Aktualitet

Komisioni i Vettingut ka marrë vendimin për Arta Markun

Kryeprokurorja Arta Marku do të dalë para Komisionit të Pavarur të Kualifikimit më 3 korrik 2018, ku do të japë llogari për pasurinë e saj, pastërtinë e figurës dhe aftësitë profesionale. Seanca dëgjimore në KPK do të zhvillohet në orën 10:00, ndërsa trupa gjykuese do të përbëhet nga Genta Tafa (Bungo), Pamela Qirko, Suela Zhegu.

Megjithatë, burime për Pamfleti bëjnë me dije se Artës i është konfirmuar paraprakisht rezultati pozitiv dhe data 3 do të jetë një akt formal juridik publik.

Në pyetësorin për Arta Markun ka pasur dhjetëra pyetje nga komisioni dhe ndërkombëtarët deri në detaje për të gjithë aktivitetin e saj profesional e pasuror dhe konkluzioni ka qenë: Vertëtësi e sakteëi matematike.

Ndaj Arta Marku pritet të konfirmohet në unanimitet.

Komisioni i Vettingut ka marrë vendimin për Arta Markun Read More »

Panik në ish-Bllok, pema bie mbi taksi (Fotot)

Një pemë dhjetëra vjeçare është rrëzuar në zonën e ish-Bllokut në kryeqytet, duke krijuar panik te qytetarët që ndaheshin aty pranë, si dhe bllokimin e rrugës. Nga fotot duket se degët e pemës kanë rënë mbi një taksi, drejtuesi i së cilës mësohet se nuk ka pësuar lëndime. Në vendin ku ndodhi ngjarja mbërritën menjëherë ambulancat, por drejtuesi i mjetit nuk ka pasur lëndime.

Panik në ish-Bllok, pema bie mbi taksi (Fotot) Read More »

Faturimet aforfe të ujit, ankohen familjarët: Paguajmë më shumë sesa harxhojmë

Në raportin e performancës për vitin e kaluar publikuar këtë qershor Enti Rregullator i Ujit (ERRU) vlerëson se ky nivel matjeje mbetet relativisht i ulët.

“Duke pasur parasysh riorganizimin e shoqërive me ndarjen e re administrative, aktualisht asnjë shoqëri UK nuk i ka të pajisur 100% të konsumatorëve me matës, madje në disa shoqëri ky tregues është në nivelin nën 10%” thuhet në raport.

Në lidhje me faturimin aforfe, ERRU thekson se shumica e konsumatorëve paguajnë më shumë sesa konsumojnë dhe se rastet e shtëpive private me konsum më të lartë sesa faturohen përmes aforfesë janë më të pakta.

“Konsumatorët duhet të paguajnë për sasinë reale të ujit të konsumuar prej tyre. Pjesa e konsumatorëve që paguajnë për sasi uji pa matje (aforfe 150 litra/ditë/banor) nuk është korrekte dhe mbart në vetvete padrejtësi dhe abuzim. Kjo për faktin se shumica e konsumatorëve familjarë konsumojnë nën këtë normë të presupozuar, ndërkohë që një pjesë e tyre konsumojnë shumë më tepër për ujitje (shtëpia private dhe zona rurale)” vijon raporti.

Po ashtu ky Ent shprehet më tej se aforfeja u leverdis financiarisht ujësjellësve pra marrin më shumë para sesa uji që është konsumuar edhe pse në disa raste nga ana tjetër stimulohet konsumi më të lartë.

“Në disa raste shoqërive u vjen përshtat financiarisht faturimi aforfe, por kjo shpeshherë stimulon mbikonsum të ujit në zona të caktuara duke cenuar cilësinë e shërbimit (orët e furnizimit dhe presionet) në zonat shpërndarëse mbas tyre sidomos gjatë stinës së nxehtë. Pajisja 100% me ujëmatës në të gjithë komponentët kyç të sistemeve të furnizimit me ujë duhet të jetë prioritet bazë i shoqërive UK dhe i mundësisë të financimit të tyre nga qeveria qendrore.

Sipas ”Monitor” shoqëritë UK për vitin 2017 kanë raportuar instalimin e 63 820 ujëmatëseve më shumë krahasuar me vitin 2016, por akoma sektori është larg objektivit për të pajisur 100% të konsumatorëve me matësa” vlerëson Enti Rregullator i Ujit.

Faturimet aforfe të ujit, ankohen familjarët: Paguajmë më shumë sesa harxhojmë Read More »

Reagon kancelarja Merkel pas skualifikimit të Gjermanisë nga Botërori

Kancelarja gjermane, Angela Merkel ka reaguar menjëherë pas eliminimit të Gjermanisë nga kampionati botëror 2018.

Në një status të shkurtër në Facebook, Merkel shkruan se të gjithë tifozët gjermanë janë të mërzitur.

“Shumë keq. Të gjithë jemi të mërzitur”-shkruan Merkel.

Gjermania u skualifikua pasditen e sotme në përballjen me Korenë e Jugut.

Reagon kancelarja Merkel pas skualifikimit të Gjermanisë nga Botërori Read More »

7 arsye se pse Berisha mund të eliminojë Lulzim Bashën, shërbimet në alarm

Berisha ndolli vrasjen e Bashës një vit më parë, akuzoi kundërshtarët politikë siç bëri me rastin e Azem Hajdarit, merren masa ekstreme për ruajtjen e kreut të PD nga Berisha në protestën e 26 Majit
Një vit pasi Sali Berisha përhapi disa teori konspirative, sipas të cilave, shërbimet e huaja armiqësore janë investuar për të vrasjen e Lulzim Bashës, shërbimet informative vendase dhe ato partnere janë vënë sërish në lëvizje, për zbatimin e një plani, për të shtuar masat e sigurisë për mbrojtjen e jetës së kryetarit të opozitës.

Lëvizja e nëndheshme vjen para protestës së opozitës së 26 Majit, pikërisht në 22 vjetorin e një prej krimeve zgjedhore më të rënda në historinë e Evropës, me protagonist Sali Berishën.

Në 26 Maji ’96 Sali Berisha gjakosi opozitën e atëhershme dhe mbushi kutitë e votimit me dhunë. Ky akt i paprecedentë solli destabilizimin e vendit dhe detyroi amerikanët të përmbysnin Berishën nga pushteti me forcë. 22 vjet më vonë, PD do të zhvillojë një protestë.

Alarmi i shërbimeve vendase dhe atyre partnere vjen pas edhe një analize dhe verifikimi të gjatë të informacioneve dhe të alarmit që dha Sali Berisha një vit më parë eliminimin e Bashës.

Shërbimet kanë arritur në përfundimin se jeta e Lulzim Bashës nuk rrezikohej nga asnjë faktor i jashtëm. Kjo bindje u përforcuar pas zbulimit të provave, sipas të cilave PD dhe Lulzim Basha kishin lidhje të errëta dhe financoheshin nga oligarkë rusë.

Në këtë kuadër, të gjitha dyshimet janë përqendruar mbi Sali Berishën, i cili krijoi një alibi duke akuzuar Edi Ramën, për t’i hapur rrugë një tentative të mundshme për të hequr qafe Lulzim Bashën.

Një vit më parë Berisha tha: “Në qoftë se dy persona vijnë për të vrarë liderin e opozitës dhe shpallen non grata, ata i ka futur qeveria, ata janë vrasës të paguar të qeverisë, diktuar nga qeveria. Në qoftë se është e vërtetë se shërbimet amerikane i kanë bllokuar, është Edi Rama para tyre, ka dashur të vrasë liderin e opozitës, dhe në këtë rast është zbuluar dhe nuk i nxirrte dot në gjyq. Si mund të përzihen dy njerëz që tentuan të vrasin ligjin e opozitës. Sapo e dëgjova këtë, thashë me mendjen time, në qoftë se është e vërtetë, ata janë vrasës me pagesë të qeverisë. Si ka mundësi që kryeministri të shpallë non grata dy kriminelë që vijnë për të vrarë liderin e opozitës, kundërshtarin politik”.

Një skemë të tillë Sali Berisha e përdori edhe në rastin e Azem Hajdarit. Ky i fundit ishte një nga pretendentët më seriozë për të marrë drejtimin e Parisë Demokratike. Ishte makthi më i tmerrshëm për Sali Berishën.

Me eliminimin e Azemit, Berisha me një gurë vrau dy zogj. Së pari hoqi qafe një rrezik të madh që mund t’i merrte partinë dhe së dyti, vrasjen e Azemit e përdori për të marrë pushtetin më dhunë, me anë të grushtit të shtetit të 14 shtatorit 1998. Fillimisht Berisha akuzoi Fatos Nanon për vrasjen e Azemit. Këtë akuzë e përdori si alibi për të pushtuar institucionet.

Më vonë, Berisha akuzoi Izet Hazhinë, të cilin e kishte urdhëruar për të organizuar grushtin e shtetit pas vrasjes së Azemit.

Tashmë, Izet Hazhia akuzon Sali Berishën si orkestruesin e vrasjes së Azemit. Izeti është ekstraduar në Shqipëri dhe kërkon hapjen e kësaj dosje. 20 vjet pas kësaj ngjarje, të gjitha dyshimet bien mbi Sali Berishën.

Po pse Sali Berishës i intereson eliminimi i Lulzim Bashës?

Së pari, Sali Berisha po kërkon prej tre vitesh një shkak për destabilizimin e vendit, me shpresën se do të mund të shpëtojë veten dhe familjen e tij nga drejtësia e re. Ka bërë thirrje për armatosjen e popullit, për mosbindje civile, për rebelim popullor etj., por askush nuk ia ka vënë veshin.

Në këto kushte, Berishës i duhet një ngjarje tronditëse për të manipuluar popullin, siç bëri me rastin e Azem Hajdarit, për destabilizim e vendit dhe për të krijuar një mundësi për të ardhur në pushtet.

Së dyti, Lulzim Basha dështoi në realizimin e detyrës jetike, për sabotimin e reformës në drejtësi. Lulzim Basha, bashkë me Ilir Metën dhe Monika Kryemadhin, humbi betejën me amerikanët për sabotimin e reformës në drejtësi, sidomos të ligjit të Vetingut dhe të ligjit për ngritjen e Byrosë Kombëtare të Hetimit, Prokurorisë së Posaçme dhe Gjykatave Speciale. Sot të gjithë ushtarët e Sali Berishës në gjykata dhe prokuroi po fluturojnë njëri pas tjetrit.

Së treti, Lulzim Basha nuk shërben më si një mburojë për Sali Berishën dhe familjen e tij. Lulzim Basha me partinë e tij të katandisur nuk mund ta ndalojë Byronë Kombëtare të Hetimit dhe Prokurorinë e Posaçme që t’u vënë prangat Berishës dhe Shkëlzenit dhe që t’u konfiskojnë pasurinë.

Së katërti, që kur Sali Berisha e la Patinë Demokratike në dorën e Lulzim Bashës, PD ka humbur gjysmën e elektoratit. Nën drejtimit e Bashës, PD ka lundruar nga humbja në humbje. Me këtë ritëm, në zgjedhjet e 2021, Partia Demokratike mund të përfundojë parti e katërt.

Së pesti, Lulzim Basha po tenton që të ndahet nga Berisha, dhëndri, Shkëlzeni dhe ushtria e tyre. Në zgjedhjet e 2017, Basha hoqi njerëzit e Berishës nga lista e kandidatëve për deputetë si dhe vendosi besnikët e vet. Tashmë ka ndryshuar edhe statutin e partisë për të blinduar pozitat e veta.

Së gjashti, që pas vizitës së George Soros në dhjetor të vitit 2014, Lulzim Basha është në një aleancë solide me Edi Ramën. Marrëveshja e 18 Majit 2017, ishte vetëm një shenjë e kësaj aleance. Basha tashmë shërben si një garanci për pushtetin e Edi Ramës.

Së shtati, nëse Berisha thjeshtë e shkarkon Bashën si kryetar PD, Basha mund të kthehet në një rrezik të madh për familjen Berisha. Që nga viti 2005, Basha ishte një ndër ushtarët më të besuar të familjes Berisha. Basha i di shumë sekrete të tmerrshme Berishës. Shumë sekrete Berishës i dinte edhe Sokol Olldashi, por sapo Olldashi u rebelua dhe nisi të flasë, gjeti vdekjen në mënyrë misterioze./Pamfleti

7 arsye se pse Berisha mund të eliminojë Lulzim Bashën, shërbimet në alarm Read More »

Vendimi për negociatat, reagon ambasadori Donald Lu

Ambasada Amerikane ka reguar pas vendimit për negociatat. Në një postim në faqen e saj në rrjetet sociale ambasada amerikane e sheh si pozitiv shtyrjen e aftit si një mundësi për përmbylljen me sukses të reformave.

“Përgëzojmë Shqipërinë për vendimin pozitiv në lidhje me hapjen e bisedimeve për anëtarësim në BE. Shqipëria ka bërë përparim domethënës dhe tani nevojitet të rrisë përpjekjet për të përfunduar reformat kyçe. Ne e nxisim Shqipërinë që të rrisë ritmin në reformën në drejtësi, luftën kundër korrupsionit dhe kundër krimit të organizuar”, shkruhet në reagimin e ambasadës.

Ministrat e Jashtëm të vendeve të Bashkimit europian u shprehën në favor të hapjes së bisedimeve për anëtarësim më Shqipërinë por duke e shtyrë vendimin për qershorin e ardhshëm, në pritje të përparimeve të mëtejshme të vendit veçanërisht, lidhur me reformën në drejtësi, luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Ndonëse ky nuk ishte vendimi më i mirë i mundshëm, duket se autoritetet në Tiranë morën frymë disi të lehtësuar, nëse merret parasysh klima që i parapriu. Nga njëra anë tensioni brenda vetë BE-së, me krizën e migracionit, dhe në anën tjetër trysnia anti-zgjerim nën të cilën ndodhen disa prej vendeve anëtare. Dhe në fakt qershori i ardhshëm, përkon me periudhën pas zgjedhjeve për parlamentin europian.

Vetë vendimi ishte fryt i një kompromisi që kërkoi orë të tëra për të sjellë në një emërues të përbashkët shumicën e vendeve që ishin haptazi në mbështetje të hapjes së bisedimeve, atyre si Gjermania, që ishin për një proces të kushtëzuar, apo Francës, Hollandës dhe Danimarkës që fillimisht mbështetën idenë e një shtyrje pa afat të përcaktuar. Për ministrin e Jashtëm Ditmir Bushati vendi “tanimë ka hyrë në rrugën e pakthyeshme drejt procesit të anëtarësimit në BE”, ndërsa opozita i mëshon idesë se bisedimet nuk do të nisin as në 2019.

Vendimi për negociatat, reagon ambasadori Donald Lu Read More »

Rasti i Malit të Zi dhe dy standardet e Brukselit?!

Ashtu si ka ndodhur dhe me procedura të tjera ndaj vendeve të Ballkanit, Brukseli është mjaftuar me një “po” gjysmake, por që përkthehet në hapje të negociatave edhe pas disa detyrave shtesë. Gjithsesi, i dhimbshëm është sistemi me dy standarde i Brukselit.
Shkruan Ben Andoni

Shqipëria mundet sërish të ketë një shpresë të madhe, sa i përket hapjes së negociatave të anëtarësimit, por gjasat janë të mëdha që ajo bashkë me Maqedoninë ta kalojnë këtë prag një vit më vonë. Është dashur gati gjysmë dite debat në Këshillin e Evropës për të shqyrtuar gjetjet dhe lobimet pro-kundër dy shteteve të Ballkanit Perëndimor, që me sforcime të stërmëdha kanë ndërmarrë reforma me kosto të larta, ndërkohë që Maqedonisë i është dashur edhe të përshtasë emrin në një konflikt çerek-shekullor me Greqinë.

Kushtet janë njësoj, porse të dy vendet duhet të paraqesin fakte reale sa i përket marrëveshjes së emrit dhe luftën ndaj korrupsionit në Maqedoni, me përballjen e “peshqve të mëdhenj” pas hekurave në Shqipëri, reformat e gjyqësorit, shërbimeve të sigurisë, administratës publike dhe luftës kundër korrupsionit. Lista nuk mbaron këtu…

Ashtu si ka ndodhur dhe me procedura të tjera ndaj vendeve të Ballkanit, Brukseli është mjaftuar me një “po” gjysmake, por që përkthehet në hapje të negociatave edhe pas disa detyrave shtesë. Gjithsesi, i dhimbshëm është sistemi me dy standarde i Brukselit.

Pse nuk ndodhi një gjë e tillë me Malin e Zi?! Pse jo kështu me Serbinë? Pse kaq detyra për vendet tona dhe jo për ata që e lanë me gjak Ballkanin. Këtu duhen pyetur ndjenjat e burokratëve të Brukselit, për të cilët ndjeshmëria ndaj popujve sllave është gjithnjë ndryshe.

…Serbia dhe Mali i Zi i filluan negociatat kur ishin sëbashku në Federatën e vogël të ish-Jugosllavisë, ngushtuar pas luftërave që i shkaktuan Ballkanit Perëndimor qindra-mijëra të vdekur. Pasi Mali i Zi u nda nga kjo njësi kushtetuese me pavarësinë që shpalli më 2006, për gjatë të gjithë pak viteve në vazhdim, ajo kapi kohën e vendeve të tjera, që aspironin për BE dhe madje i kaloi!!!

Në vitin 2010, Komisioni Evropian lëshoi ​​një sugjerim të favorshëm për aplikimin e Malit të Zi, duke identifikuar shtatë përparësitë kyçe, që duhej të adresoheshin për fillimin e negociatave dhe Këshilli i dha atij kandidatin status.

Në dhjetor 2011, Këshilli filloi procesin e anëtarësimit me qëllim të hapjes së negociatave në qershor 2012. Negociatat e pranimit me Malin e Zi më pas filluan më 29 qershor 2012. Sot, me gati 30 kapituj të hapur, vendi mikroskopik gëzon një mbështetje të gjerë midis zyrtarëve të anëtarëve të BE dhe pranimi i vendit në BE konsiderohet i mundshëm deri në vitin 2025.

Në vlerësimin e vitit 2016 të progresit të pranimit, Komisioni Evropian e ka identifikuar Malin e Zi si vendi me nivelin më të lartë të përgatitjes për anëtarësim midis shteteve simotra negociuese. Falë këtij zhvillimi: Mali i Zi po merr aktualisht 507 milion euro grande zhvillimore deri në vitin 2020 nga Instrumenti i Ndihmës së Para-Anëtarësimit, një mekanizëm financimi për vendet kandidate të BE.

Po çfarë ka ndryshe ky shtet vocërrak, për të cilin duhet marrë shembull?! Më e dukshmja është se ka një president të identifikuar për trafik dhe një nga mbështetësit më të afërt të  Millosheviçit, paçka se ishte edhe nga të parët që ndau rrugën me të. Milo Gjukanoviç është rikthyer në pushtet, para pak muajsh, dhe me të gjithë gjasat do jetë rizgjedhur sërish më 2023, që do të thotë do hapë shampanjën e anëtarësimit për Malin e Zi në Evropë më 2025.

Po a është drejtimi i këtij njeriu dhe partisë së tij histori suksesi? Historia përgjigjet me një “Jo”- të madhe. Formacioni i tij dhe vetë emri Gjukanoviç ishin nga më të njohurit sa i përket kontrabandës së cigareve, një tregti që kulmoi gjatë sanksioneve të OKB kundër Jugosllavisë në vitet 1990, ashtu si kontrabanda e famshme e karburantit me Shqipërinë, një akt që sot është harruar krejtësisht në dy vendet tona.

Nëse do të shikosh në Malin e Zi pas një paqësie në dukje, ke frikën e krimit dhe problematikave të tjera, anipse jo aq të ekonomisë, që falë industrisë së turizmit po mëkëmbët dukshëm, krahasuar me simotrat e tjera ballkanike. Ajo është rritur më 2017 me 4.3 përqind dhe ke ende premisa pozitive! Po a mund të quhet realisht ndryshim ky, në një vend ku njerëzit përgjegjës mbesin, në thelb, ata të njëjtët e dekadave të fundit. Mali i Zi ka të njëjtat elita drejtuese dhe opozita është e pafuqishme të përballë forcën e formacionit të Gjukanoviçit.

Madje Partia Demokratike e Socialistëve (DPS) e Gjukanoviç qeveris vendin që kur nisi sistemi shumëpartiak  në 1990 në kuadër të federatës jugosllave. Shtuar me faktin se ky formacion është pasardhësi i Lidhjes Komuniste të Malit të Zi, i bie që të jetë në pushtet që kur ishte në pushtet nën regjimin titist nga viti i largët 1945.

Gjithsesi, duhet të kemi parasysh se me vite ajo ka manovruar habitshëm duke bërë aliazhe të shumëllojta, ku shqiptarët kanë qenë një nga patericat e tyre të vazhdueshme! Rezultati i këtij ndikimi: DPS ka prekje në të gjitha sektorët, duke filluar prej sektorit publik, burokracisë, policinë dhe aparatin e sigurisë, dhe kuptohet mediat.

Indekset e sotme të lirisë janë të frikshme sepse Freedom House regjistron rënie të standardet demokratike në vend, duke e ulur atë nga “i lirë” në “pjesërisht të lirë” në vitin 2016. Reporterët pa kufije  renditën Malin e Zi në vendin e 106 nga 180 vende, një diferencë e frikshme me vendin e 53-të pozicionuar një dekadë më parë.

Dhe nuk mbaron këtu, por Mali i Zi po vuan gjithashtu nga një sistem gjyqësor me shumë probleme dhe me kërcënime të vazhdueshme të gazetarëve në terren, madje duke përdorur dhe armët e zjarrit. Dhe, kjo është e fundit, por jo më e parëndësishmja, Prokurori Special, i ngritur për të luftuar krimin e organizuar, e ka kaluar kohën më të madhe me krerët e opozitës, që i akuzonte për bashkëpunimin në grushtin e dyshuar të shtetit.

E megjithatë ky quhet pozitivitet për Brukselin. Po çfarë kanë më keq vallë Shqipëria dhe Maqedonia në këtë rast? Për këtë s’thuhet asgjë. Sepse Brukseli nuk ka parametra krahasues por vetëm vlerësues. Ndërkohë Shqipëria dhe Maqedonia kanë dhe një vit provë që t’u mbushin mendjen të gjithëve se vendet e tyre kanë ndryshuar.

 

Rasti i Malit të Zi dhe dy standardet e Brukselit?! Read More »

Shqiponja dykrerëshe zbret edhe në birrën zvicerane

Simbolin e shqiponjës dykrerëshe që prej ndeshjes Zvicër-Serbi e kanë bërë personalitete të ndryshme, për t’u dhënë mbështetje dy futbollistëve që përmes atij gjesti treguan dashurinë për vendin e tyre

Shqiponja dykrerëshe ka marrë dhenë, duke u kthyer në simbol dhe mënyrë shprehje për individë në krejt botën.

Pasi atë e shfaqën në fushën e lojës Granit Xhaka dhe Xherdan Shaqiri, duke festuar golat ndaj Serbisë, shqiponja ka zbritur edhe tek të tjerët.

Rasti më i fundit është ai i birrës Luzerner, e cila simbolin e shqiponjës të bërë me kryqëzimin e duarve e ka vendosur në paketimet e veta.

Poshtë një fotografie ku shihet paketimi i ri i kësaj birre është shkruar: “Jashtëzakonisht freskuese, si edhe përfaqësuesja jonë në futboll”.

Simbolin e shqiponjës dykrerëshe që prej ndeshjes Zvicër-Serbi e kanë bërë personalitete të ndryshme, për t’u dhënë mbështetje dy futbollistëve që përmes atij gjesti treguan dashurinë për vendin e tyre.

Shqiponja dykrerëshe zbret edhe në birrën zvicerane Read More »