Aktualitet

Gjykata që nuk dënoi edhe ata pak zyrtarë “që i ranë në dorë”. Historiku i turpshëm 17 antarëve, ku vetëm 4 prej tyre kaluan në Vetting

Të martën më 30 korrik, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit rrëzoi nga detyra gjyqtarin Artan Broci dhe rikonfirmoi në detyrë gjyqtarin Medi Bici, dy anëtarët e fundit të Gjykatës së Lartë që u përballën me procesin e vetingut.

Në përfundim të procesit, Vetingu ngeli 5 nga 9 anëtarët e mbetur të Gjykatës së Lartë ndërsa nga katër të mbijetuarit, njëri gjendet zyrtarisht në proces apelimi nga komisionerët publikë. Përgjatë një periudhe prej pak më shumë se një vit, gjykata e lartë efektivisht u shpërbë nga tërheqjet e gjyqtarëve pas mbarimit të mandatit, dorëheqjet, rrëzimet në veting dhe një vendim penal për korrupsion. Më pak se një në katër gjyqtarë i mbijetoi procesit.

Gjykata e Lartë e Shqipërisë ishte një institucion i krijuar njëkohësisht për të unifikuar praktikën gjyqësore ashtu edhe për të gjykuar rastet e akuzave ndaj zyrtarëve më të lartë të vendit, të tillë si presidenti, kryeministri, deputetët, ministrave etj.

Përgjatë ekzistencës së saj ajo bëri emër më së shumti për mosdënimin e asnjë zyrtari të lartë prej atyre pak zyrtarëve që patën shansin të përballeshin me të.

Sipas kushtetutës së vitit 1998, anëtarët e gjykatës së lartë emëroheshin që të gjithë nga Presidenti i Republikës me pëlqimin e Kuvendit të Shqipërisë. Si produkt i kompromisit politik presidencë-parlament, ata pothuajse gjithmonë gjetën të pafajshëm ose me të drejta të shkelura procedurale ministrat dhe deputetët që mbërritën deri aty. Rasti më flagrant i gjyqtarëve të lartë që dolën si pasojë e kompromisit politik ishte i disave që u emëruan në vitin 2008, pas një konflikti disajavor mes presidentit të kohës Bamir Topi dhe maxhorancës së Partisë Demokratike në parlament.

Kjo gjykatë kishte fillimisht 17 anëtarë. Por në prill të vitit 2016, gjyqtari Ardian Nuni u tërhoq pasi mbylli mandatin e tij nëntëvjeçar të nisur në vitin 2007.

Në korrik 2016, një operacion policor zbuloi një pagesë 50 mijë eurosh të marrë nga shtetasi Odhise Andrea, këshilltar në Kuvendin e Shqipërisë dhe bashkëshort i gjyqtares Majlinda Andrea. Që të dy nuk gjendeshin në Shqipëri kur Gjykata e Lartë vendosi “arrest me burg” për ta. Në qershor të këtij viti, Andrea u shpall fajtore dhe u dënua me katër vjet burg me kusht. Andrea ishte gjyqtare e lartë që nga viti 2008, mbylli në këtë mënyrë një karrierë 25 vjeçare në sistemin e drejtësisë pasi kishte punuar më herët si gjyqtare në Durrës që nga viti 1992.

Në janar 2017, gjyqtarja Mirela Fana, e cila mbante këtë detyrë që nga viti 2009, njoftoi Presidentin e Republikës dorëheqjen e saj nga ky post. Fana i shpëtoi në këtë mënyrë procesit të vetingut dhe humbi të drejtën për të qenë pjesë e sistemit të drejtësisë për së paku 15 vitet e ardhshme.

Në vitin 2016, pesë anëtarëve të kësaj gjykate, të zgjedhur në vitin 2008, i mbaroi mandati. Gjyqtarët Arjana Fullani, Guxim Zenelaj, Andi Celiku, Aleksandër Muskaj dhe Evelina Qirjako kishin që të gjithë të drejtë të qëndronin në detyrë në pritje të zëvendësimeve, por kjo nënkuptonte që ata t’i nënshtroheshin procesit të vetingut. Por në tetor 2017, Gjykata e Lartë njoftoi se të pestë kanë deklaruar tërheqjen nga detyra pas përfundimit të mandatit. Që nga ajo kohë, Gjykata e Lartë mbeti me 9 anëtarë.

Procesi i vetingut i mori në shqyrtim të gjithë anëtarët e gjykatës së Lartë për shkak të pozicioneve që këta gjyqtarë do të kenë në strukturat e reja të drejtësisë.

I pari, Edmond Islamaj, u përball me vetingun në qershor. Një gjyqtar karriere që nga viti 1992 në Durrës, Sarandë, Krujë e Kavajë, , ai u konfirmua në detyrë duke u konsideruar “me nivel të lartë profesional” dhe pa prona të fshehura apo të pajustifikuar me burime të ligjshme.

Megjithatë, Komisioneri Publik ngriti pikëpyetje për blerjen prej tij të një toke 1 mijë metra katrorë në bregdet përkundrejt çmimit 137 mijë lekë. Sipas komisionerit publik, ky është një çmim i dyshimtë, tepër i ulët për një zonë me prioritet turizmin. Për këtë arsye dhe paqartësi të tjera në lidhje me pronat e personave të lidhur me Islamajn, Komisioneri Publik vendosi të apelojë vendimin e rikonfirmimit.

Më 17 korrik, Admir Thanza, gjyqtar karriere nga viti 1992, u shkarkua nga detyra për mospërputhje dhe deklarim të rremë si dhe mosdeklarimin e një dënimi penal për vjedhje në Itali. Gjyqtari u vendos më vonë në hetim penal.

Po në të njëjtën ditë, gjyqtari Tom Ndreca u shkarkua për mospërputhje në deklaratat e pasurisë dhe në mosdeklarimin e një problemi të karakterit penal të kunatit të tij, të cilit policia i kishte gjetur 6 kilogramë marijuanë në shtëpi por kishte shpëtuar nga drejtësia për shkak se nuk ishte provuar se kush e kishte futur drogën në shtëpinë e tij. I diplomuar në vitin 1980, Ndreca pati punuar si prokuror dhe gjyqtar.

Më 18 korrik, gjyqtari Artan Zeneli u shkarkua për pasuri të pajustifikuara dhe mosdeklarim të anulimit të vizës amerikane. Edhe ai kishte një karrierë të gjatë si gjyqtar dhe avokat.

Kryetari i Gjykatës së Lartë Xhezair Zaganjori u konfirmua në detyrë më 24 korrik, por vetëm pasi u përball me pikëpyetje të pakëndshme për origjinën e pasurisë së tij familjare me vlerë afro 58 milionë lekë.

Një ditë më vonë, më 25 korrik gjyqtari Ardian Dvorani mori konfirmimin në detyrë. Dvoranit i ka mbaruar mandati si anëtar i Gjykatës së Lartë, por po qëndron në detyrë në pritje të zëvendësimit. Partia Demokratike e ka sulmuar atë si gjyqtar të qeverisë, ndërsa Dvorani është njohur edhe për opinione minorance në disa vendime të diskutueshme të Gjykatës së Lartë.

Më 30 korrik, gjyqtari Shkëlzen Selimi u shkarkua për një listë të gjatë kontaktesh me elementë të krimit të organizuar.

Artan Broci ishte i fundit gjyqtar i shkarkuar më 31 korrik.

Medi Bici ishte i fundit gjyqtar i konfirmuar në të njëjtën ditë.

Me katër anëtarë të mbetur në detyrë, Gjykata e Lartë nuk është në gjendje të marrë vendime dhe do të duhet të presë plotësimin e vakancave, të cilat do të mund të fillojnë të kryhen vetëm pas krijimit të Këshillit të Lartë Gjyqësor.

Ndryshe nga sa kushtetuta e mëparshme, ku anëtarët e Gjykatës së Lartë emëroheshin nga presidenti me konfirmim nga shumica parlamentare, kushtetuta e re sanksionon që këta të zgjidhen nga Këshilli i Lartë Gjyqësor. Katër të pestat e anëtarëve do të duhet të jenë gjyqtarë karriere me më shumë se 13 vite punë ndërsa një e pesta do të jetë nga juristë jogjyqtarë me eksperiencë të gjatë dhe gradë shkencore./reporter.al

Gjykata që nuk dënoi edhe ata pak zyrtarë “që i ranë në dorë”. Historiku i turpshëm 17 antarëve, ku vetëm 4 prej tyre kaluan në Vetting Read More »

Burgjet plot me “fakirë”, por ja shifra marramendëse që qeveria paguan në muaj për çdo të dënuar

Një i burgosur i kushtoi të ardhurave publike 539 euro në muaj gjatë vitit 2017 sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Financave. Duke analizuar shpenzimet sipas programeve, Ministria e Financave raportoi se gjatë vitit të kaluar në programin sistemi i burgjeve janë harxhuar mbi 5 miliardë lekë të cilat kanë shërbyer për trajtimin e 5800 të burgosurve, shkruan Monitor.

Kosto e shpenzimeve vjetore për një burgosur arriti në 6469 euro në vit ose 539 euro në muaj. Shpenzimet për ushqimin zënë vetëm 8.6 për qind të kostos me një vlerë vetëm 46 euro në muaj. “Janë trajtuar me normë ushqimore 5 867 të burgosur me një kosto faktike prej 434 113 mijë lekë” sipas të dhënave zyrtare.

Në strukturën e kostos për një të burgosur, vlera më e madhe i takon shërbimit të sigurisë me gati 2 miliardë lekë shpenzime. Për ruajtjen e një burgosuri nëpërmjet pagesës së trupës policore harxhon 207 euro për një të burgosur. Shpenzimet për sigurinë zënë 38 për qind të shpenzimeve totale për një të burgosur. Trupa policore në dispozicion të sigurisë së të burgosurve arrin në 5867 persona. Siç shihet nga të dhënat ka më shumë se një polic për një të burgosur.

Pjesë përbërëse e kostos janë edhe shpenzimet për trajnimet dhe shpenzimet shëndetësore. Gjatë vitit të kaluar janë trajnuar 350 punonjës me një kosto faktike prej 3, 1 milionë lekë. Gjithashtu për trajtimin mjekësor të 550 të burgosurve janë harxhuar 321 milionë lekë. Për trajtimin e veçante të 53 të miturve janë harxhuar 72 milionë lekë dhe për trajtimin e të dënuarve femra në ambiente të veçanta janë harxhuar 99 milionë lekë më 2017.

Nga të dhënat e INSTAT rreth 20 për qind e të dënuarve janë për vepra penale për kultivimin dhe tregtimin e drogës./korrieri

Burgjet plot me “fakirë”, por ja shifra marramendëse që qeveria paguan në muaj për çdo të dënuar Read More »

250 vrojtues plazhi të licencuar nëpërmjet arsimit profesional, risia e këtij sezoni

Siguria në plazhe risia e këtij sezoni është shtrirja për herë të parë e rrjetit të kullave të vrojtimit.

”Kemi qenë padyshim kokulur edhe në disa raste të  jetëve të humbura në bregdetin shqiptar, por mund të themi po ashtu me bindje se ky numër është reduktuar në mos përgjysmuar dhe në krahasim me një vit më parë le të shpresojmë që shifrat do të na japin të drejtë për punën e madhe që kemi bërë. Duke ngritur nga veriu në jug, nga Velipoja në Sarandë një sistem të tërë kullash vrojtimi dhe si asnjëherë tjetër 250 vrojtues plazhi të liçencuar nëpërmjet arsimit profesional, janë sot në mbrojtje të jetës së qytetarëve”,u shpreh sot ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi.

Ai gjithashtu tha se “janë ngritur 25 qendra shëndetësore në zona me fluksin më të madh të cila operojnë 24 orë në 7 ditë të javës”.

“Të gjithë segmentët shtetërore përgjegjëse për mirëmenaxhimin e sezonit kanë qenë aktivë që nga kontrollet higjeno-sanitare, lufta kundër informalitetit, rendi, siguria ushqimore, të cilat si asnjëherë tjetër kanë qenë në vëmendje të të  gjitha institucioneve tona”, u shpreh ministri Klosi./atsh

250 vrojtues plazhi të licencuar nëpërmjet arsimit profesional, risia e këtij sezoni Read More »

Vrojtuesit e plazhit shpëtojnë 35-vjeçaren në plazhin e Velipojës

Një 35 vjeçare është shpëtuar sot në plazhin e Velipojës.

Vrojtuesit e plazhit, Nikolin Sterkaj dhe Elsamed Beqiri kanë ndërhyrë në kohë derisa arritën që ta nxirrnin ne breg pushuesen.

Pas dhënies se ndihmës së parë, gjendja e 35 vjeçares është normalizuar dhe fatmirësisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Pushuesja pasi kishte hyrë në ujërat e bregdetit të Adriatikut, disa metra larg bregut atë e ka kapur ngërçi, duke pirë për pasojë një sasi të konsiderueshme uji dhe ka rrezikuar mbytjen. Ajo ka kërkuar ndihmë dhe fatmirësisht ngjarja ka ndodhur në afërsi të një subjekti privat ku ka pasur roje sigurie, i cili ka ndërhyrë dhe ka bërë të mundur nxjerrjen e saj në breg. Asaj ju dha ndihma e parë dhe fatmirësisht ndodhet jashtë rreziku për jetën.

Çdo subjekt privat duhet të ketë dhe një vrojtues plazhi, ndërsa kullat e vrojtimit duhet të jenë në çdo 200-250 metra plazh. /atsh

Vrojtuesit e plazhit shpëtojnë 35-vjeçaren në plazhin e Velipojës Read More »

Sezoni turistik, 500 aktivitete festive nga veriu në jug

Zonat turistike në të gjithë vendin nga veriu në jug, më shumë sesa kurrë më parë, vijnë me një kalendar festash dhe aktivitete argëtuese për të gjithë pushuesit.

Kështu, kalendari i festave numëron plot 500 festa për sezonin veror, 300 prej të cilave janë konsumuar me pjesëmarrjen e dhjetëra mijëra pushuesve  dhe banorëve të zonave që kanë shprehur interes të madh kundrejt tyre. Shifrat u bënë publike nga ministri i Turizmit, Blendi Klosi.

‘Viti 2018 ka sjellë risi në gjallërimin e të gjitha zonave turistike nga veriu në jug përmes një programi shumë të pasur festash dhe aktivitetesh argëtuese. Kalendari i festave numëron plot 500 festa për sezonin veror, 300 prej të cilave janë konsumuar me pjesëmarrjen e dhjetëra mijëra pushuesve  dhe banorëve të zonave të cilët kanë ndjerë që ky është një moment shumë interesant jo vetëm për të zhvilluar imazhin turistik të zonave të tyre por edhe për të ngritur biznesin e vogël, e për të pasur mundësi riaktivizimi të burimeve të brendshme të komunitetit . Edhe gjatë muajit gusht do të vazhdojë ky kalendar sipas dakordësisë që kemi  midis institucioneve tona”, tha Klosi.

Më tej, ai vuri në dukje se një nga projektet më interesant me të cilën ky sezon vjen është Smile Albania, ku të huajt mirëpriten në zonat kufitare nga të rinjtë e vendit, me buzëqeshje dhe informacione orientuese per ta.

”Programi ynë i ri,  Smile Albania është aktiv në të gjitha zonat hyrëse të vendit tonë me përparësi zhvillimi të turizmit. Duke pasur parasysh që 1 mijë të rinjtë në 26 pikat e info-point të dhurojnë buzëqeshje, informacion mbi bukuritë natyrore të vendit tonë, potencialin turistik dhe të bëjnë edukimin e munguar mjedisor në konceptin e turizmit shqiptar”, -përfundoi Klosi. /atsh

Sezoni turistik, 500 aktivitete festive nga veriu në jug Read More »

Ky, viti i kthesës për Shqipërinë si destinacion europian

Rreth 85% e pushuesve që kanë hyrë në Shqipëri për herë të parë, duan të rikthehen sërisht në vendin tonë.

Këto të dhëna u bënë publike nga ministri i Turizmit, Blendi Klosi i cili tha se ”85 % e pushuesve që kanë hyrë në Shqipëri për herë të parë, deklarojnë dëshirën e tyre për t’u rikthyer dhe mbi 92% e këtyre pushuesve deklarojnë se do të rekomandojnë Shqipërinë si destinacion te miqtë e tyre për sezonet e ardhshme turistike”.

Klosi tha se ,”pavarësisht përmirësimeve që solli ky vit, jemi të vetëdijshëm që ka akoma shumë më tepër problematika që na shoqërojnë dhe padyshim kemi akoma më shumë nevojë që të jemi shumë me tepër vigjilentë në menaxhimin e sezonit. Kjo përgjegjësi na takon të parëve ne që jemi ulur këtu, funksionarëve të administratës publike, pushtetit vendor  por aq edhe sektorit privat”.

”Ky vit do të shënojë edhe vitin e kthesës në Shqipëri si destinacion europian turistik , ku turizmi shndërrohet në një mekanizëm ekonomik, i cili sjell në radhë të parë punësim, mirëqenie dhe të ardhura për vetë komunitetin. prandaj kërkojmë që së pari pushteti vendor të jetë në lartësinë e kërkuar”,vijoj më tej ministri Klosi.

Gjithashtu ai shtoi se ,”bizneset turistike, sipërmarrësit e turizmit do t’u kërkoja të kuptojnë që turizmi po shndërrohet në një profesion afatgjatë I cili do të duhet t’i shërbejë  me shumë ndershmëri dhe rigoroztet. E  kemi thënë që duhet të bëjmë më shumë kujdes me transparencën për shërbimet dhe çmimet , transparenca me pushuesit është alfa e suksesit të këtij biznesi. Së dyti organet tona shtetërore sic jemi edhe sot në detyrë do të jemi përgjatë këtij muaji, Të gjithë drejtuesit e lartë shtetërorë do të vazhdojnë të kërkojnë zbatimin e ligjshmërisë në terren. Zbatojmë vetëm ligjin, bëjmë këtë në një format miqësor me pushuesit por ajo që garanton zbatimin e ligjit është ndershmëria dhe barazia karshi të gjithëve”.

Në fund ai e mbylli takimi duke u shprehur se ,”nuk do të tolerojmë asnjë anashkalim të ligjit për emra të njohur ose jo në fushën e biznesit, nuk do të tolerojmë mos garantim dhe barazi të ligjit për çdo shtetas të Republikës së Shqipërisë. Angazhimi ynë i përbashkët duhet të jetë për këtë synim, pra shndërrimin e turizmit në një industri të qëndrueshme  që rrit ekonominë, krijon vende të reja pune dhe zbut varfërinë duke përmirësuar mirëqenien e qytetarëve të vendit tonë”, përfundoi ministri Blendi Klosi. /atsh

Ky, viti i kthesës për Shqipërinë si destinacion europian Read More »

Në 7 muaj, mbi 3 milionë turistë zgjodhën Shqipërinë

”3 milionë e 137 mijë vizitorë të huaj e kanë vizituar Shqipërinë gjatë periudhës janar -korrik 2018”, deklaroi sot ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi.

Gjatë një konference të përbashkët për shtyp, me përfaqësues të institucioneve të përfshira direkt në mbarëvajtjen e sezonit turistik,  zhvilluar në ambientet e Kryeministrisë në COD, Klosi tha se ,”muaj gusht pritet të jetë më i frekuentuar pasi pushuesit shtohen më shumë në zonat turistike. Edhe pse moti nuk ishte favorizues dy muaj më parë, statistikat tregojnë se nga janari në qershor, kemi një rritje të numrit të pushuesve me 12.5 % më shumë se një vit më parë. Të dhëna këto zyrtare nga sistemi TIMS i policisë së shtetit”.

”Në korrik të viti 2017 kanë hyrë në territorin tonë 860 mijë pushues ,ndërsa në korrik të vitit 2018 kanë hyrë 1 milionë shtetas rreth 19% më shumë krahasuar me një vit më parë. Hyrjet në aeroport në periudhën qershor- korrik 2017,147 mijë shtetas të huaj po në të njëjtën periudhë të 2018 -ës 192 mijë shtetas të huaj. Pra rritja me një vit më parë është mbi 30%”,u shpreh Klosi.

Ai shtoi se ,”rritja e hyrjes së shtetasve të huaj në periudhën qershor – korrik 2017 krahasuar me po të njëjtën periudhë të viti 2016 ka qenë vetëm 3%, ndërsa në periudhën qershor -korrik 2018 kemi një rritje me 17 % me një vit më parë”. /atsh

https://www.facebook.com/edirama.al/videos/10156004637236523/?t=0

Në 7 muaj, mbi 3 milionë turistë zgjodhën Shqipërinë Read More »

Të huajt të apasionuar për të ‘fluturuar’ në Llogara/Foto

Të rinjtë e huaj që vizitojnë Shqipërinë gjatë stinës së verës, por edhe shqiptarë gjithnjë e më shumë po tërhiqen nga sporti i fluturimeve të lira.

Aeronautika Shqiptare po vazhdon me promovimin e turizmit nëpërmjet fluturimeve të lira të kthyera tashmë në një sport të preferuar nga Pista Olimpike e fluturimeve në Llogora, e cilësuar dhe certifikuar si nga më të bukurat dhe më të veçantat në botë.

“Mediterranean Heart”, përherë një ndalese e “detyruar” në Himarën turistike, një investim i qeverisë shqiptare i dha imazhin e dëshiruar nga të gjithë, pikës ndoshta më të lartë dhe më të bukur në Mesdhe në shumë këndvështrime.

Llogaraja, për pozicionin unik që ka, si dhe për erën e favorshme ndihmon shumë në ushtrimin e këtij sporti, të përhapur shumë vitet e fundit.

Sipas të pasionuarve pas këtij sporti, fluturimi sportiv po bëhet gjithnjë e më tepër pjesë e promovimit, por edhe një resurs në rritje për turizmin.

Llogaraja, me vetëm 500 metër diferencë, është pika e dytë në botë mbi nivelin e detit e përshtatshme për fluturimin me velë.

Vlora ngërthen natyrshëm gërshetimin e sporteve të ujit me ato të ajrit, turizmin malor, arkeologjinë dhe plazhin. Ka të gjitha mundësitë të krijojë të ardhura të jashtëzakonshme nga turizmi i aventurës.

Pista Olimpike e fluturimeve “Mediterranean Heart” është tashmë një atraksion turistik i qytetit jugor, të Himarës.  /atsh

Të huajt të apasionuar për të ‘fluturuar’ në Llogara/Foto Read More »