Festa e Birrës, eventi më i madh festiv veror, mbylli mbrëmë siparin në Korçë, ndërkohë që sipas të dhënave paraprake, këtë vit janë thyer rekorde sa i takon numrit të vizitorëve.
Bashkia e Korçës konfirmoi për ATSH-në se “numri i vizitorëve këtë vit ka tejkaluar pritshmëritë”.
Nga data 8-12 gusht, në 5 netë befasuese, 2 skena dhe me emrat më në zë të muzikës, Korça ofroi eventin më të madh të këtij sezoni veror.
Festa e Birrës, e kthyer tashmë në traditë, është një ngjarje mjaft e rëndësishme përsa i përket tërheqjes së vizitorëve, ndërsa nga viti në vit ka promovuar dhe përforcuar imazhin turistik të rajonit.
Kryesisht numri i madh i vizitorëve në festë i atribuohet mënyrës së organizimit të saj me një program muzikor të shkëlqyer me emrat më të njohura të muzikës shqiptare dhe jo vetëm.
Po ashtu gjatë 5 netëve të organizimit të Festës së Birrës u promovua edhe një gamë e gjerë birrash vendase dhe të huaja.
Festa e Birrës në Korçë u themelua në vitin 2007, si një iniciativë e bashkisë Korçë.
Festivali është nderuar me Çmimin e Turizmit nga Ministria e Kulturës në vitin 2010, për shkak të influencës që pati në rritjen e numrit të turistëve në rajon./atsh
Të rinj nga qyteti i Marsejës në Francë janë angazhuar prej disa ditësh në programin “Interlink Berat” i cili synon promovimin e trashëgimisë kulturore, ruajtjen e mjedisit dhe nxitjen e shkëmbimeve kulturore.
Me mbështetjen e bashkisë Berat dhe me ndihmën e vullnetarëve të Korpusit të Paqes Berat dhe Aleancës Franceze, dega Berat, të rinj beratas dhe nga qyteti i Marsejës në Francë janë angazhuar në këtë program.
Të rinjtë janë duke ndihmuar në përmirësimin e oborreve të kishave historike të Shën Mëri Vllahernës dhe Shën Todrit në Kalanë e Beratit dhe të disa shkollave në qytet.
Aktivitete të tjera përfshijnë ekspedita në natyrë si dhe programe shkëmbimi dhe ndërveprimi kulturor./atsh
Sociologu Gëzim Tushe ka folur për rastin “Ridvan Zykaj” dhe rolin e shtetit në masakrën me 8 viktima që tronditi të gjithë vendin. Duke folur në rubrikën “Opinion” në studion e lajmeve në News24, Tushe tha se më shumë se me rastin në fjalë, duhet të merremi me krimin si fenomen në shoqërinë tonë. Ai e vuri theksin tek roli i familjes dhe policisë së komunitetit dhe impaktin që kanë ata sidomos tek personat në dukje problematikë.
“Mund të ketë Ridvanë të tjerë që të kryejnë krime në shoqëri. Nuk ka një recetë për këtë shmangie, por duhen bërë ca analiza diferenciale. Kam frikë se është problem gjenetik. Ka raste të caktuara ku potencialisht në familje, pasi është një nga faktorët e shoqërisë që nuk funksionon, se nuk merren me fëmijët e tyre, e papritur thonë nga na doli vrasës ky fëmija ynë. Edhe policia e komunitetit duhet të jetë më vigjilente, t’i shohë individët që dallojnë. Por ka dhe shkaqe sociale. Rasti i Ridvanit, që mori 8 jetë njerëzish ka të bëjë me shoqërinë shqiptare që ka një lloj primitivizmi, që në vend të gjuhës, përdorin armët. Shikoni çfarë niveli mizerabël jemi ne, që për një fjalë goje, marrim armën e vrasim.
Krimineli është i paparashikueshëm, e ndonjëherë ndodh që është i befasishëm. Ndonjëherë brenda njeriut ndodhet kafsha. Kanë të bëjnë me instinktet, me mungesën e kontrollit. Kur ndodh një çarje e personalitetit, e brenda tij mbetet vetëm kafsha, ai atëherë bën hatanë. E kam ndjekur rastin e Ridvanit, e në rrjete sociale publiku ka një pritshmëri se çfarë bën shteti,” tha Tushe.
Sociologu gjithashtu tha se dënimi me vdekje nuk është zgjidhje pasi edhe në shumë vende të botës nuk janë marrë pritshmëritë e duhura.
“Po ndodhin krime të patolerushme, krim në familje, krim në rrugë, krim në shkollë, nuk ka një oaz paqeje në vendin tonë dhe ky është alarm social. Ndikon dhe varfëria por nuk mund të themi që është faktor vendimtar. Duhen parë faktorët që i japin impuls krimit në shoqërinë shqiptare. Dënimi me vdekje nuk është zgjidhje. Në botë edhe në ato vende ku ekziston dënimi me vdekje, nuk ka dhënë pritshmëritë e duhura,” u shpreh ai.
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka shtuar vëmendjen në marketet e zonave rurale duke bërë të mundur ndalimin e tregtimit të ushqimeve të skaduara dhe duke garantuar tek konsumatori sigurinë ushqimore.
Konkretisht, DRAKU Gjirokastër dhe Berat kanë zgjeruar më tej kontrollin e të gjitha supermarketeve dhe dyqaneve që tregtojnë produkte ushqimore të skaduara në zonat rurale të këtyre qarqeve.
Trupa inspektuese e AKU-së ka evidentuar në fshatin Memaliaj të Përmetit një subjekt me aktivitet “minimarket”, i cili u kap në flagrancë duke tregtuar produkte të skaduara si: birra, reçel, kos, salcë kosi etj.
Ndërsa në fshatin Duhanas të Beratit u konstatuan produktet: sallam, mish pule, salsiçe, etj., me afat skadence të përfunduar. Ndaj dy subjekteve është marrë masë administrative me gjobë.
Ndërkohë, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, në këtë periudhë të temperaturave të larta e shtimit të volumit të tregtisë në kuadër të sezonit turistik, është në çdo kohë në aksion për identifikimin, kontrollin, evidentimin, dënimin dhe ndalimin e çdo veprimtarie të kundërligjshme e të rrezikshme nga subjektet, që neglizhojnë apo shkelin rregullat e sigurisë ushqimore.
Për këtë arsye AKU është në vazhdimësi të aksionit, atë të kontrollit në furgona që furnizojnë lokalet dhe marketet në të gjithë vendin. Konkretisht, trupa inspektuese e DRAKU, Vlorë në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, ka ndaluar një furgon i cili shpërndante 100 kg midhje pa kushte frigoriferike dhe pa asnjë dokumentacion shoqërues.
Ndaj shtetasit Kristo Veizi u mor masë administrative gjobë, si dhe asgjësim i menjëhershëm i produktit.
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit njofton se këto kontrolle do të vazhdojnë të jenë intensive për të mos lejuar askënd të cenojë sigurinë dhe cilësinë e produkteve në vendin tonë.
Gjithashtu inkurajon të gjithë qytetarët të denoncojnë çdo rast therjeje apo tregtimi jashtë standardeve, apo çdo shkelje të dyshuar të standardeve të Sigurisë Ushqimore, për të parandaluar çdo tentativë abuzimi, pranë Autoritetit Kombëtar të Ushqimit në [email protected], si dhe pranë portalit të bashkëqeverisjes “Shqipëria që duam”. Siguria Ushqimore është një sfidë e përbashkët./atsh
Mbi 57.710 vizitorë vizitorë shqiptarë dhe të huaj kanë vizituar Muzeun Kombëtar “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” dhe Muzeun Etnografik Krujë gjatë periudhës janar-korrik 2018 ,gati 2.5 herë më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar.
Muzeu Kombëtar “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” dhe Muzeu Etnografik Krujë po vizitohet dhe në këto ditë të nxehta gushti nga një numër i lartë i turistëve të huaj.
Numrin më lartë të turistëve të huaj e përbëjnë italianët, të cilët vizitojnë vendin tonë të organizuar me agjenci turistike, individualisht, apo të shoqëruar nga miq shqiptarë që jetojnë në Itali.
Viti 2018 është shpallur si Viti Mbarëkombëtar i Gjergj Kastriot Skënderbeut, ndaj Muzeu Kombëtar “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” dhe ai Etnografik në Krujë janë përgatitur maksimalisht për t’iu përgjigjur sa më mirë numrit gjithnjë në rritje të vizitorëve.
Kruja ka një turizëm gjithëvjetor, pasi është e favorizuar nga vlerat që mbart, por edhe nga vendndodhja./atsh
Shqiptarët njihen si populli më pro amerikan në botë, por një sondazh i Gallup tregon të kundërtën sa i takon pëlqimit të presidentit amerikan, Donald Trump, pasi shqiptarë duket se kanë një tjetër lider të preferuar.
Gallup International ka realizuar anketën e vitit 2018 në lidhje me mendimet që kanë qytetarët e 55 shteteve për udhëheqësit botërorë. Të anketuarit janë pyetur nëse kanë mendim negativ apo pozitiv për presidentin amerikan Donald Trump, presidentin rus Vladimir Putin, presidentin turk Recep Erdogan, kancelaren gjermane Angela Merkel, si dhe liderë të tjerë.
Kosova dhe Shqipëria që të dyja kanë nxjerrë kancelaren gjermane Angela Merkel si lideren e preferuar. Në Kosovë 77% e qytetarëve kanë mendim pozitiv për Merkel, kurse në Shqipëri kjo shifër shkon në 82%.
57% te kosovarë kanë mendim pozitiv për Erdogan, kurse 47% e tyre e shohin pozitivisht presidentin amerikan Trump. 10 % të kosovarëve kanë mendim pozitiv për Putinin, kurse 59 për qind kanë mendim negativ për të.
Gjithmonë e më tepër nëpër mediat shqiptare, shfaqen kërpudhat e lluksit të të pasurve shqiptarë, konkurentë me më të pasurit e Europës, ndonëse vijnë nga vendi më i varfër i kontinentit.
Një pasuri dhe lluks ulëritës nga njera anë dhe një varfëri gulçonjëse nga ana tjetër, një përplasje e pafytyrë imazhesh të panevojshme, porse pasanikët shqiptarë kanë tashmë nevojë ta ulërasin pasurinë e tyre!
Duke ndjellë si pasojë ulërimën e varfërisë që është shpërthyese në të gjitha drejtimet e mundëshme, grabitje me armë, vjedhje “legjitime” shtëpish, makinash, diamantesh… sepse nevoja për ekuilibër, është një nevojë kozmike, e aq më tepër njerëzore e toksore.
Kapitalizmi primitiv shqiptar, prodhon “parvenu”me shumicë, ose si e shpegon fjalori francez që përdor këtë shprehje, parvenu-njerëz të pagdhendur dhe jofisnikë së brendshmi, që bërtasin me të madhe pasurinë e tyre, në telenovela kotësie dhe madje qesharake.
Por i njejti kapitalizëm primitiv shqiptar, prodhon përpjestueshmërisht turma varfanjakësh dhe skllevërish modern, që do të mbyllnin shpenzimet e muajit, vetëm me vlerën e make-up-it, të njerës prej buçeve të ngrehura e të zbukuruara si putana, në majëplehun e korrupsionit shqiptar.
Dhe kjo kontradiktë prodhon thelbin e agresivitetit të shoqërisë shqiptare, ku shqiptarët ndeshen çdo ditë e më shumë me padrejtësi acaruese dhe psikologjikisht të papërballueshme.
Në mungesën e shpresës, humbin arësyen, dhe dufin e nxjerrin verbërisht te dhuna, rrahjet, vrasjet e marrëzitë e tjera si këto.
Por kemi sot një KM, që nuk është tjetër veçse një kujdestar polic, që shërben si një kryeroje e kastës shqiptare, që vjedh taksat, shkel ligjet, blen gjykatat, blen ministra e liçenca, në këmbim të ortakërisë me ta.
I keni parë pikturat e këtyre viteve të KM-së?
Ngjajnë si xhuxha cirku, si majmunka kalamanjsh, krijesa të depersonalizuara e si xhinde, pa formë e pa kahje, që s’kanë asnjë raport me hapësirën, asnjë raport me dritën, që s’kanë as lart e as poshtë, as majtas e as djathtas, as flasin e as shohin, as dëgjohen e as mbahen mend, të copëzuara e n’thelb të trishtuara, t’lindura si dështime jetëshkurtëra, me vetëdijen e palumtur të autorit, që kërkon më kot shpëtimin pa shpëtim, te vesi i dikurshëm i pikturës…
Sepse nga xhuxhi e xhindi, duhet të nënshkruajë shkresa e turpe, që janë nënshtrime e marrëveshje t’ulta n’favor të kastës, dhe kurrënjëherë rrebelim dinjitoz dhe shtetbërës ndaj tyre.
Të asaj kaste që do ti kthejë e para krahët dhe që e përqesh sa mundet restoranteve, e bisedave “serioze”, si t’paaftë për të qeverisur, si një administrator, apo si një guzhinjer i përkohshëm i menysë së interesave të tyre.
Andaj dhe prodhon artistikisht xhingla, ca maska zbukuruese e karnavaleske, për festat e vdekatarëve të famshëm, të kastës së cilës i shërben me përkushtim, devotshmëri e përulje mjerane…
Ndërkohë që populli ende gënjehet nga vetulla e ngritur hark para kamerave, demek një vetull shtetformuese.
Por kasta ja zvesh iluzionin me orgjitë e bërtitura dhe shpërdoruese që ka gjith’e më shumë pasion.
Sa gjynah!
Mëngjesi ka çelur. Nga ana e gjolit vjen një aromë e mirë barishtesh të tretura në ujëra të ëmbla. Në Pogradec, të nisesh nga Tushemishti, ekzaktësisht nga hotel “Pogradeci 2”, një hotel që futur në kontekstin e vet gjeografik do ta kishin zili me qindra qytete europiane, për të vajtur deri te ngrehina “Kapri” në qendër të qytetit, është një shëtitje mrekullie. Një pasqyrë uji gjigante në anën tënde të djathtë, kurse majtas fusha me të mbjella; atje jeshilja duket sikur shpërthen. Thith ajrin e pastër, përthith me sy e lëkurë diellin që të bën bronz, por nuk të djeg aspak, kënaqesh me atë peizazh gjysmë liqenor, gjysmë rural. Kthen kokën djathtas, je në liqen, e kthen majtas, je në një fushë plot gjelbërim. Gjithçka të duket si një parajsë e paqtë, e qartë, plot ndriçim, që nuk do kurrsesi ta braktisësh. Në mënyrë kokëforte dëshiron ta zmbrapsësh një mendim që të vjen nga poshtë e nga thellë vetes dhe të thotë cinikisht në vesh: “Sa të mjerë janë ata që nuk kanë arritur ta shijojnë një mëngjes si ky, krejt pogradecar, kur e gjithë sipërfaqja e liqenit kthehet në ar e flori!”.
Ik, mendim egoist!
Ka pak njerëz, megjithatë, që shëtisin mëngjeseve në pjesën nga restoranti gërmadhë “Dashnorja e fundit” deri te lulishtja “1 Maji”. Rruga buzë liqenit pothuajse është bosh. Disa gra ecin duke bërë muhabet vëndshe me njëra-tjetrën. Diçka tregojnë për vjehrrat e tyre. Burrat, më të vetmuar, ecin si me hap ushtarak. Heq bluzën dhe e lë diellin të më përfshijë trupin. Ndonjë veturë e rrallë kalon në drejtimin Pogradec– Tushemisht sepse në anën tjetër është ndalimkalimi. Dy grupe të rinjsh, ndarë në dy vetura, bëjnë garë me njeri-tjetrin krejt sikur të ishin të çmendur. Hidhem në hendek për t’u mbrojtur. Eh, rini, thuaj!
Përpara meje, burrat që shëtisin me hap të vendosur dhe me ritëm herë pas here zhduken sikur i përpijnë gropat e xhadesë plot me bëlldunga. Pas një copë here që ecja fjetur me sy hapur, konstatova që nuk po i shihja dot më kurrizet që pak më parë i kisha pasur disa hapa përpara meje. Vendos të jem i vëmendshëm këtej e tutje për ta zgjidhur enigmën.
Kush i përpin këta njerëz? Ndjek kurrizin e një mesoburri dhe nuk ia ndaj sytë asnjë çast prej tij. Fillimgushti është, por ai ka veshur një xhaketë, ndonëse gjithë rrudha. Pas nja pesëqind metrash ndalet dhe nis të hyjë në arën e mbjellë majtas nesh. Ecën si somnambul në atë orë mëngjesi, çan përpara gjithë nxitim në mes domatesh. Fillimisht pyes veten: Ku shkon ky? Pastaj diçka kuptoj. Pres veprimin e tij, që do të vërtetonte hamendjen time. Ai çon dorën në “dyqanin” e pantallonave dhe zbërthen me të shpejtë kopsat e tij. Njërën këmbë nuk e di se përse e tund si me padurim. Pastaj, një ujëvarë lëngu del nga trupi i tij, aty sipër mes-shalëve dhe e shoh që pasi shkëlqen disa çaste në diell lëshohet drejt tokës! Me shëndet!
Nuk ka wc në këtë rrugë plazhi! Në të vërtetë është një rrugë që le shumë për të dëshiruar. Ibret! Mund të jetë një nga segmentet rrugore më panoramiket në Shqipëri. Jam i bindur se mund të krahasohet me ato më me famë në Europë. Kurse, po qe se investohet atje, me siguri do të ishte një mrekulli turistike. Por, këtu, bukuroshen, rrugën, e trajtojnë sikurse bënte me Hirushen, njerka e saj. Nuk ka mënyrë më të mirë për t’i përzënë turistët nga një zonë sesa braktisja e mjedisit, sidomos turistët më histerikë, që jo rastësisht janë edhe ata që kanë më shumë parà për të harxhuar.
Anash rrugës kanë mbetur të gremisur pjerrtas bunkerë ushtarakë të kohës të Luftës së Ftohtë. Pritej sulm nga Maqedonia. Ndofta, pse jo? Nuk di ta them. Por, këta bunkerë këtu tanimë nuk kanë më asnjë funksion sepse kanë dalë jashtë përdorimit. Vetëm të kallin datën dhe të sjellin neveri e panik përballë këtij liqeni, që me valët e veta të qeta përshëndet gjithkënd me miqësi si valëvitje duarsh plot me shamiçka të argjendta, dallgët.
Anash rrugës, hendeqet me barishte të rralluara si qime qensh me zgjebe! Vende-vende të rrjepura. Buzët e rrugës të bëra si gëzhdalla të ngrëna nga ujq që presin të kafshojnë natën qengjat e braktisur nga bariu dhe qeni i vet. Kur ecën me këmbë, nuk i ndien shumë gropat e rrugës. Por, udhëtimi me veturë është tepër i vështirë atje. Vetura valëzon sikurse të ishte një motobarkë në një liqen të zemëruar në dimër. Dallgëzon rruga. Veturat përballë teje më tutje rrezikojnë të përplasen me tënden sepse duke evituar gropat, kalojnë në anën e kundërt sikur duan të grinden me ty. Natën, gjendja është fare katastrofike.
Hirushja ima, rruga buzë liqenit, si të kanë lënë ashtu që nga Tushemishti deri te lulishte “1 Maji”?! Ti që je si një vajzë jetime mes motrash prej gjasme, të përdala, që kërkojnë burrë me pagesë e që i quajnë autostrada? Ti, miqësorja, e buta, e mira, e arta! E kanë lënë anash me plehra, shishe plastike, qese, mbeturina ushqimesh. Si është e mundur që nuk sheh askënd të pastrojë e të mirëmbajë këtë pjesë të qytetit? Pa dyshim, një nga rrugët më panoramike të kontinentit. Nuk e lë njerka ta shohë princi i kaltër! Kërkoj në media ndonjë reklamë turistike për Pogradecin. Asnjë për be, ndërkohë që ka televizione që janë non stop duke transmetuar lloj-lloj vanitetesh nga jugu i vendit, një tjetër perlë turistike jona, por jo më e vlefshme sesa Pogradeci, Hirushja e përbuzur.
Shoh ministrin e Turizmit, që, me pantallona të shkurtra, jep intervistë në një televizion kombëtar nga një fshat turistik andej nga jugu, Jala, a Vunoi, a ku e di unë se çfarë zgëqi tjetër. “Zoti ministër, je duke bërë reklamë të padrejtë, favorizuese për disa operatorë dhe denigruese për të tjerët! Po të kishte një institucion si duhet për monitorimin e mediave, do të kishit marrë një gjobë për reklamë të fshehur! Nuk ka nevojë të jesh specialist i komunikimit masiv për ta kuptuar atë. Ju jeni, sipas meje, një njeri i mirë, pranojeni gabimin dhe mos e përsërisni më se do t’ju hedhin në gjyq për favorizim! Aq më shumë me pantallona të shkurtra.
Pantallonat tuaja bërtasin: ‘Unë, ministri, i kaloj në Jug pushimet!’ Po, po, edhe pantallonat tuaja flasin më sinqerisht sesa ju!” Qen të shtrirë e të pisët në rrugët e Pogradecit. Ndriçon me shkëlqimin e vet vetëm një rrugë, nga lulishte “1 Maji” e deri te hotel “Turizmi i vjetër”, aty te kryqëzimi ku duhet të jesh shumë i sjellshëm në atë kaos veturash që krijohet për të mos u fërkuar me vetura të tjera. Rrumpallë qarkullimi i veturave në qytet. Më me rregull lëvizin larvat e peshqve në bregun e cekët të liqenit. A mund të mbahet një qytet turistik me një segment të vetëm rrugor jo më shumë se 500 metra?
Është e vërtetë se po shkon drejt përfundimit rruga paralele që fillon në hyrje të qytetit dhe ngrihet një kuotë më lart sesa rruga hyrëse ekzistuese. Shumë e mirë duket. E çliron disi qarkullimin e veturave në atë segmentin qendrorm që është jo më shumë se 500 metra buzë gjolit. Te sheshi ku mbaron rruga “Rinia”, e cila ngrihet perpendikularisht nga liqeni drejt kodrave jugore të qytetit, po përfundon riparimi i një rruge. Më parë, ajo rrugë ishte si në një qytet të bombarduar nga marsianët në filmat aksion. E bëja dikur zhgrap-zhgrap me veturë për të shkuar te fizioterapistja, besoj nga më të aftat që kam njohur në Europë, Nexhi, që qyteti nuk diti ta mbante!
Iku në Amerikë. Po lëre, hesap tjetër ky! Nuk e di qyteti se çfarë ka humbur me ikjen në emigrim të Nexhit dhe të familjes të saj. Ne edhe qengjat i eksportojmë dhe marrim si shkëmbim lopë të plakura që duhet t’i ziesh mirë e mirë përpara se t’i pjekësh! E mira na ikën, e keqja na vjen! Rrugët e tjera, veç asaj në qendër, buzë gjolit, 500 metra e shumta, janë për ibret.
Dhera, gurë, xhade të rrënuara nga koha. Të ardhurit nga Tirana preferojnë të blejnë apartamente të bukura me fytyrë nga liqeni. Dhe bëjnë shumë mirë. Në një apartament në ato ndërtesa të bukura e solide të brezit të parë të rrugës ke qejf të banosh. Nga dritaret dhe ballkonet, syri ikën larg e zhytet në liqen, tutje andej nga Struga e më tej nga Ohri. Një ekran i vërtetë pamjesh ku malet i shërbejnë si kurorë liqenit. Qytet mbret! Të ardhurit që banojnë gjatë verës sikur i kanë kthyer kurrizin pjesës tjetër të qytetit. Duket se mjaftohen me lulishtet e gjera që kanë përpara syve, liqenin, kafenetë e shumta buzë trotuareve dhe kaq.
Nuk e dinë se çfarë humbasin kur dihet si është gjendja e qytetit pas kurrizit të tyre. Fasada pallatesh të shëmtuara dhe të dala boje, njësi tregtimi që nuk mund t’i shohësh veçse në qytete orientale periferike të dorës të fundit. E gjithë bukuria mahnitëse e natyrës fshihet sapo kthehesh me fytyrë nga qyteti. Tërësisht i braktisur. Ku ka turist të huaj që vjen në këto kushte?
Kur përballë ka Strugën, Ohrin, Shën Naumin! I njëjti liqen, përse duhet të vijë turisti në një qytet që të jep fajësi e brejtje ndërgjegjeje? Ti pushon sikur të kishe qenë Josip Brozi dhe pas kurrizit tënd, një popullsi e tërë jeton në kushte urbane nënnjerëzore! Më kujtohet një studim i Engelsit, “Gjendja e klasës punëtore në Angli”, kur autori i ri, thuajse as te 25 vjetët, ende nuk ishte ideologjizuar. Bir fabrikanti, atje ai shpjegon imtësisht sesi urbanizimi dhe higjienizimi i qyteteve u interesonte më shumë të pasurve dhe të fuqishmëve sesa popullsive të varfra.
Të pasurit dëshironin higjienizimin dhe zbukurimin e qyteteve sepse pasojat e varfërisë, papastërtive, i paguanin ata njësoj ose edhe më tepër sesa të varfrit. Edhe në rrugën e privilegjuar të qytetit, ato 500 metrat e shkreta ku është investuar gjithçka, dikush ka shpikur depo grumbullimi plehrash që është nëntokësore, poshtë trotuarit ku shëtisin pushuesit. Një aromë e ndyrë plehrash të kalbëzuara vjen që andej. Uron të kesh një kundërgaz për të shëtitur. Vërtet, përse nuk shpërndan bashkia kundërgaze së paku! Mund të përdoren edhe për zhytje në liqen.
Dikur, pogradecarët lëshonin për dy muaj vere me qira dhoma dhe banesa të tyre. Por, sot kjo duket si e pamundur me gjendjen e qytetit pas rrugës kryesore buzë liqenit. Kush pranon të shkojë në qytetin e mrekullive natyrore dhe njerëzore dhe të banojë në apartamente që ndodhen në banesa pallatesh, që nga pamja dhe cilësia i gjen vetëm në periferitë e varfra të qyteteve të Amerikës Latine, ca si biçim favellash, dhe të shijojë bukuritë natyrore të qytetit në këto kushte?! Imagjinoni një çast, nëse banorët do të hapnin dyert e banesave të tyre për t’i marrë ato masivisht me qira turistët? Sa të ardhura do të gjeneroheshin! Shërbim urban publik me autobusë nuk të zë syri. As stacione autobusësh urbanë.
Nga hyrja e qytetit deri te dogana në lindje të tij nuk qarkullojnë veçse disa mikrobusë privatë që drejtohen nga shoferë të mirësjellë, ata ndalojnë në mes të rrugës kur ua bën me dorë për të qëndruar çdo kalimtar! Të ardhurit thonë se qyteti është prishur ngaqë pogradecarët e vjetër kanë ikur në Amerikë. Janë bërë amerikanë, duke marrë nënshtetësinë e gjyshërve të tyre të emigruar atje një shekull më parë. Kanë qenë punëtorë pogradecarët! Edhe janë. Më kujtohen në vitet ’60, kishin kulturë perëndimore në jetën e tyre të përditshme. Tani thuhet nën zë se kanë ikur pogradecarët dhe kanë zbritur mokrarët! Dakord, si kudo!
Qendrat urbane janë populluar me flukse demografie rurale dhe kjo ka sjellë sigurisht edhe një lloj ruralizmi të qyteteve tona. E pastaj! Pse nuk ndodhi kështu në pasluftën e dytë botërore? Mos u ankoni ju që shumica po t’ju gërvishtin pak, jo fort por nja tre breza, do të dilni me rrënjë fshatare të ngulur thellë në këto troje. Qyteti e edukon atë që vjen atje. Ky ka qenë historikisht roli i qyteteve në histori. Është e vërtetë se shumica e kësaj popullsie nuk njeh me rrënjë zanate urbane.
Dikur, dikush ka qenë minator, dikush bari, dikush bujk, dikush druvar. Aktualisht jetojmë në një epokë transformimesh të shpejta në botën e zanateve. Të kapesh pas zanateve të vjetra, nuk vlen edhe aq. Këto popullsi të ardhura rishtazi në qytete duhen ndihmuar për t’u integruar sa më shpejt, sepse janë popullsi shumë punëtore, me vullnet të hekurt, me tradita, me vlera morale. “Çfarë bëjnë kaq shumë burra nëpër kafene?”, – më pyet një grua e huaj. Përgjigjem si mundem. Mund të bëhen peshkatarë! Po ku ka më në qytet peshkatarë? Mund të bëhen zdrukthëtarë! Po ku ka vajtur industria e famshme e prodhimit të objekteve dhe e mobileve të drurit e Pogradecit?
Si është e mundur që një numër tepër i rritur familjesh, të cilat duhet të përfitojnë ndihmë ekonomike, e marrin paranë e pakët pa punuar, ndërkohë qyteti që ka nevojë për t’u pastruar, ndërkohë qëndron i papastër? Unë nuk di se çfarë projektesh ka për të kryer transformimin profesional të popullsive rurale që kanë ardhur në qytet. Në qytetin e tyre, ku më parë nuk lejoheshin të vinin për të jetuar e punuar, dhe ku sundonte një formë getoizimi. Por, kjo gjendje është një krizë që duhet zgjidhur.
Qyteti ka nevojë për punë që prodhon të ardhura dhe nga ana tjetër popullsi që nuk integrohet në tregun e punës. Pogradecarët e mirë duhet ta zgjidhin këtë kontradiktë nëse dëshirojnë ta lulëzojnë qytetin e tyre, këtë margaritar ndër vatrat e kulturës urbane shqiptare, këtë pikë rivaliteti turistik mes nesh dhe maqedonasve, grekëve, bullgarëve, këtë zonë turistike që mund të krahasohet vetëm me perlat e turizmit shqiptar. Dikur, Pogradeci nuk ka qenë thjesht qytet. Por ka qenë kulturë civilizimi urban. Duket se ai u zbukurua sepse atje vinte për pushime kreu i diktaturës. Në fakt, qyteti pastrohej kur vinte ai. Pemët afër vilave qeveritare, lotuset, mbaheshin mirë, bëhej kujdes për lulet, por qyteti e pagoi shumëfish dashurinë e shtënë në të. Qytetërimi pogradecar pësoi një goditje të rëndë në infrastrukturën e tij, në habitatin e tij. Si?