Aktualitet

Opozita: Sasia e kapur e drogës, dëshmi për rritje të trafikut

Kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Edmond Spaho deklaroi sot se pavarësisht deklaratave të qeverisë se është eleminuar kultivimi dhe trafikimi i drogës, Raporti i Antidrogës italiane pohon të kundërtën.

Sipas Spahos, “raporti i antidrogës italiane i heq maskën qeverisë shqiptare dhe nxjerrë në dritë të diellit situatën dramatike në lidhje me kultivimin dhe trafikimin e drogës”.

“Pavarësisht deklaratave të qeverisë se është eleminuar kultivimi i kanabisit, në vitin 2017 është kapur në Itali 2 herë më shumë drogë se në 2016, që ishte vit rekord. Jemi vendi i parë i origjinës për kanabisin që i dërgohet Europës. Grupet kriminale shqiptare janë përhapur gjerësisht në trafikimin e kokainës nga Amerika e Jugut. Paraja e grupeve kriminale është rritur ndjeshëm dhe ato pastrohen lehtësisht në Shqipëri”, u shpreh Spaho.

Kryetarja e Lëvizjes Socialite për Integrim, Monika Kryemadhi deklaroi se, Shqipëria është vendi i origjinës së shumicës së kanabisit që ka destinacion tregjet europiane.

Sipas Kryemadhit, kultivimi i drogës po rritet dhe shqiptarët zënë vendin e parë në grupet kriminale. “Klanet shqiptare kanë treguar se kanë një aftësi në rritje të mariuanës dhe grupet e krimit shqiptar konkurojnë me organizatat kriminale për kontrollin e territorit. Shqiptarët zënë vendin e parë në grupet kriminale të narkotrafikut ku përfshihet dhe trafikimi i drogave të forta”, tha Kryemadhi.

Duke iu referuar raportit të antidrogës italiane , Kryemadhi tha se “raporti vlerëson se 94 raste të raportuara në vitin 2017 të trafikimit të drogës janë më të larta në dekadat e fundit ndërkohë që vlera më e ulët shënohet në vitin 2011 me 49 raste”./atsh

Opozita: Sasia e kapur e drogës, dëshmi për rritje të trafikut Read More »

Qendra Shëndetësore Verore Zvërnec

Qendra Shëndetësore Verore Zvërnec , ky është numri  0688066410 ku duhet të telefononi për të kërkuar ndihmë mjekësore në situata kritike të jetës .

Autoambulanca është e stacionuar pranë Qendrës Shëndetësore Verore Zvërnec për të përballuar të gjitha rastet e sëmundjeve të papritura dhe aksidenteve të ndryshme në plazhin e Zvërnecit.

Aktivitete gjatë gjithë sezonit turistik për të garantuar shërbim me cilësi aty ku janë pushuesit ,përgjatë gjithë vijës bregdetare.
Ekipi multidisiplinar i DRSH Vlorë në bashkëpunim me stafin e Qendrës Shëndetësore Verore Zvërnec ,Kryqin e Kuq dega Vlorë demostruan tek pushuesit teknikat e dhënies së ndihmës së parë për përballimin e urgjencave gjatë situatave kritike të jetës.

Në kë aktivitet, ju ofruan pushuesve :
● Matje të frekuencës kardiake
● Matje të glicemisë
● Matje të Tensionit Arterial ku u konstatuan 4 raste me krizë Hipertensive të cilat u trajtuan  pranë Qendrës Shëndetësore Verore Zvërnec.

Sensibilizuan çdo pushues për rëndësinë e testimit dhe këshillimit të HIV -AIDS-it  pranë zyrës së VCT-së së DRSH Vlorë.

Qendra Shëndetësore Verore Zvërnec Read More »

Gjiri i Hënës në Zvërnec ose “Karaibet shqiptare”…

Gjiri i Hënës, me një det të pastër dhe i fshehur në ishullin e Zvërnecit, frekuentohet në verë nga pushues të veçantë që preferojnë qetësinë, familjaritetin dhe intimitetin.

Vetë ishulli dhe laguna e tij quhen nga vendasit si “Karaibet shqiptare”, një përcaktim tipik vlonjat, por që i shkon shumë përshtat këtij vendi të bukur. Gjendet pak kilometra larg qytetit të Vlorës, në pjesën veriperëndimore të saj.

Një urë druri rreth 100 metra e ndërtuar rishtas mespërmes kënetës të çon drejt manastirit të vjetër. Në anën tjetër të ishullit gjendet “Kisha e Shën Triadhës”, një objekt kulti bizantin.

I tërë peizazhi krijon një ansambël shumë të bukur natyror, me plot kontraste dhe ku gjenden në harmoni bukuria me qetësinë e këtij vendi. Përveç bukurisë natyrore, interes të veçantë paraqet për vizitorët Manastiri i Shën Mërisë, i cili ndodhet në ishullin e vogël ku çdo ditë ka vizitorë të shumtë. Manastiri është një ndërtim tipik bizantin i ndërtuar në shek. X-të pas Krishtit.

Murgu i fundit nga manastiri është larguar në vitin 1967, kur në Shqipëri u mbyllën objektet fetare. Për shumë kohë manastiri qëndroi i mbyllur, u plaçkit dhe u dëmtua. Gjatë kohës së komunizmit, ishulli i Zvërnecit shërbeu si vend internimi për kundërshtarët e sistemit dhe manastiri si strehëz e tyre. Pas vitit 1990, manastiri iu rikthye përsëri funksionit të tij fetar.

Sot, ai gjendet i rikonstruktuar dhe shumë interesant për t’u vizituar. Veçanërisht ditën e 15 gushtit, e cila përkon me ditëlindjen e Shën Mërisë.  Manastiri dhe gjithë ishulli është i mbushur me vizitorë besimtarë dhe vizitorë turistë të natyrës dhe historisë.

Jo vetëm Zvërneci me ishullin dhe Manastirin e tij, por e gjithë zona me lagunën dhe detin, përbëjnë një ekosistem shumë interesant dhe tërheqës për turistët.

Me një sipërfaqe prej rreth 42 km², laguna e Nartës zë gjithë pjesën veri-perëndimore të gjirit të Vlorës dhe ndahet nga deti Adriatik me një rrip të ngushtë toke, i cili përbëhet nga duna ranore dhe plazhe të vegjël.

Plazhet intime të Zvërnecit të kujtojnë ato të Karaibeve dhe janë tepër të frekuentuara. Tashmë jemi në periudhën e verës dhe vizitorët e shumtë preferojnë të shlodhen në brigjet e këtyre plazheve.

Zvërneci është listuar në projektin “100 fshatrat”, ndërsa në qarkun e Vlorës, prezanton një investim në një prej fshatrave më piktoreskë e më të vizitueshëm të kësaj zone./atsh

Gjiri i Hënës në Zvërnec ose “Karaibet shqiptare”… Read More »

Botanistë të huaj dhe shqiptarë eksplorojnë zonën e Karaburunit

Prej gati 1 muaji një grup botanistësh shqiptarë dhe italianë në bashkëpunim me AdZM Vlorë dhe me mbështetjen e projektit Natural, po studjojnë florën e kompleksit natyror Karaburun -Llogora-Mali i Çikës.

Në qendër të studimit janë speciet e veçanta, sidomos ato endemike dhe subendemike. Gjithashtu, po bëhet një studim i plotë për bimësinë barishtore (lulet).

Ata kanë udhëtuar nga Italia dhe Franca për t’u njohur nga afër me pasuritë natyrorë të Shqipërisë, kryesisht të Karaburunit, Llogarasë e malit të Çikës.

Bashkë me botanistët shqiptarë, botanistët e huaj po identifikojnë si zona potenciale dhe me interes ndërkombëtar, për t’i bërë pjesë të rrjetit Natyra 2000.

“Qëllimi është ruajtja dhe identifikimi i këtyre resurseve që ofron kjo zonë”, shprehet Nexhip Hysolakoj, agjencia rajonale e zonave të mbrojtura Vlorë.

Natyra 2000 është një projekt i Bashkimit Europian, që përfshin mbrojtjen e hapësirave tokësore dhe ujore, me specie dhe habitate më të vyera dhe të rrezikuara.

Botanistët e huaj, të mrekulluar pas pasurive natyrore që ofron vendi ynë, kanë nisur kërkimet shkencore jo vetëm të bimësisë së rrallë, por edhe për speciet në zhdukje të kësaj zone./atsh

Botanistë të huaj dhe shqiptarë eksplorojnë zonën e Karaburunit Read More »

Pasuria e vajzës dhe njohjet me njerëz të krimit të organizuar, dalin të palarat e gjyqtarit

Verifikimet e kryera nga komisioni i Vetting-ut kanë nxjerr zbuluar gjyqtarin Gani Dizdari. Anëtari i Gjykatës Kushtetuese me shkeljet e zbuluara sa i takon fshehjes së pasurisë me shumë mundësi do të përjashtohet nga sistemi i drejtësisë.

Ka nisur në orën 12:00 seanca dëgjimore për gjyqtarin Gani Dizdari, i cili është i fundit gjyqtar nga Gjykata Kushtetuese që kalon në sitën e “Vettingut”. Gjyqtari nuk është i pranishëm në seancë, ndërsa përfaqësohet nga avokati Sokol Hazizaj.

Sipas KPK-së, Dizdari ka një apartament 95.7 m2, burimi privatizim i banesave shteterore, blerë 24 826 lekë, dhe zotëron vetëm 75% të saj. Gjithashtu ka një apartament në Gjirin e Lalzit, 86.6 m2, të blerë në 2013-tën në vlerën e 3.3 milionë lekëve, tokë arë në Mjull Bathore, 1 mije m2 në shumën 344 mijë lekë, apartament 69.7 m2 blere në 1998 në vlerën 1.8 milionë lekë nga ish-bashkëshortja e subjektit nga e cila ai zotëron 50%, subjekti nuk ka deklaruar burim pasurie, por thotë se është blerë.

Por duket se për gjyqtarin Gani Dizdari problem do të jetë pasuria e vajzës së tij. Sipas KPK-së, ajo nuk ka deklaruar shumën prej 4 mijë euro të dhuruar për kurim në Gjermani. Ndërkohë në 2009 është deklaruar 99m2 apartament, ndërsa në 2017, 89.1 m2, dhe KPK thotë se ka mospërputhje mes çmimit të blerjes dhe sipërfaqes. Ndërkohë që ka thënë se burimi i apartamentit me vlerë 70 mijë euro është ish bashkëshorti, babai i saj, hua dhe kursim.

Por huaja që përmend vajza e tij prej 20 mijë euro dhënë nga M. L., nga të dhënat tatimore rezulton se ky i fundit nuk ka pasur mundësi financiare, pas hetimit të KPK nëse personat ku ka marrë hua vajza e tij për banesën kishin burime të ligjshme. E njëjta gjë dhe për huanë 36 mijë euro të dhënë nga Sh. D., kushëriri i Dizdarit.

Ndërsa përsa i përket përshtatshmërisë së figurës, Dizdari ka kontakte të papërshtatshme, ku në seancën dëgjimore u përmend lidhja me shtetasin A. I., i dënuar për ushtrim të ndikimit të paligjshëm. Nga sistemi TIMS rezulton se ka dalë disa herë jashtë vendit me automjet me të. “Jemi para një kontakti me persona të lidhur me krimin e organizuar e të papërshtatshëm”, tha KPK./korrieri

Pasuria e vajzës dhe njohjet me njerëz të krimit të organizuar, dalin të palarat e gjyqtarit Read More »

“Vodafone” shet të dhënat personale të klientëve të saj, qytetari: Më kërkojnë informacion për njerëz që kanë humbur jetën

Kompania e telefonisë celulare “Vodafone” Albania, së fundmi është përfshirë në një skandal të paprecedentë, e cila jo vetëm dëmton imazhin e kompanisë mëmë, por përgjegjësit e saj, rrezikojnë të dënohen penalisht. Në mes të debatit botëror, të sigurisë së të dhënave personale, ku është përfshirë gjigandi “Facebook”, për përdorimin e të dhënave personale të rreth 50 milionë përdoruesve të rrjetit social nga “Cambridge Analytics”, kompania “Vodafone” në Shqipëri, të dhënat personale të klientëve të saj, ua shet pa u “frikësuar” kompanive fantazma, me qëllim, që të shqetësojnë pa asnjë arsye klientët e saj, për mbledhje borxhi të paqenë, apo grumbullim informacioni.

Për dijeni të autorëve të këtij skandali, kjo sjellje e paprecedentë e kompanisë  se telefonisë celulare, është një vepër e rëndë penale, e cila dënohet me gjobë dhe burg për kompaninë dhe përfituesit monetarë të saj, por që ul padyshim besueshmërinë e klientëve kundrejt kompanisë. Qytetarët, pas publikimit të disa artikujve denoncues nga mediat, kanë nisur të shkruajnë çdo ditë, shqetësime nga më të ndryshmet e të habitshmet, për skemat e mashtrimit dhe vjedhjet në kurriz të tyre.
Së fundmi, pjesë e këtyre skemave, është bërë shitja e të dhënave personale të klientëve të “Vodafone”, me qëllim përfitimi tek palët e treta!
Denoncimi vjen nga një qytetarë, me inicialet  A.S, që na tregon se si kompania telefonike, ka abuzuar me të dhënat e tij personale, duke u shqetësuar nga shoqëri “fantazma”, e mbledhjes së borxheve. Në rastin konkret, viktimë e kësaj skeme ka rënë një qytetar, të cilit i kërkohet informacion për motrën e tij të ndjerë, e cila kishte disa vite që nuk jetonte më. Për motive personale të qytetarit dhe gjykimit të rastit, nuk po e tregojmë emrin e plotë të tij, pasi ai dëshmon për gazetën, se kësaj çështje do t’i shkojë deri në gjykatë, duke paditur “Vodafone” dhe kompaninë fantazëm të quajtur “Tranzit”, që i ka blerë të dhënat.

Ja çfarë shkruan qytetari:

“Përshëndetje! Unë jam A.s nga Tirana dhe së fundmi, jo për fajin tim, jam bërë pjesë e një shqetësimi, jo pak të vogël…

Përgjatë muajve te fundit, jam kontaktuar disa herë në telefon nga një kompani e quajtur Tranzit, por telefonata e fundit me ta, ka qenë më datë 23 Qershor. Një vajzë, përfaqësuese e kësaj kompanie më thërret gjithmonë në emër duke kërkuar informacion për një person, që me të vërtetë ishte një njeri shumë i afërt i imi, i ndarë nga jeta 10 vite më parë.

U ndjeva tejet i tronditur dhe i fyer, se si mund të më kërkojnë llogari dhe të merrem në pyetje për gjëra që nuk kanë asnjë lidhje me personin tim, por me motrën time dhe kompanisë në emër të saj, vite më parë?! Vetvetiu më lindi pyetja, se ku e gjeti numrin tim personal dhe si arritën të bëjnë lidhjen, me personin për të cilin kërkonte  informacion!

Kam kërkuar dhe vërtetuar, se është kompania telefonike, që ka shitur të dhënat e mia personale dhe u ka dhënë kontaktin. Unë nuk kam asnjë lidhje me kompaninë “Tranzit”, përveç mbiemrit me personin për të cilin më shqetësonin, por isha vërtetë njeriu shumë i afërt i tij për rastin në fjalë, vëllai. Për të qenë të bindur natyrisht, duhen të dhënat e trungut familjar dhe ato merren fare lehtë nga karta e ID, ose të dhënat që merren kur blen një numër Vodafone.

Ndaj, do i drejtohem prokurorisë për dëmin që më kanë shkaktuar dhe për të hetuar Vodafone dhe Tranzit për shqetësimet që u sjellin qytetarëve të tjerë me përdorimin dhe shitjen e të dhënave personale, të abonentëve në bashkëpunim!

“Vodafone” shet të dhënat personale të klientëve të saj, qytetari: Më kërkojnë informacion për njerëz që kanë humbur jetën Read More »

Prindër kini kujdes! Djali 11 muajsh gëlltit monedhën e lekut, shpëton mrekullisht…

Një djalë vetëm 11 vjeç ka rrezikuar seriozisht jetën e tij pasi ka gëlltitur një monedhë leku ose bulon metalik. Ngjarja ka ndodhur në Durrës, dhe ka qenë nëna që ka konstatuar problemin në rrugët e frymëmarrjes me fëmijën e saj 11 muajsh.

Fëmija është dërguar menjëherë në spitalin e Durrësit, ku i është dhënë ndihma e parë nga mjekët pediatër. Ata kanë konstatuar pas një ekoje të kryer një trup të huaj në barkun e fëmjës. Vogëlushi është dërguar në spitalin e pediatrisë së Tiranës për mjekim të specializuar .

“DurrësLajm” kontaktoi me shefin e pediatrisë, mjekun Fatmir Shahini, i cili tha se rastet e incidenteve të tilla janë të shumta në qytetin e Durrësit. “Një vogëlush në Durrës erdhi për herë të dytë brenda një viti, pasi kishte gëlltitur një send të huaj. Në fillim kishte gëlltitur lekë, ndërsa në rrugët e frymëmarrjes i gjetëm një copë letër .

Tek një fëmijë tjetër në hundë i gjetëm një kokërr fasule”, thotë mjeku. Mungesa e vëmendjes maksimale nga ana e prindërve tek të vegjlit mund të sjellë pasoja fatale nëse kalojnë sende të huaja në rrugët e frymëmarrjes.

Mjeku tha se si pasojë e mungesës së vëmendjes, kalimi i trupave të huaj në gojë nga ana e fëmijëve  mund të sjellë pasoja fatale. Mjekët e pediatrisë së Durrësit, rastet e vështira kur konstatohen trupa të huaj në stomakun e fëmijëve, i dërgojnë në pediatrinë e Tiranës.

Prindër kini kujdes! Djali 11 muajsh gëlltit monedhën e lekut, shpëton mrekullisht… Read More »

Të kishte drejtësi në Shqipëri monstrat Berisha, Meta, Basha, Mediu, Kryemadhi e Rama me të tijtë duhej të ishin në burg

Në fillim ishte Sali Berisha, ish kryeministri shqiptar ai që akuzoi Edi Ramën se shkatërroi Gjykatën Kushtetuese, duke e shkrirë atë.

Nëse akuza e Berishës do të kishte të bënte me të vërtetë me shqetësimin që ka ai për largimin e pjesës më të madhe të anëtarëve të Kushtetueses dhe mosplotësimin e kuorumit nga kjo gjykatë, shqetësimi do të ishte i drejtë.

Por ish kryeministri tërë pezmin e tij e ka me procesin e Vettingut dhe faktit që nga Kushtetuesja janë larguar pikërisht njerëzit e vënë me “fermanin” e tij, në këtë gjykatë.

Dhe nuk është vetëm Berisha njeriu që “qan me ligje” shkrirjen e Kushtetueses, pasi Vettingun e kanë kaluar shumë pak vete.

Këtij kori i është bashkuar dhe Lulzim Basha e Monika Kryemadhi, të cilët nuk lënë rast pa dalë në publik dhe akuzuar për shkatërrim të Kushtetuese për qëllime mafioze.

Njëherësh dhe presidenti Ilir Meta ka folur për mungesën e kuorumit të institucioneve kushtetuese, mes të cilëve Gjykatës Kushtetuese dhe të Gjykatës së Lartë, çka për Metën ka sjellë bllokimin e gjyqësorit dhe shqyrtimit të dosjeve.

Tashmë se fundmi opozita e bashkuar ka dërguar dhe kreun e PR Fatmir Mediu në punimet e Asamblese Parlamentare te OSBE, e cila u mbajt ne Parlamentin Gjerman.

Në seancën plenare, në emër të opozitës Mediu vlerësoi se në qendër të punës së OSBE është mbrojtja dhe garantimi i të drejtave të qytetareve, por dhe një drejtësi e pavarur dhe e lirë.

“Shqipëria u përfshi në një proces të reformës në drejtësi për të luftuar korrupsionin dhe garantuar pavarësinë e tij.

Të gjithë ranë dakord dhe e vlerësuan si të domosdoshme, por ajo që është e domosdoshme është implementimi i drejtë i saj.

Sot ne jemi në mungesë të plotë të Gjykatës Kushtetuese dhe bllokim të Gjykatës Lartë, dhe mund të përfundojmë në mosfunksionimin e Gjykatave të tjera”, tha Mediu.

Ai e cilësoi Shqipërinë si një rast unik në Europë që nuk ka Gjykatë Kushtetuese apo me një Gjykatë të Lartë të bllokuar, duke permendur si shembull Amerikën. Vend në të cilin zhvillohet debat se kush duhet të jetë anëtar i Gjykatës së Lartë një kohë kur në Shqipëri kjo Gjykatë nuk funksionon fare.

“Ne nuk mund të vazhdojmë kështu, duhet të ulemi dhe të ndryshojmë këtë situatë për të pasur një pushtet gjyqësor të pavarur dhe funksional”, thotë Mediu.

Iu referuam ish ministrit të Mbrojtjes njëherësh dhe kreu i republikanëve shqiptarë Fatmir Mediu, meqënëse ishte deklaratë e freskët. Dhe kush kërkon të ulet për të vendosur për gjykatat e të gjithë niveleve në Shqipëri, është me të vërtetë ironia e madhe.

Të flasë Fatmir Mediu ish ministri që hodhi në emër të Berishës dhe djalit të tij një fshat të tërë me punishten e demontimit të municioneve në Gërdec ku u vranë 26 të pafajshëm dhe u plagosën mbi 300 të tjerë është vërtet e paimagjinueshme. Pasi drejtësia nuk e dënoi asnjë ditë Mediun.

Të kërkojë dhe Berisha Gjykatë Kushtetuese kur e akuzoi këtë gjykatë se mori para dhe zbatoi urdhërin e Erdogan për rrëzimin e marrëveshjes së “detit” me Greqinë të vitit 2009, është vërtetë kulmi i hipokrizisë.

Të flasë Berisha për gjyqësor të pavarur, ndërkohë që masakroi prokurorinë, urdhëroi gjykatën dhe bëri maskaradën e çështjes së vrasjeve të 21 janarit, të katër demonstruesve të opozitës është vërtetë një maskarallëk.

Po ashtu Ilir Meta e Monika të flasin për gjyqësor jashtë funksionit, ku vetë Presidenti shkatërroi provat për përgjimin e të ndjerit ish ministrit të tij Dritan Prifti dhe doli i pafajshëm, kur mbylli shumë e shumë afera korruptive, është vërtetë një ironi e fatit tonë të zi.

Por dhe të flasë Lulzim Basha për gjyqësor të pavaruir që shpëtoi me raporte mjekësore nga dënimi për vjedhjen e 230 milionë eurove të rrugës së Kombit apo masakrën e 21 janarit është vërtetë të ikësh nga sytë këmbët.

Dhe në fund të herës të akuzojnë sot Berisha, Basha, Meta e Mediu për drejtësi të kapur është vërtetë përtej dhimbjes. Jo se drejtësia nuk është kapur nga Rama tani, por këta monstra nuk kanë gojë të flasin për të.

Dhe në mbyllje të këtij qëndrimi, nëse do të kishte pasur gjyqësor dhe prokurori të pavarur në Shqipëri, vetë Sali Berisha, Ilir Meta, Lulzim Basha, Fatmir Mediu dhe Monika Kryemadhi për abuzimet dhe krimet që kanë kryer duhej të ishin në burg.

Dhe bashkë me ta, pa zgjatur asnjë ditë, nëse në Shqipëri do të kishte pasur drejtësi të pavarur, Edi Rama dhe ministrat e tij duhej të ishin në burg për abuzimet që kanë bërë me paratë e shtetit nga koncesionet e deri tek vënia dorë mbi buxhetin.

Por nuk ka drejtësi në këtë vend, ndaj këta horra dalin e flasin për të./Pamfleti

Të kishte drejtësi në Shqipëri monstrat Berisha, Meta, Basha, Mediu, Kryemadhi e Rama me të tijtë duhej të ishin në burg Read More »