Aktualitet

Ndërtimi i Teatrit, Veliaj: I tremben sepse çdo gjë që prekim, del më mirë

Rrugë, trotuare të reja, hapësira të gjelbra si dhe kënde çlodhëse për të gjitha grupmoshat, i janë shtuar bllokut të banimit në Tiranë të njohur si ish-Nisharaku, i cili mori një pamje krejtësisht të re.

Në mbyllje të punimeve në bllokun e Rr. “Sali Butka”, kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i shoqëruar edhe nga Zv/ministrja e Mjedisit, Ornela Çuçi dhe deputeti i PS, Besnik Baraj, theksoi sot se ajo që e çon përpara qytetin është ndryshimi dhe modernizimi.

“Gjërat ndryshojnë se preken. Në një qytet filozofia nuk mund të jetë mos ma prek atë, mos ma prek këtë, por vër dorë, ndryshoje, rregulloje, modernizoje; kjo e çon para qytetin. E njëjta gjë edhe me historinë e teatrit. E dini pse thonë: mos ma prek? Sepse e dinë që po e prekëm ajo do dalë një vepër e mrekullueshme. E dinë se po vumë dorë, ajo do dalë një xhevahir. E dinë se po filluam ndërtimin e teatrit të ri, do të jemi të pandalshëm në modernizimin e Tiranës. Kjo është arsyeja e vërtetë. I tremben sepse çdo gjë që prekim me dorë, del më mirë”, – tha Veliaj.

Ai solli në vëmendje edhe disa shembuj të suksesshëm, ku falë ndërhyrjes së Bashkisë së Tiranës janë transformuar zona të ndryshme të qytetit, duke përmirësuar ndjeshëm cilësinë e jetës së qytetarëve.

“Mbaj mend kur filluam projektin te Liqeni, atëherë thoshin mos i prek romët se janë nga një komunitet i vyer. Unë nuk besoj se ka bashki që ka bërë më shumë për strehimin e romëve. I keni parë shtëpitë e reja nga Bregu i Lumit në Lanabregas, nga Lana në Shkozë, si çdo njeri normal? Këta që thoshin mos ma prek komunitetin, sot komuniteti rom është më mirë, pikërisht pse prekëm atë pjesë të djegur të parkut, që sot është kthyer në një pyll të jashtëzakonshëm te liqeni”, tha ai.

Veliaj nënvizoi se edhe me Bulevardin e Ri, pavarësisht se në fillim pati një ngurim, sot Tirana ka një hapësirë ku qyteti mund të zhvillohet për 50 vitet e ardhshme.

“Nuk e di sa prej jush e kanë parë Bulevardin e Ri, se çfarë mrekullie është bërë aty. Në fillim edhe aty thoshin mos ma prek! Po pse? Ke ndërtuar pa leje aty ku do të kalojë Tirana e brezit të fëmijëve të sotëm. Tirana ka nevojë të rritet, se kur ata të bëhen mosha jonë do martohen, do krijojnë familje. Por, pikërisht se e prekëm atë pjesë të qytetit kemi sot për Tiranën një hapësirë të 50 viteve të ardhshme”, – tha kreu i bashkisë.

Krahas ndërtimit të 31 këndeve në kryeqytet, puna do të vijojë pa humbur kohë në çdo lagje të kryeqytetit, duke theksuar se nga ndërhyrjet e Bashkisë së Tiranës për përmirësimin e infrastrukturës do të përfitojnë si zonat urbane, ashtu edhe ato në periferi.

“Ka ardhur koha që bashkia të merret me çdo qoshe. Ashtu siç kemi nisur me këto 31 kënde, ashtu të shkojmë deri në cepin më të humbur të Tiranës, nga Shëngjergji në Ndroq, nga Krraba në Kashar”, tha ai dhe siguroi se periudha e thatë e verës do të shfrytëzohet maksimalisht për të përmirësuar infrastrukturën.

“Duke qenë se patëm një stinë shumë të gjatë me shira, do të sigurohemi që të shfrytëzojmë hapësirën e verës. Kjo është arsyeja pse një pjesë e madhe e unazës është shqepur për të bërë korsitë e reja të biçikletave buzë Lanës. Kjo është arsyeja pse shumë ndërhyrje nëpër lagje do t’i kryejmë gjatë verës”, – nënvizoi Veliaj.

Deputeti i PS, Besnik Baraj, përgëzoi kryebashkiakun Veliaj për punën në këto tre vite në shërbim të qytetarëve.

“Të vish tre herë brenda një kohe të shkurtër në një bllok të tillë në një qytet me 1 milion banorë, do të thotë se bashkia punon, se është ditë e natë në punë. Një ekip nuk ecën përpara po nuk pati edhe një lider të shkëlqyer, i tillë është edhe Erion Veliaj. Unë e quaj fat për Tiranën që kemi një kryetar bashkie plot energji, fantazi dhe i dedikuar, që u shërben të gjithëve”, – u shpreh Bare.

Zv/ministrja e Mjedisit, Ornela Çuçi, edhe si banore e kësaj lagjeje të kryeqytetit, vlerësoi ndërhyrjen e bërë nga Bashkia e Tiranës, për transformimin e jetës në këtë bllok banimi. “Si banore e lagjes them i pafshim hajrin këtij kryetari dhe të gjitha punëve sepse realisht na i ka ndryshuar jetën. Dalim çdo pasdite këtu me fëmijët dhe nuk shikojmë klubin më të afërt, por shikojmë parkun më të afërt ku të futemi. E falenderoj shumë kryetarin, por mbi të gjitha falenderoj çdo punonjës të bashkisë”, – deklaroi zv/ministrja  Çuçi.

 

Në një kohë relativisht të shkurtër është bërë i mundur krijimi i tre shesheve në këtë zonë të Njësisë 7, duke mundësuar  rikualifikim të plotë të bllokut urban. Sheshi i sotëm (Nr. 31) është një tjetër hapësirë rekreative që i shtohet Tiranës, duke ruajtur të njëjtën cilësi edhe në ndërhyrjet e tjera në lagje të ndryshme të kryeqytetit./atsh

Ndërtimi i Teatrit, Veliaj: I tremben sepse çdo gjë që prekim, del më mirë Read More »

Skema Kombëtare e Mbështetjes, 25% më shumë financim për SHBB-të

Agjencia e Zhvillimit Bujqësor dhe Rural (AZHBR) përmes skemave kombëtare, ka rritur për herë të parë këtë vit me 25% subvencionimin për Shoqëritë e Bashkëpunimit Bujqësor (SHBB).

Drejtoresha e Përgjithshme e Agjencisë për Zhvillim Bujqësor dhe Rural Frida Krifca, tha në një emision televiziv se, “kemi raste pozitive të fermerëve të bashkuar që e kanë kthyer bashkëpunimin mes tyre në një model suksesi”.

Sipas saj, ka pika grumbullimi që janë kthyer në agjentë bashkëpunimi të këtyre fermerëve, të cilët i mbledhin fermerët, i bëjnë 20 fermerë bashkë dhe iu kërkojnë të mbjellin një kulturë të posaçme. Kjo eksperiencë do të zgjerohet shumë shpejt dhe ne do të shohim disa të dhëna ekonomike më pozitive.

“Paketa financiare që ka të bëjë me faktin e heqjes së TVSH për fermerët që bashkohen, pra SHBB (Shoqëritë e Bashkimit Bujqësor) është një koncept i modernizuar që synon të nxisë marrëveshjen mes fermerëve për bashkëpunime të përbashkëta, me impakt në rritjen e prodhimit dhe përfitimin e subvencineve”, tha Krifca/.atsh

Skema Kombëtare e Mbështetjes, 25% më shumë financim për SHBB-të Read More »

Akuzat, Rama: Vetingu si ilaç gjarpërinjsh, opozita kundër procesit

Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas akuzave të opozitës, duke i cilësuar akuzat e kësaj të fundit kundër procesit të Vetting-ut si ato të frontit të dikurshëm Demokratik të lagjes.

Reagimi i kreut të qeverisë ka ardhur në rrjetet sociale.

“Vetingu si ilaç gjarpërinjsh dhe opozita me libër shtëpie kundër Vetingut si Fronti i dikurshëm Demokratik i lagjes!Në vend të Letrave Anonime janë shpifjet dixhitale të Saliut. Në vend të Këndit të Fletërrufeve janë recituesit e Lulit. Në vend të kryetarit është vetë Luli,”, theksoi Kryeministri ne statusin e tij./atsh

Akuzat, Rama: Vetingu si ilaç gjarpërinjsh, opozita kundër procesit Read More »

Vlora me 8 kështjella e dy dete, në krye të turizmit shqiptar

Tetë kështjella të ndërtuara në rajonin e Vlorës dhe që përfaqësojnë periudha të ndryshme historike, vlerësohen si objekte të rëndësishme në funksion të zhvillimit të turizmit kulturor në këtë rajon bregdetar.

Miradministrimi i tyre mund të krijojë të ardhura të konsiderueshme, por njëkohësisht ndikon në ndërtimin e një imazhi të qëndrueshëm tek turistët e huaj.

Ndër kështjellat më të spikatura është kalaja e Vlorës, e ndërtuar në vitin 1531 nga Sulltan Sulejmani, gjurmë të të cilës janë zbuluar në afërsi të Skelës. Qëllimi i ngritjes së saj, sipas historianëve, ishte mbrojtja e gjirit të Vlorës nga sulmet e venedikasve.

Krahas saj, në listën e kështjellave përfshihet edhe ajo e Gjon Boçarit, e cila ndodhet në fshatin Tragjas dhe është ndërtuar në periudhën mes shekujve XVI-XVII. Ajo ka formë drejtkëndore dhe gjerësia e mureve arrin deri në 1.25 metra dhe lartësi deri në 5.5 metra.

Ndërsa kalaja e Himarës i përket një periudhe shumë më të hershme. E ndërtuar si një fortifikim i fisit të Kaonëve, ajo përmendet shpesh në dokumentet bizantine. Në shekullin VI kalaja u riparua me urdhër të Perandorit Justinian, për t’u bërë ballë sulmeve të barbarëve, gotëve e husëve.

Pak kilometra nga qyteti i Himarës, ndodhet dhe kështjella e Porto Palermos, ose e njohur ndryshe kalaja e Ali Pashë Tepelenës. Ajo u ndërtua në fillim të shekullit XIX nga pashai i famshëm, si një dhuratë për zonjën e vet, Vasiliqinë. Kalaja u projektua nga një inxhinier francez në formën e një pesëkëndëshi, me muret që arrijnë një trashësi prej 1,6 metra dhe u ndërtua nga specialistë italianë dhe shqiptarë. Ky objekt i trashëgimisë kulturore ruhet në një gjendje mjaft të mirë dhe është shndërruar prej disa vjetësh në një qendër mjaft të rëndësishme turistike që ka tërhequr vëmendjen e vizitorëve shqiptarë dhe të huaj.

Në listën e tetë kalave me vlera në rrethin e Vlorës përfshihet dhe ajo e Kaninës. E ndërtuar mbi një qendër të vjetër banimi, në shekullin III p.e.s, kjo fortesë ka një sipërfaqe të përgjithshme prej 3.625 hektarë. Kalaja u rindërtua nga Perandori Justinian, në shekullin V, ndërsa rëndësia e saj spikati veçanërisht gjatë rezistencës së shqiptarëve të udhëhequr nga Skënderbeu ndaj pushtuesve turq.

Kalaja e Mavrovës ndodhet në Luginën e Shushicës dhe është ndërtuar në shekullin IV p.e.s.  E veçanta e kësaj kështjelle lidhet me faktin se muret janë punuar me blloqe gurësh gëlqerorë.

Por, një kështjellë e hershme është edhe ajo e Kukumit, në fshatin Qeparo, në afërsi të gjirit të Porto Palermos, ndërtimi i të cilës daton në shekullin II p.e.s.

Dy detet që lagin brigjet e Vlorës Adriatiku dhe Joni, duke krijuar dhe dy laguna të mëdha si ajo e Nartës dhe Orikumit, janë atraksioni kryesor për turizmin e jugut shqipëtarë. Nisin me plazhet e shumtë të Zvërnecit, me gjire të bukur e rërë të pastër dhe vazhdojnë me plazhin qëndror të Lungomares, Uji i Ftohtë, Radhimë, Orikum, Palas, Dhërmi,Himarë e pa fund plazhe që frekuentohen në këtë periudhë nga pushues të shumtë.

Vlora mbetet kështu qendra e gravitetit për turizmin shqiptar duke i shtuar dhe parqet e shumtë natyrorë si ai i Llogarasë, i Luginës së Vjosës dhe së fundmi  Nivicën me kanionet e famshëm për turizmin e aventurës.

Vetëm Parku i Llogarasë për vitin që shkoj u vizitua nga rreth 90 mijë turist. Po kështu dhe Zvërneci kapi mbi 20 mijë vizitorë pa llogaritur plazhet e Vlorës ku pushuesit janë të shumtë.  Vlora i ka të gjitha dhe duhet vizituar…/atsh

Vlora me 8 kështjella e dy dete, në krye të turizmit shqiptar Read More »

Programi “100 fshatrat”, risia turistike në Shqipëri

Shqipëria mbështet zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm me pakësimin e taksave

Kur Altin Prenga vendosi të linte Italinë, pas një dekade si emigrant atje, dhe të hapte një restorant të vogël familjar në fshatin e tij të lindjes, Fishtë, në veri të Shqipërisë, të gjithë e quanin të çmendur, shkruan www.travelmole.com.

Pothuajse një dekade më vonë, restoranti i tij është shndërruar në një histori suksesi për industrinë e re të agroturizmit në Shqipëri dhe biznesi i tij ka fituar njohje ndërkombëtare si një vend i përkryer që ofron ushqim nga ferma drejt e në tryezë, duke punësuar edhe dhjetra familje lokale.

Pasi e kishte mësuar mirë zanatin kur ishte emigrant në Itali, ku shkoi pasi u largua nga Shqipëria në moshën 15-vjeçare, Prenga vendosi të kthehej në Shqipëri në 2009 dhe të bëhej pionier në industrinë e agrobiznesit në Shqipëri duke hapur restorantin e njohur ndërkombëtarisht “Mrizi i Zanave”, të quajtur sipas një vëllimi me poezi nga Gjergj Fishta, një nga shkrimtarët më të mirë të shekullit XX, i cili u lind në fshatin Fishtë.

35-vjeçari, kuzhinier-pronar, tani mburret me një nga restorantet me prodhime lokale dhe tradicionale të vendit, me pjatat origjinale të krijuara nga bimë të rritura në shtëpi dhe bagëtitë e familjes.

Suksesi i tij ka frymëzuar shumë të tjerë për të provuar restorantet e tipit ”ferma në tavolinë” dhe qeveria shqiptare tani ofron stimuj tatimorë për industrinë në zhvillim.

Fundim Gjipali, një kuzhinier tjetër shqiptar që ka marrë çmime dhe ndan kohën e tij midis Romës dhe Tiranës, ku zotëron restorantet në qendër të qytetit, po hap një agrobiznes në vendlindjen e tij, Shijak, rreth 30 kilometra larg Tiranës, nën filozofinë e ”fermave në tavolinë” që përfshin përbërësit sezonalë dhe minimizon distancën midis farmës dhe pjatës së lokalit.

Dhjetra të tjerë po bëjnë eksperimente duke sjellë modele italiane në Shqipëri, por kuzhinierët me eksperiencë në këtë industri thonë se agrobiznesi kërkon traditë dhe vetëm ata që bëjnë dallimin do të arrijnë të mbijetojnë.

Në një paketë të re fiskale të miratuar nga qeveria shqiptare, sektori i agroturizmit do të përfitojë nga disa stimuj tatimorë, duke përfshirë një taksë mbi të ardhurat prej 5%, një TVSH të ulur në 6% dhe përjashtim nga tatimi në infrastrukturë nëse bëjnë investime.

Bizneset e angazhuara në agroturizëm gjithashtu do të përfitojnë një ulje të taksës së të ardhurave të korporatës prej 5 për qind për një periudhë 10-vjeçare në rast se marrin statusin e ‘operatorit të certifikuar të agroturizmit’ deri në fund të vitit 2021.

Stimulimi ka për qëllim dhënien e një nxitje për agro-turizmin, aktualisht në fazat fillestare të tij në Shqipëri, me disa restorante, kantina, ferma të bletëvë dhe frutave që u ofrojnë turistëve produkte autentike vendase.

Shqipëria ka ndërmarrë gjithashtu një fushatë për të markuar produktet e saj unike bujqësore për të nxitur agroturizmin përmes promovimit të produkteve autentike shqiptare, siç janë vaji i ullirit, çaji i malit, bimët medicinale dhe aromatike që konsiderohen si një nga pasuritë më të rralla të Shqipërisë.

Mollët dhe mjalti i Korçës, vaji i ullirit i Beratit, gështenja e Tropojës, mandarina e Sarandës dhe bimët medicinale të Shqipërisë veriore, si dhe perimet e rajonit të Fierit janë tashmë produkte të njohura rajonale, përveç rakisë lokale, një pije e pastër e bërë zakonisht nga rrushi dhe që është pija alkolike tradicionale e shqiptarëve. Megjithatë, atyre iu mungon njohja dhe çertifikimi ndërkombëtar për të depërtuar në tregjet e BE.

Në strategjinë e saj të zhvillimit të turizmit 2018-2022, agroturizmi është në krye të axhendës si një nga mjetet që nuk i shërben vetëm promovimit të turizmit dhe zhvillimit ekonomik, por gjithashtu e bën turizmin më të qëndrueshëm dhe ruan dhe promovon identitetin kulturor dhe lokal .

Ministria e Turizmit thotë se do t’i japë përparësi ndërthurjes së turizmit kulturor me agroturizmin përmes një programi të “rilindjes rurale” që do të rikthejë fshatrat historike si destinacion i turizmit malor, Thethin në Shqipërinë e Veriut dhe fshatrat bregdetarë Dhërmi dhe Vuno përgjatë Rivierës Jugore Shqiptare.

Bujqësia është një sektor kyç për ekonominë shqiptare, duke përdorur rreth gjysmën e PBB-së së vendit, por duke prodhuar vetëm një të pestën e PBB-së, duke treguar produktivitetin e ulët që është penguar nga fragmentizimi i tokës bujqësore në parcela të vogla dhe financimi i dobët dhe teknologjia e përdorur.

Ndërkohë, turizmi, edhe pse shumë sezonal, po bëhet një biznes që po lulëzon në Shqipëri, duke gjeneruar rreth 1,7 miliardë euro në vit, rreth 14% të PBB-së së vendit nga rreth 5 milionë turistë.

Qeveria shqiptare ka zgjedhur 100 fshatra në mbarë vendin për të përmirësuar infrastrukturën e tyre dhe shërbimet publike dhe për të nxitur agroturizmin duke ofruar stimuj dhe grante për të mbështetur produktet bujqësore karakteristike lokale.

Kryeministri Edi Rama thotë se agroturizmi dhe programi i 100 fshatrave është një mjet i ri për të zhvendosur vëmendjen në zonat rurale dhe potencialin e tyre të pashfrytëzuar dhe për t’i sjellë migrantët më pranë fshatrave të tyre.

“Jam i bindur se ky program do të jetë një pikë kthese e rëndësishme në marrëdhëniet midis emigrantëve shqiptarë që kanë braktisur fshatrat e tyre dhe tani punojnë në Greqi, Itali apo gjetkë, jo si nostalgji apo detyrim për të dërguar remitanca mujore për të ndihmuar prindërit dhe të afërmit, por si një instrument për të nxjerrë fitim që u mundëson të gjithëve që bëjnë një investim të fitojnë në një vit më shumë sesa nga puna e tyre jashtë vendit “, thotë Kryeministri Edi Rama.

Kjo iniciativë vjen pasi dhjetëra fshatra në Shqipëri, sidomos nga rajonet e varfra të veriut, po abandonohen për shkak të migrimit masiv dhe lëvizjes në familjeve drejt zonave urbane fqinje apo në qendër të Shqipërisë.

Nivelet e larta të migrimit dhe një rënie e shpejtë e numrit të lindjeve janë shndërruar në një shqetësim kryesor në Shqipëri, ku rreth 1,2 milionë persona, rreth 40% e popullsisë së vendit me 2,8 milionë banorë, jetojnë jashtë vendit duke e shndërruar Shqipërinë në një nga vendet e para në botë që ka me numrin më të lartë të emigrantëve për banor.

Dikur kryeqyteti i Europës për kanabisin, Lazarati, fshat në jug të Shqipërisë, është përzgjedhur gjithashtu në 100 fshatrat që do të kenë infrastrukturën e tyre të përmirësuar, në një përpjekje për t’u orientuar drejt agrobiznesit.

Të paktën katër vite pas kolapsit të industrisë së drogës, fshati i Lazaratit ka humbur shumë nga të rinjtë e tij dhe nga makinat luksoze dhe bujqësia dhe blegtoria janë e vetmja gjë që u ka mbetur të moshuarve për të siguruar jetesën. Autoritetet po promovojnë tani produktet bujqësore lokale dhe po zëvendësojnë industrinë e prodhimit të kanabisit me bimë mjekësore.

Fshatrat malorë turistikë, Thethi dhe Valbona, në Shqipërinë e Veriut, Shëngjergji dhe Pëllumbasi në malin e Dajtit, fshatrat bregdetarë Dhërmiu dhe Vunoi në Rivierën Shqiptare dhe Lini dhe Tushemishti në pjesën shqiptare të liqenit të Ohrit, në juglindje të vendit, janë ndërmjet 100 fshatrave të përzgjedhur si pjesë e projektit të integruar të zhvillimit rural, që Shqipëria ka në plan të aplikojë dhe viteve 2018-20./atsh

Programi “100 fshatrat”, risia turistike në Shqipëri Read More »

Gjirokastër/ Masat ndaj zjarreve, 130 forca dhe 11 zjarrfikëse në gatishmëri

Pas ngjarjeve tragjike të ndodhura në zonën e Atikës në Greqi ku shumë persona humbën jetën dhe u plagosën si pasojë e zjarreve masive, janë shtuar masat mbrojtëse ndaj zjarreve nga organet ligjzbatuese shqiptare, të cilat kanë vendosur në gatishmëri flotat e tyre zjarrfikëse.

Në kuadër të këtyre masave, prefektura e Gjirokastrës ka angazhuar rreth 11 zjarrfikëse dhe 130 forca të cilat do t’u përgjigjen emergjencave të shkaktuara në rast zjarri.

Prefekti i Gjirokastrës, Astrit Aliaj bëri me dije për Agjencinë Telegrafike Shqiptare se takimet e jashtëzakonshme të krijuara nga institucioni i Prefektit kanë si synim parandalimin e tragjedive, si ajo e shkaktuar në Atika në zonën e Athinës.

“Janë marrë një sërë masash gjatë gjithë kësaj periudhe ku është bërë një plan masash i detajuar si dhe është bërë sensibilizimi në të gjitha bashkitë e qarkut, me përfaqësimin e administratorëve të njësive administrative me kryetarët e fshatrave, Policinë e Shtetit, me inspektoriatet dhe të gjitha organet ligjzbatuese, ku kemi sensibilizuar për masat që do të marrim dhe në gatishmërinë që do të ofrojmë në çdo situatë që mund të na krijohet në qark”, – theksoi Aliaj.

Prefektura e Gjirokastrës për të evituar zjarret e shkaktuara në mënyrë të qëllimshme, siç janë ato për kullota, ka vendosur që të japë me qira disa nga kullotat verore, ku individët që do t’i marrin do të jenë përgjegjës nëse në kullotën e tyre shfaqen vatra zjarri.

“Kjo është materializuar edhe me marrëveshjet që kanë bërë bashkitë për dhënien me qira të kullotave verore, duke bërë që këta njerëz që firmosnin këtë aktmarrëveshje me bashkinë, detyrohen nga ana ligjore që të mbajnë përgjegjësi për këto kullota nëse në to do të shfaqen vatra zjarri. Deri tani raportimi bëhet çdo ditë, ku njësitë administrative bëjnë një raportim ditor në prefekturë për këto masa dhe për çdo situatë që mund të krijohet si pasojë e ndonjë zjarri, – shtoi ai.

Për të evituar rastet e zjarrit dhe mënyrën e ndërhyrjes për shuarjen e tyre trupat zjarrfikëse në këtë qark po zhvillojnë stërvitje të përbashkëta, jo vetëm për të ndërhyrë në zonat pyjore, por edhe në qendrën e qytetit në rast se do të evidentohen vatra zjarri.

“Gjithashtu në gatishmëri janë mjetet zjarrfikëse si dhe trupa e cila ka kryer edhe disa stërvitje, sidomos në qytetin e Gjirokastrës në zonën muzeale për të reaguar nëse në këto zona bie zjarr, pasi vatra zjarri nuk ka vetëm në kullota dhe pyje, por edhe në qytet si rezultat i përdorimit të keq të lëndëve drusore si dhe gazit. Kemi patur tre raste të tilla në Gjirokastër dhe falë ndihmës dhe mbështetjes nga ana e zjarrfikësve këto probleme janë lokalizuar pa pasoja në njerëz”.

I pyetur rreth angazhimit të flotës dhe trupës së zjarrfikësve, Prefekti Aliaj theksoi se: “Aktualisht drejtoria e Gjirokastrës ka disa mjete zjarrfikëse, pasi kjo e fundit trashëgoi flotën në rang prefekture, sepse para 2 vitesh këto vareshin nga prefekti ndërsa me strukturën e re u ka kaluar bashkive. Çdo repart zjarrfikës në 7 bashkitë e qyteti ka nga 13 punonjës ndërsa zjarrfikësja e Gjirokastrës ka rreth 45-50 punonjës të gatshëm për t’ju përgjigjur emergjencave të krijuara nga zjarret. Aktualisht të paplotësuar me mjete zjarrfikëse janë bashkitë Memaliaj dhe Libohovë, të cilat nuk kanë mjete, por disponojnë trupën si dhe mjete më pak të sofistikuara për shuarjen e zjarreve, si pompa, etj”, – theksoi Aliaj.

Me qëllim shmangien e zjarreve dhe humbjeve njerëzore, Prefektura e Gjirokastrës ka urdhëruar që të gjitha rrugët që janë problematike për qarkullimin e mjeteve zjarrfikëse të zhbllokohen. Gjatë natës në zonën muzeale nuk do të bllokohen rrugët, një kërkesë kjo drejtuar policisë bashkiake të Gjirokastrës. /atsh

Gjirokastër/ Masat ndaj zjarreve, 130 forca dhe 11 zjarrfikëse në gatishmëri Read More »

Basha e Rama nën ethet e Vettingut, në kërkim të “Kokës së Oktapodit të Drejtësisë”

Lulzim Basha i është përgjigjur Kryeministrit Rama në lidhje me deklaratën e tij të fundit për Reformën në Drejtësi.

“Vetingu vijon të godasë me sukses në kokë oktapodhin e korrupsionit degjenerues në drejtësi. Po për fatkeqësinë e zgjedhësve të saj që e mbështesin Vetingun, njësoj si gjithë qytetarët e për turpin e saj më të madh, opozita hidhet përpjetë pas çdo goditje”, thotë Rama duke shtuar hashtagun Humbës pa Pikë Dinjiteti.

Basha me anë të një postimi në Facebook, shkruan se  Ramë është Koka e Oktapodit të Drejtësisë.

“Edi Rama është Koka e Oktapodit të Drejtësisë që mbron dhe nuk ndëshkon politikanët e korruptuar e të lidhur me krimin. Për të mbrojtur Tahirin, Xhafën, Roshin, Frrokun, Dakon, Sejdinin, Ahmetajn dhe Gjiknurin me shokë, Edi Rama kapi Prokurorin e Përgjithshëm dhe zhduku Gjykatën Kushtetuese dhe Gjykatën e Lartë.

Tani Edi Rama po mbron nga vetingu gjyqtarët e korruptuar si Toska, Dvorani dhe Faqolli, si shpërblim për dosjet që mbyllën dhe si kapar për dosjet që duhen mbyllur. Sa herë PD denoncon me fakte konfirmimin në detyrë në kundërshtim me ligjin e Vettingut të shërbëtorit të Edi Ramës në Gjykatën e Lartë, Ardian Dvorani, Edi Rama, reagon me akuza të dala boje kundër opozitës.

Vettingu i kontrolluar politikisht prej Ramës, ka konfirmuar në detyrë gjyqtarë e prokurorë të korruptuar, pavarësisht rekomandimit të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit për shkarkimin e tyre. Ndaj atij i ka rënë maska dhe tregohet botërisht me gisht si njeriu që mbron korrupsionin në drejtësi, për të mbrojtur interesat e veta dhe të krimit të organizuar me të cilin bashkëqeveris” , shkruan Basha./pamfleti

Basha e Rama nën ethet e Vettingut, në kërkim të “Kokës së Oktapodit të Drejtësisë” Read More »

Zbulohet arsyeja e ankorimit të jahtit gjigant në Sarandë

Ditën e sotme në Sarandë ndaloi një prej jahteve më të mëdha në botë, një ZCEU9, i cili mbante flamurin e ishujve Bermude, por pronar ka rusin 43-vjeçar Andrey Melnichenko.

Vetëm një vit pasi është ndërtuar ky jaht ankoroi në Portin e Sarandës dhe të gjithë u ngazëllyen me pamjen e tij, madje edhe kryeministri Rama e postoi në rrjetet sociale.

Jahti gjigant, i lartë 143 metra dhe i gjerë 91 metra ka ndaluar në Sarandë për t’u furnizuar me naftë, ndryshe nga ç’u “shit” sikur kishte ardhur enkas për të vizituar qytetin bregdetar.

Ky jaht do të do të blejë 840 mijë litra naftë në portin shqiptar. Deri tani, 36 autobotë nafte kanë filluar shkarkimin për furnizimin e anijes. Furnizimi pritet të vazhdojë deri në orët e mëngjesit.

Vlera e jahtit thuhet se është 1 miliard dollarë dhe në ekuipazhin e tij tani që ndodhet në Sarandë janë vetëm 15 persona.

Zbulohet arsyeja e ankorimit të jahtit gjigant në Sarandë Read More »