Aktualitet

Porti i Vlorës mirëpret anijen Caroly të Marinës Ushtarake Italiane

Porti i Vlorës do të jetë ndalesa e rradhës e anijes Caroly së Marinës Ushtarake Italiane.

Anija, e cila këtë vit feston 70 vjetorin e lancimit, aktualisht është në shërbim të stërvitjes së aspirantëve të Akademisë së Marinës së Livornos dhe do të vazhdojë lundrimin në ujërat e Adriatikut dhe Egjeut.

Vlora është faza e tetë e fushatës edukative për vitin 2018 për 7 oficerë të rinj të kursit , të cilët trajnojnë veten për të forcuar frymën e ekipit tipik të atyre që shkojnë përmes detit, duke siguruar detyrat operacionale në bord për gjithë periudhën e fushatës.

Qëllimi i tij është të zbatojë mësimet teorike të fituara nga Aspiranti Guardiamarina gjatë vitit të kaluar në Akademinë Detare dhe të fitojnë përvojën detare, të pasur me vlera etike, me të cilat do të ndërhyjnë çdo ditë.

Pas Vlorës, anija me vela e Marinës do të vazhdojë të lundrojë në ujërat e Detit Adriatik për të vazhduar drejt Detit Egje dhe do të prekë portet e Greqisë dhe Turqisë, duke përfunduar më 22 shtator në Portoferraio.

Anija do të jetë e hapur për këdo të mërkurën dhe te enjten, në datat 15 dhe 16 gusht,prej orës 18:00 deri më 22:00 të mbrëmjes./atsh

Porti i Vlorës mirëpret anijen Caroly të Marinës Ushtarake Italiane Read More »

Mbi 15 disiplina sportive në Shqipëri po shuhen, ministrja e sportit rend pas parukerive

Sporti në Shqipëri po shuhet ngadalë dhe dhimbshëm. Nuk investohet mjaftueshëm dhe nuk u jepet hapësirë të rinjve që të kenë një karrierë sportive. Sportistët në Shqipëri punojnë pa sigurime dhe me përjashtim të disa sportistëve titullarë, të tjerët ushtrojnë sportin thjesht për pasion, por pa mundur të ndërtojnë karrierë apo që të konkurrojnë në nivele të larta.

Kushtet janë skandaloze, investimi dhe stimujt financiarë mungojnë tërësisht, ndërsa ligjvënësit tallin tr*pin duke bërë gjoja se po vënë dorën në zemër e krijojnë një Ligj Sporti, që nuk i vlen kërrkujt, sepse është hartuar e miratuar nga ata që nuk kanë ushtruar sport asnjë ditë në jetën e tyre dhe nuk kanë kurrfarë haberi nga sporti.

Dihet, mjerimi social në Shqipëri është fakt evident i raportuar nga të gjithë organizmat e besueshëm që e kanë studiuar fenomenin, por po aq i besueshëm është dhe mjerimi i sportit, ku vihet re pakësim i numrit të sportistëve në të gjitha disiplinat dhe një dëmtim i infrastrukturës. Natyrisht, një pjesë është amortizuar nga koha e gjatë e ndërtimit, por ka mjaft gjëra që calojnë nga organizimi i klubeve sportive dhe ajo që është “thembra e Akilit”, mungesa e vëmendjes shtetërore dhe politikat e gabuara të institucioneve përgjegjëse.

Shembull mund të merret atletika, gjimnastika, mundja, peshëngritja, alpinizmi, qitja etj., pra shumësportëshi. Shqipëria ka pasur sporte të zhvilluara dhe rezultate të larta dhe në rang ndërkombëtar në këto disiplina, por sot një pjesë e madhe e tyre janë shkrirë, mungon tërësisht infrastruktura dhe klubet që dikur kishin një emër të mirë sot kanë mbetur vetëm emra në letër.

Programi për sportin nuk dihet në cfarë sirtari ka përfunduar dhe Ministria as me gojë nuk e përmend sportin. Në kaq kohë, ministrja Lindita Nikolla nuk është dëgjuar të flasë një herë për shumësportëshin në Shqipëri. Dhe s’ka c’farë të thotë, sepse shumësportëshi ka vdekur.

Sot kryeqyteti i vendit, Tirana, me 1 milion banorë, nuk ka një pistë atletike me standarde, madje s’ka pistë fare. Kryeqyteti nuk organizon dot një kampionat atletike sepse s’ka ku ta bëjë. Me prishjen e “Qemal Stafës”, u prish edhe pista dhe hapësirat e tjera që shërbenin për kërcimet në atletikë. Impianti i ri, “Arena Kombëtare e Tiranës”, është vetëm për futbollin dhe nuk ka planifikuar asgjë për atletikën.

Premtimet që u bënë nga qeveria dhe sidomos nga FSHF se do ta ndihmonin atletikën duke i ndërtuar një pistë me tartan dhe ambiente ndihmëse për hedhjen e diskut, cekicit, kërcimet së larti e së gjati etj, prapa “Sheratonit”, nuk u mbajtën dhe sot atletika jonë është në kushtet e mbijetesës. Ajo po vdes ngadalë dhe kot mburremi që kemi një kampion si Izmir Smajlaj, apo atletja kampione Luiza Gega, sepse numërohen me kokrra sportistët e licensuar.

Sa për sportin e gjimnastikës, kaq me traditë në të shkuarën, sot nuk kemi fare ekipe, një sport drejt zhdukjes. Mundjes i janë pakësuar fondet në vazhdimësi dhe ky sport me kaq traditë në Shqipëri lëngon fort, duke operuar në kushtet e mbijetesës falë punës së disa teknikëve të apasionuar. Peshëngritja ka qenë peng e njerëzve të Ilir Metës, kurse qitja dhe disa sporte të tjera që kërkojnë infrastrukturë specifike po shuhen ngadalë. Janë mbi 15 disiplina sportive që po shuhen në Shqipëri, sepse për to nuk ka as kushte e tani së fundmi nuk ka as sportistë.

Të rinjtë më parë e kanë mendjen të ikin nga Shqipëria sesa të ushtrojnë sport apo të ndërtojnë karrierë sportive. Në një vend ku nuk ofrohet siguri në asnjë fushë është e vështirë të ketë përparim. Këtu talentet shkojnë dëm sepse nuk u jepet mundësia, ndërsa shteti që duhet të jetë rregullator dhe investitori kryesor në infrastrukturë nuk e vë ujin në zjarr për këtë “zhburrnim” të sportit shqiptar.

Në këto kushte, është e udhës që ministres t’i kujtohej të “heqë syzet” e të shohë mjerimin ku ndodhet sot shumësportëshi në Shqipëri. Por kujt t’ia thuash?! Ministrja e Arsimit, Rinisë dhe Sportit, Lindita Nikolla, e ka mendjen te parukeritë e jo te hallet që shqetësojnë sot sportin.

Në institucionin e saj, fatkeqësisht, nuk ka një drejtori të mirëfilltë për sportin. Në zyrat e Nikollës flitet vetëm për ngjyrën e flokëve, pushimet në vendet ekzotike, emërimet e militantëve në arsim e në sport, suportin e UET-së së Henri Cilit dhe për dashnorët e dashnoret e ministrave e drejtorëve. /Pamsport.com

Mbi 15 disiplina sportive në Shqipëri po shuhen, ministrja e sportit rend pas parukerive Read More »

Sondazhi/ Merkel liderja botërore më e pëlqyer nga shqiptarët

Angela Merkel, kancelarja që u shpreh hapur ndarjes së Kosovës është liderja e huaj që simpatizohet më shumë nga shqiptarët në Shqipëri dhe Kosovë. Në këtë përfundim arrin një anketim i agjencisë së njohur të sondazheve ‘Gallup International’ për popullaritetin që liderët botërorë kanë në shtete të ndryshme të botës.

82% e të pyeturve në Shqipëri dhe 77% e të pyeturve në Kosovë kanë mendim pozitiv për Kancelaren gjermane.

Për numrin e simpatizantëve të Merkelit, Shqipërinë e kalon vetëm Vietnami me 1% më shumë. Aq popullore sa në Shqipëri e Kosovë, ajo nuk është as në vendin e saj ku pëlqehet nga 54% e pyeturve.

Pas Merkelit, simpatinë e shqiptarëve e ka marrë Papa Françesku. Kreu i Kishës Katolike Botërore pëlqehet nga 77% e të pyeturve në Shqipëri, ndërsa në Kosovë e kanë ndër liderët më pak të preferuar.

Interesant është fakti se Presidenti rus Vladimir Putin simpatizohet më shumë nga shqiptarët se ai amerikan Donald Tramp. Diferenca është me 1% në favor të Putinit.

Megjithatë duke qenë edhe kombi më pro-amerikan në botë, Trump gëzon më shumë mbështetje mes shqiptarëve sesa në të gjithë vendet e tjera të rajonit. Ndërsa Vladimir Putin në Ballkan mbështetet më së shumti nga serbët dhe grekët.

Në sondazhin e zhvilluar në 55 vende të botës, më popullori është Papa Françesku që ka një mbështetje 56%.

Mes 12 liderëve, më pak i vlerësuari është Hasan Rohani i Iranit me një nivel vlerësimi 24%. Anketimi përfshin periudhën Tetor – Dhjetor 2017.

Sondazhi/ Merkel liderja botërore më e pëlqyer nga shqiptarët Read More »

Parashikimi i motit, 14 gusht 2018

Moti për ditën e sotme parashikohet i kthjellët me vranësira kalimtare në orët e mesditës dhe pasdites, por kryesisht vranësira transparente.

Sipas shërbimit meteorologjik ushtarak, në zonën e Jugut në mesditë dhe pasdite, parashikohen vranësira mesatare dhe të dendura.

Era do të fryjë me drejtim Juglindje-Veriperëndim 2-8 m/sek në bregdet. Deti i forcës 3 me lartësi vale 1.4 metër.

QYTETETTemperaturat në °C
Shkodër20/35 diell; re kalimtare
Kukës18/32  diell; re kalimtare
Lezhë20/34   diell; re kalimtare
Dibër18/29  diell; re kalimtare
Durrës22/34  diell; re kalimtare
Tiranë23/35  diell; re kalimtare
Elbasan22/35  diell; re kalimtare
Berat20/36  diell; re kalimtare
Vlorë21/35  diell; re kalimtare
Korcë17/29  diell; re kalimtare
Gjirokastër19/34  diell; re kalimtare
Sarandë21/34  diell; re kalimtare

/atsh

Parashikimi i motit, 14 gusht 2018 Read More »

Armët e zjarrit, Policia shton kontrollet në Vlorë dhe Sarandë

Policia e Shtetit ka intensifikuar kontrollet për sekuestrimin e armëve të zjarrit pa leje në zonën e Vlorës dhe Sarandës, duke arrestuar 2 persona.

Policia bënë me dije se “në kuadër dhe në zbatim të Plan-Masave të marra nga Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë, për evidentimin dhe kapjen e ndalimin e personave të cilët posedojnë armë zjarri pa leje, strukturat e kësaj Drejtorie kanë vijuar kontrollet e imtësishme në të gjithë territorin e qarkut Vlorë.

Gjatë 24 orëve të fundit janë ushtruar kontrolle, në ambiente të hapura, kontrolle ndaj automjeteve dhe personave që dyshohet se mund të posedonin apo qarkullonin me armë, si dhe në lokale e banesa.

Si rezultat i këtyre kontrolleve, ditën e sotme, Policia e Vlorës, ka evidentuar dhe arrestuar në flagrancë shtetasin, O.A., 19 vjeç, banues në Vlorë.

Arrestimi i tij u krye pasi në lagjen “24 Maji”, gjatë kontrollit në banesë iu gjet dhe sekuestrua një armë zjarri pistoletë tip “Zastava”, pa leje.

Ndërsa një tjetër rast u konstatua ditën e djeshme nga Policia e Sarandës në lagjen “Nr. 1”, ku gjatë kontrollit në ambjentet e një lokali u gjet dhe u sekuestrua një armë zjarri pistoletë, 3 gramë kanabis dhe u arrestua shtetasi B.M., 38 vjeç, banues në Tepelenë.

Materialet hetimore iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme proceduriale.

Policia e Vlorës do vijojë kontrollet për të evidentuar e goditur çdo rast të armëmbajtjes pa leje. Gjithashtu fton të gjithë ata që kanë informacion lidhur me veprimtaritë e kundraligjshme, të telefonojnë në numrin 0694110242 ose 112, duke u siguruar anonimatin dhe reagim të menjëhershëm për goditjen e çdo paligjshmërie”, thuhet në deklaratën e Policisë. /atsh

Armët e zjarrit, Policia shton kontrollet në Vlorë dhe Sarandë Read More »

Ura Vajgurore, ndërhyrje infrastrukturore në fshatrat e lëna në harresë prej vitesh/foto

Bashkia e Urës Vajgurore po vijon me sigurimin e infrastrukturës së nevojshme rrugore në të gjitha njësitë administrative.

Kështu, pas përfundimit të rrugës së re në Hallaxhias, aktualisht po vijon puna në fshatin Krotinë, ku një tjetër rrugë është asfaltuar. Sipas kryetares së bashkisë së Urës Vajgurore, Juliana Memaj, punimet do të vazhdojnë çdo ditë për ndërtimin e infrastrukturës së re rrugore që do të ndihmojë në zhvillimin e mëtejshëm të këtyre zonave.

Sipas saj, po ndërhyhet me të gjitha mundësitë që zona, të cilat kanë vite në harresë, të marrin përkujdesjen e bashkisë.

Ura Vajgurore, ndërhyrje infrastrukturore në fshatrat e lëna në harresë prej vitesh/foto Read More »

Ankorohet “St. Damian”, mbi 1200 turistë italianë vizitojnë Sarandën

Plazhi i mrekullueshëm i Sarandës është padyshim një nga atraksionet më të preferuara për pushuesit vendas dhe sidomos ata të huaj, të cilët zgjedhin të pushojnë në vijën bregdetare “magjike” të këtij qyteti.

Ditën e sotme në portin e Sarandës është ankoruar anija “St’Damian”, e cila në bordin e saj transportonte më shumë se 1200 turistë italianë si dhe mbi 150 makina, shifra të cilat u konfirmuan për Agjencinë Telegrafike Shqiptare (ATSH) nga drejtoresha e Portit të Sarandës, Kozeta Statha.

“Anija ‘St’Damian’ konsiderohet anije turistike dhe vjen me listë të mbyllur, vetëm me italianë dhe qëndron 1 ose 2 javë. Sot kishte më shumë se 1200 pasagjerë dhe mbi 150 makina. Ata kanë përfaqësues në Sarandë, një agjent detar, i cili njofton për të gjitha këto anije turistike, duke bërë njoftimin në port te kapitaneria dhe te policia kufitare, që bëhet 24 orë para nisjes së tragetit, për të parë nëse ka kalatë të lirë për ankorimin e saj. Këto lloj anijesh vijnë rreth orës 05:00 ose 06:00 të mëngjesit dhe rreth orës 12 të drekës niset për në Itali grupi që ka ardhur 1 javë ose 2 javë para, duke mos marrë asnjë udhëtar në bordin e tyre, përveç atyre italianë”, – thekson drejtoresha.

E pyetur rreth shërbimeve si dhe organizmin e kapitenerisë së portit për ankorimin dhe sigurinë e turistëve, drejtoresha Statha shprehet se nga ana e tyre po bëhet një punë mjaft e mirë, si në ankorim, por edhe në urimin e mirëseardhjes së parë për turistët.

Drejtoresha e Portit të Sarandës bëri me dije për ATSH se gjatë javëve në vijim pritet që anije të këtij lloji të sjellin edhe më shumë turistë italianë, ku numri i tyre mund të jetë edhe mbi 2000 mijë.

“Kjo anije erdhi sot për herë të parë, por tre të hënat e mëparshme kemi pasur anije të tjera që na kanë vizituar, me një numër mjaft të lartë turistësh.

Tri të hënat e para erdhi “Red Stari” ndërsa kjo anije që ka ardhur sot ka bërë rezervime edhe për 5 herë të tjera për të ardhur në Sarandë.

Numri më i vogël që ka sjellë kjo anije ka qenë rreth 400 veta, sot shikoj më shumë se 1200 dhe sipas komunikimit që kemi pasur, edhe axhendën, herës tjetër do të jenë më shumë se 2 mijë turistë në këtë anije”, theksoi Statha.

Saranda është kthyer në një destinacion turistik mjaft i dashur jo vetëm për turistët vendas por edhe ata të, të cilët zgjedhin të pushojnë pranë detit të pastër dhe qetësisë që të ofrojnë plazhet e jugut të Shqipërisë./atsh

Ankorohet “St. Damian”, mbi 1200 turistë italianë vizitojnë Sarandën Read More »

Apeli i fortë i mjekut infeksionist: Kush preket më lehtë tani në verë nga infeksioni, si t’i ruani ushqimet mos prishen

Mjeku i njohur Tritan Kalo, infeksionist, tropikalist dhe reaminator tregon se cilat janë kategoritë më të predispozuara për t’u prekur nga infeksionet, viruset, bakteret apo dhe toksinat e tyre. Më tej dr. Kalo i bën thirrje qytetarëve që të kenë kujdes me disa produkte si mishi, qumështi, akullorja apo dhe ushqimet fast food.

tritan-kalo-770x433

Cilat janë kategoritë e individëve më të prekur prej këtyre infeksioneve?
Sikundër e theksova edhe më lart, të gjithë si konsumatorë mundet të prekemi prej këtyre infeksioneve, POR individët e grup moshave ekstreme, fëmijët e vegjël dhe ata mbi 65 vjeç, individët që vuajnë nga sëmundje kronike, të cilat e dobësojnë reagimin e sistemit tonë imunitar si Diabeti i sheqerit, Nefropatitë kronike, Insufiçencat kardiake apo ato pulmonare, Hepatopatitë kronike, të Sëmurët me HIV/AIDS, Sëmundjet kronike të artikulacioneve dhe indeve lidhëse, që shpesh marrin në mënyrë të vazhdueshme kortikoidë, të sëmurët me sëmundje malinje nën kemioterapi apo rrezatim, etj. janë subjekte më vulnerabël dhe më të prekshëm prej tyre, e sidomos klinika e manifestimeve të këtyre infeksioneve në subjekte të tillë është edhe më e agravuar. Kujdesi që duhet të kushtojmë ndaj çdo produkti ushqimor që ne konsumojmë, e bën të mundur kalimin e kësaj stine mjaft të nxehtë dhe jo vetëm të saj, pa u shqetësuar nga infeksione të lidhura me konsumimin e këtyre produkteve.

frutat

Nga cilat ushqime duhet të bëjmë më shumë kujdes?
“Të hamë apo të mos hamë” – kjo është çështja. Të gjithë ne duhet të bëjmë kujdes për gjithçka që konsumojmë, përfshirë edhe ujin e pijshëm. Megjithatë janë disa produkte ushqimore më të ekspozuara ndaj ndotjes bakteriale dhe jo vetëm. Le të fillojmë me mishin. Nëse therja e bagëtive si lopët, qengjat, delet apo kecat kryhet jashtë zinxhirit të licencuar të therjes dhe kontrollit veterinar, konsumi i tij mundet të na rrezikojë nga sëmundje shumë të rënda disa dhe vdekjeprurëse si plasja (antraksi), apo parazitoza si cisticerkoza, trikineloza, gëlbaza e mëlçisë (Fasciola hepatica), etj. Derrat e rritur nëpër stoqet e mbetjeve të qyteteve bartin në trupin e tyre helme nga më të ndryshme, sidomos metale të rënda tejet dëmprurëse për organizmin tonë. Pulat e pa kontrolluara bartin jo pak salmonela, shumë të dëmshme për të gjithë, por në veçanti për fëmijët. Qumështi i kafshëve të sëmura me bruçelozë apo tuberkuloz, si dhe produktet e tyre të prodhuara nga qumështi i pa pasterizuar, rrezikojnë organizmin tonë nga sëmundje jo pak invalidizuese për të si Bruçeloza e Tuberkulozi bovin. Produktet e qumështit si akullorja mundet mjaft mirë të bëhet pre e infeksionit nga Stafilokoku, duke dhënë intoksikacione ushqimore shumë pak kohë pas konsumimit të saj. Mos ruajtja e miellit, orizit apo edhe e vetë bukës në mjedise të mbrojtura nga brejtësit (minjtë), të shumtë si në mjediset urbane edhe jashtë tyre, i bën ato të ekspozuara nga ndotja prej urinës së tyre dhe e përhapjes së leptospirozës. Orizi i gatuar jo si duhet, apo i ngrohur dhe i ringrohur disa herë mundet të kontaminohet nga Bacillus cereus, një nga mikroorganizmat më të rrezikshëm të shkaktimit të helmimeve ushqimore. Të mos harrojmë faktin se mjalti nuk duhet konsumuar në fëmijët nën dy vjeç, për shkak të mundësisë së pranisë në të Clostridium botulinum. Për rikujtesë është mikroorganizmi, i cili jep forma të rënda të intoksikimit edhe në të rriturit, me paraliza të rënda e vdekjeprurëse prej produkteve të konservuara dhe jo mirë të ambalazhuara (konservat që kanë kapatë të bombuar, kurrë nuk duhen konsumuar). Ajo që ne neglizhojmë dhe jemi pak të informuar është prania në ushqimet tona, në produktet e ndryshme bujqësore e pesticideve apo produkteve të ndryshme stimulante të prodhimit apo pjekjes së sforcuar të tyre, diçka që është denoncuar dhe vijon të denoncohet me forcë në organe të ndryshme të shtypit tonë të përditshëm. Vitet e fundit pavarësisht kontrollit të produkteve ushqimore dhe të lëndëve të para të prodhimit të tyre, kontroll që çalon kudo dhe kurdoherë, ka një shtim të çrregullimeve gastro-intestinale për shkak të ushqimeve të kontaminuara me mikroorganizma të ndryshëm para apo gjatë përpunimit të tyre, si dhe gjatë ruajtjes apo shpërndarjes së tyre. Ndaj kujdes dhe vetëm kujdes për gjithçka që fusim në gojën tonë. Nuk ju informojmë për t’ju panikuar, POR thjesht për t’ju mirëndërgjegjësuar mbi gjithçka që ju konsumoni.

Si duhet t’i ruajmë ushqimet në mënyrë që ato të mos prishen?
Nëse ushqimet e gatuara nuk konsumohen brenda 2-3 orëve të përgatitjes së tyre, ato ose duhet të futen më mjedise ftohëse frigoriferike, ose në rast të mos pranisë së tyre të hidhen dhe të mos konsumohen. Po ashtu pas përgatitjes në pritje të shërbimit të tyre brenda këtij harku kohor, ato duhet të ruhen në mjedise të mirë-ajrosura dhe pa praninë e mizave në to. Një këshillë e tillë vlen edhe për festimet e ndryshme dhe të shumta të stinës së verës. Duhet të kemi parasysh se në rast ruajtje për disa ditë të ushqimeve në frigorifer pas përgatitje së tyre, ne nuk duhet të presim ftohjen e tyre para se ti vendosim ato në to. Të mos harrojmë edhe faktin se në rast kontaminimi të ushqimeve të përgatitura para se ato të futen në frigorifer, ruajtja e tyre në mjedise të ftohta apo edhe në ngrirje NUK i shkatërron aspak mikroorganizmat apo toksinat e tyre, përkundrazi i konservon ata edhe më mirë. Ringrohja e tyre para përdorimit të ushqimeve të para-kontaminuara, i bën po aq aktivë mikroorganizmat apo toksinat e tyre duke shkaktuar helmime ushqimore shpesh edhe me pasoja fatale për organizmin tonë. Jo të gjithë kemi frigoriferë, por ka shtëpi të pajisura me mjedise shumë të freskëta dhe në to duhet të ketë dollapë më kapakë të mirë-puthitur dhe me rrjeta teli, të cilat evitojnë kontaktin e mizave apo brejtësve me ushqimin që ne konsumojmë apo me produktet me të cilat ato përgatiten. MOS harroni faktin se higjiena në përgatitjen, ruajtjen dhe shërbimin e ushqimit të gatuar varet shumë nga higjiena personale a tyre që merren me këto procese, sidomos higjiena e duarve. Lani duart me kujdes para dhe pas çdo procesi.

Apeli i fortë i mjekut infeksionist: Kush preket më lehtë tani në verë nga infeksioni, si t’i ruani ushqimet mos prishen Read More »