Shtetasi shqiptar Përparim Qose tregoi në emisionin “Stop” se ka aplikuar për legalizimin e banesës së tij që në vitin 2006, por ende nuk ka mundur të pajiset me të.
“Ata nuk ma kanë legalizuar, më sjellin përqark. Gjatë gjithë kësaj kohe unë kam shkuar 1000 herë, më kanë thënë që është në përpunim dosja dhe më kanë përzënë”, tha zoti Përparim, të cilit i nevojitet sa më shpejt leja e legalizimit për të rregulluar tavanin që po i prishet, pasi në atë banesë ndodhen tre kurora.
Sakaq gazetarja e emisionit “Stop” iu drejtua ALUIZNI-t Elbasan, ku komunikoi me përgjegjësin Andrea Begu. Ai tha se pritej përgjigje nga Drejtoria e Hekurudhave për distancën e banesës së familjes Qose nga shinat e trenit.
“Objekti kishte një distancë që kërkonte domosdoshmërisht një konfirmim Hekurudhe. Në datën 11.06.2018 ka ardhur shkresa nga Drejtoria e Hekurudhave Durrës, e cila është shprehur se objekti i Përparim Qoses e respekton distancën e lejuar nga vija hekurudhore. Unë e kam trajtuar dosjen dhe ka dalë për vazhdim procedure për fazën e kualifikimit”, tha përgjegjësi i ALUIZNI-t Elbasan.
E tanshmë çdo gjë është në rregull dhe Përparim Qose për 10 ditë do të ketë në dorë lejen e legalizimit, për të cilën është sorrollatur për plot 12 vite.
Pasi qarku i Durrësit u mbërthye nga tërmetet e shumta për disa ditë më radhë, lëkundjet janë rikthyer sërish në të njëjtën zonë.
Mësohet se, sërish epiqendra e tyre ka qenë Gjiri i Lalzit dhe Hamallaj në Durrës. Sipas të dhënave që mblidhen e përpunohen nga Instituti i Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit, tërmeti më i fuqishëm ka rënë në mesditë në orën 14:00 i me lëkundje 2.5 ballësh i shkallës rihter.
Ka pasur lëkundje edhe gjatë natës dhe ditës, ndërsa deri në orën 20:00 kanë rënë 8 tërmete të shkallëve të ndryshme, por kryesisht të lehta.
Pëllumb Nexhipi banues në Fier ka një shtëpi 72 metra katror objekt banimi dhe 340 metra katror truall.
Dhe këtë pronë ia ka blerë babait të tij në vitin 1996. Në atë kohë vetëm shtëpia ishte me dokumenta pronësie, ndërsa për pjesën e oborrit u zhvillua një gjyq i cili vendosi se kjo hapësirë i takonte zotit Nexhipi pasi kishte me shumë se 20 vite që e kishte në përdorim. Në këto kushte Pëllumbi i blen babait shtëpinë me dokumentacionin e plotë.
Rajmonda Nexhipi: Unë kam një shtëpi në lagjen ’16 prilli’, 72 metra katror plus një truall 340 metra katror. Kjo shtëpi ka qenë e vjehrrit tim që në vitin 1957. Në vitin 1996, unë i blej shtëpitë e vjehrrit, i them i dua me dokumenta të rregullta, në truall dhe shtëpi. Në këtë kohë, vjehrri bën një gjyq me bashkinë dhe marrin vendim që njihet se kishin mbi 20 vjet që e përdornin, truallin 340 metra katror. Më vonë më duhej një kredi, e marr dhe aty i duhej pasuria ime. Në kartelë është shtëpia dhe trualli, në vitin 2002. Më thonë trualli nuk të njihet se është me vendim të Gjykatës të ’96 dhe këto vendime nuk njihen. Nuk di si të veproj.
Ama ka rreth 3 vite që hipoteka e Fierit nuk i regjistron tokën por vetëm shtëpinë . Por çudia më e madhe është se në vitin 2002 ky institucion i ka dhënë një kartelë pasurie ku njihet oborri dhe shtëpia, ndërsa tani i njeh vetëm shtëpinë.
Zëdhënësja e ZVRPP Fier: Ky është vërtetim fakti. Njohje pronësi, është pas hyrjes në fuqi të kodit civil. Pas nëntorit të 1994.
Gazetarja e “Boom”: Gjykata ia ka njohur këtë 340 metra. Ju pse s’e regjistroni?
Zëdhënësja e ZVRPP Fier: Gjykata ia ka njohur në 1996. Atëherë ligji aktual neni 193, 195 i Kodit Civil thotë: Vendimet e gjykatës të dala pas nëntorit 1994 janë objekte vërtetim fakti dhe nuk regjistrohen në ZVRPP Fier.
Gazetarja: Çfarë duhet të bëjë zonja tani?
Zëdhënësja e ZVRPP Fier: T’i drejtohet organit kompetent për titullin e pronësisë.
Gazetarja: Kujt?
Zëdhënësja e ZVRPP Fier: Të kapi avokat zonja.
Përgjigjes se përse nuk ia regjistron oborrin zonjes pasi ajo disponon edhe një vendim gjyqësor për këtë, i përgjigjet se nuk njihen vendimet gjyqësore të vitit 1996. Zonja duhet të marrë avokatë dhe të hapë përsëri gjyq.
Një vendim që do të gëzojë shumë familje shqitpare është marrë sot nga qeveria. Që sot nxënësit që ndjekin arsimin fillor nga klasa e parë deri në klasën e katërt do t’u jepen tekstet shkollore në përdorim falas. Ky është vendimi i marrë sot nga Qeveria në mbledhjen e saj të sotme, ku thuhet se çmimi i blerjes së teksteve shkollore mbulohet 100% nga fondet e buxhetit të shtetit, miratuar për ministrinë përgjegjëse për Arsimin. Vendimi hyn në fuqi menjëherë pas botimit në fletoren zyrtare.
Institucionet arsimore si dhe njësitë arsimore vendore ngarkohen që brenda muajit korrik të çdo viti, përgatisin listën e parashikuar të nxënësve që ndjekin arsimin fillor nga klasa e parë deri në klasën e katërt. Në vendim thuhet se blerja e teksteve shkollore të nxënësve që ndjekin arsimin fillor nga klasa e parë deri në klasën e katërt, në emër të prindërve ose përfaqësuesve ligjorë, për llogari të nxënësve, realizohet nga institucioni arsimor, për llogari të njësisë arsimore vendore.
Likuidimi i faturës tatimore ndaj subjekteve, shtëpive botuese, realizohet nga njësia arsimore vendore, me fondet e miratuara si “Transfertë tek individët”, në buxhetin e ministrisë përgjegjëse për arsimin, në llogarinë bankare të shitësit. Mënyra e shpërndarjes dhe e administrimit të teksteve për këtë kategori nxënësish përcaktohen me udhëzim të ministrit përgjegjës për arsimin. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, parashikohen në shumën prej 270 000 000 lekësh. Këto fonde janë parashikuar në buxhetin e miratuar për vitin 2018.
Kryeministri Edi Rama ndodhet në Bruksel, në kuadër të samitit të NATO-s.
Sakaq, mbrëmjen e sotme ishte edhe ndeshja gjysmë finale mes Anglisë dhe Kroacisë, ndeshje që çoi Kroacinë në finale me rezultatin 2-1.
Ndërkohë Rama ka publikuar një video në rrjetet sociale, ku bashkë me liderët botërorë, përfshirë dhe kryeministren britanike Theresa May, është duke parë ndeshjen në momentet e fundit.
Në momentin që ka humbur Anglia, Rama ka ngushëlluar kryeministren britanike duke i vendosur dorën në shpatull dhe duke lëshuar dhe një batutë që ka shkaktuar të qeshura: “Kupa e Botës po vjen në Ballkanin Perëndimor. Të paktën bëre diçka për Ballkanin Perëndimor”- ka thënë Rama duke qeshur.
Valdrin Pjetri kreu i ZRRP, sot në Vlorë, në zyrat e hipotekës së Vlorës. Largimi i ish drtejtorit Sokol Banaj, me shkelje dhe pas abuzimeve të zbuluara, por edhe masat per sezonin turistik, kanë sjellë Pjetrin në Vlorë. Pas nje takimi të zhvilluar në ambjentet e ZVRRP-se Vlorë, me administraten e këtij institucioni , Pjetri ka dalë në një deklaratë për mediat, ndersa është ndalur në masat për sezonin, që do të konsistoje në shtimin e personelit dhe sportleve, ndersa ka prekur edhe një nga problematikat e nxeheta që kanë të bëjen me abuzimet në këtë institucion.
Pjetri ka prekure dhe temen e ish drejtorit Banaj, i largua pas një kontrolli të ushtruar ku janë evidentuar problematika te ndryshme
ZVRRP mbetet një nga institucionet me problematike, ndersa referuar situates se sezonit, pritet masa shtese edhe kontrolle te vijueshme.
Në 3 vitet e fundit, intensiteti i aktiviteteve argëtuese kulturore e sportive në Vlorë, ka shënuar një rritje të dukshme, duke u shumëfishuar krahasuar me periudha paraardhëse.
Iliana Paparizo, ose Anka sikundër e thërrasin në mjediset artistike në Vlorë, Këshilltare për Turizmin dhe Kulturën në Bashki, nënvizon se, aktivitetet kanë impakt të drejtpërdrejtë në promovimin e vlerave turistike të bregdetit dhe të të gjithë territorit, ndërkohë që krijojnë atmosferë festive dhe tërheqëse për pushuesit dhe turistët e huaj.
“Ne po punojmë për të krijuar produktin turistik “Made in Vlora” dhe për ta shtrirë turizmin përgjatë gjithë vitit”, thekson ajo në një intervistë për ATSH-në.
-Tre ditë më parë, u zhvillua “Opera në Jeans”, që mblodhi në një nga sheshet pranë Lungomares një numër të madh qytetarësh, artdashës vlonjatë dhe pushues. Ishte befasues për ju ky fakt, kjo pjesëmarrje kaq e madhe në një aktivitet disi specifik?
Në fakt, unë do të thosha që ky ishte koncerti i radhës, një nga ato aktivitete të shumta që janë zhvilluar këtë vit në Vlorë. Po e filloj me atë që u zhvillua në datën 14 mars, që ishte një koncert shumë i veçantë , për të vazhduar më pas me gjithë ditët e aktiviteteve që ne zhvilluam në çelje të sezonit turistik. Këtu kam parasysh çeljen zyrtare të sezonit turistik, sepse dua ta ritheksoj se, këtë vit, sezoni turistik real, ka nisur që në muajin prill. Por, ajo që ndodhi të dielën në mbrëmje, “Opera në Jeans”, në bashkëpunim me Teatrin e Operas dhe Baletit, ishte një nga aktivitetet më të mëdha që janë zhvilluar deri tani në qytetin e Vlorës. Kishte një pjesëmarrje mbi 2000 qytetarë artdashës, por edhe mjaft të tjerë që rrinin në këmbë, për shkak se aq ishte kapaciteti i vendeve të ulura që kishim parashikuar. Ishte një pjesëmarrje e pazakontë, në një atmosferë shumë të veçantë, ku ishte i pranishëm edhe kryeministri, Edi Rama, si edhe mjaft turistë vendas e të huaj, mjaft prej të cilëve shprehën vlerësime për këtë aktivitet. Duke shtuar edhe faktin se, vendi i zgjedhur për të, ishte pranë Lungomares, në Sheshin Marina, janë të mjaftueshme për të thënë se, kjo është sot Vlora, ose siç kam dëshirë ta perifrazoj “New Vlora” e turizmit, e aktiviteteve, e profilit festiv, Vlora ndryshe, Vlora e pushuesve nga zona të ndryshme të vendit, e turistëve nga e gjithë bota, e shqiptarëve nga të gjitha trevat.
-Prej tre vitesh ka një shumëfishim të aktiviteteve kulturore në Vlorë, veçanërisht gjatë muajve të sezonit turistik. Kjo është pjesë e strategjisë së Bashkisë për të krijuar amtosferën e përshtatshme për turistët e huaj dhe vendas, apo edhe një mundësi dhe mënyrë promovimi e përfshirjeje?
Në Vlorë mund të shijosh llojet e ndryshme të turizmit, veç atij bregdetar, ku përfshihen turizmi malor, ai i aventurës, turizmi kulturor etj etj. Të gjitha këto së bashku, marrin një vlerë tjetër, duke shtuar edhe aktivitetet që ne bëjmë.
Por, këtu ka edhe një fakt; ndryshimi dhe përmirësimi tërësor i infrastructures. Kjo është shoqëruar edhe me krijimin e hapësirave të reja, të vendeve të përshtatshme për të organizuar aktivitete të llojeve të ndryshme dhe që krijojnë mundësi të shumta promovimi. Mjafton ta nis me Lungomaren, për të vazhduar me Kinemanë Verore, sheshin më të ri, ish Marina, që ishte një hapësirë tërësisht e harruar deri pak ditë më parë dhe që u shndërrua në një amfiteatër të vërtetë të promovimit të vlerave me “Opera në Jeans”, për të vijuar me terrenet e reja sportive përgjatë bregdetit, me Ballkonin e Vlorës etj etj. Përmes aktiviteteve ne, sigurisht që promovojmë Vlorën. Por, nuk mjaftohemi vetëm me këto hapësira. Mjafton të përmend që, një nga aktivitetet e planifikuara në vijim do të zhvillohet në Kalanë e Kaninës, e cila ka vlera të shumta historike. Pjesë e kalendarit të aktiviteteve të zhvilluara deri tani ka qenë edhe Llogoraja, ku kemi zhvilluar panaire të ndryshme. Kjo pikë turistike malore, pjesë e territorit të Bashkisë Vlorë, ofron mundësi të shumta për kategori të caktuara të turistëve të huaj e pushuesve vendas. Mjafton të përmend faktin se, aty mund të përjetosh edhe ditë shumë të freskëta, apo të përballesh me stinën e vjeshtës, në korrik e gusht, për të evidentuar atraksionin e kësaj zone malore, shumë pranë qytetit dhe detit.
-Pra, ju keni bërë atraktive edhe pjesë të tjera të territorit?
Qëllimi i vërtetë i gjithçkaje që bëjmë është promovimi i Vlorës në të gjitha dimensionet, në të gjithë hapësirën, në të gjithë territorin. Dhe Vlora nuk është vetëm në qytet, por edhe në ish bashkitë, apo komunat e dikurshme edhe në skajin më të largët, aty ku njerëzit krijojnë.
Ne kemi punuar dhe po punojmë për të krijuar një markë të veçantë të turizmit shqiptar, “Made in Vlora”. Është kjo markë që tashmë përfaqëson Shqipërinë kudo në botë dhe që pasqyrohet e reflektohet tek ata mijëra turistë nga vende të ndryshme që zgjedhin të vijnë në Vlorën tonë, në bregdetin tonë, në Vlorën bregdetare dhe atë malore, në Vlorën e detit të kthjellët dhe në Vlorën e traditave kulturore e shpirtërore, në Vlorën e isopolifonisë e të vlerave të kulinarisë. Dhe kjo Vlorë është kudo. Është kjo Vlorë që ne po evidentojmë dhe po i japim vlerë çdo ditë e më shumë dhe që të huajt po e pëlqejnë gjithnjë e më tepër. Prandaj dhe Vlora sot është aq e gjallë, është aq plot, është aq festive, me turistë që shijojnë, që na shprehin vlerësime, që kënaqen në Vlorë, që kanë ardhur e do vijnë. Prandaj dhe ne, me aktivitetet tona jemi shtrirë në të gjithë territorin, në të gjitha llojet e aktiviteteve kulturore e sportive. Mjafton të përmendim se, vitin e kaluar këtu u zhvillua Kampionati Botëror i Fluturimeve me praninë e sportistëve nga 150 vende të ndryshme të botës, nën sloganin “Vlora është Bota”.
-Në këndvështrimin tuaj, cili është impakti që krijojnë aktivitetet në promovimin dhe zhvillimin e turizmit në Vlorë?
Për të ilustruar argumentin tim po ndalem vetëm në një aspekt; hapësirën dhe mundësitë që krijojnë në rrafshin promovues rrjetet sociale. Prania e turistëve të huaj në aktivitetet argëtuese, kulturore e sportive, i shndërron ato në modele pozitive, në shembuj të një Vlore të gjallë, argëtuese, me mundësi të shumta për të gjithë ata që zgjedhin të pushojnë këtu. Janë këta turistë që i transmetojnë përjetimet e tyre përmes rrjeteve sociale, duke u treguar bashkëkombësve e bashkatdhetarëve, profilin e vërtetë turistik të Vlorës tonë të bukur e mikpritëse, e cila mirëpret këdo që zgjedh ta vizitojë atë. Shtimi nga viti në vit i numrit të turistëve të huaj, ka në themel edhe këtë aspekt që përmenda, krahas edhe faktorëve të tjerë. Në fund të fundit, duhet ta ritheksojmë që, një hapësirë turistike ka nevojë për gjallëri, për atmosferë, për festë, për argëtim.Në të kundërt, bukuritë natyrore mbeten pa vlerë. Nisur nga kjo, ne i kemi mëshuar gjithmonë e më shumë aspektit argëtues e promovues kulturor e sportiv.
…Dhe gjithçka përfundon brenda sezonit?
Në fakt, unë dua të theksoj se, nga ana e Bashkisë po punohet fort me strategjinë e shtrirjes së sezonit, ose më saktë të plotësimit të synimit tonë për një turizëm gjithëvjetor. Vlora ka resurse të mjaftueshme për ta shtrirë turizmin në të gjithë vitin, në të gjitha stinët. Çdo periudhë ofron mundësi të caktuara, të cilat kanë një emërues të përbashkët: Vlorën me kapacitetet e saj, me atraksionet e saj të pakufizuara në kohë e në muaj. Sigurisht, në përputhje dhe në përshtatje me këtë strategji, aktivitetet në vjeshtë e në dimër zhvendosen gradualisht në mjedise të mbyllura, ku salla e Teatrit “Petro Marko”, shndërrohet në epiqendër të tyre. Gjithsesi, përvoja e këtyre viteve, ka treguar se Vlora po konsolidohet gradualisht drejt turizmit gjithëvjetor. Ky fakt na bën krenarë.
-Cilat janë disa nga aktivitetet në vijimësi?
Në datën 22 korrik do të jetë shfaqja e spektaklit të Portokallisë, të cilën qytetarët dhe pushuesit do të kenë mundësi ta ndjekin “live”. Ndërkohë, në datën 14 korrik, do të ketë një tjetër spektakël, por këtë radhë me motoçikleta. Do të jenë rreth 150 motoçiklistë nga vende të ndryshme, që do të bëhen pjesë e këtij spektakli në Lungomare, ku ne besojmë të krijojmë një atmosferë të veçantë sportive dhe ku të pasionuarit do të përjetojnë me siguri emocione.
Më tej, do të jetë Maratona e Këngës, si edhe një aktivitet domethënës në Kalanë e Kaninës, ashtu sikundër edhe shumë e shumë veprimtari të tjera. Siguroj të gjithë pushuesit se, si asnjëherë tjetër, Vlora gjatë këtyre javëve do të jetë e mbushur me aktivitete, ku gjithë secili do të mund të gjejë veten për t’u argëtuar./atsh
Në një intervistë për të përditshmen “Albanian Free Press” dhe portalin “Independent Balkan News Agency”, kryeministri Edi Rama komentoi zhvillimet e fundit politike në rajon.
Në këtë intervistë që Rama dha për botuesin e Albanian Free Press dhe themeluesin e IBNA-së, Spyros Sideris, kryeministri shqiptar foli për procesin e integrimit të vendit në Bashkimin Europian, ndaloi mbi datën e fillimit të negociatave dhe takimin që pritet të zhvillohet mes atij dhe Ciprasit si dhe për marrëveshjen që dy palët pritet të nënshkruajnë.
Rama u shpreh gjithashtu për marrëveshjen mes Greqisë dhe Maqedonisë si dhe dha këndvështrimin e tij në lidhje me Kosovën dhe negociatat e saj me Serbinë.
Intevista:
Sideris: Zoti kryeministër, cila është pritshmëria juaj për rrugën e Shqipërisë drejt BE-së?
Rama: Ky është një proces në vazhdimësi.
Ne kemi bërë hapa të rëndësishëm për hapjen e negociatave.
Ne kemi marrë vetëm datën për hapjen e negociatave, që do të ndodhë vitin tjetër, por ne kemi hyrë gjithashtu në një proces të rëndësishëm të fazës analitike, që është faza që fillon pas fillimit të negociatave.
Kjo është një zgjidhje pozitive nëpërmjet të cilës ne nuk duhet të humbasim as edhe një minutë dhe ne duhet të përdorim këto 12 muaj për procesin analitik.
Sideris: Pas marrëveshjes mes Greqisë dhe Maqedonisë, tani jemi duke pritur për marrëveshjen e miqësisë mes Shqipërisë dhe Greqisë. Kur do të takoheni me Aleksis Cipras?
Rama: Besoj se ky takim do të zhvillohet shpejt.
Sideris: Çfarë prisni në lidhje me një zgjidhje mes Kosovës dhe Serbisë?
Rama: Zgjidhja që kemi parë mes Greqisë dhe Maqedonisë dhe gjithashtu zgjidhja mes Shqipërisë dhe Greqisë janë një tregues i mirë se kur ka vullnet, ka një rrugë.
Pavarësisht faktit se zgjidhja midis Serbisë dhe Kosovës nuk është e lehtë për t’u arritur, kam besim se do të vijë. /atsh