Aktualitet

Hotelet me 5 yje në Vlorë, shtrijnë sezonin turistik përtej kohës tradicionale

Kryeministri Edi Rama synon të sjellë në Vlorë hotelet me 5 yje, si modele të infrastrukturës private mikpritëse, që shtrijnë sezonin turistik përtej kohës tradicionale.

“Ambicia ime është që ne të fillojmë të sjellim hotelet e para me 5 yje në Vlorë, sepse na duhet, siç e tha ministri, që sezonin turistik ta shtrijmë përtej kohës tradicionale prej dy muajsh dhe për këtë na duhet të fuqizojmë jo vetëm infrastrukturën publike, por dhe infrastrukturën private të mikpritjes, të kemi salla konferencash të standardeve ndërkombëtare, të kemi një tërësi elementësh që Vlora sot, megjithatë transformimet e mëdha që kanë bërë sipërmarrësit dhe me gjithë hotelet që janë përmirësuar ndjeshëm, nuk i ofron akoma”, – tha Kryeministri Rama.

Ndërsa theksoi se, kjo është ambicia, që të rrisim cilësinë e gjithë industrisë së mikpritjes, në mënyrë që të rrisim numrin e turistëve e ta zgjasim turizmin në kohë, gjatë vitit, duke rritur kështu mundësitë për punësim, duke rritur kështu edhe të ardhurat. //atsh

Hotelet me 5 yje në Vlorë, shtrijnë sezonin turistik përtej kohës tradicionale Read More »

Buxheti 2019 – Investimet në infrastrukturë 26.4 miliardë lekë

Investimet që po zbatohen në infrastrukturën e qytetit të Vlorës e kanë shndërruar qytetin perlë të rivierës shqiptare, në simbol të zhvillimit bashkëkohor dhe me standarde.

Drejtori i Autoritet Rrugor Shqiptar, Afrim Qendro u shpreh sot në Vlorë, se projektbuxheti i vitit 2019 për infrastrukturën rrugore, është buxheti më i madh financiar me vlerë 26.4 miliardë lekë, ose 10 % më i lartë në krahasim me vitin e kaluar.

“Gjatë vitit 2018 kemi mbyllur 80% të gjithë projekteve të nisura shumë vite më parë dhe kemi hapur disa projekte të reja të ndërtimit të rrugëve”.

Konkretisht, tha ai, kemi përfunduar unazat e Tiranës, fazën e parë në rrugën e Milotit, Lin-Pogradec, Korçë-Ersekë, Përmet–Këlcyrë dhe shumë akse të tjera nacionale.

Gjithashtu, tha Qendro, kemi përfunduar disa projekte të rëndësishme mbi sigurinë rrugore. Kemi përfunduar projektin për rehabilitimin e të gjitha urave problematike në Shqipëri dhe plotësimin me sinjalistikë të akseve rrugore nacionale, si dhe parashikojmë ndërtimin e mbikalimeve për këmbësorët.

“Kemi kthyer në një model suksesi mirëmbajtjen e rrugëve, projekt me vlerë 22 milionë euro, – tha Qendro, duke renditur akset rrugore të nënshtruara mirëmbajtjes, – që nga Shkodër-Murriqan, Tiranë-Durrës hyrje-dalje Pogradec, në Fier dhe akse të tjera”.

Kreu i ARRSH-së bëri të ditur se, pas një historie disavjeçare do të fillojë puna për bypass-et e Fierit dhe të Vlorës. Ndërkohë që në kuadër të projekteve rrugore në korridorin Veri- Jug, ka filluar zbatim i projekteve të Partneritetit Publik Privat. Është duke u zbatuar normalisht projekti i Rrugës së Arbrit dhe do të fillojnë tri projekte të tjera: Milot-Balldren, Thumanë-Kashar, Orikum – hyrja e Llogorasë, tha Qendro. /atsh

Buxheti 2019 – Investimet në infrastrukturë 26.4 miliardë lekë Read More »

8 milionë euro për sistemimin e ujërave të zeza në Vlorë

Pas një sërë investimesh të rëndësishme në infrastrukturë dhe jo vetëm, qeveria shqiptare është duke menduar edhe për detajet në qytetit e Vlorës, duke akorduar shumën prej 8 milionë eurosh për sistemimin e ujërave të zeza.

Gjatë prezantimit të buxhetit 2019 për infrastrukturën, ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri dha lajmin e mirë për banorët vlonjatë, se do të bëhet sistemimi i të gjitha ujërave të zeza në Lungomare.

“Vitin tjetër fillojmë një projekt të rëndësishëm që shkon gati në 8 mln euro për sistemimin e të gjitha ujërave të zeza në Lungomare. Lungomares do t’i kthehet bukuria jo vetëm nga pamja, por si një vend ku shëtitet siç duhet. Nga ana tjetër po përgatitet edhe një ndërhyrje tjetër në ujësjellës kanalizime të Vlorës, përfshirë edhe trajtimin e mbetjeve, projekte që janë në proces negocimi për financim me qeverinë gjermane, por fondet janë të siguruara”, – theksoi Gjiknuri.

Ministri u ndal edhe te veprat e financuara me Partneritet Publik Privat si dhe tek objektivat që pritet të përmbushë buxheti i vitit 2019 në infrastrukturën rrugore.

“Ne, me këtë buxhet mundësojmë që premtimet t’i bëjmë realitet, sepse shumë kanë folur për infrastrukturën edhe më parë, duke pretenduar se kanë bërë 10 mijë kilometra rrugë, kur inventari i rrugëve në Shqipëri nuk është më shumë se 3 mijë kilometra. Ky buxhet mundëson që bypass-et e Fierit dhe Vlorës të përfundojnë në kohën e duhur dhe bajpasi i Fierit të jetë i kalueshëm vitin që vjen. Ky buxhet bën që rruga Kardhiq-Delvinë, kjo nyje kaq e rëndësishme e turizmit shqiptar, të bëhet e mundur dhe në vitin 2021 ta kemi edhe këtë vepër të mbaruar. Dua të përmend këtu edhe investimet në mirëmbajtjen e rrugëve. Të gjithë qytetarët që udhëtojnë në akset rrugore, e shikojnë që ka ndryshime drastike në këtë drejtim. Gjithashtu dua të prek edhe një element tjetër, që shpesh anatemohet politikisht nga ata që nuk i zë gjumi, se mendonin se qeveria e Edi Ramës nuk dika të bëjë rrugë, apo nuk di të bëjë vepra. Për projektin me Partneritetin Publik Privat (PPP), këto janë projekte që do të financohen nga sektori privat dhe më vonë do të paguhen në vitet e ardhshme nga buxheti i shtetit, të shtrira në 13 vite. Ne kemi mundësi që ta marrim veprën në kohë dhe brenda 2-3 viteve të gjitha ato akse të rëndësishme në Veri dhe Jug, edhe rrugën e Orikumit të përfshirë, si dhe rrugën e Llogorasë, të cilat do t’i bëjmë me patjetër”, – u shpreh Gjiknuri./atsh

8 milionë euro për sistemimin e ujërave të zeza në Vlorë Read More »

Habit shqiptari nga Vjena: Jam gati t’ia fal vilën time Nexhmije Hoxhës

Një shqiptar i Maqedonisë me banim në Vienë, Sali Zuberoski, i ofron Nexhmije Hoxhës një vilë në Manastir. Në mungesë të një komunikimi të drejtpërdrejtë me zonjën Hoxha, zoti Zuberoski ia ka njoftuar këtë me anë të një mesazhi avokatit Idajet Beqiri. “Po jua dërgoj këtë mesazh në Dita, sepse në të vërtetë, unë nuk jam avokat i Nexhmije Hoxhës, por i Rustem Peçit për çështjen që sapo është hapur. Jua dërgoj me kënaqësi për të parë se si reagojnë shqiptarët në momente të tilla. Atë që shteti e bën me dhunën e tij, e amortizojnë shqiptarët me përkrahjen, me solidaritetin që tregojnë”.

Ky person që ofron këtë ndihmë për familjen Hoxha është një shqiptar prej Manastirit, qytetit ku ka lindur Nexhmija afro 98 vite më parë. Por edhe qyteti ku u mbajt Kongresi i famshëm për alfabetin e shqipes 110 vjet më parë. Gjatë këtyre ditëve ne kemi marrë reagime nga familjet banore të godinave që preken nga Unaza e Re e Tiranës, mes të cilave familjet Hoxha dhe Peçi. Gazetari Xhevdet Shehu që e ka ndjekur kètë çështje prej disa numrash shkruan sot në DITA:

“Njëzet e tetë vite të shkuara familjen e Enver Hoxhës dhe të Rustem Peçit, me një akt hakmarrës dhe denigrues, i çuan qëllimisht për të banuar në ish-Pularinë e Laprakës. Në një shkrim të para pak ditëve unë nënvizoja faktin se në atë banesë të Pularisë së Laprakës regjimi i Sali Berishës në gjysmën e parë të viteve ’90 e arrestoi Shefqet Peçin dhe e transportuan me barrelë për në burg ku edhe vdiq. Në të vërtetë qeveria e një çerek shekulli më parë, me këtë gjest, në vend të fitonte pikë, humbi maksimalisht. Duket sikur historia po përsëritet pas 25 vjetësh me një shembull të ngjashëm. Hoxhajt dhe Peçët i kanë blerë dhe hipotekuar këto hyrje, pra i kanë pronë private dhe megjithëse bëhet fjalë për një godinë të përshtatur dhe arnuar, duket se ishin ambientuar me këtë gjendje. Jetojnë në kushte skajshmërisht të vobekta dhe kush i ka parë apo vizituar është bindur për këtë edhe nëse ka qenë skeptik”.

Më poshtë mesazhi i plotë i z.Sali Zuberoski:

I nderuari Idajet Beqiri Respekt për ju. Më njihni mirë kur ju kishim udhëheqësin tonë të FBKSH. Nga shkrimi juaj te Dita mësova se Nexhmije Hoxha mund të mbesë pa shtëpi për shkak të makinacioneve dhe hakmarrjes primitive. Unë Sali Zuberoski, nga Manastiri, por rezident në Wien të Austrisë prej vitesh, i vë në dispozicion Zonjës Nexhmije Hoxha vilën time në Manastir, falas, pa qera, me qëllim që të jetoj aty me gjithë familjen e saj, duke u bërë pronare e kësaj vile. Me respekt për ju atdhetar i spikatur. Sali Zuberoski – Wien, Austri

Habit shqiptari nga Vjena: Jam gati t’ia fal vilën time Nexhmije Hoxhës Read More »

Kryeministri z.Edi Rama inspekton punimet e dy projekteve të mëdha të “Portit Detar” Vlorë

Në këtë takim të rëndësishëm ishin të pranishëm Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë z.Damian Gjiknuri, Drejtori i “Portit Detar” Vlorë sh.a z. Admir Malaj, Kryetari i Bashkisë z.Dritan Leli, Prefekti z.Flamur Mamaj, deputetët e Vlorës zj.Vilma Bello, z.Edmond Leka dhe z.Fate Velaj, ku u prezantuan projektet “Zgjerimi i Terminalit të Pasagjerëve” dhe “Rehabilitimi i Portit Detar Vlorë”.

Kryeministri z.Edi Rama inspekton punimet e dy projekteve të mëdha të “Portit Detar” Vlorë Read More »

Rama për ngjarjet në Bularat: Do mendohen mirë nëse do vijnë më në Shqipëri

Si një zakon të përhershëm, Rama ka filluar tu kthejë përgjigje komnetuesve nëpërmjet videove.

Kështu ka ndodhur edhe këtë herë dhe Kryeministri ka reaguar pas zhvillimeve në Bularat, ditën e përcjelljes për në banesën e fundit të Kostandinos Kaçifasit.

“Mendoni sikur shteti ynë të përplasej me ata… Shumë prej tyre s’do hyjnë dot më në Shqipëri, ndërsa të tjerët do mendohem mirë nëse do vijnë më në Shqipëri”, tha ndër të tjera duke iu përgjigjur përmes një videoje postuar në faqen e tij në Facebook, interesimit të disa komentuesve.

https://www.facebook.com/edirama.al/videos/320134752140234/?t=0

Rama për ngjarjet në Bularat: Do mendohen mirë nëse do vijnë më në Shqipëri Read More »

Çështja “Kaçifa” në Parlamanetin Europian të hënën/ Eurodeputetja “non grata”: Është një titull nderi për mua

Eurodeputetja qipriote Eleni Theocharous, ka reaguar pas vendimit të Ministrisë së Jashtme shqiptare, për të propozuar tek Ministria e Brendshme, shpalljen e saj person “non-grata”.

Sipas medias greke, “Hellas Journal”, se e pyetur për këtë vendim të shtetit shqiptar, eurodeputetja e ka konsideruar si një titull nderi.

“Është një titull nderi për mua të vihem sërish nën targetin e një regjimi të korruptuar e diktatorial si ai i Edi Ramës në Shqipëri”, citohet Theocharous nga “Hellas Journal”.

Sipas të njëjtit burim: Ajo ka shtuar se do të vijojë që të mbështesë atë që ajo e quan “Vorio-Epir”. ”Ata nuk mund të zbehin rezistencën time, apo pasionin tim për të drejtat e njeriut dhe ruajtjen e Vorio Epirit”.

“Znj Theocharous, e cili është raportuesi në hije për bisedimet e pranimit të Shqipërisë në BE, pritet të flasë në lidhje me vrasjen e Konstandinos Kaçifas të hënën, para Parlamentit Evropian”, raporton media greke.

Çështja “Kaçifa” në Parlamanetin Europian të hënën/ Eurodeputetja “non grata”: Është një titull nderi për mua Read More »

Impianti fotovoltaik i Akërnisë, shpallet kompania fituese

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë njoftoi sot përfundimin me sukses të procedurës të hapur konkuruese për përzgjedhjen e ofertuesit për zhvillimin e projektit për ndërtimin e impiantit fotovoltaik në Zonën e Akërnisë (Vlorë).

Impianti parashikon një kapacitet gjenerues të instaluar 50 MW si pjesë e masave mbështetëse dhe ndërtimin e kapaciteteve të tjera shtesë prej 50 MW (100 MW në total), të cilat do të jenë lirisht të tregtueshme në tregun e energjisë.

“Procedura konkuruese u zhvillua në përputhje të plotë me Vendimin nr. 349, datë 12.06.2018 të Këshillit të Ministrave “Për miratimin e masave mbështetëse për nxitjen e përdorimit të energjisë elektrike nga burimet e rinovueshme të diellit dhe erës, si dhe të procedurave për përzgjedhjen e projekteve për përfitimin e tyre”, nëpërmjet një gare të hapur ndërkombëtare, të shpallur në 6 gusht 2018, nga e cila në datën 17.09.2018, u paraqitën zyrtarisht gjashtë oferta”, thuhet në njoftimin e MIE-s.

Në fazën finale të vlerësimit, u kualifikuan 3 ofertues, ku sipas procesit të vlerësimit, oferta që u vlerësua me më shumë pikë si kombinim i besueshmërisë teknike, financiare, eksperiencës së ngjashme, çmimit dhe kapaciteteve shtesë të instaluara, ishte oferta e paraqitur nga bashkimi i shoqërive India Power Corporation ltd e rregjistruar në Indi, Mininig Resources FZE, e regjistruar në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Midami Limited, e regjistruar në Hong Kong.

Theksojmë se kompania lider e konsorciumit India Power Coporation LTd, është një nga kompanitë më të mëdha energjetike të Indisë, me eksperiencë 100-vjeçare, me kapacitete të instaluara prej 1500 MW, që përfshin kapacitetet të prodhimit të energjisë termike, erës dhe energji diellore dhe e zotëruar nga Grupi Kanoria Foundation, një konglomerat ekonomik indian me një portofol asetesh prej 15 Miliardë USD, duke krijuar besueshmërinë e nevojshme për përmbushjen e këtij projekti.

Projekti do ketë vlerën prej rreth 70 milionë euro dhe do të krijojë mundësi të shumta punësimi. Ky projekt do të jetë një hap i rëndësishëm në diversifikimin e burimeve të energjisë në Shqipëri dhe do të hapë gjithashtu rrugën për krijimin e Shqipërisë si një qendër të energjisë diellore në rajon.

Oferta e shpallur fituese, siguron një çmim energjie për 50 MW me një vlerë prej 59.9 Euro/MW për 15 vite dhe një kapacitet shtesë prej 50 MW (100 MW në total) pa mbështetje për blerje energjie. Afati i zbatimit të investimit është 18 muaj.

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë vlerëson si sukses rezultatet e këtij ankandi pasi ka arritur të sigurojë një nga çmimet më të ulëta në rajon për këtë lloj teknologjie, (Greqia 63 Euro/MW dhe Turqia 62 Euro/MW), më e ulët se çmimet mesatare të importit në vendin tonë, dhe një kapacitet shtesë në 50 MW, duke e bërë këtë ofertë shumë të leverdishme për tregun energjetik në vend. Kjo konfirmon edhe njëherë besimin në zhvillimin e tregut energjetik shqiptar dhe klimën e investimeve në vend.

Ministria do të fillojë menjëherë negocimin e kontratës me qëllim zbatimin sa më parë të projektit të Akërnisë. Rezultatet e këtij procesi na inkurajojnë për zhvillimin e kapaciteteve shtesë në prodhimin e energjisë diellore duke zhvilluar ankande të ngjashme në një të ardhme të afërt, në zona të tjera të Shqipërisë që ofrojnë potenciale të mira për prodhimin e energjisë diellore./atsh

Impianti fotovoltaik i Akërnisë, shpallet kompania fituese Read More »