Aktualitet

NATO bazë në Kuçovë/ Jeronim Bazo: Mundësi që Shqipëria të rizhvillojë avionët e saj patrullues

Ish-shefi i Shtabit të FA, Jeronim Bazo e sheh ndërtimin e bazës ushtarake të NATO-s në Kuçovë si një mundësi për rizhvillimin e flotës së avionëve luftarakë shqiptarë, të cilët sot nuk ekzistojnë më, për patrullimin ajror dhe misione të ndryshme.

Ish-Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA, Jeronim Bazo, i ftuar në studion e Report Tv komentoi vendimin e NATO-s për të ngritur një bazë ajrore në ish-aeroportin e Kuçovës. Bazo tha se ajo do shërbejë si një bazë taknike ajrore nga ku avionët e Aleancës do kryejnë operacione, përgatitje si dhe patrullime të hapësirës ajrore. 50 milionë euro është parashikuar investimi fillestar për ndërtimin e bazës, ndërsa përfitimet sociale dhe ekonomike përllogariten të konsiderueshme.

Ish-shefi i Shtabit të FA, Jeronim Bazo e sheh ndërtimin e bazës ushtarake të NATO-s në Kuçovë si një mundësi për rizhvillimin e flotës së avionëve luftarakë shqiptarë, të cilët sot nuk ekzistojnë më.

Ky është një lajm shumë i mirë dhe ia vlen të përshëndetet. Kjo do të thotë që Shqiëpria është një vend partner i NATO-s ia vlen të besohet dhe më pas jepet ky hap plus sa i takon operacioneve të NATO-s, përgatitjeve, operacioneve të patrullimit policor etj. Është një vullnet i konsoliduar politik për t’iu afruar NATO-s më tepër nga sa jemi sot.

Vullneti do të thotë edhe me vepra, për një infrastrukturë serioze, që të tregosh se je në gjendje ta mbash, të bësh një projekt, ta mbështetës dhe së bashku me fondet e Aleancës ta afrosh këtë bazë taktike ajrore. Infrastruktura ekzistuese është trashëguar nga regjimi i kaluar, siç është edhe baza e Kuçovës. Udhëheqëist politikë kanë këmbëngulur prej kohësh dhe në këtë kuadër është edhe vizita e fundit e Xhaçkës në departametin e mbrojtjes së SHBA.

Baza e Kuçovës ka qenë prej kohës kandidate për bazën ajrore të NATO-s dhe ky ishte momenti për t’u bërë realitet. Të mos harrojmë seriozitetin e FA, si vend anëtar, NATO ka menduar se tashmë jemi më të besueshëm për të mbajtur mbi shpatulla edhe këtë përgjegjësi, për ngritjen e kësaj baze taknike ajrore. Në kuptimin që realizon detyra të këtij niveli, mbështetëse, për furnizim, ulje, patrullim ajror etj. Kur bëhet fjalë për jetëgjatësinë e një baze, bëhet fjalë për jetëgjatësinë e Aleancës. Shpresojmë që kjo aleancë do të vazhdojë si organizata më e suksesshme e historisë moderne botërore.

Është një investim serioz dhe premisë që do t’i shërbejë Foracave Ajrore. Do kthehet në një bazë serioze e cila do jetë një bazë e mirë trajnimi, furnizimi, policimi ajror. Do të jemi gjithnjë e më tepër me Forca Ajrore më të përgatitura, të barabarta dhe të padallueshme nga ato të NATO-s. Aviatorët tanë kanë një përvojë të admirueshme sa i takon avionëve luftarakë, MIG-ve. Kjo bazë mund të krijojë mundësi që ne t’i rikthehemi lavdisë së avionëve patrullues, ta bëjmë policimin ajror me avionët tanë. Afron vërtetë benefite kjo bazë ajrore.

I pyetur për arsyet strategjike të këtij vendimi nga ana e NATO-s, Bazo tha se baza e Kuçovës ndodhet në një pozicion të favorshëm strategjik, në qendër të Shqipërisë dhe e aksesueshme nga të gjitha anët.

Unë do t’i vija vetëm pluse kësaj. Kuçova është në një pozicion të favorshëm, në qendër të Shqipërisë, e aksesueshme si nga veriu, lindja, perëndimi dhe jugu. Erdhi momenti që u mbushën të gjithë faktorët dhe u mor ky vendim. Në gjithë kuadrin e benefiteve të jesh një vend me bazë ajrore të NATO-s, direkt krijon edhe siguri.

Patrullimi ajror që bën NATO për hapësirën ajrore të vetën, mbulohet në mënyra të ndyrshme. Sot na e bëjnë aleatët, se s’kemi avionë. Herë bëhet nga Greqia dhe Italia. Kjo bazë do shërbejë për nisjen dhe uljen e avionëvve për të bërë policimin ajror, çka do të thotë siguri e shtuar, platformë e mirë për të rizhvilluar avionët sërish në Shqipëri. Në bazë do ketë një personel miks, do ketë edhe ushtarakë shqiptarë për ruajtjen si dhe në vendimmarrjen e saj.

Jeronim Bazo, ish-shef i Shtabit të FA
Kryeministri Edi Rama në një status në Facebook ka njoftuar se Aleanca Atlantike e Veriut, NATO, do të ndërtojë në Shqipëri një bazë ajrore në Ballkanin Perëndimor. Rama shkruan se ky është një lajm shumë i mirë për Shqipërinë. Kryeministri Rama shkruan se baza ajrore do të ndërtohet në Kuçovë dhe se investimi do të jetë rreth 50 milionë euro.

NATO bazë në Kuçovë/ Jeronim Bazo: Mundësi që Shqipëria të rizhvillojë avionët e saj patrullues Read More »

Rama surprizon sërish, ja si i mëson notin Zahos (VIDEO)

Më herë, gjatë ditës së sotme kryeministri i vendit Edi Rama ka postuar një video “Story” në Instagram ku shfaq anën e tij prindërore.

Rama nga pamjet duket se i mëson Zahos se si të zhytet dhe i vogli që i kopjon çdo veprim.

Kjo nuk është hera e parë që Rama poston me të birin por ai dhe bashkëshortja e tij, Linda, janë gjithmonë të kujdesshëm për t’i mbuluar fytyrën djalit të tyre, Zahos.

Rama surprizon sërish, ja si i mëson notin Zahos (VIDEO) Read More »

Zyrtare: Në Gjermani, 433 mijë banorë me origjinë nga Kosova

Më shumë se 2.6 milionë nga 19.3 milionë banorë në Gjermani me prejardhje emigranti vijnë nga Bullgaria, Rumania, Kroacia, Serbia, Bosnja dhe Kosova, tregojnë të dhënat më të fundit të censusit nga Zyra Federale Gjermane e Statistikave, Destatis.

Raporti, i publikuar më 1 gusht, thotë se në vitin 2017, një total prej më shumë se 19.3 milionë gjermanë kishin prejardhje emigrante – një rritje prej 4.4 për qind krahasuar me vitin e kaluar.

Rezultatet bazohen në një mikrocensus të kryer në fund të vitit të kaluar. Raporti përcakton një prejardhje emigranti “nëse ata ose të paktën një nga prindërit e tyre, nuk ka lindur me shtetësi gjermane”.

Nga 2.6 milionë njerëz me prejardhje nga Ballkani, 859,000 kanë rrënjë në Rumani, 398,000 në Kroaci dhe 273,000 në Bullgari, duke arritur në 1.5 milionë emigrantë nga tre vendet më të reja anëtare të BE-së.

Rumunët janë bërë pakica e pestë më e madhe në Gjermani, pas turqve, polakëve, rusëve dhe kazakëve, dhe përbëjnë 4 për qind të numrit të përgjithshëm të njerëzve me prejardhje të huaj.

Përveç kësaj, të dhënat përfshinin 373,000 boshnjakë, 433,000 kosovarë dhe 324,000 serbë në Gjermani, të cilët përbëjnë mbi 1.1 milion njerëz nga tre shtetet ish-jugosllave.

Zyra e statistikave nuk ka të dhëna për të sapoardhurit nga çdo shtet tjetër ballkanik jashtë BE-së, përveç turqve, të cilët numërojnë 2,777.000 njerëz.

Në vitin 2017, rreth 51 për qind e popullsisë me prejardhje emigranti kishin fituar shtetësi gjermane dhe rreth 49 për qind ishin të huaj, tregojnë statistikat.

Në vitin 2011, përqindja e të huajve në popullsinë e emigrantëve ishte 42 për qind.

Raporti vëren se, nga 19.3 milion njerëz në Gjermani me prejardhje emigranti, rreth 13.2 milionë persona ishin vetë emigrantë.

“Që nga viti 2017, mikrocensusi i ka pyetur këta njerëz për arsyen kryesore për emigracionin. Motivi më i rëndësishëm ishte arsyet familjare,” thotë raporti.

Shumica e njerëzve që janë shpërngulur nga Ballkani, janë më të rinj se mesatarja, tregojnë statistikat. Mosha mesatare e njerëzve nga këto vende është midis 28.4 vjeç – për kosovarët – deri 39.5 vjeç – për kroatët.

Bullgarët janë të dytët për nga mosha e re, në moshën 30.2 vjeç, ndërsa serbët, boshnjakët dhe rumunët janë mesatarisht 38 vjeç. Për krahasim, mosha mesatare në Gjermani në vitin 2015 ishte 44 vjet dhe tre muaj.

Më shumë se 1.8 milionë nga 2.6 milion emigrantë janë në moshë pune (15-64 vjeç), me një gjysmë milion njerëz që janë nën 15 vjeç, tregojnë të dhënat. Më pak se 300,000 janë mbi 65 vjeç. (reporter.al)

Zyrtare: Në Gjermani, 433 mijë banorë me origjinë nga Kosova Read More »

Të gjithë drejt martesës, shifra e dasmave në muajin korrik thyen rekord!

Korriku duket se ka qënë muaji i martesave për vitin 2018. Përgjatë javëve që lamë pas janë kryer 11 927 celebrime për martesë, një shifër që është në rritje krahasuar me vitet e kaluara.

Pjesa më e madhe e tyre janë emigrantë që kthehen në stinën e verës për të kryer dasmën.

Gushti është plot me dasma të tilla. Për të mbledhur të afërmit dhe për të ndjekur traditën, ata vijnë në qytetet dhe fshatrat e lindjes.

Një nga motivet e rikthimit të tyre në atdhe për të lidhur kurorë, është ruajtja e traditës. Si dhe takimi me të afërmit, ku të shumtit në dasmën e tyre janë po emigrantë.

Të gjithë drejt martesës, shifra e dasmave në muajin korrik thyen rekord! Read More »

Sezoni turistik, Xhafaj inspekton punën e policisë së Vlorës

Ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj zhvilloi një takim me strukturat drejtuese të Drejtorisë Vendore të Policisë në Vlorë.

Në fokus të takimit ishin masat e marra nga policia dhe trajtimi i problematikës që lidhet me mbarëvajtjen e sezonin veror.

Gjithashtu, u diskutua edhe mbi masat për parandalimin e ngjarjeve kriminale dhe mbajtjen nën kontroll të elementëve me precedentë penalë.

Gjatë takimit, u trajtua ecuria e hetimeve për goditjen e grupeve kriminale në këtë qark, në kuadër të operacionit “Forca e Ligjit”, ku ministri Xhafaj vlerësoi për punën me shumë përkushtim, Drejtorin Vendor të Vlorës dhe ekipin e ri drejtues.

Më pas, Xhafaj inspektoi edhe Portin e Vlorës, ku këto ditë ka fluks udhëtarësh për shkak të pushimeve verore.

Policia Kufitare edhe në Vlorë pritet të aplikojë lexuesit e lëvizshëm të pasaportave, për të shmangur radhët në hyrje e dalje në Port dhe lehtësuar lëvizjen e qytetarëve.

Ministri kërkoi nga autoritetet policore në Port, një shërbim më të mirë dhe komunikim më etik, marrë shkas nga disa njoftime të qytetarëve në Komisariatin Dixhital dhe mesazhe dërguar atij./atsh

Sezoni turistik, Xhafaj inspekton punën e policisë së Vlorës Read More »

Më 4 gusht shkrimtarët dhe studiuesit e bashkisë Himarë,u mblodhën dhe promovuan nr. 8 të antologjisë letrare studimore “Shtigjeve të vendlindjes”

Më 4 gusht shkrimtarët dhe studiuesit e bashkisë Himarë, banorë aty apo me rrënjë gjaku, – në fshatin Pilur, te rrapi shekullor, në “Ballkonin e Bregut”, ku qielli, toka bëhen një e deti tutje sikur e zgjeron vetë shpirtin e njeriut, u mblodhëm dhe promovuam nr. 8 të antologjisë sonë letrare studimore “Shtigjeve të vendlindjes”…

Bukuri e madhe!…

Është e ëmbël për ne kjo përmbledhje, unikale në Shqipëri, e iniciuar 10 vjet më parë dhe e mbështetur nga kryetari i Komunës së dikurshme të Lukovës Vladimir Kumiu, e dy vjet më parë nga kryebashkiaku i Himarës Jorgo Goro. Këtë vit kishim emra e shkrime domethënëse nga profesorët Pëllumb Xhufi, Çapajev Gjokutaj, Bardhosh Gaçe, Përparim Kabo, Ferid Hudhri, Josif Papagjoni, dr. e shkencave Irena Gjoni e Blegina Hasko, eseistet Fatmir Minguli, Stefan Martiko, Miho Gjini, Timo Mërkuri, Thanas Boçi, Robert Goro, Andrea Petromilo, poetët e shquar Ilirian Zhupa, Agim Mato, Lefter Vogli, Hiqmet Meçe, Robert Martiko, duke vijuar me Rudina Papajanin, Maksi Lucin, Albert Habazaj,Vullnet Mato, Margarita Mertiri, shkrimtarët Spiro Thomari, Andrea Petromilo, Koço Vogli, Petraq Pali, Dionis Kola, Edmond Llaçi, Kristo Çipa, Ideal e Mentor Serjani, Pirro Minguli e Kristo Çipa, e gjer tek romancierët Erjon Papagjoni, Kleo Lati, Robert Goro etj.

Ne kemi bërë promovime të bukura si festa dashurie dhe respekti mes shkrimtarëve bregas. Këtë vit e kishim dyfishuar lëndën, nga 200 faqe në 420 faqe. Me një besim gati paranojak iu drejtova kryeministrit të vendit për të qenë pranë nesh si artist.

Për të atin e tij, Kristaq Rama, kam pasur një respekt të thellë kur isha pedagog i ri në Akademinë e Arteve, më është dukur nga burrat më fisnikë të kohës, një pedagog plot humanizëm, dinjitet, autoritet, i kulturuar, me sqimë dhe tejet modest, gati si me turp për tepritë e të tjerëve.

Dhe njeriu njihet veçanërisht mirë në zboret njëmujore që bënim, në kapanonin ku jetonim si pedagogë, po them si kope dhe me ato zvarritjet poshtë telave me gjemba, makaronat e thata të djegura dhe pilafin gjithë mel, ku figura e intelektualit poshtërohej asisoj si rrallë gjetkë dhe e ndjeje veten një kot, etj, etj.

Asaj kohe (1973-1974) pata një periudhë të vështirë, më larguan nga Instituti i Lartë i Arteve drejt e në Fush Arës me sharraxhinjtë, çizmet, barakën me dru gjithë plasa ku flija me ta dhe kapotat e pambukta. Ky njeri më ka mbetur në mendje për fjalën inkurajuese që më tha asaj kohe të vështirë, i trembur, i ri, jugor, ardhur nga deti dhe butësia…

Doja ta thosha këtë, ani pse nuk lidhet me promovimin e librit tonë.

E pra më shkrepi dhe i shkrova një letër Edi Ramës dhe e ftova në promovimin e kësaj përmbledhjeje edhe si një mundësi vlerësimi, ndoshta garancie që ne ta vijonim më tej këtë botim të vyer për krahinën tonë. E ç’ndihmesë tjetër mund të jap unë për krahinën time veçse me ca germa?!

Dhe u habita kur, fjalës sime të fundit: “Ju ftojmë që të na nderoni në promovimin e përmbledhjes sonë”, në celularin tim erdhi saora mesazhi tij: Me kënaqësi.

E kishim caktuar në Borsh, mes ujërave, por për arsye kot (ndoshta punë fitimesh nga ana e lokalit), promovimi u zhvendos në fshatin Pilur. I shkrova serish Edi Ramës dhe mendova se kryeministri i një vendi s’do merret me “lodrat tona”. Por sërish u habita kur më erdhi mesazhi i tij: “Do të jem patjetër!”.

Dhe e mbajti fjalën, erdhi. Unë kisha një parandjenjë se ky njeri rrënjët nga e ëma i kishte nga Vunoi. Dhe bëri një gjest të zgjuar. Nuk erdhi me shpurën e kameramanëve, rojave, ndjekësve, me tam-tame. Erdhi vetëm me ministrin bregas Damian Gjiknuri, veshur në mënyrë sportive, verore. Erdhi si artist, si mik i yni.

Kam dëgjuar ca gojë poshtë e lart se na paska përdoruar për interest e tij politike dhe elektorale. Gjepura! Çfarë mendjesh mediokre, çfarë idiotësie dhe keqdashjeje. Jo, erdhi fare thjeshtë, u ulëm rreth rrapit, ne sofat; rrinte e na dëgjonte, na respektonte. Kryeministri i një vendi është një institucion, nuk është thjesht personi. Institucioni më i lartë i shtetit na respektoi dhe për këtë e falenderoj me shpirt.

As kam qenë dalluar ndonjëherë për frikë e servilizëm ndaj të mëdhenjëve të shtetit, se e ndjej veten bukur mirë me veten time, me punën time, me atë çka kam bërë dhe s’ia kam pasur nevojën kurrkujt, asnjë kryeministri. Por gjesti i tij më preku vërtet, andaj nuk më vjen hiç mirë nga ndonjë mik a shok që e quan këtë promovim si “përdorim” nga ana e kryeministrit.

Jo miq!

Është thjesht respekt nga ana tij, fisnikëri, vlërësim për antologjinë tonë. Shkrimtarët kanë integritetin e tyre intelektual, s’kanë nevojë për kryeministra. Aq më tepër kur vjen edhe në një moshë si puna ime…

E pra, qemë grumbulluar në Pilur shumë vetë, gjithë fshati qe shkulur aty, edhe ne shkrimtarë e artistë mbi 60 a 70 vetë, qemë bërë tok. Recituam vargje, folëm për letërsinë, artet, impaktin e shkrimtarit me lexuesin, publikun, folëm për shumëçka, dhe bisedat tona, afërmendsh, u bënë më të bukura pranë një gote birre, rakie, vere, një dreke të begatë të shtruar nga ana e Bashkisë Himarë.

Dy grupe folklorike, ai i Pilurit me vargjet e bilbilit nga Piluri, Leftër Çipës, dhe ai i Himarës me vargjet e të mrekullueshmit bregdetas, Neço Muko, që regjistroi në Paris zërin e Tefta Tashko Koços, e lezetuan bukur mirë bashkëbisedën.

Na e zbukuruan mbremjet edhe recitimet e Rudina Papajanit, Irena Gjonit, Vasil Gjivoglit, aktorja e estrades Sarande, Valentina.

Fjalë të mençura thanë Miho Gjini, Ilirian Zhupa, Diana Çuli, Aleksander Çipa e Lefter Çipa, Bardhosh Gaçe etj.

Jeta rrjedh, njerëz ikin e të tjerë vijnë në fushën e letrave, andaj njeriu i therrët herë pas here mbamendjes, kujtesës, nderimit, mallëngjimit. Në mbajtëm një minutë heshtje për emrin e intelektualit dhe shkrimtarit të shquar, njeriut të mirë, korrekt, atdhedashës, të urtë, Llambro Ruci që u shua para pak kohësh.

Aty, te rrapi ku bëhen kuvendet, ndonjë gjë edhe na iku për duarsh, dhe nga poezia shkuam edhe te hallet e popullit, se s’e lëshonin kollaj piluriotët kryeministrin pa i marrë një premtim për sjelljen e ujit lart në fshat. Dhe me ato mprehtësitë e tij, Rama m’u drejtua: “Josif, ujin e kam unë, mbrëmjen e ardhshme poetike e ke ti”, duke garantuar kështu mbështetjen për numrin tjetër të përmbledhjes sonë letrare studimore.

Madje ai hodhi dhe një ide interesante: “Të bëhet Dita e Poezisë, dhe të mblidhemi në mbrëmje e gjithë natën, jo në drekë e në vapë; dhe ta konceptojmë si darkë poetike duke biseduar, duke u argëtuar, kënduar, vallëzuar, në një solidaritet të bukur shkrimtarësh dhe njerëzish…” Ide që të intrigon për një projekt. Të shohim!

Sot e rëndësishme është se u kënaqëm me njëri-tjetrin, se një premtim për mbështetje nga bashkia Himarë e morëm, pse jot ë fantazojmë edhe diçka më të bukur nesër…

Më 4 gusht shkrimtarët dhe studiuesit e bashkisë Himarë,u mblodhën dhe promovuan nr. 8 të antologjisë letrare studimore “Shtigjeve të vendlindjes” Read More »

“Kam fituar 51 milionë lekë në baste”, deklaratat kontradiktore ‘dogjën’ prokurorin bixhozçi

Procesi i Vetting-ut ka zbuluar shumë abuzime me detyrën të gjyqtarëve dhe prokurorëve, ndërkohë që këta të fundit kanë përdorur marifete nga më të ndryshmet për të fshehur pasurinë. Trupa e KPK arsyeton se prokurori që deklaroi se fitoi 5.2 mln lekë në lloto, dështoi të shpjegojë bindshëm burimin e blerjes së apartamentit me sipërfaqe 145 metra katrorë si dhe të një dyqani me sipërfaqe 132 metra katrorë-të dyja në Tiranë.

Prokurori i Apelit të Tiranës, Luan Kaloçi u shkarkua nga detyra më 5 korrik 2018, pasi Komisioni i Pavarur i Kualifikimit arriti në përfundimin se ai ka fshehur origjinën e krijimit të një apartamenti dhe një dyqani në Tiranë.

Vendimi i arsyetuar i KPK-së, që përfaqësohej në këtë proces nga Valbona Sanxhaktari, kryesuese, Xhensila Pine, relatore dhe komisionerja Etleda Çiftja argumenton se prokurori Luan Kaloçi dështoi të shpjegojë bindshëm burimin e blerjes së apartamentit me sipërfaqe 145 metra katrorë si dhe të një dyqani me sipërfaqe 132 metra katrorë-të dyja në Tiranë.

Luan Kaloçi u bë pjesë e listës prioritare të vetingut për shkak të kandidimit të tij për Këshillin e Lartë të Prokurorisë. Trupi gjykues e konsideroi të mjaftueshëm hetimin administrativ për këtë subjekt, bazuar vetëm në kriterin e pasurisë. Vendimi i arsyetuar i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nxjerr në pah deklaratat kontradiktore të prokurorit Kaloçi për kohën e blerjes, sipërfaqen, çmimin real dhe burimin e parave për të dyja pasuritë.

Prokurori e kishte deklaruar blerjen e apartamentit që në vitin 2003 me çmim 4.2 milionë lekë dhe burim të ardhurat e shitjes së një apartamenti në Elbasan. Por vlera e kësaj pasurie ndryshon sërish në deklaratën periodike të vitit 2005, ku shënohet si vlerë shuma 55 mijë euro dhe si burim një kredi bankare. Në deklaratën “veting”, prokurori Kaloçi i qëndron versionit se pasuria ka si burim kredinë, por ndryshon sërish  vlerën e tij në 52 mijë dollarë.

Sipas hetimit administrativ, prokurori i Apelit e ka blerë këtë apartament nga kushëriri i tij përmes një kontrate të nënshkruar në mars 2005, ku vlera shënohej si 1.5 milionë lekë. Gjithashtu, Komisioni gjeti se kredia është disbursuar dy muaj më vonë, duke ngritur dyshime për origjinën e pronës.

I pranishëm në seancën dëgjimore, prokurori Kaloçi pranoi indirekt se kishte nënshkruar kontratë fiktive me kushëririn e tij me qëllim shmangien e taksave dhe se çmimi real i pronës ishte 52 mijë dollarë. Ai shtoi se kishte banuar së bashku me familjen në të që në vitin 2002, por në atë kohë nuk kishte as kontratë shitblerje dhe as regjistrimin e pronës në hipotekë.

I pyetur nëse e pranonte që kontrata ishte fiktive, subjekti i rivlerësimit deklaroi “ka qenë një nga format që përdorej në kushtet ku ishim ne”. “Arsyeja ka qenë se në periudhën që është blerë shtëpia, ka pasur një ligj që shitësi duhet të paguante në mos gaboj 1 ose 2 për qind të vlerës…nëse vlera e sendit ishte mbi 2 milionë. Duke qenë në këto kushte, besoj se kjo ka qenë arsyeja, nuk mendoj se ka arsye tjetër,” është përgjigja e zbardhur e Kaloçit ndaj pyetjes së ngritur nga vëzhguesi ndërkombëtar.

Lidhur me këtë pasuri, KPK ka arritur në përfundimin se subjekti nuk ka dokumentacion për të vërtetuar çmimin real të apartamentit, nuk ka dokumentacion për të vërtetuar kohën e blerjes së tij dhe për rrjedhojë edhe faktin që burimi është kredia bankare.

“Subjekti i rivlerësimit nuk ka shpjeguar në mënyrë të besueshme origjinën e ligjshme të këtij aseti…Subjekti i rivlerësimit ka ndërmarrë hapa për të fshehur ose evidentuar në mënyrë të pasaktë pasuritë në pronësi, posedim ose përdorim të tij,” shkruhet në vendim, ku deklarimi i tij konsiderohet i pamjaftueshëm.

Kontradita të ngjashme, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit gjeti edhe në blerjen e një dyqani 132 metra katrorë në Tiranë në vitin 2003. Në deklaratën “veting”, subjekti ka shpjeguar se këtë pasuri e kishte blerë për 5 milionë lekë me të ardhurat e siguruara nga shitja e një apartamenti në Elbasan.

Por KPK rendit në vendim deklarimet e ndryshme për të njëjtën pasuri; në vitin 2003 sipërfaqja ishte 86 metra katrorë dhe vlera 5.8 milionë lekë, ndërsa kontrata e sipërmarrjes tregon se kjo pasuri i është dhuruar bashkëshortes së prokurorit. KPK ngre gjithashtu pikëpyetje mbi burimin e kësaj pasurie, ku në deklaratën e vitit 2003 thuhet se janë llotot sportive dhe dy hua në vlerën e 1.5 milionë lekëve dhe 700 mijë lekëve. Dy huatë nuk rezultojnë më pas të shënuara në deklaratat periodike të viteve 2004-2016 dhe as në deklaratën “veting”.

Trupi gjykues i ka kërkuar prokurorit Kaloçi certifikatën e pronësisë dhe kontratën e shitblerjes, por ai ka sqaruar se kjo pronë është ende e paregjistruar në ZRVPP. “Dyqani është blerë në fazën karabina në shumën 5 800 000 lekë dhe është përfunduar me shpenzimet e mia në shumë 1 200 000 lekë në vitin 2003. Si burim për kryerjen e shpenzimeve kanë shërbyer të ardhurat e mia nga paga dhe të bashkëshortes. Ndërsa vlera e dyqanit si karabina është mbuluar nga fitimi në lotari sportive[ i djalit], për të cilat kam paraqitur mandate-pagesat në kontrollet përkatëse,” ka shpjeguar më tej ai.

KPK ka administruar si prova kontratën e sipërmarrjes, ku rezulton se prona i është falur bashkëshortes së subjektit si dhe një shkresë nga drejtoria e Përgjithshme e Taksave dhe Tarifave Vendore, e cila konfirmon se subjekti i rivlerësimit ka të regjistruara dy pjesë (44 m2 dhe 88 m2) të regjistruara në kohë të ndryshme.

Në përgjigje të pyetësorit të dytë, subjekti i rivlerësimit ka sqaruar: “Sa i takon burimit të blerjes së kësaj pasurie, që në fillim dua të bëj me dije se ai është i ligjshëm dhe mjafton të shikohen të ardhurat nga paga ime dhe e bashkëshortes, të ardhurat nga shitja e shtëpisë në Elbasan apo nga lotaria e fituar nga djali im. Pasaktësitë në deklarimin e burimit duhet të vlerësohen si lapsuse apo pakujdesi të miat dhe duhet të kihet parasysh edhe koha e kaluar nga deklarimi i bërë në vitin 2003 me deklarimin e bërë në vitin 2017 për efekt vetingu”.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit argumenton se nuk ka dokumentacion për të vërtetuar çmimin real të pasurisë dhe se shpjegimet e tij mbi origjinën e kësaj prone nuk janë të besueshme dhe të bazuara. Në këtë linjë, KPK evidenton se kontrata e shitjes së shtëpisë në Elbasan është në vlerën e 200 mijë lekëve-e pamjaftueshme kjo për blerjen e dyqanit dhe se pretendimi i subjektit për një lapsus të noterit në këtë vlerë konsiderohet gjithashtu i pabesueshëm. Në fund të procesit, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit arriti në përfundimin se prokurori Luan Kaloçi nuk ka kryer deklarim të saktë, ka mungesë të burimeve financiare të ligjshme dhe deklarime të rreme-përfundim i cili solli edhe shkarkimin e tij nga detyra./Javaneës/

“Kam fituar 51 milionë lekë në baste”, deklaratat kontradiktore ‘dogjën’ prokurorin bixhozçi Read More »

Whatsapp do të bëhet me pagesë, ja sa lekë do të paguani

Aplikacioni Whatsapp është një ndër aplikacionet më të përdorur për të komunikuar sot në të gjithë botën. Tani kompania ka dhënë një lajm të rëndësishëm për të gjitha bizneset, duke thënë se ka vendosur tarifa për dërgimin e mesazheve të marketingut dhe shërbimit të klientit.

Sipas autoriteteve të “Whatsapp”, ky hap vjen pasi prej kohësh aplikacioni po përballet me hapa të ngadaltë të rritjes së të ardhurave.

Mesohet se tarifat do të variojnë nga 0.5 deri në 9 cent, kjo në varësi të vendit përdorimit. Përfaqësues të kompanisë kanë shtuar se kjo tarifë do të jetë thuajse e njëjtë me koston e një sms-je telefonike.

“WhatsApp Business” ka mbi 3 milionë përdorues aktivë, nga rreth 1.5 miliardë njerëz që përdorin aplikacionin në total, ndërsa kompania ka premtuar se bizneset e vogla do të vijojnë ta përdorin aplikacionin falas.

Në këtë aplikacion do të ofrohet opsioni për të zgjedhur limitin e përdorimit të tyre dhe përdoruesit do të njoftohen kur të jenë pranë atij limiti kohor.

Whatsapp do të bëhet me pagesë, ja sa lekë do të paguani Read More »