje ortodoksve shqiptare qe ti abandonojne kishat e Janullatosit. Ti abandonojne djajte e veshur me veladon. Me mire djepi bosh se shejtani brenda. Vetem keshtu mund te shpetohet nderi i ortodoksise shqiptare e cila eshte avangarde namndritur e atdhedashurise, dijes dhe besimit te vertete ne Zot.

Një klerik pedofil në Fier? Gazetari zbardh skandalin: Janullatosi e mbajti në detyrë Read More »