Aktualitet

Motive nga Lumi i Vlorës dhe fati i ditarit që fluturoi drejt Budapestit

Nga SEFER PASHA

Personazhi që më shoqëron të përpjetave të Lumit të Vlorës është nga kreshtat e Matogjinit, rrëzë malit të Tartarit. Njihet si njeri i thjeshtë, s’ka lidhje me ndonjë deputet, ministër apo me bashkiakët e Vlorës. Nuk është i zgjedhur në ndonjë forum, s’troket për punë nëpër zyra e nuk vrapon si militant nëpër mitingje për të përfituar ndonjë thërrime. Ai gjithashtu nuk rropatet pas hashashit e pas pasurimit brenda natës. Nuk është vidh i vetëm në mal, por lis në pyllin me lisa. Mikun e quajnë Resul Bullaj, por për emrin e mirë që ka mbiemrin ia kanë zëvendësuar me emrin e fshatit Matogjin nga e ka origjinën. Këdo që të pyesësh të jep të njëjtën përgjigje. Lart në mal është Resul Matogjini. Resuli ka tufën me dele, rrit 400 gjela deti në vit, mban lopë, kuaj e punon tokën që e ia ka dhënë ligji.

E gjeta përpara stanit ku kishte rreshtuar të gjitha zilet dhe këmborët e bagëtive. Resuli më la pa mend me punën që po bënte. Ai po vaiste, pastronte gërvishtjet e fshinte me peshqir pluhurin e këmborëve dhe të zileve. E pyeta dhe mu përgjigj se delja është delikate. Ajo jep më shumë qumësht kur meloditë e këmborëve dhe të zileve nuk e bezdisin tufën me tringëllimën e çakorduar. Orkestra e “violinave” e qetëson tufën në kullotë. Kurse një gërvishtje e gjuhëzës e “trishton” dhe delja jep më pak qumësht. Delja e tremb qumështin edhe kur përballë saj vjen tufa me korba. Më çuditi detaj i këtij blegtori të apasionuar. Resuli ka një jetë që ushtron zanatin e blegtorit. Më parë ka pasur qindra krerë. Edhe tani ka një tufë të mirë. Ai furnizon me dhjetëra lokale që e mbajnë klientelën me mish të pjekur. Udhërrëfyesi ka botën e tij. Nuk ka mbaruar për filozofi, por është i tillë.

Duke udhëtuar për në Matogjin ai nuk është i një mendje me ata që thonë se “Fajin e ka qeveria”, “Shteti të vërë dorë”, “Të gjithë këta janë kusarë”, “Edi Rama nuk punon”, e të tjera. Jo, thotë ai i revoltuar. Ne në Lumin e Vlorës themi “punoni o duar, të hani byrek e lakruar”. Për mua është e vërtetë që një qeveri e mirë e kthen Shushicën lart nga burimet, se ministrat, deputetët dhe të gjithë “përçorët” duhet të bëjnë shumë e më shumë, por sikur s’vete gjithmonë kënga që e kemi në majë të gjuhës: “Fajin e ka qeveria”. Tufën e deleve dhe të demave në Matogjin nuk do t’ma ruaj deputeti i zonës. Drejtoreshë e Bankës së familjes time është ime shoqe, Adivia. Unë Resul Matogjini jam vetë Edi Rama. Nga shkëmbinjtë e malit të Tartarit e nxjerr lekun. Gota e rakisë nëpër klube nuk të sjell mirëqenie. E lanë njerëzia fshatin dhe dremisin nëpër trotuaret e Vlorës e të Tiranës.

***

Udhëtimi nëpër fshatrat e lumit të Vlorës është baladesk. Si Resuli ka me dhjetëra e me qindra të tjerë. Ka biznesmenë që kanë dhe nga 1000 krerë bagëti. Tregtarët kanë punishte qumështi, vreshta, fabrika të përpunimit të vajit e të fruta perimeve. Mbledhësit e bimëve medicinale janë gjithashtu me qindra. Ndërtimi i rrugës i ka bërë fshatarët që qysh tani të mendojnë për fronte të reja të biznesit. Edhe një zall në Lumin e Vlorës është flori. Jeta po ndryshon. Herë pas here i kërkoj Resulit t’më rrëfejë ngjarje nga të Lumit të Vlorës. Ai më tregon shumë, por një e shënoj në bllok.

Gratë labe në raste fatkeqësish vinin një brez të leshtë për mesi. Brezi i leshtë i mbronte kur qanin. Gjatë lëngimit brezi i mbronte që të mos u pushonte zemra, të pësonin hemorragji në stomak, apo t’u plasaritej mëlçia e zezë. Për këtë brez kishte dhe nja dy vargje: /Mjerë, mjerë ato nëna/ Mjerë, mjerë o BREZVËNA”. Për BREZVËNAT folëm shumë. Brezvënat u shumuan në vitin e zi 1977. Kemi lënë pas Peshkëpinë, Drashovicën, Mavrovën, Kotën, Vajzën dhe kemi ndaluar në të majtë të fshatit Ramicë. Freskohemi tek një gurrë me ujë të akullt. Është ujë dëbore nga mali i Tartarit, më thotë Resuli. Ai më flet për ekonominë e fshatit që po ecën mirë. Kush i rri punës tek koka jeton edhe më mirë se në Evropë. Resuli më tregon legjenda e unë e ndjej se ai e ka një trishtim. Më ka humbur “Çipini” më thotë ai dhe heq në zemër. “Çipini” është kali i tij i bëshëm sa shkëmbinjtë e malit të Tartarit. Një natë me parë e kishin rrethuar ujqërit. Resuli e kishte lidhur në livadh. Tufa e ujqërve nuk e kishin ngrënë dot. “Çipini” është i paçjerrë dhe nuk ka dhëmbë ujku që t’i ngulet lëkurës së tij. Dy milion lekë ia kishte kërkuar një velçiot, por ai nuk e kishte shitur. “Çipini” ishte kalë për të marrë nuset. Burrat e Lumit të Vlorës janë të lidhur shumë me kuajt. Unë kisha me vete librin e autorit Ahmet Demaj nga fshati Velçë me titull: “Amanet kalin”. Tregimi ishte i jetuar dhe fabula gjithashtu qe e thjeshtë. I ati i autorit të librit në një rrethanë të caktuar të jetës kishte qenë i detyruar dhe e kishte shitur kalin, që ai e donte shumë. Kur e kishte përcjell blerësin tek shtegu i avllisë bashkë më kalin e dashur i kishte thënë: “Amanet kalin!”. Të ulur me Resulin në të njëjtin shkëmb në formën e sofrës ai shpreson se “Çipini” do të kthehet në stan. Kali është i shenjtë. Resuli tregon për një komandant të dikurshëm nga Lumi i Vlorës. Komandanti po i çonte asqerët në betejë. Por atij po i mbaroheshin ushqimet. U detyrua të therë kalin e shalës për të shpëtuar asqerët siç e thotë dhe kënga: /Edhe kalin e there/ Asqerëve ua dhe meze/.

Pastaj ai rrëfen një ndodhi me ujqërit. Resuli di shumë të tilla. Ujku shikon shumë natën, dëfton ai. Tregojnë se një ujk që nga maja e malit të Tartarit shikon natën një dele të zezë në shpatin e malit të Stogoit. Dhe ujku fluturon për atje. Por ujku natën nuk shikon afër. Delen e zezë nuk e pikas dot dhe kthehet sërish në malin e Tartarit. Kështu vrapoi tërë natën. Vraponte nga Tartari për në Stogua e kthehej gjersa e zuri dita tek Lumi i Kaurit në Vranisht. Ujku është një lloj “artisti”. Ai di marifete dhe tërheq në “thertoren” e tij gjënë e gjallë. Ulkonja para se t’i ushqejë këlyshët me qumësht i mëson ata që të lëpijnë me gjuhë një pluhur nëpër shkëmbinjtë gri. Ulkonja e kryen veprimin vetë e para dhe pas kësaj e imitojnë këlyshët. Pikërisht kur këlyshët e kanë kapërxyer pluhurin gri ulkonja u jep qumësht gjiri. Qumëshi i ulkonjës i përzjer me me pluhurin gri e vesh me një cipë të çelniktë plëncin e këlyshëve. Prandaj ujku ka plënc të fortë e mban brenda tij mishin e një dashi të tërë. E dëgjoj rrëfimin e matogjinasit e mbetem pa mend. Të tre djemtë Resuli i ushqen me mish të pjekur. Fillimisht u jep të hanë të gjalla shpretkën, zemrën, një pjesë të mëlçisë së zezë dhe ca gjendrra te kripura të qafës së shelegut.

E ndërsa e vazhdojmë udhëtimin për tek oda e atit të Resulit, Isak Bullajt, ai sikur më mbetet pak në hije. Në një shkëmb të thiktë është shkruar me gërma të mëdha emri: “BALLIST MORINA”. Dhe në krah është varur flamuri me portretet e Ismail Qemalit dhe të Isa Boletinit. E çuditshme them me vete. Ballist Morina lëshoi në stadiumin e Beogradit dronin që e bëri me emër. Shiko se si vjen fama. Krejt rastësisht. Kur Ballist Morina e montoi dronin nuk e kishte imagjinuar se ai do të shkaktonte aq tronditje e bujë. Dhe emri i tij do të shkruhej dhe tek një shkëmb në Lumin e Vlorës, sipër të cilit rrinë si kurorë mali i Këndrervicës, Tartarit, Çipini, Çika dhe Stogoi. Udhës së përpjetë takojmë tregtarë të fuqishëm. Janë blegtorë, baxhierë, bletëritës, gjeologë, mjeshtër të ndërtimit të urave që do të lidhin Lumin e Vlorës me bregun, druvarë, gjurmues të shpellave ku strehoheshin bilbilenjtë, turistë që ngjiteshin për në majat e Tartarit, të Çipinit, të Çikës ,e kërkues të floririt në Kokorredhën e Plakës në Stogua, por dhe ndonjë kusar droge.

E lë mënjanë bisedën me matogjinasin se më kërkon në celular, Moikom Zeqo. Moikomi më pyet se ku ndodhem. I përgjigjem se jam në livadhin ku është pushkatuar Ramize Gjebrea. Mu mbushën sytë me lot thotë ai. Më porosit që t’i shpie në Tiranë një foto ku është pushkatuar Ramize Gjebrea. Livadhi është plot me lule. “Pushkatimi i lules” më thotë ai një titull poezie. I them Moikomit se kam blerë në Vlorë librin e tij më të ri “Sagë Palimpsestesh Anima Mundi”. Librin e ka në çantë miku që më shoqëron. Ai e ngre i them Moikomit. Shoqëruesi më thotë se libri peshoka sa një sheleg. Moikomi qesh. Disa fragmente do t’i lexoj udhë më udhë, livadh më livadh e hije më hije i them lehtë – lehtë. Moikomi gëzohet. I shtoj gjithashtu se në fshatin Vajzë në lokalin antik “Shpella e Vajzës” festova ditëlindjen e nipit, Alteos, dhe në gërmadhat e shtëpisë, ku ka lindur Ali Asllani mora një gur të bardhë sa një flokë dëbore. Tek gërmadhat e shtëpisë së Ali Asllanit më çoi bashkëfshatari i tij Bego Hitaj, që gjurmon rreth të parëve të Ali Asllanit. Gurin kur të kthehem në Tiranë do t’ia dhuroj Moikomit, që ta stivosë në një qoshe të bibliotekës së tij që është e madhe sa një çatall lisi. E përfytyroj Moikomin që nga rrëza e malit të Tartarit të vetmuar mes librave në këtë vapë që të kollofit si ulkonjë. Por ai nuk është i braktisur. Në këtë pikë vape atë e rrethojnë princat e librave. Dhe ai po lufton ta mposht dramën e sëmundjes. Kush e ka braktisur Moikom Zeqon do të mallkohet shumë shpejt, më thotë një bari nga Bashajt, i cili kishte bërë kurban një dash tek vendi i shenjtë “Kurora e Sevasterit”.

Në mbyllje të bisedës me Moikomin dua ta bëj pak për të qeshur. I them se shoqëruesi im që po djersitë nga pesha e librit të shtëpisë botuese “Zenit” imiton Edi Ramën. Djalin e tretë, të cilit i ka vënë emrin e babait, Isakut, e ka lindur në moshën e Edit dhe Isaku i vogël është në një moshë me Zahon e Edi Ramës. E di që Moikomi nuk do të qeshë. Ai nuk ka asnjë idhull mbi kokë.

***

Banorët e Lumit të Vlorës shquhen për mikpritje e besë. Në kafenenë e Velçës një i velçiot na tha një fragment drame. Ngjarja ishte e hershme. Babai me të dy djemtë kishin zënë pritë për të marrë hak ndaj një vrasësi me të cilin kishin rënë në bela e në gjak. Vrasësi u kishte borxh. Pritësit e diktojnë në Lugun e Qyqeve vrasësin të hipur në kalë. Ai i binte për qejf cylës dyjare. Djemtë i bën gati manxërrët. Por i ndaloi ati i tyre. Nuk mund të vrasim një njeri qoftë ky dhe hasmi. Ai po udhëton i hipur në kalë dhe po i qan hallet me cylën dyjare. Udhëve herë me makinë e pjesën më të madhe në këmbë ne kuvendojmë me banorët. Të gjithë këta janë filozofë, i them matogjinasit. Në jetën time mes librave më ka qëlluar të lexoj poezi, tregime, novela, romane e tragjedi. Por si kjo që na rrëfeu një peshkatar rrëzë Shushicës nuk kisha dëgjuar. Në socializëm një kooperativist kishte qenë për drekë tek e motra. Kthehet i hipur në mushkë gjysmë i dehur. Në anë të fshatit fshatarët burra e gra punonin, ca në shkuarje duhani, zhvishnin misër, qëronin qepët e bënin kavaletë kashtën e grurit. Burrat ndërtonin një stallë për qetë. Kooperativisti ndaloi aty ku disa gra po hanin bukë misri e gjerbnin dhallë. Ngjitur qenë dhe varrezat e fshatit. Ai hipi mbi një gur të lart dhe thirri me oiii: “Sos jemi më mirë nga Ju o të dekuro”!

U japim gjunjëve të përpjetës për në Matogjin. Lart fluturojnë fajkojtë, gjeraqinat e më lart akoma harbojnë shqiponjat e malit të Tartarit e të Këndrevicës. Shkëmbehemi me qindra njerëz që vjelin thesaret në të dy anët e Lumit të Shushicës. Unë herë pas here mbaj shënime, këngë, balada, fjalë të urta, emra vendesh, shpellën ku rrinin bilbilenjtë, udhën që ndoqi Ismail Qemali nga Vlora për në Vranisht, ku gjeniu çoi një kalë me abetare, rrepet e Mesaplikut nën hijet e të cilëve përgatitej për luftë çeta e Çerciz Topullit dhe cepin e Lumit të Kaurit tek i cili vranishioti Alush Majko varrosi e ruajti trupat e tre gjeneralëve të pushkatuar, Beqir Balluku, Petrit Dume e Hita Çako. Lebrit dhe labushkat na thonë gjëra të bukura. Një grua që kishte shitur të gjithë barrën me çaj, rigon e bimë të tjera e që kishte fituar rreth njëqind mijë lekë na tha se kur i shoqi e kishte parë mushkën të shkarkuar i kishte thënë të shoqes tek avllia: “I shite MORTJE!”. Mortja është metafora e labit të prapë ku përfshihen në përmbajtjen e fjalës “mortje” mallkimi dhe dashuria. Kur do të ndaheshim MORTJA më foli me sarkazëm dhe ndaj një deputeteje që broçkulliste kot së koti në Parlament. “Buça ha thellë!” tha ajo. E pyeta labushkën për përmbajtjen e kësaj shprehje dhe MORTJA i ra shkurt: “Rrite kutën/ Të hajë kukën!/. Sa do t’i interesonte Eqerem Çabejt ky proverb që unë e dëgjoja për herë të parë. Krijimeve të banorëve të Lumit të Vlorës nuk mund t’ju shtosh qoftë dhe një presje. Çdo fjalë e ka një motër na thotë një bletërritës, që po i shtegton bletët për në Shënmjegull. E megjithatë krijuesi anonim bën “kirurgji” kur ia do mideja me fjalën, frazën e me shprehjet. Që ta shpreh dufin ai sakrifikon, apo e zëvendëson fjalën. Mesaplikasi na dha këtë detaj. Një nëne i kishte vdekur vajza të cilën e kishte të martuar në një nga fshatrat e Lumit. Pas të dyzetave dhëndrri martohet me një vajzë suliote. Nëna shkonte tek varri i të bijës dhe qante me ligje :/Kush e zuri vendin jote/ Belkëputura suliote/. Nënës gjatë vajit nuk i vjen për mbarë të thotë. “kush e zuri vendin tënd”, “por kush e zuri vendin jote”?/ Zëvendësimi i fjalës “tënd” me “jote” nuk e humb kuptimësinë e vargut dhe as gjuha nuk shkretohet. Metafora të kësaj natyre në Labëri me kuptim të figurshëm janë të shumta. Malet dhe përrenjtë e Lumit të Vlorës grugullojnë filozofi e përcjellin mesazhe të mëdha. Miku që më shoqëron, Resuli, di shumë këngë. Këngët e lebërve sjellin në ditët tona ngjarje dramatike. Dhe matogjinasi më rrëfen për një njeri me emrin Abaz Selimi. Atë e kishin vrarë se kishte shkuar të dhunonte një grua. Lajmërojnë të motrën që qe martuar pas malit. E motra vjen pas disa orësh. E ëma i tregon të bijës se çfarë kishte ngjarë. Dhe e motra e Abaz Selimit e nisi vajin sipas zakonit: /Abaz Selimi vëlla/ Sos mu vrave ndër niza/ Po mu vrave nëpër gra/ Turp më vjen të të qa!”. Pas këtyre vargjeve në vaj e motra nuk kishte marrë pjesë fare në varrimin e të vëllait. I kishte hipur mushkës dhe qe nisur për atje ku qe martuar.

***

Të bën përshtypje fakti që qysh nga Kota e gjer në Ramicë, ku morëm majtas për në Matogjin u kemi dhënë dorën e jemi përshëndetur me disa grupe turistësh. Ata kanë ngritur kampingje nëpër fshatra deri lart në Buronjat e Kuçit. Turistët e bëjnë dhe më interesante jetën në Lumin e Vlorës. I gdhijnë netët anës Shushicës, nën rrepet shekullorë e siç na thanë disa francez ishin ngjitur me mundime deri tek Kokorredhja e Plakës në malin e Stogoit. Jemi futur në bjeshkët e Matogjinit e shohim se prej shpateve të malit zbresin disa turistë të ngarkuar deri në dhëmbë. I pyesim e na thonë se ishin nga Budapesti i Hungarisë. Këmbejmë ca fjalë si nëpër erë. Ata kanë në duar e në çanta kafka ujku dhe ariu, shpendë të vrarë, luhare e cula dyjare, furka, lëkurë kunadhesh, patkonj, xhaketa të vjetra leshi e një palë dylbi të markës gjermane nga ato të kohës së luftës. Do t’i marrin me vete për në Budapest na thanë e disa ngjiten majë një shkëmbi dhe bëjnë fotografi. Ata na flasin mirë për vendasit e për pritjet nëpër stane me “kos dele që pritej vetëm me shpatë”. Nuk gjejnë fjalë për të shpjeguar ëmbëlsirën e kuleçëve të hirit, djathin e napës, gjalpin pa kripë, trazoren, lakrorët me bajame të egra, lepurin e egër të pjekur në bidon alumini, e mjaltin e porsa vjelë nga zgavrat e shkëmbinjëve të Tartarit. Nga çantat që të kujtojnë zborin e Enver Hoxhës nxjerrin “veshët” çajrat, rigoni, tufa me lule e bar i egër pa asnjë vlerë. Një djalë i ri si lis Çipini mban në dorë një bllok të veshur me lëkurë dashi. E pyes studentin nga Hungaria dhe ai ma shkoqit mirë e bukur se këtë bllok të trashë e kishte gjetur rasësisht në hyrje të një shpelle kur qe futur për të gjurmuar ndonjë send me vlerë. Unë e mora bllokun në dorë dhe e shfletova shpejt e shpejt. Ishte një ditar i thjeshtë e që autori me emrin Baki kishte dy vjet që e kishte nisur. Lexova sa munda dhe marr vesh se djaloshi me emrin Baki ishte i dashuruar me një vajzë, e cila quhej Edlira. Nuk përmendeshin mbiemrat dhe as se nga ishte ky çift të rinjsh. Në ditar thuhej se Bakiu dhe Edlira takoheshin nën një valanidh. Roje sipas ditarit u bënte një skifter. Ai ishte lajmëtari i të dashuruarve. Me aq sa lexova, Bakiut dhe Edlirës gjithçka u kishte shkuar mbarë. Por befasisht Bakiut dhe Edlirës u kishte ndodhur një ngjarje e tmerrshme. Më datën 3 gusht 2018, siç fiksohej në ditar, në mes të stuhisë, rrufeja kishte vrarë skifterin kur Bakiu dhe Edilira ishin në zgavrën e valanidhit. Pas stuhisë ata të dy e kishin varrosur skifterin në vendin e quajtur Livadhi i Gjarpërit. Bakiu që siç lexohej në ditar ishte ai që mbante shënimet dhe paçka se nuk e thoshte kuptohej se ishte bari me dele, kurse Edlira do të qe e bija e ndonjë stanari, që nëpër mal ishin të shumtë. Bakiu shkruante në ditar se “qysh në 3 gusht të vitit 2018 nuk ka NGRAN dhe se ishte një DHIAR fatzi”. Shkruesi i ditarit nuk kishte ndonjë kulturë. Por Bakiu në ditar stivoste ngjarje të çuditshme. I thashë Resulit se do të qe gjë e madhe nëse këtë bllok me shënime ditari do t’ia merrnim hungarezit. Dhe unë nuk përtova. I thashë djaloshit nga Budapesti se ky ditar nuk i hynte në punë. Por hungarezi më kundërshtoi ashpër. Ky bllok nesër fluturon drejt Budapestit më tha ai. U ndava me hungarezët i trishtuar. Kisha zbuluar një ditar pothuajse anonim, por ai më iku nga duart. Ishte një fabul për Heminguejin, i cili e kishte vrarë veten 57 vjet me parë e do të kujtohej në këmbët e malit të Tartarit nga udhëtar shqiptar.

***

Pa dalë tek Livadhi i Çecos, Resuli, më thotë se po na ndjek një gjarpër. Nuk dua ta besoj megjithëse udhëve të përpjeta pash gjarpërinj e nepërka. Pastaj Resuli ndaloi. Të njëjtën gjë bëra dhe unë. Në udhën e gjerë të “asfaltuar” me bar ngjyrë ari, Resul Matogjini, nxori nga çanta një shami të bardhë dhe e la në mes të udhës. Resuli mu shkoqit se shaminë e bardhë e la për gjarprin që sipas tij po na ndiqte. Gjarpri me ta parë shaminë e bardhë shkon dhe e kafshon. Në fletët e shamisë lëshon helmin vdekjeprurës, i zbutet tërbimi, ndërron udhë e bëhet i parrezikshëm për çdo qenie të gjallë. Ishte hera e parë që e dëgjoja “sekretin” me shami për t’i shpëtuar kafshimit të gjarprit. Sa tregime fsheh Lumi i Vlorës thashë më vete.

Udhëtojmë dhe një orë tjetër e ndalojmë poshtë sarajeve të Isak Bullajt. Që nga çuka me pamjen e një kali i hedh sytë nga Bratajt. Prej Bratajve është aktori Lisenko Malaj, i cili nuk ka shumë kohë që është ndarë nga jeta. Aktori i talentuar më shumë sesa për vdekjen do të kujtohet për mungesën e varrit të tij. Miku im Mumtaz Dhrami sa ka përfunduar bocetin e parë ku ka hedhur linjat e aktorit të pashëm. Mbase më vonë në ndonjë shesh të qytetit të Vlorës të miratuar nga Bashkia do të vendoset busti i Lisenko Malajt dhe sheshi të përurohet me emrin “Sheshi i Lonit”. Lisenko Malaj ka shkëlqyer në rolin e Lonit tek “Karnavalet e Korçës”.

Dielli po i afrohet kreshtës më të lart të malit të Stogoit ku pas pak do të perëndojë. Tek e shihja diellin, i cili po përqafohej me Stogoin mu kujtua nëna e studiuesit dhe e poliglotit Zeno Jahaj nga Mesapliku. Nëna e Zenos kur betohej thoshte: “Për atë diell që vete lodhur!”. Na duhet të nxitojmë shton Resuli. Vëllai Ymeri e ka vënë gjingjin në hell. Nëna, Vitoria, që është 90 vjeçe i mban sytë tek pragu. Dhe ai më mollois se ku janë mishërat më të shijshëm. Gjatë bregut të detit bagëtive nuk u hedhin kripë. Bagëtia e merr kripën në kullotë nëpërmjet jodit të detit. Më lart në shpate e male, ku barinjtë u hedhin kripë tufave, ka rëndësi zgjedhja e kullotës, faqet e maleve me diell, vërrit, uji i burimeve, “odat” në stane, e sjellja e bariut me tufën si një psikolog.

Të udhëtosh këto ditë të gushtit nëpër Lumin e Vlorës është kënaqësi e veçantë. Bën freskët dhe nëpër pyje të deh era e mishit të pjekur. Paçka se në stanin më të afërt mishi mund të jetë pjekur para një jave era e trëndelinës së tij nuk shqitet nga ormanet. E gjithë lugina vjen era mish i pjekur. Të gjithë banorët nëpër fshatra e stane janë të zënë me punët e stinës. Në sytë e tyre nuk shikoj ankth, as urrejtje, as klithma për qeverinë dhe as pasiguri. Klubet janë bosh. Nga mbjellja e hashashit kanë hequr dorë. I pyet e të përgjigjen se i përçmojnë ata që braktisin shtëpitë në fshat e nëpër kafenetë e Vlorës pinë raki, dhunojnë gratë, mallkojnë e i përzënë fëmijët që të shndërrohen në skllevër të Evropës. Kjo bën që të ketë krime, humbje të lekëve në bixhoz, vjedhje, vrasje, vetëvrasje e humbje të shpresës. Sytë i mbajnë nga qielli. Po qielli s’të jep as punë dhe as para. Kallot e duarve të burrave dhe të grave të Lumit të Vlorës janë floriri i mundit të tyre. Mjerë ata që i kthejnë krahët punës.

Më në fund mbrrijmë tek shtëpia e Isak Bullajt në Matogjin. Portën na e hap i vëllai i Resulit, Ymeri. Tek pragu del me shkop në dorë e zonja e shtëpisë, Vitoria. Por pa e kaluar mirë pragun tek Ara e Thekrrës dëgjohet hingëllima e fuqishme e një kali. Erdhi “Çipini” tha Resuli. Më nuhati e më ndoqi çap pas çapi. Unë ktheva kokën. Dhe “Çipinit” i bëra një fotografi. Mu duk sikur kali i Matogjinit doli nga një luginë baladash. Unë nuk e kisha gabim. Lumi i Vlorës në vetvete është një baladë./dita

Motive nga Lumi i Vlorës dhe fati i ditarit që fluturoi drejt Budapestit Read More »

Europa s’na pranon se jemi muslimanë? Dom Gjergj Meta shpërthen ndaj BE: Refuzoj ofertën e vazhdoj jetën

Prifti katolik i Arkidioqezës Metropolitane në Tiranë, Dom Gjergj Meta, i eshte shtuar zerave ne debatin mbi integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Mwe nje shenim ne rrjetet sociale, ai shprehet se ‘nëse është e vërtetë që Europa nuk na pranon, sepse në Shqipëri ka myslimanë, atëherë unë nuk dua të shkoj në Europë’.

Postimi në FB

Nëse është e vërtetë që Europa nuk na pranon, sepse në Shqipëri ka myslimanë, atëherë unë nuk dua të shkoj në Europë, sepse preferoj të kaloj jetën me miqtë e mi të zemrës me të cilet jam rritur, kam ndarë të mirën e të keqen, më janë gjendur e u jam gjendur, por të cilët shpallin një kredo të ndryshme nga e imja, se sa të jetoj me një hollandez, a gjerman, a francez me të cilin shpall të njëjten kredo.

Nëse në Europë nuk më pranojnë bashkë me fqinjin tim i cili shkon në xhami, refuzoj ofertën e vazhdoj jetën!

Dom Gjergj Meta

Europa s’na pranon se jemi muslimanë? Dom Gjergj Meta shpërthen ndaj BE: Refuzoj ofertën e vazhdoj jetën Read More »

Zbulohet lajmi bombë për shqiptarët e refuzuar që duan azil në Gjermani, fati mund të jetë me ta!

Gjermania brenda disa muajve do ketë gati ligjin e ri për emigracionin me të cilin do të rregullohen edhe ardhjet e fuqisë punëtore nga vendet që janë jashtë Bashkimit Evropian, ku bëjnë pjesë edhe Kosova edhe Shqipëria.

Ministria e Brendshme ka paraqitur një koncept prej 11 pikash që mundëson kërkimin e vendeve të punës aty.Ky propozim do të gjendet këtë javë edhe në zyrën e Kancelares Angela Merkel e cila është kthyer tanimë në punë, e më vonë pritet të marrë formën e ligjit.

azil

Por debati është hapur që tani, e një prej propozimeve që ka shkaktuar tensione është mbi mundësinë që vende pune në Gjermani të kërkojnë edhe refugjatët dhe azilkërkuesit që tani janë në Gjermani, e kjo prek edhe shumë shqiptarë.

Por a ka mundësi që edhe shqiptarët që kanë kërkuar azil atje të fitojnë të drejtën e punës?

Kryeministri i Landit të Zarës, nga partia CDU e Angela Merkel ka propozuar që azilkërkuesit e refuzuar por që janë integruar në shoqëi, pra kanë mësuar gjuhën dhe kanë bërë ndonjë kualifikim atje, të fitojnë të dretjën për tu integruar në tregun e punës.

Pra nëse kanë gjetur një punë atje, të kenë të drejtën të mbeten në Gjermani.

Gjermania brenda disa muajve do ketë gati ligjin e ri për emigracionin me të cilin do të rregullohen edhe ardhjet e fuqisë punëtore nga vendet që janë jashtë Bashkimit Evropian, ku bëjnë pjesë edhe Kosova edhe Shqipëria.

Ministria e Brendshme ka paraqitur një koncept prej 11 pikash që mundëson kërkimin e vendeve të punës aty.Ky propozim do të gjendet këtë javë edhe në zyrën e Kancelares Angela Merkel e cila është kthyer tanimë në punë, e më vonë pritet të marrë formën e ligjit.

azil

Por debati është hapur që tani, e një prej propozimeve që ka shkaktuar tensione është mbi mundësinë që vende pune në Gjermani të kërkojnë edhe refugjatët dhe azilkërkuesit që tani janë në Gjermani, e kjo prek edhe shumë shqiptarë.

Por a ka mundësi që edhe shqiptarët që kanë kërkuar azil atje të fitojnë të drejtën e punës?

Kryeministri i Landit të Zarës, nga partia CDU e Angela Merkel ka propozuar që azilkërkuesit e refuzuar por që janë integruar në shoqëi, pra kanë mësuar gjuhën dhe kanë bërë ndonjë kualifikim atje, të fitojnë të dretjën për tu integruar në tregun e punës.

Pra nëse kanë gjetur një punë atje, të kenë të drejtën të mbeten në Gjermani.

Zbulohet lajmi bombë për shqiptarët e refuzuar që duan azil në Gjermani, fati mund të jetë me ta! Read More »

Bosja e Gërdecit, që duhej çuar në pranga, emërohet profesore në Fakultetin e Drejtësisë

Bashkë me vëllain deputet, kanë blerë diplomat për “drejtësi” në Londër, paguar me lekët e gjakosura të 26 viktimave, babai “fut feçkën në çdo hale” që vjen erë lekë

Këta mirë që vjedhin, vrasin e kurvërojnë me njeri-tjetrin edhe brenda “çadrës” gjinore, por janë edhe të pa pendueshëm e të pacipë, duke bërë karshillëk pas çdo zullumi e krimi që kryejnë dhe bashkë me këta banditë, “palë krimi” bëhet edhe shteti, i cili në vend t’i çoj para drejtësisë, i emëron në punë e detyra zyrtare, ku ka miliarda leke tenderësh, por edhe në vende pune, ku bëhet moral për drejtësi.

Një skandal i tillë, ka ndodhur me bosen e Gërdecit, koordinatoren e të drejtave njerëzore në PD, Henris Fahri Balliu e cila, sipas krimit “vrasje masive me paramendim”, të bërë në fabrikën e demontim-trafikimit të municioneve luftarake shtetërore më 15 mars 2008, duhej të ishte tek “7 penxheret”, për biznes krimin me të cilin vrau 26 njezëz, mes tyre gra e fëmijë dhe shkatërroi 3000 banesa e biznese.

Por çuditërisht “Silvia Konti” ose “lavirja e Bulevardit” siç e quajti Saliu dhe gazeta e “Ballinjve” të Gërdecit (Ina Rama), pas këtij krimi nuk e hipi vajzën e “kapural” Fahriut në furgonin e policisë, por e lejoi të mbushte çantën me milionat e gjakosura, të nxjerra nga biznes-krimi i Gërdecit de të shkonte për studime “Master”, në Londër.

Në gusht 2011, pasi u kthye në Shqipëri, “shoku i babit” Shegani i Juridikut dhe Myqo Tafaj i Ministrisë së Arsimit, i bënë letrat brenda ditës tek zyra e Fahriut dhe e emëruan “profesore” me kohë të plotë, në Fakultetin e Drejtësisë, në “Departamentin e të Drejtës Publike”, ku prej 7 vitesh, bosja e Gërdecit, që nuk ka dhënë akoma llogari para drejtësisë, për krimin me 26 viktima, vazhdon të jap leksione drejtësie në lëndën “E drejta publike”!

Kujtojmë, që Henris Fahri Balliu, deri 1 vit pas shpërthimit të fabrikës, ka qenë bashkëpronare me 20% të aksioneve në biznes-krimin e Gërdecit, bashkuar me Delijorgjin, Zenin, Trebickën, Pinarin, Argitën e Fatmir Mediun, në firmën “Trans Digging Construction”, themeluar qëllimisht për këtë biznes-trafiku municionesh, në datën 27 shtator 2017, kur profesorja Balliu e Juridikut, ka qenë 21 vjeçe dhe ishte me studime në Londër, për “Drejtësi”.

Pas daljes së sekretit, “babi Fahrua” deklaroi, se vajza e tij i kishte shitur aksionet dhe pas kësaj, së bashku me Saliun, Zenin, Kuliçin, Mediun e ca “trima” të tjerë në policinë e shtetit të kohës së Saliut, “ftuan për gjueti” Kosta Trebickën, por rrugës, makina e tij u “godit aksidentalisht nga një lepur dhe humbi kontrollin”, duke u përmbysur në lëndinë e për pasojë, Trebicka humbi jetën “aksidentalisht”, ndërsa “vëlla Fahrua” i shkoi në varrim, në emër të qeverisë dhe familjes “Berisha”…

Ja “Kabllogrami” i Ambasadës së SHBA-Tiranë, për lidhjet e “Ballinjve” me Gërdecin

AMBASADA E SHBA-TIRANË, Data 17 PRILL 2009/ “Një tjetër person nga klani i Berishës zhytet brenda Gërdecit.

Mediat gjithashtu, kanë raportuar këtë javë, se një kompani në pronësi të Mihal Delijorgjit dhe Henris Balliut (vajza e Fahri Balliut, anëtar i trupës drejtuese të PD dhe këshilltar i afërt i kryeministrit Berisha), ka nisur në mënyrë ilegale, ndërtimin e fabrikës së demontimit në Gërdec, në prill të vitit 2007, ose 4 muaj para se të krijohej kompania e biznesit dhe 1 vit, para se Këshilli i Ministrave të jepte aprovimin zyrtar, për kompanitë private (përfshi firmën “Albademil” të Delijorgjit”./Pamfleti

Bosja e Gërdecit, që duhej çuar në pranga, emërohet profesore në Fakultetin e Drejtësisë Read More »

Gushti vazhdon…në shtator

Jemi në gusht por dy ditët e fundit temperaturat kanë pësuar rënie duke në bërë të ndihemi sikur jemi në një vjeshtë të hershme.Mirëpo, si duket gushti do të vijojë në shtator.

Meteorologia Tanja Porja ka treguar se si do të vijojë moti ditët e ardhshme, ajo tha:

Shira të dobët në pjesën më të madhe të Shqipërisë, ndërkohë që priten rrebeshe të përkohshme në zonat qendrore dhe juglindore. Këto kushte do të na shoqërojnë deri në orët e vona të pasdites së sotme dhe më pas gradualisht pritet kthjellimi i motit në zonat perëndimore, por edhe gjatë natës dhe ditën e martë pritet kthjellimi i motit në të gjithë territorin shqiptar. E mërkura deri në fundjavë ka rritje të lehta të temperaturave, pra rikthehen sërish temperaturat e larta.”
Por, surprizat nuk mbarojnë këtu, pasi Porja shpejton që edhe muajt e fundit të këtij viti do sjellin befasi jo të paktë.

Meteorologia përfundoi:

Dhe muaji shtator parashikoj në fakt që të jetë më i ngrohtë sesa një shtator normal, duke qenë se ka pasur një aktivizim të fenomenit gjatë muajit gusht, pritet që deri në fund të 2018 kjo anomali do të sjellë më shumë reshje, si dhe dhjetori që është muaji i parë i stinës së dimrit parashikoj të jetë më i ngrohtë se një dhjetor normal.”

Gushti vazhdon…në shtator Read More »

“Me dashuri nga Tirana”/ Pamje e pazakontë e kapur në rrugët e kryeqytetit

Nuk janë të pakta rastet kur makina e “Google Street View” ka fotografuar në rrugët e mbarë botes skema nga më të çuditshmet.

Njerëz të rrëzuar, njerëz duke u masturbuar, fantazma, njerëz që puthen, dasma, teksa filmoheshin filma e plot imazhe të tilla të cilat gjendjen nëse kërkon rrugë specifike.

Por ajo që gjendet në një prej rrugëve të Tiranës është ndoshta imazhi përfaqësues i shoqërisë tonë, e dhunshme!

Ekzaktësisht në rrugën “Violeta Manushi”, kamerat e Google Street kanë kapur një skenë llahtari sherri, ku janë përfshirë dy djem dhe 3 gra.

Njëri nga djemtë është i zhveshur dhe i zbathur, çka do të thotë që sherri kishte degraduar.

Epo, jetojmë në Shqipëri, nuk keni parë akoma asgjë…/JOQ.al

“Me dashuri nga Tirana”/ Pamje e pazakontë e kapur në rrugët e kryeqytetit Read More »

“Lovely Planet”, pamje mahnitëse nga Alpet shqiptare

Alpet Shqiptare po mahnisin gjithnjë e më shumë turistët e huaj, duke u kthyer me shpejtësi në një destinacionin e tyre të preferuar.

Turistët që zgjedhin Alpet Shqiptare dhe Luginën e Valbonës për të shijuar bukurinë dhe klimën e mrekullueshme të tyre, po shtohen dita ditës.

Në kërkim të shtigjeve të pashenjuara, kompania mediatike e sporteve ekstreme dhe aktiviteteve outdoor, Teton Gravity Research, pjesë e Lonely Planet, ka vizituar Shqipërinë dhe ka prodhuar këto pamje mahnitëse të Alpeve tona.

Turistët që zgjedhin Luginën e Valbonës dhe Alpet Shqiptare për të kaluar pushimet e tyre, do të kenë informacionin e domosdoshëm për këtë destinacion, aktivitetet, shërbimet dhe pikat me interes për t’u vizituar.

Duke nisur nga data 1 Gusht, Fondi Shqiptar i Zhvillimit ka hapur Zyrën e Informacionit Turistik në Valbonë. Po ashtu FSHZH ka kontribuar ne hartimin e Masterplanit të Alpeve, dokumenti strategjik i zhvillimit të rajonit për 15 vitet e ardhshme, ndërsa ka nisur investimet e para bazuar në këtë dokument.

Alpet Shqiptare shtrihen në veri të lumit Drin dhe në perëndim të rrjedhjes së poshtme të lumit Valbona (degë e Drinit). Ato përfshijnë pjesën veriore të vendit dhe zënë rreth 8% të tij; kanë pozitë gjeografike tepër të izoluar, sepse rrugët që i lidhin ato me rajonet e tjera të vendit dhe trevat shqiptare jashtë kufirit, janë të pakta dhe në gjendje të keqe.
Tek Alpet dallohen blloqet, malësitë, kurrizet malore dhe luginat:

Blloku i Jezercës shtrihet në qendër të Alpeve dhe ka reliev më të lartë, më të ashpër dhe më të thepisur. Aty ndodhet maja e Jezercës 2694 m, më e larta në Alpet dhe e dyta në Shqipëri, pas majës së Korabit.

Malësia e Madhe shtrihet në veriperëndim të Alpeve. Në përbërje të saj ka kurrize malore, blloqe e male të larta (Bjeshkët e Namuna me Iartësi 2400 – 2500 m) si dhe disa pllaja të larta (Velecik – Bridashe) dhe disa lugina: e Vermoshit, e Cemit, e Përroit të Thatë etj.).

Lugina e Shalës është ndër më të mëdhatë në Alpet Shqiptare. Përgjatë saj ndërthuren zgjerimet, në të cilat janë vendosur qendrat e banuara (Thethi, Bregu i Lumit etj.) me ngushtimet, që në disa raste marrin formën e kanioneve.

Kurrizet malore midis luginës së Shalës e Valbonës, që ndahen nga lugina e Currajt, kanë reliev të ashpër me plot maja të ashpra dhe të thepisura dhe bimësi të dendur pyjore.
Lugina e Valbonës, një luginë tjetër e madhe e Alpeve, ka formën e një harku të madh. Përgjatë saj ndërthuren zgjerimet me ngushtimet, shpesh në formën e kanioneve. Në zgjerimet janë vendosur qendrat e banuara si: Ragami, Valbona, Dragobia etj.  Parku Kombëtar i Valbonës shtrihet në 8,000 m hektarë dhe kosiderohet si mrekullia e Alpeve shqiptare.

Malësia e Gashit përmendet për relievin e ashpër me forma të shumta akullnajore, në të cilat ka liqene të vogla, por me bukuri të rrallë, pyje dhe kullota të pasura.

Parku Kombëtar i Thethit. Ndodhet në një distancë prej 70 km nga qyteti i Shkodrës në zemër të alpeve shqiptare. Parku në fjalë ka një sipërfaqe prej 2.630 hektar dhe shtrihet në një lartësi që varion nga 600 – 2.570 metra mbi nivelin e detit.

Razma është një prej pikave turistike malore më të frekuentuara nga qyteti i Shkodrës. Zona është e rrethuar me pyje pishe dhe mënshteke. Ajo nuk bllokohet nga dëbora ndaj mbetet e vizitueshme gjatë gjithë vitit. Këtu ofrohet akomodim, ndërsa aktivitetet kryesore janë sportet dimërore, ekskursionet, ngjitjet etj.

Vermoshi ndodhet në një distancë prej 95 km larg nga qyteti i Shkodrës dhe pikërisht në ekstremin më verior të Republikës së Shqipërisë. Kjo zonë quhet krahina e Kelmendit./atsh

https://www.facebook.com/albaniandf/videos/1920819961555751/?t=0

“Lovely Planet”, pamje mahnitëse nga Alpet shqiptare Read More »

Ah mjerë shqiptarët, sa e trishtë të mos ushqehesh për të kursyer. Ja çfarë “heqim nga goja” ne

Në një ekonomi të konsumit, duket e çuditshme të kursyerit tek ushqimet. Megjithatë, për 38% e shqiptarëve të pyetur në anketën e cilësisë së jetës së Komisionit Europian, thanë se kanë blerë më pak fruta dhe perime për të kursyer para dhe 46% e tyre kishin blerë më pak mish nga se ju nevojitej për të njëjtën arsye.

Përqindja e të anketuarve që iu janë përgjigjur me po pyetjes nëse kanë blerë më pak perime dhe fruta, por edhe mish, është më e larta në Shqipëri nga të gjitha vendet anëtare të Bashkimit Europian, por edhe nga vendet kandidate për tu anëtarësuar.
Në krahasim me vendet e rajonit, diferenca është e konsiderueshme. Pas Shqipërisë renditet Maqedonia, ku vetëm 28% e të anketuarve u përgjigjën se kanë blerë më pak perime dhe fruta që të kursejnë para, dhe 35% e tyre pohuan se kursyen tek racioni i mishit. Në Malin e Zi dhe në Serbi, përqindja e të anketuarve që thanë se kursyen tek blerja e frutave dhe perimeve është përkatësisht 15-16%.

Ndër vendet anëtare të Bashkimit Europian, Suedia ka përqindjen më të ulët të të anketuarve që kanë pohuar se kanë kursyer te blerja e frutave dhe perimeve për të kursyer, me vetëm 3%. Ndërsa më e larta ka qenë në Rumani, ku sipas Anketës së Cilësisë së Jetës, përqindja e të pyeturve që kanë kursyer te frutat dhe perimet është 29%.

Përqindja e lartë Bullgari dhe Greqi, me përkatësisht 18 dhe 16%.

Më të varfrit, tryezën më bosh

Individët me të ardhura të ulëta janë ata të cilët sakrifikojnë te ushqimi. Sipas kategorive të të ardhurave, përqindja e të anketuarvenë Shqipëri që i përkisnin Grupit të parë (të ardhurat më të ulëta) dhe të cilët kishin kursyer te frutat dhe perimet ishte 60%, me e larta krahasuar për të njëjtin grup në të gjithë Europën. Në vendin fqinj, Malin e Zi, përqindja për këtë grup është vetëm 13%, në Turqi 33%, në Serbi 37% dhe në Maqedoni 46%./korrieri

Ah mjerë shqiptarët, sa e trishtë të mos ushqehesh për të kursyer. Ja çfarë “heqim nga goja” ne Read More »