Aktualitet

400 biznese të reja u hapën në Vlorë gjatë një viti

400 biznese të reja janë hapur në qytetin e Vlorës në jug të vendit, gjatë vitit të fundit.

Kryetari i Bashkisë Vlorë, Dritan Leli bëri të ditur se, një seri investimesh të rëndësishme që janë ndërmarrë në zhvillimin e infrastrukturës së qytetit kanë nxitur çeljen e bizneseve të reja, kryesisht në sektorin turistik, të shërbimeve dhe tregtisë.

“Vlora ka qenë në vëmendje të qeverisës për të ndryshuar dhe është shndërruar në një qytet modern europian. Vetëm vitin e fundit falë investimeve në infrastrukturë janë hapur 400 biznese të reja dhe në këtë sezon turistik Vlora ka kapur rekord historik në numrin e turistëve dhe vizitorëve të ndryshëm”, – tha Leli.

Sipas tij, investimet në pjesën e dytë të Lungomares, bulevardin kryesor, qendrën historike të qytetit, portin e Vlorës, në sistemin e kanalizimeve etj, kanë ndikuar në përmirësimin e shërbimet në dobi të komunitetit, ndërsa është rritur ndjeshëm edhe vlera e banesave dhe njësive tregtare, duke e bërë Vlorën qytetin e preferuar të qytetarëve dhe biznesit në çdo stinë. /atsh

400 biznese të reja u hapën në Vlorë gjatë një viti Read More »

“O shpellar hajde na tako”, plas sërish tek Unaza, banorët nuk pyesin më por…

Banorët e ‘Astirit’ në Tiranë janë hedhur në ditën e 13 të protestës duke bllokuar rrugën kryesore dhe rrjedhimisht qarkullimin e mjeteve.

Aya kërkojnë dëmshpërblim me vlerën e tregut për banesat e tyre të cilat do të prishen sepse preken nga projekti për Unazën e Re.

Një nga banorët thotë se të vetmen pasuri ka shtëpinë që duan t’ja shembin dhe e ka në proces legalizimi që prej vitit 2005.

“Ne duam atë që na takon dhe të vazhdojë rrugën me 100 korsi dhe jo me 3 korsi Unë e kam në proces legalizimi që në vitin 2005. Unë do marr kallashin, bomba dhe kush do vijë i pari… atë do bëj. Nuk kam çfarë bëj se e kam me gjak atë shtëpi. Nuk kemi marrë ende asnjë njoftim nga bashkia apo qeveria se çfarë do bëhet. Ne nuk jemi zaptues, por jemi si gjithë dynjaja. Nuk na kanë dhënë afat se kur duhet të largohemi”- tha banori.

Në mbështetje të banorëve kanë shkuar edhe deputetë të opozitës.

Ditën e djeshme banorët kanë protestuar edhe para bashkisë së Tiranë dhe kanë kërkuar takim me kreun e bashkisë së Tiranës. Projekti i Unazës së Re parashikon prishjen e mbi 300 shtëpive dhe bizneseve në këtë zonë.

Banorët kërkojnë që të dëmshpërblehen 100%, ndërsa shprehen të bindur se kësaj çështje do t’i shkojnë deri në fund. Banorët e Unazës së Re i kanë bërë thirrje kryebashkiakut të Tiranës Erjon Veliaj që të shkojë t’i takojë dhe të gjejnë zgjidhje, në të kundërt ata do të futen në grevë urie.

https://www.facebook.com/partiademokratike/videos/175688890051317/?t=0

“O shpellar hajde na tako”, plas sërish tek Unaza, banorët nuk pyesin më por… Read More »

Investimi 11 milionë euro, impuls Vlorës me rehabilitimin e qendrës historike

Pas Lungomarës, restaurimi i qendrës historike të qytetit të Vlorës, është projekti me i rëndësishëm që synon t’i kthejë këtij qyteti shkëlqimin e dikurshëm.

Realizimi i tij është përllogaritur në një vlerë prej 11 milionë eurosh, ku 4 milionë euro do të financohen nga Fondi Shqiptaro-Amerikan dhe 7 milionë euro nga qeveria.

Projekti është në funksion të ruajtjes së vlerave të trashëgimisë, por edhe për t’i dhënë një impuls të ri të ekonomisë së qytetit në funksion të zhvillimit të turizmit. Ndaj veç ndërhyrjeve në godina, nuk po anashkalohen punimet nëntokësore.

Pranvera e ardhshme është koha, kur veç banorëve të Vlorës, këto ndyshime t’i shijojnë edhe turistët.

Projekti përfshin restaurimin e 68 banesave, mes të cilave, Shtëpinë e Marigosë, Xhaminë e Tabakëve, Rrugën e Hebrenjëve, Sheshin e Sahatit dhe Shtëpinë e Qeverisë. e.xh/atsh/

Investimi 11 milionë euro, impuls Vlorës me rehabilitimin e qendrës historike Read More »

Të bëhesh shqiptar në moshën 90 vjeç

Të bëhesh shqiptar në moshën 90 vjeç. Kjo është historia e Tevfik Fikret Oktay i lindur në 1928-ën në Turqi, Ankara nga prindër shqiptarë.

Ministri i Shtetit për Diasporën ka sjellë rastin e tij duke theksuar se Oktay mori shtetësinë shqiptare për të nderuar kujtimin e babait të tij, i cili kishte shërbyer si ushtarak madhor në Perandorinë Osmane.

“Të bëhesh shqiptar në moshën 90 vjeç. Tevfik Fikret Oktay i lindur në 1928-ën në Turqi, Ankara nga prindër shqiptarë ka marrë shtetësinë shqiptare për të nderuar kujtimin e babait të tij, i cili kishte shërbyer si ushtarak madhor në Perandorinë Osmane”, shprehet Ministri Majko./atsh

Të bëhesh shqiptar në moshën 90 vjeç Read More »

Tirana, finaliste e çmimeve europiane për transformim

Tirana u përzgjodh ndër 3 finalistet për çmimin europian mbi veprimtarinë transformuese gjatë vitit 2018. Kryeqyteti shqiptar u vlerësua në mënyrë specifike për aksionin lidhur me rritjen e hapësirës së gjelbër urbane rreth qytetit. Tirana u vlerësua gjithashtu edhe për angazhimin e qytetarëve në aksionet e ndërmarra për transformimin e qytetit.

“Një pjesë e madhe e politikave të zbatuara gjatë kësaj kohe në qytetin e Tiranës kanë rënë në sy jo vetëm nga qytetarët e Tiranës por edhe përtej Tiranës”, tha Mazniku.

Për zëvendës kryebashkiakun e Tiranës, ky çmim i shkon të gjithë qytetarëve të Tiranës që morën pjesë në aksionin e pyllit orbital rreth e qark qytetit.

“Ne, gjatë sezonit të mbjelljeve, vitin që shkoi, prej muajit nëntor deri në muajin mars, prill arritëm të mbillnim më shumë se 126 mijë pemë”, deklaroi Mazniku.

Dy finalistet e tjera ishin Bolonja, për rritjen e angazhimit qytetar lidhur me rigjenerimin e komunave urbane dhe qyteti belg i Gentit, për transformimin e sistemit vendor të ushqimit nëpërmjet modeleve të qeverisjes pjesëmarrëse.

Tirana, finaliste e çmimeve europiane për transformim Read More »

Horoskopi ditor, e premte 16 nëntor 2018

Dashi

Në këtë moment duhet të mundoheni të zhdukni çdo dyshim dhe keqkuptim në vendin e punës, pasi nëse arrini të krijoni një ambient më harmonik, do të jeni më aktiv dhe produktiv. Gjatë kësaj dite jeni në pritje të më shumë konfirmimeve në dashuri.

Demi

Do ti jeni mirënjohës një kolegu/eje apo bashkëpunëtori tuaj, pasi në sajë të këshillave të tij të vlefshme, do mund të merrni rezultate të mëdha në vendin e punës. Këshillohet që në familje të jeni më të pranishëm, pasi aktivitetet e reja janë mjaft të favorshme.

Binjakët

Kjo ditë parashikon përgjigje të mëdha, por duhet të jeni më pak të acaruar dhe anksioz, pasi në të kundërt rrezikoni të vini nën presion edhe bashkëpunëtorët tuaj. Këshillohet që gjatë kësaj fundjave, të planifikoni një arratisje të vogël romantike.

Gaforrja

Keni marrë disa vendime të pamenduara mirë në të kaluarën, por mos u dekurajoni pasi tashmë i keni idetë e qarta dhe intuita do ju ndihmojë. Në dashuri kush ka nisur një lidhje prej pak kohësh, duhet të bëjë kujdes ndaj tensioneve me partnerin/en.

Luani

Kjo fundjavë është e rëndësishme për të reflektuar me qetësi, sidomos në raportet ndërpersonale, ku së fundmi nuk jeni treguar tolerant. Sqarimet janë mjaft të favorshme dhe bashkëpunime të reja janë fare pranë.

Virgjëresha

Duhet të përballeni me të papritura të vogla, të cilat do ju bëjnë që të humbni kohë të çmuar. Duhet të jeni të fokusuar mirë në prioritetet tuaja dhe mos u ndikoni nga të tjerët. Mos e nënvlerësoni një problem shëndetësor, ndaj pushoni më shumë.

Peshorja

Një ngadalësim i papritur mund të shkaktojë një humbje entuziazmi në vendin tuaj të punës. Mos u tregoni tepër drastik dhe ndiqni sugjerimet e kolegëve tuaj. Në dashuri do të jeni shumë kokëfortë dhe partneri/ja, mund të distancohet prej jush.

Akrepi

Parashikohen mundësi të mira për të realizuar një projekt profesional. Në këtë mënyrë do të rigjeni besimin në vete, sidomos nëse dikush nuk ju ka bërë të ndiheni mirë. Edhe në dashuri parashikohen zhvillime pozitive të papritura.

Shigjetari

Merrni kohë për tu kujdesur më shumë për anën sentimentale të jetës tuaj, pasi kjo e premte parashikohet mjaft e rëndësishme për të rindezur ndjenjat dhe për të zyrtarizuar një histori. Në vendin e punës duhet të favorizoni më shumë punën në skuadër.

Bricjapi

Kjo është një ditë e cila ju sheh mjaft melankolik dhe të përhumbur në mendime. Megjithatë mos lejoni që zhgënjimet e së kaluarës t’iu tërheqin në një spirale negative aspak produktive për sferën profesionale. Në dashuri do të jeni romantik dhe ëndërrimtar.

Ujori

Kjo e premte është një ditë e cila ju fton që të qëndroni larg problemeve, pasi do të jeni tejet emotiv për të arritur të menaxhoni reagimet tuaja përballë provokimet të kolegëve ziliqarë. Kjo ditë do ju gjejë të lodhur, ndaj mundohuni që të mos ngarkoheni në ekstrem.

Peshqit

Jeni të angazhuar në realizimin e një projekti të ri i cili do të lejojë që aktivitetet tuaja të rriten edhe më shumë. Do të jeni të palodhur dhe gjithë vullnet dhe kjo forcë e juaja do ju garantojë sukses. Shfrytëzoni më mirë intuitën tuaj, për të përmirësuar më mirë ritmin e ditës dhe për të liruar mbrëmjen, në mënyrë që ta kaloni me njerëzit tuaj të zemrës.

Horoskopi ditor, e premte 16 nëntor 2018 Read More »