Aktualitet

Restoranti ku u helmuan 39 dasmorë në 3 dasma, lokali i VIP-ave (foto)

Pas helmimit te 39 personave ne 3 dasma te organizuara ne nje restorant ne Elbasan, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit menjëherë pas informacionit ka mbërritur në vendin e ngjarjes ku ka konstatuar kushtet e rënda higjeno-sanitare në subjekt.

Dyshohet se helmimi eshte shkaktuar per shkak te pranise se salmoneles.

4

NJOFTIMI

Konkretisht, trupa inspektuese e DRAKU, Elbasan në bashkëpunim me Krimin Ekonomik gjatë orëve të vona të mbrëmjes (6.08.2018) kanë bërë verifikimin e kushteve dhe prezencës së produkteve sidomos atyre me origjinë shtazore të gjendura në subjektin “Laguna Blu” me aktivitet restorant. 39 personat që pretendohet se janë helmuar nga ushqimi kanë qenë pjesë në dasma të ndryshme (të shtunën drekë/darkë si dhe të dielën në darkë) nga i njëjti lokal në qytetin e Elbasanit, subjekti i lartpërmendur.

Nga verifikimi i subjektit të shtetasit Manol Musaj rezultoi se kishte mungesë të rëndë të kushteve higjeno-sanitare si dhe mungesë të dokumentacionit shoqërues(gjurmueshmëri).

2

Në momentin e inspektimit në subjekt, ndodheshin 12 kg mish vici, 40 kokrra veze, 25 kg mish gici, 5 kg djathë i bardhë si dhe 4 kg djathtë kaçkavall pa etiketë. Për produktet e gjendura në subjekt u realizua marrja e mostrave me qëllim kryerjen e analizave për prezencë të Salmonelës. Për sa më sipër u mora masa administrative bllokim i menjëhershëm i aktivitetit deri në daljen e përgjigjes së analizave si dhe masë administrative me gjobë në vlerën 700.000 lekë.

3

Ndërkaq, po të hedhësh një sy të shpejtë në profilin e Facebook-ut të këtij lokali shohim që ka një eksperiencë disa vjeçare dhe se janë të shumta ceremonitë martesore që janë zhvilluar në ambientet e tij. Madje shpeshherë organizoheshin edhe festa apo party me të ftuar këngëtarë të njohur si Ermal Mamaqi, apo Xhensila Myrtezaj.

Restoranti ku u helmuan 39 dasmorë në 3 dasma, lokali i VIP-ave (foto) Read More »

Ambasadori Muça me kryebashkiakun e Vankuverit për bashkëpunim në fushën e turizmit

Ambasadori ynë në Kanada, Ermal Muça ka zhvilluar një takim me kryetarin e bashkisë së Vankuverit, për shfrytëzimin e potencialeve të dy vendeve në sektorin e turizmit.

Takimi me Gregor Robertson u fokusua mbi mundësitë që ofron sektori i turizmit në vendin tonë, potencialet ekonomike, zhvillimin e qëndrueshëm të qyteteve dhe komunitetin energjik shqiptaro-kanadez në Kanada.

Vankuver është një prej qyteteve kryesore të Provincës së Kolumbisë Britanike në bregun perëndimor të Kanadasë.

Ndërkaq, ambsadori Muça ka zhvilluar një sërë takimesh me përfaqësues të qeverisë Kanadeze, mbi forcimin e bashkëpunimit ekonomik mes vendit tonë dhe Kanadasë./atsh

Ambasadori Muça me kryebashkiakun e Vankuverit për bashkëpunim në fushën e turizmit Read More »

Vlahutin promovon Vermoshin dhe Lëpushën

“BE mund t’i ndihmojë komunitetet rurale që të adresojnë nevojat e tyre me qeverinë vendore dhe qendrore”.

Kështu deklaroi Ambasadorja e BE-së në Tiranë, Romana Vlahutin në një takim me banorët e Vermoshit.

Është e rëndësishme, u tha ajo banorëve, që të përqendroheni në nevojat tuaja kryesore dhe të keni vizionin tuaj për ta zhvilluar fshatin dhe për të përmirësuar jetën tuaj”.

Vlahutin i inkurajoi banorët që të shohin mundësitë e shumta që ekzistojnë në partneritetin BE-Shqipëri për të mbështetur zhvillimin vendor.

Një delegacion i BE-së në Shqipëri vizitoi Vermoshin dhe pati një takim me banorët e tij dhe me Kryebashkiakun e Malësisë së Madhe.

Banorët ndanë përvojën e jetës së tyre në Vermosh, shpjeguan shqetësimet e tyre dhe diskutuan mbi idetë dhe mundësitë e zhvillimit për të promovuar Vermoshin dhe Lëpushën./atsh

Vlahutin promovon Vermoshin dhe Lëpushën Read More »

NATO flet për herë të parë për bazën ajrore në Shqipëri

Zëdhënësi i NATO-s, Piers Cazalet i pyetur nga Agjencia Telegrafike Shqiptare për investimin e Aleancë së Atlantikut të Veriut në Shqipëri, konkretisht në Kuçovë, tha se investimi kap vlerën e 51 milionë eurove.

“NATO ka në plan të investojë 51 milion euro për të modernizuar bazën ajrore të Kuçovës në Shqipëri. Paratë do të shkojnë drejt përmirësimit të infrastrukturës në bazë, përfshirë edhe depot e karburantit”, konfirmoi për ATSH, Cazalet.

Në prononcimin për ATSH, ai sqaroi më tej se “financimi është pjesë e Programit të Investimit të Sigurisë së NATO-s që mbulon projekte kryesore ndërtuese në vendet aleate me qëllim përmirësimin e sigurisë në hapësirën e NATO-s. Ky program është pjesë e financimit të përbashkët të NATO-s në të cilin kontribuojnë të 29 vendet anëtare”.

Gjithashtu, në prononcimin për ATSH, zëdhënësi i NATO-s tha se Aleanca i është mirënjohëse Shqipërisë për kontributin në Aleancë.

“Ne jemi mirënjohës për kontributin e çmuar të Shqipërisë për sigurinë tonë të përbashkët, përfshirë misionet tona në Afganistan dhe Kosovë. Shqipëria gjithashtu i jep një mbështetje të fortë partnerëve tanë, përfshirë kontributin në Fondet tona të Kujdestarisë për Ukrainën, ndihmën në mbrojtjen kibernetike dhe tranzicionin e karrierës ushtarake”, deklaroi ai.

Shqipëria, theksoi Cazalet për ATSH, luan gjithashtu një rol të rëndësishëm në luftën kundër ISIS-it, duke kontribuar me pajisje dhe trajnime për Irakun.

“Shqipëria gjithashtu na ndihmon të rrisim sigurinë duke promovuar bashkëpunimin në të gjithë Ballkanin Perëndimor. Vendi juaj është një avokat i fortë I politikës së dyerve te hapura të NATO-s dhe i integrimit të fqinjëve tuaj në familjen Euro-Atlantike”, tha Zëdhënësi i NATO-s Piers Cazalet për ATSH.

Përmes këtij projekti, i cili pritet të nisë brenda këtij viti, Kuçova do të shërbejë si bazë mbështetëse për NATO-n për furnizim ajror; mbështetje logjistike; mbështetje për polic-imin ajror; si dhe trajnime dhe stërvitje të Aleancës.

Kuçova do të shërbeje gjithashtu edhe si bazë kombëtare për Forcën Ajrore Shqiptare dhe investimi i NATO-s në Shqipëri do të sjellë një standard të ri për Forcat e Armatosura dhe investime për zonën e Kuçovës.  /atsh

NATO flet për herë të parë për bazën ajrore në Shqipëri Read More »

Ikën edhe 1.3 milion USD, u paguan borxhet e marra nga Nano e Berisha në vitet 1991-1998

Shtetarët vjedhin, populli paguan

Shqiptarët paskan “lindur” për të shlyer borxhet e shumta, që qeveritarët i marrin në emër të ekonomisë dhe mirëqenies së popullit, por që nuk ka ndodhur kështu dhe prej 27 vitesh po paguajmë taksa, për të paguar kreditë e marra tek bankat dhe konsorciumet e huaja për lobime partiake, rrugë, blerje energjie, shkolla, spitale, investime për mos përmbytje nga lumenjtë, blerje helikopterësh e lloj-lloj shpenzimesh të tjera, por që shtetarët i kanë bërë pasuri, biznese e luks për vete dhe shtatë brezat e ardhshëm të tyre.
Defterët e “listës së zezë” të detyrimeve financiare që ka shteti shqiptar nëpër botë, janë hapur dhe dje, me 2 korrik 2018, ka hyrë në fuqi ligji për shlyerjen e një borxhi të marrë nga Nano, Berisha e Majko në vitet 1991-1998, si detyrim shërbimesh në favor të Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH).


Vlera e borxheve, që kryeministrat shqiptarë i kanë marrë 20-27 vite më parë, kur Berisha ishte sa Majkua dhe Majko ishte “Gjino”, do të paguhen tani që Majko është bërë gjysh në parlament dhe kapin shumën 1 288 348,27 (një milion e dyqind e tetëdhjetë e tetë mijë e treqind e dyzet e tetë, presje njëzet e shtatë) USD.

Ja Ligji Nr. 35/2018 datë 21. 06. 2018 “Për pagesën e detyrimeve të prapambetura në favor të Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH)”

Kryerjen e pagesës për aksionet e nënshkruara (paid-in) dhe të pa paguara nga shteti shqiptar, të periudhës 1991–1998, në favor të Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH).

Shuma prej 1 288 348,27 (një milion e dyqind e tetëdhjetë e tetë mijë e treqind e dyzet e tetë presje njëzet e shtatë) USD paguhet nga buxheti i Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë me një këst, brenda vitit 2018.

Shpallur me Dekret Nr. 10820, datë 28.6.2018 të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta/Pamfleti

Ikën edhe 1.3 milion USD, u paguan borxhet e marra nga Nano e Berisha në vitet 1991-1998 Read More »

Gati rritja 30% e pagave për “agallarët” e bashkive, ja sa paguhen tani, ndërsa pensionet u rritën me 1 kg gjizë në muaj

Përfitojnë 170 shefa, që “lodhen” për hallet e popullit

Ndërkohë që pensionet lëmoshë të 652 mijë hallexhinjve të moshuar dhe personave invalidë, u rritën me 2.8%, ose sa një kilogramë gjizë në muaj, lajmi i fundit që ka dalë nga zyrat e qeverisë, flet për rritjen e pagave të kryebashkiakëve, prefektëve, kryetarëve të këshillave në qarqe dhe zevendësve të tyre!
Sipas burimeve të sigurta që ka marrë “Pamfleti”, thuhet se pagat e 170 “agallarëve” që drejtojnë 61 bashkitë, 12 qarqet dhe 12 prefekturat e Shqipërisë, do të rriten 30%, referuar pagës mujore që marrin aktualisht, përveç 2% shtesë mbi pagën mujore, që u jepet për çdo 1 vit vjetërsi pune, por jo më tepër se për 20 vite punë.

Kujtojmë, që pagat aktuale të drejtuesve të pushtetit lokal, janë rritur 1 vit më parë, me VKM Nr. 177, datë 08. 03. 2017, të ndara sipas numrit të banorëve që ka çdo bashki, disa prej të cilave arrijnë në nivel page ministri dhe gjenerali.

Bashkitë me 200 mijë e 1 banor, deri 400 mijë dhe 400 mijë banorë

Kryetari: 130 mijë – 162 mijë e 750 lekë
N/kryetari: 100 mijë – 138 mijë lekë
Bashkitë me 100 mijë e 1 banorë, deri 200 mijë banorë

Kryetari: 110 mijë – 150 mijë lekë
N/kryetari: 70 mijë – 125 mijë e 725 lekë
Bashkitë me 50 mijë e 1 banorë, deri 100 mijë banorë

Kryetari: 70 mijë – 125 725 lekë
N/kryetari: 60 mijë – 101 mijë e 650 lekë
Bashkitë me 20 mijë e 1 banorë, deri 50 mijë banorë

Kryetari: 60 mijë -101 mijë e 650 lekë
N/kryetari: 45 mijë – 86 mijë e 100 lekë
Bashkitë që kanë deri 20 mijë banorë

Kryetari: Nga 45 mijë – 86 mijë e 100 lekë
N/kryetari: Nga 28 mijë e 300 – 75 mijë e 500 lekë
Prefekturat

Kryetari i Qarkut: 87 mijë – 150 mijë lekë
Zv/Kryetari i Qarkut: 57 mijë e 600 – 101 mijë e 650 lekë
Prefekti i Tiranës: 130 mijë e 300 lekë
Prefektët e tjerë: 118 mijë e 300 lekë/Pamfleti/

Gati rritja 30% e pagave për “agallarët” e bashkive, ja sa paguhen tani, ndërsa pensionet u rritën me 1 kg gjizë në muaj Read More »

E dinit që në Shqipëri ka 190 buallica?! Fati i tyre në dorë të 2 adoleshentëve

190 buallicat e vetme në Shqipëri dhe që ndodhen në Divjakë ruhen dhe kulloten nga dy fëmijë të vegjel dhe kujdesen nga një çift të moshuarish. Adoleshentët e nisën këtë punë për të fituar të ardhura të cilat do u shërbejnë me fillimin e vitit shkollor.

Buallicat e Divjakës po zhduken. Por duket se kësaj here janë fëmijët ata më të shqetësuarit për këtë fakt. Dy djem 14- vjeçarë kane zgjedhur t’i ruajnë ato. Janë përgjegjës për ruajtjen e 190 krerëve, të cilët i kullosin nëpër tokat e kripura të pyllit aty pranë.

“Është e thjeshtë, nuk është e vështirë”, thote njeri prej te rinjve.

Sapo kanë mbaruar klasën e 8-të, dhe duhet të punojnë që të blejnë libra dhe rroba për sezonin e ri shkollor.

Diamant Sula dhe Mateo Karaj janë nga Kryekuqi, një fshat një orë larg Divjakës. Ngrihen çdo mëngjes në orën 05:00 dhe punën e lënë kur fillon errësira.

Diamant Sula: “Unë vij në 6 këtu dhe në orën 10 të drekës i mbyllim, i çojmë në 3 të pasdites deri në 7-7:30 dhe 8:00 që i çojmë në shtëpi”.

Me të ardhurat që do mbledhësh ca do i shpenzosh?
Mateo Karaj: “Për shkollën”.

Në ç’ klasë hidhesh?
Mateo Karaj: “Në të nëntën, minimaturant”.

Kur u treguan prindërve se do merreshin tre muaj me ruajtjen e buallicave, frika me e madhe e familjes ishte jeta e tyre. Këto kafshë duhen shëtitur nëpër hapësira të mëdha, ku rreziku është i pashmangshëm.

“Fillimisht reaguam keq se kanë nam të keq si vrasëse”

Janë të rrezikshme për ju?
 “Vetëm kur ke veshje të kuqe të ndjekin me vrap”.

Dy 14- vjeçarët e kanë punën e parë që bëjnë në jetën e tyre, kujdesin për tufat e buallicave. Për ta momentet më të bukura janë kur të vegjëlit bashkohen me nënat për të pirë qumështin.

“Më ka pëlqyer që i futet buallica e madhe tjetrës për të pirë qumështin”

Ka pasur raste kur ju ka humbur ndonjë kafshë?
“Po. Kemi kërkuar. Vijnë vetë”.

Bullicat janë specie autoktone e zonës së Divjakës. Pas viteve ‘90 rrezikonin zhdukjen. Por falë një çifti të moshuarish ato u shpëtuan. Dhe nga 30 krerë sot numërohen 190. Bullicat njihen dhe vlerësohen në të gjithë botën veçanërisht për qumështin dhe djathin e bardhë

 

E dinit që në Shqipëri ka 190 buallica?! Fati i tyre në dorë të 2 adoleshentëve Read More »

Fier- Bashkia vijon investimet, përmirësohen rrugët në lagjen “Elmaz Troka”

Bashkia Fier vijon investimet në infrastrukturën rrugore, duke përmirësuar kështu jo vetëm jetën dhe qarkullimin e qytetarëve drejt zonave më të populluara, por ndërtimi i tyre ka dhe një impakt ekonomik.

Drejt përmirësimit të infrastrukturës është vendosur lagja “Elmaz Troka”, në Çerven të Fierit.

Lajmi u bë i ditur nga kryetari i bashkisë së Fierit, Armando Subashi, i cili shkruan se “Jo në një, por ndërhymë për përmirësimin e infrastrukturës në të gjitha rrugët e lagjes “Elmaz Troka”, në Çerven. Edhe pak kemi për të larguar një nga problemet kryesore të banorëve”.

Në bashkinë e Fierit investimet kanë prekur qendrat shëndetësor, shkollat, kopshtet si dhe trotuaret e dhe rrugët e qytetit.

Pak ditë më parë u ndërhy në lagjen “11 Janari”, jo vetëm duke përmirësuar infrastrukturën rrugore, por edhe duke krijuar një bllok të mirëfilltë banimi me të gjithë elementët e nevojshëm urban./atsh

Fier- Bashkia vijon investimet, përmirësohen rrugët në lagjen “Elmaz Troka” Read More »