Aktualitet

Skandali i tenderave në portin e Durrësit, gjyqtarja vendos vetëm “detyrim paraqitje” për të dyshuarit

Dëmi ekonomik i shkaktuar me disa tenderë për blerjen e mjeteve çon nën akuzë ish-drejtorin e Autoritetit Portual Durrës dhe 9 vartësit e tij, anëtarë të komisionit dhe të sektorëve përgjegjës për procedurat e tenderimit dhe vlerësimit të ofertave.

Drejtoria Hetimore Qendrore në Policinë e Shtetit dhe Sektori për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në Policinë e Durrësit, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit, në funksion të procedimit për veprën penale të shpërdorimit të detyrës dhe shkelje e barazisë në tendera, kanë ekzekutuar 10 vendime të Gjykatës së Durrësit, për zyrtarë apo ish-zyrtarë të Autoritetit Portual.

Prokuroria kërkoi arrestimin e 5 prej zyrtarëve të dyshuar dhe masën “arrest me bug”, por gjyqtarja e çështjes, Eda Kaja, nuk pranoi dhe hodhi poshtë masat e arrestit për këtë grup zyrtarësh, me në krye ish-drejtorin Aleksandër Lipivani.

Por ndërsa u kërkua ekstradimi i tij pas arrestimit më 11 tetor 2017, gjyqtarja Kaja vendosi “detyrim paraqitje”, kundrejt garancisë bankare.

Gjyqtarja pasi vlerësoi masat, vendosi vetëm “detyrim paraqitjeje” për të dyshuarit. Vendimi është marrë nga e njëjta gjyqtare që pak muaj më parë liroi nga qelia turkun Muhammet Yasir Aydogmus, 41 vjeç, që u kap pa dokumente të rregullta dhe kërkohej si terrorist nga drejtësia e Turqisë.

Ky procedim erdhi pas kontrollit që kishte bërë Ministria e Energjetikës dhe Trasportit, ku rezultonin me shkelje dhe shpërdorime të ligjeve në tendera etj.

Konkretisht janë gjetur shkelje në tenderin e blerjes së një automjeti, një ambulance dhe një zjarrfikëseje për nevojat e portit.

Të proceduarit janë përveç ish-drejtorit 42-vjeçar Lipivani, edhe S.T., 58 vjeç, ekonomist në Drejtorinë Ekonomike, N.H., 61 vjeç, inxhinier mekanik në Sektorin Operativ dhe Mjeteve Teknike, L.K., 51 vjeçe, ekonomiste në Sektorin e Terminalit Perëndimor, E.K., 33 vjeç, jurist në Sektorin e Prokurimeve Publike, J. R., 35 vjeçe, juriste në Sektorin e Prokurimeve Publike, A.M., 53 vjeç, ish-jurist në Sektorin e Prokurimeve Publike, A.K., 36 vjeç, drejtor i Drejtorisë së Burimeve Njerëzore, Sh.Xh., 55 vjeç, ish-Zëvëndësdrejtor i Forcës së Sigurisë dhe Y. K., 66 vjeç, ish-specialist i blerjeve të vogla në Sektorin e Prokurimeve Publike.

Për zyrtarët ende në detyrë është marrë vetëm masa e pezullimit nga detyra, por do hetohen në gjendje të lirë.

“Ekspertimi i kryer në lidhje me ofertat e paraqitura për 3 lote të tenderit, ka dokumentuar se ofertat nuk ishin të rregullta dhe janë hartuar nga i njëjti operator ekonomik.

Ndërsa në lotet për blerjen e mjeteve auto-ambulancë dhe zjarrfikës, rezulton se mungojnë pajisjet shtesë dhe shpëtuese kundër zjarrit.

Hetimi ka provuar gjithashtu se kërkesa për këto mjete ishte e pa-argumentuar, nisur nga domosdoshmëria për to.

Gjithashtu është dokumentuar se nuk ishte kompetencë e këtyre Drejtorive, përcaktimi i fondit për blerjen e automjeteve, fakt që ngarkon me përgjegjësi titullarin i institucionit”, thuhet në dosjen penale.

Skandali i tenderave në portin e Durrësit, gjyqtarja vendos vetëm “detyrim paraqitje” për të dyshuarit Read More »

Deputet, varfëria nuk ka nevoje për rrogën tënde!

Nuk jam pa zemër kur i shkruaj këto radhë, jo! Sepse 6 motrat jetime duhet të përfitonin automatikisht nga shteti benefitet që u takojnë.
Shkruan Danjela Bonollari

Po shoh një entuziazëm të pamasë në rrjete sociale mbi faktin se një deputet ka dhuruar pagën e çdo muaji për mandatin e mbetur si ligjvënës në ndihmë të 6 fëmijëve jetimë në Kukës. Për t’u përshëndetur posi! Ky apo këta ‘heronj’ tashmë të rrjeteve sociale fitojnë famë e ndoshta një mandat të ardhshëm deputetllëku që do i shtojë pasurinë, reputacionin etj…

Nuk jam pa zemër kur i shkruaj këto radhë, jo! Sepse 6 motrat jetime duhet të përfitonin automatikisht nga shteti benefitet që u takojnë. Shteti social që trumbetojnë çdo ditë pushtetarët tanë duhet të ketë e t’i sigurojë automatikisht politikat sociale për shtresa si këto në nevojë. Jo vetëm atë pensionin e mjerë që merr një fëmijë kur i vdes babai, por te ardhura për llogaritura mire sesa shpenzime mesatare mund te kenë motrat për ushqim, veshje, arsimim, një kujdestare ose shtëpi kujdesi për to.

Shqipëria nuk ka vetëm 6 motrat jetime, por ka qindra e qindra familje me fëmijë të sëmurë, jetime, prindër të paaftë të kujdesen për fëmijët me shtëpi që po u shemben mbi koke. Rrojnë me 50 mije leke te vjetra ne muaj. Nuk mjafton një rroge deputeti të mbylle këto halle të përditshme, asnjë shtëpi e dhuruar nga ‘X’ biznesmen. Se nesër sërish lind pyetja për mbijetesën. Duhen politika të zgjuara sociale. Duhet që çdo taksë që vilet nga shteti nuk ngurron ta shtojë nga viti ne vit, ta përkthejë në shërbim e ndihmë sociale. Nuk duhet që një familje e varfër në ekstrem me pamundësi të ardhurash të presë të vije një kamera e një mikrofon para gojës që të bëjë publike hallin për bukën e përditshme.

Duhet shteti të trokasë ne këto dyer. Sapo 6 fëmijë mbeten pa nene e baba, zyrat përkatëse duhet te kryejnë çdo shërbim, t’u çojë madje dhe psikolog. Ky është shteti social, ky është shpëtimi përfundimtar për familjet e varfra qe sot rrisin fëmijët me ujë, miell e sheqer.

Po a ka ligje? Deputetet qe bëjnë show duke falur rroga, a kane mundësi te krijojnë njëherë të vetme një draft te posaçëm për familjet me nevoja kritike, ose te propozojnë një të tillë? A kanë mundësi qe ata zyrtarucë të mbyllur ne ministrirat e Punës e Çështjeve Sociale të trajnohen jashtë në shtete perëndimore ku të huazojnë politikat e tyre sociale e t’i adoptojnë bukur në atdheun e tyre? Ti mbushin boshllëqet ligjore qe sjellin përplasjen e derës së shtetit për varfanjakun dhe çeljen paturpësisht te ndihmës ekonomike e kredive të buta për deputetë e politikanë të pastrehë.
Dhe çfarë ndodh kur shteti është inegzistent?

Ka pasur raste kur fëmijë të tillë janë trafikuar. Askush nuk i ndal dot keqbërësit. Ke lypës në çdo rrugë të çdo qyteti, por dhe hajdutë. Ka raste vetëvrasjeje plot, kur mjerimi është kthyer ne depresion të pashmangshëm. E plot ngjarje të dhimbshme. Deri tek trokitja në media. Një kronikë në lajme të shpëtojmë ‘X’ hallexhi. E nëse ka fat del një Y bamirës. E ku është shteti social këtu?

Boshllëqet në ligj po i përdorin për show organizatat bamirëse që dalin më të forta se shteti që aspiron anëtarësimin në BE e tek tuk ndonjë deputet që fal rrogën në vend që të bëjë punën e ligjvënësit.

Ndaj z. politikan, o bëj punën për të cilën je votuar, të nxjerrësh popullin nga varfëria, ose lere atë mandat bashkë me kolegët dhe pranoni se nuk bëni dot shtet. Por boll më, mos e bëj sylesh atë që të ka dhënë votën. Nuk ka nevojë për rrogën tënde, por do atë çfarë i takon me ligj një individi të lirë që po jeton në një shtet në zemër të Europës!

Deputet, varfëria nuk ka nevoje për rrogën tënde! Read More »

Shuhet “çerdhja” e krimit të LSI në Portin e Durrësit, ndiqen penalisht ish drejtori dhe 9 zyrtarë. Dërguan miliona euro në llogaritë e Metës, favorizuan kokainën

Shuhet “çerdhja” e krimit dhe të korrupsionit të LSI në Portin e Durrësit, që lëvronte miliona euro dhe dollarë për llogari të Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit.

Para këto që nxirreshin përmes tenderave të paqena dhe abuzive e deri tek lehtësirat për trafikun e kokainës kolumbiane, duke plotësuar në këtë mënyrë të plotë zinxhirin e këtij trafiku nga vendi i origjinës deri në Durrës e më gjërë dhe me mbrojtje ligjore të Prokurorisë së  Krimeve të rënda.

Kështu, Policia e Shtetit ka proceduar penalisht ditën e sotme, 10 zyrtarë të lartë të Portit të Durrësit. Sipas njoftimit të policisë bëhet me dije se procedimi ka ardhur pas hetimeve dhe akuzat që janë ngritur  janë “Shpërdorim detyre” dhe “Shkelje të tenderave”.

“Nga kryerja e veprimeve hetimore në funksion të procedimit penal të regjistruar në vitin 2017, rezulton se këta zyrtarë të Autoritetit Portual Durrës, gjatë ushtrimit të detyrës, janë përfshirë në veprime të kundra-ligjshme gjatë zhvillimit të tenderit për blerje automjeti, auto-ambulance dhe mjeti zjarrfikës”, thuhet ndër të tjera në njoftimin e policisë.

Drejtoria Hetimore Qendrore në Policinë e Shtetit dhe Sektori për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Durrës, në funksion të procedimit për veprën penale të shpërdorimit të detyrës dhe shkelje e barazisë në tendera, kanë ekzekutuar 10 vendime të Gjykatës së Durrësit për zyrtarë apo ish-zyrtarë të Autoritetit Portual Durrës.

Mësohet se në krye të zinxhirit korruptiv ka qënë ish- drejtori i përgjithshëm i Autoritetit Portual të Durrësit, përfaqësues i LSI Aleksandër Lipivani, i cili në tetor të vitit të kaluar dha dorëheqjen për t’u zëvendësuar me komandim nga Artjan Qiricit.

Pjesa tjetër janë përfaqësues të LSI në këtë autoritet portual, që kanë bërë namin me paratë e qytetarëve shqiptarë,  por dhe detyra të tjera specifike.

Të proceduarit janë:

A. L, 42 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë, ish-Drejtor i Përgjithshëm Ekzekutiv i Autoritetit Portual Durrës, masa e sigurimit shtrënguese e “Detyrim për t’u paraqitur në Policinë Gjyqësore”, pasi dyshohet për kryerjen e veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës”.
S.T, 58 vjeç, lindur dhe banues në Durrës, me detyrë ekonomist në Drejtorinë Ekonomike, Autoritetin Portual Durrës, masa e sigurimit shtrënguese e “Detyrim për paraqitje” dhe “Pezullim nga një ushtrim i një detyre apo funksioni publik”, pasi dyshohet për kryerjen e veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës”, dhe “Shkeljes së barazisë së pjesëmarrjes në tendera”.
N.H, 61 vjeç, lindur dhe banues në Durrës, Inxhinier mekanik në Sektorin Operativ dhe Mjeteve Teknike në Autoritetin Portual Durrës, masa e sigurimit “Detyrim për paraqitje” dhe “Pezullim nga një ushtrim i një detyre apo funksioni publik”, pasi dyshohet për kryerjen e veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës”, dhe “Shkeljes së barazisë së pjesëmarrjes në tendera”.
L.K, 51 vjeçe, lindur dhe banuese në Durrës, ekonomiste në Sektorin e Terminalit Perëndimor në Autoritetin Portual Durrës, masa e sigurimit “Detyrim për paraqitje” dhe “Pezullim nga një ushtrim i një detyre apo funksioni publik”, pasi dyshohet për kryerjen e veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës” dhe “Shkeljes së barazisë së pjesëmarrjes në tendera”.
E.K, 33 vjeç, lindur dhe banues në Durrës, Jurist në Sektorin e Prokurimeve Publike në Autoritetin Portual Durrës, masa e sigurimit “Detyrim për paraqitje” dhe “Pezullim nga një ushtrim i një detyre apo funksioni publik”, pasi dyshohet për kryerjen e veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës” dhe “Shkeljes së barazisë së pjesëmarrjes në tendera”.
J. R, 35 vjeçe, lindur dhe banuese në Durrës, Juriste në Sektorin e Prokurimeve Publike në Autoritetin Portual Durrës, masa e sigurimit “Detyrim për paraqitje” dhe “Pezullim nga një ushtrim i një detyre apo funksioni publik”, pasi dyshohet për kryerjen e veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës” dhe “Shkeljes së barazisë së pjesëmarrjes në tendera”.
A.M, 53 vjeç, lindur dhe banues në Durrës, ish-Jurist në Sektorin e Prokurimeve Publike në Autoritetin Portual Durrës, masa e sigurimit “Detyrim paraqitje”, pasi dyshohet për kryerjen e veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës”.
A.K, 36 vjeç, lindur dhe banues në Durrës, Drejtor i Drejtorisë së Burimeve Njerëzore, në Autoritetin Portual Durrës, masa e sigurimit “Detyrim për paraqitje” dhe “Pezullim nga një ushtrim i një detyre apo funksioni publik”, pasi dyshohet për kryerjen e veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës”, dhe “Shkeljes së barazisë së pjesmarrjes në tendera”.
Sh.Xh, 55 vjeç, lindur në Krujë dhe banues në Tiranë, ish-Zëvëndësdrejtor i Forcës së Sigurisë në Autoritetin Portual Durrës, masa e sigurimit “Detyrim për paraqitje”, pasi dyshohet për kryerjen e veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës” dhe “Shkeljes së barazisë së pjesëmarrjes në tendera”.
Y. K, 66 vjeç, lindur dhe banues në Durrës, Ish-Specialist i blerjeve të vogla në Sektorin e Prokurimeve Publike, masa e sigurimit “Detyrim për paraqitje”, pasi dyshohet për kryerjen e veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës” dhe “Shkeljes së barazisë së pjesëmarrjes në tendera”.

Nga kryerja e veprimeve hetimore në funksion të procedimit penal të regjistruar në vitin 2017, rezulton se këta zyrtarë të Autoritetit Portual Durrës, gjatë ushtrimit të detyrës, janë përfshirë në veprime të kundra-ligjshme gjatë zhvillimit të tenderit për blerje automjeti, auto-ambulance dhe mjeti zjarrfikës.

Ekspertimi i kryer në lidhje me ofertat e paraqitura për 3 lote të tenderit, ka dokumentuar se ofertat nuk ishin të rregullta dhe janë hartuar nga i njëjti operator ekonomik.

Ndërsa në lotet për blerjen e mjeteve auto-ambulancë dhe zjarrfikës, rezulton se mungojnë pajisjet shtesë dhe shpëtuese kundër zjarrit.

Hetimi ka provuar gjithashtu se kërkesa për këto mjete ishte e pa-argumentuar, nisur nga domosdoshmëria për to.

Gjithashtu është dokumentuar se nuk ishte kompetencë e këtyre Drejtorive, përcaktimi i fondit për blerjen e automjeteve, fakt që ngarkon me përgjegjësi titullarin i institucionit.

Duke vijuar më tej me tenderat, ka dyshime të dokumentuara se specifikimet teknike nuk kanë krijuar kushte për barazi dhe prishën konkurencën në procedurën e prokurimit publik.   Vazhdon puna për identifikimin e zyrtarëve dhe personave të tjerë të implikuar në këtë aktivitet kriminal./Pamfleti

Shuhet “çerdhja” e krimit të LSI në Portin e Durrësit, ndiqen penalisht ish drejtori dhe 9 zyrtarë. Dërguan miliona euro në llogaritë e Metës, favorizuan kokainën Read More »

“Morën para dhe liruan vrasësit e djalit tim”, nën hetim për korrupsion prokurori Artan Lulo dhe dy gjyqtarët

Prokuroria e Krimeve të Rënda ka nisur hetimin për dy gjyqtarët që kanë pasur në dorë çështjen e vrasjes së Marvi Mihalit. Akuzat ndaj trupës gjykuese janë ngritur për shkak të lirimit të tre prej katër të dyshuarve për kryerjen e krimit të rëndë.  Në hetim ka përfunduar edhe prokurori i çështjes Artan Lulo. Dy gjyqtarët dhe prokurori i çështjes dyshohen për korrupsion.

Hetimet ndaj dy gjyqtarëve dhe prokurorit të çështjes kanë nisur pas kallëzimit të bërë në Prokurori nga babai i viktimës, Pavllo Mihali. Ky i fundit ka thënë pranë organit të akuzës se njerëzit e drejtësisë kanë marrë lekë dhe prandaj kanë liruar tre nga katër vrasësit e dyshuar të djalit të tij.

Fillimisht për vrasjen e Marvi Milahit pati vetëm një të akuzuar për vrasje, kurse përpara vetëm dy ditësh ndryshoi akuza dhe se ndaj të katër të pandehurve rëndon tashmë akuza e “vrasjes”. Autorë të dyshuar për vrasjen e Marvi Mihalit janë Dejvi dhe Eugen Birtaj, e Kridens dhe Marsel Alla. Tre prej të dyshuarve fillimisht akuzoheshin për “moskallëzim krimi”, por se iu është ngarkuar më tutje të gjithë të pandehurve akuza e “vrasjes”.

“Morën para dhe liruan vrasësit e djalit tim”, nën hetim për korrupsion prokurori Artan Lulo dhe dy gjyqtarët Read More »

Vetting edhe për politikanët? Ja si përgjigjen deputetët

A duhet vetting për pasuritë e politikanëve? Kjo është një pyetje që vetë politikanët nuk kanë fort dëshirë t’i përgjigjen. Pas kameras, përfaqësues të të gjitha krahëve shpjegojnë se nuk duan të krijojnë mëri me kolegë të partive përkatëse, ndërsa kush gjendet i shtrënguar përpara mikrofonit, shprehet i gatshëm të tregojë xhepat.

Evis Kushi, deputete e PS: Duhet menduar mekanizmi se si, por parimisht jam dakort.
Edmond Spaho, PD: Le t’bëhet pa problem fare. Në me pyet mua, çfarëdo që gjykohet e nevojshme që duhet ndërmarre ILDKP, ose Qeveria le ta sjellë dhe ne ta votojmë.

Adnor Shameti, PS: Pa diskutim! Nuk ka asnjë problem. Si për deputetët e rinj, që futen nga e para, por më së shumti për ata që kanë vite dhe të gjithë politikanët dhe subjektet e ILDKP.
Albana Vokshi, PD: Unë personalisht jam e hapur ndaj çdo kontrolli të pasurisë sime.

Fidel Ylli, PS: Edhe deputetët si të gjithë prokurorët dhe gjyqtarët të bëjnë vetting, patjetër. Jetojnë nëpër vila, i keni parë. Unë jam jë prej tyre, por kur e kam filluar politikën i kisha bërë paratë me biznesin tim se kam 25 vjet që bëj biznes. Nuk prita të bëhem politikan që të bëj pasuri.

Edhe Ulsi Manja nga pikëpamja personale shprehet i gatshëm ndaj kontrollit të pasurisë, por si kryetar i Komisionit të Ligjeve ka një qasje më institucionale.

“Në aspektin ligjor deputetët, apo politikanët përpara se të hyjnë në jetën publike nisur nga kuadri ligjor që kemi në fuqi u nënshtrohen ligjit të dekriminalizimit, po ashtu përsa i përket pasurisë janë subjekte të deklarimit të kontrollit të pasurisë dhe çka është më e rëndësishme, në kuadër të reformës në drejtësi, vettingun e politikanëve ja kemi besuar një strukture që pritet të krijohet shumë shpejt, që është SPAK. SPAK do të ketë si objekt të veprimtarisë së tij zyrtarët e lartë të shtetit pavarësisht nga niveli”, thotë ai.
Ka nga ata që mendojnë se verifikimi duhet të mbetet kompetencë e Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Paurisë, ndonëse ILDKPKI thotë se nuk mund të veprojë jashtë territorit shqiptar.

Luçiano Boçi, PD: Kapërcimi i kompetencës në një institucion tjetër do e zhvleresonte. Ose hajt ta shkrijmë dhe të ndërtojmë një institucion më solid, më të fortë që do të realizonte këto verifikime dhe që publiku të merrte vesh të vërtetën dhe duhet një e vërtetë që të zbulohet.

Klajda Gjosha, LSI: Ajo që ne duhet të bëjmë është forcimi i atij institucioni dhe jo ngritja e institucioneve paralele. Çdo institucion paralel e dëmton rëndë sistemin.

Albana Vokshi, PD: Nëse legjislacioni zbatohet me përpikmëri mendoj se është i mjaftueshëm.
Nga LSI vjen një propozim për amnisti për pasuritë e politikanëve, nën etiketën “Viti Zero”.
“Duhet të fillojë një vit zero, sepse edhe vetë fshehjet nganjëherë të këtyre mund të krijojnë kolaps ekonomik, sepse ka shumë informalitet . Po unë them që duhet të fillojë nga një pikë zero. Ne duhet të ndërtojmë një sistem, jo një lëvizje për të goditur kundërshtarin në emër të pastërtisë./ (T.CH)

Vetting edhe për politikanët? Ja si përgjigjen deputetët Read More »

Lajm i rëndësishëm, kjo është mënyra e vetme e shqiptarëve për të udhëtuar drejt Greqisë

Pikat e kalimit kufitar me Greqinë nuk do të funksionojnë për më shumë se 24 orë, për shkak të një greve të realizuar nga pala greke.

Në Kapshticë puna është ndërprerë sot e do të rifillojë pas 24 orësh, të enjten e 31 majit. Gjatë këtyre orëve nuk do të lejohet kalimi i mjeteve, por vetëm kalimi i këmbësorëve.

Gjithashtu dhe në pikat e tjera kufitare me Greqinë, në Kakavijë dhe Tre Urat do të bllokohet puna.
Sindikata e punonjësve të ministrisë së Financave të Greqisë, njoftoi se do t’i bashkohet thirrjes së sindikatave te pavarura të Greqisë, në grevën e përgjithshme që do të zhvillohet në shtetin fqinj.

Sipas sindikatës, në grevë do të marrin pjesë edhe doganieret, ndaj gjatë datës 30 maj, pritet të pezullohen të gjitha kalimet e automjeteve dhe kamionëve në pikat kufitare të Greqisë me Shqipërinë, Maqedoninë dhe Turqinë, ndërsa me Bullgarinë lëvizja e autoveturave do të lejohet, por jo e kamionëve.
Greva do pezullojë lëvizjen në porte dhe aeroporte, si dhe spitalet dhe shërbimet civile. Edhe mjeket thane se do te protestojnë, ndërsa mjetet e transportit publik do të pezullojnë lëvizjen.

Pikat e kalimit kufitar me Greqinë nuk do të funksionojnë për 24 orë, dhe kjo për shkak të një greve të realizuar nga pala greke. Siç njoftojnë autoritetet në Kapshticë puna është ndërprerë në orën 07:00 të së mërkurës, e do të rifillojë pas 24 orësh, të enjten e 31 majit.

Bëhet e ditur se gjatë këtyre orëve nuk do të lejohet kalimi i mjeteve, por vetëm kalimi i këmbësorëve.
Gjithashtu dhe në pikat e tjera kufitare me Greqinë, në Kakavijë dhe Tre Urat do të bllokohet puna.
Sindikata e punonjësve të ministrisë së Financave të Greqisë, njoftoi se do t’i bashkohet thirrjes së sindikatave te pavarura të Greqisë, në grevën e përgjithshme që do të zhvillohet sot në shtetin fqinj.

Lajm i rëndësishëm, kjo është mënyra e vetme e shqiptarëve për të udhëtuar drejt Greqisë Read More »

STATISTIKA – Gjithçka që duhet të dini në ditën botërore pa duhan

Çdo minutë, rreth 11 milionë duhanpirës në botë konsumojnë një cigare dhe 10 persona vdesin për shkak të duhanit.

Duhani regjistron një xhiro vjetore me rreth 700 miliardë dollarë, me numrin më të lartë të vdekjeve në shekullin XX krahasuar me dy luftrat botërore të mbledhura bashkë.

-Sa është numri i duhanpirësve?-

Nga gjithë popullsia e globit prej 7,5 miliardë njerëz, konsumuesit e duhanit vlerësohen në rreth një miliard sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH).

Çdo vit, ata konsumojnë rreth 5 700 miliardë cigare dhe hedhin rreth një milionë ton bishta cigare, sipas “The Tobacco Atlas”, iniciativë kundër duhanit në bashkëpunim me “American Cancer Society”.

Filtrat e acetateve të celulozës, lëndë që nuk mund të shkatërrohet nga mikroorganizmat, janë kthyer në mbetjet më të përhapura në plazhet e globit, sipas revistës ndërkombëtare “Journal of Environmental Research and Public Health”.

Sipërfaqe kushtuar kultivimit të duhanit në botë,  4,3 milionë hektarë është pak a shumë e barabartë me sipërfaqen e Zvicrës. Kina është deri tani prodhuesi i parë në botë, duke u fokusuar vetëm tek kjo kulturë rreth 40% të prodhimit botëror të gjedheve të duhanit.

-Ku konsumohet më tepër duhan-

Në mënyrë të pritshme, Kina ka numrin më të madh të duhanpirësve. Shteti me 1,3 miliardë banorë numëron 315 milionë duhanpirës, sipas një raporti të OBSH së vitit 2017.

Më shumë se një e treta e cigareve të konsumuara në botë janë në Kinë. Indonezia është vendi me përqindjen më të lartë të duhanpirësve. Rreth 76% e meshkujve mbi 15 vjeç konsumojnë duhan.

Rreth 80% të duhanpirësve në botë jetojnë në vende me të ardhura të pakta apo me të ardhura mesatare dhe 226 milionë në mesin e tyre konsiderohen të varfër.

-Sa është numri i të vdekurve?-

Duhani është shkaku kryesor, që mund të shmanget i vdekjes. Një person vdes çdo gjashtë sekonda në planet për shkak të duhanit, sipas OBSH. Duhapirja aktive apo pasive shkakton vdekjen e më shumë se 7 milionë individëve çdo vit. Sëmundja e kancerit, kryesisht në mushkëri, infraktet, AVC, BPCO janë sëmundjet kryesore që lidhen me duhanin.

Në shekullin XX, duhani shkaktoi 100 milionë të vdekur, ose më shumë se 60 deri në 80 milionë të vdekur në Luftën e Dytë Botërore të mbedhur me 18 milionë të vdekur të Luftës së Parë Botërore. Nëse tendenca e regjistruar së fundmi do të vijojë, duhani mund të shkaktojë rreth një miliardë të vdekur në shekullin XXI.

-Sa janë shpenzimet në fushën e shëndetësisë? –

Duhanpirja kushton shtrenjtë. Ajo thith rreth 6%  të shpenzimeve botërore për shëndetin si dhe 2% të produktit të brendshëm bruto (PBB) global, sipas studimit të parë të realizuar për këtë temë, publikuar në muajin janar të vitit 2017 në revistën shkencore “Tobacco Control”.

Kjo analizë e kryer në bashkëpunim me OBSH-në tregon se në vitin 2012 kosto e përgjithshme e duhanit pët shoqërinë në shkallë botërore u rrit në 1.436 miliardë dollarë, ku 40% e saj u mbulua nga vendet në zhvillim.

-Një treg global në rënie?-

Në vitin 2015, planeti numëronte 933 milionë duhanpirës të përditshëm (768 milionë burra dhe 165 milionë gra), sipas një studimi të publikuar në revistën mjekësore “The Lancet” e cila konstaton një rënie të përqindjes së duhanpirësve në popullsinë botërore që nga viti 1990.

Politikat kundër duhanit dhe shfaqja e cigares elektronike shkaktuan rënie të numrit të duhanpirësve në shumë shtete, kryesisht Britani e Madhe, Australi, Brazil dhe në Francë ku duhanpirësit e përditshëm u pakësuan me një milion mes viteve 2016 dhe 2017.

Kina mbetet deri tani tregu më i madh në botë, por shitjet janë gjithashtu në rënie me pothuajse 10% që nga niveli pik i regjistruar në vitin 2012, sipas ”Euromonitor International”.

Ndërkohë konsumi i duhanit vijon të rritet në shumë shtete me të ardhura mesatare apo të ulëta, veçanërisht në Afrikën Subsahariane, thekson “The Tobacco Atlas”./ (Nga Olivier Thibault) /v.b/ a.jor.ATSH

STATISTIKA – Gjithçka që duhet të dini në ditën botërore pa duhan Read More »

Punësimi, prioritet i qeverisë

Llogaridhënia Publike me qytetarët u ndal në Lunik të Librazhdit ku për më shumë se 3 orë çdo banor i kësaj zone shprehu shqetësimet dhe mendimet e tij dhe mori përgjigjet nga ZëvendësKryeministrja Senida Mesi, Kryetari i Grupit Parlamentar, Taulant Balla, ZëvendësMinistri i Mbrojtjes, Petro Koçi, ZëvendësMinistri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Artan Shkreli dhe zyrtarë tjerë, të cilët u përgjigjën drejtpërdrejt për fushat që mbulojnë.

Ishte shqetësimi i një qytetari në lidhje me pronën dhe pamundësinë për ta marrë atë për shumë vite që riktheu vëmendjen tek çështja e Reformës në Drejtësi.

“E shihni çdo natë në televizion se sa dhimbje po shkakton Reforma në Drejtësi. Edhe këto dallgët që mundohet të krijojë opozita, vijnë për shkak të dhimbjeve që shkakton kjo reformë. Shumë gjyqtarë e prokurorë, jo vetëm që janë larguar nga sistemi i drejtësisë. Kanë bërë pasuri, duke mos bërë drejtësi, njerëz që kanë bërë para e vila duke u paguar nga njëra palë në dëm të palës tjetër, pavarësisht se pala tjetër është ajo që kishte të drejtë.  Para një viti pikërisht këtë i kërkuam popullit, votën për ta çuar reformën në drejtësi deri në fund. Tashmë reforma në drejtësi do të shkojë deri në fund dhe kush ka të drejtë do marrë drejtësi në gjykatë dhe kush nuk ka të drejtë, s’do të mund ta marrë padrejtësisht atë”, deklaroi Balla.

Ndërsa ZëvendësKryeministrja Senida Mesi, duke u ndalur tek prioritetet madhore të qeverisë, u ndal tek çështja e punësimit si një ndër prioritetet kyçe.

“Nëse flas në terma të përgjithshëm dhe aty ku janë prioritetet e qeverisë, sigurisht e para është punësimi dhe duan që çdo vendimmarrje që neve marrim të prekë sado pak numrin e të punësuarve. Kemi bërë një punë të mrekullueshme për qasjen e investitorëve, karshi biznesit, sepse mendojmë që vetëm sipërmarrja e lirë dhe private është ajo që punëson.
Ne mendojmë që reforma në shërbimet publike është një reformë e cila duhet të vendoset në shinat e duhur dhe duhet t’ju shërbejë qytetarëve. Fjala “shërbej” duhet të ngulitet në mendjen tonë të parën, që jemi administratë publike dhe pastaj në mendjet tuaja. Është e domosdoshme që ju të kuptoni se në jemi këtu pasi paguhemi me taksat tuaja, ne rrogën e marrim prej jush. Jemi të emëruar nga ju dhe na është besuar të punojmë për ju dhe me ju”, përfundoi Mesi.

Po ashtu diskutimet në Lunik u ndalën në disa çështje me rëndësi të madhe për jetën e përditshme të këtyre banorëve si rruga që lidh këtë zonë, uji i pijshëm dhe problemet e energjisë elektrike të cilat shkaktohen nga moti i keq, në një zonë ku linjat tashmë janë të amortizuara.

/gj.mima/ /a.g/ATSH

Punësimi, prioritet i qeverisë Read More »