Aktualitet

Zëvendësimet në Këshillin e Lartë Gjyqësor, Gjykata e Lartë hap aplikimet

Gjykata e Lartë ka hapur aplikimet për gjyqtarët e interesuar për të kandidatura për të qenë pjesë e Këshillit të Lartë Gjyqësor.

Në faqen zyrtare të gjykatës, është shpërndarë njoftimi me thirrjen publike për gjyqtarët e gjykatave të apelit jashtë Tiranës. Afati i aplikimit për gjyqtarët që plotësojnë kriteret është deri në 15 Shtator.

Kjo lëvizje duket se vjen pas shkarkimit nga detyra të disa gjyqtarëve që ishin kandidatë për në KLGJ pasi nuk kaluan dot procesin e Vetting-ut.

“Në mbështetje të nenit 9 të ligjit nr. 115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, shpall thirrjen për paraqitjen e shprehjes së interesit për gjyqtarët e gjykatave të apelit jashtë Tiranës për të paraqitur kandidaturën për tu zgjedhur në pozicionin e anëtarit të KLGJ. Kushtet ligjore që duhet të plotësojnë gjyqtarët e interesuar janë të parashikuara në nenin 7 të ligjit nr. 115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, lexohet në njoftimin e Gjykatës së Lartë.

“Gjyqtarët e interesuar duhet të paraqesin kërkesën dhe dokumentacionin sipas parashikimeve të nenit 10 të ligjit nr. 115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë” në Gjykatën e Lartë, brenda datës 15 shtator 2018.
Dorëzimi i tyre duhet të bëhet në njërën prej mënyrave të mëposhtme:Dorazi, pranë zyrës së protokollit të institucionit të Gjykatës së Lartë (nga ora 08:00-16:00); ose me postë, në adresën postare zyrtare të Gjykatës së Lartë: “Gjykata e Lartë, rruga “Ibrahim Rrugova”, Tiranë”. Po ashtu edhe me postë elektronike, në adresën zyrtare elektronike të Gjykatës së Lartë:[email protected] (kërkesa dhe dokumentacioni duhet te jenë në format WORD ose PDF)”, sqarohet te njoftimi.
Po ashtu bëhet me dije se, në përputhje me nenet 10/3 dhe 276/3 të ligjit nr. 115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, gjenden për t’u plotësuar nga gjyqtarët interesuar formularët, e deklaratës individuale e gjyqtarit që mbështet kandidatin; Formulari i vetë-deklarimit, sipas kërkesave të ligjit “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”; Formulari për informacion mbi të afërmit e shkallës së dytë, ungj/emtë, nip/mbesë, gjysh/gjyshe, gjysmë vëlla/motër dhe të afërmit e shkallës së parë të bashkëshortit/bashkëjetuesit, prindër, fëmijë dhe vëllezër/motra që ushtrojnë në mënyrë aktive profesionin e avokatit ose janë pronarë ose drejtues ekzekutivë në subjektet ekonomike, të cilat klasifikohen si tatimpagues të mëdhenj nga autoriteti tatimor. /atsh

Zëvendësimet në Këshillin e Lartë Gjyqësor, Gjykata e Lartë hap aplikimet Read More »

Shumat marramendëse që shqiptarët lanë në kazino do ju heqin trurin, e frikshme

Biznesi më i madh është tek kazinotë. Sipas të dhënave të përpunuara nga Monitor, bazuar në xhirot e deklaruara të 14 kompanive kryesore të kazinove, basteve, loto, bingo, lotari, qarkullimi vjetor zyrtar i industrisë ishte 16.6 miliardë lekë, ose rreth 132 miliionë euro. Në krahasim me një vit më parë, shpenzimet e shqiptarëve për lloto e kazino janë rritur me 9.3%, apo rreth 11 milionë euro më shumë.

Ironikisht, që prej vitit 2013, kur qeveria nisi me bujë aksionin për të luftuar këtë fenomen, të ashtuquajtur “Fundi i Marrëzisë”, apo ndryshimeve legjislative për t’i nxjerrë kazinotë jashtë qytetit (që nuk është zbatuar akoma dhe shtyhet vazhimisht) , marrëzia vetëm është shtuar dhe industria ka shënuar rritje dy shifrore vit pas viti. Në 2016-n, zgjerimi ishte 15%, ndërsa edhe në 2018 vlerësohet që ajo do të rritet ndjeshëm për shkak të Kampionatit Botëror dhe shtimit të pikave të lotove e basteve, që po shtrihen në kryeqytet e qytete të tjera të vendit, duke zëvendësuar baret e lokalet tradicionale.

Nga deklarimet zyrtare, kazinotë elektronike rezultojnë kategoria ku shqiptarët tentojnë të provojnë fatin, në zgjedhjen e bardhë apo e zezë, lojërat me fruta, slot machines etj. Në subjektet e licencuara nga Autoriteti si kazino elektronike, rezultojnë të jenë shpenzuar 10 miliardë lekë, ose rreth 78 milionë euro. Rritja e qarkullimit vjetor përr kazinotë ka qenë minimale në 2017-n.

Në të kundërt, kompanitë e basteve sportive kanë parë një rritje të ndjeshme të të ardhurave në 2017-n, ndonëse një vit i zakonshëm pa kampionate botërore apo europiane, i ndikuar nga shtipi i pikave nëpër qendrat e qyteteve.
Për lotaritë dhe bingot, shpenzimet janë më të ulëtat, në rreth 5 milionë euro.

Shpenzimet për frymë të shqiptarëve për kazino, loto, bingo etj kanë arritur në 46 euro në vitin 2017. Kjo shumë është e barabartë me atë që shpenzohet për t’u siguruar (tregu i sigurimeve në total ishte rreth 16.2 miliardë lekë në 2017-n, sipas AMF-së), ku pjesën më të madhe, rreth 60% e zë sigurimi i detyrueshëm, teksa kultura e sigurimit në vend është shumë e ulët. Por, ndërsa shqiptarët ngurrojnë të sigurojnë jetën, shëndetin, apo shtëpinë, ata nuk hezitojnë që të lënë miliona në kërkim të fatit të shpejtë./MONITOR/

Shumat marramendëse që shqiptarët lanë në kazino do ju heqin trurin, e frikshme Read More »

Doktor Leli i Vlorës ia ka “marrë dorën lekut”, 440 miilionë për “stilim” dhe ngrohje të sallës së Këshillit Bashkiak

“Doza e lartë” e korrupsionit u ka mpirë trurin, thonë “investim urgjent”, por do bëhet për 2 vjet

JA NJOFTIMI PËR TENDERIN

  1. Emri dhe adresa e autoritetit kontraktor: Bashkia Vlorë, sheshi “4 Heronjtë”, rruga: ”Osman Haxhiu”: Tel: 033 421 210; Fax 033 421 205, email: [email protected]

  2. Lloji i procedurës se prokurimit: Tender i Hapur

  3. Objekti i kontratës: ”Ndërtimi i sallës së Këshillit Bashkiak Vlorë + sistem ngrohje”

  4. Numri i referencës së procedurës/lotit: REF-80692-07-25-2018

  5. Fondi limit: 37,578,384 (tridhjetë e shtatë milionë e pesëqind e shtatëdhjetë e tetë mijë e treqind e tetëdhjetë e katër) lekë pa TVSH.

  6. Për vitin 2018 është parashikuar për financim vetwëm shuma: 23,912,000 (njëzetë e tre milion e nëntëqind e dymbëdhjetë mijë) lekë.

  7. Kohëzgjatja e kontratës ose afati kohor për ekzekutimin: 3 muaj nga lidhja e kontratës.

  8. Afati kohor për dorëzimin e ofertave ose kërkesave për pjesëmarrje: datë 30.08.2018 ora 10.00/Pamfleti

Doktor Leli i Vlorës ia ka “marrë dorën lekut”, 440 miilionë për “stilim” dhe ngrohje të sallës së Këshillit Bashkiak Read More »

Zhvarrimi në SHBA, Mid’hat Frashëri do të prehet në Shqipëri

Eshtrat e një prej personaliteteve më të shquara kombëtare, Mid’hat Frashëri do të prehen brenda pak muajsh në Shqipëri. Në mbledhjen e sotme të qeverisë është vendosur që eshtrat e personalitetit të shquar të letrave shqiptare të zhvarrosen në Shtetet e Bashkuara dhe të kthehen në atdhe.

Ai vdiq nga një sulm në zemër në Lexington Hotel në Lexington Avenue në Nju Jork dhe është varrosur në Varrezat Ferncliff në Nju Jork në vitin 1949.

Sipas vendimit, ceremonia shtetërore e kthimit në atdhe të eshtrave do të organizohet gjatë javës përkujtimore të 110-vjetorit të Kongresit të Manastirit, 14-22 nëntor 2018, “e cila përkon me një nga kremtimet madhore të Vitit Mbarëkombëtar të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut”.

Do të jetë Ministria e Jashtme, nëpërmjet misionit të saj diplomatik të Shqipërisë në SHBA, që do të organizojë procedurat e nevojshme ndërshtetërore për të sjellë në atdhe eshtrat e tij.

“Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, në buxhetin e miratuar për vitin 2018, në programin 01120 ‘Mbështetje diplomatike jashtë shtetit’, t’i shtohet fondi prej 3 239 400 (tre milionë e dyqind e tridhjetë e nëntë mijë e katërqind) lekësh, për organizimin e procedurave të nevojshme ndërshtetërore për të sjellë në atdhe eshtrat e personalitetit të shquar të letrave shqipe dhe të kulturës mbarëkombëtare Mid’hat Frashëri, me qëllim zhvillimin e ceremonisë shtetërore gjatë periudhës 14-22 nëntor 2018.

Fondi prej 3 239 400 (tre milionë e dyqind e tridhjetë e nëntë mijë e katërqind)) lekësh të përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit”, thuhet në vendim.

Zhvarrimi në SHBA, Mid’hat Frashëri do të prehet në Shqipëri Read More »

Vetingu, konfirmohet në detyrë gjyqtari Dritan Hallunaj

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit konfirmoi sot në detyrë gjyqtarin e Gjykatës së Krimeve të Rënda, Dritan Hallunaj.

Sot Komisionit i Pavarur i Kualifikimit dha vendimin për gjyqtarin Hallunaj, për të cilin gjatë seancës dëgjimore (pak ditë më parë) u vunë në dukje disa problematika në deklarimin e pasurisë, lidhur me veturën e tij.  Komisioni u ndal gjatë në shtyllën e aftësive profesionale pasi ndaj gjykatësit ishte bërë një ankesë në 2015, por gjithsesi në asnjë rast nuk evidentohen shkelje të kryera nga gjykatësi Hallunaj.

Pasi dëgjoi konkluzionet e hetimeve, Hallunaj kërkoi konfirmimin në detyrë, ndërsa sqaroi dhe dyshimet që ngriti trupa e KPK-së.

Të mërkurën në mëngjes, KPK vendosi konfirmimin në detyrë të gjyqtarit Hallunaj.

Po sot Komisioni i Pavarur i Kualifikimit do të japë vendimin për gjyqtarin pranë Gjykatës Administrative Shkalla e Parë Tiranë, Gentian Medja dhe për prokurorin pranë Prokurorisë për Krimet e Rënda, Besnik Muçi. /atsh

Vetingu, konfirmohet në detyrë gjyqtari Dritan Hallunaj Read More »

Gjyqtarja Brunilda Kadiu kalon vetingun

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit konfirmoi në detyrë gjyqtaren e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, Brunilda Kadi, teksa vendosi transferimin e një ndër vendimeve të gjyqtares në KLD për të vlerësuar nëse ka shkelje disiplinore

Trupi gjykuese përbëhej nga Lulzim Hamitaj kryesues,  Roland Ilia relator, Fildes Shuli anëtare

Bazuar në raportimin e ILDKPI, KPK ka komunikuar se gjyqtarja Kadiu nuk ka rezultuar të ketë pasuri të fshehura dhe se burimet e saj financiare janë të ligjshme.

“ILDKPI ka dorëzuar një raport me konstatimin se deklarimi është i saktë, ka burime financiare të ligjshme, nuk ka kryer fshehje pasurie. Gjyqtarja ka deklaruar këto pasuri: Apartament 124 m2 në Lanabregas, në pronësi me bashkëshortin, i marrë me kredi. Benz i blerë në 2008-ën, po në bashkëpronësi me bashkëshortin, me vlerë 700 mijë lekë. Ka patur të ardhura te mjaftueshme për blerjen e kësaj makine, si dhe një makinë tjetër tip Toyota”, deklaroi KPK rreth pasurisë së gjykatëses Brunilda Kadiu. /atsh

Gjyqtarja Brunilda Kadiu kalon vetingun Read More »

Veliaj: Do transformojmë Piramidën e Tiranës në një qendër alternative arsimi

Tirana mikpriti seminarin mbarëkombëtar “Për mësimin plotësues në gjuhën shqipe në diasporë”, ku marrin pjesë rreth 165 mësues. I pranishëm në këtë aktivitet ishte edhe kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili pasi u uroi mirëseardhjen, i njohu ata me disa nga nismat e marra nga bashkia e Tiranës për të rinjtë dhe për edukimin e tyre.

Veliaj theksoi se është momenti që të lihen pas debatet dhe fokusi të vendoset për të çuar përpara vendin.

“Pyetja është sot, jemi ne akoma personazhe të Konicës dhe Eqerem bej Vlorës apo raca jonë evolon në 100 vjet? Po sot, me kë po zihemi sot, me kë po hamë inat sot, me kë kemi konflikt sot? Pse po rrisim ne një brez me helm, me toksina, shaj këtë, shaj atë, duke harruar që mbi të gjitha jemi shqiptarë, kemi një vend. Kjo është diferenca. Ndaj edhe besoj që në këtë mision për ta çuar përpara vendin tonë, ne pamë në Tiranë në këto tre vite me dashuri janë bërë punë që nuk i imagjinonim dot kurrë. Ne shqiptarët jemi po të njëjtët që zihemi 10 vjet për një shesh dhe jemi po të njëjtët që e bëmë për 10 muaj kur vendosim të punojmë. Ne jemi po të njëjtët që mund të bëjmë debate e lagu, s’e lagu, ama kur e ndajmë mendjen të punojmë, ne mund të bëjmë mrekulli. Ndaj edhe unë besoj shumë që këtë frymë dhe këtë definicion të ri, të çfarë domethënë me qenë shqiptar në vitin 2018 të kemi mundësi ta përkthejmë”, – deklaroi Veliaj.

Teksa renditi disa nga investimet e bashkisë së Tiranës si rehabilitimi dhe ndërtimi i shkollave, krijimi i shkollave komunitare etj., Veliaj prezantoi edhe nismën më të re, atë të transformimit të Piramidës së Tiranës në një qendër alternative arsimi me fokus teknologjinë.

“Një nga gjërat që do të bëjmë dhe nuk e di nëse një nga kolegët e bashkisë do të ketë kohë që ta shpjegojë më vonë në një nga workshop-et, është transformimi i Piramidës së Tiranës në një qendër alternative arsimi. Në thelb Piramida do të jetë një pallat i madh pionierësh, por për këto gjuhë të reja që shqiptaria duhet t’i mësojë sot, inteligjenca artificiale, robotika, informatika, kodimi, design, animacioni. Gjuhë që sot fëmijët e botës po i mësojnë njëkohësisht me gjuhën e nënës. Unë besoj se nëse ne i targetojmë këto hendeqe si kulturore, po si edhe të aftësimit, ne mund të bëjmë realisht mrekulli si në Shqipëri dhe në Kosovë”, – tha Veliaj. /atsh

Veliaj: Do transformojmë Piramidën e Tiranës në një qendër alternative arsimi Read More »

Hapja e negociatave, Rama: Rekomandim pozitiv nga KE, punë intensive këto 12 muaj

Kryeministri Edi Rama gjatë një interviste për emisionin “Përballë” në Televizionin Publik Shqiptar theksoi se hapja e procesit të skanimit është një arritje e madhe, pasi sipas tij edhe nëse negociatat do të ishin hapur, procesi i “Screening” do të bëhej.

“Së pari, besoj që njerëzit e kanë kuptuar sepse nuk ka qenë e vështirë për t’u kuptuar që procesi ka dy nivele. Ka një nivel të objektivitetit teknik, që është procesi që shkon në komision dhe që përfundon me raportin e komisionit dhe ka edhe një nivel tjetër të subjektivitetit politik, që është procesi që shkon nga Komisioni në Këshill, ku janë vendet anëtare që vijnë aty me gjithë bagazhin e problematikave të veta të brendshme. Dhe e vërteta është që vendet anëtare u ndanë në 25 vende që ishin për hapje të menjëhershme të negociatave dhe pastaj në vendet që ishin për një shtyrje. Por ajo që është e rëndësishme është që pavarësisht se negociatat nuk u hapën menjëherë formalisht, u hap procesi i skanimit, që ishte një kompromis i artë sa na takon, sepse faktikisht edhe nëse negociatat do të ishin hapur formalisht, ne do të bënim skanimin”, – theksoi Kryeministri.

Kryeministri u shpreh i bindur se pas 12 muajsh pune intensive në përmbushjen e objektivave të vendosura nga Brukseli, Komisioni Europian do të japë rekomandim pozitiv për Shqipërinë.

“Kjo është një mënyrë që përdoret për herë të parë për Shqipërinë dhe Maqedoninë, nuk është përdorur për të tjerët. Mos të harrojmë që Mali i Zi e ka marrë hapjen formale të negociatave dhe më pas i janë dashur 6 muaj për t’i hapur ato de facto. Serbia e ka marrë hapjen formale dhe i janë dashur më shumë se një vit për t’i hapur ato de facto, sepse procesi i skanimit është një proces goxha kompleks. Ne kemi 12 muaj që i kemi fituar dhe nuk i kemi humbur dhe çka do të ndodhë në qershor do të jetë përsëri një rezultat i asaj që ne do të kemi bërë dhe patjetër, nuk e diskutoj fare, që do të jetë me rekomandim pozitiv nga Komisioni dhe asaj që do të jetë situata brenda vendeve anëtare. Megjithatë duke patur parasysh që do të jemi në momentin, kur do të kemi të njëjtin Komision dhe vendet anëtare do të kenë kaluar zgjedhjet për në Parlamentin Europian, që ishin arsyeja kryesore e rezervës së Francës, në radhë të parë, nuk kemi arsye pse të dyshojmë seriozisht në një rezultat pozitiv”, – u shpreh Rama.

I pyetur për vendet skeptike si Danimarka, Franca dhe Holanda, nëse nuk do të jenë më të tilla pas 12 muajsh, Kryeministri theksoi se nga kompromisi i arritur mbeti i kënaqur, pasi sipas tij procesi nuk është një provim për të marrë një certifikatë se kalove klasën në Bruksel apo Europë, por një përpjekje e vazhdueshme për të ndërtuar Shqipërinë europiane.

“Qoftë Franca, qoftë Holanda, sepse Danimarka ishte si të thuash një vend që u shfaq në krah të tyre vetëm në momentet e fundit, nuk është se e kishin me Shqipërinë. Ishin në një pozicion që ishte vijimësi e natyrshme e pozicionit të tyre në raport me Europën dhe në kontekstin e brendshëm si pozicion më i përshtatshëm. Procesi nuk është një provim për të marrë një certifikatë se kalove klasën në Bruksel apo në Europë, procesi është një përpjekje e vazhdueshme për të ndërtuar këtu Shqipërinë europiane dhe në këtë aspekt, procesi nuk ka ndalim, procesi ka vazhduar me skanimin që, siç e thashë, është faza që pason çeljen formale të negociatave dhe kjo më ka bërë, na ka bërë, që të jemi të kënaqur me rezultatin”, – theksoi Kryeministri.

Duke u ndalur te plotësimi i prioriteteve të vendosura nga BE si, lufta kundër krimit të organizuar, trafikut të lëndëve narkotike, reforma zgjedhore si dhe reforma në drejtësi Kryeministri Rama theksoi se përmbushja e këtyre objektivave janë prioritet i qeverisë shqiptare.

“E para, të kemi të qartë se këto fraza do të na shoqërojnë deri kur të bëhemi anëtarë, madje këto fraza janë fraza që po shoqërojnë jetën politike të Rumanisë apo të Bullgarisë edhe sot që janë anëtarë, të jemi të qartë.

E dyta, nga pikëpamja e objektivave konkretë që ka brenda në ato fraza, ne sigurisht që do t’i bëjmë, sepse janë gjëra që do t’i bënim si me negociata, si pa negociata. Ngritja e institucioneve të reja të drejtësisë është detyrim i një procesi që ka filluar dhe që po ecën sipas parashikimeve. Thellimi i luftës ndaj korrupsionit është një proces që ka filluar dhe po ecën sipas parashikimeve, se këtu flasim për luftë ndaj korrupsionit dhe flasim për peshq të mëdhenj, po a ka diskutim që gjithë këto gjykatës dhe prokurorë që po shfaqen si “peshkaqenë” në të gjithë dimensionet e veta duke u përzënë nga pallati i drejtësisë janë pjesë e një lufte të përshkallëzuar kundër korrupsionit? Nuk mund të ketë diskutim. Sigurisht që këta kanë qenë figura në një pushtet në hije, edhe pse hija ka qenë shumë e rëndë në shpatullat e gjithkujt që ka patur punë me gjykatat, por nga pikëpamja e influencës së këtij pushteti, nga pikëpamja e korrupsionit të këtij pushteti, ky është pushteti më i korruptuar në Shqipëri. Nuk diskutohet fare. Kështu që është një proces që është kompleks”, përfundoi Kryeministri Rama.//atsh

https://www.facebook.com/edirama.al/videos/10156000692216523/?t=0

Hapja e negociatave, Rama: Rekomandim pozitiv nga KE, punë intensive këto 12 muaj Read More »