Aktualitet

Kryeministri sapo na dha lajmin e shumëpritur: Javën e ardhshme nis gjithçka

Kryeministri Edi Rama pas mbledhjes së qeverisë në qytetin e Durrësit, është shprehur se  në këtë mbledhje është miratuar dhe nisja e punimeve për disa rrugë ku më e rëndësishme është rruga e Arbrit.

Rama tha se do të hapet një kantier shumë i madh në rrugën e Arbrit, dhe punimet do të nisin të dielën e ardhshme.

Por ndër të tjera kreu i qeverisë foli dhe për raportin e publikuar nga INSTAT ku thuhet se ishte ulur papunësia.

Pjesë nga deklarata

Shqipëria ka progresin më të mirë në rajon në muajt e fundit. Pavarësisht skepticizmit, dhe në mjegullën e dendur të propagandës, mbetet fakt që papunësia është ulur dhe këtë e thonë INSTAT në mënyrë të pavarur.

Ne jemi në një përpjekje serioze në punësim real, brenda kushteve që janë të vështira, po krijohet një ekonomia ku lajmi I mirë është se janë rritur dhe investimet e huaja me më shumë 60% duke e krahasuar me vitin e kaluar.

Të dielën e ardhme hapet kantieri I parë i rrugës së Arbrit, duke u përmbushur premtimin që kemi bërë në fushatë.

Po ashtu do te këtë dhe kantier te tjera ndërtimi, ku ky vit do të jetë Shqipëria kantier ndërtimi në projektin 1 miliardë.

Kemi nisur dhe rregullimin e rrugës Tiranë-Durrës, dhe objektivi ynë është që të mbyllet në fund të këtij muaji.

Kryeministri sapo na dha lajmin e shumëpritur: Javën e ardhshme nis gjithçka Read More »

Prokurori i dosjeve të ‘nxehta’ i merr kunatit borxh 55 mijë euro, ‘zhytet’ edhe për blerjen e makinës

Në listën me 36 emrave të parë të gjyqtarëve dhe prokurorëve që do të filtrohen nga Vettingu, rezulton edhe emri i prokurorit Ardian Nezha.

Në vitin 2015 me lëvizjet nga ish kreu i prokurorisë, Adriatik Llalla, prokurori Nezha, nga prokuror pranë Prokurorisë për Krime të Rënda, u transferua prokuror pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Pukë.

Me emërimin e Kryeprokurores së Përgjithshme të Përkohshme Arta Marku, më 9 janar 2018, ai u emërua në krye të Prokurorisë së Elbasanit në vend të Dritan Ginës.

Por vetëm pak kohë pasi kishte marrë këtë detyrë, Nezha dha dorëheqjen.

Arsyet e dorëheqjes ende mbeten mister, dhe versionet ishin nga më të ndryshmet.

Në media u raportua se Nezha e ka marrë këtë vendim për shkaqe shëndetësore.

Një tjetër version që u lakua ishte se vendimi për dorëheqjen nuk ishte ashtu siç dukej. Pasi ishte një lëvizje taktike, për të ardhur drejt Tiranës, për një post më të rëndësishëm. Dhe në fakt, versioni i dytë thuajse ka baza për të qenë më i besueshëm.

Besueshmërinë e konfirmoi vetë kryeprokurorja Arta Marku, me emërimin e fundit të Nezhës.

Një javë pasi dha dorëheqjen dhe konkretisht në fillim të muajit prill 2018, ish-kreu i Prokurorisë së Elbasanit, Ardian Nezha, u komandua prokuror në Tiranë, në sektorin e veprave penale kundër jetës.
Gjatë drejtimit të Prokurorisë së Elbasanit, prokurori Nezha ka kryer disa operacione, siç janë rasti i arrestimit të zyrtarëve të Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve, arrestimi i grupit të tritolit e të tjerë.
Ndër vite, Nezha ka pasur në hetim dosje të rëndësishme, ku një prej të cilave është ajo e “bandës së tritolit”.

Kjo është ana profesionale, e prokurorit Nezha, ndërsa edhe CV-ja ekonomike e tij, duket e pasur. Nezha ka kursyer nga puna nga Prokuroria në Prokurori.

CNA.al sjell pasurinë e prokurorit Nezha, ku të bie sy huaja prej 55.000 euro që sipas tij e ka marrë nga baxhanaku për të blerë një apartament, dhe huaja prej 5000 euro që thotë se ia ka marrë vëllait për të blerë një makinë.

Baxhanakët, kunetërit, kushërinjtë, motrat dhe vellezërit e gjyqtarëve dhe prokurorëve meritojnë një falënderim të madh, ndoshta duhet të shpallen edhe qytetarë nderi, që nuk i kanë lënë të vuajnë, por u kanë dhënë “borxhe”, për të rregulluar mirëqenien.

Fëmijët prokurori ka zgjedhur ti shkollojë në institucione arsimore private, por që e justifikon me llogaritë e deklaruara.

Pasuria e deklaruar nga prokurori Ardian Nezha

Llogari depozitë në lek dhe balancë kreditore krijuar me dt 31.07.2012 dhe gjendja me dt 20/10/2016, në vlerën 2 300 000 lekë.

Llogari Depozite në lek dhe balancë kreditore krijuar me dt 02.04.2014 dhe gjendja me dt 20/10/2016, në vlerën 617 000 lekë.

Burimi i krijimit: Të ardhura nga paga si Prokuror në Prokurorinë për Krime të Rënda Tiranë 2009-2015.

Llogari page, gjendja me dt 30.12.2016 , në shumën 426 500 lekë.

Burimi i krijimit: Shuma 1.307.366: Të ardhura nga paga ime si Prokuror në Prokuroinë Pukë 2015-2016
Depozitë emërtuar si Fond investimesh krijuar me dt 17.09.2012 dhe gjendja aktuale me dt 09.01.2017 , është në shumën 1 437 800 lekë.

Burim i krijimit: Kursime periodike të siguruara nga të ardhurat nga paga e bashkëshortes si specialiste pranë Z.V.R.P.P Tiranë nga viti 2007 -2014 .

Llogari page në emër te bashkëshortes Albana Nezha në shumën 348.000 lekë.

Burimi i krijimit: Shuma 638.759 leke, të ardhura nga paga si specialiste ne ZVRPP Tiranë për vitin 2016.

Të ardhurat neto nga paga ime vjetore, si Prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së shkallës së parë Pukë për periudhen Janar —Dhjetor 2016 të dokumentuara me border. Shuma bruto 1.676.970 lekë. Shuma neto në vlerën 1.307366 lekë.

Te ardhurat neto nga paga e bashkëshortes Albana Nezha si Inspektore pranë Zyrës së Rregjistrimit të Pasurive të Palujtshme ZRPP, në Tiranë për periudhën Janar — Dhjetor 2016. Shuma bruto 780.950 lekë. Shuma neto në vlerën 638.759 lekë të reja.

Detyrim ndaj shkollës Jo Publike 9 vjeçare `”‘Ylber”‘ në 70.000 lekë, në fshatin Mëzez Tiranë, per arsimimin e vajzës në klasën e 4dhe 5 pranë kesaj shkolle për periudhen Janar- Qershor 2016 dhe Shtator- Dhjetor 2016.

Detyrim ndaj shkollës Jo publike “Tirana Jonë” në qytetin e Tiranës për arsimimin e djalit, për periudhën Janar – Dhjetor 2016 , në shumën 100.000 lekë.

Detyrim ndaj shtetasit “baxhanaku” im të cilit i kam huazuar me kontratë huaje në vitin 2011 shumën prej 55.000 euro për blerjen e apartamentit

Detyrim ndaj vëllait tim, të cilit i kam marrë borxh shumën 5000 euro me dt 11.06.2015 për të blerë automjetin Opel Antara shtetasit.., për shumën 3500 Euro. Këto para vëllai i ka siguruar nga shitja e automjetit te tij me dt 29.05.2015

Llogari page, në emrin tim personal Albana Nezha, në shumën 348.000 lekë.

Burimi i krijimit: Shuma 638.759 lekë të ardhura nga paga si specialiste ne ZVRPP Tiranë për vitin 2016
Depozite Raiffeisen Prestige emertuar Fond investimesh krijuar me dt 17.09.2012 dhe gjendja aktuale me dt 09.01.2017

Përveç pagës vjetore nuk kam asnjë burim tjetër të ardhure. Paga nga puna është 638.759 lekë.
Kursim për djalin në vlerën 500 euro.

Prokurori i dosjeve të ‘nxehta’ i merr kunatit borxh 55 mijë euro, ‘zhytet’ edhe për blerjen e makinës Read More »

Situata alarmante e rendit, Fatmir Xhafaj mbledh prefektët

Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj ka mbledhur sot në qytetin bregdetar të Durrësit Prefektët, drejtuesit kryesorë të Policisë së Shtetit në Drejtorinë e Përgjithshme, Drejtoritë Vendore dhe Komisariate.

Postimi i plotë i Ministrisë së Brendshme në Facebook

Ministria e Brendshme bën me dije se çështjet kryesore që u diskutuan gjatë takimit ishin:

– Mbarëvajtja dhe masat për sezonin turistik;

– Lufta kundër kanabisit, i cili mbetet një prioritet i qeverisë nën moton “Zero tolerancë”;

– Nisma “Policimi në Komunitet” që po vijon me llogaridhënien e policisë përballë qytetarëve.

Duke u ndalur në sezonin turistik, ministri Xhafaj theksoi se pritshmëritë e qytetarëve, turistëve dhe operatorëve turistikë janë të mëdha.

“Edhe interesi është shumë i lartë i operatorëve, vendas, të huaj në këtë fushë, por edhe pritshmëria e njerëzve të thjeshtë, e qytetarëve që presin një shërbim shumë më të mirë, është shumëfish më e lartë, çfarë nënkupton më shumë përgjegjësi për ne. Sivjet mbështetur në një përvojë shumë të mirë analizën e së cilës ne e kemi bërë në nëntor të 2017, për çfarë kemi pasur problematika gjatë sezonit të kaluar dhe reflektimet përkatëse, do të mund të na ndihmojnë që të mund të reflektojmë më mirë dhe të japim parametra shumë më të lartë qetësie dhe sigurie tek qytetarët dhe të gjithë operatorët turistikë në këtë sezon”, nënvizoi ministri Xhafaj.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu u kërkoi drejtuesve të Policive Vendore dhe shefave të komisariateve të jenë të vendosur për të zbatuar oraret dhe kufizimet e vendosura nga pushteti vendor për të mos lejuar ndotjen akustike.

Ai dha porosi të veçanta për Policinë Rrugore, për të menaxhuar trafikun dhe minimizuar aksidentet.

Drejtori Veliu gjithashtu kërkoi angazhim më të madh të Policisë për të shmangur ngjarjet me pasoja të rënda në det.

“Për sa i përket pjesës së kufizimit dhe rritjes së sigurisë në ujë, për sa i përket kufizimeve që duhet të bëjmë në hapësirat apo në pjesët ku janë përcaktuar për plazhe, qofshin këto publike apo private, duke mos lejuar qarkullimin e mjeteve motorike, qofshin gomone, skafe të vegjël apo motorë uji, me qëllim parandalimin e ngjarjeve aksidentale” u shpreh drejtor Veliu.

Zv.drejtorja e Përgjithshme e Policisë së Shtetit Aida Hajnaj bëri një prezantim të detajuar të paketës së masave të marra nga policia për mbarëvajtjen e këtij sezoni.

“Për të përballuar me sukses këtë sezon turistik u bë një studim dhe përcaktim i plazheve me qëllim përcaktimin e risqeve në drejtim të sigurisë. Është bërë planifikim i punonjësve të policisë, mjeteve dhe pajisjeve shtesë; ngritja e 5 stacioneve provizore të policisë; përforcim i shërbimeve të Policisë me shërbime të Ndërhyrjes së Shpejtë; dhe shtimi i sporteleve për pikat e të gjitha hyrje-daljet në pikat kufitare”, shtoi ndër të tjera Hajnaj.

Situata alarmante e rendit, Fatmir Xhafaj mbledh prefektët Read More »

Gjykata e Tiranës ndryshon masën e sigurisë për dy të rinjtë që i morën jetën Marvi Mihalit për një karikues celulari

Marsel dhe Kridens Alla, dy të rinjtë që i morën jetën 22-vjeçarit Marvi Mihali për një karikues celulari do të mbeten në burg, ndërsa për Eugen Bitrajn është vendosur masa e ‘’detyrimit të paraqitjes’’. Ky është vendimi i fundit që ka dhënë ditën e sotme Gjykata e Tiranës.

Vetëm pak kohë më pare prokuroria vendosi të merrte vendimin që nuk pritej duke liruar nga burgu tre personat e dyshuar duke lënë në qelinë e burgut vetëm njërin prej tyre, Dejvi Bitrajn. Por ditën e sotme dy bashkëpunëtorët e këtij të fundit janë kthyer në burg duke vendosur që të hetojë në gjendje të lirë vetëm Eugen Bitrajn.

Vrasja

Mësohet se mes të rinjve të konfliktuar ka pasur një debat mes 19-vjeçarit Dejvi Bitraj dhe Marvi Mihalit (viktima) dhe kushëririt të këtij të fundit. Më pas, sherri ka percipituar pasi Dejvi Bitraj ka thirrur në ndihmë kushëririn e tij, Eugen Bitraj, 24 vjeç, i cili ka shkuar bashkë me 3 shokë të tjerë.

Pasi kanë rrahur Marvin në rrugicën para lokalit, Dejvi Bitraj, e ka goditur me thikë në zemër duke i çarë aortën e zemrës. Marvin Mihali ndërroi jetë disa minuta më pas në spital.

Gjykata e Tiranës ndryshon masën e sigurisë për dy të rinjtë që i morën jetën Marvi Mihalit për një karikues celulari Read More »

Anija shqiptare “Butrinti” shpëton një gomone me 36 emigrantë në bord

Anija shqiptare “Butrinti” në bashkëpunim me rojën bregdetare turke e greke shpëtuan në detin Egje një gomone me 36 persona në bord , 12 prej të cilëve fëmijë dhe 15 gra.

Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka bën të ditur se “anija “Butrinti po vijon punën e mirë të simotrës së saj “Oriku”, në detin Egje”.

“36 emigrantët e nisur nga brigjet turke iu dorëzuan rojës bregdetare greke për të vijuar procedurat në ishullin Kios”, shprehet Xhaçka.

Në prill të 2017 anija “Oriku” shpëtoi në detin Egje 51 persona, nga të cilët, 17 gra, 12 fëmijë dhe 22 burra që ndodheshin në një gomone.Gomonia ishte nisur nga brigjet e Turqisë drejt brigjeve greke./ATSH

Anija shqiptare “Butrinti” shpëton një gomone me 36 emigrantë në bord Read More »

Turistët francezë e gjejnë fundjavën në Divjakë /Foto

Fundjavat e kanë kthyer Parkun Kombëtar të Divjakës në një vend shlodhjeje dhe vëzhgimi për vizitorët vendas dhe të huaj.

Këtë fundjavë, ky park u vizitua nga një grup turistësh që vinin nga Norvegjia dhe Franca.  Administratorët e parkut konfirmojnë se janë të shumtë ata që vijnë këtu në fundjavë nga vendet europiane dhe vëzhgojnë natyrën e egër.

Tashmë, jemi në fillim-verën e këtij viti  dhe flora që mbulon këtë park është harlisur në bukurinë e saj të gjelbër. Peizazhi bëhet shumë piktoresk dhe tërheqës.

Shpendët ujorë janë gjallëruar dhe tërheqin vizitorët kuriozë. Flamingot japin shfaqjet e tyre mëngjesore dhe në mbrëmje trazojnë lagunën.

Turistë të shumtë vijnë në këtë park dhe vëzhgojnë nga afër lëvizjen e tyre dhe të shpendëve të tjer ujorë. Këtë fundjavë ata mbërritën nga Norvegjia e largët dhe Franca  për të vëzhguar  nga afër gjallesat e lagunës së Karavastasë.

Stafi drejtues i parkut i priti dhe i shoqëroi me njohës të natyrës, historisë së zonës si dhe me biologë kompetentë që u folën për faunën dhe florën që gjendet në këtë park, duke e komentuar atë në disa gjuhë për turistët e shumtë që erdhën këtë fundjavë. Në park janë hapur shtigje te reja për lëvizjen turistike si dhe janë ngritur qendra vëzhgimi të shpendëve. Një tjetër investim është dhe stacioni  i varkave që shëtisin turistët në lagunën  ujore.

Një prej këtyre investimeve që pritet të ofrojë argëtim, krahas plazhit të bukur dhe natyrës përrallorë të Divjakës, është edhe kulla e vrojtimit e ndërtuar në park, e cila të lejon të shikosh mbi pishat e larta të parkut./ATSH

Divjaka është e bukur në të kater stinët.

   

   

  

Turistët francezë e gjejnë fundjavën në Divjakë /Foto Read More »

Carlo Bollino: 26 vjet armiqësi, si e munda Sali Berishën pas një beteje të gjatë

Lorenc Vangjeli i ka marrë një intervistë Carlo Bollinos për emisionin “JAVA” në RTSH, në të cilën flet për aktualitetin, median dhe përplasjet me Sali Berishën.

“Sapo unë mora pasaportën shqiptare, ai kishte botuar këtë shkrim, plot me shpifje edhe të tjera, por cilësimi si mafioz për mua ishte më i rëndi nga të gjitha shpifjet e tjera. Atëherë unë u lidha me një avokat, Aranit Roshin, që e mori përsipër çështjen me shumë vështirësi”, tregon Bollino.

Njëra nga arsyet se përse doja t’ju intervistoja sot, është edhe një fakt i çuditshëm, që ndoshta nuk ka rënë shumë në sy në publik, edhe pse ju tentuat që ta mbanit me një profil të ulët: jeni shqiptari i parë, kam përshtypjen, që keni fituar një proces gjyqësor kundër njërit prej njerëzve më të pushtetshëm të 30 viteve të fundit në Shqipëri. Flas për z. Sali Berisha, ish-president i Republikës, ish-kryeministër dhe një titull tjetër që është institucion sot, pra Sali Berisha.

Doktori. Në fakt, marrëdhënia ime me Shqipërinë ka filluar shumë vite përpara. Unë kam ardhur në Shqipëri për herë të parë në vitin 1992. Dhe pothuajse që nga fillimi i prezantimit në Shqipëri, nëse përjashtojmë muajt e parë kur Doktori ishte akoma në opozitë, apo kur sapo kishte marrë pushtetin dhe unë kisha hapur një gazetë këtu, “Gazeta Shqiptare”, kanë filluar këto sulmet që kanë vazhduar prej vitesh, natyrisht jo vetëm ndaj meje por ndaj shumë gazetarëve të tjerë, që ai i cilësonte si jo në vartësi të tij dhe për këto arsye kishte filluar një seri shpifjesh.

Por unë nuk kam reaguar asnjëherë sepse në fund të fundit, unë isha një i huaj këtu dhe me një farë respekti e kam pranuar që nuk ishte një pozicion i duhur. Edhe në vitin 1995, kur Berisha më ka dëbuar nga Shqipëria si “persona non grata”, pa asnjë arsyetim, unë prapë nuk kam reaguar sepse kam tentuar që të zbutej kjo përplasje. Por pastaj, sapo kam marrë pasaportën shqiptare, dy vjet përpara, kam reaguar si një qytetar shqiptar dhe pas shkrimit të fundit me një shpifje shumë të rëndë, atëherë unë vendosa që të bëja për herë të parë një padi ndaj z. Berisha.

26 vjet armiqësi, doni të thoni?

Armiqësi më shumë nga ana e tij sesa nga ana ime sepse unë e kam trajtuar z. Berisha gjithmonë si një politikan dhe jo gjithmonë mund të jesh dakord me idetë që ka një politikan. Madje, një gazetar e ka për detyrë që ta kritikojë një politikan ose ta mbështesë kur e gjykon të vlefshme. Kështu që unë nuk e gjykoj z. Berisha si një armikun tim.

Kundërshtar?

Ai më ka kritikuar, por kritika e kalon limitin që ndan nga shpifja, nëse më akuzon për vepra penale, siç ka bërë ai ndaj meje, ose më ka cilësuar si mafioz, si trafikant.

Çfarë konkretisht?

Konkretisht shkrimi ishte botuar në faqen e tij në Facebook dhe pastaj e kishte ripërsëritur edhe në disa intervista televizive. Ai më ka përmendur si përfaqësues të “Sacra Corona Unita”. Të gjithë e dinë që kjo është mafia puljeze, që në vitin 1985 e kam denoncuar unë sepse para se të vija në Shqipëri, unë kam punuar në Itali si gazetar i kronikës së zezë. Që nga viti 1985 kam ndjekur çështjen e mafies puljeze që ishte një fenomen i cili sapo kishte lindur. Mafia puljeze më ka kërcënuar. Unë e kam bërë hetime të shumta që janë të dokumentuara. Shume prokurorët e antimafias në Itali më njohin për impenjimin tim. Dhe akuza se unë financohesha nga kjo organizatë, është një shpifje e patolerueshme. Në fakt nuk ishte hera e parë.

Në gjuhën politike shqiptare, t’i thuash personazhit që ke përballë mafioz, nuk është ndonjë fyerje shumë e madhe.

Po, por për mua është. Unë jam akoma italian dhe të më thuash mafioz, është shpifje. Ta cilësosh një person si mafioz, nuk është nder. Mafia është armiku i vërtetë i një qytetari. Për mua mafia është simboli i të keqes dhe unë si gazetar s’mund të krahasohem me një mafioz.

Dhe më pas, si vajti ndeshja juaj me z. Berisha, pasi ju morët pasaportën shqiptare?

Sapo unë mora pasaportën shqiptare, ai kishte botuar këtë shkrim, plot me shpifje edhe të tjera, por cilësimi si mafioz për mua ishte më i rëndi nga të gjitha shpifjet e tjera. Atëherë unë u lidha me një avokat, Aranit Roshin, që e mori përsipër çështjen me shumë vështirësi

Është thyer një tabu.

Po, ishte një tabu. Ideja ishte që z. Berisha, në emër të demokracisë e të lirisë, mund të përdorte çdo armë, edhe shpifjet. Ndërkohë që unë jam i bindur që ka një dallim midis lirisë dhe respektit ndaj të tjerëve. Jo vetëm liria e një politikani, por edhe liria e një gazetari ka një limit. Dhe limiti është e vërteta. Nuk mund të tejkalohet ky limit për të përfituar një avantazh politik ose social ose ekonomik ose profesional për të bërë një skup, të bazuar mbi informacione false. Ky është një limit që akoma vazhdon të shkelet përditë në mediet shqiptare.

Dhe çfarë ndodhi në proces?

Avokatët ishin shumë të habitur nga kërkesa e gjyqtarit dhe nga kërkesa jonë si palë paditëse, që donim prova. Dakord, nëse ti më akuzon si pjesëtar të një organizate kriminale mafioze, të lutem, më sill prova. Dhe ata ishin habitur se përse duhej të paraqitnin prova. Por kështu është ligji. Kur e cilëson dikë si mafioz si vrasës apo si të korruptuar, duhet të sjellësh prova për të vërtetuar akuzën. Dhe kjo për z. Berisha ishte një gjë e padëgjuar më parë sepse ai, për 25 vjet, ka cilësuar shumë njerëz në forma nga më të ndryshmet, me epitete nga më të ndryshmet, por pa i faktuar asnjëherë. Nëse ai e bën me politikanët është e drejta e tij, le ta bëjë gjatë gjithë kohës. Por, ndaj një gazetari, që në fund të fundit, është një qytetar i thjeshtë, gjyqtari nuk e ka pranuar dhe ky është një revolucion.

Patët ndonjë komunikim me z. Berisha, qoftë edhe të tërthortë?

Jo, nuk kam pasur. Unë kam kërkuar disa herë që të bëj një intervistë me z. Berisha sepse unë nuk e konsideroj si armik. Unë e konsideroj si një politikan që, për mua, ka gabuar. Dhe unë duhet t’i kërkoj shpjegime përse ka gabuar, shpjegime përse ka vepruar në një mënyrë që unë e quaj të gabuar. Kjo është e drejta e një gazetari. Ai s’ka pranuar ndonjëherë. Ky nuk është fundi i botës. Jo për këto arsye unë po e shpall armik se ka refuzuar intervistën. Unë edhe sot nuk arrij ta kuptoj përse ai më ka shënjestruar, prej 25 vitesh, duke menduar se unë isha pjesëtar i asaj organizate mafioze.

Mos ndoshta mendon vërtet kështu?

Ndoshta e mendon, por nuk e besoj. Që nga viti 1993-1994 ai ka përdorur të njëjtat argumente, disa herë. Pastaj, që nga viti 2005 ai ka qenë kryeministër dhe kishte nën kontroll Prokurorinë, SHIK-un, gjyqtarët, policinë, çdo institucion shtetëror.

Nëse do të kishin një element të vetëm, ata kanë hetuar për mua, e kanë vërtetuar situatën time. Madje, për të marrë pasaportën shqiptare, unë kam aplikuar te Presidenca dhe president ishte z. Nishani, i cili, siç e dimë të gjithë, ishte i lidhur me Partinë Demokratike. Ata e kanë verifikuar nëpërmjet SHISH-it nëse unë do të kisha ndonjë problem. Dhe unë e kam përfituar nënshtetësinë shqiptare pa asnjë vërejtje, nga asnjë institucion shtetëror. Kështu që, për mendimin tim, ai e di mirë që unë nuk jam anëtar i asaj organizate mafioze. Por nuk e di përse vazhdon të përdorë epitete të tilla. Atëherë unë kam kërkuar që kjo vërtetësi të certifikohet edhe me një vendim gjykate.

Ju thatë pak më parë se vendimi i dhënë në Gjykatën e Tiranës është një revolucion. Për pjesën tuaj personale është edhe një certifikim i pastërtisë suaj.

Unë mendoj që duhej bërë një revolucion në këtë drejtim. Shkaku ka qenë z. Berisha, por ky nuk është rasti i vetëm. Për fat të keq, politika shqiptare, por edhe media shqiptare vazhdojnë ta përdorin shpifjen si armë politike. Në botën perëndimore të zhvilluar, një gënjeshtër nga ana e një politikani është një minus shumë i fortë. Atëherë, një shpifje është një gënjeshtër që godet dikë. Këtu politikanët nuk kanë frikë fare për të gënjyer dhe nuk kanë frikë fare për të shpifur. Unë mendoj që kjo duhet të ndryshohet, por edhe nga ana e medies, jo vetëm nga ana e politikanëve.

Mund ta citoni, pak a shumë, si ishte vendimi? Në çfarë mënyre u shpall fajtor z. Berisha?

Është shpallur fajtor sepse nuk e ka vërtetuar akuzën ndaj meje. Dhe akuza ndaj meje ishte fyerje dhe shpifje. Gjykata ka vendosur një dëmshpërblim minimal, që ishte 100 mijë lekë të reja. Por kjo nuk ka rëndësi për mua, mund të ishte dhe vetëm 1 lek sepse nuk bëra padi për të përfituar lekë. Ai nuk arriti të demonstrojë akuzën ndaj meje dhe kjo ishte arsyeja që ka përdorur gjyqtari, i cili ka nënvizuar edhe një fakt tjetër që, Berisha si politikan ka një detyrë më shumë për ta përdorur fjalën e lirë, nuk ka një alibi, një amnisti ose një imunitet ndaj një qytetari të thjeshtë.

Gjithashtu po në këtë periudhë ju keni fituar një proces ndaj një tjetër gazetari, i cili u bë i njohur kohët e fundit si një prej autorëve të audiopërgjimit për çështjen Xhafaj. Ky është kolegu ynë Jetmir Olldashi. Edhe procesin me të e keni fituar. Kam lexuar përgjigjen që ju keni dhënë pak kohë më parë, pikërisht për këtë temë. Për çfarë bëhet fjalë?

Këtë zotërinë unë s’e njoh fare, nuk e kam takuar asnjëherë. Nuk e dija që ekzistonte në tregun mediatik shqiptar. Në muajin e fundit, disa herë ai ka përdorur një portal të vogël që ka në pronësi, për të më sulmuar me shpifje, me argumente absolutisht të pabazuara, duke ndjekur të njëjtën logjikë me z. Berisha. Pra të shpifin e të sulmojnë sepse unë jam për ta kundërshtar. Dhe unë nuk e di përse ai më cilëson si kundërshtar. Ndoshta sepse ai është anëtar i Partisë Demokratike, pavarësisht se paraqitet si gazetar i pavarur. Çështja nuk është se ai është anëtar i PD-së sepse mund të ishte edhe i LSI-së apo i PS-së apo i PBDNJ-së. Rëndësi ka fakti që një gazetar i pavarur nuk duhet të ketë asnjë lidhje me asnjë forcë politike.

Mund të ketë një lidhje ideologjike, por jo një lidhje institucionale. Dhe ai ka vazhduar të shpifë duke përdorur metoda “ala Berisha”, pra shpifje pa fakte. Ai ka përdorur një instrument më shumë, që ky është elementi kancerogjen që kemi brenda medias shqiptare, anonimati. Ligji shqiptar për median në fakt, e mbron shumë shpifjen, nëse është anonime, pa emrin e një autori. Dhe ky është një boshllëk që ka ligji shqiptar dhe për mendimin tim është një problem shumë i madh. Në Itali, për një shkrim anonim ka një përgjegjësi të redaktorit ose të kryeredaktorit. Ndërsa në Shqipëri nuk është kështu. Në Shqipëri kryeredaktori është përjashtuar nga përgjegjësia për një shkrim anonim. I vetmi përgjegjës është autori.

Nëse autori është anonim nuk ka fajtor. Pastaj, pas 10 apo 15 shkrimeve kundër meje personalisht, z. Olldashi arriti të botojë një shkrim, me emër e me mbiemër në fund, dhe me fotografinë e vet. Unë ngrita një padi nëpërmjet avokatit Gavrosh Andoni. Edhe në këtë rast procedura ishte identike. Gjyqtari ka kërkuar burimin që fakton akuzën. Olldashi më kishte akuzuar si vrasës, pra unë me z. Erjon Veliaj kishim vrarë atë djalin shkrejt në Sharrë. Ka përdorur gjithashtu epitete të tjera për familjen time. Që të akuzosh një person si vrasës duhet të kesh prova pa fund. Ai nuk kishte asnjë fakt dhe u habit kur në gjykatë i kërkuan prova. Ky ishte revolucioni i dytë. Pra, jo vetëm politikanët, por edhe gazetarët duhet të faktojnë akuzat e tyre.

Të rikthehemi edhe një herë në gjendjen e shtypit shqiptar. Është pasqyrë e asaj se çfarë ndodh në të gjithë botën ose së paku, në të gjithë Evropën. Rrugëtimi që ka bërë media, komunikimi me publikun, që është një rrugë që ka nisur nga Gutenbergu e tani jemi te stacioni tjetër që është Zukenbergu, një udhëtim relativisht i komplikuar, ku duket se po rilind edhe një herë profesioni i gazetarit. Sa ju duket se media është në këtë krizë dhe sa ju duket se do ndryshojë e nesërmja e saj.

Për mua në Shqipëri media është në krizë, por është krizë besueshmërie, që është akoma më e rëndë. Besoj se besueshmëria është në nivelin zero, sot. Unë kujtoj se si ishte besueshmëria në vitin 1993-1994 dhe gazetarët e kishin një farë kredibiliteti. Gazetarët kanë bërë luftë ndaj politikave dhe politikanëve të ndryshëm duke u bazuar mbi hetime dhe mbi fakte. Kishte edhe gazetarë që bënin shpifje edhe atëherë, por më pak se sa sot. Dhe ky fenomeni i një mbidoze informative që kemi sot, pse në Shqipëri ka akoma 32 gazeta kombëtare, ka 65 televizione, ka 100 radio dhe pak a shumë 2.000 faqe uebi informative. Tani, nëse krahasojmë përqindjen e sasisë së medias në Shqipëri me sasinë e medias që ka në Itali, është një krahasim i pamundur sepse në Itali ka rreth 25 televizione të njohura në rang kombëtar, dhe gazeta kombëtare janë 7. Me 65 milion banore.

Përse ndodh kjo sipas jush?

Ndodhi edhe në Itali menjëherë pas Luftës II Botërore. Kishte një bum informativ, që shpjegohej me vullnetin për fjalën e lirë, për komunikimin dhe për reagimin pas diktaturës. Ky ka qenë fenomeni që filloi në Shqipëri në vitet 1993-1995. Pastaj, siç çdo gjë që ndodh këtu, po zmadhohet jashtë mase sepse nuk ka limite, nuk ka akoma një ekonomi tregu.

Nuk e kushtëzon tregu këtë gjë?

Absolutisht jo. Ne treg ka gazeta që shesin 50 kopje. Pra janë media të teknikisht të falimentuara, televizione teknikisht të falimentuara që ekzistojnë akoma.

Ju mendoni se është deformimi i medias apo deformimi i tregut që bën këtë bashkëjetesë?

E para është deformimi i tregut. Media është transformuar nga një instrument i kontrollit shoqëror në një instrument të mbrojtjes personale. Media në një vend të zhvilluar quhet pushteti i katërt sepse kontrollon tre pushtetet e tjera. Ndërsa në Shqipëri ky instrument është thjesht në shërbim të një individi që është botuesi, ashtu si policia private, sepse individi nuk ka asnjë instrument tjetër për t’u mbrojtur nga një drejtësi që nuk bën drejtësi, nga politika që nuk respekton ligjet, nga kriminaliteti që nuk është i ndëshkuar nga institucionet shtetërore, nga mediat e tjera që përdoren si sulm e kundërsulm për të mbrojtur interesa individuale. Çdo person që ka interesa në fushën e biznesit ose në fushën politike, ndërton një media private për të mbrojtur interesat individuale. Ky shumëfishim, ky individualizëm, prish imazhin kolektiv të medias, prish besueshmërinë e medias.

Metafora juaj është shumë e fortë. Është hera e parë që përdoret një shprehje e tillë, pavarësisht se të gjithë flasim për një fenomen të tillë, për median si një polici private për interesa të caktuara. Çdo katër vjet në Shqipëri bëhet një reformë në Legjislativ sepse janë zgjedhjet e përgjithshme. Por askush nuk kujtohet të flasë për një reformë mediatike.

Media është një temë shumë e ndjeshme, për dy arsye: e para, sepse media në përgjithësi, media e ndershme, përfiton nga një mbrojtje ndërkombëtare. Edhe pse ata kanë si parim lirinë reale të medias dhe jo anarkinë në të cilën jeton ose mbijeton media në Shqipëri, në përgjithësi ata nuk duan që ta prekin median sepse rreziku është pastaj pas, reforma, mund të futen rregulla që e kufizojnë lirinë e medias. Politika, nga krahu tjetër, në njëfarë mënyre, e ka më komode ta menaxhojë median në këtë kaos total, në të cilin po fundoset. Nga ana tjetër nuk do që të hapë konflikte me institucionet ndërkombëtare. Edhe reforma në Drejtësi është rezultat i një presion ndërkombëtar shumë të fortë.

Ju jepni një diagnozë dhe thoni që ky është një pushtet, gjithashtu i sëmurë, që reflekton në fund të fundit shumëçka tjetër ndodh në shoqërinë shqiptare. Cila do të ishte zgjidhja, sipas jush, nëse nuk do të ishte fjala reformë ajo që do të përdorej? Në çfarë mënyre? I ka media brenda mekanizmat e vetërregullimit?

E para, unë mendoj që gazetarët duhet të krijojnë një strukturë vetëmbrojtjeje shumë të fortë, që respekton rregulla, që cakton edhe të drejta por dhe detyra. Në Itali gazetarët janë një kategori e paprekshme, jo vetëm nga politikanët, por edhe nga botuesit. Një gazetar në Itali, nuk mund të pushohet nga puna prej botuesit. Ndryshe nga ato që ndodhin në Shqipëri, ku çdo botues mund ta pushojë nga puna një gazetar sepse ai ka shkruar diçka kundër një politikani që botuesi kërkon ta mbrojë. Dhe ky është problemi i parë. Gazetari shumë i dobët. Deri në momentin që ai ose pranon shantazhin nga pronari ose mendon që të hapë një media vetë dhe ta bëjë ai shantazhin. Ky është fenomeni.

Carlo Bollino: 26 vjet armiqësi, si e munda Sali Berishën pas një beteje të gjatë Read More »