Aktualitet

VIDEO/ Skandali, makarona të skaduara greke për fëmijët e çerdheve

Kamera e fshehtë e emisionit ‘Stop’ nisi sezonin e ri duke shfaqur sesi tregtohen në mënyrë ilegale produkte të skaduara në një magazinë në Strumë të Roskovecit.

Flori quhet personi që e zhvillon këtë aktivitet, i cili thotë se produktet merren me TVSH nga Greqia dhe se janë të skaduara, çka për të nuk përbën problem.

Prindërit e Florit, të përfshirë në këtë ‘biznes’, thanë se tregtojnë edhe miell, apo sheqer për llokume.

Ndërkohë që këto produkte ushqimore kanë skaduar që në Janar të vitit 2018, apo në Tetor të vitit 2017, shiten edhe për çerdhe.

Takimi me Florin

Flori – Unë po synoj për vete, siç të thashë. Nuk janë, nuk kanë lagështirë… është ndryshe. Këto janë të pahapura, thjesht se iu ka kaluar data. Ato janë greke, se po të ishin shqiptare do i rrasnim datën tjetër.

Klienti – Ato prodhim shqiptar për Shqipërinë futeshin. E kupton? Për supermarketet shqiptare.

Flori – Mirë, mirë! Po të ishin për… e kam fjalën ai rri në Greqi… pronari. Se po të rrinte këtu ai, e kishte ndërruar datën e skadencës. Se kishte bërë dhe ndonjë dallavere.

Klienti – Po, se më tha babi jot, kur isha atje. Tha që këto janë për ripaketim, më tha mua.

Flori – Mirë, mirë! Po të ishte shqiptar ai e bën… po të rrinte në Shqipëri…

Klienti – Nga greku i sjell?

Flori – Po, pra!

Takimi me të ëmën e Florit

Klienti – Si je? Mirë? Shtëpia e Haxhiut është apo jo? Në mos gaboj, kam folur deri tani me çunin. Çuni juaj ma ka treguar rrugën në telefon, ngaqë s’po e gjeja dot dhe nuk ishte vetë. Kam ardhur të marr ca ushqime.

Tani e kemi lënë me çunin për makarona, po ai më tha mund të shikosh edhe gjë tjetër, ça të duhet.

E ëma e Florit – Ça për shembull?

Klienti – Unë i dua për çerdhe.

E ëma e Florit – Për çerdhe do shikosh një herë te makina.

Klienti – Ça ka aty te makina?

E ëma e Florit – Ja këto ka, po ta shikosh, këto ka.

Klienti – Këto janë të skaduara, apo jo?

E ëma e Florit – Eeeee, po t’i shikosh një çikë datën, se kanë nga 2 muaj, 3 muaj.

Klienti – Nga 2 muaj, nga 3 muaj që kanë ashtu… Këto nuk janë prodhim shqiptar?

E ëma e Florit – Ku di unë? Këto vijnë nga jashtë më duket.

Klienti – Orizi me sa e ka kilogramin?

E ëma e Florit – Me 6 (60 lekë)

Klienti – Makaronat me…?

E ëma e Florit – Me sa e ke lënë me djalin?

Klienti – Me 4 (40 lekë).

Blerja e produkteve të skaduara

Klienti – Tani unë dua të di dy gjëra.

I ati i Florit – Po!

Klienti – Këto nga vijnë?

I ati i Florit – Këto vijnë nga greku.

Klienti – Nga greku?

I ati i Florit – Janë futur nga Jorgocati, o mik. Këto janë marrë me TVSH.

Klienti – Me TVSH?

I ati i Florit –Po!

Klienti – Të sakta?

I ati i Florit – Jo të sakta jo, se ka kaluar një çikë skadenca.

Klienti – E pashë nga 2 muaj, 3 muaj…

I ati i Florit – Jam për pazar nesër.

Klienti – Nxjerr në pazar ëëë…

I ati i Florit – Po re, si jo? Marrin për të ngrënë. Ka dhe nga këto gjysëm kilëshe, ka nga kjo, ça është kjo, Mediterrano, Pasta Di Salmone, Di Granda Duro. Do si kto?

Klienti – E njëjta firmë është.

I ati i Florit – Do si këto? Po duhen gjetur dhe kodet. Mund të ketë edhe lloje të tjera, se kto janë ato gjysmë kilëshet.

Klienti – Kjo thotë pesha neto 340 gramë, data e skadimit Janar 2018, 100 % nga grurë i fortë.

I ati i Florit – Kurse kto janë Tetor i 2017-ës.

Klienti – Tetor 2017 thotë?

I ati i Florit – Po s’ka gjë dhe ajo… makarona o burrë.

Klienti – Nejse, mua do m’i bësh nga të gjitha llojet: 10 kg, 10, 10 edhe orizin!

I ati i Florit – 1 , 2 , 3 , 4 , 5 , 9 edhe 3 = dymbëdhjetë 14, 16, 18, 20.

Klienti – I hedhim në kandar ne më mirë?

I ati i Florit – I do nga 10 kile të tëra ti?

Klienti – Nga 10 të tëra m’i bëj mua! Po këtë e marrin supermarketet, apo e merrni direkt ju?

I ati i Florit – Edhe njëherë: këto kanë qenë në supermarkete. Po meqënëse ka kaluar ajo (data e skandencës)…

Klienti – Janë mbledhur.

I ati i Florit –Edhe i mbledhin prapë, ripaketohen. Kjo është ajo ‘latino’, prandaj them.

Klienti – Po hajt mo, bëj dhe 4 nga kjo! Kjo sa është? Gjysmë kilëshe?

I ati i Florit – 480 gramshe. Merri dhe këto 4.

Klienti – Po këta thasët, ça kanë këta thasët?

I ati i Florit – Ata janë thasë bosh. Aty ka sheqer të imët për llokume, për ëmbëlsira dhe sheqeri ka rënë. 17 kile 1200 (lekë).

E ëma e Florit – U rregulluat?

Klienti – U rregullua.

Klienti – Po kishe të 2017-ës, që kanë skaduar në 2017, kishte Janar, edhe Prill disa.

E ëma e Florit – Merrje të Prillit.

Klienti – Po pra, po! Të Prillit morëm, gjetëm ca të Prillit.

E ëma e Florit – E ato merr se s’i dihet. Ato s’kanë gjë, po merri tamam se fëmijë të vegjël.

I ati i Florit – Tashi…

Klienti – Urdhëro!

I ati i Florit – Unë të thashë 21 500. (llogaritje)

Klienti –  1 , 2 , 3 , 4 , 5, 25 mijë lekë.

I ati i Florit – Më jep 350 lekë këtu se s’kam asnjë lekë!

E ëma e Florit – Shiko! Atë 5 mijëshen, jepja 2 makarona ti, jepi 4 mijë lekë!

I ati i Florit – Ashtu 2 edhe 1, 3. Ça të jap 2 makarona?

Klienti – Ça të duash ti!

I ati i Florit – Merr dy pako, një kshu, një kshu, hidhi brenda. Ti ku e ke si dyqan?

Klienti – Unë s’i kam për dyqan, i kam për çerdhe. I kam për çerdhe unë, them.

I ati i Florit – E mirë, s’ka problem. Ajo ulet cilësia, pse deri dje nuk ishin në supermarket ato?! Ça kanë?! Asnjë gjë.

Por si e zbuloi emisioni ‘Stop’ shitjen e këtyre produkteve të skaduara? Flori ka nxjerrë një lajmërim në një faqe, ku shkruante: ‘Makarona të skaduara, janë shumë të pastra dhe të paketuara me pako kartoni, thjesht u ka kaluar afati. Për më shumë info telefononi ne 06XXXXXX61’.

Moderatorët e emisionit ‘Stop’, Saimir Kodra dhe Gentian Zenelaj bënë apel për reagimin e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, në mënyrë që të na ofrojnë siguri ushqimore./tvklan.al

VIDEO/ Skandali, makarona të skaduara greke për fëmijët e çerdheve Read More »

Seri vrasjesh të pazbuluara në Shkodër, befason Xhafaj: Opozita po bën sulm agresiv për të nxirë imazhin policisë

Ndërkohë që opozita zhvillonte në Shkodër një takim të jashtëzakonshëm, si mesazh kundër krimit në këtë qytet, ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj, nuk i ka kursyer kritikat. Nga foltorja e Kuvendit, Xhafaj tha se sulmi i opozitës është agresic dhe i qëllimshëm për të nxirë imazhin e policisë dhe të vendit.

Lidhur me ngjarjet e rënda të ndodhur së fundmi në vend, duke iu referuar edhe vrasjeve në Shkodër, ministri i Brendshëm u shpreh se Policia po bën punën maksimale për zbardhjen e dinamikës dhe kapjen e autorëve.

“Ajo që po bën opozita është një sulm agresiv i qëllimshëm për të nxirë imazhin e policisë dhe të vendit. Nuk dua t’i hyjë farë diskutimit se cila është natyra e disa prej viktimave të përfshirë në këto ngjarje, apo sa dhe si këta ta fundit kanë qenë vetë të përfshirë në vrasje të mëparshme.

natyrisht për ne cdo rast vrasje përbën një ngjarje të rëndë sepse janë jetë njerëzish dhe cenojnë sigurinë qytetare. Ne jemi duke iu shkuar në fund këtyre rasteve dhe shumë shpejt do të zbardhim ehde autorët, kjo sa i takon përgjegjësisë sonë. Sa i përket opozitës, kanë zgjedhur një kauzë të gabuar. Në këto muaj kemi bërë një skanim të qartë dhe të hollë të grupeve kriminale që nuk u krijuan sot, por kanë vite. Kemi goditur një pjesë të këtyre grupeve”, tha ministri Xhafaj.

Seri vrasjesh të pazbuluara në Shkodër, befason Xhafaj: Opozita po bën sulm agresiv për të nxirë imazhin policisë Read More »

Kush do të jetë ‘viktima’ e parë e ‘Stop’?

Kamera e fshehtë dhe faktim me zë e figurë për një nga problemet më shqetësuese për të gjithë ne.

Kjo mësohet, se do të jetë në qendër të puntatës së parë të emisionit të sotëm ‘Stop’, që rinis në mbrëmje në orën 20:10 në sezonin e katërt në ekranin e Klan.

Veç kamerës së fshehtë, nuk do mungojë edhe humori veror me gjithçka ‘pikante’ ka ndodhur gjatë muajve të nxehtë.

Stafi i ‘Stop’ ka përveshur mëngët këto ditë, edhe pse puna nuk ka ndaluar as gjatë verës.

Puntatë dhe sezon, për të mos u humbur, premtojnë realizuesit e njërit prej emisioneve më të ndjekura në vend.

Kush do të jetë ‘viktima’ e parë e ‘Stop’? Read More »

“Ju kam dhj*rë mu në shqiponjën që bëni me kryqëzimin e duarve”

Nga Mentor Kikia

Dashuria për Shqipërinë nuk tregohet duke bërë shqiponjën me duar Edi Rama lëshoi dy batuta, të shtunën në Vlorë, ndërsa fliste për turizmin, të cilat unë dua ti risjell:

“Në drejtim të pastërtisë, kemi bërë përparime. Nga shumë pis, tani jemi pis”. “Ju që e doni këtë vend, mos e tregoni dashurinë vetëm kur luan kombëtarja, por duke mos e ndotur atë”.

Qeveria e Ramës do të ikë duke mbajtur të njëjtat përgjegjësi dhe të njëjtat dështime në gjetjen e një zgjidhjeje për problemin e mbetjeve.

Por sot dua të merrem me njerëzit. Këto foto i bëra këtë të dielë në Dajt. Shumë njerëz i frekuentojnë lëndinat e parkut. Kaq shumë kishte sa çdo ngastër hapësirë dukej si një mjedis feste. Tymi i zgarave dhe aroma e mishit të pjekur shpërndaheshin ngado.

Por pisllëku ishte i pranishëm, po ashtu, ngado, në çdo cep. Ishin mbetje të vjetra, të një viti më parë ndoshta, e të javëve të fundit.

U largova pa pritur fundin e gostisë, pasi nuk do të doja ti shikoja shfrytëzuesit e natyrës të largoheshin njëri pas tjetrit duke lënë aty kanaçet e birrave, qeset e qymyrit, letrat, bidonat e ujit e pampersat e fëmijëve.

Pikërisht! Ju kam dhj… mu në shqiponjën që bëni me kryqëzimin e duarve.

Mu në britmat nacionaliste më flamuj kuqezi e në nervin atdhetar që ju preket kur ju shajnë edhe një futbollist shqiptar në Zvicër.

Tregojeni dashurinë për këtë vend, duke e respektuar atë, duke e ruajtur e mbajtur pastër. Askujt nuk i kushton asgjë, që mbeturinat që prodhon ti fusë në një qese e ti zbresë në qytet me makinë. Ja me sa pak bëhesh atdhetar!

“Ju kam dhj*rë mu në shqiponjën që bëni me kryqëzimin e duarve” Read More »

Punësimet, tenderat dhe gota e rakisë, sollën shkarkimin e Çukos

Përplasjet e shumta për çështjen e punësimeve në administratën e burgjeve, tenderat, gota e rakisë dhe emërimet e drejtorëve në I.E.V.P-të, kanë sjellë një konflikt të gjatë dhe stresues mes ministres së Drejtësisë Etilda Gjonaj.

Kjo e fundit ditën e sotme në mënyrë të beftë ka njoftuar Drejtorin e Përgjithshëm të Burgjeve Arben Çuko se nuk ishte më në krye të kësaj drejtorie, pasi ishte vendosur tashmë, që vendin e tij, do e drejtojë Stefan Çipa, një tjetër personazh i njohur në Partinë Socialiste.

Çuko në disa mbledhje pune me ministren Gjonaj mësohet të jetë paraqitur i dehur.

Në një komunikim telefonik Çuko tha se urdhëri i shkarkimit ka qënë i shpejtë dhe se nuk ka asnjë motivacion. “Thjesht shkarkohesh, dhe nuk ka asnjë motivacion apo arsye se pse jam shkarkuar”-deklaroi Çuko.

Prej disa kohësh mes Çukos dhe Gjonaj, kishte lindur një konflikt mes tyre, ku fillimisht sebepi i sherit janë bërë listat emërore për punësime pa kriter në administratën e burgjeve, punësime këto që Gjonaj nuk ka pranuar ti miratojë, madje madje, dhe i ka shkarkuar sapo ka mësuar praktikën e paligjshme të punësimit të tyre.

Konflikti ka pasuar më pas në procedurat e bërjes së tenderave të ushqimeve në burgje, duke vijuar më tej me listat emërore të punësimit të drejtorëve të burgjeve,lista këto që kanë qënë mjaft të kontestuara nga ministrja e Drejtësisë Gjonaj.

Konflikti i nisur mes tyre, më së fundi solli dhe krisjen përfundimtare mes dy zyrtarëve të lartë të Partisë Socialiste,ku tashmë Ramës do ti duhet që ti rigjejë dhe një vend pune në tepsinë e tij qeverisëse, mikut të tij, Arben Çuko./Pamfleti

Punësimet, tenderat dhe gota e rakisë, sollën shkarkimin e Çukos Read More »

Librat falas, Rama: Në fund të mandatit përfiton gjithë arsimi i detyruar

190 mijë fëmijë nga klasa e parë në të katërtën do të marrin librat falas këtë vit, falë reformave dhe progresit të bërë.

Kështu deklaroi sot Kryeministri Edi Rama në një takim me mësues në sallën e hartave në Kryeministri, ku informoi mbi “këtë mundësi të re për të kursyer miliona euro shpenzime të familjeve të nxënësve nga klasa e parë tek e katërta”.

“Reformat dhe progresi i bërë na ka dhënë disa hapësira të reja për të bërë më shumë investime dhe në disa drejtime ku kemi dashur edhe më parë të bëjmë më shumë, por na është dashur të shlyejmë borxhe të rënda dhe të çelim kantiere reformash”, – tha Rama.

Kryeministri premtoi se “vitin tjetër librat do të jenë falas edhe për klasën e V”.

Ndërkohë ai theksoi ambicien që “në fund të mandatit, synojmë mundësinë që për të gjithë nxënësit në arsimin e detyruar librat shkollore të jenë falas”. /atsh

 

Librat falas, Rama: Në fund të mandatit përfiton gjithë arsimi i detyruar Read More »

Vlorë, nis projekti për rikonstruksionin e poliklinikës qendrore

Poliklina qendrore e qytetit të Vlorës do të zhvendoset për t’i hapur rrugë rikonstruksionit të saj, që do ta kthejë atë në një qendër moderne mjekësore.

Drejtoria e Spitalit Rajonal Vlorë, bën të ditur se “për shkak të nisjes së punimeve, Poliklinika do të zhvendoset në godinën përballë Spitalit Rajonal në krah të Pediatrisë,në katin e dytë, mbi Bar “Frenkun”.

Ndërsa Urgjenca e Poliklinikës dhe Mikrokirurgjia do të zhvendosen në mjediset e Spitalit Rajonal të Vlorës, për t’i krijuar terrenin e nevojshëm procesit të rikonstruksionit.
Drejtoria e Spitalit Rajonal Vlorë garanton qytetarët se ky spostim i Poliklinikës, deri në përfundim të rikonstruksionit të saj, nuk do të cënojë aspak cilësinë e shërbimeve mjekësore.

Projekti i rikonstruksionit total të godinës së Poliklinikës Qendrore, ka për qëllim ofrimin e kushteve sa më bashkëkohore, brenda standardeve të duhura. Në fokus të investimit janë pacienti,marrja e shërbimeve mjekësore në kohë reale dhe në kushtet e duhura infrastrukturore.

Dy ditë më parë ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrotjes Sociale, Ogerta Manastirliu vizitoi poliklinkën e Vlorës, ku bëri të ditur se “kjo poliklinikë kishte kaq shumë nevojë për ndërhyrje për të ofruar kushte më të mira pune për stafin mjekësor, por mbi të gjitha për të ofruar një standard të ri shërbimi për qytetarët”.

Poliklinika e qytetit të Vlorës do të transformohet brenda vitit 2019 në një qendër moderne mjekësore jo vetëm sa i takon infrastrukturës, por edhe pajisjeve mjekësore./atsh

Vlorë, nis projekti për rikonstruksionin e poliklinikës qendrore Read More »

Ja mendimi i Ramës për Bllokun: Më duket kot para Lungomares në Vlorë

Kryeministri Edi Rama duket se po e shijon në maksimum Lungomaren në Vlorë.

Ai e krahëson atë me Bllokun në Tiranë.

“Lungomarja e Vlorës, ka nisur të bëhet vija më e gjatë e lokaleve dizajn në Shqipëri – mua Blloku në krahasim me të, më duket si Ligue1 ne krahasim me Premier League”, shprehet Rama.

Lungomare është një nga veprat e tij më të rëndësishme në Vlorë, ku është edhe deputet.

Ja mendimi i Ramës për Bllokun: Më duket kot para Lungomares në Vlorë Read More »