Aktualitet

Vlorë – Rama iu ankohet shqiptarëve: Bypass-i i Fierit na është bërë si ByPass-i i fytit

Kryeministri EdI Rama ishte sot në Vlorë për bilancin, mësimet dhe objektivat për sezonin e ardhshëm turistik kur u ndal sërish tek bypass-i i Fierit.

Edi Rama: Ndërsa po tregonte për projektet për të ardhmen, kryeministri ndërpreu fjalën dhe tha: E kam shumë të qartë që ndërkohë që ne flasim aty vazhdojnë komentet po By-Pass-i i Fierit, po By-Pass-i i Fierit i cili na është bërë si ByPass-i i fytit nga sikleti. Sinqerisht përditë në fyt nga sikleti, sepse realisht është një legjendë katastrofike paaftësie, papërgjegjshmërie dhe korrupsioni.

Na është dashur të prishim komplet kontratën dhe të bënin gjithça nga e para me Bankën Europiane për Zhvillim. Tani procesi ka filluar dhe shpresojmë shumë që brenda disa javëve të na vijë përgjigjja përfundimtare e bankës, të lidhet kontrata dhe sezonin e ardhshëm ta gjejë rrugën e By-Pass të hapur për të qenë e kalueshme, nëse jo e përfunduar tërësisht. Kështu të kompletohet e gjithë lidhja me Vlorën.

Bulevardi i ri ne Vlore gati sezonin e ardhshem

Më pas Rama foli dhe per rrugen Kashar- Rrogozhinë që e bën Tiranë-Vlorë për 55 minuta dhe premtoi se bulevardi i ri i Vlorës sezonin e ardhshëm do jetë gati.

Edi Rama: “Pak më tutje vjen projekti i tjetër rrugës Kashar- Rrogozhinë që e pret komplet në diagonal rrugën drejt Fierit e Vlorës dhe e bën Tiranë-Vlorë për 55 minuta.

Më vjen mirë që sidoqoftë vlonjatët nuk po nxjerrin zë për bulevardin e ri ku është bllokuar trafiku dhe është ngushtuar rruga. Nuk po dëgjoj më njeri që të thotë pse me rrugë të ngushta, pse na është bllokuar sepse e morën mësimin me Lungomaren. Mësuan se nuk duhet folur përpara se në fund pastaj me Edi Ramën nuk të del fjala. Bulevardi i ri do të jetë një tjetër vlerë e shtuar. Në sezonin e ardhshëm do ta kemi të përfunduar besoj dhe do të jetë realisht një tjetër vepër si Lungomarja për të cilën marrim mesazhe inkurajuese.”/faktor.al

Vlorë – Rama iu ankohet shqiptarëve: Bypass-i i Fierit na është bërë si ByPass-i i fytit Read More »

Shikoni sa e ka gropën”, Rama zhvesh të riun nga Vlora, ja çfarë e detyron të bëjë

Kryeministri Edi Rama ka qenë në Vlorë sot, në bregdetin e Radhimës për të bërë një përmbledhje të arritjeve dhe problemeve të sezonit turistik që po mbyllet me vrojtuesit e plazheve. Por ndërsa ministrat Fatmir Xhafaj, Blendi Klosi dhe Damion Gjiknuri kanë mbajtur nga një fjalim ka qenë dhe një djalë i ri që ka kërkuar të flasë. Ai ka treguar se kishte shpëtuar një vajzë nga mbytja.

E me këtë rast kryeministri Edi Rama nuk e ka lënë rehat të riun duke e ngacmuar si vlonjat që ishte dhe për të mishëruar shprehjen e famshme që i karakterizon ‘gjoksin gropë’.

“Do të shesë mend, do të tregojë se është nga Vlora”,- tha Rama. Djali, që administronte edhe një biznes të vetin në plazh, Ariel Lamaj tregoi se si kishte shpëtuar 25-vjeçaren, duke thënë se nuk është ndier shumë mirë.

“Gjatë punës sime unë bëra dhe një shpëtim të një vajze 25 vjeçe. Vajza vuante nga një krizë epilepsie dhe kur e pashë në det që nuk po reagonte siç duhej, u futa menjëherë dhe e kam nxjerrë vajzën në kohë rekord. I kam dhënë ndihmën deri sa erdhi ambulanca dhe u ndjeva shumë mirë”, tregoi i riu.

“Nxirre pak këtë gropën këtu. Ngrije këtë bluzën. Hiqe fare. Shikoni sa e ka gropën këtu, shikojeni!”, tha Rama, duke treguar kraharorin e të riut dhe më pas duke e porositur: “Vishu tani, kemi dhe vajzën këtu”.

Më pas kryeministri ka falënderuar vrojtuesit për punën e tyre gjatë këtij sezoni.
“Shumë respekt për shumë vepra të mëdha humane që keni bërë edhe duke rrezikuar në ndonjë rast veten tuaj dhe na ndihmuan të adresojmë një problem të vjetër të aksidenteve”, tha Rama./faktor

Shikoni sa e ka gropën”, Rama zhvesh të riun nga Vlora, ja çfarë e detyron të bëjë Read More »

Në 2019 nis puna për fushën sanitare në Vlorë, zgjidhje përfundimtare problemit të mbetjeve

Vitin e ardhshëm para sezonit turistik veror do të fillojë puna për ndërtimin e fushës sanitare të mbetjeve në qarkun e Vlorës, që do t’i japë zgjidhje përfundimtare këtij problemi.

Në një takim mbi ecurinë e sezonit turistik në Vlorë, Kryeministri u shpreh se “ne kemi 4 vjet që punojmë për fushën sanitare të mbetjeve të qarkut të Vlorës”. “Në 4 vjet ne kemi bërë aplikimin, gjithë procedurën e trajtimit të aplikimit nga Banka Gjermane që i financon këto projekte. Kemi marrë aprovimin, është bërë projekti që është tani në procedurë”, tha Rama, duke shpjeguar procedurat që janë ndjekur.

Sipas tij “ky është një proces, pasi projekte të mëdha nuk nisin në momentin kur hidhet lopata e parë, por kur projektohen, futen në gara, kontraktohen e me radhë”.

Trajtimi i mbetjeve në Vlorë deri tani bëhet në mënyrë mesjetare, tha Rama, duke shtuar se “po shtohen kapacitet e bashkive për të bërë pastrimin e përditshëm”.

“Ne e dimë, tha Kryeministri, se bashkitë nuk e përballojnë dot vetëm këtë sfidë, sepse shumëfishohen në numër gjatë sezonit.

Sipas Ramës, problemi kryesor lidhur me pastërtinë nuk janë strukturat dhe infrastrukturat por janë vetë shqiptarët./atsh

https://www.facebook.com/edirama.al/videos/1903719453256891/?t=0

Në 2019 nis puna për fushën sanitare në Vlorë, zgjidhje përfundimtare problemit të mbetjeve Read More »

“Eksod italian në Vlorë, çmimet e lira dhe rrjetet sociale joshën të rinjtë”

Vlora ka përjetuar këtë vit një “bum” turistësh nga vendi fqinj Italia dhe kryesisht janë grupe të rinjsh, të joshur nga çmimet e lira dhe reklama në rrjetet sociale për plazhet e mrekullueshme.

Enrik Mehmeti, gazetar në Vlorë dhe njohës i mirë i sektorit të turizmit në tërësi, tha për “Monitor” se në përgjithësi ky sezon ka qenë më i mirë se ai i viteve të mëparshme për disa arsye, por problematikat nuk kanë munguar.

Ai nënvizoi se Vlora ende vuan numrin e kufizuar të shtretërve, pavarësisht strukturave të reja akomoduese, ndërkohë që edhe trafiku ka zbehur disi shkëlqimin e sezonit. Në Lungomare, sipas tij, u 4-fishuan bizneset e bareve dhe restoranteve ndërkohë që sektori po vuan për ide inovative dhe shërbime ekstra, të cilat mund të shtojnë vlerën e ofertës që Vlora ka për turistët.

Si e përkufizoni këtë sezon turistik veror për Vlorën apo rajonin e Jugut në tërësi? A ka pasur rritje të numrit të vizitorëve të huaj? Cilat janë vendet nga kanë ardhur kryesisht?

E quaj të suksesshëm për bizneset që lidhen me sektorin e turizmit në Vlorë, por më pak të suksesshëm për pjesën tjetër të Jugut, duke nisur nga Dhërmiu dhe në vazhdim. Vlora këtë vit ka pasur një numër të madh turistësh, kryesisht të huaj, dhe “bumi” ka qenë nga “fqinjët”. Është parë një rritje e numrit të turistëve italianë, të cilët kanë qenë të organizuar në grupe të rinjsh.

Nga kontaktet me ta, për të mësuar arsyet e zgjedhjes së Vlorës për pushime, është konstatuar se përgjithësisht janë joshur nga rrjetet sociale dhe media në të cilat tregohen çmimet e lira, vendet e mrekullueshme dhe ndryshimi rrënjësor i Shqipërisë.

Sipas tyre, nga një vend që s’duhet të vizitohej për shumë faktorë, të lidhur me sigurinë dhe deri te cilësia, Vlora tashmë është kthyer në një vend që duhet vizituar patjetër. Ndryshe ka qenë situata këtë vit në Dhërmi. Kjo për shkak të çmimeve të kripura që qarkulluan nëpër rrjete, të cilat i dhanë imazhin e një vendi i cili ishte i papërballueshëm për shumicën e turistëve. E vërteta ishte që çmimet “super të larta” ishin në lokale specifike, ndërsa në të tjera kishte çmime të klasifikuara normale për turistët.

Po lidhur me strukturat akomoduese, si paraqitet situata, a ka ndryshime në çmime, po pjesa e shërbimit?

Ka një përmirësim të ndjeshëm të kushteve të hoteleve, por ndihet mungesa e numrit të shtretërve. Rritja e numrit të turistëve të huaj të cilët kërkojnë parametra bashkëkohorë, ka bërë që investimet e reja të plotësojnë këto kritere, ndërsa të vjetrat t’i shtojnë ato. Vitet e fundit, sektori i hotelerisë ka punuar me paketa për turistët e huaj, si çekë, polakë, nordikë dhe së fundmi rusë duke bërë që shumë hotele të punojnë nga muaji mars deri në nëntor. Realisht, këto hotele janë të pakta, sepse tendenca e turistëve është në rritje, edhe pse për një periudhë të shkurtër.

“Bumi” ishte në 15-ditëshin e dytë të korrikut dhe deri në fund të gushtit, ashtu si shumë destinacione në Shqipëri, ku shumë turistë nuk gjenin vende për t’u akomoduar. Kjo kërkesë bëri që të përfitonin dhe shumë qytetarë, të cilët kanë përshtatur banesat e tyre në zonën e Plazhit të Vjetër apo dhe brenda qytetit. Për sa u përket çmimeve pati një luhatje në ulje në qershor dhe gjysmën e parë të korrikut, por më pas u rikthyen në nivelet e vitit të kaluar.

Cilat kanë qenë problematikat që kanë shoqëruar këtë sezon dhe që duhet të marrin vëmendje në vijim?

Për sa u përket problematikave ka pasur një situatë më të mirë se sa vitet e kaluara, por shumë prej tyre ngelen. Mospërfundimi ende i By Pass-it Vlorë-Orikum, bëri që fluksi i automjeteve të ishte shumë i lartë edhe për këtë sezon në rrugët e qytetit. Shumë turistë, të cilët kanë pasur si destinacion pjesën tjetër të Jugut, kanë qenë të detyruar të qëndrojnë në trafik. Një tjetër problem, i cili vlen të përmendet, është dhe stafi i lidhur me shërbimet në sektorin turistik. Në këtë pikë, pati mangësi nga vetë bizneset por jo për faj të tyre, por të mungesës së specialistëve të mirëfilltë.

Do të doja të bëja një propozim për këtë pikë. Nga çdo rreth mund të sigurohen kamerierë, banakierë, kuzhinierë apo punëtorë të tjerë të sektorit të turizmit, për të plotësuar nevojën që ka qyteti. Vlora, nga ana tjetër, ka dy konvikte, ai i Universitetit që shfrytëzohet për turistë dhe i industriales, që rri bosh dhe pikërisht këtu mund të bëhet edhe akomodimi i punonjësve me një kosto disi më të pranueshme për punëdhënësit dhe ku mund të organizohen edhe trajnimet e nevojshme nga specialistet përkatës.

Kjo do të ishte një ndihmë shumë e mirë si për bizneset, por dhe për turizmin në tërësi, duke pasur një shërbim më cilësor. Edhe për të rinjtë nga zona të ndryshme mund të ishte një mundësi e mirë punësimi, edhe pse sezonale, por me një pagesë të kënaqshme.

Turizmi në vetvete po nxit edhe zhvillimin e sektorit të shërbimeve siç janë sportet ujore, udhëtimet me paketa të dedikuara me anije por ende me një zhvillim anemik. Çfarë mund të bëhet për të nxitur plotësimin e paketave turistike, në mënyrë që Vlora të mos konceptohet vetëm si det dhe hotel?

Vitin e fundit, me hyrjen në funksion në mënyrë të plotë të Lungomares, u 4-fishuan baret dhe restorantet përgjatë zonës së Ujit të Ftohtë. Idetë e bizneseve të reja janë ndalur vetëm te këto dy biznese, kryesisht duke lënë pas dore biznese inovative dhe interesante. Vlora ka nevojë ende për shtimin e bizneseve të argëtimeve, ku turisti mund të kalojë dhe kohën e lirë. Një prej gjërave më të pëlqyera që turistët kanë kërkuar ka qenë bota nënujore, pasi në Gjirin e Vlorës janë një numër i madh anijesh të mbytura ku shumë prej tyre mund dhe të vizitohen.

Fatkeqësisht përgjatë viteve, të gjitha anijet janë vjedhur nga zhytës shqiptarë dhe të huaj duke e varfëruar shumë këtë sektor. Nga ana tjetër, pati dhe një rritje të numrit të anijeve turistike ku numri i anijeve shkoi në 7 të tilla nga 2 që ishin më parë. Konkurrenca bëri që shërbimi të kishte dhe mjete të cilat nuk ishin anije standarde. Një prej tyre ishte dhe katamarani Julka Unique i cili u prit shumë mirë për shkak të prodhimit që ishte i 2018-s, stabilitetit për shkak të strukturës dhe paketave me çdo gjë të përfshirë në anije.

Sa është ndier dora e pushtetit vendor në menaxhimin e plazheve, mbetjeve, ndërhyhet në sinjalistikë dhe infrastrukturë?

Ky vit, realisht është viti më i suksesshëm për sa i përket çdo aspekti pozitiv. Duke nisur nga infrastruktura, ku kryefjala është vendosja në funksion i Lungomares. Po ashtu dhe shumë rrugë apo lagje janë rehabilituar. Shtrimi i rrugës së Pyllit të Sodës bëri që kjo zonë së bashku me Zvërnecin të kenë një frekuentim të plazheve. Edhe siguria në plazhe, ndryshe nga çdo vit, këtë vit nuk pati asnjë të mbytur, për shkak të rojeve bregdetare, të cilët u vendosën të detyruar nga bashkia.

Një tjetër meritë, e cila bëri të shmangeshin incidentet ujore ishte dhe organizimi i lëvizjes së mjeteve ujore qindra metra larg plazheve. Asnjë gomone motor deti apo motoskaf nuk u afrua pranë vendeve ku laheshin njerëzit, pasi rrezikonin gjoba të majme. Bashkia pati një përkushtim të madh dhe në aktivitetet kulturore, ku disa prej tyre ishin të niveleve europiane. Vlora këtë vit ofroi një panoramë shumë ndryshe nga çdo vit tjetër./monitor

“Eksod italian në Vlorë, çmimet e lira dhe rrjetet sociale joshën të rinjtë” Read More »

Negociatat për Aeroportin e Vlorës, Rama: Duam maksimumin për interesin publik

Qeveria shqiptare po vijon negociatat për ndërtimin e Aeroportit të Vlorës, të cilat Kryeministri Edi Rama i cilësoi të vështira, pasi siç tha ai, “duam të marrim maksimumin për interesin publik dhe të shtetit”.

Në takimin e zhvilluar në Vlorë për sezonin turistik, Kryeministri u shpreh se “jemi në proces negociatash për ndërtimin e aeroportit të Vlorës”.

“Ndryshe nga çfarë u propagandua nuk ishte një pazar i mbyllur, por është një negociatë e vështirë, sepse ne duam të marrim maksimumin për interesin publik dhe të shtetit”, tha Rama.

Kryeministri u shpreh besimplotë se do ta mbyllim negociatën dhe do të fillojmë edhe punën për të ndërtuar aeroportin e Vlorës.

“Pastaj aty do të fillojë një sfidë tjetër për Vlorën sepse ndryshimi i flukseve do të jetë shumë i madh dhe nevojat e jashtëzakonshme për të rritur cilësinë e shërbimeve po ashtu. Në mbi 20 vjet këtu janë bërë investime të gabuara, pasi nuk kemi hotele të mirëfillta dhe vila të mirëfillta turistike, kemi shumë pak”, tha Rama./atsh

Negociatat për Aeroportin e Vlorës, Rama: Duam maksimumin për interesin publik Read More »

Rigjykimi i Izet Haxhisë pritet të nisë javën e ardhshme, ja 8 dëshmitarët dhe 3 provat që rrezikojnë pozitat e Berishës

Këtë fillimjave gjyqtarët rikthehen në punë. Një nga dosjet që pritet më shumë interes, është ajo e Azem Hajdarit, për të cilën ka një kërkesë nga Izet Haxhia, për t’u rihapur.

Vendimi për hapjen apo jo të kësaj dosje, do të merret nga Gjykata e Apelit në Tiranë. Në rast se dosja do të rihapet, për Sali Berishën do të ishte një problem i madh, pasi ka 8 dëshmitarë dhe disa prova të forta, që mund ta fundosin atë.

Një ndër ta është Zenel Neza, ish-truproja i Azem Hajdarit, i cili u qëllua gjatë atentatit. Ai ishte prezent kur ndodhi sulmi dhe është personazhi kryesor që ka parë në sy vrasësit.

Madje Zenel Neza është personi i parë i cili pati kontakt me Berishën dhe ky i fundit i pëshpëriti në vesh kur ishte në spital.Emër tjetër është Marjan Gryka. Edhe ky i fundit ka qenë truproja i Hajdarit.

Në disa intervista ai ka akuzuar si vrasës të Hajdarit, ish-kryeministrin Berisha. Emra të tjera që kanë qenë në të njëjtën linjë janë Jaho Mulosmani dhe vëllezërit e Izet Haxhisë, Ismet Haxhia, Isamedin Haxhia, të dënuar si autorë të ngjarjes.

Ata e kanë mohuar krimin dhe po ashtu kanë akuzuar Berishën. Grupit i bashkohet Fatos Klosi, ish-kreu i SHISH, që po ashtu pretendon se Berisha ka gisht në ngjarje.

Një tjetër emër është Ylli Rakipi, gazetari i cili ka qenë prezent në rrëfimin që Zenel Neza ka dhënë para Berishës në spital.

Rakipi e ka regjistruar bisedën, por nuk dihet se ku ajo ka përfunduar. Tjetër emër është Astrit Muldaka.

Ai është dëshmitar i penduar i ngjarjes, pasi akuzohet se ka qenë pjesë e atentatit dhe ka qenë ai që ka siguruar makinën me të cilën lëvizën atentatorët.

Ndërkohë, janë dhe 3 prova të reja që mund të ndryshojnë situatën, shkruan Sot. I pari është ditari i Perikli Tetës.

Asnjëherë nuk është përdorur në gjykatë ajo se çfarë thuhet aty. Së dyti janë tabulatet telefonike të personave rreth ngjarjes.

Haxhia pretendon se falë këtyre tabulateve është shumë e thjeshtë të vërtetohet me kë ka folur Hajdari dhe Berisha.

Prova e tretë është regjistrimi i bisedës me diktofon i gazetarit Ylli Rakipi në momentin që i shkuan së bashku me Sali Berishën të plagosurit rëndë Zenel Neza, në Spitalin Ushtarak në Tiranë./korrieri

Rigjykimi i Izet Haxhisë pritet të nisë javën e ardhshme, ja 8 dëshmitarët dhe 3 provat që rrezikojnë pozitat e Berishës Read More »

Shqipëria po shuhet, raportet tregojnë sa banorë do ketë në 2030

Organizata e Kombeve të Bashkuara e renditi Shqipërinë në grupin e dhjetë vendeve që ka pësuar plakjen më të shpejtë të popullsisë gjatë periudhës 2000-2011, në Raportin e Plakjes Globale 2017.
Faktorët e keqkombinuar nga emigracioni dhe rënia e lindjeve bashkë me indiferentizmin për të përballur pasojat, do ta bëjnë të vështirë tranzicionin e popullatës

Disa sektorë si bujqësia dhe fasoni kanë nisur të vuajnë mungesën e krahut të punës, ndërkohë që popullsia e vendit është futur në një proces të shpejtë plakje. Divizioni i popullsisë në Kombet e Bashkuara e renditi Shqipërinë si një ndër dhjetë vendet me procesin më të shpejtë të plakjes së popullsisë gjatë periudhës 2000-2011. Numri i të moshuarve mbi 60 vjeç është shtuar me 7.3% në këtë periudhë. Shqipëria renditet e teta në botë pas SHBA-së, Japonisë, Guadalupe, Maltës, Martinique, Koresë së Jugut dhe Curaçaos për plakjen e shpejtë në rang global në vitet në vijim.

Në vitin 2017, shqiptarët mbi 60 vjeç këtë vit ishin 93 mijë më shumë në numër se në vitin 2011 kur u bë Censusi i fundit. Kjo grupmoshë tani zë 19% të gjithë totalit të popullsisë nga 15.4% që ishte në vitin 2011. Në vitin 2030, sipas projeksionit të Kombeve të Bashkuara, popullsia mbi 60 vjeç do të jetë 26.6% të totalit të popullsisë sipas projeksioneve normale, pa goditje të forta të emigracionit.

Në disa vende në zhvillim, ndër to edhe Shqipëria, popullsia po plaket me shpejtësi me ritme më të shpejta se sa kishte ndodhur në vendet e tjera të zhvilluara. Për shembull, në Francë, plakja e popullsisë kërkoi 115 vjet, në Suedi 85 vjet, Australi 73 vjet dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës 45 vjet. Në këto vende, gjatë këtyre viteve, popullsia mbi 60 vjeç u rrit nga 7 në 14%.

Në vendet që sot janë në tranzicion, ky proces ka ndodhur në më pak se 23 vjet. Projeksionet tregojnë se për Brazilin dhe Kolumbinë, dyfishimi i numrit të të moshuarve do të kërkojë vetëm 22 vjet. Kjo qasje e re e popullsisë po prodhon një tranzicion të ri demografik për këto vende që do të duhet të përshtaten shumë shpejt me një strukturë të re popullsie.

Sot vendet në zhvillim do të duhet të përshtaten shumë shpejt me situatën në një kohë që ato kanë të ardhura për frymë shumë më të ulëta se sa vendet e zhvilluara kur u përballën me këto sfida. Numri i shteteve me moshë të re popullsie ka rënë dukshëm me kalimin e kohës. Ndërsa në vitin 2017 numëroheshin 39 shtete që kishin rreth 5% të popullsisë mbi 60 vjeç, në vitin 2050, vetëm Nigeria do të ketë në popullsinë e saj persona mbi 60 vjeç vetëm 5% të totalit.

Lindjet e shumta më 1950, më shumë pleq më 2020

Vendet që kanë përjetuar një baby boom gjatë viteve 1950-1960 do të ketë ritme të forta të plakjes së popullsisë gjatë dekadës në vijim, në kushte kur numri i lindjeve ka rënë. Në Shqipëri, indeksi i fertilitetit ishte 6.8 lindje për grua në vitet 1960, ky raport ra në 2.1 lindje për grua në vitin 2001 dhe në 1.7 në vitin 2011. Indeksi sintetik i fekondimit (ISF) i cili tregon numrin mesatar të fëmijëve që pritet të lindë një grua në moshë riprodhuese, shënon, 1,48 fëmijë për vitin 2017.

Kjo do të thotë se në 100 femra, pritet të lindin 148 fëmijë, nëse normat e lindshmërisë sipas grupmoshave janë ato të vitit referues, 2017. Sipas INSTAT, ky indeks është nën normën e zëvendësimit, 2,1 fëmijë për grua, që do të thotë se një çift nuk arrin të zëvendësojë veten. Lindshmëria ka rënë për grupmoshat 20 – 24 vjeç dhe 25 – 29 vjeç, ndërsa për grupmoshat më të vjetra ka pësuar rritje të lehtë.

Për shkak të lindjeve të mëdha në vitet 1960, numri i personave të moshuar në Shqipëri do të rritet me shpejtësi në dekadën në vijim Në të kundërt, në Suedi, pjelloria totale ishte vetëm 2.2 lindje për grua në 1950-1955, dhe popullsia e vjetër aktualisht po rritet më ngadalë se sa në Shqipëri, me një normë mesatare vjetore prej 1.1% gjatë 2010-2015.
Për shkak se normat e fertilitetit në mesin e shekullit ishin të larta, mbi pesë lindje për grua në Shqipëri, normat e rritjes së popullsisë në moshë të vjetër do të jenë shumë më të larta se në Europë, ku pjelloria në vitet 1950-1955 tashmë kishte rënë nën tre lindje për grua shumë vende.

Faktorë të kombinuar keq

Ndërsa rënia e pjellorisë dhe rritja e jetëgjatësisë janë nxitësit kryesorë të plakjes së popullsisë globalisht, migrimi ndërkombëtar ka kontribuar gjithashtu në ndryshimin e strukturave të moshës së popullsisë në Shqipëri, thotë raporti i OKB-së. Por gjithashtu migracioni ndërkombëtar mund të ngadalësojë procesin e plakjes në vendet që po përjetojnë flukse të mëdha të pritjes së emigrantëve, pasi emigrantët kanë tendencë të jenë në moshë pune.

Në vendet me popullsi në plakje, pritja e emigrantëve mund të jetë zgjidhja më e shpejtë për ruajtjen e balancave në strukturat e popullsisë. Rezervat e refugjatëve nga Afrika dhe Lindja e Mesme shihen si zgjidhje. Në vitin 2015, plakja e popullsisë u citua si një shqetësim i madh për 20 vitet në vijim, teksa shumë vende të zhvilluara që po përjetojnë plakjen e popullsisë po lehtësojnë procedurat për emigrantët.

Por ndërkohë, Shqipëria po përjeton njëkohësisht edhe plakje të popullsisë, edhe rritje të nivelit të emigracionit, teksa nuk ka politika për stimulimin e lindjes, as për frenimin dhe ikjen jashtë, teksa nuk bëhet fjalë për stimulimin e pritjes së të huajve si emigrantë. Një hartë e publikuar nga OKB së fundmi tregonte se në vitin 2015, rreth 1.12 milionë shqiptarë, të lindur në Shqipëri, jetojnë në vende të tjera. Tre janë destinacionet kryesore: Italia me 450 mijë shqiptarë, Greqia me 440 mijë dhe Shtetet e Bashkuara me 80 mijë. Në Gjermani dhe Kanada ka nga 20 mijë emigrantë secili dhe në Mbretërinë e Bashkuar, 10 mijë.

Sipas Censusit të fundit të INSTAT (2011), rezidentë në Shqipëri janë rreth 2.86 milionë banorë, çka nënkupton se ata që kanë ikur jashtë përbëjnë tashmë 40% të atyre që banojnë në vend. Ritmet e rritjes së popullsisë janë shumë të ulëta, për shkak të rritjes së moshës mesatare (që ka arritur rreth 37 vjeç) dhe përshpejtimit të emigracionit, sidomos vitin e fundit.

Emigracioni i forcës së kualifikuar të punës ka ndikuar shumë negativisht në rritjen e ekonomisë së vendit. Një studim i Departamentit të Europës në FMN, ka gjetur se gjatë periudhës 1995-2012, emigracioni ka pasur efekt negativ me 18% në PBB e vendit. Kjo humbje ishte më e larta se në vendet e tjera të rajonit, me shkak emigracionin. Dëmi më i madh, sipas FMN, është krijuar nga emigrimi i forcës së kualifikuar të punës. Humbjet më të larta në PBB, me rreth 16%, i ka krijuar ikja nga vendi i forcës së kualifikuar të punës, në raport me emigrantët që kanë pasur aftësi të ulëta.

Ashtu si për lindshmërinë, të rinjtë janë nxitësit kryesorë të migracionit, të brendshëm dhe ndërkombëtar. Heqja e barrierave ndaj emigracionit, trazirat sociale në vitet 1990, papunësia e lartë dhe mundësi më të mira për punë dhe studime jashtë vendit gjenerojnë një fluks të vazhdueshëm emigracioni më së shumti drejt Greqisë dhe Italisë. Censusi i vitit 2011 tregoi që emigracioni ka qenë faktori më i rëndësishëm për humbjen neto të popullsisë me 269 mijë persona, ndërmjet vitit 2001 dhe 2011, të shprehur në përqindje si 8.8% e popullsisë në vitin 2001.

Gjatë kësaj periudhe vlerësohet që 482 mijë shqiptarë kanë ikur nga vendi. Ashtu siç ndodh zakonisht në migracion, grupmosha që u përfshi më shumë në përvojën e migracionit është ajo e të rinjve të rritur. Numri total i të rinjve që kanë emigruar në periudhën ndërmjet censuseve 2001-2011 vlerësohet 225 mijë persona dhe grupmosha 20-24 vjeç dhe 25-29 vjeç ka më shumë emigrantë sesa çdo grupmoshë tjetër. Por fenomeni është kthyer fuqishëm dy vitet fundit. Megjithatë, arsyet ekonomike për emigracionin mbizotërojnë ende mes grave dhe burrave. Në Censusin e vitit 2011, këto janë përcaktuar si arsyet kryesore për 74% të të rinjve që kanë ikur nga shtëpia për të shkuar jashtë shtetit.

Raporti i varësisë në përkeqësim
Kombet e Bashkuara raportojnë se plakja e popullsisë është nxitur nga rënia e lindjeve, rritja e jetëgjatësisë. Kjo nënkupton se popullsia e globit pret të jetojë më gjatë, ndërkohë që do të ketë më pak fëmijë të rritur si burime të mundshme për të mbështetur plakjen tonë. Raporti i varësisë globale më 2017 ishte 100 persona në moshë punë për 74 persona pensionistë.

Në Europë në vitin 2017, kishte 30 persona të moshës 65 vjeç, ose në 100 persona në moshë pune dhe raporti i varësisë së pleqërisë është parashikuar të rritet ndjeshëm në rajon, duke arritur 53 në vitin 2050. Po ashtu, Amerika e Veriut pritet të shohë rritje të mprehtë të raportit të varësisë së pleqërisë, Raporti i varësisë së pleqërisë pritet të rritet në Azi dhe në Amerikën Latine më shumë se dyfishi nga 14 në 2017, për të arritur 34 në vitin në vitin 2050. Ky raport do të rritet me ngadalë në Afrikë.

Në Shqipëri, skenari i rritjes së mesme sipas INSTAT nënkupton 30 të moshuar për 100 të rritur në moshë pune në vitin 2031. Nëse plakja e avancuar ndodh kur raporti i varësisë të të moshuarve kalon atë të të rinjve, atëherë fillimi i saj në Shqipëri mund të pritet përpara vitit 2025.
Popullsia e Shqipërisë, jo vetëm që do të plaket, por strukturat e plakjes parashikohen të ndryshojnë në të ardhmen. Deri në vitin 2011, plakja nxitej nga tkurrja e brezave të lindur d.m.th plakje në bazë të piramidës: raporti i varësisë të të rinjve pësoi rënie nga 53 fëmijë për 100 të rritur në moshë pune në vitin 1989 në 32 fëmijë në vitin 2011.

Deri tani, varësia e të moshuarve ka qenë e kufizuar, megjithëse ajo është dyfishuar nga 8 në 16 individë për 100 të rritur në moshë pune përgjatë 2000-2011. Varësia e të rinjve parashikohet të bjerë me një ritëm të ngjashëm krahasuar me rritjen e varësisë të të moshuarve deri në vitin 2021 (një rënie deri në 25 të rinj dhe një rritje deri në 23 të moshuar për 100 të rritur në moshë pune respektivisht, sipas skenarit të rritjes mesatare). Në dekadën e dytë të projeksioneve, tendenca e varësisë të të rinjve varet nga skenari, me një tendencë stabilizimi ose të një rënieje të lehtë. Tendenca në rritje e varësisë të të moshuarve do të intensifikohet kur brezat e foshnjave të lindura gjatë gjeneratës baby-boom të fillojnë të arrijnë moshën e pensionit në vitet 2020.

Rritet numri i personave që jetojnë vetëm
Raporti i Kombeve të Bashkuara zbuloi se në Shqipëri, sipas të dhënave që i referohen deri në vitin 2009, 13% e të moshuarve mbi 60 vjeç jetonin vetëm, teksa raportohen se rreth 60% e të moshuarve jetojnë me fëmijët dhe pjesa tjetër rreth 30% jetojnë me bashkëshortin ose bashkëshorten. Mirëpo raportet mund të kenë ndryshuar shumë në këto tetë vite, kur më shumë persona të moshuar jetojnë vetëm. Kombet e Bashkuara vërejnë se personat që jetojnë vetëm në rang global janë rritur shumë.

Disa të dhëna nga Instituti i Shëndetit Publik zbulojnë se në Tiranë dhe në rrethe të tjera të vendit, tregojnë se më shumë se 2/3 e të moshuarve janë të sëmurë apo vuajnë nga një sëmundje kronike, ndërkohë 1/3 e tyre raportojnë se vuajnë nga më shumë se një sëmundje apo problem shëndetësor. Vetëm 12% e të moshuarve raportojnë se nuk kanë pasur nevojë për të përdorur shërbimet shëndetësore gjatë pesë viteve të fundit.

Numri i të moshuarve që përdorin shërbimet shëndetësore parësore përbën pothuaj gjysmën e tyre dhe prirja është drejt rritjes. Gjithashtu, të moshuarit konsumojnë pothuaj gjysmën e barnave mjekësore, ose më shumë se trefishin krahasuar me të sëmurët e moshave të tjera. Nga 530 mijë të moshuar, të regjistruar tek Mjeku i Familjes, rreth 405 mijë përdorin shërbimet e financuara nga skema e sigurimeve shëndetësore. Rreth 160 mijë janë përfitues të rregullt 1 – 4 recetave në muaj, që mesatarisht kapin vlerën e 252 milionë lekëve në muaj.

Sëmundjet kronike më të shpeshta të raportuara mes të moshuarve shqiptarë, janë sëmundjet kardiovaskulare me rreth 60%, diabeti me rreth 20%, të ndjekura nga sëmundjet gastrointestinale, sëmundjet kronike të mushkërive dhe artriti reumatid. Në vendin tonë, ende nuk është studiuar në mënyrë të përshtatshme prevalenca e problemeve të shëndetit mendor si neurozat dhe demencat. Pothuajse 70% raportojnë të kenë pasur probleme me sigurimin e medikamenteve të rekomanduara nga mjeku. Popullsia globale mbi moshën 60 vjeç arriti në 962 milionë në 2017, dy herë më shumë se në vitin 1980, kur kishte 382 milionë persona të moshuar në mbarë botën.

Numri i të moshuarve pritet të arrijë në vitin 2050, në pothuajse 2.1 miliardë. Globalisht, numri i njerëzve mbi 80 vjeç po rritet edhe më shpejt se numri i përgjithshëm i të moshuarve. Projeksionet tregojnë se numri i njerëzve mbi 80 apo më shumë në mbarë botën do të rritet më shumë se trefish midis 2017 dhe 2050, duke u rritur nga 137 milionë në 425 milionë. Dy të tretat e njerëzve të moshuar në botë jetojnë në vendet në zhvillim, ku numrat e tyre po rriten më shpejt se në rajonet e zhvilluara. Globalisht, gjatë viteve 2010-2015, gratë tejkaluan meshkujt me një jetëgjatësi mesatare prej 4.6 vjetësh.

Drejt “shuarjes”
Sipas projeksioneve të OKB-së, shekulli në të cilin jetojmë do të mbyllet me rezultate fatale të popullsisë së vendit, sipas projeksioneve të reja të Departamentit të Popullsisë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, të publikuara në faqen zyrtare të këtij institucioni ndërkombëtar. Duke marrë në konsideratë ecurinë e popullsisë vetëm në normat bruto të lindjeve (norma e fertilitetit) sipas të gjithë skenarëve, Shqipëria do të ketë ulje të popullsisë së saj.

Varianti pesimist parashikon që në vitin në 2100, popullsia e Shqipërisë do të jetë vetëm 860 mijë banorë. Ndërsa skenari normal parashikon që Shqipëria të popullohet me vetëm 1 milionë e 600 mijë banorë. Skenari optimist që parashikon emigracion zero dhe ecuri normale të normave të fertilitetit parashikon që popullsia e vendit deri në vitin 2100 të jetë 2 milionë e 800 mijë banorë, nga rreth 2,9 milionë që numërohen afërsisht aktualisht.

Organizata e Kombeve të Bashkuara ka rishikuar me përkeqësim treguesit e popullsisë së Shqipërisë për këtë vit në krahasim me një vit më parë. Në vitin 2017, OKB parashikoi që në vitin 2100, popullsia e Shqipërisë do të jetë 1,754,540 banorë, me një rënie prej 1.2 milionë personash nga popullsia aktuale (2.9 milionë) sipas portalit të OKB, ndërsa sipas projeksioneve të rishikuara të këtij viti, popullsia e Shqipërisë në vitin 2100 do të jetë 1,6 milionë banorë ose 100 mijë pak se projeksionet e vitit të kaluar./monitor

Shqipëria po shuhet, raportet tregojnë sa banorë do ketë në 2030 Read More »