Aktualitet

Kush e do ‘kokën’ e Llallës? Flet avokati …

Ish-kryeprokurori Adriatik Llalla po hetohet nga Prokuroria e Krimeve të Rënda.

Më 11 maj 2018, Prokuroria e Krimeve të Rënda ka njoftuar zyrtarisht për regjistrimin e çështjes penale për 3 akuza, “shpërdorim detyre”, “mos deklarim në kufi” dhe “deklarim të rremë të pasurisë”, në ngarkim të ish-kreut të organit të akuzës Adriatik Llalla.

Mirëpo, avokati i Llallës, Sokol Hazizaj thotë se nuk ka dijeni se ndaj klientit të tij po zhvillohen hetime.

Në një intervistë dhënë për CNA.al, avokati Hazizaj i pyetur rreth kësaj çështjeje, ka thënë se është i pavëmendshëm ndaj çdo deklarimi apo thënie të pabazuar në prova.

I pyetur nëse ka informacion se kush e kërkon kokën e Llallës, avokati është mjaftuar duke thënë se çdo dëshirë, qoftë dhe si reagim qytetar është rendiment i lirisë së kufizuar që mbart çdo njeri në vetvete.

“Unë nuk di të sqaroj se kush dhe ose qëndron pas dëshirës për arrestimin e tij, pra subjektit që kam në mbrojtje, por, di të them që çdo deshirë, qoftë dhe si reagim qytetar është rendiment i lirisë së kufizuar që mbart çdo njeri ne vetvete. Ndaj unë jam i pavëmendshëm ndaj çdo deklarimi apo thënie të pabazuar në prova”, ka thënë Hazizaj.

Edhe në lidhje me çështjen pasurore, avokati Hazizaj, thotë se nuk ka asnjë informacion të saktë.
“Sa i përket pasurisë së Adriatik Llallës, pohoj se nuk kam asnjë informacion të saktë. Për më tepër kur nuk kam identifikuar nga asnjë institucion ndonjë të dhënë. Për këtë arsye mjafton që media t’i drejtohet ILDKPI-s dhe mund të marrë përgjigje të saktë. Gjithsesi citoj, se akti dorëheqjes s’ka lidhje me posedimin e pronës, por vetëm me të drejtën ligjore dhe kushtetuese.

Sa për katër, tre, dy apo akuza të cituara nga media, ritheksoj se organet e procedimit nuk më kanë bërë me dije për ekzistencën e ndonjë procedimi për dhe mbi emrin e Adriatik Llallës. Nëse më gjeni ndonjë përgjigje, apo gjurmë informacioni të njoftuar prej organeve të hetimit ndaj ndonje media të shkruar apo vizive, jam i gatshem ta administroj”, ka thënë Hazizaj, megjithëse Prokuroria e Krimeve të Rënda ka njoftuar zyrtarisht për hetime ndaj Llallës.

Kush e do ‘kokën’ e Llallës? Flet avokati … Read More »

Prokuroria merr vendimin për “Eskobarin e Ballkanit”, Klement Balili

Prokuroria e Krimeve të Rënda ka zgjatur me tre muaj hetimin për Kelment Balilin, i cilësuar si “Eskobari i Ballkanit”.

Prokuroria i ka dërguar letër-porosi Greqisë për të marrë dosjen e hetimit, duke kërkuar të dhëna nga shëtit fqinj. Në shtetin grek po zhvillohet një gjyq me disa të pandehur, jo vetëm me Balilin.

Balili është shpallur në kërkim ndërkombëtar nën akuzën e Trafikimit dhe kultivimit të lëndëve narkotike.

Prokuroria merr vendimin për “Eskobarin e Ballkanit”, Klement Balili Read More »

Kryeministri sapo na dha lajmin e shumëpritur: Javën e ardhshme nis gjithçka

Kryeministri Edi Rama pas mbledhjes së qeverisë në qytetin e Durrësit, është shprehur se  në këtë mbledhje është miratuar dhe nisja e punimeve për disa rrugë ku më e rëndësishme është rruga e Arbrit.

Rama tha se do të hapet një kantier shumë i madh në rrugën e Arbrit, dhe punimet do të nisin të dielën e ardhshme.

Por ndër të tjera kreu i qeverisë foli dhe për raportin e publikuar nga INSTAT ku thuhet se ishte ulur papunësia.

Pjesë nga deklarata

Shqipëria ka progresin më të mirë në rajon në muajt e fundit. Pavarësisht skepticizmit, dhe në mjegullën e dendur të propagandës, mbetet fakt që papunësia është ulur dhe këtë e thonë INSTAT në mënyrë të pavarur.

Ne jemi në një përpjekje serioze në punësim real, brenda kushteve që janë të vështira, po krijohet një ekonomia ku lajmi I mirë është se janë rritur dhe investimet e huaja me më shumë 60% duke e krahasuar me vitin e kaluar.

Të dielën e ardhme hapet kantieri I parë i rrugës së Arbrit, duke u përmbushur premtimin që kemi bërë në fushatë.

Po ashtu do te këtë dhe kantier te tjera ndërtimi, ku ky vit do të jetë Shqipëria kantier ndërtimi në projektin 1 miliardë.

Kemi nisur dhe rregullimin e rrugës Tiranë-Durrës, dhe objektivi ynë është që të mbyllet në fund të këtij muaji.

Kryeministri sapo na dha lajmin e shumëpritur: Javën e ardhshme nis gjithçka Read More »

Prokurori i dosjeve të ‘nxehta’ i merr kunatit borxh 55 mijë euro, ‘zhytet’ edhe për blerjen e makinës

Në listën me 36 emrave të parë të gjyqtarëve dhe prokurorëve që do të filtrohen nga Vettingu, rezulton edhe emri i prokurorit Ardian Nezha.

Në vitin 2015 me lëvizjet nga ish kreu i prokurorisë, Adriatik Llalla, prokurori Nezha, nga prokuror pranë Prokurorisë për Krime të Rënda, u transferua prokuror pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Pukë.

Me emërimin e Kryeprokurores së Përgjithshme të Përkohshme Arta Marku, më 9 janar 2018, ai u emërua në krye të Prokurorisë së Elbasanit në vend të Dritan Ginës.

Por vetëm pak kohë pasi kishte marrë këtë detyrë, Nezha dha dorëheqjen.

Arsyet e dorëheqjes ende mbeten mister, dhe versionet ishin nga më të ndryshmet.

Në media u raportua se Nezha e ka marrë këtë vendim për shkaqe shëndetësore.

Një tjetër version që u lakua ishte se vendimi për dorëheqjen nuk ishte ashtu siç dukej. Pasi ishte një lëvizje taktike, për të ardhur drejt Tiranës, për një post më të rëndësishëm. Dhe në fakt, versioni i dytë thuajse ka baza për të qenë më i besueshëm.

Besueshmërinë e konfirmoi vetë kryeprokurorja Arta Marku, me emërimin e fundit të Nezhës.

Një javë pasi dha dorëheqjen dhe konkretisht në fillim të muajit prill 2018, ish-kreu i Prokurorisë së Elbasanit, Ardian Nezha, u komandua prokuror në Tiranë, në sektorin e veprave penale kundër jetës.
Gjatë drejtimit të Prokurorisë së Elbasanit, prokurori Nezha ka kryer disa operacione, siç janë rasti i arrestimit të zyrtarëve të Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve, arrestimi i grupit të tritolit e të tjerë.
Ndër vite, Nezha ka pasur në hetim dosje të rëndësishme, ku një prej të cilave është ajo e “bandës së tritolit”.

Kjo është ana profesionale, e prokurorit Nezha, ndërsa edhe CV-ja ekonomike e tij, duket e pasur. Nezha ka kursyer nga puna nga Prokuroria në Prokurori.

CNA.al sjell pasurinë e prokurorit Nezha, ku të bie sy huaja prej 55.000 euro që sipas tij e ka marrë nga baxhanaku për të blerë një apartament, dhe huaja prej 5000 euro që thotë se ia ka marrë vëllait për të blerë një makinë.

Baxhanakët, kunetërit, kushërinjtë, motrat dhe vellezërit e gjyqtarëve dhe prokurorëve meritojnë një falënderim të madh, ndoshta duhet të shpallen edhe qytetarë nderi, që nuk i kanë lënë të vuajnë, por u kanë dhënë “borxhe”, për të rregulluar mirëqenien.

Fëmijët prokurori ka zgjedhur ti shkollojë në institucione arsimore private, por që e justifikon me llogaritë e deklaruara.

Pasuria e deklaruar nga prokurori Ardian Nezha

Llogari depozitë në lek dhe balancë kreditore krijuar me dt 31.07.2012 dhe gjendja me dt 20/10/2016, në vlerën 2 300 000 lekë.

Llogari Depozite në lek dhe balancë kreditore krijuar me dt 02.04.2014 dhe gjendja me dt 20/10/2016, në vlerën 617 000 lekë.

Burimi i krijimit: Të ardhura nga paga si Prokuror në Prokurorinë për Krime të Rënda Tiranë 2009-2015.

Llogari page, gjendja me dt 30.12.2016 , në shumën 426 500 lekë.

Burimi i krijimit: Shuma 1.307.366: Të ardhura nga paga ime si Prokuror në Prokuroinë Pukë 2015-2016
Depozitë emërtuar si Fond investimesh krijuar me dt 17.09.2012 dhe gjendja aktuale me dt 09.01.2017 , është në shumën 1 437 800 lekë.

Burim i krijimit: Kursime periodike të siguruara nga të ardhurat nga paga e bashkëshortes si specialiste pranë Z.V.R.P.P Tiranë nga viti 2007 -2014 .

Llogari page në emër te bashkëshortes Albana Nezha në shumën 348.000 lekë.

Burimi i krijimit: Shuma 638.759 leke, të ardhura nga paga si specialiste ne ZVRPP Tiranë për vitin 2016.

Të ardhurat neto nga paga ime vjetore, si Prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së shkallës së parë Pukë për periudhen Janar —Dhjetor 2016 të dokumentuara me border. Shuma bruto 1.676.970 lekë. Shuma neto në vlerën 1.307366 lekë.

Te ardhurat neto nga paga e bashkëshortes Albana Nezha si Inspektore pranë Zyrës së Rregjistrimit të Pasurive të Palujtshme ZRPP, në Tiranë për periudhën Janar — Dhjetor 2016. Shuma bruto 780.950 lekë. Shuma neto në vlerën 638.759 lekë të reja.

Detyrim ndaj shkollës Jo Publike 9 vjeçare `”‘Ylber”‘ në 70.000 lekë, në fshatin Mëzez Tiranë, per arsimimin e vajzës në klasën e 4dhe 5 pranë kesaj shkolle për periudhen Janar- Qershor 2016 dhe Shtator- Dhjetor 2016.

Detyrim ndaj shkollës Jo publike “Tirana Jonë” në qytetin e Tiranës për arsimimin e djalit, për periudhën Janar – Dhjetor 2016 , në shumën 100.000 lekë.

Detyrim ndaj shtetasit “baxhanaku” im të cilit i kam huazuar me kontratë huaje në vitin 2011 shumën prej 55.000 euro për blerjen e apartamentit

Detyrim ndaj vëllait tim, të cilit i kam marrë borxh shumën 5000 euro me dt 11.06.2015 për të blerë automjetin Opel Antara shtetasit.., për shumën 3500 Euro. Këto para vëllai i ka siguruar nga shitja e automjetit te tij me dt 29.05.2015

Llogari page, në emrin tim personal Albana Nezha, në shumën 348.000 lekë.

Burimi i krijimit: Shuma 638.759 lekë të ardhura nga paga si specialiste ne ZVRPP Tiranë për vitin 2016
Depozite Raiffeisen Prestige emertuar Fond investimesh krijuar me dt 17.09.2012 dhe gjendja aktuale me dt 09.01.2017

Përveç pagës vjetore nuk kam asnjë burim tjetër të ardhure. Paga nga puna është 638.759 lekë.
Kursim për djalin në vlerën 500 euro.

Prokurori i dosjeve të ‘nxehta’ i merr kunatit borxh 55 mijë euro, ‘zhytet’ edhe për blerjen e makinës Read More »

Situata alarmante e rendit, Fatmir Xhafaj mbledh prefektët

Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj ka mbledhur sot në qytetin bregdetar të Durrësit Prefektët, drejtuesit kryesorë të Policisë së Shtetit në Drejtorinë e Përgjithshme, Drejtoritë Vendore dhe Komisariate.

Postimi i plotë i Ministrisë së Brendshme në Facebook

Ministria e Brendshme bën me dije se çështjet kryesore që u diskutuan gjatë takimit ishin:

– Mbarëvajtja dhe masat për sezonin turistik;

– Lufta kundër kanabisit, i cili mbetet një prioritet i qeverisë nën moton “Zero tolerancë”;

– Nisma “Policimi në Komunitet” që po vijon me llogaridhënien e policisë përballë qytetarëve.

Duke u ndalur në sezonin turistik, ministri Xhafaj theksoi se pritshmëritë e qytetarëve, turistëve dhe operatorëve turistikë janë të mëdha.

“Edhe interesi është shumë i lartë i operatorëve, vendas, të huaj në këtë fushë, por edhe pritshmëria e njerëzve të thjeshtë, e qytetarëve që presin një shërbim shumë më të mirë, është shumëfish më e lartë, çfarë nënkupton më shumë përgjegjësi për ne. Sivjet mbështetur në një përvojë shumë të mirë analizën e së cilës ne e kemi bërë në nëntor të 2017, për çfarë kemi pasur problematika gjatë sezonit të kaluar dhe reflektimet përkatëse, do të mund të na ndihmojnë që të mund të reflektojmë më mirë dhe të japim parametra shumë më të lartë qetësie dhe sigurie tek qytetarët dhe të gjithë operatorët turistikë në këtë sezon”, nënvizoi ministri Xhafaj.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu u kërkoi drejtuesve të Policive Vendore dhe shefave të komisariateve të jenë të vendosur për të zbatuar oraret dhe kufizimet e vendosura nga pushteti vendor për të mos lejuar ndotjen akustike.

Ai dha porosi të veçanta për Policinë Rrugore, për të menaxhuar trafikun dhe minimizuar aksidentet.

Drejtori Veliu gjithashtu kërkoi angazhim më të madh të Policisë për të shmangur ngjarjet me pasoja të rënda në det.

“Për sa i përket pjesës së kufizimit dhe rritjes së sigurisë në ujë, për sa i përket kufizimeve që duhet të bëjmë në hapësirat apo në pjesët ku janë përcaktuar për plazhe, qofshin këto publike apo private, duke mos lejuar qarkullimin e mjeteve motorike, qofshin gomone, skafe të vegjël apo motorë uji, me qëllim parandalimin e ngjarjeve aksidentale” u shpreh drejtor Veliu.

Zv.drejtorja e Përgjithshme e Policisë së Shtetit Aida Hajnaj bëri një prezantim të detajuar të paketës së masave të marra nga policia për mbarëvajtjen e këtij sezoni.

“Për të përballuar me sukses këtë sezon turistik u bë një studim dhe përcaktim i plazheve me qëllim përcaktimin e risqeve në drejtim të sigurisë. Është bërë planifikim i punonjësve të policisë, mjeteve dhe pajisjeve shtesë; ngritja e 5 stacioneve provizore të policisë; përforcim i shërbimeve të Policisë me shërbime të Ndërhyrjes së Shpejtë; dhe shtimi i sporteleve për pikat e të gjitha hyrje-daljet në pikat kufitare”, shtoi ndër të tjera Hajnaj.

Situata alarmante e rendit, Fatmir Xhafaj mbledh prefektët Read More »

Gjykata e Tiranës ndryshon masën e sigurisë për dy të rinjtë që i morën jetën Marvi Mihalit për një karikues celulari

Marsel dhe Kridens Alla, dy të rinjtë që i morën jetën 22-vjeçarit Marvi Mihali për një karikues celulari do të mbeten në burg, ndërsa për Eugen Bitrajn është vendosur masa e ‘’detyrimit të paraqitjes’’. Ky është vendimi i fundit që ka dhënë ditën e sotme Gjykata e Tiranës.

Vetëm pak kohë më pare prokuroria vendosi të merrte vendimin që nuk pritej duke liruar nga burgu tre personat e dyshuar duke lënë në qelinë e burgut vetëm njërin prej tyre, Dejvi Bitrajn. Por ditën e sotme dy bashkëpunëtorët e këtij të fundit janë kthyer në burg duke vendosur që të hetojë në gjendje të lirë vetëm Eugen Bitrajn.

Vrasja

Mësohet se mes të rinjve të konfliktuar ka pasur një debat mes 19-vjeçarit Dejvi Bitraj dhe Marvi Mihalit (viktima) dhe kushëririt të këtij të fundit. Më pas, sherri ka percipituar pasi Dejvi Bitraj ka thirrur në ndihmë kushëririn e tij, Eugen Bitraj, 24 vjeç, i cili ka shkuar bashkë me 3 shokë të tjerë.

Pasi kanë rrahur Marvin në rrugicën para lokalit, Dejvi Bitraj, e ka goditur me thikë në zemër duke i çarë aortën e zemrës. Marvin Mihali ndërroi jetë disa minuta më pas në spital.

Gjykata e Tiranës ndryshon masën e sigurisë për dy të rinjtë që i morën jetën Marvi Mihalit për një karikues celulari Read More »

Anija shqiptare “Butrinti” shpëton një gomone me 36 emigrantë në bord

Anija shqiptare “Butrinti” në bashkëpunim me rojën bregdetare turke e greke shpëtuan në detin Egje një gomone me 36 persona në bord , 12 prej të cilëve fëmijë dhe 15 gra.

Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka bën të ditur se “anija “Butrinti po vijon punën e mirë të simotrës së saj “Oriku”, në detin Egje”.

“36 emigrantët e nisur nga brigjet turke iu dorëzuan rojës bregdetare greke për të vijuar procedurat në ishullin Kios”, shprehet Xhaçka.

Në prill të 2017 anija “Oriku” shpëtoi në detin Egje 51 persona, nga të cilët, 17 gra, 12 fëmijë dhe 22 burra që ndodheshin në një gomone.Gomonia ishte nisur nga brigjet e Turqisë drejt brigjeve greke./ATSH

Anija shqiptare “Butrinti” shpëton një gomone me 36 emigrantë në bord Read More »

Turistët francezë e gjejnë fundjavën në Divjakë /Foto

Fundjavat e kanë kthyer Parkun Kombëtar të Divjakës në një vend shlodhjeje dhe vëzhgimi për vizitorët vendas dhe të huaj.

Këtë fundjavë, ky park u vizitua nga një grup turistësh që vinin nga Norvegjia dhe Franca.  Administratorët e parkut konfirmojnë se janë të shumtë ata që vijnë këtu në fundjavë nga vendet europiane dhe vëzhgojnë natyrën e egër.

Tashmë, jemi në fillim-verën e këtij viti  dhe flora që mbulon këtë park është harlisur në bukurinë e saj të gjelbër. Peizazhi bëhet shumë piktoresk dhe tërheqës.

Shpendët ujorë janë gjallëruar dhe tërheqin vizitorët kuriozë. Flamingot japin shfaqjet e tyre mëngjesore dhe në mbrëmje trazojnë lagunën.

Turistë të shumtë vijnë në këtë park dhe vëzhgojnë nga afër lëvizjen e tyre dhe të shpendëve të tjer ujorë. Këtë fundjavë ata mbërritën nga Norvegjia e largët dhe Franca  për të vëzhguar  nga afër gjallesat e lagunës së Karavastasë.

Stafi drejtues i parkut i priti dhe i shoqëroi me njohës të natyrës, historisë së zonës si dhe me biologë kompetentë që u folën për faunën dhe florën që gjendet në këtë park, duke e komentuar atë në disa gjuhë për turistët e shumtë që erdhën këtë fundjavë. Në park janë hapur shtigje te reja për lëvizjen turistike si dhe janë ngritur qendra vëzhgimi të shpendëve. Një tjetër investim është dhe stacioni  i varkave që shëtisin turistët në lagunën  ujore.

Një prej këtyre investimeve që pritet të ofrojë argëtim, krahas plazhit të bukur dhe natyrës përrallorë të Divjakës, është edhe kulla e vrojtimit e ndërtuar në park, e cila të lejon të shikosh mbi pishat e larta të parkut./ATSH

Divjaka është e bukur në të kater stinët.

   

   

  

Turistët francezë e gjejnë fundjavën në Divjakë /Foto Read More »