Aktualitet

AKU zgjeron kontrollet në vend, bllokime dhe gjoba në qarkun e Vlorës

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, në këtë periudhë të temperaturave të larta e shtimit të volumit të tregtisë në kuadër të sezonit turistik është në çdo kohë në aksion për identifikimin, kontrollin, evidentimin, dënimin dhe ndalimin e çdo veprimtarie të kundraligjshme e të rrezikshme nga subjektet që neglizhojnë apo shkelin rregullat e sigurisë ushqimore.

Për këtë arsye AKU ka nisur një tjetër aksion, atë të kontrollit në furgona që furnizojnë lokalet dhe marketet në të gjithë qarkun e Vlorës por dhe më gjerë.

Konkretisht, trupat inspektuese e DRAKU, Vlorë në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, ndaloi një furgon në qytetin e Sarandës me 40 kg qumësht të skaduar para 4 muajsh, 31 kuti me çaj sherebel të skaduara para një viti.

Menjëherë u bë bllokimi i produkteve të skaduara dhe u mor masa administrative me gjobë në vlerën 200.000 lekë.

Gjithashtu, nga Drejtoria Rajonale AKU Vlorë ka nisur aksioni për kontrollin e të gjithë restoranteve që ushtrojnë aktivitetin në këtë qark.

Konkretisht nga kontrolli i trupës inspektuese të DRAKU Vlorë rezultoi se subjekti me aktivitet bar restorant ushtronte aktivitetin e tij në mungesë të kushteve higjieno-sanitare.
Për shkeljet e konstatuara për subjektin u mor masa administrative me gjobë në vlerën 300.000 lekë.

Tolerancë zero ndaj çdo subjekti abuzues me sigurinë ushqimore. Autoriteti Kombëtar i Ushqimit me qëllim garantimin e sigurisë ushqimore, i bën thirrje edhe operatorëve të biznesit ushqimor që të jenë të kujdesshëm në blerjen e lëndëve të para – produkte shtazore dhe jo shtazore duke kërkuar e marrë nga furnitorët vetëm produkte me etiketë dhe të shoqëruara me dokumentacion të plotë veterinar e fiskal – pasi është një detyrim ligjor i tyre përveçse përbën një masë tepër të rëndësishme për sigurinë ushqimore të klientëve të tyre.

Gjithashtu, inkurajon të gjithë qytetarët të denoncojnë çdo rast, çdo tentativë abuzimi, pranë Autoritetit Kombëtar të Ushqimit në [email protected] si dhe pranë portalit të bashkëqeverisjes “Shqipëria që duam”. Siguria Ushqimore është një sfidë e përbashkët./atsh

AKU zgjeron kontrollet në vend, bllokime dhe gjoba në qarkun e Vlorës Read More »

NATO flet për herë të parë për bazën ajrore në Shqipëri

Zëdhënësi i NATO-s, Piers Cazalet i pyetur nga Agjencia Telegrafike Shqiptare për investimin e Aleancë së Atlantikut të Veriut në Shqipëri, konkretisht në Kuçovë, tha se investimi kap vlerën e 51 milionë eurove.

“NATO ka në plan të investojë 51 milion euro për të modernizuar bazën ajrore të Kuçovës në Shqipëri. Paratë do të shkojnë drejt përmirësimit të infrastrukturës në bazë, përfshirë edhe depot e karburantit”, konfirmoi për ATSH, Cazalet.

Në prononcimin për ATSH, ai sqaroi më tej se “financimi është pjesë e Programit të Investimit të Sigurisë së NATO-s që mbulon projekte kryesore ndërtuese në vendet aleate me qëllim përmirësimin e sigurisë në hapësirën e NATO-s. Ky program është pjesë e financimit të përbashkët të NATO-s në të cilin kontribuojnë të 29 vendet anëtare”.

Gjithashtu, në prononcimin për ATSH, zëdhënësi i NATO-s tha se Aleanca i është mirënjohëse Shqipërisë për kontributin në Aleancë.

“Ne jemi mirënjohës për kontributin e çmuar të Shqipërisë për sigurinë tonë të përbashkët, përfshirë misionet tona në Afganistan dhe Kosovë. Shqipëria gjithashtu i jep një mbështetje të fortë partnerëve tanë, përfshirë kontributin në Fondet tona të Kujdestarisë për Ukrainën, ndihmën në mbrojtjen kibernetike dhe tranzicionin e karrierës ushtarake”, deklaroi ai.

Shqipëria, theksoi Cazalet për ATSH, luan gjithashtu një rol të rëndësishëm në luftën kundër ISIS-it, duke kontribuar me pajisje dhe trajnime për Irakun.

“Shqipëria gjithashtu na ndihmon të rrisim sigurinë duke promovuar bashkëpunimin në të gjithë Ballkanin Perëndimor. Vendi juaj është një avokat i fortë I politikës së dyerve te hapura të NATO-s dhe i integrimit të fqinjëve tuaj në familjen Euro-Atlantike”, tha Zëdhënësi i NATO-s Piers Cazalet për ATSH.

Përmes këtij projekti, i cili pritet të nisë brenda këtij viti, Kuçova do të shërbejë si bazë mbështetëse për NATO-n për furnizim ajror; mbështetje logjistike; mbështetje për polic-imin ajror; si dhe trajnime dhe stërvitje të Aleancës.

Kuçova do të shërbeje gjithashtu edhe si bazë kombëtare për Forcën Ajrore Shqiptare dhe investimi i NATO-s në Shqipëri do të sjellë një standard të ri për Forcat e Armatosura dhe investime për zonën e Kuçovës.  /atsh

NATO flet për herë të parë për bazën ajrore në Shqipëri Read More »

Blick: A po bashkohen Kosova dhe Shqipëria në mënyrë sekrete?

Ideja e Shqipërisë së Madhe është sërish e pranishme, shkruan e përditshmja zvicerane Blick, duke shtuar se kundërshtarët e kësaj ideje janë duke ndjekur qasjen graduale të Shqipërisë dhe Kosovës.

Shqipëria dhe Kosova, të cilat janë të banuara pothuajse ekskluzivisht nga shqiptarët, po ecin me hapa të mëdhenj, shkruan mediumi zviceran në artikullin me titullin “A po bashkohen Kosova dhe Shqipëria në mënyrë sekrete?”
Eksperti gjerman Andreas Wildermuth thotë se Shqipëria dhe Kosova donin të “krijojnë sa më shumë unitet të jetë e mundur nën bashkimin formal”.

Ai tha ai për agjencinë e lajmeve gjermane DPA se ky “është një qëllim legjitim, sepse nuk mund t’i mohohet atyre rregulla që janë standarde në BE”.

Një erë shtesë në vela mori gjatë ditëve të kaluara nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili po kërkon “korrigjime kufitare”, që do të thotë “bashkimi i Luginës së Preshevës me Kosovën”, shkruan gazeta.

Sipas vlerësimeve, deri në 100,000 shqiptarë jetojnë në këtë zonë nëpër qytetet e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës. Ky korrigjim kufitar është i mundshëm dhe i domosdoshëm, sepse Serbia nuk ka arritur të garantojë të drejtat e pakicave, citon gazeta presidentin Thaçi.

Cilat fusha do të përfshijnë një Shqipëri të Madhe, e cila refuzohet rreptë nga të BE-ja dhe SHBA-të? Pikë kryesore do të ishte Republika e Shqipërisë dhe Kosova e sotme. Përveç kësaj, gjysma e shqiptarëve ende jetojnë në Maqedoni, plus bashkatdhetarët në Serbinë jugore dhe dhjetëra mijëra në Mal të Zi, përkujton gazeta./njekomb

Blick: A po bashkohen Kosova dhe Shqipëria në mënyrë sekrete? Read More »

Greqia dëbon mbi 4 mijë shqiptarë

Policia greke njoftoi sot se për muajin korrik janë dëbuar për në vendet e tyre të origjinës, për hyrje të paligjshme 841 emigrantë.

Për muajin korrik, policia greke kthehu për në vendet e tyre të origjinës, shtetas te tjerë të kombësive të ndryshme. Në kurriz të këtyre shtetasve të vendeve të treta, janë vendimet për kthim dhe deportim lëshuar nga autoritetet përkatëse për hyrje të paligjshme në Greqi.

Si gjithnjë, numri më i madh i kthimeve ishte për Shqipërinë (377), Irak (141), Pakistan (74), Gjeorgji (43), Bangladesh (29), Turqi (28), Algjeri ) dhe Iranit (18).

Për 7-mujorin e parë Greqia ka dëbuar 4.267 shqiptarë nga 7.959 të kthyer me kombësi të ndryshme.

Te kthyer sipas muajve

Janar 628

Shkurt 648

Mars 668

Prill 745

Maj 738

Qershor 463

Korrik 363

Greqia dëbon mbi 4 mijë shqiptarë Read More »

Super jahti 300 milionë dollarësh ankorohet në Sarandë, ja kush është sheiku i fuqishëm që e zotëron

Një jaht gjigant me një vlerë marramendëse ka mbërritur mëngjesin e sotëm në portin e Sarandës.

“Mrekullia” i përket babait të Emirit të Katarit, Shkëlqesisë së tij Hamad Bin Khalifa Al Thani.

Biznesmeni i fuqishëm do të vizitojë rivierën shqiptare gjatë qëndrimit të tij në Shqipëri.

Një batalion makinash luksoze mirëpresin biznesmenin e fuqishëm në port.

Sheiku i Katarit ka një pasuri marramendëse, ndërkohë që jaht mendohet se ka një vlerë prej afërsisht 300 mln dollarë.

Super jahti 300 milionë dollarësh ankorohet në Sarandë, ja kush është sheiku i fuqishëm që e zotëron Read More »

Televizioni më i madh në Kinë, reportazh për Shqipërinë: Heqja e vizave, shumëfishoi numrin e turistëve

Rritja e numrit të turistëve kinezë në vendin tonë ka tërhequr edhe vëmendjen e televizionit më të madh në Kinë, CGTN, i cili përgatiti një reportazh për Shqipërinë.

Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi ka dhënë një intervistë për këtë televizion, nga ku ka theksuar se Shqipëria po punon për krijimin e një paketë të re me një ofertë të trashëgimisë kulturore dhe kulinarisë.

“Ne jemi duke punuar shumë fort që të krijojmë një paketë të re me një ofertë të trashëgimisë kulturore dhe kulinarisë dhe po promovojmë agroturizmin më shumë se çdo gjë tjetër në vendin tonë”- tha ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi në intervistën dhënë për televizionin CGTN.

Më tej, ai vuri në dukje se  “Shqipëria po përpiqet të përfitojë nëpërmjet trashëgimisë së saj kulturore dhe kuzhinës për të tërhequr turistë. Nën rrugët e Tiranës, në qendër të qytetit është një labirint i bunkerëve nëntokësorë që tani është e hapur për turistët”- thekson televizioni kinez.

Televizioni kinez rendit gjithashtu atraksionet më të mëdha turistike në vendin tonë. Vendi i parë më i vizituar nga turistët kineze është Bunk’art, muzeu i komunizmit në Shqipëri kjo për shkak edhe të lidhjeve historike.

Qeveria shqiptare vendosi heqjen e vizave turistët nga Kina për periudhën 1 prill deri në 31 tetor 2018. Heqja e vizave me Kinën për 8 muaj në vit nga qeveria shqiptare ka dhënë rezultatet e para. Numri i turistëve nga Kina drejt Shqipërisë është shumëfishuar krahasuar me një vit më parë. Falë heqjes së vizave, Kina u rendit me shpejtësi në 5 vendet me më shumë vizitorë në Shqipëri./atsh

https://www.facebook.com/Agjencia.Telegrafike.Shqiptare/videos/1380983935369241/?t=0

Televizioni më i madh në Kinë, reportazh për Shqipërinë: Heqja e vizave, shumëfishoi numrin e turistëve Read More »

Rritet fluksi në portin e Vlorës, mbërrijnë dy tragete me 1700 pasagjerë

Numri i pasagjerëve, emigrantë por edhe turistë të shumtë, që udhëtojnë drejt portit të Vlorës vijon të jetë i lartë gjatë ditëve të para të gushtit.

“Ditën e sotme janë përpunuar dy tragete dhe kanë hyrë rreth 1700 pasagjerë, 180 autovetura dhe 18 autobusa”, bënë të ditur porti i Vlorës.

Autoritetet kanë marrë të gjitha masat për të përballuar fluksin e emigrantëve dhe turistëve që hyjnë apo dalin përmes portit detar të Vlorës, duke hapur sportele shtesë.

Vetëm në muajin korrik kanë hyrë në portin detar të Vlorës 10 579 shtetas shqiptarë ndërsa kanë dalë 5727, shtetas të huaj kanë hyrë 40121 dhe kanë dalë 2158 .

Gjatë fundjavës në portin e Vlorës u përpunuan dy tragete me rreth 2200 pasagjerë./ATSH

Rritet fluksi në portin e Vlorës, mbërrijnë dy tragete me 1700 pasagjerë Read More »

Vlorë- Në rritje numri i turistëve nga Polonia, 3 herë më shumë se viti i kaluar

Rreth 150 mijë turistë nga Polonia, pritet të pushojnë gjatë këtij sezoni veror në bregdetin e Shqipërisë, kryesisht në Jug, një shifër kjo pothuajse 3 herë më e madhe krahasuar me atë të vitit të kaluar.

Kjo u deklarua nga Presidenti i Zyrës Supreme të Auditimit të Polonisë, Zoti  Krzysztof Kwiatowski, gjatë një ceremonie zyrtare të zhvilluar në mjediset e Pallatit të Kulturës në Vlorë, kur atij ju dorëzua Titulli “Qytetar Nderi i Vlorës”, akorduar nga këshilli bashkiak i këtij qyteti me propozim të Kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit, Bujar Leskaj, me motivacionin, “Për kontribut të shquar në mbështetjen e institucioneve të Bashkimit Evropian për Shqipërinë, veçanërisht në forcimin e bashkëpunimit ndërmjet Zyrës Supreme të Auditimit të Polonisë dhe Kontrollit të Lartë të Shtetit të Republikës së Shqipërisë”.

Në fjalën e tij, zoti Kwiatowski theksoi mes të tjerash se, ka një rritje të dukshme të interesimit të bashkatdhetarëve të tij për të pushuar në Shqipëri. Duke ju referuar të dhënave të agjencive turistike të Polonisë, ai tha se, treguesit kanë shënuar një rritje të dukshme gjatë viteve të fundit, çka reflektohet edhe në shifrat e këtij viti, kur në bregdetin shqiptar pritet të mbërrijnë rreth 150 mijë turistë polakë, krahasuar me rreth 60 mijë që ishte ky tregues një vit më parë.

Duke falenderuar këshillin bashkiak, kryebashkiakun Dritan Leli dhe gjithë qytetarët vlonjatë për titullin e lartë, kreu i Zyrës Supreme të Auditimit të Polonisë, garantoi se do të jetë një Ambasador i Vlorës për promovimin e imazhit të saj dhe të resurseve turistike të këtij qyteti në Poloni.

Fluksi i turistëve nga Polonia, ka shënuar një rritje të vazhdueshme në Vlorë dhe në gjithë bregdetin e Jugut, gjatë viteve të fundit, krahas atyre nga Çekia, Ukraina, Danimarka, Franca, Gjermania, Suedia, Norvegjia, Rusia, Italia, Maqedonia, Kroacia, Mali i Zi, apo shqiptarët e Kosovës.

Realiteti i këtyre ditëve në Vlorë dëshmon dukshëm këtë rritje të interesimit dhe të pranisë së turistëve nga vende të ndryshme, ndërkohë që, krahas kësaj, është rritur në mënyrë të pazakontë edhe ankorimi i jahtëve dhe mjeteve të tjera lundruese turistike në kalatat e portit të këtij qyteti.

Për qytetarët vlonjatë, shtimi i numrit të turistëve të huaj dhe jahteve turistike, janë dy nga ristitë e këtij sezoni turistik. /Harilla Koç/iatsh

Vlorë- Në rritje numri i turistëve nga Polonia, 3 herë më shumë se viti i kaluar Read More »