Aktualitet

Rikonstruktohet godina e kopshtit në Orikum,Leli: Kujdesi ndaj të vegjëlve, prioritet

Një vëmendje dhe përkujdes ndaj fëmijëve parashkollorë në Orikum ,godina e rikonstruktuar e kopshtit drejt përfundimit të punimeve.

E ndërtuar rreth viteve 80′, për herë të parë kjo godinë i është nënshtruar rikonstruksioit tota. Paraditen e sotme punimet janë inspektuar nga Kryebashkiaku, Dritan leli,shoqëruar nga këshilltarë bashkiak ,administratorja Selamaj dhe drejtorja e kopshtit.

Një bashkëfinacim i agjencisë Tika dhe Bashkisë Vlorë, kopshti i fëmijëve në Orikum do të jetë gati për fillimin e vitit të ri shkollor 2018 -2019,ndërkohë që aktualisht puna do të vijojë dhe në ambientet e jashtme për të krijuar një mjedis të gjelbëruar dhe argëtues për 106 parashkollorët e qytezës së Orikumit.

Image may contain: 3 people, people standing and shoes

Rikonstruktohet godina e kopshtit në Orikum,Leli: Kujdesi ndaj të vegjëlve, prioritet Read More »

Emerging-Europe: Shqipëria ndalon me ligj përdorimin e qeseve plastike

“Shqipëria ka marrë masa për të reduktuar mbeturinat plastike dhe ndotjen duke vendosur me ligj një kufizim në  importimin, prodhimin, përdorimin dhe shitjen e qeseve plastike të lehta”, shkruan Emerging-Europe.
Zëvendësministrja e Mjedisit dhe Turizmit, Ornela Çuçi tha se qeset e lehta plastike nuk janë të riciklueshme. “Ata duhet të kenë një trashësi minimale prej 35 mikronësh në mënyrë që të jenë të ripërdorshme dhe të kenë vlerë riciklimi”, tha ajo.
Vendimi ka për qëllim inkurajimin e prodhimit të qeseve të biodegradueshme me shumë qëllime që mund të shpërbëhen në 36 muaj. Prodhuesit dhe importuesit që nuk zbatojnë ligjin në Shqipëri do të gjobiten 100,000-150,000 lekë (700-1186 euro).
Në maj, Komisioni Europian propozoi rregulla për BE-në të cilat targetojnë  10 produkte plastike me përdorim të vetëm që ndodhen më shpesh në plazhet dhe detet e Europës. Propozimi përfshin ndalimin e përdorimit të plastikës në produkte të caktuara: “Nëse alternativat janë në dispozicion dhe me çmime të përballueshme, produktet plastike me përdorim të vetëm do të dalin nga tregu. Kufizimi shtrihet deri tek pastruesit plastikë me pambuk për veshët, kompletet e ngrënies, pjata, pipat,  përzierësit e pijeve dhe shkopinj për balona të cilat do të prodhohen nga materiale më të qëndrueshme në vend. Ambalazhuesit e pijeve  me përdorim të vetëm do të lejohen në treg vetëm nëse kapakët dhe mbyllësit e tyre janë të puthitura. “
 
BE ka miratuar tashmë një Direktivë për qeset plastike, e cila kërkon nga shtetet anëtare të vendosin një pagesë për qeset plastike deri në fund të vitit 2018 ose të marrin masa të tjera për të siguruar një reduktim të konsumit në 90 qese në vit për person deri në fund të vitit 2019 dhe në 40 qese deri në vitin 2025.
 
Në të gjithë Europën në zhvillim, situata nuk paraqitet e njëjtë. Bullgaria ishte një nga shtetet e para anëtare të BE-së që vendosi kufizime në përdorimin e qeseve plastike, kur në vitin 2011, një pagesë prej 15 stotinki (8 euro cent) u vendos për më të hollat e qeseve plastike të cilat janë deri në 15 mikronë trashësi.
Maqedonia ndaloi me ligj përdorimin e qeseve të lehta plastike në dyqanet me pakicë dhe në mjedise të tjera biznesi në janar 2009, ndërsa vendet anëtare të BE-së si Sllovenia dhe Kroacia pritet të bëjnë të detyrueshme pagesat për qese plastike të lehta më 1 janar të vitit të ardhshëm. 
Një konsumator i zakonshëm në Serbi përdor rreth 300 qese plastike në  vit – pothuajse një në ditë. Ky vend ende nuk ka ndaluar me ligj ose ka vendosur pagesa të detyrueshme. Megjithatë, qeveria serbe ka njoftuar përpjekjet për të ulur përdorimin e qeseve plastike dhe tashmë po subvencionon prodhimin e qeseve plastike të biodegradueshme. /atsh

Emerging-Europe: Shqipëria ndalon me ligj përdorimin e qeseve plastike Read More »

6000 turistë me anije turistike drejt Sazanit dhe Karaburunit/Foto

Sazani dhe Karaburuni, vijojnë të mbeten ndër destinacionet më mbresëlënëse për turistët vendas dhe të huaj, të cilët shijojnë bukuritë dhe magjitë që natyra i ka falur kësaj zone.

Drejtori i Portit Detar Vlorë, Admir Malaj, tha sot për ATSH-në se “deri në fund të muajit korrik rreth 6000 turistë kanë zgjedhur portin e Vlorës për të udhëtuar drejt këtyre destinacioneve turistike”.

“Pjesa më e madhe e turistëve që kanë vizituar Parkun Kombëtar Detar Karaburun-Sazan janë të huaj. Sipas statistikave nga rreth 6000 turistë, 3675 janë shtetas të huaj të ardhur nga vende të ndryshme si Polonia , Italia, Amerika, Rusia, Finlanda, Suedia, Gjermania, Kanadaja etj”.

Sipas tij, qyteti i Vlorës gjatë këtij sezoni turistik është kthyer në një nga destinacionet më të preferuara për vizitorët vendas dhe të huaj.

Në portin e Vlorës operojnë anije turistike, të cilat nisen çdo ditë drejt ishullit të Sazanit dhe gadishullit të Karaburunit.

I shpallur në vitin 2010 Parku Kombëtar Detar Karaburun-Sazan, është i vetmi park detar kombëtar i Shqipërisë. Parku ofron atraksione të shumta natyrore, kulturore, historike dhe turistike. Tani zona mund të vizitohet nëpërmjet udhëtimeve ditore që zhvillojnë operatorët turistik që nisen nga porti i Vlorës. Kjo ofron mundësi reale për të vizituar parkun dhe ofruar një dite ndryshe ne gjirin e Vlorës.

Mjafton këtu të kujtojmë monumentin e natyrës, Shpellën e Haxhi Alisë (atraksioni me i vizituar nga turistët), gjiri natyror dhe kulturor i Gramës (skaji më i largët jugor i parkut detar), ishullin e Sazanit dhe falezat e tij si atraksioni më i madh që prej hapjes së tij për publikun. Për të gjithë ata që dëshirojnë të kalojnë momente relaksi në natyrën dhe qetësinë, parku detar ofron me brigjet e tij të Shën Vasilit, Shën Janit, Gjirit të Djallit, eksperiencë natyrore unike.

Në hapësirat e gadishullit të Karaburunit, në fund, aty ku bashkohet me luginën e Dukatit gjendet Kisha e Marmiroit, ndërsa në faqen jugore, në lartësinë 400 m, në vendin e quajtur Petrunë, gjendet një shpellë shumë e bukur, që quhet Shpella e Dukë Gjonit.

Për të gjithë të apasionuarit e zhytjes ofrohen shtigje nënujore për të parë botën unike dhe pasuritë nënujore. /atsh

6000 turistë me anije turistike drejt Sazanit dhe Karaburunit/Foto Read More »

Ekonomia shqiptare vijoi rritjen pozitive edhe në 3-mujorin e II-të 2018

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko konfirmoi të mërkurën se, “ekonomia shqiptare shënoi një rritje prej 4.45% në tremujorin e parë, dhe të dhënat e tërthorta flasin për ritme pozitive rritjeje edhe në tremujorin e dytë”.

“Përshpejtimi i ritmit të rritjes ekonomike në tremujorin e parë të vitit pasqyroi rritjen e shpejtë të prodhimit të energjisë elektrike, në përgjigje të kushteve të mira hidrike”, tha Guvernatori.

Sipas tij, në terma më afatgjatë, zgjerimi i aktivitetit ekonomik u bazua te rritja e konsumit dhe e investimeve private, ndërkohë që deficiti i shkëmbimeve tregtare me jashtë u rrit dhe politika fiskale vijoi të mbetet në kahun konsolidues.

“Të dhënat e tërthorta sugjerojnë se këto tendenca zhvillimi janë mbartur edhe në tremujorin e dytë”, theksoi Sejko. /atsh

Ekonomia shqiptare vijoi rritjen pozitive edhe në 3-mujorin e II-të 2018 Read More »

Zbulohet vendi nga ku dilnin pije që po helmojnë shqiptarët këtë pikë vere

Një sasi prej 2 ton pije të skaduara janë sekuestruar nga AutoritetiKombëtar i Ushqimit në në një pikë shitje me shumicë në qytetin e Korçës.

Trupa inspektuese e DRAKU, Korçë ka sekuestruar rreth 1740 litër pije të ndryshme, çaj i ftohtë, pije të gazuara, por edhe 40 kg produkte ushqimore (patatina, çibuke) të skaduara, janë sekuestruar në një pikë shitje me shumicë me emër subjekti “Argentil”.

Gjithashtu, në këtë subjekt u konstatuan produkte ushqimore pa kundraetiketë në gjuhën shqipe. Ndaj subjektit u morën masa administrative bazuar legjislacionit në fuqi si dhe u bë bllokimi i produkteve të skaduara deri në momentin e asgjësimit nga institucionet përkatëse.

Ky subjekt është gjobitur 300 mijë lekë për mungesë të kushteve higjieno- sanitare, 500 mijë lekë për tregtim të produkteve të pasigurta dhe 50 mijë lekë për etiketim të parregullt në gjuhën shqipe.

AKU thekson se do të jetë gjithmonë në mbështetje të konsumatorit me qëllim garantimin e Sigurisë Ushqimore. Gjithashtu inkurajon të gjithë qytetarët të denoncojnë çdo rast, çdo tentativë abuzimi, pranë Autoritetit Kombëtar të Ushqimit në [email protected] si dhe pranë portalit të bashkëqeverisjes “Shqipëria që duam” Siguria Ushqimore është një sfidë e përbashkët./korrieri

Zbulohet vendi nga ku dilnin pije që po helmojnë shqiptarët këtë pikë vere Read More »

I ktheu ligjin në Kuvend, ministri i ekonomisë me diplomë anglishteje tallet me presidentin: Ndoshta e ka bërë pa dashje

Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka reaguar pas kthimit për rishqyrtim në Kuvend nga Presidenti Ilir Meta të ligjit “Për të ardhurat” .

Përmes një deklarate për media ministria e Financave sqaron se ndryshimet e propozuara ne ligj, per tatimin mbi lojerat e fatit, nuk sjellin asnje ndryshim apo relaksim te tatimit per kategorite e lojerave te fatit nga ligji i vitit 2015, perkundrazi, unifikojne proceduren e tatimit, per te gjithe kategorite e lojerave te fatit, perfshire Lotarine Kombetare qe me ligjin e vjeter ka qene e perjashtuar.

Reagimi i plotë i ministrisë së Financave:

Nuk ka asnjë ndryshim në ligjin “Për lojrat e fatit” dhe asnjë relaksim sa i përket tatimit mbi lojrat e fatit, përkundrazi ka njehsim të aplikimit për të gjitha kategoritë e lojërave të fatit

Kuadri rregullator dhe fiskal i lojrave të fatit është vendosur dhe standardizuar në vitin 2015 me Ligjin 155/2015 “Për lojërat e fatit në Republikën e Shqipërise” i cili përcakton konceptet, përkufizimin dhe mënyren se si tatohen të gjitha kategoritë e lojërave të fatit.

Neni 52/2 i këtij ligji përcakton shprehimisht se të gjitha kategoritë e lojërave të fatit tatohen në masën 15 për qind mbi të ardhurat bruto.

Në ligjin e sipërcituar, Neni 4, pika 40, përcaktohet qartësisht baza e tatueshme, që është e ardhura bruto nga loja.

Eshtë ky sistem fiskal dhe rregullator të cilin Presidenti në argumentat e tij e cilëson si “regjim fiskal dhe rregullator të rreptë, që synon shtimin e barrës fiskale, me qëllim dekurajimin e këtij aktiviteti”.

Dhe është pikërisht ky sistem fiskal të cilin synon të unifikojë ndryshimi i miratuar nga Parlamenti dhe i kthyer nga Presidenti.

Kjo, sepse e vetmja kategori që bënte përjashtim nga ky rregull, ishte Lotaria Kombëtare, e dhënë me ligj të veçantë nga Qeveria Berisha në vitin 2013, nr. 95/2013 “Për miratimin e marrëveshjes së licencës për Lotarinë Kombëtare ndërmjet Ministrisë së Financave, si autoritet i autorizuar, dhe shoqërisë “Oesterreichische Lotterien”, Gmbh, nëpërmjet shoqërisë “Olg project” Shpk, sipas të cilit kjo kategori lojrash është e tatueshme në masën 10%.

Ndryshimi i propozuar, jo vetëm që nuk bie ndesh me rregullimin e vendosur në vitin 2015, por e unifikon këtë rregullimin duke përfshirë edhe Lotarinë Kombëtare në të njëjtin kuadër fiskal.

Pra, nuk ka asgjë të re përsa i përket shkallës tatimore apo bazës së tatueshme lidhur me tatimin mbi lojrat e fatit, por qëllimi i ligjëvënësit i shprehur qartë në këtë parashikim ligjor ështe përcaktimi i një regjimi fiskal dhe rregullator të njejtë, njësoj i aplikueshem, për të gjitha kategoritë e lojrave të fatit.

Presidenti, nëpërmjet mos dekretimit, ndoshta pa dashje, ka rrëzuar pikërisht parimin që synon të mbrojë, pra parimin e një sistemi të rreptë dhe njësoj i aplikueshem për të gjithë.

Nëse ndryshimet e kthyera nga Presidenti nuk do të hyjnë në fuqi, atëhere do të kemi një trajtim të diferencuar të një subjekti në treg, i cili do të vijojë të tatohet me shkallë tatimore 10%.

I ktheu ligjin në Kuvend, ministri i ekonomisë me diplomë anglishteje tallet me presidentin: Ndoshta e ka bërë pa dashje Read More »

Sot ka shumë rrezik nga zjarret në Shqipëri, del harta e qyteteve që po “përvëlohen”

IGJEUM thote se sot pasdite (e mërkurë, dt.01) dhe nesër (e enjte, dt.02) pritet rrezik “I MODERUAR” në qarqet Shkodër, Lezhë, Durrës, Tiranë dhe Fier, rrezik “I ULËT” në qarqet Dibër, Elbasan, Berat dhe Vlorë ndërsa në qarqet Kukës, Korçë dhe Gjirokastër “S’KA RREZIK” (siç tregohet në tabelë, respektivisht për secilin qark). Por në zona të lokalizuara mund të ketë nivel më të lartë rreziku, konkretisht qarku Kukës (Qendër), qarku Elbasan (Perëndim). Rreziku do tё jetё mё i lartё gjatё ditës sё sotme.

PARASHIKIMI METEO

RESHJET

Sot pasdite (e mërkurë, dt.01) dhe nesër (e enjte, dt.02) priten reshje të dobëta në shumicën e qarqeve të vendit deri lokalisht mesatare në gjysmën e tyre (siç tregohet në tabelë, respektivisht për secilin qark). Në zona shumë të izoluara, reshjet mund të shoqërohen edhe me shtrëngata, më të mundshme në zonat kodrinore-malore dhe në zonat pranë tyre, kryesisht gjatë pasditeve.

TEMPERATURAT

Nesër (e enjte, dt.02) temperaturat minimale dhe maksimale të ajrit pritet të arrijnë:

në bregdet: 23 / 33 °C
në vendet e ulëta: 22 / 35 °C
në vendet malore: 15 / 29 °C

ERA

Sot pasdite (e mërkurë, dt.01) dhe nesër (e enjte, dt.02) era pritet të fryjë e lehtë deri mesatare, kryesisht në bregdet.

Sot ka shumë rrezik nga zjarret në Shqipëri, del harta e qyteteve që po “përvëlohen” Read More »

Elisabeta Ymeraj merr drejtimin e Prokurorisë së Tiranës

Elisabeta Ymeraj merr drejtimin e Prokurorisë së Tiranë.

Zyra e Shtypit e Prokurorisë konfirmoi për Agjencinë Telegrafike Shqiptare, se emërimi i Elisabeta Ymerajt vjen pas shkarkimit të Dritan Rreshkës nga Prokuroria e Tiranës, pasi nuk ka kaluar Vetting-un.

Rreshka u shkarkua nga KPK të martën pasi ndaj tij kishte dyshime lidhur me deklarimin e pasurisë. Vetë Rreshka tha se do ta apelojë vendimin e KPK.

Ndërkohë që Elisabeta Ymeraj merr menjëherë drejtimin e Prokurorisë, teksa ajo ka qenë deri më sot, Prokurore tek Prokuroria e Krimeve të Rënda. /atsh

Elisabeta Ymeraj merr drejtimin e Prokurorisë së Tiranës Read More »