Aktualitet

Bardhi ngatërron karrigen, kërkon fjalën nga vendi i Bashës, batuta e Nikollës ‘shkrin’ së qeshuri deputetët e Kuvendit

Sot në Kuvend, ndërsa po diskutohej ligji për rritjen e pagave për anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, Gazment Bardhi kërkoi fjalën, jo nga foltorja por nga vendi, por ishte i ulur në karrigen e Lulzim Bashës.

Ishte kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla e cila i tërhoqi vëmendjen që të ulej në vendin e tij, pasi aty dilte emri i zotit Basha.

Kaq ka mjaftuar dhe deputetët e tjerë në sallën e Parlamentit të shpërthenin në të qeshura. Sigurisht edhe Gazment Bardhi këtë situata e mori me sportivitet, duke thënë se pas kaq shumë orësh debate duhet edhe pak humor.

Nikolla: Zoti Bardhi vetëm shko në vendin tënd se del emri i zotit Basha aty”.
(deputetët qeshin)

Bardhi: Pas shumë orësh seancë sigurisht që ka nevojë edhe për humor, faleminderit zonja kryetar që i bëtë kolegët të qeshin.

Bardhi ngatërron karrigen, kërkon fjalën nga vendi i Bashës, batuta e Nikollës ‘shkrin’ së qeshuri deputetët e Kuvendit Read More »

‘Shqipëria Bëhet’, Adriatik Lapaj prezanton lëvizjen politike: Mund të isha ulur në kolltukë si të tjerët, por besoj se meritojmë një të ardhme tjetër

Aktivisti Adriatik Lapaj ka prezantuar ditën e sotme lëvizjen e tij politike të lajmëruar prej kohësh, e cila zyrtarisht mësohet se quhet “Shqipëria Bëhet”.

Lapaj është shprehur se nisja e këtij rrugëtimi ishte vendimi më i vështirë që ka marrë ndonjëherë.
Ai shtoi se në vend duhet të hapet gara politike dhe të miratohet ligji për referendumet duke sjellë demokracinë e drejtpërdrejtë.

“Nuk do ju tregoj si është Shqipëria dhe si arritëm në këtë gjendje. Sot do ju flas si mund ta ndryshojmë dhe ta bëjmë një vend normal Shqipërinë. Unë besoj te cilësia e individit, por që ky i fundit të performojë duhet të garantohet shpërfaqja e tij në shoqëri.

Për të siguruar rregullat na duhet shoqëria. Na duhet të shkëpusim shoqërinë nga koncepti i mikut, partisë, etj. Të drejtën e studimit duhet ta japë ligji, vendin e punës duhet të fitosh në bazë të ligjit. Kujdesin shëndetësor duhet ta kesh në bazë të ligjit. Rimbursimet duhet të sigurohen nga ligji.

Duhet të shembim sistemin e kapjes së ekonomisë së shtetit nga pak duar. Kujtoj këtu ligjin për koncesionet, ligjin për PPP. Duhet të rishpërndajmë pasurinë e vendit përmes një kuadri të ri ligjor. Për të arritur këtu, duhet të shkojmë aty ku ka burimin problemi.

Duhet të hapim garën politike. Nëse s’ka garë politike, s’mund të ketë asnjë garë tjetër në vend. Populli sot është dekor i një republike që komandohet nga kolltukët e Tiranës. Duhet të miratojmë ligjin për referendumet dhe të sjellim demokracinë e drejtpërdrejtë. Nuk ka rrugë tjetër përveç bashkimit.

Askush nga ne nuk ka fuqi të mbinatyrshme. Qytetarët shqiptarë, nëse bashkohemi ne mund t’ia dalim. Askush të mos presë të dërguarin e Zotit të shpëtojë jetët tona. Duhet organizim për qëllimin tonë.

Ky është vendimi më i vështirë që më është dashur të marr ndonjëherë. Mund të isha ulur në kolltukë si ata të tjerët, por besoj se meritojmë një të ardhme tjetër. Deri sot pesha e përgjegjësisë ishte mbi mua, por nga sot ne jemi ne”, u shpreh ai.

‘Shqipëria Bëhet’, Adriatik Lapaj prezanton lëvizjen politike: Mund të isha ulur në kolltukë si të tjerët, por besoj se meritojmë një të ardhme tjetër Read More »

Nga sot Ministria e Brendshme nuk do të ketë më tendera, qeveria miraton vendimin

Qeveria shqiptare ka miratuar vendimin që heq Agjencinë Shtetërore të Blerjeve të përqendruara nga Ministria e Brendshme. Pra blerjet nuk do të kryhen më nga kjo agjenci që varej nga Ministria e Brendshme, por është krijuar një shoqëri aksionare “Operatori i Blerjeve të përqendruara”, me kapital 100% shtetëror.

Sipas këtij vendimi, nga sot Ministria e Brendshme nuk do të bëjë më tendera.
Në VKM-në e siguruar nga “BalkanWeb” thuhet se Këshilli i Ministrave ka vendosur krijimin e shoqërisë aksionare shtetërore “Operatori i Blerjeve të Përqendruara”, SH. A. për kryerjen e procedurave të veçanta të prokurimit publik, në emër dhe për llogari të Kryeministrisë, ministrive dhe institucioneve të varësisë.

Bëhet fjalë për një propozim të ministrit të Brendshëm dhe ministrit të Financave dhe Ekonomikë, për krijimin e kësaj shoqërie aksionare, me kapital 100% shtetërore, me emërtimin Operatori i Blerjeve të Përqendruara (OPB) për ofrimin e shërbimeve të prokurimeve për autoritetet/ entet kontraktore, në përputhje me kërkesat e legjislacionit përkatës në fuqi.

Sipas këtij vendimi, autoriteti publik që përfaqëson shtetin si pronar të 100% të aksioneve të shoqërisë aksionare, është ministria përgjegjëse për ekonominë.

VKM përcakton se kapitali fillestar i regjistruar për krijimin e shoqërisë aksionare të jetë 20.000.000 lekë dhe përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit. Ministria përgjegjëse për ekonominë transferon këtë shumë pranë kësaj shoqërie menjëherë pas regjistrimit të saj në Qendrën Kombëtare të Biznesit.

Nga sot Ministria e Brendshme nuk do të ketë më tendera, qeveria miraton vendimin Read More »

Rama: ‘Korrigjimi i së tashmes, arsyeja e ekzistencës sonë politike’

Kryeministri Edi Rama në fjalën e tij në Asamblenë e PS u shpreh se vendi tashmë ka hyrë në fazë të re, por ka ende shumë punë për të bërë.

Rama nuk la pa përmendur edhe punën e institucioneve të drejtësisë për të cilën u shpreh se impakti i organeve të reja të drejtësisë ka qenë i pazakonshëm, ndërsa paralajmëroi se sfidat mbeten edhe të mëdha.

“Shqipëria ka hyrë në një fazë të re, është në një nivel të ri. Ka plot arsye që e pohojnë këtë. Por dy janë pohimet më të mëdha, e para sezoni i turistik dhe e dyta impakti i pazakonshëm i organeve të reja të drejtësisë. Ky është vetëm një fillim i ri nga një nivel i ri dhe nuk është maja ku duam të arrijmë në fund të kësaj. Shqipëria 2030 është ende përpjetë dhe sfidat janë ende më të mëdha. Sa më shumë bëjmë progres aq më shumë rritet nevoja për fuqizim politik”, tha Rama.

Pjesë nga fjala e Ramës:

Rama: Kur ua do puna lënë pa gojë të huajt, përqeshës gjuhëjashtë për vendin e tyre. Miliona turistë vijnë të buzëqeshur në këtë vend të vogël, ku në kaq pak territor gjejnë bukuri të mahnitshme. Gjejnë edhe siguri që nuk ka asnjë lidhje me legjendat. Disa miq anglez më çuan hartën e vjedhjeve të banesave në Europë, Shqipëria në vendin më të ulët, e Britania me shifrën më të lartë. Nuk ke çfarë vjedh në shtëpitë e shqiptarë, ku nuk ke as bukë për të ngrenë u kishin thënë. Ndërsa një tjetër u kishte thënë se kanë shkuar shqiptarët atje. Mos e vet hiç, siç thonë në Kosovë. Por edhe vrasjet kanë shënuar numrin më të ulët. Por mendje mëndje është kjo dynja, por për ne vazhdon përpjekja për ta future Shqipërinë në hartë e sigurisë. Miliona të huaj po vizitojnë çdo vit e më shumë këtë vend. Edhe ata që na duan të vdekur mua bashke më këtë forcë udhëheqëse për Shqipërinë Europiane. Edhe ata kompetentë të huaj që duan ti shohin shqiptarët si fajtorë për probleme të vendit të tyre, janë një shtysë për të ecur vetëm përpara. Por ama me këmbët në tokë. Me sytë hapur për të hedhur hapat e duhur duke parë nga e ardhmja për të kuptuar realitetin e të tashmes. Ky realitet është më mirë se ai I djeshmes, por më problematik se ai i të ardhmes, ndaj detyra jonë është të kuptojnë se korrigjimi i të tashmes është arsyeja e ekzistencës tonë politike.

Rama: ‘Korrigjimi i së tashmes, arsyeja e ekzistencës sonë politike’ Read More »

Rama: ‘Deri dje turizmi në Shqipëri ishte bukë, sufllaqe, shalqi me djathë dhe artoporlantë si në dasëm’

Teksa bëri bilancin e tij për turizmin e Shqipërisë, kryeministri Edi Rama tha në mbledhjen e Asamblesë së PS-së se qeveria duhet të angazhohet maksimalisht për të forcuar më tej imazhin e ri të vendit.

“Për të vazhduar ngjitjen nga një pikënisje e re dhe duke parë në sy të gjithë të metat dhe problemet që kërkojnë adresim, detyra jonë është ta forcojmë më tej imazhin e ri të vendit dhe ta kthejmë në kapital ekonomike e social. Rreziku i humbje së ekuilibrit mes të ardhurave masive që turizmi sjell dhe shpenzimet, është një kërcënim real me të cilin duhet të merremi që sot.

Kujdes sepse do të ishte fatale të mos e mbanim parasysh se ky lloj turizmi nuk do të jetë kurrsesi i vetmi burim i të ardhurave të Shqipërisë turistike, por duhet të jetë një sirenë alarmi për të krijuar një burim tjetër, ende të munguar që sjell të ardhura që është turizmi i konsumit të lartë që sjell shumëfishin e të ardhurave dhe zë më pak vend fizikisht. Portet turistike janë themelore për krijimin e tij, infrastruktura e re aeroportuale gjithashtu, këto po ecin edhe pse jo me ritmet më të larta, edhe për arsye subjektive.

Ndërkohë që kjo infrastrukturë e re po ndërtohet dhe zinxhiri i ri i hoteleve me 5 yje po zgjatet hap pas hapi, duhen ndërtuar edhe resortet, duhet fokusuar jo vetëm në bregdet, por edhe në hapjen e shtegut të turizmit malor, ku Shqipëria ka një tjetër potencial të pashfrytëzuar, kjo është rruga e re që duhet të çajmë tani me angazhim të madh, të kemi garantuar në fund të kësaj dekade një hyrje shumë më të madhe parash në ekonominë shqiptare, por edhe zhvillimin e qëndrueshëm të ekonomisë. Në këtë dekadë vendoset lartësia e profilit të Shqipërisë në çdo drejtim.

Shqipëria duhet të bëhet se s’bën, për bukuritë që i ka falur Zoti dhe për ato që ka trashëguar, ne duhet të synojmë majat e industrisë botërore, investimet qindra milionëshe, ja pse ne duhet të forcojmë në radhë të parë vetëdijen tonë qeverisëse. Ne s’duhet t’i harrojmë asnjë çast ata që do ta trashëgojnë nesër këtë vend, duhet të jemi vendi i ekselencës në mirëpritjen e investitorëve, duhet të rrisim menjëherë kërkesën e cilësisë ndaj investitorëve vendas. Kjo është një pikë kthese e re, ku prej tyre duhet të kërkojmë maksimumin evropian”, deklaroi Kryeministri.

Rama theksoi se arsyeja pse u ndal gjatë tek turizmi, përpos domosdoshmërisë, ka të bëjë me atë që ai e cilëson “momentum” i Shqipërisë në këtë sektor.

“Në një vend ku turizmi ishte bukë, sufllaqe, shalqi me djathë dhe artoporlantë si në dasëm, tani ka ndryshuar është kthyer në brand ndërkombëtar të turizmit. Shqipëria e 2030-kampione e rajonit në turizëm, që tërheq jo vetëm turizmin italian, por edhe atë të shtresës më të lartë, që vjen këtu për të shpenzuar këtu njësoj si në Maldive, do fusim shumë më shumë të ardhura në ekonominë prodhuese, me paga të larta për njerëzit tanë.

Edhe kapitulli i ndërtimit të fshatrave turistikë, duhet të shpallet shkresërisht i mbyllur! Ky vend është i vogël, prandaj golemizimi i dikurshëm si model zhvillimi duhet të konsiderohen histori. Ky vend duhet të nxjerrë më shumë nga turizmi me ndërtimet e reja, me kritere dhe kërkesa të reja. Vendi ynë do duhet të rezistojë në fashën e parë të destinacioneve me nam të Mesdheut ose përndryshe do kthehet te fasha e dytë.

Në fakt as kjo e imja nuk është një fjalë për turizmin, të cilin duhet t’i kushtojmë një vëmendje të posaçme. Arsyeja pse u zgjata për turizmin ka të bëjë nga njëra anë me faktin se ky momentum është një pohim i madh që askush nuk e mohon dot, Shqipëria është ngritur në një nivel të ri dhe ka të bëjë me domosdoshmërinë strategjike që arritjet e sotshme duhet të jenë stimul i madh për ne nesër”, shtoi ai.

Rama: ‘Deri dje turizmi në Shqipëri ishte bukë, sufllaqe, shalqi me djathë dhe artoporlantë si në dasëm’ Read More »

Emrat/ Rama zyrtarizon ministrat e rinj

Në Asamblenë e Partisë Socialiste, kryetari i PS e kryeministri Edi Rama zyrtarizoi ndryshimet në kabinetin qeveritar. “Kokat” që u prenë ishin Frida Krifca, Olta Xhaçka, Milva Ekonomi dhe Evis Kushi.

Ndërkohë Ogerta Manastirliu merr drejtimin e Ministrisë së Arsimit. Te Shëndetësia shkon Albana Kociu, e cila deri më tani ka drejtuar Departamentin e Administratës Publike.

Në vend të Frida Krifcës shkon Anila Denaj. Delina Ibrahimaj nga Financat “zbret” poshtë në një ministri pa portofol në vend të Edona Bilalit te Mbrojtja e Sipërmarrjes.

Milva Ekonomi shkon te Sekretariati për Programin në PS, ndërsa ministria e saj shkrihet dhe emërohet Ministër për Pushtetin Vendor, Arbian Mazniku.

Anila Denaj – Ministër i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural

Igli Hasani- Ministër i Punëve të Jashtme dhe Evropës

Ervin Mete- Ministër i Financave

Ogerta Manastirliu- Minister i Arsimit dhe Sportit

Delina Ibrahimaj- Ministër për Sipërmarrjen

Arbian Mazniku- Minister i Pushtetit Vendor

Albana Kociu- Ministër i Shëndetësisë

Emrat/ Rama zyrtarizon ministrat e rinj Read More »

Rama paralajmëron ndryshime në qeveri: Prisni edhe pak ditë!

Kryeministri Edi Rama, në konferencën e zhvilluar me gazetarët ndërsa mohoi mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme, nuk mbajti të njëtin qëndrim për mundësinë e ndryshimeve në kabinetin qeveritar.

Sa i përket ndryshimeve në qeveri, kryeministri duke lënë të hapur si mundësi shtoi se duhet edhe pak ditë për të zbuluar me detaje nëse do të ketë apo jo një gjë të tillë.

Pyetje: A do të ketë ndryshime në qeveri?

Edi Rama: Prisni edhe pak ditë!

Rama paralajmëron ndryshime në qeveri: Prisni edhe pak ditë! Read More »

Fredi Beleri ka tre kërkesa për Mitsotakis

Kryetari i zgjedhur i Bashkisë Himarë Fredi Beleri ka zbardhur takimin me deputetin grek Angelos Syrigos pas hekurave, të cilit i ka parashtruar dhe tre kërkesa për t’ia transmetuar kryeministrit të Greqisë Kyriakos Mitsotakis.

Beleri deklaron në një postim në “Facebook” se kërkon të marrë menjëherë detyrën si Kryetar i Bashkisë për të ndaluar grabitjen e pronave të komunitetit grek.
Sipas tij, u përgatit “një ligj që supozohet se kishte për qëllim zhvillimin e zonës duke tërhequr kapitale të huaja, por se deri më sot as edhe një i huaj nuk ka investuar në zonën tonë dhe të gjithë ata që janë shpallur investitorë strategjikë janë që të gjithë shqiptarë me lidhje me pushtetin.

Ai thekson më tej se “qëllimi ynë është, gjithashtu, të jetojmë në një shtet demokratik ku nuk ka dallime për përkatësinë etnike të shtetasve të vet dhe të ndalojnë politikat e shantazhimit të popullsisë”.

POSTIMI I PLOTË
Falënderoj nga zemra profesorin, deputetin e Demokracisë së Re dhe mikun tim të ngushtë, z. Angelos Syrigos, i cili më vizitoi në burgun e Tiranës, i dërguar i Kryeministrit Grek, z. Kyriakos Mitsotakis.

Nga z. Angelos Syrigos kërkova që t’i transmetojë Kryeministrit të Greqisë vendimin tim, i cili është kërkesë e të gjithë popullit të Himarës, për të marrë menjëherë detyrën si Kryetar i Bashkisë për të ndaluar grabitjen e pronave të komunitetit grek.

Përgatitën një ligj që supozohet se kishte për qëllim zhvillimin e zonës duke tërhequr kapitale të huaja. Deri më sot as edhe një i huaj nuk ka investuar në zonën tonë. Të gjithë ata që janë shpallur investitorë strategjikë janë që të gjithë shqiptarë me lidhje me pushtetin.

Qëllimi ynë është, gjithashtu, të jetojmë në një shtet demokratik ku nuk ka dallime për përkatësinë etnike të shtetasve të vet dhe të ndalojnë politikat e shantazhimit të popullsisë.

Z. Syrigos i thashë se pres tre gjëra:
– të betohem menjëherë si kryetar i bashkisë, populli i së cilës më zgjodhi.
– të lirohem nga burgu, në mënyrë që të mundem të ushtroj detyrën time si kryetar bashkie.
– të rrëzohet akuza e padrejtë, qesharake, tendencioze dhe e pabazë që është ngritur ndaj meje.

Në personin e Kryeministrit Grek falënderojmë Greqinë që lufton krah nesh për të siguruar të drejtat tona njerëzore.

Fredi Beleri ka tre kërkesa për Mitsotakis Read More »