Tashmë duket se vjeshta është në stinën e vet, pasi sinoptikanët parashikojnë që këtë fundjavë të ketë reshje dhe ulje të temperaturave në pjesën më të madhe të vendit.
Sipas Institutit të Gjeoshkencave Energjisë, Ujit dhe Mjedisit zonat më të rrezikuara për reshjet janë ato bregdetare dhe malore, ku mund të ketë edhe shtrëngata.
Reshjet
Sot pasdite dhe nesër pasdite priten reshje të dobëta në disa prej qarqeve (siç tregohet në tabelë, respektivisht për secilin qark).
Në qarkun Vlorë ato mund të jenë deri lokalisht mesatare.
Në këtë qark në zona shumë të kufizuara, nuk përjashtohet mundësia (ndonëse shumë e vogël) që të ketë ndonjë reshje në formë shtrëngate me kohëzgjatje të shkurtër (jo më shumë se 1 orë), më e mundshme në terrenet malore (dhe ato pranë tyre).
Temperaturat
Nesër temperaturat minimale dhe maksimale të ajrit pritet të arrijnë:
në bregdet: 18 / 26 °C
në vendet e ulëta: 15 / 28 °C
në vendet malore: 10 / 19 °C
Era
Sot pasdite dhe nesër era do të vazhdojë të fryjë e lehtë deri mesatare, për momente të shkurtra deri e fortë.
Zjarret në pyje
Sot pasdite dhe nesër shumica e qarqeve do të jenë në nivelin “i moderuar” të rrezikut.
Qarqet Gjirokastër dhe Berat pritet të jenë në nivelin “i ulët”, ndërsa Vlora “s’ka rrezik” për zjarre (siç tregohet në tabelë, respektivisht për secilin qark).
Ndërmjet qarqeve me rrezik “i moderuar” qarqet KUKËS dhe LEZHË pritet të jenë në rrezik më të lartë krahasuar me të tjerët.
Rreziku pritet të jetë më i lartë gjatë ditës së sotme.
Atë që nuk po arrin ta bëjë Komuna e Prishtinës, ka zgjedhur ta bëjë një i moshuar. 77 vjeçari, Faik Sefa, nga Koliqi, ka më shumë se pesë vjet që kujdeset për shtatoren e Nënë Terezës dhe hapësirën rreth saj. Ai e pastron këtë hapësirë më shumë se pesë herë në ditë, ndonëse nuk merr asnjë cent për këtë. Thotë se këtë e bën në shenjë falënderimi për atë që ka bërë humanistja për shqiptarët përgjatë viteve. E një shenjë respekti për punën e tij, disa biznesmenë kanë mbledhur rreth 1 mijë dollarë. Express sjell rrëfimin e 77 vjeçarit për punën që bën
Faik Sefa zgjohet herët çdo mëngjes e niset për në “punën” e tij.
Para orës 08:00, ai përditë merr rrugën drejt sheshit ‘Nëna Terezë’, për të pastruar shtatoren e humanistes dhe hapësirën rreth saj, ndonëse nuk merr asnjë cent për këtë.
Këtë punë ai thotë se e bën për më shumë se pesë vjet rregullisht, si shenjë falënderimi për atë që ka bërë Nëna Terezë për shqiptarët. Derisa shton se për punën që bënë nuk merr asgjë në këmbim.
“Unë e bëj këtë punë qe pesë vite rregullisht. Prej mëngjesi qe pesë herë e kom fshi, edhe e kam la, veq për hatër që na u ka gjend edhe na ka ndihmu. Krejt shqiptarisë na ka ndihmu. Gjithë këtë punë e kam ba prej vullnetin, e për pare se kisha ba kurrë me marrë fshisën pas kaq vitesh”, tregon Sefa për Gazetën Express.
77 vjeçari nga Koliqi tregon edhe një rast kur ai kishte qenë i sëmurë, dhe se si i kishte siguruar ilaçet tek shoqata “Nëna Terezë”. Thotë se këto të mira, po mundohet t[ia kthejë në këtë formë.
“Unë për veti kam qenë i sëmurë në 97’ën, unë i kam marrë ilaçet të Nëna Terezë e jam shëruar. Gjithë këto të mira, unë po mundohem me ia kthy qeshtu. Vijë në ore tetë gjithë, edhe e pastroj pesë herë në ditë, por nëse ka nevojë edhe më shumë”, thotë ai.
Por, edhe pse ai kujdeset çdo ditë për këtë hapësirë dhe e pastron, ka të tjerë që e dëmtojnë. Deklaron se po të mos kujdeset vetë për të, kush e di se në çfarë gjendjeje do të ishte tani.
Sefa thotë se Komuna duhet të kujdeset më shumë për këto hapësira, pasi që sipas tij nuk po bën sa duhet në mirëmbajtjen e shesheve.
“Këtu vijnë shumë gra më fëmijë, e po e dëmtojnë edhe shtatoren se fëmijët po drejtojnë gurë nga ajo, edhe kur të iu them që me u kujdes për ta ma bajnë çka po të intereson. Ne duhet të gjithë më u kujdes për ta se ka ndihmu. Komuna duhet të bëjë më shumë për këto hapësira”, tregon Sefa.
E ndonëse e bën këtë punë nga vullneti, disa biznesmenë kanë vendosur që të mbledhin disa para për të në shenjë respekti për punën që bën.
Ka qenë biznismeni Naim Dedushaj që ka marrë këtë iniciativë. Dedushaj tregon se si bashkë me disa biznismenë shqiptaro-amerikanë kanë mbledhur rreth 1 mijë dollarë për të.
Dedushaj i ka thënë Gazetës Express se do të vazhdojnë të mbledhin edhe fonde të tjera simbolikë në shenjë të respektit për punën që bën ai. Derisa shton se Faiku po e bën atë që në fakt do të duhej ta bënte Komuna e Prishtinës.
“Për shkak të respektit, disa shokë të mijë biznesmenë kur kanë ardhë në vizitë, janë taku me të, edhe kanë vendos që ta mbledhin një shumë simbolike sa për respekt. Kemi mbledh një shumë prej 1 mijë dollarësh nga shokët në Amerikë, dhe besojmë që do të vazhdojmë që të mbledhim sërish para”, ka thënë ai.
Ai thotë se Komuna do të duhej ta rinovonte këtë pjesë dhe t’i shtonte disa shporta të mbeturinave, pasi që aktualet janë të dëmtuara tërësisht.
Shton se nëse komuna nuk merr masa, ai do të kërkojë nga biznesmenët që të investojnë në këtë hapësirë, pasi që siç thotë ai, sheshet janë pasqyrë e kryeqytetit.
“Ka nevojë për një renovim në tërësi pasi që secili delegacion që vjen kalon këndej, dhe është njëfarë forme edhe pasqyrë e qytetit. Është dashtë që Komuna dhe institucionet e tjera të kenë një përkujdesje më të madhe për këtë. Nëse komuna nuk merr masa do të investojmë ne”, thotë Dedushaj.
Plaku 77 vjeçar thotë se do të vazhdojë ta bëjë këtë punë derisa ta mbajnë këmbët, me shpresën se Komuna në të ardhmen do të bëjë më shumë për këtë hapësirë, derisa shton se të mirat që ka bërë Nëna Terezë nuk duhet të harrohen asnjëherë. /Gazeta Express.
Këshilli i Qarkut Vlorë, i përfaqësuar nga Kryetari Ervis Moçka po merr pjesë si anëtar me të drejtë vote, në takimin e katërt të Komitetit të Përbashkët Monitorues në Programin e Bashkëpunimit Ndërkufitar Greqi – Shqipëri 2014 – 2020. Takimi i mbajtur në Prevezë ka rëndësi të veçantë për thirrjen e re të miratimit të projekteve strategjike të bashkëpunimit ndërkufitar. Komiteti i përbashkët miratoi rregullat e thirrjes së 4rt e cila do të përqëndrohet në projekte mbi dy prioritete:
1.Rritja e efiçencës energjitike në institucionet dhe hapësirat publike
2. Ruajtja dhe promovimi i burimeve natyrore dhe kulturore me qëllim zhvillimin e turizmit ndërkufitar.
Këshilli i Qarkut Vlorë inkurajon të gjithë aktorët rajonal (institucione publike dhe organizata të shoqërisë civile – këto te fundit mund të konkurojnë vetën në prioritetin e 2të) që të marrin pjesë në thirrjen e 4rt, e cila do të shpallet së shpejti, dhe ofron gjithë mbështetjen e nevojshme për identifikimin e partnerëve të mundshëm nga pala greke.
Politikanët e korruptuar dhe të inkriminuar shqiptarë duket se do t’i presë i njëjti fund si kroatët, teksa po merret shembulli kroat në luftën ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit. Kroatët kanë dërguar pas hekurave me mijëra zyrtarë, përfshirë kryeministra, ministra, deputetë, kryebashkiakë, etj. Por për të arritur deri këtu, një rol të rëndësishëm pati bashkëpunimi me agjenci ndërkombëtare ligjzbatuese.
Kroacia firmosi marrëveshje me Europol, Eurojust, FATF, Edmond Group, Carin, Aro, etj. Por dhe vendi ynë është në gjurmë të saj. Pak ditë më parë ‘Sot’ publikoi marrëveshjen me Eurojust, ndërsa dje në Kuvend ka shkuar një marrëveshje, ku i hapet rruga Europol-it të sjellë në Tiranë agjentë.
Agjencia e Bashkimit Evropian për Bashkëpunimin në Zbatimin e Ligjit (Europol) ka në fokus krimin e organizuar dhe terrorizmin, pasi heton krimet kur dalin përtej një shteti. Por në Kroaci, Rumani, etj., jep asistencë dhe për korrupsionin apo lidhjet e politikës me krimin. Fakti që pak javë më parë u arrit pakti me Eurojust dhe tani Europol do sjellë një agjent ndërlidhës, tregohet se po përgatitet terreni para ngritjes së SPAK.
Marrëveshja me Europol
Projektligji i dërguar në Kuvend synon ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Agjencisë së Bashkimit Evropian për Bashkëpunimin e Zbatimit të Ligjit, për vendosjen e oficerit ndërlidhës të Europol-it, e cila është miratuar në parim me vendimin nr.403, datë 4.7.2018, të Këshillit të Ministrave, dhe është nënshkruar nga palët. Ky draft i hap rrugë Europol-it të sjellë një oficer ndërlidhës në vendin tonë.
Ai do ketë askes në të dhënat e institucioneve ligjzbatuese dhe do ndihmojë këto të fundit dhe për informacione nga jashtë. Neni 3 përcakton statusin e oficerit ndërlidhës, ku parashikohet se Shqipëria, brenda territorit të saj, do t’i japë zyrtarit ndërlidhës të Europol-it të njëjtat privilegje dhe imunitete si ato të akorduara nga Shqipëria për shtetet anëtare, me gradë të krahasueshme të stafit të misioneve diplomatike të vendosura në Shqipëri. Neni 4 përcakton metodat e punës, ku parashikohet se gjatë shkëmbimit të informacionit oficeri ndërlidhës i Europol-it do të komunikojë me pikat kombëtare të kontaktit dhe me autoritetet kombëtare kompetente, siç është përcaktuar në marrëveshje ose në ndonjë entitet tjetër specifik brenda Shqipërisë, i dedikuar për këtë qëllim.
Neni 5 parashikon çështjet administrative për vendosjen e zyrës së oficerit ndërlidhës në Shqipëri, si dhe parashikohet përjashtimi nga të gjitha detyrimet doganore, ndalimet dhe kufizimet në importin e eksportin në lidhje me mallrat për përdorim zyrtar.Neni 6 përcakton mënyrën për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve dhe përgjegjësive në rast konflikti. Neni 7 përcakton modalitetet për ndryshimet që mund t’i bëhen marrëveshjes. Ndërsa neni 8 përcakton modalitetet për përfundimin e marrëveshjes nga palët. Pra duket se ndërkombëtarët po bëjnë gati terrenin dhe sapo SPAK të jetë gati, pritet reprezalje.
Një luftë të re në Ballkan ka paralajmëruar Presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker. Ai ka thënë se Bashkimi Evropian duhet të tregojë seriozitet sa i përket çështjes së Ballkanit Perëndimor, duke shprehur shqetësimet e tij se në këtë rajon të Ballkanit mund të ri ndizet përsëri një konflikt i njëjtë me atë të viteve 90-ta. “Nëse në këtë peizazh shumë kompleks të Evropës nëse krijojmë përshtypjen se nuk jemi serioz në lidhje me perspektiven evropiane dhe pranimin e Ballkanit Perëndimor në BE, më vonë ose ndoshta edhe më herët, do të përjetojmë atë që ndodhi në Ballkan në vitet 1990”, ka deklaruar Juncker në fjalimin e tij të mbajtur në një organizim të quajtur “Për një Evropë Politike Botërore”, raporton gazeta gjermane ‘Die Presse’.
Megjithatë sipas tij rruga për integrim të Ballkanit Perëndimor në BE është ende e gjatë. “Sido që të jetë futja e vendeve të Ballkanit Perëndimor si (Bosnja, Shqipëria, Serbia , Maqedonia, Mali i Zi dhe Kosova) në Bashkimin Evropian do të zgjasë shumë” ka shtuar ai. Sipas tij progresi që po bëjnë këtë vende për anëtarësim nuk është i mjaftueshëm. “Në disa vende ka progres, megjithatë ai progres nuk është i mjaftueshëm”, ka deklaruar tutje Juncker.
Juncker thotë se deri në vitin 2025 nuk do të mund të anëtarësohet Ballkani Perëndimor si tërësi në Bashkimin Evropian, si pasojë e konflikteve që kanë këto shtete të rajonit me kufijtë.
Zv/ambasadorja amerikane në Tiranë Leyla Moses Ones ka deklaruar se duhet të vijojë hetimi ndaj Saimir Tahirit dhe Emiljano Shullazit dhe se SHBA mbështesin investigimin ndaj tyre.
Këto komente, zyrtarja e lartë e ambasadës amerikanei bëri në ceremoninë e diplomimit të magjistratëve të rinj. Ajo theksoi mbështetjen e SHBA-së për sundimin e ligjit
“Shumë prokurorë e gjyqtarë kanë ardhur para jush, ata mbanin po ashtu premtimin për paanshmëri dhe besim tek publiku. Disa prej tyre shërbyen me nder, por shume nga ana vunë në diskutim sistemin. Ata dështuan në misionin e tyre për sundimin e ligjit.Diçka që nuk do të ndryshojë është mbështetja e SHBA për sundimin e ligjit. Do të jemi kundër prokurorëve dhe gjyqtarëve dhe prokurorëve që bëhen të pasur përmes korrupsionin. Për të favorizuar të fortët apo për të shmangur ligjin ndaj vetë atyre. Për të favorizuar të fortët apo për të shmangur ligjin ndaj vetë atyre”, u shpreh ajo.
Zv/ambasadorja Leyla Moses Ones vuri në dukje se gjithashtu do vazhdojmë të mbështesim ngritjen e SPAK dhe BKH.
Gazetari Artan Hoxha ka zbuluar autorin e ngjarjes së ndodhur mbrëmë në Bllok.
Ai tha se autori është është efektiv i Forcave Komando një eksperti i përdorimit të armëve. Viktimë e ngjarjes mbeti shtetasi Fabian Gaxha, 28 vjeç, ndërsa u plagosën me armë zjarri shtetasit Ervis Martinas, 36 vjeç dhe Eljon Hato, 28 vjeç.
Grupi i posaçëm hetimor i përbërë nga Specialistë të Taks Forcës Qëndrore, Specialistë të Policisë së Shtetit, Specialistë të Hetimit të Krimeve ndaj jetës dhe pronës në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, nën drejtimin e një grupi Prokurorësh të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve Ervis Martinaj, 36 vjeç, banues në Tiranë; Eljon Hato, 28 vjeç, banues në Shkodër.
Si dhe u shpallën në kërkim shtetasit E. M., 31 vjeç, banues në Tiranë; F. A., 42 vjeç, banues në Tiranë; M. B., 41 vjeç, banues në Tiranë.
Këta shtetas mbrëmjen e djeshme në rrugën “Ibrahim Rugova”, janë konfliktuar në ambientet e brendshme të një lokali duke qëlluar me armë zjarri në drejtim të njëri – tjetrit, ku si pasojë e të shtënave mbeti i vrarë shtetasi F. G., dhe u plagosën shtetasit E. M., dhe E. H., të cilët ndodhen në spital nën kujdesin e mjekëve.
Janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale:
– armë zjarri tip “Glock”
– 11 gëzhoja
– 10 000 euro
– tre automjete
– aparate celular
Materialet iu referuan për veprime të mëtejshme Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë në ngarkim të shtetasve të lartpërmendur për veprat penale “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese, kundër dy ose më shumë personave e kryer në bashkëpunim” dhe “Prodhim dhe mbajtja pa leje e armëve dhe e municionit luftarak”, të parashikuar nga nenet 79/dh-25, 278 të Kodit Penal.
Një defekt është konstatuar në avionin e linjës Venecia-Tiranë.
Avioni i linjës Blu Panorama ka pësuar defekt në ajër, vetëm 20 minuta pasi është ngritur në fluturim. Defekti është vënë re në momentin kur avioni ka qenë duke fluturuar mbi Kroaci.
Në bordin e avionit që ka pësuar defekt mësohet se ndodheshin rreth 200 pasagjerë, shumica prej të cilëve shqiptarë.
Ulja e detyruar e avionit mësohet se ishte thënë se do të ndodhte në Pecara, por më pas janë ulur ne aeroportin e Ankonas.
Pasagjerët janë shprehur për Fax News se nuk kanë marrë asnjë informacion për kohën kur do të rinisen në fluturim, dhe janë detyruar të presin me orë të tëra në Ankona.
Problemet me linjën Blu Panorama kanë qenë të shpeshta kohët e fundit, dhe qytetarët janë detyruar që të humbasin orë të tëra, pas shtyrjes së fluturimeve apo defekteve të tilla.