Aktualitet

Kthesë 360 gradë, Gjykata e Prishtinës jep vendimin për Babalen

Një ditë pas lajmit për ndalimin e Albert Veliut, vjen një tjetër informacion për “Babalen”.

Policia e Kosovës ka liruar Albert Veliun, i njohur ndryshe si “Babalja”, rreth 24 orë pas ndalimit. Gjykata e Prishtinës nuk ka pranuar kërkesën e autoriteteve shqiptare për paraburgim ndaj tij, pasi akuzohet për kallëzim të rremë.

Nga ana tjetër, vijojnë procedurat për ekstradimin e “Babales” në Shqipëri. Avokati mbrojtës, Tom Gashi ka deklaruar për Report Tv se klienti i tij Albert Veliu, ndodhej me të, pas vendimit të Gjykatës.

Albert Veliu u ndalua një ditë më parë në një kamp azilkërkuesish në Prishtinë, pas lëshimit të urdhërporosisë nga drejtësia shqiptare për arrestimin e tij, pasi ndaj tij ka një masë arresti me burg për kallëzim të rremë dhe kalim të palishëm të kufirit.

Kthesë 360 gradë, Gjykata e Prishtinës jep vendimin për Babalen Read More »

“Kush janë njerëzit që po më sulmojnë”, Izet Haxhia flet nga burgu: Do hap “kutinë e Pandorës”

Izet Haxhia, truproja e pare e ish-kryeministrit Berisha në një letër të dërguar nga burgu bën të ditur faktin se avokati e ka braktisur prej 2 muajsh, asnjë prokuror nuk ka shkuar ta marrë në pyetje, ndërsa për herë të parë akuzon vëllain e tij Ismet Haxhinë dhe Romeo Karajn se po sabotojnë çështjen e tij në gjykatë.

“Jam i detyruar t’ju drejtohem me anë të kësaj letre, për arsye se nuk kam asnjë mundësi tjetër komunikimi, pasi nuk më është dhënë e drejta të flas me asnjë media. Në bazë të rregullores së paraburgimit, për të folur me mediat kërkohet leja nga prokurori i çështjes. Por nuk ka akoma asnjë prokuror dhe asnjë trupë gjykuese, për çështjen që do rigjykohem”, shkruan Haxhia në një letër pë News24.

Haxhia flet për një sulm të organizuar ndaj tij dhe të dashurës Erjona Parruca, sulm që ka si qëllim dëmtimin e çështjes në gjykatë e që për organizatorë ka dy persona.

“Në mungesë totale të komunikimit dhe të një izolimi të plotë, e ndjej të domosdoshme t’i përgjigjem një sulmi të mirëorganizuar e djallëzor ndaj meje dhe Erjona Parrucës. Erjona është shumë më tepër se e dashura ime. Ajo është shoqja, mikja, mbështetësja ime besnike. Erjona është nderi im, gruaja ime e jetës. Dua të theksoj se ky sulm mafioz ka si qëllim të dëmtojë çështjen time në gjykatë të cilës, nuk i ka dalë akoma një trupë gjykuese, edhe pse afatet ligjore janë tejkaluar. Në krye të këtij sulmi fatkeqësisht ndodhen dy persona, njëri që hiqej si ‘mik’ (Romeo Karaj) dhe vëllai im (Ismet Haxhia).
Pasi mora të dhëna të sakta se dyshja e batakçinjve Romeo-Ismet, po kërkonin para tek njerëz të ndershëm duke përdorur emrin tim, i kërkova Erjonës që të publikonte në profilin tim në FB një status ku kërkoja që askush të mos përdorë emrin tim për të mbledhur para, apo për të bërë reklamë. Dhe fill pas këtij publikimi Erjona u gjend nën një sulm të paparë e monstruoz”, shkruan më tej Haxhia.

Izet Haxhia thekson se i del për Zot gjithçkaje i ka thënë e i ka deklaruar në mënyrë konfidenciale avokatit për çështjen “Hajdari” por që sipas tij ka edhe plot surpriza të tjera, ende të patreguara.

“Kam surpriza të pakëndshme, si për organizatorët e vrasjes së Azemit, për ata që e nxorën në pritë, për motivin e kësaj vrasje dhe për ata që me përzjenë mua pa dashjen time. Boll kam heshtur e mbrojtur të tjerët. Le të hapet ‘kutia e Pandorës’ dhe gjithsecili të marrë atë që i takon. Ana e dhimbshme e sulmit djallëzor që po na bëhet mua dhe Erjonës, është se akuzat për bashkëpunim me Berishën, i organizon vëllai im batakçi, hajdut e mashtrues së bashku me Romeo ‘trimin’, që mbushi poturet vetëm me një telefon që iu bë nga burgu dhe iku i lebetitur, duke u futur në poturet e qeverisë”, thotë në letrën e tij Haxhia.

Izet Haxhia shkruan se mbetet në pritje që shteti të kujtohet t’i dërgojë atij një prokuror për ta marrë në pyetje e për të dëgjuar të vërtetën e tij./korrieri

“Kush janë njerëzit që po më sulmojnë”, Izet Haxhia flet nga burgu: Do hap “kutinë e Pandorës” Read More »

Alarmi që vjen nga Europa, Shqipëria po shkon drejt gropës

Komisioni Europian, në raportin e tremujorit të tretë për ecurinë e vendeve kandidate dhe potenciale kandidate ka bërë një analizë të ecurisë së ekonomisë shqiptare, ku ka konstatuar se investimet po ngadalësohen, duke reflektuar përfundimin e projekteve të mëdha energjetike. Ndërsa rritja në pjesën e parë të vitit u nxit nga prodhimi i energjisë dhe industria përpunuese.

Sipas raportit, PBB-ja reale në Shqipëri u rrit me 4.3% me bazë vjetore në tremujorin e dytë pasi u rrit me 4.5% në tre muajt e parë. Nga ana e kërkesës, rritja ishte kryesisht e nxitur nga konsumi i ekonomisë familjare, i cili e përforcoi ecurinë e saj të qëndrueshme në 3.3% në vit, mbështetur nga rritja e punësimit, inflacioni i moderuar dhe normat e ulëta të interesit. Formimi i kapitalit fiks, i cili ende përfitoi nga investimet e huaja direkte në sektorin energjetik në tremujorin e parë, u ngadalësua në 1.5% (rritje vjetore) nga 4.5%, që ishte në tremujorin e parë.

Në të kundërt, konsumi qeveritar në tremujorin e dytë u tkurr me 3.4% me bazë vjetore. Eksportet e mallrave dhe shërbimeve vazhduan rimëkëmbjen e tyre në tremujorin e dytë me 3.9% ndërsa importet e mallrave dhe shërbimeve u rritën më ngadalë me 2% me bazë vjetore.

Eksportet kanë rritur peshën në prodhimin e brendshëm bruto në 34.1%, ndërkohë që importet kanë rënë pak, por mbeten në nivelin e tyre të ngritur prej pothuajse 50% të PBB-së. Nga ana e ofertës, prodhimi i energjisë dhe industria përpunuese kontribuoi në mënyrë të konsiderueshme në rritjen e ekonomisë në periudhën e deritanishme të 2018-s. Ndërtimi u ngadalësua, po ashtu edhe sektori i shërbimeve, kryesisht për shkak të bazës së lartë krahasuese, ndërkohë që të dy sektorët vazhduan të kontribuonin pozitivisht në ecurinë ekonomike.

Ndonëse rritja e punësimit u ngadalësua, norma e papunësisë vijoi rënien, duke arritur në 12.9%, më i ulëti nga viti 2012. Edhe papunësia tek të rinjtë vijoi rënien, nga 34% në 2015-n, në 22.6%, ndonëse mbetet në nivele të larta. Pagat e sektorit privat u rritën në shumë segmente, ndërsa rritja e pagës së sektorit publik i ngadalësua në 0.2%, pas rritjes së fortë në 2017 dhe tremujorin e parë 2018.

Deficiti i llogarisë korente u ngushtua në 7% të PBB-së, nga 7.9% në tremujorin e parë, për shkak të ngadalësimit të importeve dhe rritjes së eksporteve.

Huadhënia në sektorin privat mbetet e dobët, si rrjedhojë e kërkesës së ulët dhe shtrëngimit ë kushteve të kredive nga bankat huatë me probleme u ulën, por me ritme më të ngadalta se në 2017-n, duke zbritur në 12.9% në gusht.

Sistemi bankar po konsolidohet me dy bashkime që përfunduan në 2018 dhe numri i bankave nga 16 u reduktua në 4. Ekspozimi i sistemit bankar ndaj Turqisë është i ulët, me vetëm 6.6% të aseteve që janë të lidhura me kompanitë turke.

Të ardhurat buxhetore u rritën me 3.1 me bazë vjetore për 8 mujorin dhe u ndikuan negativisht nga zhvlerësimi i euros, sidomos TVSh dhe të ardhurat doganore. Të ardhurat e ulëta nga TVSh dhe doganat u kompensuan nga të hyrat më të larta të sigurimeve shoqërore.
Borxhi publik ra në 69.3 % të PBB-së në fund të qershorit, nga 70% që ishte në fund të 2017-s.

Rritja në Ballkanin Perëndimor u përshpejtua
Sipas raportit, rritja ekonomike u përshpejtua në shumicën e vendeve të Ballkanit Perëndimor në tremujorin e dytë të 2018, duke vijuar një trend që filloi në fillim të vitit 2017. Republika ish-Jugosllave e Maqedonisë regjistroi përshpejtimin më të lartë të rritjes vjetore të PBB-së, në 3.1%, nga 0.1% e ngadaltë e tremujorit të parë, mbështetur nga rritja e eksporteve. Në Bosnjë dhe Hercegovinë ekonomia u zgjerua me 3.4%, me eksportet dhe konsumin privat që përshpejtuan këtë rritje. Në Mal të Zi dhe Kosovë

rritja u forcua në 4.9% dhe 4.7% , respektivisht. Në të dy rastet, zgjerimi ekonomik përfshinte të gjithë komponentët e kërkesës së brendshme (sidomos investimet) duke kontribuar pozitivisht në rritje.

Në anën tjetër, në Serbi dhe Shqipëri, rritja ekonomike u ngadalësua pak për të dytin tremujor, 4.8% dhe 4.3%, respektivisht. Në Serbi, rritja ekonomike është nxitur nga të gjithë komponentët e kërkesave të brendshme ndërsa performanca e rritjes ekonomike të Shqipërisë u mbështet kryesisht në rritjen e konsumit të familjeve. Në përgjithësi, në tremujorin e dytë të vitit 2018, PBB-ja e rajonit të Ballkanit Perëndimor arriti në 4.3%, nga 3.6% në të tremujorin e parë dhe 1.9% në tremujorin e njëjtë të një viti më parë. /Monitor/

Alarmi që vjen nga Europa, Shqipëria po shkon drejt gropës Read More »

Del lista, këta janë 10 personat më të pasur në Shqipëri (Renditja)

Instituti Europian Pashko ka publikuar listën e 10 personave më të pasur në Shqipëri. Analiza është bazuar në të dhënat financiare zyrtare të deklaruara në institucionet shtetërore për 60 individët dhe kompanitë që ata zotërojnë, për pjesën takuese të gjithsecilit.

Kriteret dhe parametrat e analizuar në këtë studim marrin në konsideratë këta tregues:

-Kapitalin aksioner dhe pjesët takuese proporcionalisht
-Fitimin (proporcional) të vitit ushtrimor

-Kapitalin neto proporcional
Samir Mane u vlerësua si njeriu më i pasur në Shqipëri. Në vend të dytë të fitimit për vitin 2017 është Shefqet Kastrati, i cili pasohet nga Grigor Joti.

Biznesmeni Rrok Gjoka mban vendin e katërt. Më pas, renditet Agron Shapllo. Në vend të 6 është vlerësuar Renis Tërshana. Pas tij, Agim Zeqo. Deputeti Tom Doshi renditet në vend të 8, ndërsa biznesmeni Serafin Orgocka në të 9-tin. Lefter Kallo është i 10 në listë.

Ndërkaq studimi nxjerr në konkluzion se për peshën dhe përgjegjësinë që ky komunitet përfaqëson ndaj ekonomisë shqiptare, përbën një pasuri kombëtare.

Del lista, këta janë 10 personat më të pasur në Shqipëri (Renditja) Read More »

Rama dyfishon pagat e kupolës në mjekësi që kanë nga 4-5 biznese e bordero, infermierët i lë me 31 mijë lekë

Megjithëse është edhe vetë, pacient kronik në disa shërbime mjekësore “speciale”, kryeministri Edi Rama, nuk ka rritur pagat e punonjësve të shërbimit bazë mjekësor, por vetëm pagat e shefave të kupolës mjekësore në ministri, në drejtoritë shëndetësore rajonale, të shefava, nëpër bashki e qarqe, të institucioneve  qendrore dhe spitaleve rajonale.

Sipas VKM Nr. 555, datë 29.9.2018, të publikuar në datën 9 tetor 2018, kryeministri Rama, ka dyshifuar vetëm pagat e shefave të shëndetësisë, të cilët përveç pagës së shtetit, kanë nga 4-5 biznese ilaçesh e klinikash private dhe nga 3-4 bordero mujore, ndërkohë që mjekët dhe infermierët, i la përsëri, me paga 31 mijë lekë në muaj, aq sa ministrat, paguajnë 1 shishe verë në dreka e darka dhe aq sa deputetët, i marrin vetëm dieta mujore nga shteti, për të fjetur në hotele.

A mund të qëndrojnë më, infermierët dhe mjekët në Shqipëri, kur ky kryeministër, përveç kushteve mizerje dhe pasigurisë në punë, presionit partiak për largime nga puna dhe mbajtjes së vendeve të punës me ryshfete, i lë edhe me paga lëmoshë?

Vetëm 31 mijë lekë të reja e kanë pagën mujore, infermierët dhe 36 mijë lekë të reja kryeinfermierët e përveç kësaj, duhet të dëgjojnë çdo mëngjes, drekë e darkë, edhe “pordhët” e fjalimet 3-4 orëshe, të kryeministrit hajdut, matrapaz, mashtrues e demagog.

Ndaj po ia mbathin mjekët e infermierët, sepse janë bindur tashmë, që me këtë kryeministër dhe me këtë politikë majtas e djathtas, të degjeneruar moralisht e të zhytur në krim dhe korupsion, nuk do të ketë as vlerësim as ritje pagash, as pensione normale, as siguri për vendin e punës dhe të jetës në spitale.

Sipas të dhënave, mjekët dhe infermierët shqiptarë, që shteti i ka lënë me paga lëmoshë dhe në kthetrat e nepotizmit e militantizmit partiak, po vazhdojnë të ikin në Gjermani e ku të munden, mjafton të shpëtojnë nga “xhungla” dhe mjerimi në Shqipëri.

Deri tani, janë “arratisur” pa kthim, 2985 infermierë dhe mbi 700  mjekë , ndërkohë që mbi 2000 infermierë dhe 1000 mjekë të tjerë, kanë bërë gati, letrat zyrtare, për të shkuar të punojnë me dinjitet, të lirë, të qetë e paga të larta, atje ku nuk ka ministër shëndetësie batakçi e hajdut dhe kryeministër të xhindosur, megaloman, hajdut, kriminel, harbut e palaço cirku, por ka vetëm vlerësim pune dhe shtet ligjor.

Po ikin e do vazhdojnë të ikin, gjithë imfermierët dhe mjekët, mbasi ministria që drejtohet nga fyçka dhe sekserja Manastirliu, sipas portalit qeveritar, ofron vetëm 400 vende pune në vit për infermierë, ndërkohë që 10 universitetet shtetëror e privatë në Shqipëri, nxjerrin 3000 infermierë në vit!/Pamfleti

Ja disa nga pagat e rritura, për kupolën e shëndetësisë  dhe paga e infermierit

Drejtor i Përgjithshëm: 118 mijë e 100 lekë, Zv/drejtor i Përgjithshëm: 100 mijë lekë, Drejtor Drejtorie në Drejtorinë Qendrore: 100 mijë lekë, Drejtor i Drejtorisë Rajonale: 95 mijë lekë

Përgjegjës Sektori në Drejtorinë Qendrore: 80 mijë e 700 lekë, Drejtorie Rajonale Shëndetësie: 80 mijë e 700 lekë, Drejtor i Kujdesit Shëndetësor në Qark: 90 mijë e 800 lekë, Drejtor i Kujdesit Shëndetësor në Bashki: 80 mijë e 700 lekë, Kryeinfermier dhe Kryevaksinator: 35 mijë e 200 lekë, Infermier, Qendrat e Shëndetit Mendor: 36 mijë lekë, Infermier i zakonshëm: 31 mijë lekë

Rama dyfishon pagat e kupolës në mjekësi që kanë nga 4-5 biznese e bordero, infermierët i lë me 31 mijë lekë Read More »

Harroi portofolin në Sarandë, Kroati falenderon Shqiptarin për gjestin e bukur !

Shqiptarët janë zemërgjerë dhe emocionalë, pastaj kot nuk është shprehja që “nuk ka pyll pa derra”, ama me rëndësi është që nuk e kemi namin vetëm për keq.

Këtë e vërteton turisti kroat Vlatko Horvat, i cili ka publikuar në llogarinë e tij të Facebook një ndodhi që nuk ia urojmë kujt, por me një fund impresionues.

Gjatë vizitës së tij në Sarandë, kroati ka harruar portofolin dhe gjejeni çfarë? I riu shqiptar me emrin Albano Koka ia ka kthyer.

Krahas fotos me portofolin që i ka mbërritur nga posta, Vlatko Horvat shkruan:

Çfarë ndodh kur humbni portofolin në Shqipëri?
Isha në Sarandë me një shok dhe e lashë Shqipërinë për t’u nisur drejt Zakynthos, Greqi.
Pas 5 orësh që isha nisur më vjen një mesazh: “E di që kaluat mirë në Sarandë, por nuk ishte nevoja të lije një bakshish kaq të madh.”
Nuk e kisha kuptuar ende që kisha harruar portofolin tim atje dhe djali që e gjeti më kontaktoi direkt dhe ma solli atë në Kroaci.
Fillimisht mendova me vete që nuk ka asnjë shans që të mbërrijë, por sot sapo ma solli postieri. brenda janë të gjitha paratë dhe dokumentat.
Albano Koka faleminderit shumë! Dhe po, Shqipëria është e bukur…dhe shqiptarët janë njerëz ekstra.”
Epo, Albano të falënderojmë edhe ne që na ndrite faqen, e për më tepër që mban edhe emrin e vendit./JOQ.al

Harroi portofolin në Sarandë, Kroati falenderon Shqiptarin për gjestin e bukur ! Read More »

Vlorë/ Përmbledhje javore e punëve mirëmbajtëse

Gjatë kësaj jave fokusi i punimeve mirëmbajtëse të Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare – Vlorë ishte në disa nga monumentet e qyteti të Vlorës dhe Sarandës.

U kryen punime mirëmbajtëse dhe vendosje e tabelave orientuese në Muzeun Etnografik të Vlorës, Muzeun Kombëtar të Pavarësisë, Xhaminë e Muradies dhe Muret Rrethues të Aulonës.

Në zonën e Sarandës, u krye pastrimi dhe sistemimi i rrasave të gurta në çatin e Kishës së Shën Gjergjit, në Leshnicën e Sipërme.

Fotografia e DRKK Vlorë

Fotografia e DRKK Vlorë

Fotografia e DRKK Vlorë

Fotografia e DRKK Vlorë

Fotografia e DRKK Vlorë

Fotografia e DRKK Vlorë

Fotografia e DRKK Vlorë

Fotografia e DRKK Vlorë

Vlorë/ Përmbledhje javore e punëve mirëmbajtëse Read More »

Pasuria mund t’i shkatërrojë karrierën kreut të Gjykatës së Lartë

Pasuria mund t’i shkatërrojë karrierën një gjyqtari të rangut të lartë në Shqipëri.

Komisioneri Publik del kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit që konfirmoi në detyrë kreun e Gjykatës së Lartë Xhezair Zaganjori.

Komisioneri Publik, brenda afatit ligjor, ushtroi ankim në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit pranë Gjykatës Kushtetuese, kundër vendimit nr.46, datë 24.7.2018, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit z. Xhezair Zaganjori, Kryetar i Gjykatës së Lartë.

Komisioneri Publik, pasi shqyrtoi vendimin e mësipërm të Komisiont të Pavarur të Kualifikimit, si dhe mori në konsideratë rekomandimin e paraqitur nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit për të paraqitur ankim, vlerëson se bazuar në provat dhe faktet e administruara nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, subjekti i rivlerësimit z. Xhezair Zaganjori, nuk arrin një nivel të besueshëm në vlerësimin e pasurisë.

Nëpërmjet këtij ankimi, Komisioneri Publik kërkon nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit të marrë në shqyrtim çështjen në seancë gjyqësore dhe në përfundim të gjykimit të ndryshojë vendimin nr.46, datë 24.7.2018, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit duke vendosur shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit z. Xhezair Zaganjori, Kryetar i Gjykatës së Lartë.

Mbështetur në pikën 1, të nenit 16 të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi është publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni: www.ikp.al

Pasuria mund t’i shkatërrojë karrierën kreut të Gjykatës së Lartë Read More »