Aktualitet

Negociatat me Greqinë, Athina do të kërkojë ndjesë për çamët?

Megjithëse marrëveshja që po negociojnë Shqipëria dhe Greqia nuk ofron ende një zgjidhje për çështjen çame, diçka po lëviz.

Një burim nga Ministria e Europës dhe Punëve të Jashtme i tha Report TV se pala shqiptare i ka kërkuar Athinës zyrtare që në tekstin final t’i shtohet një fjali, ku pala greke në një farë mënyre do të shpreh keqardhjen për ngjarje jo të këndshme që kanë ndodhur në të kaluarën dhe kanë nxitur urrejtje dhe shpërngulje të popullsisë nga trojet e tyre në zonën e Epirit.

I njëjti burim saktësoi se kjo kërkesë e palës shqiptare është pranuar nga ministri i punëve të jashtme të Greqisë, Nikos Kotzias. Mësohet po ashtu se dakordësinë për këtë pikë Kotzias ia ka transmetuar homologut Bushati.

Në tekstin përfundimtar të marrëveshjes edhe nëse do të shmanget referimi për çështjen çame, do të ketë shprehje të keqardhjes për ngjarje të së kaluarës, të cilat kanë nxitur urrejtjen mes komuniteteve dhe pakicave që jetonin në Greqi, duke i detyruar të shpërngulen prej trojeve të tyre.

Një fjali interesante që do të futet në marrëveshjen e pritshme thotë se: “Greqia po ashtu nxit të gjithë këta të shpërngulur që t’i drejtohen gjykatave për të rimarrë të drejtat e tyre si qytetarë grek”.

Kjo fjali në marrëveshje vjen si pasojë e dakordësisë së heqjes së ligjit të luftës, që mbante të bllokuara pasuritë e çamëve të dëbuar dhe që automatikisht hapet rruga ligjore për të kërkuar nëpërmjet gjykatës të drejtat e tyre.

Negociatat me Greqinë, Athina do të kërkojë ndjesë për çamët? Read More »

Harrojeni plazhin! Kthesa e papritur e motit, vjeshtë në mes të verës

Ndryshimet klimatike, kanë bërë që Qershori të karakterizohet si një muaj me mot tropikal, ku mëngjesi nis me diell e mesdita pasohet nga stuhi ere, shiu dhe breshëri.

Sinotpikanët thonë se mesdita e të premtes ka sjellë rrebeshe të përkohshme dhe stuhi breshëri me diametër deri 3 cm në zonat Qendrore, ndërsa shira të dobët dhe mesatarë në Veri dhe zonat Jugore.

Moti do të vij duke u ftohur, duke i bërë ditët e fundjavës të ngjashme me ato të vjeshtës, sipas tvklan.

Bazuar në parashikimet e motit, nata e së shtunës pritet të sjell rrebeshe shiu në të gjithë vendin si pasojë një fronti të ftohti që pritet të kalojë në Shqipëri, duke bërë që temperaturat minimale të zbresin deri në 8 gradë.

Deri në fund të muajit, moti mbetet kryesisht i vranët dhe i freskët, larg kushteve normale të Verës Mesdhetare dhe shumë pranë Vjeshtës.

Harrojeni plazhin! Kthesa e papritur e motit, vjeshtë në mes të verës Read More »

500 banorë pa rrugë e pa ujë, kryetari i bashkisë: S’kuptoj pse ankohen

Banorët e fshatit Mesaplik ankohen në Fiks Fare se nuk kanë rrugë dhe ujë të pijshëm. Rruga që të çon në fshat, nga segmenti kryesor i rrugës së lumit të Vlorës, nuk është më shumë se 7 km, por ka gropa, dhe në të mund të kalohet vetëm me fuoristradë.

Fshati ka vetëm dy të tilla. Për çdo hall apo problem shëndetësor ata janë të detyruar të zbresin në Vlorë me fuoristrada, pasi mjet transporti tjetër nuk ka. Rruga është aq e keqe sa nuk përshkohet dot as nga mjetet e vogla. Ndërsa në rrethinat e Mesaplikut shkohet vetëm me kafshë se nuk ka fare rrugë.

Pas ankesës së banorëve të bërë në redaksinë e emisionit Fiks Fare nëpërmjet postës elektronike, gazetarët e Fiksit u nisën drejt Mesaplikut. Rruga në ndërtim e sipër e Lumit të Vlorës nga ku shkon për në fshat është rreth 30 km. Këto 30 km u bënë për 3 orë, sidomos në segmentin 7 km para se të ktheheshe për në fshat rruga ish aq e keqe sa edhe furositrada nuk bënte punë.

Gazetarët intervistuan një grup të madh banorësh që kishin dalë për t’i pritur. Ata ankohen që nuk kanë ujë e rrugë, bashkia i ka harruar. Ata thonë – “Partitë kujtohen të vijnë vetëm kur kanë vota për të marrë. Është e pamundur të jetohet pa ujë, sidomos gjatë periudhës së verës nuk ka thuajse fare, gjatë dimrit edhe ka se ujë është me vet rrjedhje. Për të zbritur në Vlorë na duhen më shumë se 3 orë, ndërkohë që nuk janë më shumë se 30 km.”

Ata janë të irrituar më pushtetin lokal dhe qendror që i ka harruar në këtë zonë. Ata thonë se për ujësjellësin janë dhënë disa herë fonde, por ujë nuk ka. Sipas tyre para dy javësh për shkak të emergjencave pas shirave të rënduar, nga Bashkia Selenicë u sistemua rruga rreth 7 km dhe veprat e artit, por në vend të rregullohej, sipas banorëve ajo u shkatërrua më keq. Njëri prej tyre tregon se si para dy ditësh kishin varrosur një bashkëfshatar, dhe makina e mortit ngeci në mes të rrugës. Nuk e çonin dot tek varrezat e fshatit. Gropat e thella dhe shirat e rrëmbyeshëm e kishin bërë të pamundur kalimin.

Në këtë segment rrugor, nuk është ndërhyrë asnjëherë seriozisht apo me projekt konkret, për sistemimin e tij, as nga Bashkia Selenicë, por as nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, i cili në përgjigjen kthyer për Fiksin thotë se për këtë segment të shkurtër, nuk kanë patur asnjëherë kërkesë për sistemim.

Kryetari i Bashkisë Selinicë, Përparim Shahmetaj, u shpreh për Fiksin që pikërisht në këtë rrugë janë bërë disa sistemime, por nuk janë të mjaftueshme dhe rruga ka tek-tuk ka ndonjë gropë. Sipas tij, pas ndërhyrjes që është bërë nga bashkia me sistemin e rrugës me çakull, kanaleve dhe veprave të artit, situata ka ndryshuar.

“Nuk e kuptoj pse ankohen banorët” shprehet i çuditur kreu i bashkisë.

Për këtë sistemim nuk pati një fond pasi u bë me mjetet dhe punëtorët e bashkisë. Ndërsa për Ujësjellësin ai thotë se janë bërë investime të pjesshme. Por nuk kanë rezultuar të suksesshme, pasi rrjeti amortizohet nga lumi i Vlorës. Por ndryshe nga çfarë thotë numri 1 i bashkisë ne faqen zyrtare të saj të publikuar, ofrohet një tjetër e vërtet. Investimi i fundit është ai i vitit 2017 ku për të gjithë ujësjellësit e Selenicës, mirëmbajtjen dhe sistemimin, sipas shpalljes së bërë në tender është shpenzuar rreth 140 milionë lekë. Përpos kësaj, sot banorët nuk kanë ujë.

Fiksi kontaktoi edhe me FSHZH-it. Sipas tyre në Komunën Brataj nga FSHZH-it është ndërhyrë gjatë viteve 2004 – 2005 ku është zbatuar një investim prej rreth 6.1 mln lekë financuar nga Banka Islamike. Projekti konsistonte në pastrimin dhe sistemimin e veprave të artit ekzistuese, pastrimin e kanaleve, shtrimin me çakull dhe stabilizant.

Gjatësia e trajtuar në total është rreth 2 km. Kjo është e vetmja përfshirje e FSHZH-së në këtë zonë në të shkuarën. Gjithashtu Fiksi u informua se pranë Fondit Shqiptar të Zhvillimit nuk ka asnjë kërkesë për financim të këtij segmenti rrugor.

500 banorë pa rrugë e pa ujë, kryetari i bashkisë: S’kuptoj pse ankohen Read More »

Kryebashkiakja e Sarandës humbet qetësinë dhe i bie tavolinës

Kryetarja e Bashkisë së Sarandës, Floriana Koka ka treguar se dhe ajo mund ta humbasë qetësinë. Me anë të një vendimi, Bashkia ka vendosur largimin e tregtarëve ambulantë. Ata kanë kërkuar një takim, por gjatë fjalës së saj, Koka është parë disa herë që të nervozohet, dhe i ka rënë dhe tavolinës.

Pjesë nga debati

Koka: Kur shet mallra, le të vij tek vendi që është vendosur. Nuk ka vend për njerëz të llastuar në këtë qytet, ka vend për njerëz punëtorë. Të do dalësh fare, se unë e kam marrë këtë vendim, dhe ta pranosh këtë zgjidhje. Qyteti nuk është vendi juaj është vendi i të gjithëve. Prandaj ju kemi bërë atë vend që është mrekullueshëm. Të llastuarit le të rrinë në shtëpitë e tyre.

Qytetarja: Ti ke ardhur dje në qytet.

Koka: Unë erdha dje?!

Qytetarja: A e ke parë atë tregun tonë?

Koka: Atë tregun që e keni bërë paçavure.

https://www.facebook.com/ArgjiroLajm.net/videos/977977082371521/?t=0

Kryebashkiakja e Sarandës humbet qetësinë dhe i bie tavolinës Read More »

‘Kryetari i Bashkisë është vetëm për njërzit e vet’, debati mes Ramës dhe banorëve: Si të duron gruaja

Kryeministri Edi Rama deklaruar gjatë dëgjesës në kuadër të ‘Llogaridhënies’ se janë 11 milionë euro në dispozicion të atyre që do të shpalosin projektet për agroturizëm.

Gjatë dëgjesës pati edhe disa debate mes banorëve dhe Ramës, për pronat, punësimet dhe probleme të tjera që i shqetësojnë. Ndërsa nuk munguan edhe batutat me banorët, pasi kryeministri është nip në Vuno.

Debati me qytetarët në Himarë
Qytetarja: Nuk po na jepet e drejta për kullotat për kopenë në Vuno, vetëm ne jemi

Kryebashkiaku Goro: U kemi dhënë përgjigje, nuk keni bërë procedurat e duhura, e kemi parë me kujdes cdo gjë

Rama: Ai po të jep përgjigje, duhet ta dëgjosh. Po i shoh dokumentet, kjo nuk bëhet duke ndërprerë njeri tjetrin, na turpëron edhe Vunoin, na e nxjerr sikur është vendi i njerëzve me 39. Mos na nxirr namin e keq. Të lutem se po e tepron. Mos se do të thonë u zunë Vunjotësit me njëri tjetrin. Ca qengji urtë ti?! Ti paske edhe 300 të tjerë pas…Do të shikojmë mundësinë që ta shpallim edhe gruan heroinë të punës, që të përballon ty.

Qytetarja:Kemi probleme me pronat, na i kanë marrë

Rama: Lesh arapi, që nuk e merr vesh i pari të dytin. Do të shikojmë letrat dhe në bazë të letrave, kujt i takon do i njihet e drejta.

Qytetarja: Kryetari i bashkisë është vetëm për njerëzit e tij këtu, jo për të drejtuar punën

Rama: Nëse toka është shpronësuar për interes publik shkruani te faqja, aty me fakte…

Qytetarja: Këtu e ke bërë plazhin, je rritur këtu…

Qytetari: Berisha më tha që Borshi nuk ka dalje në det, mos e bën si Berisha na ndihmoi edhe ne, se të kam njohur që të vogël.

Rama:Mos na e përmend, se është edhe ditë e premte, do të na prishësh muhabetin

‘Kryetari i Bashkisë është vetëm për njërzit e vet’, debati mes Ramës dhe banorëve: Si të duron gruaja Read More »

Vlahutin bën një kërkesë ugjente për qeverinë

Ambasadorja e BE-së Romana Vlahutin ka kërkuar sot nga institucionet shqiptare që të ndalohet legalizimi i objekteve të paligjshme. Gjithashtu diplomatja e BE në vendin tonë kërkoi që të merren masa për përfituesit e paligjshëm të pronave.

“Një tranzicion kaq i gjatë dhe i vështirë nuk mund të përfundojë pa një dialog ku të përfshihen të gjithë aktorët dhe mbi të gjitha pronarët. Po kështu është urgjente që praktikat abuzive të së shkuarës të ndalen dhe ndërtimet e paligjshëm të legalizuar në kurriz të pronarëve të mos legalizohen,” tha Valhutin.

“Ka njerëz që kanë legalizuar plazhe ranore, detin si tokë bujqësore dhe kjo është absurde. Korrupsioni dhe vonesat në gjykata kanë shkaktuar konflikte në shoqëri”, tha gruaja e Brukselit në Tiranë.

Znj. Vllahutin tha se Shqipëria e ka imperative zgjidhjen e çështjes së pronës.

“Çdo qytetar nuk mund të privohet nga e drejta për të gëzuar pronën e tij. Bashkim Europian nuk negocion me këtë të drejtë themelore të njeriut”, tha ambasadorja e BE-së në Tiranë.

Qëndrimet e saj u shprehën gjatë një konference për pronën në Shqipëri.

Vlahutin bën një kërkesë ugjente për qeverinë Read More »

Negociatat shqiptare me BE, kur vendet anëtare luajnë sipas halleve të tyre!

Një ditë më parë “Der Standard” jepte shpresë, teksa shkruante se Holanda dhe Danimarka kanë gjasa ‘të kthejnë’, kur të gjithë të tjerët po tërhiqen.
Shkruan Ardit Rada

Nëse besoni se gara për hapjen e negociatave vendoset vetëm nga zhvillimi i situatave në Shqipëri, thjesht gaboheni. Sepse procesi i integrimit europian influencohet në çdo moment të tij nga dinamikat e zhvillimeve brenda vendeve anëtare, nga luftërat në rajonet rreth kontinentit, flukset e emigrantëve, terrorizmi apo edhe tendencat politike të vendeve të tjera, siç është rasti i presidencës Trump. Siç shihet është një lojë me shumë porta, një ekuacion me shumë të panjohura.

Nga këto ligjësi të shkruara e të pashkruara nuk bën përjashtim as rasti shqiptar, me negociatat për anëtarësimin në BE. Siç dihet pas pak ditësh krerët e Unionit duhet të marrin një vendim për hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë. Dhe këtu nis baleti i interesave të brendshme të vendeve anëtare.

Së paku tre vende të Bashkimit Evropian momentalisht e bëjnë të pasigurtë çeljen e negociatave të BE-së me Shqipërinë. Bëhet fjalë për Francën, Danimarkën dhe Holandën.

Bashkimi Evropian është ndarë prej kohësh në dy kampe. I pari udhëhiqet nga Franca dhe Holanda, të cilat shprehen se BE duhet të fokusohet në reformimin e vetvetes pas largimit të Britanisë së Madhe, para se të marrë në konsideratë anëtarë të rinj.

Nga ana tjetër, këto vende shqetësohen se ftesa për vendet ballkanike do të ishte një dhuratë për oponentët populistë të BE në zgjedhjet për Parlamentin Evropian, që mbahen në vitin 2019.
Një ditë më parë “Der Standard” jepte shpresë, teksa shkruante se Holanda dhe Danimarka kanë gjasa ‘të kthejnë’, kur të gjithë të tjerët po tërhiqen.

Retures raportonte pak kohë më parë se në Bruksel thuhet se “Macron ka ndjesinë se do t’u hapte krahun djathtistëve në politikë” nëse hapte dritën leshile për Ballkanin. Dhe Macron është tejet i ndjeshëm ndaj numrave të të djathtës franceze që çuan në disfatë paraardhësin e tij Hollande.

Edhe qeveria holandeze e argumenton qëndrimin e saj kundër, me frikërat e brendshme. Përballë pretendimeve të reja nga dyshja skeptike, qëndron Komisioni Europian, i cili kërkon hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë. Teknicienët kanë thënë “Po”, por ata që votohen jane politikanët!

Përballë Francës dhe Holandës qëndrojnë zyrtarë të Komisionit Evropian, politikanë të lartë gjermanë dhe qeveritë nga Evropa Lindore e Qendrore. Ata argumentojnë se BE duhet t’i mbajë vendet e Ballkanit në orbitën e tij për të kundërshtuar influencën në rritje në oborrin jugor nga fuqi rivale.

Gjermania është lokomotiva e Europës. Edhe tani, kur Merkel po përpiqet të luajë në rrafshin europian, edhe pse ka kundër aleatët kryesorë politikë. Qëndrimi i saj ndaj refugjatëve ndërthuret me dëshirën për të promovuar Tiranë e Shkupin. Një lojë ekuilibri e vështirë për kancelaren me mbështetje gjithnjë e më të dobët brenda vendit.

Një erë jo e mirë fryn edhe në Lindje. Aty ku tekat nacionaliste e ksenofobe të Orbanit dhe performanca e dobët e vendeve si Rumania e Bullgaria, e kanë bërë klubin europian të duket si një tryezë e shthurur, ku idea e zgjerimit duket thjesht si një shtim telashesh, në një shtëpi që edhe kështu ka plot halle.
Pra, hapja ose jo e negociatave nuk është më një çështje që i takon Tiranës.

Aq më tepër kur bëhet fjalë për më pak se një javë kohë nga samiti i 28 Qershorit. E parë me syzet e vogla të Shqipërisë, kryesisht për konsum të brendshëm politik, çelja e negociatave shihet si një dështim i qeverisë, nga ana e opozitës. Ndërsa qeveria nga ana tjetër, një mbyllje dere nga BE-ja do t’ia faturonte opozitës si lobuese kundër integrimit të vendit.

Por edhe vetë kryeministri Rama nuk i ka kursyer akuzat ndaj BE-së duke e paraqitur rrezikun rus si kërcënim, nëse BE nuk bën një hap drejt Ballkanit Perëndimor. Madje Rama kulmoi teksa tha se është gati t’i riatdhesojë të gjithë shqiptarët problematikë, nëse ata janë sebepi i Evropës për të mos hapur negociatat.

Gjithësesi sipas zyrtarëve të lartë të Komisioni Evropian, Shqipëria i ka përmbushur kriteret dhe Europa duhet t’i qëndrojë fjalës së saj. Ky është një qëndrim zyrtar dhe çdo përgjigje tjetër nga BE-ja do të shihej si prerje në besë nga ana e shteteve që do të ishin kundër.

Negociatat shqiptare me BE, kur vendet anëtare luajnë sipas halleve të tyre! Read More »

Mafia e tokave, pandëshkueshmëria në Hipoteka ndihmon përhapjen e korrupsionit me pronat

Gjatë tre viteve të fundit në Shqipëri janë regjistruar qindra çështje penale për tjetërsim të paligjshëm të pronës publike dhe private, por prokuroritë dhe gjykatat janë treguar të buta ndaj zyrtarëve të Zyrave të Regjistrimit të Pasurisë së Paluajtshme dhe ALUIZNIT, duke thelluar më tej pandëshkueshmërinë dhe korrupsionin.

Me 31 maj, Kontrolli i Lartë i Shtetit kallëzoi në prokurori shtatë ish-regjistrues, katër specialistë dhe një ish- specialist të Zyrës Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, ZVRPP, Elbasan, të dyshuar për shpërdorim detyre pas një auditimi të ndërmarrë në këtë institucion.

Zyrtarët dhe ish-punonjësit e ZVRPP-së Elbasan akuzohen se kanë kryer regjistrime të pasurive në objekte arkeologjike pa dokumentacionin e duhur ligjor, regjistrime me dokumente të parregullta dhe ndryshime nga zëri kadastral “liqen” dhe “rrugë” në kullotë dhe truall, si dhe regjistrim pasurie shtetërore pa dokumentacionin ligjor për një sipërfaqe totale toke prej 232,931 metrash katrorë. Të njëjtët punonjës gjithashtu dyshohet se kanë shmangur procedurat ligjore për arkëtimin e 257 milionë lekëve [2 milionë euro] të ardhura, të cilat mungojnë në arkën e shtetit.

Kallëzimi i bërë nga KLSH ndaj punonjësve të ZVRPP Elbasan nuk është rast i izoluar. Të dhënat e siguruara nga BIRN nëpërmjet ligjit për të drejtë informimi tregojnë se gjatë 4 viteve të fundit, KLSH ka kallëzuar në prokurori qindra punonjës të ZVRPP-ve dhe ALUIZNIT – që rankojnë nga ish drejtorë e deri në specialistë në terren, të akuzuar se nëpërmjet shpërdorimit të detyrës i kanë shkaktuar shtetit një dëm ekonomik prej qindra milionë lekë.

Kallëzimet për zyrtarët e ZVRPP-ve nuk vijnë vetëm nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, por edhe nga qytetarët dhe institucionet e tjera. Sipas të dhënave të mbledhura nga BIRN në Prokurori, gjatë të njëjtës periudhë ka pasur qinda kallëzime ose procedime penale të iniciuara nga organi i akuzës, nga të cilët me shumë se gjysma janë pushuar dhe vetëm ¼ janë dërguar për gjykim.

Në fund, nga qindra kallëzime vetëm dy persona janë dënuar.

Numri i lartë i çështjeve dhe masat e pakëta dhe të lehta të dënimit konfirmohen dhe nga prokurorët, të cilët propozojnë ashpërsim të politikës penale për çështjet e shpërdorimit të detyrës dhe falsifikimit të dokumenteve të pronave, si dhe hetim pasuror për zyrtarët e shpallur fajtorë nga gjykata në bazë të ligjit anti-mafia.

Për papërgjegjshmërinë e zyrtarëve të institucioneve që merren me regjistrimin e pronave si dhe pandëshkueshmërinë nga organet ligjzbatuese ankohet edhe KLSH-ja, e cila nënvizon që vetëm në pak raste, kallëzimet e saj ndiqen nga Prokuroria.

Korrupsioni me pronën

Gjatë regjimit komunist në Shqipëri, tokat u konfiskuan dhe i kaluan në pronësi të shtetit, një princip i konsoliduar në kushtetutën e vitit 1976. Pas rënies së regjimit në vitin 1991, në kushtet e një krize ekonomike të thellë, parlamenti abrogoi Kushtetutën e regjimit dhe miratoi ligjin ‘Për principet kushtetuese’ – i cili u njoh si ligj bazë deri në miratimin e Kushtetutës së vitit 1998. Ky ligj garantonte të drejtën e pronës private dhe e shtynte shtetin të ndërtonte marrëveshje duke u bazuar në principet e ekonomisë së tregut.

Gjatë viteve 1991-1992 u miratuan tre ligje të cilën iniciuan transferimin e pronës shtetërore te qytetarët dhe personat juridik – më i njohuri mes tyre ligji nr. 7501 ‘Për tokën’, që i kalonte tokën e kooperativave dhe fermave bujqësore familjeve. Në vitin 1993, këtyre ligjeve iu shtua dhe ligji “Për kthimin dhe kompensimin e pronës,” që synonte të kthente prona të sekuestruara nga regjimi komunist ish- pronarëve.

Gjatë dy dekadave në vijim këto ligje u amenduan disa herë, ndërkohë që zbatimi i keq i tyre dhe vendimet shpesh arbitrare të gjykatave sollën konflikte dhe korrupsion për shkak të pronës. Në të njëjtën periudhë, lëvizja e popullsisë nga zonat rurale në ato urbane si dhe mungesa e planeve vendore të zhvillimit, solli ndërtimin e qindra mijëra ndërtimeve pa leje, të cilat e komplikuan edhe më shumë çështjen e pronës private. Tre institucionet kryesore që u mandatuan të administrojnë transferimin, regjistrimin dhe legalizimin e pronës ishin Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave dhe Agjencia e Legalizimit Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave/Ndërtimeve Informale, ALUIZNI.

Si rrjedhojë e situatës së trashëguar, sot shkelja e të drejtave të pronësisë konsiderohet një problem serioz për qytetarët, zhvillimin e ekonomisë dhe shtetin ligjor në Shqipëri.

Të dhënat e siguruara nga BIRN nga Kontrolli i Lartë i Shtetit tregojnë se vetëm gjatë viteve 2013-2016 dhe 6 mujorit të parë të vitit 2017, institucioni më i lartë publik i auditimit kallëzoi penalisht 187 zyrtarë të zyrave vendore të regjistrimit të pasurisisë dhe ALUIZN-it, të akuzuar se i shkaktuan shtetit një dëm ekonomik prej 932.9 milionë lekësh. Për të njëjtat shkelje, KLSH dha 129 masa për largim nga puna.

“Shkeljet ndodhin për shkak të stafit jo të trajnuar, por dhe njerëzve që punojnë në këto institucione, që mesa duket janë vullnetarë për çdo firmë që hedhin, se sa përgjegjës për detyrën që bëjnë, “ shpjegoi Ermal Yzeiraj, drejtor i departamentit juridik në KLSH.

BIRN gjithashtu iu drejtua me një kërkesë për të drejtë informimi të gjithë prokurorive të rretheve gjyqësore në vend, duke kërkuar informacion mbi çështjet e regjistruara për falsifikim dokumentesh dhe shpërdorim detyre të regjstruara ndaj zyrtarëve të ZVRPP-ve gjatë periudhës 2013-2016.

Në total 11 prokurori iu përgjigjën kërkesës për informacion, duke njoftuar se gjatë kësaj periudhe u regjistruan 210 procedime penale me 83 të pandehur. Nga këto procedime, 135 u pushuan dhe 43 çështje u dërguan në gjykatë. Deri më tani janë regjistruar 2 dënime dhe një pafajësi. Prokuroria me më shumë çështje të regjistruara kundër zyrtarëve të ZVRPP-së është ajo e Vlorës me 137 procedime.

Shumë nga këto kallëzime janë bërë nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, por KLSH ankohet se shumica e kallëzimeve të dorëzuara në prokurori gjatë viteve të fundit janë pushuar.

“KLSH ka depozituar shumë kallëzime, ku pak nga këto kallëzime janë ndjekur nga prokuroria, ndërkohë që pjesa më e madhe e tyre është pushuar, raste këto që ne si institucion i kemi ankimuar të gjitha në gjykatë,” tha Yzeiraj.

“Shumë kallëzime janë kryer edhe për nëpunës të ALUIZN-it, të cilët në shumë raste kanë abuzuar me detyrën,” shtoi ai.

Ashpërsimi i dënimeve

Rezultatet e dobëta në luftën kundër korrupsionit me pronën nuk njoftohen vetëm nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, por gjithashtu pranohen edhe nga organi i akuzës.

“Kemi shumë raste të zyrtarëve që kanë abuzuar me detyrën e tyre, dhe si përfundim, nëse janë dënuar, janë dënuar me masa të lehta penale,” shprehet Besnik Muçi, prokuror pranë Prokurorisë për Krime të Rënda.

Muçi shton se për shkak të gjithëpërhapjes së krimeve me pronën, është e nevojshme të amendohet Kodi Penal për të ashpërsuar masat e dënimit për këtë lloj vepre penale.

“Unë personalisht jam për shtimin e një dispozite tjetër, tek neni për akuzën e “Shpërdorimit të detyrës” dhe “Falsifikimit të dokumentave”, duke qartësuar se nëse këto vepra kryhen me qëllim tjetërsimin e pronës së individit apo të shtetit, duhet të jetë një dënim më i madh me burg, dënim i cili duhet të përllogaritet në masën e dënimit të shkaktuar nga zyrtari që kryen veprën penale,” tha ai.

Kolegia e tij nga Kruja, Mirela Kapo, e cila ka hetuar një çështje ndaj dy zyrtarëve të ZVRPP Krujë, e cila është në fazën përfundimtare të gjykimit, shprehet më pesimiste ndaj efikasitetit të ashpërsimit të masës së dënimit.

Kapo i tha BIRN se vetëm ashpërisimi i dënimeve nuk do të sillte zgjidhjen e problemit, duke sugjeruar se është e nevojshme që zyrtarëve të dyshuar duhet t’i hetohet edhe pasuria.

“Nëse një drejtues hipoteke apo zyrtar i këtij institucioni kryen veprime të kundraligjshme me qëllim tjetërsimin e mijëra metrave katrorë, siç ka ndodhur në disa zona të vendit, në bregdet e zona malore, nuk e ka problem të qëndrojë disa vite në burg apo qoftë edhe me masa ndaluese në arrest shtëpie. Kjo pasi tjetërsimi i mijërave metrave katrorë tokë, automatikisht ka dhe një përfitim të konsiderueshëm,” u shpreh ajo.

“Ajo që është më e rëndësishmja për hetimin e kësaj kategorie zyrtarësh është verifikimi i pasurisë së tyre. Për të goditur këtë shtresë unë jam me parimin “ndiq paranë”,pasi kjo është mënyra e vetme për t’i frikësuar, duke i vënë saksione mbi pasurinë,” shtoi ajo.

Besnik Muçi nënvizon se në draftin origjinal të ligjit antimafia përfshihej dhe vepra penale e shpërdorimit të detyrës, por ky parashikim u hoq gjatë procesit legjislativ.

“Shpërdorimi i detyrës si vepër, thuajse u fut në dispozitat që do hetonte ligji antimafia në kohën kur ky ligj diskutohej në komisionet parlamentare, por në momentet e fundit kjo dispozitë u hoq dhe nuk është diskutuar më në këtë pjesë,” tha Muçi.

“Nëse një kryetar hipoteke apo një jurist dhe inxhinier topograf në hipotekë shkel ligjin dhe bën shpërdorim detyre duke ia hequr pronën njërës palë dhe duke ia dhënë një tjetre, nuk besoj se e bën pa përfituar një të mirë materiale,” shtoi ai.

Sipas Muçit, ndryshimet e fundit të Kodit të Procedurës Penale parashikojnë që i dëmtuari të bëhet palë në gjyqin penal, çfarë e ndihmon të kërkojë rikthimin e pronës së tjetërsuar.

“I dëmtuari do kërkojë pronën në anën proceduriale civile, ndërsa prokurori në atë penale. Të dyja bashkë këto tani janë ndërthurur me njëra-tjerën dhe kjo është një gjë e mirë, që gjykata njihet me shkeljet dhe jep vendim edhe penal, por edhe civil, duke i rikthyer pronën që i është rrëmbyer individit,” tha prokurori i Krimeve të Rënda.

“Një gjë e tillë duhet të ndodhë edhe me shtetin, kur i dëmtuar është vetë ai. Shumë raste kemi dëgjuar kohët e fundit që pronat e shtetit në bregdet janë grabitur. Në këto raste, Avokatura e Shtetit duhet patjetër të bëhet palë në proceset penale që prokuroria do zhvillojë, duke kërkuar dhe mbrojtur interesat e shtetit,” përfundoi Muçi.

Mafia e tokave, pandëshkueshmëria në Hipoteka ndihmon përhapjen e korrupsionit me pronat Read More »