Aktualitet

Jo gjithmonë lajmi i mirë nuk është lajm …

Shënime pas një fundjave si të tjerat…
Darka zbret e butë mbi gjirin e Vlorës, teksa shetitorja e re e qytetit nis të shpalosë spektaklin e saj të dritave. Mijëra njerëz nisin të mblidhen si milingonat nga të gjitha drejtimet, sa në lulishtet, lokalet, stolat apo këndet e shumta të lojrave të Lungomares, këtij projekti që ka bërë të flitet shumë, por që i ka ndryshuar një herë e mirë pamjen qytetit më të madh turistik të Shqipërisë. Gjithçka i ka ndarë e polarizuar opinionet, qendrimet dhe përshtypjet që ky projekt tetë milion eurosh provokoi kur nisi të ndërtohet dy vjet më parë. Kostot, pluhuri i kudondodhur, ana estetike dhe cilësia e punimeve – të gjitha u kaluan në lupën e rreptë të rrjeteve sociale, medias në Tiranë dhe politikës. Sot, kur projekti duket i përfunduar, zhurma ka rënë dhe njerëzit kanë mbushur hapësirën e madhe të bregut vlonjat. Një triumf i paqtë i ligjësive të jetës mbi përjetimet dhe emocionet skizofrenike të momentit.

Shumë kilometra para se të hysh në hinkën urbane që të çon drejt Lungomares, rruga drejt Vlorës të ofron një pamje të kundërt. Atë të një projekti tjetër, kësaj rradhe të papërfunduar, ku çdo ditë të javës, në verë por dhe në dimër, sfidohen nervat e disa mijëra shoferëve, kalimtarëve e turistëve të huaj e shqiptarë. Është unaza e Fierit, Bypass-i i Fierit, siç kanë mësuar t’ja thonë tashmë emrin edhe fëmijët e të moshuarit. Një hark asfalti dhe betoni prej pak kilometrash, mbi të cilin mbeten të ngrira vështrimet dhe shpresat e gjithë industrisë së re shqiptare të turizmit. E ndodhur në tre të katërtat e rrugës nga Tirana në Vlorë, kjo hallkë, ndoshta më e dobëta e infrastrukturës kombëtare, e krahasuar me shkëlqimin e Lungomares, shënon anën tjetër të medaljes shqiptare. Një realitet ku ekstremet, paradokset dhe të kundërtat shiten që të gjitha për normalitet. “Bussines as usual”, ose për ta përkthyer e perifrazuar me pak fantazi në shqip “gjithçka mund të ndodhë, jetojmë në Shqipëri”!

Qeveria Rama ka hyrë në vitin e saj të pestë. Të parin qëkurse tepsia kaloi e gjitha nga njëra anë e kandarit të pushtetit. S’ka më as LSI, as Ilir Metë. Çka do të thotë se edhe presioni e kërkesat në profilin e Facebook-ut të Edi Ramës marrin çdo mëngjes nuanca gjithnjë e më të forta. Gjithfarë ankesash, ironish dhe deri akuza e sharje, të cilave kryeministri duhet t’u përgjigjet në një farë mënyre.

Qeverisja e dytë e Edi Ramës i ngjan sot autostradës Tiranë-Durrës. Gjysma e segmentit, deri në kthesën që merr për në aeroportin e Rinasit, është e shtruar rishtas, e vijëzuar dhe me ndriçim. Ashtu siç duhet të jetë një autostradë e standartit europian normal. Pjesa tjetër nga Kashari në Durrës është ndërkaq një rrugë fshati, më shumë sesa një arterie e madhe kombëtare. Pas vitesh durimi, më në fund udhëtarët po shohin sesi edhe ky segment po asfaltohet.

Në pesë vjet drejtimi të shtetit, Rama ja ka dalë të nisë disa reforma të mëdha, të avancojë konturet e disa ndryshimeve në punën e sjelljen e administratës, të premtojë dhe t’i mbajë ose jo premtimet, duke vendosur në vitrinë jo pa dredhi një bilanc, ku të mirat i konsideron të vetat dhe të këqiat ja “faturon” tepsisë (kupto LSI-së)! Kjo lëkurë leopardi që sot është bilanci zyrtar i Rilindjes, pasqyron dukshëm konsumin dhe vitet, por nëse ka një oaz suksesi që ende vijon të meritojë më shumë lëvdata se akuza e përbuzje, janë ndryshimet që kryeministri shqiptar ka sjellë në qendrat e mëdha dhe të vogla urbane të vendit.

Këto projekte të grupuara në termin “Rilindja urbane”, kanë ndryshuar sot faqen e shumë qyteteve të degraduara deri në dhimbje, duke krijuar atmosferë, jetë nate, rivlerësuar pronat, bizneset e banesat, si dhe kanë tërhequr turistë në cepat më të pamendueshëm të vendit. Kinezë në Korçë, francezë në Pogradec, gjermanë, çekë e Sllovakë në Theth e masivet malore, pa llogaritur qytetet bregdetare që po nisin t’i përshtaten turizmit “shumëkombësh”.

Ishte e paimagjinueshme që të shihje bregun e liqenit të Belshit me shetitore të rregulluar, ndriçim nate dhe me banorë që shetisin fëmijët mes stolave dhe barit. Ishte gjithashtu e pamundur ta imagjinoje ndryshe Himarën apo Qeparoin, përveçse me kaosin e kafeneve të shëmtuara dhe makinave që të merrnin frymën dimër e verë. E vështirë ka qenë t’i konsideroje qytete Prrenjasin, Kukësin, Urën Vajgurore, Rrëshenin e Kavajën pas vitit ’97, ashtu siç konsideroheshin fshatra të harruara Libohova, Petrela etj. Mbi 500 projekte deri tani në të gjithë hartën e Shqipërisë. I gjithë ky dispozitiv i ri arkitekturor përbën vitrinën më të dëshëruar të turizmit të ri shqiptar, që po mundohet të joshë të huajt jo vetëm me çmimet e lira dhe plazhet e bukura, por edhe me qytetet e fshatrat ku nuk ka vetëm pisllëk, papunësi dhe degradim.

Fjetinat gjigande, qytetet e trashëguara nga socializmi dhe të rrënuara më pas nga tranzicioni shkatërrimtar mbi 20 vjeçar, sot kanë të paktën një qendër, një bulevard a një kompleks godinash që i ka shkëputur “me dhunë” nga mizerabiliteti dhjetravjeçar, ku qendrat e lokaliteteve gëlonin nga qentë rrugaçë dhe autobusët që gjithmonë niseshin për diku! Dhe ky është një vizion me të cilin Rama, përtej të gjitha kritikave, gabimeve, akuzave e rrudhjeve të buzëve të rastit, i ka dhënë udhë një transformimi të dukshëm, një etape të re të evolucionit urban në Shqipëri.

Nuk është e rastit që nga i gjithë pesëvjeçari i qeverisjes së deritanishme, kryeministrit aktual me gjasë do t’i mbahen mend më së shumti punët që bëri në kufinjtë gjeografikë të një qendre urbane, një lagjeje historike apo një sheshi të njohur të një qyteti. Instiktivisht Edi Rama i është rikthyer, jo pa shkaktuar debate e dyshime tek kundërshtarët, petkut të vjetër të kryebashkiakut, duke treguar fokus dhe ndjeshmëri për qendrat urbane në të gjithë vendin. Instiktivisht, edhe Linda Rama, bashkëshortja e kryeministrit, një grua që i ka qëndruar në distancë me klas dhe dinjitet mishmashit politik ku ndodhet përditë i shoqi, shprehej se fundi në një emision televiziv se ajo që do mbahet mend gjatë nga qeverisja e Ramës, do të jenë qendrat urbane të transformuara. Një konstatim “cerebral” dhe i vetvetishëm i kujtdo që e njeh mirë të shkuarën dhe të tashmen e Edi Ramës si politikan, si artist dhe si njeri.

Në fund të dekadës së parë të mijëvjeçarit të ri Tirana e kishte marrë statusin e qytetit që ecte me shpejtësi të ndryshme nga pjesa tjetër e vendit. Rilindja urbane po tenton ta mbushë këtë humnerë zhvillimi dhe rigjallërimi ekonomik e social. Një anomali historike e cila është në sytë e të gjithëve, me përjashtim të asaj pjese të medias dhe politikës që shohë gjysmën bosh të gotës për interesat dhe hallet e saj. Në këtë prag-Botërori dhe fund-sezoni politik, kjo zhurmnajë bëhet edhe më e vështirë për t’u duruar. Ky nuk është një vend normal, ka një mijë probleme e kriza. Por ja vlen të hapësh sytë e të shohësh gjithçka normale që shfaqet diku në këtë faqe dheu që na ra për pjesë. Jo gjithmonë lajmi i mirë nuk është lajm…

Skënder Minxhozi

Jo gjithmonë lajmi i mirë nuk është lajm … Read More »

Nëna e vrarë, babai në burg/ Gjyshi i 6 jetimëve nga Durrësi bën kërkesën prekëse

Ndërhyrja e Shërbimeve Sociale për jetimët e Ardjana Shahollit, deri më tani është inekzistente. Gjyshërit e moshuar të tyre bëjnë apel për ndihmë, pasi ata jetojnë në kushte mjaft të vështira dhe pa asnjë mbështetje.

Babai i Çlirim Shahollit, 81- vjeçar, Zaim Shaholli, ka marrë përsipër kujdestarinë e gjashtë fëmijëve të mbetur jetimë dhe deklaron se nuk do të dijë asgjë për Çlirimin, që e konsideron një ish-kryefamiljar të padenjë. Aktualisht fëmijët e mitur të çiftit Shaholli ndodhen në një kamp në Golem, gjë të cilën ua kishte siguruar për bamirësi një shoqatë para se të ndodhte krimi.

Ata ende “shijojnë” plazhin në kamp, pa e ditur se kur të kthehen në banesë nuk do të gjejnë më asnjërin prej prindërve të tyre. Ndërsa dy fëmijët më të rritur po përpiqeshin të ndihmonin familjen për të dalë nga skamja, duke gjetur punë. Ata janë ndodhur në punë në momentin kur ka ndodhur krimi i rëndë në familjen e tyre.

Sipas Zaim Shahollit, ka qenë pikërisht vajza e madhe, e cila kur është kthyer nga puna e ka gjetur të ëmën të përgjakur. Tentativa për ta dërguar në spital ka qenë e kotë pasi sipas tij, Ardjana kishte ndërruar jetë.

Mes lotëve Zaim Shaholli u shpreh:

U bëjmë apel të gjitha shoqatave të bamirësisë, kush të ketë mundësi ta na ndihmojnë. Jemi shumë të varfër.”

Ai kishte shkuar të mblidhte bimë mjekësore në fshatin e tij, pasi familja ishte me 10 anëtarë dhe kishin vështirësi të shumta financiare. Në kushtet kur i biri nuk punonte, atij bashkë me Ardjanën i është dashur të luftojnë për të ushqyer të gjithë familjen dhe madje për ta mbajtur atë të bashkuar.

Ndonëse sipas tij i biri nuk ishte i denjë për kryefamiljar, e shoqja nuk kishte bërë asnjë tentativë për të ikur prej tij e njëherazi edhe dhunës së përhershme. Dy ditë më parë Ardjana u përcoll në banesën e fundit, ndërsa halla e saj deklaroi se mbesa e saj kishte jetuar gjithnjë nën dhunën e të shoqit.

“Dyshoja se bashkëshortja më tradhtonte me pronarin e rrobaqepësisë ku punonte. Ky ishte shkaku, për të cilin nisi konflikti mbrëmjen e ngjarjes”. Kështu është shprehur 42-vjeçari para togave të zeza për vrasjen e bashkëshortes së tij, Ardjana Shaholli, para se gjykata të vendoste masën e sigurisë “me burg pa afat” ndaj tij.

Nëna e vrarë, babai në burg/ Gjyshi i 6 jetimëve nga Durrësi bën kërkesën prekëse Read More »

Ngrihen qendrat shëndetësore në plazhet e Vlorës

Ndonëse fluksi i pushuesve nuk ka nisur akoma në bregdetin tonë, por në Vlorë qendrat shëndetësore janë hapur. Aktualisht aty po u jepet ndihmë banorëve përreth dhe mjekët presin fluks në fillim të muajit Korrik.

Edhe pse ende nuk ka fluks nga 1 Qershori në Vlorë nisi funksionimi i qendrave shëndetësore në plazhin e vjetër dhe në plazhin e ri. Ato do të jenë të hapura 24 orë dhe të pajisur me aparatet e emergjencës.

Aktualisht në këto qendra nuk ka patur kërkesa për shërbim nga turistët. Por banorë të lagjeve përreth po.
Qendra shëndetësore e Plazhit të Vjetër, por edhe në zonën e plazhit të ri është e pajisur me të 52 llojet e barnave dhe 25 artikuj materialesh mjekësore. Përveç këtyre qendrave në bregdet do të ketë edhe urgjneca të lëvizshme për t’u ardhur në ndihmë të pushuesve.

Bluzat e bardha presin që fluksi të shënohet në fillim të Korrikut. Nga përvoja e sezoneve të kaluara ka patur shumë pushues e turistë që kanë kërkuar ndihmë mjekësore.

Ngrihen qendrat shëndetësore në plazhet e Vlorës Read More »

U pezulluan nga detyra, çifti Gashi- Gina ‘përplasen’ me Arta Markun në KPA

Çifti i prokurorëve Dritan Gina dhe Rovena Gashi kanë ankimuar në Kolegjin e Posaçëm të Apelimitvendimin e Arta Markut që i pezulloi ata nga detyra për shkak të refuzimit të deklarimit të pasurisë.

KPA ka marrë në shqyrtim ankimimin dhe ka vendosur shqyrtimin e çështjes. Trupa e KPA do të përbëhet nga gjyqtarët Luan Daçi dhe Rezarta Schuetz, ndërsa relatore e çështjes është caktuar Ina Rama, ish-kryeprokurore e Republikës. KPA ende nuk ka caktuar një datë se kur çifti i prokurorëve do përballen në një tjetër hallkë të drejtësisë me kryeprokuroren Arta Marku.

Kryeprokurorja Arta Marku vendosi në 14 maj pezullimin nga detyra të prokurores Rovena Gashi dhe të bashkëshortit të saj Dritan Gina. Çifti i prokurorëve u pezulluan pasi sipas Prokurorisë ata janë marrë të pandehur për refuzimin të deklarimit të pasurisë.

Njoftimi i KPA:
Në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, më datë 17.05.2018, është paraqitur ankimi me palë ankuese znj.Rovena Gashi dhe z. Dritan Gina, me objekt: “Anulimin e vendimit nr. 140, datë 11.05.2018 të Prokurores së Përgjithshme të Përkohshme Arta Marku dhe anulimin e vendimit nr.141, datë 11.05.2018 të Prokurores së Përgjithshme të Përkohshme Arta Marku etj.”.

Në datën 24.05.2018 u hodh shorti për caktimin e relatorit dhe anëtarëve të Kolegjit të shqyrtimit paraprak:

Sipas shortit, rezultojnë të jenë anëtarë të Kolegjit të shqyrtimit paraprak:

Gjyqtar Luan Daci
Gjyqtar Rezarta Schuetz
Relator i çështjes: Ina Rama

U pezulluan nga detyra, çifti Gashi- Gina ‘përplasen’ me Arta Markun në KPA Read More »

Çfarë e lidh Salianjin me Kukësin? Ku ndodhet Flamur Noka?

Deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji ka qënë dje në Kukës, në një aktivitet për vendosjen e bustit të poetit Havzi Nela, i cili më 10 gusht të vitit 1988, u ekzekutua me varje në mes të qytetit të Kukësit.

Nëpërmjet deputetit të skandalit erotik, ne mësuam se Ervin Salianji kishte qënë dje në Kukës për vendosjen e bustit të Havzi Nelës.

“Lyeu thonjtë me një rozë të ëmbël dhe mori hov drejt ngjarjeve të mëdha. U nis në përurimin e shtatores së Havzi Nelës. Ai ishte poet disident, ndërsa Salianji deputet disident “.

Në një postim në faqen e tij në rrjetet sociale, Saliani shkruante se “Sot për Kukësin dhe gjithë Shqipërinë është një ditë e veçantë dhe e rëndësishme, sepse me vendosjen e bustit të disidentit Nela, shoqeria vendos edhe një gur në përmendoren historike që ende duhet ti ndërtohet Havzi Nelës.”

Dje deputeti i skandalit erotik vlerësoi figurën e Havzi Nelës, dhe nuk e kuptoi që njerëzit duan monumentin e Salianjit.

Por, ajo që na bëri përshtypje ishte mungesa e Flamur Nokës.

Dhe natyrshëm lind pyetja, çfarë do Ervin Salianji në Kukës?

Sepse së pari, nuk është deputet i qarkut të Kukësit.

Së dyti nuk drejton Departamentin e të Përndjekurve Politik.

Dhe së treti dje në PD kishte një eveniment të madh, siç ishte ditëlindja e Lulit, dhe Ervini nuk mund të mungonte në atë event.

Ne fillimisht dyshuam se kishte bojkotuar ditëlindjen e Lulzim Bashës, por nuk ishte ashtu. Ervini ka shkuar në Kukës, i dërguar kuptohet nga Lulzim Basha.

Por, pyetja që lind është kush e ka dëbuar Flamur Nokën nga Kukësi?

Deputeti që ka kryesuar listën e qarkut të Kukësit, Flamur Noka nuk ishte në këtë aktivitet, por shkoi Salianji.

Kush e ka dëbuar Flamurin nga Kukësi është pyetja që kërkon përgjigje./ CNA

Çfarë e lidh Salianjin me Kukësin? Ku ndodhet Flamur Noka? Read More »

Të pathënat e mesazhit të Saimir Tahirit: kë do të rrëzojë ish-ministri në PS?

Ka kaluar në heshtje mesazhi i djeshëm i ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, me rastin e 27- vjetorit të Partisë Socialiste.

Pak u komentua, megjithëse ai mesazh ishte një sinjal i qartë politik dhe pa ndonjë kodim shumë të komplikuar. “Ka plot te tjere qe kane pare e shohin keq e me keq ama. E ndoshta as flasin dot. Por dikur, do ringrihemi! Heret, me shume se vone. Per gjithcka nuk beme dot, e gjithcka duhet te bejme per te mos u perkulur para padrejtesise.

Per te dobtin qe do ze, te varfrin qe do nje shans, te mundurin qe do drejtesi, te pastrehun qe do shtepi, te papunin qe do pune, te aftin qe do merite, te gjithe ne Shqiperine tone, 27 vjet jane mjaftueshem per te kuptuar ku do hedhim kemben e rradhes”, theksonte Tahiri

Një mesazh më i qartë sa më s’bëhet” i ish-ministrit të Brendshëm vetëm se ka shpallur aksionin e radhës politik: Do të udhëheqë të gjithë ata që e ndjejnë veten të shmangur nga kasta e sotme e qeverisjes së Edi Ramës brenda PS-së. Dhe nuk janë pak, por sesa seriozisht dhe sa forcë do të ketë Tahiri, këtë do ta tregojë koha…Pamfleti

Të pathënat e mesazhit të Saimir Tahirit: kë do të rrëzojë ish-ministri në PS? Read More »

Nëse jetoni në shtëpi me qera duhet të përgatiteni mirë dhe të merrni masa si do ja bëni sepse shumë shpejt do ju dyfishohet fatura

Të gjithë individët që shfrytëzojnë shtëpitë, apartamentet apo çdo lloj ambienti të tyre për t’i dhënë me qira, tashmë duhet të deklarojnë të ardhurat e përfituara prej tyre.

Njoftimi është bërë Drejtoria e Përgjithshme të Tatimeve sipas të cilës “përfituesi i të ardhurave (pronari i shtëpisë dhe apartamentit) është i detyruar që të paguajë tatim në burim në masën 15% të të ardhurave.”

Pavarësisht se deklarimet bëhen vullnetarisht, pronarët duhet të regjistrohen dhe të paguajnë tatimin jo më vonë se data 20 e muajit të ardhshëm.

Nga ana tjetër, duke qenë se kërkesa për qira është rritur ndjeshëm dy vitet e fundit dhe popullsia e Tiranës, e cila shtohet me rreth 20 mijë banorë të rinj vit, tatimi i ambienteve të lëshuara me qira mund të përkthehet në rritje të çmimit të qirasë.

Në zonat e preferuara qiratë variojnë nga 300 deri në 500 mijë lekë të vjetra, por nga ana tjetër rroga minimale vijon të jetë 220 mijë lekë të vjetra, gjë e cila thelluar ngërçin dhe e bën të pamundur rritjen e fuqisë blerëse të apartamenteve.

Edhe pse shumë shpejt mund të kemi rritje të çmimit të qirasë, kushtet e tyre zakonisht janë mjerisht skandaloze dhe shpesh të pabanueshme.

Nëse jetoni në shtëpi me qera duhet të përgatiteni mirë dhe të merrni masa si do ja bëni sepse shumë shpejt do ju dyfishohet fatura Read More »

E pazakontë, mjeku neurolog e jep të gjithë pasurinë e tij për spitalin e Fierit

Mjeku neurolog Roel Zoga, i cili punoi për disa vjet në spitalin Rajonal të Fierit, ka lënë një trashëgimi shumë të pasur në pavionin ku punoi.

Ai për disa vjet ka shpenzuar paratë e tij duke rregulluar komplet katin e tretë të godinës së spitalit. Përfshirë korridorin, dhomat e pacientëve, banjot, mensën e ngrënies, dhomën e mjekut roje etj.

“Teksa i kemi parë këto ambiente, kemi pyetur infermierët të cilët ndodheshin në punë në atë moment dhe na kanë treguar se këto rregullime i ka bërë mjeku pasionant Roel Zoga, i cili gëzonte respektin e të gjithëve.

Ata na treguan se mjeku Zoga, i ka financuar këto punime pak e nga pak, sa herë merrte rrogën ai bënte diçka në katin e tij të punës.

Por t’i mbledhësh të gjitha së bashku, bëhet një shumë tepër e konsiderueshme”, shkruan portali “Fierisot.com”.

E pazakontë, mjeku neurolog e jep të gjithë pasurinë e tij për spitalin e Fierit Read More »