Aktualitet

U lidh me punonjësin e ambasadës amerikane, ai zhduket sapo mësoi për shtatzëninë

Një histori si e telenovelave dramatike është ajo e Orjanës që ka ardhur sot në emisionin “Me zemër të hapur”.

Ajo është vetëm 32 vjeç por ka një të shkuar plot me dhimbje. Orjana Këllezi ka humbur në këtë jetë pothuajse gjithë familjen, nënën, babain dhe vëllain ndërsa tani po rrezikon djalin e saj 7 muajsh.

Vëllai i Orjanës bëri vetëvrasje por drama nuk mbaroi me kaq. Pas një viti kreu vetëvrasje nëna e saj në zonën e liqenit në Tiranë. Nuk kaloi shumë kohë dhe babai Skënderi ra pre e alkoolit dhe humbi jetën në kushte që ende nuk dihen. U gjet në morg pas 6 muajve që kishte humbur çdo kontakt me të bijën.

Orjana tashmë ka vetëm një vëlla i cili endet rrugëve dhe nuk ka askënd në këtë botë. Pas humbjes së njerëzve të dashur ajo emigroi në Itali, ku u dashurua me një shtetas italian, Igor Sterbizi me të cilin ka lidhur dhe kurorë. Jetuan në shtetin italian për disa kohë dhe kur Orjana do kthehej në Shqipëri për të ribërë disa dokumente, bashkëshorti i mbylli telefonin dhe nisi një bashkëjetesë tjetër.

“Unë jam martuar në Itali në vitin 2014 në 11 gusht. Akoma jam e martuar por nuk ma jep divorcin. Shteti italian më ka dhënë një ekspuls sepse kam kaluar kohën prej 3 muajsh dhe kur erdha për të bërë disa dokumente në Shqipëri, burri im nisi bashkëjetesën me një grua tjetër”, tregoi Orjana, raporton “BalkanWeb”.

E vetme në mes të katër rrugëve, u lidh me një shtetas amerikan, Polin i cili punonte në ambasadën amerikane në Tiranë. Nga një lidhje tre mujore ajo mbeti shtatzënë dhe solli në jetë një djalë, Liorin. Por shtetasi amerikan me emrin Pol e braktisi kur mori vesh shtatzëninë.

“Unë mendoja se nuk mund të bëja fëmijë. Nuk e prisja të ngelja shtatzënë. Shkoja në banesën e Polit, e kishte përballë liceut. Kur ai ikte në punë i pastroja shtëpinë, laja rroba, i hekurosja rrobat. Kur mbeta shtatzënë dhe i tregova ai u zhduk. Shkova tek banesa e tij por roja i pallatit më tha se nuk banonte më aty. Nuk e di ku është tani”, tregoi në një lidhje telefonike me News24 Orjana.

E pashpresë, në muajin e 7-të të shtatzënisë, Orjana niset drejt Piacencës Itali, ku dëshironte të rinovonte letrat pasi zyrtarisht ajo figuronte e martuar me shtetasin italian. Pas dy ditëve qëndrimi në hotel e zënë dhimbjet e parakohshme, shtrohet në spital atje dhe pas dy muajve sjell në jetë djalin. Strehohet nga shërbimi social në këtë vend si dhe gjen mbështetjen e motrave Nënë Tereza.

Por aty ku mendoi se gjithçka po shkonte mirë, aty shkatërrohet gjithçka.

Më datën 8 maj asaj i kanë marrë djalin në shërbimin social dhe nuk ia japin me pretendimin se 32-vjeçarja nuk është e aftë ta rrisë.

“Fëmijën ma kanë marrë në maj dhe nuk më lënë ta shoh më. Në 8 maj unë dola me djalin dhe më qëlluan në kokë e përfundova në spital. Kur dola nga spitali fëmijën e kishte marrë asistentja sociale dhe tani nuk ma lënë më sepse thonë jam e papërshtatshme. Nuk e di ku është djali. Më kanë thënë që është në komunitet por nuk e di ku është. Nga psikologja e qendrës është bërë një raport pozitiv për mua, por nuk është marrë parasysh. Unë kujdesesha për djalin dhe deri atë ditë nuk ishim ndarë kurrë. Djali im ka edhe disa probleme shëndetësore dhe kujdesesha në maksimum për të. Jam e pashpresë. I bëj apel shtetit shqiptar pasi nuk kërkoj asgjë, vetëm të më ndihmojnë të marr djalin”, apelon 32-vjeçarja, e cila është e gatshme që të kthehet të jetojë edhe në Shqipëri vetëm të marrë djalin. Në studio ishte dhe kushëriri i saj që tregoi çfarë i kishte ndodhur 32-vjeçares.

Stafi i emisionit “Me zemër të hapur” në News24, kontaktoi me avokaten për të drejtat ndërkombëtare Natasha Shehu, e cila i dha disa udhëzime përmes telefonit Orjanës por premtoi që do ta ndihmonte falas për të marrë djalin e saj në rrugë ligjore. Avokatja Shehu gjithashtu u shpreh se 32-vjeçares për shkak të martesës me një shtetas italian i takon të marrë dokumentet e qëndrimit, por edhe nëse nuk ndodh në këtë rrugë, Orjana sipas avokates ka të drejtë qëndrimi për shkak të djalit, i cili ka lindur në Itali.

U lidh me punonjësin e ambasadës amerikane, ai zhduket sapo mësoi për shtatzëninë Read More »

“Drejtorët linin nga 4-5 milionë lekë në natë, disa kanë vrarë veten”, si po i shkatërron bixhozi shqiptarët

Mjafton të kalosh në rrugën “Ismail Qemali” që konsiderohet ndryshe edhe ish-Blloku dhe do të hasësh një udhë të mbushur me lloto dhe kazino. Jo vetëm në ish-bllok, por Tirana dhe Shqipëria janë mbushur me bastore, ku shqiptarët hedhin para të pastra në paratë e pista, të cilat pastrohen me të tilla “biznese” kancerogjene për popullatën.

Si pasojë e bixhozit, shumë individë janë shkatërruar dhe kanë marrë në qafë edhe familjet e tyre. Që të mund të mësosh sa i rëndë është fenomeni, mjafton të bisedosh me një person dhe mëson gjithçka se në ç’tmerr e lemeri hyjnë shqiptarët. Pikërisht në ish-Bllok, një meso-burrë tregonte se në Fier, qytetin e tij të lindjes ishte bërë dhe bëhet nami me bastoret, të cilat thithin paratë e familjeve duke i shkatërruar këto të fundit.

“Unë jam nga Fieri. Bashkë me djalin, vite më herët jemi marrë me bixhoz. Llotot janë të këqija, por kazinotë janë edhe më keq. Në ato vite në Fier, mbaj mend se unë dhe djali merreshim me bixhoz. Kemi lënë para pa fund. Linim nga 100 mijë lekë të vjetra, por kishte raste miliona në natë. Jo vetëm ne, por edhe të tjerë persona në qytetin e Fierit. Kishte drejtorë të rëndësishëm në qytet që linin nga 4 – 5 milionë para në natë. Është mikrob, nëse të hyn nuk të del, do luash se s’bën. Kur i humbisnin lekët, kërkonin që t’i paratë e veta dhe zhyteshin edhe më keq. Tmerr kam parë. Disa kanë kryer edhe vetëvrasje, kurse familje të tëra janë shkatërruar. S’të mban gruaja kur merresh me bixhoz”, u shpreh burri.

Ai shton se sa iu takon kazinove, ndërsa jashtë lojtarët kanë më shumë shanse për fitim, në vendin tonë shanset janë shumë të pakta. “Në vendin tonë, nëpër kazino, një shans e ka lojtari, kurse nëntë i ka pronari. Kam qenë në Mal të Zi, në Kroaci dhe atje shanset janë 3 me 10 ose 4 me 10. E kupton se çfarë pabarazie dhe lemerie është këtu”, shpjegoi ai.

Kazinotë vijojnë të jenë prezente në udhët e qyteteve të Shqipërisë, me gjithë premtimin e qeverisë se ata s’do jenë më nëpër rrugë. Ata nuk dërgohen as në ndonjë vend e të grumbullohen diku, siç ndodh jashtë shtetit, por ndodhen të shpërndara, ca këtu dhe ca atje. Raporti më i fundit tregonte se shqiptarët janë duke u shkatërruar si pasojë e problemeve të mprehta sociale të tilla si bixhozi, por edhe droga e fenomene të tjera negative. Llotot dhe kazinotë vazhdojnë të “lulëzojnë” kudo në Shqipëri, duke shkatërruar shqiptarët e thjeshtë e rrënuar ekonomitë tona familjare.

“Drejtorët linin nga 4-5 milionë lekë në natë, disa kanë vrarë veten”, si po i shkatërron bixhozi shqiptarët Read More »

“Lugati”/ Në kafe me xhelatin, në spital me viktimat: Pse Lulzim Basha nuk u foli minatorëve për kupolën mafioze të kromit në Tiranë?!

Xhelati takon viktimat/ Pse Lulzim Basha nuk u foli minatorëve për “biznesmenët e kromit” të lidhur me PD dhe kupolën mafioze të kromit që ndodhet në Tiranë?

Lulzim Basha vizitoi sot ne spital njërin prej të plagosurve në minierën e Bulqizës, teksa shfrytëzoi momentin për të karikuar elektoratin e djathtë që të bëhej gati për të rrëzuar qeverinë.

Dhe Lulzimi është bërë mjeshtër për të shfrytëzuar nga pikëpamja propogandistike ngjarje të tilla të trishtueshme, edhe pse shumica e qytetarëve të këtij vendi e refuzon atë, gjë që shprehet më mirë në zgjedhjet e përgjithshme e lokale, ku Lulzim Basha shkon nga disfata në disfatë.

Minatorët po përballen përditë me vdekjen, por kjo histori nuk fillon tani.

Në tetë vitët që drejtuan demokratët, në minierë nuk u vu dorë për kushtet, u lëshuan licensa shfrytëzimi pa asnjë lloj kriteri dhe ishte vetë PD që krijoi “biznesmenët e kromit”.

Çfarë ishin këta “biznesmenë”? Këta ishin të fortët e zonës, banditë dhe rrugaçë që nën qeverisjen e PD-së morën kontrollin e galerive, duke i shfrytëzuar ato barbarisht aq sa i lanë pa asnjë kusht teknik sigurie dhe u krijuan rrethanat që të ketë aksidente të shumta me pasojë vdekjen.

Po me kë ishin të lidhur këta biznesmenë të kromit?

Natyrisht me zyrtarët e PD-së në Tiranë, deputetë, ministra etj, të cilët merrnin përqindjen më të madhe të fitimeve.

E ndërsa minatorët e thjeshtë merrnin një rrogë modeste sa për të mbajtur “frymën gjallë”, “biznesmenët e rinj të kromit” nisën të mbushnin thasët me para. Llogaritë ishin të thjeshta.

Kur të bëheshin tre thasë me para, dy do të shkonin në Tiranë te shefat e mëdhenj në parlament dhe në krye të institucioneve, ndërsa një thes për të bërë investime në lokale, vila e apartamente në Tiranë dhe në bregdet.

Populli i Bulqizës i di mirë kush janë këta “biznesmenët e kromit” sepse gjysma e tyre, me porosi nga Tirana, u vranë nëpër atentate, aksidente etj, ose “korrën” njëri-tjetrin nga rivaliteti për të pasur sa më shumë galeri nën kontroll.

E ndërsa në bazë bandat bënin namin me njëri-tjetrin, në kryeqytet kupola mafioze e kromit investonte paratë që vinin nga nëntoka e Bulqizës në vila, prona në bregdet, apartamente e lokale.

Me ardhjen e koalicionit të majtë në pushtet situata nuk u përmirësua.

U pakësuan vrasjet e “biznesmenëve të kromit”, por u rrit hajdutëria në nivel ekstrem.

Nisi shfrytëzimi barbar i çdo galerie dhe pike ku kishte mineral kromi.

Pusin qendror e mori më 2013 “Alb Chromi” i Samir Manes, që po shfrytëzon barbarisht sektorin më të pasur në zonën e Bulqizës. U shtuan licensat e shfrytëzimit dhe u vunë në krye të punëve një sërë e re drejtuesish, nga ata që s’të lënë as kockën e të hanë për së gjalli.

400 dollarë toni besohet se është fitimi i kromit të papërpunuar, por marifetxhinjtë dhe mafiozët e kromit në Tiranë, duke shfrytëzuar konjukturën ndërkombëtare që lidhet me këtë mineral të rëndë, kanë ditur të shumëfishojnë të ardhurat, sepse dihet që kromi ka peshë specifike në shumë degë të industrisë metalurgjike, ushtarake e kimike, por edhe në shumë degë të tjera, sepse përbën materialin e parë për prodhimet zjarrduruese.

Që të arrihet realizimi i skenarit, duhet që në këtë konjukturë të futen institucionet më të larta të shtetit, përfshi ministrat, prandaj dhe kromi i ka përlyer të gjithë dhe në të kanë ndyer duart shumica e politikanëve të korruptuar të këtij vendi.

Kalimi i minierës qendrore ne duart e oligarkut Samir Mane, vetëm sa ka rritur shfrytëzimin barbar të minierës dhe të pasurisë nëntokësore në zonën minerale të Bulqizës, ndërsa banorët e thjeshtë të asaj zone shohin të rritet përditë e më tepër mjerimi dhe punëtorët përfundojnë të plagosur e te vdekur thuajse cdo ditë.

Investime për zonën? As që bëhet fjalë, as spitalin nuk e mbajtën dot këta mafiozë, e kanë shkretuar cdo gjë në Bulqizë, një mjek për urgjencën nuk ka, e cfarë mund të pritet tjetër?

Në këto kushte, takimet e Lulzim Bashës me minatorët janë propogandë partiake, sepse njerëzit e Lulit dje dhe sot, janë duke vjedhur për vete kromin e Bulqizës.

Edhe ortakët e tij të LSI-së vjedhin kromin. Të gjithë, pa përjashtim, prandaj historia do t’i ndëshkojë rëndë këta kriminelë me kollare që hanë si të babëzitur pasurinë publike dhe kromi është një pasuri që futet në resurset e papërsëritshme.

Shfrytëzimi barbar i minierës dhe golerive të tjera të kromit në Bulqizë, është një dëm që u bëhet brezave të ardhshëm, prandaj nuk ka ujë të shenjtë  e nuk ka Zot që do të shlyejë mëkatet e maskarenjve./Pamfleti

https://www.facebook.com/lulzimbasha.al/videos/1897759933608512/?t=0

“Lugati”/ Në kafe me xhelatin, në spital me viktimat: Pse Lulzim Basha nuk u foli minatorëve për kupolën mafioze të kromit në Tiranë?! Read More »

Pasuri “sheikësh”, 3 ministrat u grabitën dhe nuk guxuan të denonconin

Politikanët shqiptarë rezultojnë “sheikë” vetëm nga pasuritë e deklaruara, imagjinoni pasuritë e fshehura?! Kanë aq shumë para, saqë edhe kur iu vidhen nu kanë guxim të denoncojnë , për shkak se janë para të pajustifkuara.

Gazetari investigativ, Artan Hoxha, të martën, është shprehur se në vitin 2016 nga grupe shumë të sofistikuar kriminale në Tiranë, brenda 6 muajsh, janë grabitur banesat e tre ministrave.

Hoxha në emisionin ‘Opinion’, deklaroi se para dy viteve në Tiranë janë grabitur tetë banesa dhe mes tyre ishin banesa të drejtuesve të lartë të shtetit, ndërsa u vodhën shuma të mëdha parash.

Ai tregoi se këto grabitje, krijuan idenë se ishte një bandë e sofistikuar grabitësish që kishin informacion të klasifikuar, ose një skuadër policore që kishte informacion për shkak të përgjimeve; informohej se kush nga drejtuesit e institucioneve merrte para dhe ata më pas i grabisnin banesën.

Sipas tij, tre banesat e ministrave që ranë preh e grabitjes nga ky grup, nuk rezultojnë të denoncuara në polici për shkak të shumave që pretendohet se iu janë gjetur të fshehura në banesë nga grabitësit.

Hoxha: Ju kujtohet ai gjyqtari kur i shkoi operacionalja në shtëpi, kishte 300 e ca milion lekë të vjetra në shtëpi. Para dy viteve, brenda 6 muajsh në Tiranë ka ndodhur tetë grabitje, aq sa u krijua ideja se ishte një bandë e sofistikuar grabitësish që kishin informacion të klasifikuar ose një skuadër policore kishte informacion për shkak të përgjimeve se kush po merrte lek nga drejtuesit e institucioneve shtetërore dhe shkonin i grabisnin banesën. Në atë kohë u grabitën banesat e tre ministrave për gjashtë muaj.

Pasuri “sheikësh”, 3 ministrat u grabitën dhe nuk guxuan të denonconin Read More »

Klevis Balliu harron krimet e të atit, u kërkon llogari socialistëve për negociatat

Kur na ndajnë edhe një muaj nga marrja e vendimit pozitiv për hapjen e negociatave, Partia Demokratike thotë se vendi ynë nuk është akoma gati. Deputeti i kësaj force politike, Klevis Balliu të cilin babai i tij e bëri deputet tha se evropianët nuk janë budallenj që të hapin negociatat.

Fjala e Klevis Balliut në mbledhjen e Komisionit të Medias

“Ca pune bëtë, sot keni 150 ditë qe keni ardh në punë.

Çfarë keni bërë? Përvecse keni mbrojt Saimir Tahirin, u munduat të kapni çdo institucion dhe keni kapur drejtësinë.

Asnjë gjë tjetër. Doni ju hapjen e negociatave. Ça i dini ju europianët?

Budallenj janë këta, që ato që nxirrni ju vetë në ERTV, mendoni se do i besojë edhe Europa?

Ka njerëz në PS me background gazetari.

Ka që në 2002 debati për Teatrin, kur u çuan 20 deputetë socialist e dolën kundër qeverisë socialiste.

Kurse sot nuk pipëtin zëri në PS,  sepse nuk drejtojnë as politikanë, as gazetarë, as artiste, por bandida.

Sepse i kanë kapur peng bandat, sepse kanë kapur Edi Ramën, se vëllain e ka të përfshirë me drogë me dosjen e Xibrakës”, tha Balliu.

Klevis Balliu harron krimet e të atit, u kërkon llogari socialistëve për negociatat Read More »

Shkrimi goditës i medias italiane: Skandali, që po dridh qeverinë e Edi Ramës

Mediat italiane shkruajne per skandalin me vellain e ministrit Fatmir Xhafaj dhe protestat që thuhet se kanë trembur qeverinë shqiptare.

“Një skandal në Shqipëri ka lëkundur qeverinë socialiste të udhëhequr nga Edi Rama. Opozita kërkon dorëheqjen e kryeministrit. Kjo për shkak të vëllait të një ministrit të përfshirë në trafikun e drogës me Italinë, kundër sfondit të Tiranës që thotë se është bërë progres në procesin e afrimit me BE-në”. Kështu shkruan Francesco De Palo i Formiche.net.

“Në Shqipëri nuk ka demokraci. Sundimi i ligjit nuk ekziston”. Akuza është e udhëheqësit Basha për qeverinë e udhëhequr nga Rama Vëllai i ministrit të Brendshëm u arrestua në Itali në vitin 2002 dhe u dënua me një dënim shtatë-vjeçar për trafikimin e drogës dhjetë vjet më vonë. Prandaj, opozita shqiptare doli në për të kërkuar dorëheqjen e qeverisë, duke e akuzuar atë për “lidhje me krimin e organizuar”. Turma u nis në drejtim të ndërtesës së qeverisë, më pas policia shpërndau protestuesit, duke mos shënuar incidente.

Agron Xhafaj, vëllai i ministrit, pak ditë më parë shkoi vullnetarisht në Itali për të kryer dënimin e tij, por vijojnë akuzat ndaj ministrit se ka mbështetur vëllanë e tij, pas publikimit të një audio-përgjimi të një korrieri droge.

I njëjti model u ndoq në Rumani një vit më parë me krizën qeveritare edhe nga demonstratat kundër ligjit që mbronte të korruptuarit, pas katër muajsh u rrëzua qeveria.

Shkrimi goditës i medias italiane: Skandali, që po dridh qeverinë e Edi Ramës Read More »

Hetimet për Tahirin, Hajdarmataj dhe Mara në Itali, marrin sot në pyetje 3 të arrestuarit

Prokurori i dosjes Tahiri, Besim Hajdarmataj ka udhëtuar mbrëmjesn e së martës drejt Katanias së bashku me Vladimir Marën dhe do të marrin sot në pyetje 3 të paraburgosurit në institucionit penitenciar të Bicoccas.

Një udhëtim ky që ka për objektiv parësor atë të sigurimit të informacioneve të nevojshme mbi hetimin e nisur në anën tjetër të Adriatikut, që ka lidhje me ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri, i vendosur nën akuzë, e më pas në arrest shtëpiak, për të fituar ditën e sotme sërish lirinë, gjithçka për shkak të kushëririt të tij Moisi Habilaj, të arrestuar dhe nën hetim në Itali.

Habilaj konsiderohet nga Prokuroria e Katanias, si dhe hetuesit e grupit policor të “Guardia di Finanza”-s, si truri i narkotrafikut dhe armëve të zjarrit nga Shqipëria drejt Italisë. Trafik ky që ofronte dhjetëra milionë euro, të cilat do të ndaheshin në të njëjtën tryezë mes shqiptarëve dhe pjesëtarëve siçilianë të “Cosa Nostra”-s.

Hetimi italian, i mbyllur zyrtarisht dhjetorin e shkuar, do të nxjerrë në proces gjyqësor 15 persona, ndërsa seanca e parë është caktuar për më 31 maj. Në disa përgjime, të zbuluara nga media italiane “MeridioNeës”, trafikantët i referoheshin pikërisht politikanit socialist. Një lidhje e supozuar, të cilës i bashkëngjitet edhe një automjet i përdorur nga narkotrafikantët për udhëtime dhe i regjistruar nën emrin e Tahirit, i cili gjithsesi është betuar t’ia ketë shitur një kushëriri tjetër, të po të njëjtës familje, Habilaj.

Ata që do të merren në pyetje nga prokurorët shqiptarë do të jenë edhe Maridian Sulaj dhe Nezar Seiti. Ky i fundit u ekstradua në Itali mes polemikave, pasi u kap nga policia shqiptare në Vlorë. 41-vjeçari, edhe pse pa dëshirën e tij, u bë protagonist në Shqipëri i një njoftimi, i cili rezultoi i rremë, se kishte pranuar të bashkëpunonte me prokurorët e Prokurorisë së Katanias.

Hetimet për Tahirin, Hajdarmataj dhe Mara në Itali, marrin sot në pyetje 3 të arrestuarit Read More »

Lejet e ndërtimit, Lame zbardh “listen e zezë”, apel Bashkisë për dhënien e lejeve

Lame njoftoi se tashmë është bërë gati ‘lista e zezë’ me subjektet që kanë pallate të braktisura apo në ndërtim, e cila do t’i dërgohet çdo bashkie, e me pas subjektet do te penalizohen, me mosdhënie lejesh për ndertim.

Asnje subjekt nuk do te marrë më leje ndertimi, pa mbyllur më parë një ndërtim që ka nisur. Kështu ka deklaruar sot gjatë një konference për mediat, Artan Lame, i cili ka thëne se gjysma e lejeve të dhëna nga bashkitë janë me shkelje.

“Problemi i pallateve të braktisura i ka rrënjët çerek shekulli më parë dhe vazhdon të rëndohet. Për herë të parë një qeveri shqiptare ka filluar ta trajnojë. Janë mbi 1200 objekte të evidentuara dhe në procedura. 102 pallate të legalizuara deri më sot. Në tiranë janë 85 pallate të tjera në procedurë. Në rang republike gjysma e lejeve të dhëna nga bashkitë rezultojnë me shkelje”- tha Lame.

Sipas tij, procesi ka filluar dhe po ecën përpara me mbështetjen e madhe të qytetarëve.

“Janë të shumtë subjektet që vazhdojnë të luajnë se macja me miun’, duke na sjellë vërdallë si institucion. Do fillojmë tu përcjellim bashkive listat e këtyre subjekteve, duke ju kërkuar bashkive që ata të mos pajisen më me leje pa shlyer procesin e legalizimit. Sot do t’i përcillet Bashkisë Tiranë lista e zezë. Bllokimi i këtyre subjekteve do ndihmonte që këta persona të bëjnë sërish dëm, duke marrë të tjera leje ndërtimi”- tha ai.

Lejet e ndërtimit, Lame zbardh “listen e zezë”, apel Bashkisë për dhënien e lejeve Read More »